Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e njëzetë e tetë
Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Eksperimente “alienësh”!
Po ndiqja një emision televiziv për alienët dhe UFO-t. Më pëlqejnë këto lloj emisionesh, sado që asnjëherë nuk e zgjidhin deri në fund enigmën e jashtëtokësorëve dhe marrëdhëniet e tyre me njerëzimin. Përsëriten të njëjtat gjëra, të thëna e stërthëna mijra herë. Megjithatë vazhdojnë të më intrigojnë këto lloj emisionesh. Në emisionin që ndoqa herën e fundit u hodh edhe një hipotezë, që nuk e pata dëgjuar ndonjëherë: jashtëtokësorët e paskan vizituar planetin tonë, që para miliona vjetësh, ata duhet të kenë asgjësuar edhe dinozaurët që popullonin këtë planet për t’i lënë vendin një faune dhe flore më paqësore dhe më mikpritëse për ta.
Dhe kështu do të ketë ndodhur. U zhdukën dinozaurët, sot mezi gjendet ndonjë eshtër e tyre, ndërsa toka u popullua me speciet që sot rrojnë në këtë planet. Ah… prej kryqëzimit të tyre me njerëzit e parë primitive, lindi edhe “homosapiens” i sotshëm. Sipas kësaj hipoteze, sot, planeti tokë është si një lloj laboratori dhe kopshti zoologjik për qeniet e fuqishme jashtëtokësore. Ato na vëzhgojnë vazhdimisht; në fillim na mësuan si ndizet zjarri, na mësuan të shpikim rrotën e plot mrekulli të tjera. Edhe ndryshimet e çuditshme klimatike, shtimi apo pakësimi i akullnajave, nuk qenka gjë tjetër, veç vepër e alienëve. Ekziston dhe një teori tjetër, më konspirative: ata, alienët, duhet të kenë një lloj marrëveshje me të mëdhenjtë e globit tonë!
Kjo tezë e fundit më sjell ndërmend fatin e atdheut tonë, Shqipërisë, asaj natyrale – Shqipërisë së Madhe dhe kësaj Shqipërie të vogël, Shqipërisë londineze, me një motër edhe më të vogël, Kosovën, dhe dy tre motra të tjera edhe më të vogla, Çamërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, të cilat “alienët” e fuqishëm i kanë shkëputur nga njëra-tjetra, sipas qejfit të tyre. Dhe vërtet, Shqipëria e para ’90-ës ishte një lloj kopshti eksperimental për ata “alienë”. Pasi e copëtuan në katërsh trupin e brishtë të Shqipërisë, pasi u tallën me shtetin e vogël që sajuan edhe gjatë Luftës Dytë Botërore dhe pas saj, na lanë fare në harresë. Shqipëria nuk ekzistonte për ata.
Shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, thotë me mllef në një intervistë dhënë një reviste italiane: “Tirana për ju nuk ekzistonte, madje, as në buletinet tuaja meteorologjike”! Është e vërtetë, ende nuk ekziston. Kaluan vitet e rënda të komunizmit, më të rënda se në çdo vend tjetër që eksperimentoi “socializmin real”. Në fillim shpëtuan shtetet e tjera socialiste: Gjermania Lindore, Polonia (Papa ishte polak), Hungaria, etj…! Në fund Shqipëria. Si gjithnjë e fundit…! Nga fillimi i vitit 1990, filloi të ndihej edhe tek ne “the wind of changes”. Ndodhi mrekullia.
Në Tiranë u bë një mbrëmje kushtuar bitëllsave, por asnjë fjalë për ata, që u futën në burg prej muzikës së tyre. Alienët filluan të tregojnë interes për kopshtin e tyre eksperimental. Në Tiranë erdhi një nga shefat e “alienëve”, vetë shefi i OKB-së, zoti Perez de Quellar, u takua me presidentin Ramiz Alia, i kërkoi që vendi ynë duhej të respektonte “të drejtat e njeriut”. Ramizi i tha se; në Shqipëri nuk ka të burgosur politikë, u bind de Quellari dhe e përgëzoi. Vetëm 6 muaj më vonë, dolën të burgosurit politikë nga burgjet.
