Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e nëntë
Memorie.al / Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Profesor Aleko Q.
Është tronditëse, befasuese, të hasësh të njohur në burg, çasti i parë sidomos, kur kërkon të sigurohesh, në është vërtet ai, apo kur tjetri të vjen befas: – Ti je….?
Takova në Ballsh, Hysen Kuqin prej Mamurrasi, vëllai i Hasan Kuqit, një shok i ngushtë i tim eti, u përlot kur më njohu: “Mos, nuk doja të takoheshim këtu”! Më tregoi pse e arrestuan. Operativi i Sigurimit, e thirri në fshehtësi për një takim urgjent. “E di pse të kam thirrur, Hysen?! Ja, po ta them menjëherë. Partia ka besim te ty Hysen. Familja jote, ka qenë e lidhur me luftën, me partinë dhe nuk ju lidh asgjë me armikun e klasës. Të kam parë që shoqërohesh me filanin këtu. Ke pirë edhe kafe me të. Ai është armik i pushtetit dhe i partisë”.
– “Po unë ç’hyj këtu? Kam pirë ndonjë kafe rastësisht, shok nuk e kam, vetëm ndonjë përshëndetje si vendas”.
– “Këtu ke disa fraza të tij, – dhe më zgjati një fije letër të shtypur. Lexoje dhe mësoje përmendësh, 3-4 fjali janë. Do të dalësh të dëshmosh në gjyq. Do thuash që ato fjalë t’i ka thënë ai. Kaq”.
– “Por këto fjalë… ai nuk m’i ka thënë mua asnjëherë, në asnjë rast”!
– “Kjo nuk ka asnjë rëndësi Hysen, të tjerat i dimë ne, hajde, mos bëj kështu, ai një armik i poshtër është, s’ka përse të të vijë keq për të”.
– “Unë nuk e bëj, shoku operativ. Nuk mund t’i dal dëshmitar i rremë atij tjetrit. Për mua bëni si të doni me të, në keni fakte e dënoni, por mua, mos më fusni në mes, kur nuk di gjë për këto muhabete”.
– “Kjo është fjala jote e fundit?! Do kohë të mendohesh”?
– “Nuk kam asgjë për t’u menduar, burrat një fjalë kanë”.
– “Do bëhesh pishman Hysen… nuk e prisnim prej teje… por mbaje mend! Mos hap gojë me njeri! “Po t’u kthye mendja, unë këtu jam, por nuk do të pres surratin tat…”!
“…Kështu punët miku im. Më arrestuan pas ndonjë muaji, për agjitacion e propagandë. Dëshmitarët nuk i njihja, protestova, bërtita, por nuk e çau kokën njeri, më dënuan. Atë tjetrin, e dënuan para meje, kështu si i bëjnë punët këta”.
Shoku im i grupit, Aladin Kapo, takoi këtu ish mësuesin e tij të gjimnazit, Aleko Q. Aleko është nga Narta, ka qenë mësues në gjimnazin “Halim Xhelo” në Vlorë. Edhe Alekon e thirri operativi i Sigurimit, njësoj si Hysenin, për t’i dalë dëshmitar një kolegut të tij. Nuk pranoi Aleko. “Për mua një gjë e tillë është turp”, – u përgjigj. “Ta tregoj unë turpin ty, qelbanik”! – u hakërrua operativi.
Alekon e arrestuan në mes të shkollës, kur të gjithë ishin në pushimin e madh, ndërmjet orëve të mësimit. Akuza: dhunë seksuale ndaj një nxënëseje të tij. “Si nuk më ra pika”, tregonte Alekoja. Kurrë nuk më shkonte nëpër mend, se do të arrinin të më akuzonin për një gjë të tillë, aq më tepër, që ajo nxënëse, ishte dhe shoqe e ngushtë me time bijë, ishin në një klasë të dyja maturante…! Më dënuan 15 vjet burg, për këtë gjë. Më çuan në kampin ordiner të Borshit. Aty fola për herë të parë me gruan. I thashë si ishte puna. ‘Të besoj Aleko’,- kështu më tha. – Dhe nuk do të të ndahemi, as unë, as fëmijët’. Tani që më beson ti, i thashë, unë bëj edhe 100 vjet burg.
