Nga Shpendi Topollaj
Pjesa e pestë
Memorie.al / Kur simbolet e komunizmit, pas gjysmë shekulli kapardisje, u shembën, u bë një zhurmë aq e madhe, sa ne u zgjuam nga gjumi i thellë. Hapëm sytë, por jo të gjithë e besuam atë që kish ndodhur: shpesh njeriu, siç sheh disa ëndrra që i merr për të vërteta, ashtu sheh edhe disa të vërteta, që i merr për ëndrra. Për më tepër, nuk qenë të paktë ata që iu kundërvunë kësaj përmbysjeje historike, me demonstrime e, deri kërcënime. Për të kapërcyer këtë situatë, duhej durim e mençuri. Ishim vëllezër. E si të tillë e kishim detyrë intelektuale, morale e shpirtërore, që të denonconim demagogjinë e komunizmit dhe krimet e përbindshme të inkuizicionit të kuq. Natyrisht, që më të besueshëm ishin ata që kishin lënguar e vuajtur, burgjeve e internimeve. Heshtja, do të qe me të vërtetë, një mëkat i madh i tyre…!
DURIMI – VIRTYTI MË HEROIK
Libri “Globi në rrjetë” i Gëzim Medollit
Atëherë kur Rene de Jouvenal, pranonte se “hipokrizia është nderi që i bën vesi virtytit”, as që e shkonte ndërmend, se komunizmi që ai mundohej të mbronte me aq zjarr, do ta shndërronte përfundimisht vesin në virtyt dhe virtytin në ves. I nisa kështu këto radhë, kushtuar librit mbresëlënës; “Globi në rrjetë”, për të pohuar qysh në krye, se jemi përpara një fakti të gëzueshëm: letërsia e re post-komuniste, po hedh shtat e po konturohet plot jetë e vërtetësi, si çdo gjë që del nga shpirti e, jo nga diktati i recetave të sirtarëve, të burokratëve servilë e mediokër.
Ajo çka ngjau në këtë gjysmë shekulli në Shqipëri, do të jetë një “minierë” e pafund temash, për artistët dhe shkrimtarët, pasi siç thuhet në libër: “Nëse nga goja e personazheve të Shekspirit, kanë dalë fjalët: ‘Tmerr, tmerr…’, përpiquni të vendosni këtë binom të të njësuar mbi një super-tmerr, që Lorenc Oliveri i famshëm, s`do mund ta deklamojë”! Skllevërit – gladiator, të shkollës së Lentula Batiolës në Kapua, do të kenë jetuar përherë ankthin e fjalëve; “Vae victis”, pra, “Mjerë të mundurit”, ndërsa sundonin gjakësorë, si Luç Kornel Sila.
Napoleoni i madh, siç pohon konti Las Kazi, te “Memorialet e Shën Helenës”, kur u ndesh në rrugë, me një kolonë robërish armiq, mbajti kalin, nderoi ushtarakisht dhe tërë solemnitet përshëndeti: ‘Nder e lavdi trimave pa fat”.
Kurse Enver Hoxha, ndaj shtetasve të tij të një gjaku, u soll më keq se Neroni, i cili udhëhiqej nga deviza mizore: “Fame, Festa, Forka” (uri, festime, trekëmbësh), dhe vuri në pozitën e të mundurit, jo vetëm kundërshtarët, apo të pafajshmit, por edhe ata që përgjëroheshin për të, e që për gjen-idenë e tij, ishin gati të shkonin në hell, edhe babanë e tyre.
Gëzim! Atë që ti provove padrejtësisht në trupin tënd të brishtë, ajo çka dërrmoi shpirtin tënd poetik, gjithçka poshtëruese, që është gdhendur në kujtesën tënde dhe që do të të ndjekë pas gjithë jetën, më shtyn të të quaj vëlla. E mbi të gjitha, forca jote.
Ti kujtoje se ishe në një ëndërr të tej zgjatur e sfilitëse e, herë – here, pyesje veten; “Ç`i kisha bërë shoqërisë”?! Por ishin segmentet e shoqërisë ato, që mbi krenarinë tënde të bardhë, vunë peshën e rëndë të prangave, hodhën baltë, pështymë e gurë, të privuan nga dëshirat pasionante, për një puthje të vetme rinore; megjithatë, ti dite dhe t`i falje, dhe t`i doje, që nga burgu.
Është e çuditshme; vini pranë librit të Gëzimit, librin e famshëm të Aleksandër Sollzhenjicinit; “Një ditë e Ivan Denisoviçit” dhe keni për të parë, një ngjashmëri të pabesueshme. Të jeni të bindur se autori i “Globi në rrjetë”, aso kohe nuk kish sesi, të njihte këtë krijim të rrallë antikomunist. Ç`të jetë kjo, rastësi?! Jo! Diktaturat ngjajnë si dy pika uji, sidomos ato të kuqet.