Një vit para kësaj, një nga organizmat e OKB-së dekoroi vendin tonë me një medalje të rrallë, si vendi me ushqimin më të mirë në botë! Një vit më pas, Ramiz Alia u shpall njeriu i vitit, nga një universitet englez! A thua se kishin vendosur të tallnin bythën me ne, si gjithmonë? Po shkonim vërtet; “nga fitorja në fitorje”, si thosh envervampiri…?! Erdhi dhe një grup “alienësh” juristë, specialistë për të drejtat e njeriut. RTV shtetëror dha takimin e tyre me Ramizin. Këtë grup e pashë edhe në Durrës, në ditët e eksodit…! “Hajde Makso, fol nji çik me këta anglisht”, më tha komiku durrsak, Fadil Hasa. U afrova, shumica ishin juristë qipriotë, grekë, ndonjë finlandez, që shikonte përqark i hutuar, kurse të tjerët sllovenë dhe serbë. M’u afrua njëra prej tyre dhe m’u prezantua: “Unë jam Tanja!”
– “Gëzohem, Tanja. Nga cili vend jeni”?
– “Jam nga Beogradi”.
– “Ah, e kuptova, faleminderit. Ju kam parë mbrëmë në TV. Ditën e mirë, Tanja”.
– “Më vjen keq, përse largoheni?! Tani që gjeta një njeri me të cilin mund të bisedoj…”?!
– “Ju nuk keni çfarë të bisedoni me mua, zonjë. Ju jeni serbe dhe nëse ndodhesh këtu për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ke boll për të bërë atje, në Jugosllavinë tënde, ku prej një shekulli e ca, shqiptarët kosovarë masakrohen prej serbëve”.
– “Po ju them se unë jam mike e shqiptarëve dhe… “! etj., etj.
Ishte eksodi i dytë, ai i marsit ’91, mbas ngjarjes së ambasadave, gjithçka “ala Fidel Kastro”. Por ndërkaq kishte filluar krijimi i partive opozitare. E para, Partia Ekologjike me të famshmin, Namik Vehbi Fadile Hoti dhe pas saj me radhë PD-ja, PR-ja, etj.. Themelimin e Partisë Demokratike, e përshëndeti edhe Ibrahim Rugova, dha edhe një intervistë në gazetën “Drita” ku thoshte se ishte mjaft i lumtur për atë ngjarje dhe sidomos (!) që në kryesi të PD-së, nuk kishte të burgosur politikë…!
S’ka gjë, edhe të mëdhenjtë lajthitin ndonjëherë. Nuk dua të them se të qenit “ish i burgosur politik”, të jetë leje-kalimi për çdo post, por jam absolutisht kundër, që të zbatohet e kundërta. Por këtë e pati parasysh dhe u kujdes vetë me shumë zell udhëheqja e Partisë Demokratike.
Në mars ’91, pritej të bëheshin të parat zgjedhje pluraliste tek ne. Ambasadori Ryerson, ishte mjaft aktiv në mbështetje të opozitës. Por nuk vonoi dhe shofer të vetin, si titullar i ambasadës amerikane, mori shoferin e kriminelit Enver Hoxha…!
Në mitingun e madh në Tiranë, për nder të mikut të madh James Baker, aq shumë njerëz nuk qenë mbledhur që kur vdiq Stalini. Miku i madh, e tregon hapur mbështetjen e tij, kur në krah të djathtë, merr Prof. Dr. Sali Berishën. Të fuqishmit e kanë bërë zgjedhjen e tyre.
Gramoz Pashko, pat thënë diçka për një çek të bardhë. James Baker, e vërteton: premton vetëm tre milion dollarë ndihma në ushqime, nga rezervat e US Army. Zgjedhjet i fitoi përsëri PPSH-ja. Pas një viti rivotohet dhe fiton bindshëm PD-ja. Ish të burgosurit politikë, të internuarit, e mbështetën fuqimisht; te PD-ja, shihnin shpresën e tyre për një jetë më të mirë.
I ndoqa dhe mora pjesë aktivisht në të gjitha ngjarjet që paraprinë pluralizmin tek ne, që kur punoja në minierën e Gërdecit dhe më pas, kur, për të mbijetuar, jepja mësime private. Për çudi, gjyshja ime që nga viti ’86, filloi të interesohej për pronat e saj dhe të dajallarëve të saj, në Korçë, Tiranë dhe në Durrës. “Të keqen nëna, shpejt do të vijë dita dhe do t’i marrim pronat tona, mjaft vojte nëpër burgje dhe miniera, do shohim edhe ne një ditë të bardhë”. Por ajo i mbylli sytë në dhjetor ’89, me gjithë ëndrrat e saj dhe tonat për një “ditë të bardhë”. Qysh në verën e ’90-ës, njerëzit filluan të pëshpëritnin: “Ja, sa të vijë shtatori, të kthehen studentët dhe priten trazira të mëdha”.