Vajza që ishte maturante, nuk vazhdoi dot shkollën e lartë. Filloi të punonte te Fabrika e Llambave. Bashkë me atë vajzën që më akuzoi. Një natë, i shkoi në shtëpi asaj, kur ndodhej vetëm dhe i tha: – ‘Bashkë kemi qenë si motra, ma thuaj tani, për hir të miqësisë që kemi patur, babai im u dënua 15 vjet. Vërtet të ka kapur babai im ty’?! Ajo tjetra, filloi të qante; “më fal, thuaj edhe babait të më falë… nuk kisha çfarë të bëja unë e shkreta, ti e di, kam një dajo të arratisur… më kapi operativi, më tha që; do të thuash kështu kështu…. po nuk pranove, babin do të ta futim brenda dhe ju të tjerët do shkoni në internim, po pranove, je në rregull, ti je dhe me nota të mira, zgjidh degën që do në universitet’.
Po…, – i thashë, – presor Alekon, e kam si babin tim, pastaj unë jam vajzë e paprishur…. ‘atë gjë e rregullojmë bashkë’, – tha dhe qeshi, ‘zgjidh ose universitetin, ose burgun për tët atë dhe internimin për vete…’! Çfarë të bëja, unë e shkreta, tani jam bërë pishman, as të drejtë studimi nuk më dhanë…donte që të më mbante dashnore, nuk i mjaftoi që bëri ç’deshi me mua, dy herë…”!
Vajza lëshoi deklaratë të firmosur prej saj, ku thoshte të vërtetën, pohonte pafajësinë e Alekos. Kur e shoqja e Alekos po bënte përçapjet e duhura, për të liruar të shoqin nga burgu, Alekon e arrestuan në kampin e Borshit dhe e dënuan 10 vjet, për agjitacion e propagandë, plus 15 vitet e dënimit të mëparshëm, gjithsej 25 vjet. Nuk di ç’bëhet me të, nuk kam patur rast të mësoj ndonjë gjë rreth fatit të tij, më pas. Por nuk është vetëm Aleko Q., që i ka ndodhur kjo gjë… ka patur edhe më keq…!
Ballistë, partizanë dhe bijtë e tyre në kampin e përqendrimit
Është për t’u habitur, sa shpejt njihesh me njerëzit në burg, habitesh kur takon dikë, që ti nuk e njeh, ndërsa ai ndërkaq, ka marrë të gjitha të dhënat rreth teje. Dhe ty vinë e të thonë: “E njeh atë atje… është filani. Ia di historinë”?!
Në kampin e Ballshit, është përballimi im i parë me mjedisin e burgut, me njerëzit këtu. Është një grup të moshuarish, që rrinë gjithmonë me njëri tjetrin. Nga qeleshet e bardha me antenë, dallohen menjëherë që janë nga fshatrat e Vlorës. Janë ballistët e Dukatit. Ditën e djelë, venë qeleshe të reja, të pastra, borë të bardha. Edhe sot që është e djelë, sipas zakonit të tyre, kanë vënë qeleshet e reja, që ngjajnë si të sapo bëra. Unë shëtis në oborrin e kampit, bashkë me Aladin Kapon, kur njëri nga grupi i lebërve të Dukatit, ia bën me shenjë t’i afrohet…!
“Eja, more djalë, të njihemi… se jemi tanët. Jam kushëri i parë me nënën tënde, po nuk ke faj ti. Ja që u bë sebep burgu, të njihemi. Qysh je? Na shtëpia të vjen njeri?! Jo ë..! Filluan luftën e kllasave, bërna familjes nashti, po mos u mërzit, je djalë i ri… nuk i di të gjitha ti, joooo! Navash – navash, do ja heqi kokën edhe Hysniut Enveri, ashtu si ka bërë me të tërë… do ja gjejë anën edhe atija. Eh ç’kanë bërë komunistët, more bir…! Filluan maskarallëqet që më kohë të luftës…! Ja, ai xhaxhaj jot… e dogji të gjallë me flakëhedhës, një djalë të ri partizan, se i kishin dalë atija ca llafe, me një vajzë të re, partizane edhe ajo.
E pushkatuan vajzën, kurse për djalin, Hysniu dha urdhër ta djegin… me flak hedhëse. E futën në një kasolle kashte dhe vuuu ja lëshuan flakën…! Kurse për vete, ai xhaxhaj jot, që ishte dhe i martuar, bënte sevda me Viton. Po mase i ke dëgjuar këto llafe, qëkur ishe jashtë. Ikë nashti, se je dhe me atë shokun. Po ke nanjë hall a, nevojë, mos të vijë rëndë, eja na thuaj. Hajde qofsh mirë dhe mo u mërxit, dëgjooon”?
