Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e njëzetenjë
Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjtë, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
XVII
Ditët e fundit të qershorit, 1948, nuk ra bilbili i zgjimit. Shumë nga ne nuk u ngritëm fare, të gëzuem me pushimin nga lodhja dërrmuese. Disa kërkuen me dalë nga barakat për nevojat personale, por roja i ktheu mbrapa. Të hutuem, pritshim me padurim çdo shej që tregonte ndryshimin e gjendjes në kamp. Rreth orës së drekës, dyert e kampit u hapën e drejtori, i shoqnuem nga nji duzinë rojesh, me shkopinj në dorë, urdhnoi daljen e të gjithëve në oborr. Mbas rreshtimit të zakonshëm, ai ftoi nji komandant brigade, të lexojë gazetën e përditshme, me za të naltë. Në kamp nuk lejohej gazeta. Herë mbas here, mbaheshin konferenca para nesh, thelbi i të cilave ishte nji seri akuzash, kundër “armiqve të popullit” e “imperializmit anglo-amerikan”. Por kësaj radhe, kishte diçka që kalonte kufijtë e zakonshëm. Nga titujt, kuptuem gjithçka.
“Rezolucioni i Informbyrosë”, dënonte udhëheqësit jugosllavë, për devijim e revizionizëm. Për ma shumë se dy orë, nën diellin përvëlues të Bedenit, pa qenë në gjendje me lëvizë, pa bukë, pa ujë, ndigjuem me kureshtjen ma të madhe, çdo fjalë, çdo rresht e çdo theks të lektorit. Për katër vjet me radhë, ishin bombardue, ditë e natë, me “vlerat e mëdha të miqësisë së pathyeshme shqiptaro-jugosllave”, me “ndihmën e Jugosllavisë së Titos”, me “gjakun e përbashkët të derdhun në luftën kundër fashizmit”, etj.
Tashti, ishte e kundërta. Ndryshimi ishte aq i madh e i shpejtë, saqë nuk ishim në gjendje me kuptue. Ishte e mundun nji kthesë e këtillë?! Çka do të bahej me Shqipninë tonë komuniste?! U kthyem në barakë pa fjalë, por me nji gëzim të papërshkrueshëm! Spekulimet nuk kishin kufij. Disa filluen me përgatitë rrobet, në pritje të nji lirimi të shpejtë. Të tjerët pritshin nji “zbutje” të madhe…!
Të gjithë e mirëpritëm ndryshimin. Historikisht, Jugosllavia kishte paraqitë nji rrezik për vendin tonë. Kosova, lëngonte nën Serbi, Mal të Zi e Maqedoni. Largimi nga dominimi jugosllav, ishte padyshim i dëshirueshëm, po Shqipnia komuniste, ç’rrugë do të merrte?! Prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos, ka qenë grushti i parë që lëkundi “besimin” e ri. Shpresat e katër vjetëve ishin thye, ose të paktën, ishin vue në dyshim.
Ashtu si me çdo ideologji që kërkon dorëzimin e plotë të individit në krahët e “kolektivit”, dyshimi që kishte hy, ishte krymbi vdekjeprumës. Në mungesë të nji besimi themeltar, boshlleku i krijuem, do të kishte prue me vetë shkatërrimin e sistemit, sikur udhëheqësit e kuq të mos kishin nxjerrë nga bodrumet e mbylluna, apelin e nacionalizmit tradicional shqiptar. “Internacionalizmi proletar”, kishte dështue!
Nji qëndrim i këtillë politik, megjithëse përkëdhelte sentimentin e shumicës së popullsisë vendëse, nuk pati ndonjë efekt mbi filozofinë ose, praktikën e qeverisjes nga udhëheqja komuniste. Na e kuptuem! Kjo qeveri, në fakt, udhëhiqej nga interesat e ngushta vetjake, që shërbeheshin shumë mirë nga diktatura e proletariatit. Si rrjedhim, iluzionet tona fillestare, në mundësinë e nji “kthese”, mbas shkëputjes nga dominimi jugosllav në jetën politike e ekonomike të Shqipnisë, u shuen shpejt.