Trazira nga studentët?! Nga bijtë e atyre me biografi të kulluar? Diçka nuk shkonte këtu. Shumë nga këto thashetheme, i dëgjoja nga njerëz të dyshimtë, spiunë të Degës, dhe nga ca vajza dhe djem që deri dje, bënin pjesë në grupin e AGBV (Antarë të Grupeve të Bashkëpunimit Vullnetar), që në lagjen tonë drejtohej nga një “prokuror popullor” i kohës, A. Meçe. Ndonjë fytyrë prej tyre, e mbaja mend që më gjurmonte që para arrestimit në ’77-ën, por ato ditë i shihja mjaft aktivë nëpër demonstratat, që zhvilloheshin në Durrës. Nuk dihej kush i organizonte. Edhe sot kjo gjë, më ka mbetur enigmë…?!
Në fillim dëgjoheshin fjalë: “E more vesh, sot bëhet demonstratë në Durrës”. Njerëzit mblidheshin turma-turma përpara Pallatit të Kulturës, ku gjenin gjithmonë ushtarë të armatosur dhe policë me shkopinj e skafandra, autoblinda e makinat zjarrfikëse në gatishmëri, që mbronin sidomos Komitetin e Partisë.
Durrsakët, janë përgjithësisht njerëz të matur dhe të urtë. Nuk mendoja se do të kishte akte rrugaçërie dhe përleshje me policinë, në ato demonstrata dhe vërtetë pashë plot intelektualë që merrnin pjesë, por në rreshtin e parë, në grupin e atyre që ulërinin para policëve, nuk njoha asnjërin. Ata shtyjnë dhe fyejnë policët me guxim të paparë dhe unë nuk e kuptoja arsyen e këtij acarimi. Përleshja filloi dhe grupi i “rebelëve” u zhduk si ta kishte përpirë dheu, ndërsa shkopinjtë e policëve qëllonin mbi kokat e paqësorëve të rreshtit të dytë, të tretë, të cilët nuk kuptonin gjë dhe ia mbathnin vrapit, nëpër rrugica. Aty i prisnin grupe ushtarësh të përgatitur për sherr dhe rrëmuja vazhdoi deri natën vonë.
Filloi thyerja e xhamave të dyqaneve. Policia nuk ndaloi asnjë prej autorëve, por arrestoi Q. Thanasin, që përpiqej të ndalonte thyerjet dhe shkatërrimet, duke iu folur: “Mosni, çuna, mos thyeni, mos shkatërroni”! E pashë me sytë e mi se si policët e shtrinë për tokë dhe i hynë me shkelma e shkopinj, para se ta përplasnin brenda makinës së blinduar të policisë. Filluan demonstratat edhe paraditeve. Kishte fjalë se do të hapej Porti dhe anijet që gjendeshin aty, do të dërgonin njerëzit në Itali. U hap fjala se Ramizi, ishte marrë vesh me qeverinë italiane për të dërguar aty rreth 20 mijë refugjatë. “Rrebelët”, nuk ishin të kënaqur nga maturia e durrsakëve: “Duhet me bo nomin. Nuk e hapin portin këta me t’lutme. Duhet me thy, me djeg, kshu marrin vesh këta”…! Policia, për çudi, dukej më e butë.
Njerëzit në Durrës qenë shtuar. Kishte shumë fytyra të reja edhe nga qytete të tjera. Njerëz të armatosur shquheshin mbi ndërtesën e Bashkisë dhe të Komitetit të Partisë së Punës. Qëllonin mbi kokat e njerëzve. Mbeti i vrarë një djalë i ri nga Librazhdi, nuk ishte as 20 vjeç. Ishte bir i një familjeje që quhej “e deklasuar”, snajperët dinin kë vrisnin. Porti më në fund u hap dhe njerëzit vërshuan të panumërt, hipën nëpër anije dhe ç’ndodhi pastaj e dimë të gjithë. Edhe këtë radhë kuçedra e mori taksën e gjakut.
