Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjtë, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Të nesërmen, përsëri me urdhën nga Kryetari i Gjyqit, filloi pyetja e secilit nga ne, me radhë. Shumë nga të akuzuemit, nuk kuptojshin akt-akuzën, e nuk përgjigjeshin. “Kjo do të thotë se e pranon”, përfundonte kryetari. Të tjerë përgjigjeshin, se nuk e kuptojshin. Kryetari zemërohej e me nji ton tallës përgjigjej: “Natyrisht, tani nuk kupton gjë…! Po ama, krimin e bërë, aq e kuptove, apo jo”?! Disa herë shkëmbimi merrte ngjyra komike, sikur dialogu, të ishte ne dy gjuhë të huaja. “I akuzuemi”, akuzohej përsëri për kokëfortësi e refuzim me pranue fajin ose me kërkue falje, ndërsa viktima kthehej në vend, pa ditë se çka bahej në kurriz të tij. Mbi procesin gjyqësor, mbretnonte absurditeti! Akuza kundër meje, u ba me leximin e pjesës së parë të procesit, të firmuem në hetuesi.
Paragrafe të plota lexoheshin nga kryetari dhe ndiqte pyetja; “e pranon”? Çdo herë që bana përpjekje për sqarim, sepse akt-akuza nuk reflektonte deklaratat e mia, kryetari ndërhynte me nji ton kërcënues: “I pandehur, e pranon apo jo”?! U gjeta në nji situatë jashtëzakonisht të vështirë! Pohimi më randonte me veprimtari të pakryeme, ndërsa mohimi, ishte nënshtrimi torturës mbas kthimit në qeli. Këtë e kishin ba të qartë oficerët në zyrat e hetuesisë, dhe në qeli, para daljes në gjyq. Nji “po”, ose nji “jo”, të preme, ashtu si e kërkonte kryetari, ishte nji grackë për të akuzuemin, megjithëse unë isha plotësisht i bindun se dënimet, nuk jepeshin nga Gjykata, por nga Komiteti i Partisë së Qytetit. Gjykata, ishte nji fasadë “legale”, e aktit ilegal të Partisë. Por tortura, ishte diçka tjetër. Me u kthye në qeli e, me iu nënshtrue torturës së pamëshirshme për orë të gjata, ishte frika e madhe, që më mbulonte si rroba e vdekjes.
Djersë të ftohta më mbuluen trupin. Në këtë gjendje tensioni te papërshkrueshëm, fillova të them; “Nuk më kujtohet, zoti kryetar”! Atëherë, ngrihej prokurori e sulmonte me nji frazeologji, që provonte se nuk e kishte të qartë, përmbajtjen e procesit tim. Ai më akuzonte për vepra jashtë “procesit” tim. Kjo më lejoi disa herë të sqarohem, ose të them drejtpërdrejti: “Nuk ashtë në procesin tim, zoti kryetar”! Prokurori zemërohej, shfletonte procesin, nervozohej e përgjigjej: “Sidoqoftë, ti je fajtor për veprimtari kriminale…!
Ti nuk do t’i shpëtosh drejtësisë…”! I shqetësuem nga konfuzioni i krijuem, kryetari e ndërpreu, e më pyeti: – “E pranon procesin që ke firmuar”? – “Po”! përgjigja, i vendosun mos me kalue edhe nji sesion tjetër torturë në Sigurim. – “Ulu”! urdhnoi. Avokati më hodhi nji shikim, e nuk e hapi gojën fare. Skenari ma i dhimbshëm, u përjetue me akt-akuzën e Ipeshkvit të Zadrimës.
Krejtësisht i pafajshëm, kleriku i naltë u përgjigj me guxim, e mohoi çdo akuzë që iu drejtue, atij ose Kishës Katolike. Në nji moment ballafaqimi të ashpër, kur kryetari e pyeti me përbuzje: – “Cili je ti që flet kështu”? prelati katolik, u përgjigj me za të plotë: “Jam Ipeshkev i Kishës Katolike Apostolike Romane Shqiptare”. Salla ra në heshtje të plotë, për disa sekonda. Kryetari u gjet i papërgatitun, e prokurori me nji za të fuqishëm, ia ktheu: “Ti je nji tradhtar!
Ja cili je ti, nji armik i betuar i popullit”! Ipeshkvi nuk u përgjigj. Fjalët e prokurorit, u ndoqën me thirrje të çmenduna të shikuesve në sallë: “Poshtë tradhtarët”! “Poshtë tradhtarët”! E mandej, si me nji urdhën, turma filloi të këndojë kangë partizane. Në sallë u ba nji rrëmujë e madhe. Para mikrofonit, Ipeshkvi i patundun, shikonte trupin gjykues, që lejonte nji manifestim publik në sallë, e heshte.