Ajo që mbeti, ishte nji ndërpremje e shkurtër treditore e punës, e rifillimi i jetës së përditshme, me një egërsi ma të madhe. Frika e qeveritarëve komuniste, nga nji ndërhymje e fuqishme jugosllave në Shqipni, u ndie edhe në kampin tonë të izoluem. Rojet u banë ma të ashpra, drejtori ma agresiv, dënimet ma të shpeshta e ushqimet, ma të pakta. Litari rreth qafës sonë, shtrëngohej çdo ditë!
Ditët e dielë, kishim pushim. Disa nga ne, merreshin për punë të ndryshme që kërkojshin policët e familjet e tyne, ose shërbime të tjera të rastit. Ngriheshim në mëngjes, merrshim racionin e bukës e të çajit, ma vonë bollgurin për drekë e, bollgurin për darkë. Në muzg ndryheshim brenda barakave, deri ne agimin e ditës se ardhme. E diela, na shërbente me pastrue trupin e rrobet, natyrisht kur kishte ujë.
Disa herë nxjerrshim leckat në diell, e i shkundshim nga pluhni. Kohën e lire, e kalojshim të shtrimë në krevat për pushim, ose me biseda shoqnore. Përmbi të gjitha, na filluem me njohë njeni-tjetrin, sidomos grupi i studentëve, nga të tre burgjet e Shqipnisë. Me kujdesin ma të madh, filloi shkëmbimi i mendimeve tona me çiltërsi. Për mue, kjo u revelue, si nji fitore e madhe.
Mbas kaq kohe kisha mundësi me folë pa frikë, se mirëbesimi im do të keqpërdorej nga të tjerët. Në këtë rreth të vogël të rinjsh idealistë, dalëngadalë, po farkëtohej nji miqësi e vërtetë e mbështetun në mirëbesim e bindje politike te përbashkët e që premtonte shumë për të ardhmen e vendit e shoqnisë shqiptare. Sëmundjet kronikë të ideologjive të ndryshme, të fesë, të krahinës, që kishin sjellë aq dëm në vendin tonë në të kaluemen, në mesin tonë, kishin humbë vlerën e tyne specifike, e mbeteshin vetëm si kujtime shqetësuese.
Në burg, në kamp, në vuajtje të përbashkët, solidariteti i të shtypunve, kalonte dimensionet artificiale të “politikës së ditës”, e hidhte bazat për ndërtimin e shoqnisë, mbi vlerat njerëzore të secilit prej nesh, si individë e qytetarë të lirë. Në kamp më forcohej bindja se, në mesin tonë, kishte brumë që gatonte nji të ardhme të mirë, kishte qytetarë në gjendje, me formue nji shoqni të lirë.
Fryma e solidaritetit që lindi e, shkëmbimet e lira të mendimeve tona, gjejshin shprehjen e tyne në nji lloj kodifikimi të “filozofisë” sonë politike, fillestare, ndoshta e papërpunueme mirë, por sigurisht, e vume në rrugë të mbarë. Rezistenca jonë ideologjike e fizike, kundër diktaturës e metodave të saj në Shqipni, vishej çdo ditë me nji kuptim ma të gjanë, nji rrobë që, sigurisht ishte edhe justifikimi i saj.
Vetë angazhimi kundër kamxhikut te vorfnisë, shtypjes, smundjes, paditunisë, padrejtsisë, e fenomeneve të damshme të natyrës, katastrofa të paparapame, barrë e randë, e padurueshme, përulëse, shkatërruese e dinjitetit dhe mirëqenies njerëzore, merrte nji karakter prometean, si nji duel kryenaltë dhe gjoks-hapët kundër perëndive të së keqes, të pamend e të pazemër, hyjni hakmarrëse e xheloze të guximit tonë. Nën tiraninë e kuqe, lufta e njeriut kundër njeriut, ishte nji akt që theu në mënyrën ma të pafalshme, këtë angazhim fisnik; ajo luftë ishte nji akt që, në mënyrë të pashmangshme, degjenerohej në shtypje, në vdekje, në shkatërim.