Një ditë, dy prej tyre ngacmonin njëri tjetrin… “E di qysh na ndodhi nevej? Shoh ëndërr unë dhe vete ia them këtija. Ishte një ëndërr me qeverri: Më duket se ma morën të keqen kuqot i them… kështu thotë ëndrra. Uuu, të hëngërtë goja mjaltë, më thotë ky… mua, nëntë vjet. Këtë e bënë të parë… i dhanë dhjetë vjet burg …Se na spiunoi një që na ruante na mrapa ferrës, merr vesh… E drejtë është kjo more… ahahahaha…. Ky i mjaltit, më i zoti na mua?”
Takojmë edhe Spartak Ngjelën, ka qenë jurist në Durrës, kur e arrestuan. I njeh ata të Durrësit, hetues, prokurorë dhe gjykatës: “Kë kishit hetues të çështjes, Aladin? Mos! Spiro Spiron the?! Sa ju dënuan…?! Ooo, shumë ju paskan dënuar. Por them se është meritë e Spiros, hetuesit tuaj…! Është i talentuar, në përdorimin e spiunëve të birucës ai, si askush tjetër në Durrës dhe me çështjen tuaj, ka për të bërë karrierë…! Por, hapni sytë! Mos t’ju gënjejë mendja, se ia hodhët me kaq. Ruajuni, se mund ta pësoni më keq”!
Takojmë edhe Andrea Gj., Ky ka qenë oficer Sigurimi dhe kryetar i një Dege të Brendshme. I thinjur, mbi 60 vjeç, tip që nuk shoqërohet me shumë njerëz. E njeh familjen e Aladinit. Si i zanatit që është, pyet me kujdes, mundohet të kuptojë ndonjë gjë më tepër. Të kuptojë, çfarë fshihet pas arrestimit të nipit të Hysni Kapos…!
– “Më vjen çudi, – thotë, – si të paskan arrestuar ty. Hysniu, shihet si numri dy në Shqipëri. Edhe njerëz të kishe vrarë… të mbyllnin ca kohë në ndonjë çmendinë, sa të harrohej muhabeti dhe kaq. Po burg?! Jooo, s’më mbushet mendja… çoç luhet nën rrogoz…! Të shohim, kush do të përfitojë nga rënia e tij”.
– “Ti mendon se Hysniun do ta arrestojnë”?!
– “Ndoshta jo. Ndoshta i vjen ndonjë vdekje “e papritur” dhe varroset me nderime të mëdha… por edhe mund të arrestohet. Kushedi si janë planet e “atij”. Kapiten, kë kishit, Aladin? Ah, F. K?! Mos! Vërtet? Sa vjet kishe që punoje me të? E njoh mirë ç’mall është. Atë e kam rekrutuar vetë, si bashkëpunëtor të Sigurimit që në vitin 1948, para se të shkonte në atë shkollën në Bullgari, për detari. Ai ka dorë në arrestimin tuaj, të jesh i sigurt. Varet me kë i ka lidhjet tani. Ta dija se me kë, do të kuptoja shumë, rreth të ardhmes së vendit, mbrapa arrestimit tuaj diçka fshihet…”!
Edhe Andon Sheti, i dënuar 15 vjet, ish shefi i Zbulimit Ushtarak, mendon pak a shumë kështu. Këtë mendim ka edhe Vasil Kati, ish zv/ministër, gjithashtu edhe Dalip Zhaboli, ish-komandanti i Korpusit të Veriut, i dënuar me 15 vjet. Dalipi shoqërohet me një inxhinier shkodran, Mark Shkreli e quajnë. Të dy të gjatë, të fuqishëm. Marku zeshkan, me ata sy të kaltër, ngjan si aktor amerikan. Nuk i mbetet kurrë hatri, nga shakatë që i bën Dalipi. Këta të dy, janë nga miqtë më të mirë që kemi këtu. Por rrethi ynë i miqve, është mjaft i gjerë; kemi Shefqet Kaun, Gëzim Peshkëpinë, Nikolla Spiron, Madun, të birin e shkrimtarit Petro Marko dhe… më mirë të mos vazhdoj me listën sepse është e gjatë.
