Nga Alqi Koçiko
Letra e Haxhi Lleshit: “Të lajmërohet kapter Idajet Kokaj, që na kërkon leje për martesë me një vajzë ruse, se detyra e parë e tij, është kryejë me përpikmëni detyrat, që i janë ngarkuar nga Partia, Komandanti Suprem dhe Populli”!
Memorie.al / Ata vinin nga lufta. Shumica dërrmuese, ishin vërtet me origjinë “gjysmë opinge”; edhe ndonjë që vinte nga familje më në gjendje, e kishte tretur pasurinë. Ndërkohë që kush “kishte parë botë me sy”, numërohej me gishtat e dorës, ishte më se e kuptueshme, që metamorfoza në të mirë dhe në të keq, e ushtarakëve shqiptarë që diktatura komuniste i dërgoi të studionin në shkollat e famshme të Bashkimit Sovjetik, të binte shumë në sy.
Ky grup i madh njerëzish, që i dha tonin luftës në terrenin shqiptar, do të bënte të njëjtën gjë, edhe për atë pjesë të Luftës së Ftohtë, që i ra për hise Shqipërisë. U kthyen për të komanduar ushtrinë e vendit të tyre, shijuan lavdinë dhe mundimet, pakënaqësitë dhe gradat, e shumë prej tyre në fund, edhe e pësuan.
Arsyeja tashmë dihet: Miku i madh ishte shndërruar në armikun e madh. Por dramat në të tilla raste, marrin përmasa të shumëfishuara, aq më tepër, kur kalojnë nga plani profesional, në atë njerëzor e personal.
Sepse për ta, ndarja e Enverit nga Hrushovi, prishja e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe shumicën e vendeve të Kampit Socialist, nënkuptonte automatikisht, ndarjen e grave të tyre ruse. Thika e ironisë, shkon edhe më thellë: Ndokush, para se të vendoste të lidhte jetën, me romancën e vet ruse, ishte divorcuar nga bashkëshortja e mëparshme, shqiptare.
Nevoja urgjente e qeverisë së re të dalë nga Lufta, për kuadro të mirëfilltë ushtarakë, ashtu si dhe për profesionistë civilë të fushave të ndryshme, e kishte gjetur zgjidhjen: Arsimimin në shkollat e “Demokracive Popullore” të Lindjes, e kryesisht në Bashkimin Sovjetik.
Padyshim se përzgjedhja e elementëve, ishte skrupuloze, ndërsa kriteret, kokë e këmbë, politike. Komandantë të shquar të Luftës, më pas drejtues kryesorë të shtetit, duke filluar që nga Mehmet Shehu, studiuan në “Harvardin” sovjetik, të shkollave ushtarake, Akademia “Voroshillov”, ku përgatiteshin oficerë madhorë, të Shtabit të Përgjithshëm.
Menjëherë më pas, vinte Akademia “Frunze”, që prodhonte drejtues brigadash e divizionesh të këmbësorisë; Akademia “Zhukovsko”, për aviacionin; Akademia “Xherxhinski” e KGB-së; Akademia “Stalin” e tankeve, etj.
Me përjashtim të atyre të “Voroshillov”-it dhe “Frunze”-s, pjesa dërrmuese e studentëve shqiptarë, duhej ta fillonin studimin nga shkolla bazë ushtarake, “Uçilishte”, e ndarë sipas degëve dhe ku starti i parë, ishte mësimi i gjuhës.
Paskëtaj, vinte Kursi i Oficerëve dhe më pas Akademia, si faza më e lartë. Por e gjithë kjo, siç rezulton nga disa dokumente të Arkivit Qendror të Ushtrisë, përkthehej në rreptësinë shembullore të shkollës sovjetike të kombinuar, hidhët me acarin famëkeq të dimrit rus, diçka e panjohur, qoftë edhe për partizanët e djeshëm, të maleve të Shqipërisë.