Sa ma shumë egërsohej regjimi i terrorit, aq ma shumë shtohej bindja jonë se komunistët shqiptarë, nuk do të na falin kundërshtimin tonë dhe, se jeta jonë në burg, do të zgjatej pambarim e, në vuejtje përherë ma të mëdha. Sepse, kjo rini që po dergjej mbrapa telave me gjemba, përfaqësonte për shtypsin, pasqyrën e ndërgjegjes shqiptare, thelbin e nji ideali që komunistët kishin tradhtue, simbolin e pastërtisë së mendimit e, të qëllimit të aktit revoltues. Kjo rini e burgosun, si nji vegim diellor i papërmbajtun, verbonte sytë e tyne të mbyllun e, të pafuqishëm me pa botën e krimit, e lëkundte bindjen e tyne, deri në dyshim.
Nji “jo” këmbëngulëse e jona ishte aty, para syve të diktaturës, dëshmitarë e frymës së lirë që refuzon dorëzimin e pakusht të skllavëve, që nuk ngrejnë kokën kurrë! Nganjiherë, me gjithë dashuninë vllaznore për të mjerët si unë, ndiejsha nji lloj gëzimi pa fisnikëri, kur vuejtjet randoheshin edhe ma shumë. Në atë gjendje revoltimi, mendojsha se këto vuajtje, do të shpërthejshin nji ditë me nji kryengritje, sepse njerëzit do të ndiejshin edhe ma shumë, peshën e randë të nji dobësie që lindë tek secili nga ne, si rrjedhim i nënshtrimit të vazhdueshëm e, frikës!
Gjatësia e kanalit e rriti shumë largësinë prej kampit. Gjatë kthimit në mbramje, rojet na rrahshin me shkopij, që të shpejtojshim hapin. Të dobtët mbeteshin gjithmonë mbrapa. Nji mbramje, nji fatkeq, pranë meje, u rrëzue, pa muejtë me ecë ma gjatë. Unë u ndala. Nji krah i fuqishëm e ngriti në kambë. E morëm së bashku mbi supet tona, deri në kamp. I sëmuri nuk foli. Thirrëm infermierin, që e vuni në “spitalin” e kampit. Mbas darkës, shoku im, nji vlonjat, që miqësova me takimin e parë e unë, shkuem te i sëmuri.
Ishte i ngrimë. E puthëm në ballë viktimën që nuk i dijshim as emnin, e u larguem. Pak ditë ma vonë, nji tjetër fatmjerë, në moshën mesatare e trup të dobët, torturohej nga rojet, që e detyrojshin me mbajtë në kurriz nji qerre të mbushun me baltë. Ai qëndroi pak, kambët iu dridhen e, ma në fund, ra në gjunjë. Rojet e rrahën. Ai nuk nxori za. Shoku vlonjat më shpjegoi se ishte nga Vlora, ish-profesor i shkollës Tregtare. “Do të njof me atë”, më premtoi.
Të nesërmen, të dy së bashku vizituem profesorin që pushonte në krevat. Fliste me ngadalë, por me nji bindje që më bani për vete. Ishte i pjekun, njihte situatën mirë dhe e vendoste atë me autoritet në kuadrin e gjendjes ndërkombëtare. Kuptova se kisha zbulue nji shok me vlerë, dhe e vizitova shpesh e me dëshirë. I mbyllun hermetikisht brenda telave me gjemba të kampit, profesori vlonjat, më hapi nji dritare, nga ku lindte shpresa e një të nesërmeje të lirë.
Nga shprehjet e rojeve, kuptuem se emni Partia Komuniste e Shqipërisë, ishte ndryshue në Partia e Punës së Shqipërisë. Në dukej i parandësi, ky ndryshim më preku në nji mënyrë të papritun. Kjo “Parti Komuniste” që, për katër vjet kishte vendosë “diktaturën e proletariatit”, në formën e saj ma të egër, mund të quhej gjithçka, të hidhte çdo parullë që dëshironte, por jo të zinte me gojë “punën”.