Bashkëvuajtësi i Gëzimit, poeti Visar Zhiti, i cili natyrisht edhe ai nuk e dinte përmbajtjen e “Globi në rrjetë”, që në tetor të vitit 1992, shkruante: “Në këtë libër (është fjala për librin e Sollzhenjcinit), gjejmë edhe logjikën e palogjikshme të burgut shqiptar, llahtarin e turpshëm e dialoget dëshpërimisht të njëjtë. Intimitetet po ato: luga e fshehur në çizmet e çara.
Marrëzitë e politizuara, po ato: dikush atje besonte se; Dielli ngrihej në Zenith, në orën që kishte caktuar me anën e një dekreti, pushteti sovjetik, ndërsa te ne, një tjetër besonte, se kometave bishtin, ua kishte vënë partia, se ajo s`linte gjë, pa i vënë një bisht”.
Dhe me të vërtetë, Shukovi, ashtu si dhe protagonisti ynë, ngrihet më pesë të mëngjesit dhe le ta provojë po deshi të vonohet, një minutë të vetme! Ushqimi mizerabël, për të dy: njëri ha supë me tërshërë, me të cilën dikur majmte kalin, tjetri një lëng të neveritshëm, ku shpesh, në vend të ca kokrrave fasule, gjendeshin krimba.
Kontrollet e ndryshme dhe spiunllëqet, po ato: operativët me të njëjtin mision, dënimet në qeli për të njëjtat arsye, barakat po ato, telat me gjemba po ashtu, të njëjtat metoda rrahje, po ai ritual i heqjes së kapeles, kur sheh se po afrohet polici, mjekët si t`i kishte prerë e njëjta gërshërë, po aq zemërgurë, po ai qëndrim për mosrealizim norme, po ajo mënyrë poshtëruese e, mbledhjes së bishtave të cigareve, po ai peizazh i trishtuar edhe i ftohti po ai, solidariteti mes të burgosurve, i njëjtë, madje edhe pse asnjeri, nuk e di pse është aty, të dy janë dënuar njëlloj, me afate të gjata burgimi.
Mirëpo, në “Globi në rrjetë”, ndeshen edhe gjëra që fantazia e nobelistit rus, nuk do t`i përfytyronte dot. Kështu, me tone ngjethëse e tronditëse, përshkruhet në libër momenti, kur një të vdekuri, policët i presin kokën dhe me të luajnë futboll. Po ashtu, kur dikush vdiste, pasi e kallnin në dhe, skuadroni i policëve, luante vallen e kënduar labe:
“Kush e ka radhën nesër – o,
Bukurosh i Korçës – o,
Mbi një hu ta fusim – o,
E në hell ta pjekim – o”!
Për këtë, autori shkruan: “Të dëshirosh vdekjen e dikujt dhe t`i këndosh kësaj vdekje, duke e shoqëruar me çape vallesh, besoj se edhe akti më cinik, do të rrëqethej dosjeve të pluhurosura të penalitetit njerëzor. Koreografia komuniste, që i ruhej lakuriqësisë fizike, luhej lakuriq, me ritme krimi”.
Veç nuk kishte si të ndodhte ndryshe, në yllin Sigma, ku ky cinizëm reflektohej, sapo të hyje në pragun e tij, ku lexohej në beton shprehja makabre: “Burrel, hyn e s`del”, tamam si te ferri dantesk. Takojmë gjatë leximit, një profesor të burgosur që kur i vdes i vëllai, po i burgosur, nuk tregon, por i vinte atij një cigare në gojë, për të përfituar një racion më shumë, për shokët.
Dikush lutet t`i thyejë dorën, ose këmbën, vetëm e vetëm që të mos dalë në punë. Dibranin e urtë Zabit, gardiani Gjin, e detyron, pasi e tall, të kafshojë zorrët e miut të ngordhur. Minjtë e mëdhenj të burgjeve, herë perversë e, herë të futur nga Sigurimi, duke praktikuar deri dhunshëm homoseksualizmin, vrasin përjetësisht dinjitetin njerëzor, apo i detyrojnë këta fatkeq të vetëvriten fizikisht duke mos duruar dot turpin.
Në burgjet shqiptare, u praktikua gjerësisht ridënimi, kjo shpikje djallëzore, që mori trajtat e një institucioni, të pa precedent. Dhe pse; ngaqë dikush, sodit nuancat e ylberit, një tjetër pse shplodh shikimin në pikat e shiut, një i tretë, pse tregon me gisht rregullsinë e yjeve të Arushës së Madhe, apo pse këndon një këngë të huaj.
Paradokset ndjekin njëri – tjetrin: në të njëjtën kohë kur mbaheshin kongrese drejtshkrimi, të burgosurit, nuk i lejonte komanda, që në letrat e rralla që u dërgojnë familjeve, të vendosin shenjat e pikësimit, pasi sipas tyre, ato mund të përfaqësojnë ndonjë kod të fshehtë e, për rrjedhojë, mund të shifrohen mesazhe.
Dhe këta fatkeq, të veshur me rroba të zbardhura zhele – zhele, kokëqethur e të parruar, të ulur nëpër stolat e nxirë prej dërrase, i detyronin të lexonin idiotizmat e veprave të Enver Hoxhës, të cilave historia, më e fuqishme se çdo gjykatë, u dha vendin që meritonin; në koshin e plehrave.