Disa muaj më parë, miqtë që kisha në NISh – Goma, më patën thënë se atje kishte vajtur Lenka Çuko, anëtare e Byrosë Politike të PPSh-së, që si e “mençur dhe erudite”, pat folur për gjendjen ndërkombëtare, d.m.th., bëri llak –llak, si rosat nja dy orë. Pas asaj, e pat marrë fjalën prokurori i lagjes, Alush M., që kishte kërcënuar hapur: “Me gjak e morëm këtë pushtet dhe ta dini mirë, se nuk e lëshojmë pa gjak”! Por ndërkaq ishte hapur rruga e pluralizmit, pat lindur shpresa jonë: Partia Demokratike.
Në zgjedhjet e parakohshme të marsit të ’92-it, ajo fitoi zgjedhjet me shumicë dërrmuese. Ramiz Alia dha dorëheqjen, kryetar i Parlamentit, u zgjodh një veteran i burgjeve politike, Pjetër Arbnori. Ishin të gjitha gjasat, se çdo gjë do të shkonte mbarë. Disa ish-të burgosur politikë, u zgjodhën deputetë. Ëndrrat tona po bëheshin realitet. Një Shqipëri demokratike, pa gjakderdhje si në Rumani. Pa gjakderdhje?! Po ata dhjetëra të vrarë në kufi, gjatë vitit ’90-të, kur me ligj kalimi i kufirit pa leje, quhej vetëm; kundra-vajtje?!
Po katër të vrarët e Shkodrës?! Po ata të vrarë nëpër Tiranë?! Sidoqoftë, ata që mbronin Ramizin, dukej që kishin harruar se ishte po ky Ramiz Alia, ai që mprehu thikat e kasapëve serbë, që therën mijra djelmosha kosovarë në Tivar. Por le te mos bëhesha merak, tani kishte ligj, kishte shtet demokratik, që i dënonte kriminelët, në bazë të ligjit. Më në fund, nuk i përkisnim më kampit famëkeq socialist. Parrulla që dëgjohej nëpër mitingje, ishte: “Ta bëjmë Shqipërinë, si gjithë Europa”
Ne dhe alienët
…Janë disa lloje apo raca alienësh, sipas disa emisioneve në TV, ka prej tyre që janë gri. Këta janë shumë të këqij; ka prej tyre që janë të gjelbër, për këta thonë që janë miqësorë me racën njerëzore. Thonë se ka prej tyre, që janë në gjendje të shndërrohen dhe të ngjajnë njësoj si ne. Ka edhe një klasifikim të kontakteve njerëzore me alienët, që ndahet me shkallë.
Shkalla e parë, është kur i sheh nga larg në fluturim, me ato disqet e tyre fluturuese; e dyta kur i sheh nga afër dhe shkalla e tretë, kur flet, bisedon me ta, apo ajo që quhet “abduction”, d.m.th., rrëmbim prej alienëve. Një prej këtyre “alienëve”, ka shkruar dhe një libër për racën tonë, shqiptarët, një libër për misionet angleze në Shqipëri, gjatë Luftës Dytë Botërore me titull; “Fitorja e hidhur”.
Edhe një tjetër ka shkruar një libër interesant me titull; “Mbreti Zog dhe përpjekjet për stabilitet në Shqipëri”. Ka edhe të tjerë që kanë shkruar dhe unë, nuk e di nëse ata janë “alienë” gri apo të gjelbër. Gjithsesi, në këto dhe të tjerë libra, njeriu mëson se ç’na kanë punuar neve “alienët” gri. Por nuk i thonë asnjëherë të gjitha; se ajo luftë ende vazhdon dhe fati jonë, mbetet i papërcaktuar. Mendoj që faji nuk është vetëm dhe vetëm i joni, sepse siç thotë një prej tyre, në parathënie; “Shqiptarët e gjejnë fajin gjithmonë tek të tjerët dhe asnjëherë te vetja e tyre”.
Pra edhe unë, si shqiptar që jam, ma ka qejfi që fajet më shumë, t’i gjej tek ata dhe jo tek ne! Një nga fatkeqësitë tona është, se kur mbaroi lufta e fundit ndërmjet “alienëve” dhe këta, ndanë plaçkën e luftës, për fatin tonë të zi, na caktuan si një prej trofeve që ja dhuruan Alienit Të Madh, Të Kuq dhe ne u skuqëm, njësoj si ata, madje ca më shumë. Kërkoj t’i gjej në “alienët” evropianë, që nuk na qasin në Evropë dhe harrojnë se ishte Perandori Kostandin, me origjinë ilire, që bëri krishtërimin, fenë e sotme zyrtare evropiane, një fe shtetërore.