Sepse ka nji fisnikëri imanente, në punën që tejkalon kufijtë e propagandës së diktaturës, e që asht e pa-arrijtshme nga diktatura. Puna tejkalon partinë, grupin, shtetin. Në brendinë e saj, ajo ka diçka thellësisht njerëzore, që i takon çdo njeriu, në çdo vend e në çdo kohë. Ajo është ndershmënia e fitueme me djersë, e justifikimi i kryenaltësisë së individit, si ndërtues e si krijues, përsa kohë që ajo asht e lirë. Puna e detyrushme asht vetëm skllavëni!
Shikojsha vogëlushin me flokë të bardhë, si e quejshim na Pirron, të riun gjashtëmbëdhjetëvjeçar nga Korça, baba i të cilit, lëngonte në burgun e Burrelit. I dënuem për tentativë arratisjeje në Greqi, vogëlushi Pirro ishte i burgosuni ma i dashtun i kampit. Historia e jetës së tij, ishte e pabesueshme, e shtypja që ushtrohej mbi familjen e tij, ishte tej-tokësore: të gjithë, prindë e fëmij, ishin në burgje ose, në kampe përqendrimi.
Shikojsha flokët e këtij vogëlushi martir, zbardhue para kohe, në këtë moshë ende fëmijnore, e nuk u bindsha se nji çnjerëzim i këtillë, kishte origjinë shqiptare dhe se populli im shqiptar, kishte ra aq poshtë, sa të krijonte fatkeqësi të këtilla, përtej kufijve të mundësisë njerëzore, me shpjegue. Oh! Vetëm për Pirron, vetëm për Pirron, regjimi i tiranisë komuniste, duhej akuzue e dënue! Nji ditë ngjau ajo që nuk pritej.
Në nji çast revoltimi të papërmbajtun, Nimani, burri tropojan që më kishte dhanë kapotën, me u mbulue natën e parë në kamp, i dha nji shuplakë në fëtyrë brigadierit tonë, aq të randë, saqë ai mbeti në vend, pa fjalë, pa lëvizë nga tronditja e pësueme. Në mes të nji heshtjeje të plotë, të gjithë brigadës, burri guximtar kërcënoi: “Po të raportosh në komandë, do të marr shpirtin”! Askush nuk nxori za. Brigadieri shikoi rreth e rrotull, uli kokën e doli jashtë nga kazerma.
Përsëri asnji za, por heshtjen e madhe e mbulonte nji valë gëzimi e përgjithshme. Ishte thye akulli i frikës. Brigadieri që na torturonte, nuk ishte ma i paprekshëm. Efekti psikologjik i shuplakës, nuk mund të llogaritej. Në veten tonë, ndjeheshim sikur muri i hekurt që na rrethonte, nuk ishte i pathyeshëm. Po lindte nji hov i ri guximi, që na trimnoi të gjithëve me rezistue. “Shuplaka”, ishte revelacioni i hovit shpirtnor, që lindi nga guximi i egër i viktimës, në ballafaqim me torturuesin. Akte të këtilla guximtare, shpërblejshin orët e gjata të poshtnimit e të frikës; ata rivendosshin në piedestal të nderit, dinjitetin e njeriut të lirë, tani të nëpërkambun.
XVIII
Nata për mue ishte simbol i qetësisë, i prehjes dhe këtu, në kampin e punës së detyrueshme, edhe i marrjes së fuqive të reja. Gjatë muajve të gjatë, në qelitë e Sigurimit të Shtetit, nata ishte e torturës dhe e torturuesve. Për ne si viktima, nata ishte bashkëkonspiratore, krahu i djathtë i mbrapshtësisë, mbrojtëse e së keqes, e çoroditjes morale, e krimit. Por këtu në kamp, nata ishte orët e gjata në mes të dy ditëve të vështira, e dy përpjekjeve kundër vdekjes.