Veç këtyre që përshkruam më lart, një vend të rëndësishëm zë në libër; rezistenca, ruajtja e cilësive e vlerave njerëzore, besimi në fundin e komunizmit, falja e, deri tek akti më sublime, siç qe revolta e njohur, e 21 Majit 1973, moment kur çdo thërrmijë gjaku e poshtëruar, u kthye në uragan të tmerrshëm shpagimi dhe që u fut në psikologjinë e të burgosurve, si një pikë referimi, aq sa pyesnin: “Para revoltës, apo mbas revoltës”, tamam si në historinë e përbotshme: “Para Krishtit apo, pas Krishtit”. Volteri, te “Shpirtçiltri”, thotë se; “nuk ka vend në botë ku dashuria, të mos i ketë bërë dashnorët poetë”.
Ndërsa Gëzim Medolli, pohon se; “Urrejtja më bëri poet” dhe shton se; edhe kur urreja, shkruaja për dashurinë. Ai do një vajzë me sy të zinj, një fshatarkë, për të cilën Shollohovi do të thoshte; “e bukur si xhinde”, por me të cilën monstruozja luftë klasash, e ka ndarë. Sidoqoftë, kjo dashuri, e shoqëron hap pas hapi, ia lehtëson sa mundet dhimbjet dhe i jep forcë “Tezeut” tonë, të mundë përbindëshin, në labirintin e ndërtuar nga Dedali.
Në këtë dilemë, dashuri – urrejtje, Gëzimi, në çastet kur do t`i përshtatej muzika e trishtuar, e uverturës së “Rigoleto” – s, duket se ndien një rëndim në zemër, një përgjegjësi për këtë dashuri pa fat, për të cilën ai, është më i pafajshëm, se vetë heroi mitologjik, i cili e braktisi Arianën e tij, në ishullin Naksos, ku prej dëshpërimit, ajo u hodh në det.
Dashuria e bën një njeri edhe më të mirë. Lexuesi e kupton se edhe sikur të mos ekzistonte fare, mendja e ndezur e, zemra e ndjeshme e një të riu në burg, ai do të krijonte me imagjinatë, një vajzë simbol, bukurisë dhe freskisë të së cilës, ai do t`i falej, duke iu drejtuar për ngushëllim e shpresë, gjatë viteve të tmerrshme të skëterrës – burg.
Kjo është një gjetje, si ajo e piktorëve të mëdhenj, që zgjidhnin një ngjyrë, një detaj, për të thyer sado pak ashpërsinë e peizazhit. Dhe vjen krejt pa pritur, një e premte dhjetori e vitit 1988, kur të dënuarit, pas tetëmbëdhjetë vjet e gjysmë burgimi, i jepet liria.
Nuk dimë se çfarë ka ndierë në të vërtetë, shpirti i tij, por kur është ulur të hedhë në letër këtë moment, autori nuk shfaq asnjë përshtypje të veçantë, asnjë pikë gëzimi (tamam siç thotë në prezantim, për të mos gjetur kurrë vërtetësi, ajo shprehja latine; “Nominum ominum est”, pra “emri është ogur”), dhe duke ngulur këmbët në tokë, përqendron shikimin e hidhur, mbi ndërtesën e zymtë të Burgut të Ri!
Ai edhe vetë duket se nuk e besonte, që atje qenë luajtur copëza dramash, nga më të dhimbshmet e jetës së tij, derisa e kishin futur të gjallë në arkivol. Ndaj, duke pyetur: “Të kenë ndodhur me të vërtetë këto”?! Ndërsa shiu rigonte shtruar mbi kokën e tij të qethur, çapitet më tej, për të hyrë në një tjetër burg të madh, me përmasat e një shteti të tërë.
Kur mbaron së lexuari këtë libër, padashur të mbërthen shikimi në kopertinën e tij, ku një i burgosur, i vizatuar prapa hekurave të qelisë, të ngjet me Kavaradostin e “Toska” – s, së Puçinit, që duke kënduar arien e magjishme; “Yjet shndrisin”, (përkim me kompozicionin e veprës), të kujton se ata që futën një popull të tërë në burg, janë gjallë, ata që hidhnin valle rreth një të vdekuri, rrojnë ende, ata që përdornin kokë njeriu në vend të topit, janë midis nesh e, qeshin me përçmim…!
Autori, e të tjerë si ai, janë fisnikë e falin, por kriminelët, nuk dinë të kërkojnë falje. Gati njëmijë vjet më parë, në janar të vitit 1077, Henriku i IV – të, e gjeti rrugën e Kanosës, për t`iu lutur para kështjellës, për tri dit me radhë, kokëjashtë e këmbëzbathur, Papa Gregorit të VII – të. Po kriminelët kuqalashë shqiptarë, kur do ta gjejnë këtë rrugë? Pikërisht këtë përgjigje, pret mesazhi që na jep libri i parë, i autorit, Gëzim Medolli! /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016