Ja çfarë thotë një raport i atasheut jetëgjatë ushtarak të Shqipërisë në Moskë, Sadik Bocaj:
“Veçanërisht ajo që i ka goditur më shumë, ka qenë edhe disiplina e fortë, disiplinë kjo, që e godiste për vdekje partizanllëkun. Tanët nuk ishin mësuar me disiplinë të atillë, ndaj dhe u dukej e tmerrshme, e aq më tepër që ishte dimër, këta s’ishin mësuar, me një të ftohtë të tillë Rusie. Këta s’ishin mësuar, me u ba gati për dy minuta e, me dalë në rresht…me ba paraqitjen karshi eprorëve, në rregull; këta s’ishin mësuar, me ba roje, me fshi e me la dyshemenë e, nevojtoret”!
Shumë raporte të Sadik Bocajt dhe të ndihmësit të tij, Vasil Skorovoti (ky i fundit, dërgonte raporte të veçanta edhe mbi punën e shefit të vet, si pjesë e misionit të tij special), flasin për Bashkimin Sovjetik ideal, për të cilin studentët shqiptarë, kishin dëgjuar aq shumë, përballë Bashkimit Sovjetik të zymtë të realitetit, për çmimet e larta e, varfërinë e pasluftës, për hajdutët e xhepave, që të vidhnin para syve e, për ushqimin e keq, të mensave ushtarake. Por nëse për shumëçka ish-partizanët, do të zhgënjeheshin nga nëna e madhe Rusi, ky zhgënjim, do të kompensohej nga një element i vetëm: Vajzat ruse.
Letër e vitit 1957
Drejtoria e Kuadrit në ministrinë tonë të Mbrojtjes, i dërgon mesazh atasheut ushtarak në Moskë: “Bashkë me këtë shkresë, ju dërgojmë letrën e shoqes Shpresa Lufo, me anën e së cilës, ankohet për bashkëshortin e saj, kursant Riza Lufo, i cili studion në shkollën e Marinës Leningrad, mbasi nuk ka marrë letra, qysh prej nji vjeti, dhe se në fund, e ka njoftuar për divorc. Çështja e tij, të shikohet seriozisht dhe me kthimin e letrës, të na njoftohet përfundimi”.
Kontakti i shqiptarëve me vajzat ruse, ka shkaktuar edhe të tjera drama të këtij lloji, duke bërë që autoritetet shqiptare, të përballeshin me një problem, të panjohur më parë. Martesa me shtetas të huaj, nuk ishte parashikuar, ndërsa më vonë, iu gjet një procedurë e ndërlikuar. Reagimet e para, gjithsesi ishin të rrepta, siç kumton kjo letër e vitit 1951, nënshkruar nga Haxhi Lleshi, drejtori i Personelit, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore:
“Kapter Idajet Kokaj, që është për studime ushtarake në Bashkimin Sovjetik, i ka drejtuar një lutje kësaj drejtorie, për të ndërhyrë pranë organeve kompetente sovjetike, për të lejuar që të martohet, me një vajzë sovjetike. Të lajmërohet i lartpërmenduri, se detyra e parë e tij, është kryejë me përpikmëni detyrat, që i janë ngarkuar nga Partia, Komandanti Suprem dhe Populli, duke dalë me rezultate të mira në mësime dhe të përfitojë sa më tepër, nga eksperienca e çmueshme sovjetike. Sa i përket martesës së tij dhe shokëve të tjerë, komanda i ka parasysh kërkesat e tyre…”!