Nata ishte edhe hapësina e kohës, që na jepte heshtazi, gëzimin e papërshkrueshëm të qenies vetëm, me veten tonë e, terri i saj, dora e bekueme që mshehte fytyrat e xhelatëve, baltën e kampit, e kuadrin e vdekjes që na rrethonte. Nata na ofronte mundësinë e shtrimjes së krahëve të dërrmuem, mbi leckat tona, pa u gjuejtë me gurë, prej rojeve të kampit, mundësinë me mendue symbyllun, ose me sy hapët me andrrue ndoshta të tjerët, ata që nuk ishin në kamp me ne, e që do të na shihshin përsëri, e përsëri do të na trajtojshin si “njeri”.
Nata na mundësonte me shpresue me qenë përsëri të lirë. Me u ringjallë? Asht pak?! Ajo që andrrojsha, ishte me rijetue me gjithë shpirt, me trup, me çdo pjesë të qenies sime, jetën e njeriut të lirë, të lirë si druni që gjelbëron i harlisun në pyjet e paprekuna, si pisha që shijon hijen e vet, si shiu që bien pa pengesë, si era që na ledhaton ambëlsisht, me qenë i lirë, ashtu si dëshirojsha unë, me gjithë shpirt. “Krajli”, si e quejshim të gjithë njenin nga shokët ma të ngushtë, u këput në kanal. Kishte mjaft kohë që vuente nga nji phlebitis në kambën e djathtë. E vendosën mbi grumbullin e dheut, në pritje të kthimit në kamp.
I mbajtun mbi supet tona me turne, grupi jonë e shpëtoi nga të rrahunat e policëve. E dërguem në infermieri. Mjeku na tha se ka nevojë për mjekime, që ai nuk ishte në gjendje me i dhanë. Pak ditë ma vonë, e tërhoqën nga kampi. “Krajli”, ishte nji student i ri si unë, që rezistoi torturat e Sigurimit, me nji guxim jo të zakonshëm e, u dënue me pesë vjet burgim. I gjatë me trup, natyrë e shkathtë, zemërak, por shumë i shoqnueshëm, ai gëzonte simpatinë e të gjithë shokëve. Për ne, ai ishte nji shok i pazëvendësueshëm që, asnjiherë nuk humbi humorin në ditët ma të vështira.
Me ardhjen e vjeshtës, puna në kanal u vështirësue. Balta na mbuloi në rrugë e në punë. Në mëngjes, mbas shiut të natës, dheu ishte i qullun e i randë për transportim. Plotësimi i normës u vështirsue e dënimet, pa bukë e pa ujë, u rritën. Rreshti i fatzezve ishte i gjatë. Nji gjendje e këtillë krijonte edhe probleme morale për të tjerët, sepse ashtu të uritum si ishim, na duhej të ndajshim pjesë të bukës sonë të racionueme, me të dënuemit.
I urituni hiqte bukën nga goja, për ata që rrezikoheshin me vdekë nga uria! Çuditërisht, me këtë shtrëngim brezi që na imponohej, gjejshim lehtësimin shpirtnor që na jepte fryma e solidaritetit, të lindun në mes të mjerëve në kamp. Kjo frymë friksonte edhe “brigadierët”, që ruheshin nga zemërimi jonë. Ishte krijue nji mënyrë jetese e pasanksionueme, e mbajtun në kambë nga frika e të dy palëve. Ditët me shi u banë ma të shpeshta e, nevoja me përfundue kanalin qendror, ishte urgjente.
Presioni i policëve u rrit. Të rrahunat u shpeshtuen e viktimat e dërrmueme nga druni e puna, ktheheshin mbi krahët tonë çdo mbramje. Ma në fund, u ba e pamundshme puna në kënetë. Ujnat e kodrave filluen me mbushë kanalin, e na zhyteshim deri në brez në ujë, që në mëngjes deri në darkë. Në fund të nandorit, puna u ndalue. Të burgosunit zbrazën kampin e, u kthyen në burgjet përkatëse, me kalue stinën e dimnit. Ishim të këputun nga lodhja, e të uritun. Por kishim mbijetue!