Shefqeti, tregon plot gjëra nga jeta e tij. Ka qenë sportist, volejbollist me emër dhe trajner i ekipit të femrave të “Dinamos”. Kur i vajtën për ta arrestuar, i thanë nënës së tij: “Mos u tremb nëne, do të arrestojmë Shefqetin dhe do të bëjmë një kontroll në shtëpi…”! “Jooo, – u përgjigj plaka e urtë tiranase – nuk tremet nona. Osht mësu me bastisje ene arrestime, qysh në koh të fashizmit…! Po, m’leni ta puth içik djalin, se nuk e di, a më gjen mo kur të dali…”!
…Vasil Kati sot është i shqetësuar. I bie vërdallë sheshit me hapa të gjatë dhe nuk flet me njeri. As me Andon Shetin, që ne i themi “Tatë”. Vasilin e thërrasim “Babazot”.
– “Babazot’, ke ndonjë hall”? – i thotë Aladini. Tund kokën “Babazoti”, dhe vazhdon ecejaket. Më në fund, i lodhur, na kërkon me sy. Afrohemi. “Amani, mor djem, ç’më ka gjetur. Më lajmëruan se sonte, kam takim special me gruan, d.m.th., të fle me gruan sonte, merr vesh?! Jo, thashë, është turp për mua, të bëj takim special”. – “Kemi urdhër nga Tirana, sonte do të kalosh natën me gruan, do, apo s’do ti…”! – Kush e di ç’kanë kurdisur… kam frikë”!
Aladini i thotë: “Folë njëherë me Tatën, të jep një mendje…”! “Jooo, nuk dua ta ngatërroj, ka mjaft hallet e tij ai, pastaj nuk dua të më shohin me të, para takimit. Më sillni një fletore dhe laps, po pa rënë në sy, shpejt se nuk kam kohë, erdhi ora”! Ia sjellim fletoren dhe lapsin, ia futim në xhep dhe largohemi…!
Të nesërmen në mëngjes, kur hyn në kamp, duket më i qetë. Na thërret për kafe. Na shpjegon me pak fjalë: “Time shoqe e kishin thirrur në ministrinë e Brendshme. I kishin dhënë urdhër, të vinte në kamp, të kalonte natën me mua dhe të më porosiste që kur të vijë dikush nga Tirana, duhet të pranoj t’i bëj disa deklarata me shkrim, për disa persona me peshë. Nuk folëm gjithë natën, nga frika e përgjimit, vetëm shkruajtëm në fletore, ato që do thoshim, qaj e shkruaj, aman më thosh gruaja, më thanë se po bëre ç’të të thonë, do lirohesh menjëherë… ah, moj e shkretë, po bëra si më thonë, mua më japën plumbin, moj… akoma nuk i njohe…”?!
Kur e pyesnin Vasilin, për arsyen e arrestimit, përgjigjej: “Ja, ndërrova dy ton domate, me dy ton banane me italianët. Thashë të provojnë njëherë shqiptarët, si janë bananet, po doli pa leverdi për mua, ai këmbim…”!
Kishte edhe kështu…
Në kampin e vdekjes së ngadaltë, në Ballsh, ka nga të gjithë llojet e ngjyrat e të burgosurve politikë. Është një i arrestuar, qysh në tetor 1944. Ka qenë thjesht përkthyes me trupat gjermane; bëri disa vjet burg, pa asnjë vendim gjyqi. E nxorën ndonjë javë nga burgu, për ta futur njëherë e mirë. Nuk e ka idenë, edhe sa vjet burg i mbeten për të bërë, asnjëherë nuk i dalin llogaritë. Njëherë i del se duhej të qe liruar para dy vjetësh, pastaj thotë: “Jo, u ngatërrova, duhet të kem edhe nja 7 vjet akoma”!
Është edhe një ish-guerrilas i kohës së Luftës. E ka burgun e dytë. E quajnë Petro K. dhe është nga Elbasani. E patën dënuar me pushkatim. Aty nga vitet ’50-të, ia falin jetën, duke ia lënë dënimin 25 vjet burg. E dënojnë, sepse flet keq për Luftën, për njësitet guerrile, pjesëtar i të cilave, kishte qenë dhe vetë. “Kemi vrarë pas shpine gjithë ata djem nënash, kot së koti”, thoshte Petroja. E këshillojnë disa herë, pa dobi. Hija e krimeve që kish kryer, nuk e linte të qetë. E arrestojnë, e dënojnë. Lirohet mbas 15 vjetësh me një amnisti, në vitet ’60-të. Në vitin ’77-të, e arrestojnë përsëri Petron…!