Ishin vitet e mjaltit Tiranë-Moskë. Dhe kërkesat për nuset nga vendi i largët, nisën të rrjedhin lumë, nga viti në vit. Vajzat ruse, paraqiteshin në ambasadën shqiptare në Moskë, me kërkesat e tyre, ndërsa oficerët shqiptarë, drejtonin lutje në Tiranë. Dokumentet që duheshin plotësuar, përbëheshin nga:
1.-Lutje e të interesuarit bashkë me një biografi të tij;
2.-biografia e hollësishme e vajzës së huaj dhe adresa e saktë e saj;
3.-certifikatë shëndeti dhe certifikatë nënshtetësie;
4.-certifikatë gjyqësore dhe mirësjelljeje (çka nënkuptonte qëndrimin e saj politik).
Nëse dosja miratohej, njoftohej ministria e Jashtme shqiptare, që kontaktonte me homologen e saj sovjetike. Por interesant është fakti, që të paktën deri në vitin 1951, as qeveria e Moskës, nuk ishte e gatshme, të lejonte martesën me shtetas të huaj, përfshi dhe shqiptarë.
Vajzat ruse, paraqiteshin grupe-grupe pranë legatës sonë dhe paraqisnin kërkesat: Valentina Kovaliova për Nako Papavangjelin, Ana Derera, për Thanas Gjiknurin, Lidia Perestjuk, për Zenel Minarollin, Ludmilla Sitnik, për Vaskë Kostën, Galina Vinokurova, për Raqi Sellon, Tatjana Llomejko, për Areteo Konomin, Irena Onokjenko, për Peço Polenën, Sjagadjat Aitova, për Vasil Gjikondin, Ludmilla Denisovoj, për Vasil Priftin… dhe listat janë të gjata.
Sigurisht, shumica e kërkesave, pas një fluksi të tillë, filluan të miratohen dhe nisën të realizohen martesat. Nadja, me Rako Germenin, Beba, me Arqile Papadhimitrin, Gojogana, me Gligor Konomin, Galina, me Shaban Reçin, Veronika, me Mujo Sokolin, Valentina, me Qamil Podën, Nona, me Stavri Qeleshin, Lida, me Skënder Godon, Aleksandra, me Shaqir Kapexhiun…!
Studentët shqiptarë, në Simferopol, Rjazan, Kiev, Harkov, Saratov, Leningrad, Moskë, etj., kishin gjetur. jo thjesht ngushëllimin, por gëzimin e tyre të jetës. Dhe jo vetëm ata që u martuan, por shumë të tjerë. e gjenin rrezen e dritës. për të dalë nga zymtësia e jetës së rreptë ushtarake, pikërisht në marrëdhëniet e tyre jashtë shkollës, me femrat ruse.
Përshkrime të bollshme të kësaj epike, ka dhënë Kadare në veprat e tij, ashtu siç dihet tashmë, martesa e parë dhe e hidhur e Dritëroit të madh, me gruan e vet ruse, më të cilën pati dhe një fëmijë, Arjanin. Por ana e nëndheshme e kësaj medaljeje, ishin raportet e fshehta, që komandantët e grupeve të studentëve, përgatisnin për sjelljet e shokëve të tyre, ku përveç ecurisë në mësime dhe “jetës së partisë”, radhiteshin të gjithë “shkarjet”, pra angazhimi sipas tyre, i tepruar me femrat.
Ja një raport i hershëm i vitit 1946, i Sadik Bocajt:
“Nga elementet më të padisiplinuar, janë; Kapiten Stavri Qeleshi dhe Toger Xhemal Shehu, të cilët qysh gjatë udhëtimit për në Bashkimin Sovjetik, në Rumani, ndahen nga shokët duke mbetur pas vajzash…”!
Ai u kërkon në një tjetër letër, secilit prej përgjegjësve të grupeve, të dërgojnë një raport të hollësishëm, çdo muaj, “edhe më shpesh, po e patë të nevojshme”! Më tej, gjithmonë do të ketë ndonjë denoncim, për shkelje të leje-daljes, për ofendim të eprorëve, e deri për vjedhje rublash, mes njëri-tjetrit. Sigurisht, argëtimi kërkon para.
Por me afrimin e viteve ‘60-të, situata do të ndryshonte kryekëput. Përfaqësuesi i Shqipërisë, pranë Traktatit të Varshavës, Dilaver Poçi, i shkruan ministrit Beqir Balluku, në 23 tetor 1961, mbi ankesat e shumta për thyerje disipline, që gjenerali sovjetik Gusiev, i kishte rreshtuar në drejtim të studentëve shqiptarë, sidomos atyre që studionin në Krasnodar dhe Rjazan. Ftohja mes dy vendeve, tashmë ishte fakt i kryer dhe në diskutim ,ishte ndërprerja e studimeve dhe kthimi i studentëve shqiptarë në atdhe.
Shumë domethënëse, është letra “tepër sekret”, e gjeneral Halim Ramohitos (i dëbuar shumë shpejt nga Bashkimi Sovjetik, si non grada), dërguar eprorëve të tij, në Tiranë:
“Më 1 janar 1961, në 38 akademitë e shkollat ushtarake të Bashkimit Sovjetik, kemi gjithsej 876 ushtarakë, nga këta, 594 kursantë dhe 282 oficerë. Të ministrisë së Mbrojtjes, janë 759, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 117”!
Dhe Ramohito, flet për qëndrimin e drejtë politik të shqiptarëve, ndërkohë që në fjalorin politik dypalësh, dëgjoheshin rëndom termat; “revizionist”, “tradhtar” dhe “kokëfortët shqiptarë”!
Por ajo çka e meriton vërtet logon “sekrete”, vijon më poshtë:
“Kemi rreth 10 ushtarakë, që kërkojnë me insistim të martohen këtu. Me gjithë shpjegimet tona, këta shokë nuk binden. Numri i tyre, mund të jetë dhe më i madh…! Nga eksperienca që kemi, të gjithë rastet e këqija që kemi këtu me ushtarakët, e kanë bazën në marrëdhëniet me vajzat…! Çështja e martesave, po merr edhe karakter politik. Kemi kohët e fundit dy raste.
Kursant Luan Çakërrin, siç e dini, e kthyem në Shqipëri pa dhënë provimet shtetërore, sepse kishte pëshpëritur, që; ‘nuk kthehem në Shqipëri, pa gruan’. Këtij gjoja, i dhamë leje për në Shqipëri, për të rregulluar çështjen e martesës dhe mbeti aty. Edhe kapterin e Marinës, Idrizi, donim ta kthenim, se në Baku u lidh me një vajzë dhe i la mësimet fare. Ai erdhi këtu në Moskë dhe fshehurazi na iku nga hoteli, për në Leningrad. Atje e kapëm dhe e shoqëruam për në Moskë, e prej andej, për në Shqipëri…”!
Dikur shiheshin me zili, por më pas erdhën ditët që martesat ruse, të ishin mallkimi i oficerëve shqiptarë. Disa u ndanë, disa e mbrojtën shoqen e jetës. Siç është rasti i vlonjatit Hamdi Arapi, që nuk u nda nga Raja: “Rrobaqepëse ishte në Bashkimin Sovjetik, rrobaqepëse është në Vlorë. Ç’të keqe ju ka bërë”?! do t’u thërriste ai në fytyrë, autoriteteve shqiptare. Pas vitit 1992, ai shkoi në vendlindjes e të shoqes në Borisoglepsk, ku ndodhet edhe shkolla e famshme e Aviacionit “Çkallov”.
Por shumë gra, me dhe pa fëmijë, u kthyen në atdheun e tyre, ndërsa shumica e oficerëve të brezit sovjetik, do ta pësonin njëri pas tjetrit, sepse tashmë, shkollimi në Bashkimin Sovjetik, shihej si; “njollë në biografi”! Nga ushtarakët më të lartë, deri tek kapterët, do të niste pastrimi i radhëve të ushtrisë dhe kinezërimi i saj. /Memorie.al
(Marrë nga gazeta ‘Dita’)