Në burg, gjetëm shokët e sëmurë, në nji gjendje edhe ma të keqe. Disa kishin vdekë. Kërkova avokatin plak me të cilin bisedojsha, por nuk e gjeta. Ishte lirue prej burgut. Djali i tij shtatëmbëdhjetë vjeçar, Bardhoshi, ishte vra në kufi, në nji përpjekje me u arratisë në Jugosllavi. E kisha njoftë djaloshin e ri, studentin entuziast që kishte organizue grupe studenteske në gjimnazin e Shkodrës, për veprime antiqeveritare.
Me gjithë lëkundjet që kisha pësue, që në ditët e para të tiranisë së kuqe, kur lexojsha listat e gjata të personave të ekzekutuem, ose ndigjojsha në orët e para të mëngjesit, krizmën e thatë të mitrolozit mishngranës, prapë se prapë, vrasja e djaloshit të ri, më erdhi si grushti i fundit, që thërrmoi bindjen time në “shejtninë” e tokës amtare!
Mbas vrasjes së djaloshit e, dy shokëve të tij të nji moshe, fillova nji proces vetë-kritike, që më solli në përfundimin se, dheu, ku kishte ra dëshmor grupi i tre të rinjve, nuk vlente sa gjaku i derdhun, dhe se toka që ishte tashmë vorri i tyne, nuk mund të ishte atdheu im. Tashti e mbrapa, për mue atdheu, do të ishte vetëm vendi i lire, që ushqen e rrit rininë e vet, e jo ai që i han për së gjalli, si lugati i tregimeve të Vjetërsisë. Oh, në moshën tuej, o djelmosha shtatëmbëdhjetë vjeçare e të pajetë, nuk lëshohen breshnitë e plumbave të mitrolozit mishngranës, ashtu si ngjet sot në Shqipninë komuniste!
Burgun tonë e ka mbulue uria. Për mungesë organizimi, të burgosunit nuk morën racionin e bukës, ditën e largimit nga kampi, as në burg, ditën e ardhjes. Të nesërmen, buka erdhi vonë, mbas dreke. Të lodhun e pa ushqime, mungesa e bukës për afër dy ditë, ishte grushti i fundit. Nji ndjenjë frike, se çdo gja bahej me qëllim, për torturimin tonë të matejshëm, ishte e përgjithshme. Takimi me familjet u shty për nji javë. Shpresa për ushqim nga familja, u shue.
Fytyra të shtrembënueme nga vuajtje e gjallë, silleshin nëpër dhomat e burgut, si hije pa drejtim. Ishte nji skenë e kobshme. Rojet ishin të pamëshirshme, rregullat e burgut shumë të rrepta, e aftësia jonë me përballue këtë ferr mbi tokë, e dobsueme. Edhe ditët e dimnit janë të gjata, të pambarim, të padurueshme në dhomat e errëta të burgut tonë të vjetër, ndërtesa që mbahen në kambë me riparime të përhershme.
Koha e keqe, shiu i pandërpreme, bora e të ftohti që hyjnë nga dritaret e vogla e detyrimisht të hapuna, pa xhama, oborri katror brenda kuadrit të mureve të nalta që, mbyllë si në nji grusht hapësirën e ngushtë të qiellit të kufizuem, dhomat nga ku nuk shihet tjetër, veçse muri përballë, dritat elektrike që fiken vazhdimisht e zëvendësohen me llamba vajguri, ku mezi dallohen fytyrat tona të zbehta, heshtja e madhe që zotnonte, sepse askush nuk kishte çka të thonte, shikimet e tretuna që nguliteshin në gjysmerrësirën e oborrit, të burgosun që flejshin, të tjerë që mendojshin, ndërsa shumica nuk ishin në gjendje me mendue, të gjithë të uritun e pothuejse të gjithë, të ushqyem kryesisht me urrejtjen që rritej pa pushim, e shpresën për hakmarrje që i mbante të gjallë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm