Nga At Xhovan Kemal Kokona
Memorie.al / Udha e Kryqit për jezuitët Padër Danjel Dajani dhe At Xhovani Fausti, do të fillonte në mbrëmjen e “Zojës së Papërlyeme”, me arrestimin e seminaristit Mark Çuni, pasuar me arrestimet e pesë seminaristëve të tjerë. Më 31 dhjetor 1945, pak pasi kishin mbaruar himnin “Te Deum”, dy etërit jezuit arrestohen nga disa oficerë të së ashtuquajturës: Divizioni i Mbrojtjes së Popullit. Edhe pse do të kalonin në tortura e, në një gjyq farsë, vendimi për ta ishte marrë me kohë. Që nga dita e arrestimit e, deri në ekzekutim, do të nisë një fushatë e egër kundër tyre, me konferenca e mitingje, ku grupe të organizuara, do të çirren duke bërtitur: “Tradhtarëve plumbi në ball”!
Kush ishte At Danjel Dajani?
At Danjeli, lindi në fshatin Blinisht të rrethit të Lezhës, më 2 dhjetor të vitit 1906, nga prindërit Llesh Zefi dhe Mara Pashuk Balldreni, prej Gjadri. Ai pati vetëm një vëlla, më të madh se veten. Në pagëzim, iu vu emri Dhimitër, por duke filluar nga periudha e noviciatit e më tutje, ai do të përdorë vetëm emrin Danjel.
Familja e tij thellësisht e krishterë, i pranoi si një bekim prej Zotit, farat e thirrjes së Danjelit. E ky, kur arriti moshën 20-vjeçare, në vitin 1926, zgjodhi të hynte në Shoqërinë e Jezusit, për t’u bërë kështu jezuit e me pranimin në noviciat, në Goricie, do ta fillojë këtë udhëtim, të cilin do ta vazhdojë deri kur do ta plotësojë atë, me hirin e martirizimit.
Pasi mori licencën në Filozofi, do të kthehet në Shkodër, ku për dy vjet do të japë lëndën e gjuhës latine. Do të kthehet përsëri në Itali, ku në Kieri do të vazhdojë studimet e teologjisë. Po aty, do të shugurohet meshtar, më 15 korrik 1938.
Përfundimisht kthehet në Shqipëri, në vitin 1941 e, në vjeshtën e atij viti, e deri në vitin 1945, do të jetë pjesë e misionit shëtitës të etërve jezuitë, duke u angazhuar kështu, në ungjillëzimin e popullit dhe pajtimin e gjaqeve në zonat malore e rurale. Ishte 36 vjeç, kur në vitin 1942, në festën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull, do të bëjë kushtet e përjetshme, ndër etërit jezuitë.
Kur në shtatorin e vitit 1945, iu besua përgjegjësia e Seminarit Papnor Shqiptar dhe ajo e Drejtorit të Kolegjit Saverian, ujërat politike në Shqipëri, ishin tashmë shumë të turbullta. At Danjeli, kishte një shtat mesatar; jo i madh; me fytyrë të rregullt. Ishte person i qetë dhe serioz, me një vështrim dhe sy depërtues, i matur në gjeste dhe fjalë; i patëkeq.
Qe një rregulltar e meshtar i patëmetë dhe i zellshëm, i dëlirë, zemërgjerë, ngushëllues dhe moralisht shembullor, i shqetësuar për të mirën e shpirtrave, sidomos të formimit të seminaristëve, me të cilët ishte shumë i dashur, apo, siç e thekson Imzot Frano Illia: “Si një vëlla i butë”.
Jezuiti, At Gjon Karma, e përfshin At Danjelin, mes; “bijve të vërtetë të Shoqërisë (së Jezusit)”. At Giovanni Fausti, shkruante për të: “Më ka lënë përshtypje të mirë, përmbajtja dhe sinqeriteti i tij”. Ndërsa Dom Luigj Kçira, e kujtonte kështu: “Ishte njeri i Zotit dhe … shumë i devotshëm”.
Ish-nxënësi i tij, Dom Simon Jubani, kujtonte se: “Kur kremtonte meshën, ishte i kujdesshëm, i përvuajtë dhe i devotshëm”. Krahas devocionit për Meshën, Eukaristinë e shenjtë, At Danjeli kishte devocion të veçantë, për Zojën e Bekuar dhe shën Luigji Gonzagën”.
At Danjel Dajani S.I., mori përgjegjësinë e Bashkësisë Jezuite dhe të Kolegjit Saverian, që kishte më shumë se 400 nxënës, kur situata në Shqipëri ishte rrokullisur në kaosin e një përndjekjeje të pamëshirshme, kundër gjithçkaje që kishte shijen e Kishës Katolike.
Në shkurtin e vitit 1945, etërit jezuitë, në më pak se tre muaj, kishin përjetuar tetëmbëdhjetë kontrolle, duke përfshirë edhe hapjen e varreve të Kishës dhe u ishin sekuestruar të gjitha sendet e dobishme. Në tremujorin e parë të po atij viti, shkollave katolike u ishte urdhëruar krijimi i seksioneve të Frontit të Rinisë (Bashkimi i Rinisë Antifashiste të Shqipërisë) dhe agjitatorë të posaçëm shkonin çdo javë, për të mbajtur konferenca politike.
Është, pra, kjo lloj atmosfere që u paraprin edhe zgjedhjeve politike të 2 dhjetorit 1945, që, siç shënon jezuiti At Luigi Rosa në ditarin e tij; “vetëm për lirisht e liri, as nuk mund të bëhej fjalë”.
Edhe pse ligji në fuqi “siguronte”, se nuk do të ishte e lejueshme të arrestohej dikush për arsye politike, 15 ditë para dhe pas zgjedhjeve, në realitet, tri ditë përpara zgjedhjeve, disa të rinj 15 e 18-vjeçar, arrestohen se po shpërndanin trakte elektorale, të rinj që, siç u mor vesh, iu nënshtruan lloj-lloj torturave.
“Udha e Kryqit” për jezuitët dhe sidomos për etërit Padër Danjel Dajani dhe At Xhovani Fausti, do të fillonte në mbrëmjen e vigjiljes të festës së “Zojës së Papërlyer” me arrestimin e seminaristit Mark Çuni, pasuar në datat 9 dhe 12 dhjetor, me arrestimet e pesë seminaristëve të tjerë.
Të gjithë këta akuzohen për formimin e një organizate të quajtur “Bashkimi Shqiptar”, që edhe nëse do të ishte e vërtetë, nuk binte ndesh me ligjet në fuqi.
Por qëllimi është gjetkë. Etërit fshehurazi, njoftohen nga një student, Fejzi Lici, se; “xhakojt i nënshtrohen vijimisht torturave. Donë që ata të thonë, se kanë qenë nxitë me e bâ prej eprorëve Padër Xhovani Fausti e At Dajani”.
E ora e tyre nuk vonon shumë. Në mbrëmjen e 31 dhjetorit 1945, pak pasi kishin mbaruar së kënduari himnin Te Deum, dy etërit arrestohen nga disa oficerë të së ashtuquajturës Ushtri e Mbrojtjes Popullore. Edhe pse do të kalojnë në tortura e në një gjyq farsë, vendimi për ta është marrë me kohë.
Që nga dita e arrestimit e deri në ekzekutim do të nisë një fushatë e egër kundër tyre me konferenca e mitingje, ku grupe të organizuara, do të çirren duke bërtitur: “Tradhtarëve plumbi në ball…”!
Patër Dajani, vazhdoi të qëndronte i qetë dhe i kthjellët, edhe pse si Krishtit, nuk iu kursye asnjë torturë në hetuesinë e drejtuar nga i pamëshirshmi, Fadil Kapisyzi. “U soll si qengji përpara ujqërve”, – dëshmon Gjovalin Xhanxhafili, ndërsa Dom Luigj Kçira, tregonte: “Nuk i jepnin as ujë për të pirë”!
Pas gjithë këtij “procesi” dymujor, erdhi dita e “gjykimit” më 22 shkurt 1946. Gjyqi Ushtarak, i përbërë nga kryetari Mustafa Iliazi, (me tre vjet shkollë të mesme), nga dy ish-punëtorë, Namik Qemali dhe Tonin Miloti, dhe prokurori 22-vjeçar, Aranit Çela, (me shkollën Tregtare të Vlorës); arrijnë në përfundimin e dënimit me vdekje, të këtyre të pafajshmëve.
Edhe pse vetë kryetari i gjyqit, dëshmon në relacionin e tij, se; “seminaristët kanë mohuar se Atë Fausti dhe Atë Dajani, kanë qenë krerët e organizatës”, kjo nuk e pengon as atë, as vetë Enver Hoxhën, ta çojnë përpara vendimin e tyre, për shkatërrimin e çdo forme drejtësie. Profetike janë fjalët e avokatit Kol Dhimitri, në gjyq: “Nëse i dënoni këta meshtarë, do t’i shtoni dy martirë Kishës Katolike dhe urrejtje ndaj vetes suaj”.
Avokati Dhimitri dhe mbrojtësi tjetër, Paulin Pali, do ta paguanin me jetë, mbrojtjen që u bëjnë këtyre heronjve martirë. Qetësia dhe kthjelltësia e Patër Dajanit, vazhdonte e qëndrueshme. Siç ka dëshmuar Dom Tom Laca: “Nuk u dridhej buza të dënuarve, e nuk u shtrëngohej zemra”.
Pasi ishin rrëfyer, arritën në vendin e ekzekutimit dhe të gjunjëzuar në baltë, morën me nderim Kungimin e shenjtë. Ishte agimi i 4 marsit 1946 dhe At Dajani, ishte pak më shumë se 40 vjeç.
Përpara se breshëria e automatikëve të zbrazej mbi të, foli, ashtu si i Kryqëzuari, me këto fjalë: “I fali të gjithë ata që më kanë bërë keq. Jam i gëzuar që po vdes i pafajshëm”, e më pas, la porosinë e fundit: “Prindërit e mi (nëna, pasi i ati i kishte vdekur), apo të afërmit, t’i japin të holla Dom Zef Shllakut, për të kremtuar dy Meshë”.
E aty nën hijen e dy çinarëve të mëdhenj, te varrezat e Rrmajt ra, ashtu si e ka përcaktuar Imzot Frano Illia, martir i përvuajtur i fesë, duke merituar, siç nuk ka hezituar të pohojë At Gjergj Vata, kurorën e shenjtërisë e të lavdisë. Memorie.al