“E di pse të kemi arrestuar”? – e pyesin në Degën e Punëve të Brendshme të Elbasanit. Petroja, që çdo gjë e merr me të qeshur, përgjigjet: “E di, ju kam mbetur borxh, edhe 10 vjet burg. Më fusni mua njëherë edhe, do zoti, ju vjen radha të gjithëve, mbas meje”!
Ka edhe nga komunistët e vitit ’41: Shemsi Totozani, është një nga ata. Mbahet mirë Shemsiu. Unë e ngacmoj: “Ah ç’na bëtë ju të dyzet e njëshit”?! “Na bëmë detirën tonë”, përgjigjet Shemsiu. Qëllon aty pranë edhe Beqir Sadiku, një ish ballist, me origjinë nga Pogradeci. Kur dëgjon përgjigjen e Shemsiut, (e njeh nga zëri, sepse Beqiri nuk sheh mirë nga sytë), kthehet andej nga i vjen zëri dhe thotë: “O të dhjefsha me mut, detirën tuaj, dëgjove? E bëre mirë detirën qerrata, eh? U kënaqe që e bëre?! Medemek fitove ti, ë? Jo moreeee…! Gëzoje fitoren tani, këtu me mua”!
Beqiri ka gjithë jetën në burg; i ka provuar të gjitha kampet e përqendrimit në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Është arratisur disa herë në rininë e vet; 20 vjeç ishte në burgun e parë, në dyzetepesën. Mbas ’48-ës, është arratisur disa herë në Jugosllavi, por sa hynte, serbët e futnin në burg. Beqiri, një gjigant dy metrosh, nuk e kish problem arratisjen; i çante gjithnjë muret e burgjeve, i shqyente telat me gjemba. Jugosllavët, në bazë të marrëveshjes që patën bërë miqtë e vjetër; Enver-Tito, e kthenin gjithmonë në Shqipëri. Ka një vëlla të pasur në USA, xha Bequa, por nuk lejojnë t’i arrijë asnjë cent, vëllait të burgosur në Shqipëri.
Jeta e vështirë e burgjeve, ia ka dobësuar trupin dikur të fuqishëm. “Hekurin haja me dhëmbë, kur isha i ri”! Shikimi i është mjegulluar. Jeton duke bërë zjarre për të tjerët, në kuzhinën private, në këmbim të një pjate, nga ajo çka gatuhej. I bëhet qejfi, kur e pyet: “A ke ndonjë zjarr për mua, xha Beqo”?! dhe të përgjigjet menjëherë: “Hajde, djalë i xhaxhait, hajde, se e kam gati…! Çfarë do bëni, ndonjë gjë të mirë”?! Kur e pyet një herë Aladini, nëse bëheshin makaronat me vaj ulliri, u dhie së qeshuri: “Ahahahaa, po edhe opingat e mia, hahen po t’i gatuash me vaj ulliri, more djalë, ahhaahaha, ç’më kënaqe, aaa…! Lum ju që s’e keni provuar kënetën e Maliqit, ku rronim me 150 gram bukë misri të mykur në ditë dhe punonim në baltë deri në brez, 12 orë pa pushim…”!
Një ditë pranë xha Beqos, po gatuante diçka një ish-partizan dhe ish-oficer tankist, i burgosur në vazhdën e arrestimeve në Ushtri, pas dënimit të Beqir Ballukut. Kaçi, për gallatë, filloi të fliste për luftën e Petrelës, më duket, që atë ditë qe botuar te “Zëri i Popullit”. Ish-partizani, që s’kish vënë mend ende, filloi të lëvdohej: “Vramë kaq ballistë, zumë kaq robër atë ditë. Ia mbathën vrapit si lepujt, ballistët etj.”! Xha Bequa, po e dëgjonte me vëmendje. Më në fund, kur pa që ai tjetri nuk po pushonte, e ngriti zërin: “Pa më thuaj një çikë, more trim me fletë, e fitove luftën ti?! E, ç’mutin do këtu në burg, me mua? Eh?
Ah, kur s’të vrava atë ditë…?! Do të ishim rehat, që të dy: mua nuk do më çaje bythën sot, vërr-vërr-vërr, ti do kishe vajtur, në gop të sat’ ëme…! Po të paktën familja jote, nuk do të çkërdhehej nëpër internime, si tani, po do ishte familje dëshmori…! Edhe ndonjë koqe mollë, do ta merrnin më 5 maj, edhe kryetari i partisë, do t’i begeniste me ndonjë vizitë…! U, mortja që s’të ha, gomar i mutit, gomar…”?! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016