Apo në “alienët”, turq të ardhur nga Azia, që po të mos kishin luftuar me shqiptarët mbi 30 vjet, shumica e parlamentarëve të sotëm evropiane, do të ishin synetlij…!
Fitorja e PD-së në zgjedhjet e ’92-it, ishte një gëzim i madh për ne. Natë e ditë televizioni, gazetat, flisnin dhe shkruanin vetëm kundër komunizmit; kundërshtarët politikë etiketoheshin si; enveristë, ramizistë apo kriptokomunistë. Të burgosurve politikë, iu njoh pafajësia e plotë dhe flitej për dëmshpërblimin e tyre. Unë në bisedat me miqtë e mi, demokratë ose jo, thoja se; në gjërat e para që prisja prej qeverisë demokratike, ishin: denoncimi i vendimeve të Kongresit të Përmetit të 24 majit ’44, hapja e dosjeve të komunizmit dhe arkivave të PPSh-së, si dhe dënimi me gjyq publik i krimeve të Enver Hoxhës dhe partisë së tij, për t’u ndarë përfundimisht nga e kaluara.
Kjo për mua, nuk nënkuptonte dërgimin në burg të nomenklaturës komuniste. Nuk doja të shihja në burg njerëz, për bindjet e tyre politike. Doja të shkonin në burg, vetëm ata që patën lyer duart me gjakun e shqiptarëve. Nuk e dija se “alienët” e fuqishëm patën futur mes nesh “robotë” të tyre, që punonin për Ata dhe sot ndihem i fyer, i pezmatuar. Çdo vit që kalon, merr me vete jo pak prej nesh… sa do të kemi mbetur pas 5 vitesh?! Me pronat është bërë batërdi, por kjo është një temë shumë e gjerë, duhen disa libra, për ta përshkruar.
Rreth 20 vjet më parë, pashë një film të mrekullueshëm Italian, me Claudia Cardinalen dhe të madhin Bekim Fehmiu, me titull “Libera, e dashura ime”. Historia e një vajze italiane, komuniste dhe partizane, që pat luftuar fashizmin ashtu si mundi, me të gjitha forcat e saj edhe me armë. Mbaroi lufta dhe Libera shkon në zyrën e strehimit, për të kërkuar shtëpi. Lufta mbaroi, njeriu duhet të punojë dhe të banojë diku për të jetuar. Por për çudinë e heroinës sonë, në zyrën e strehimit, gjen ish- sekretarin e Partisë Fashiste.
E indinjuar, del nga zyra e tij dhe shkon për t’u ankuar në zyrat e partisë së saj. Kryetari i partisë i dha këtë përgjigje: “E dashur Libera, kuptoje, lufta mbaroi tashmë. Kjo është Italia, gjysma fashiste dhe gjysma komuniste. Tani kemi për detyrë, ta rindërtojmë Italinë. Këta që jemi. Më kupton?! Do ta rindërtojmë, apo do të fillojmë luftën nga e para”?!
Do të isha shumë dakord me atë kryetar, po të kish ndodhur edhe tek ne e njëjta gjë. Sikur vetëm në zyrat tona të strehimit, të gjeje ish-komunistë. Por te ne, ai që çoi në litar poetin Havzi Nela, për shumë vite, ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese! Hetuesi im, që kur më arrestoi, m’u prezantua si oficer i Sigurimit të Shtetit, u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë! Gjykatësi Ermir Dobjani, që dënoi mikun tim, Asllan Togu, u bë Avokat i Popullit!
Prokurori Breca, që dënoi kush e di sa vetë me pushkatim, jo vetëm për ngjarjen në ambasadën sovjetike, u nderua me dekoratë të lartë, nga ish-Presidenti Bamir Topi! Mos vallë ka të drejtë ai shkrimtari “alien”, që; ne shqiptarët e kërkojmë fajin gjithmonë tek të tjerët?! Unë nuk mund të harroj, që “alienët” vëzhgojnë gjithçka, ndonjë prej tyre mund të lexojë edhe këto që po shkruaj. Zot na ruaj nga “abduction”! I kemi mes nesh këta, hiqen si ne, gjoja punojnë për ne, por në fakt, punojnë vetëm për Ata dhe për xhepin e vet. Memorie.al
Janar 2013
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016