Prokurori, qëndronte në kambë, e shijonte plotësisht këtë manifestim “spontan” popullor. Rojet tona qeshnin. Na ishim ngri në karriget tona, nga qëndrimi burrnor i Ipeshkvit, nga manifestimi skandaloz i gjykatës e, kthimi i procesit gjyqësor në nji komedi politike, me gjithë elementin tragjik, që e përshkonte atë anembanë. Mbas “pretencës” së prokurorit, ku “u vërtetua” katërcipërisht, “veprimtaria armiqësore” e të gjithë të akuzuemeve, u paraqitën “avokatët”, të cilët njeni mbas tjetrit, kërkuen mëshirë për klientët e tyne, pa u konsultue me asnjenin nga ne, e pa shtue asgja më shumë.
Kjo sjellje meskine, më dukej ma shumë si nji marrëveshje e heshtun, e përfundueme në mes të gjykatësit e, avokatëve mbrojtës, mizerabel në detyrën e tyn, nga frika e për hir të sigurimit të nji cope bukë, pa nder. Gjykatësit ishin kambëngulës, mos me lejue asnji alibi për avokatin, ose çfarëdo arsyetimi gjyqësor, teknik ose thelbësor, që mund të provonte, të kundërtën e akuzës së prokurorit.
Por avokati ishte i lirë me përgatitë nji mbrojtje, tue i ba thirrje “klemencës” e “humanizmit”, të trupit gjykues, që të kishte mëshirë për nji të ri, nji të vorfën analfabet, ose nji fshatar, që nuk njihte veçse punën bujqësore, ose nji malësor, që nuk kishte pa kurrë qytetin me sy…! Vendimi i Gjykatës, ishte ma i ashpër se pritej. Nandë të akuzueme, tue përfshi edhe Ipeshkvin, u dënuen me vdekje.
Të tjerët morën dënime nga 15 vjet, ashtu si unë, deri në burgim te përjetshme. Rezistenca kundër komunizmit, fitoi ato ditë nji dimension të ri. Përvoja e “gjykimit”, më jepte landë plotësuese për formimin tim politik të matejshëm, mburojë ma të fortë, në luftën kundër çoroditjes së propagandës komuniste, në vendin tonë. Kjo përvojë çelnikosi vullnetin tim, me luftue çdo lloj diktature, e kryesisht diktaturën e kuqe staliniste!
Me kthimin në burgun e Sigurimit, të dënuemët me vdekje u ndanë nga na. Të mbyllun në qeli të veçanta, ata pritshin ditën e ekzekutimit. Në mbramjen e asaj dite fatale, llamba elektrike në qelitë tonal nuk u shue. Rojet kalojshin para dyerve, hapshin dritoret e vogla e bajshin të njajtën pyetje bajate: “E mo, sa vite të dhanë”?! Nga neveritja, nuk tregova të vërtetën. E përgjigja e tyne, ishte po aq bajate: “E mo, i shpëtove plumbit? Mos u anko”! Sikur dënimi me pesëmbëdhjetë vjet të gjata në burg, ishte asgja ma shumë, se nji shëtitje në lulishten popullore. Mbas gjithë kësaj vuejtje, vinte edhe tallja…! Në heshtjen e qelisë, mendimi më shkonte te shokët e grupit që u dënuen me vdekje, nji dënim, që asnjeni nuk e meritonte.
Që nga Ipeshkvi, viktimë e paragjykimeve anti-katolike, deri te malësorët e akuzueme për pjesëmarrje në Lëvizjen e Postribës, asnjeni nuk ishte fajtor, i nji krimi që meritonte dënimin me vdekje. Vete fakti, se nandë prej tyne u dënuen me pushkatim, tregonte thellësinë e pakonceptueshme të urrejtjes së “pushtetit” për “armiqtë”, e monstruozitetin e padrejtësisë, që zbatohej kundër tyne.
Të mbyllun në qelitë e Sigurimit, nandë viktimat e reja të diktaturës së kuqe, do të kalojshin ditët pa dritë, e netët e errëta vetëm, pa kontakte me familje, pa ushqim e pa gjumë, nga ankthi i pritjes së mëngjesit vdeksor, e daljes para skuadrës së ekzekutimit. Trajtimi i tyne gjatë këtyne ditëve, ishte shtazarak, e tregimet e të tjerëve paraqitshin sjelljet e rojeve e oficerëve, si ata të gardianëve në cirkuset e Romës antike: i nxirrnin të dënuemit, i shajshin, i rrahshin keq, provokojshin përgjigjet e tyne që, në mentalitetin e Sigurimit, ishte justifikim, për tortura të reja.
Për kokëfortët, Sigurimi kishte “zbulue” thyemjen e kockave te kambëve, para ekzekutimit, me qëllim që të pamundësohej arratisja e tyne…! Atë natë, nuk mbylla sy. nga tronditja e pranisë së vdekjes. që hidhte vallen makabre. në nandë qeli rreth meje…! Të nesërmen, të dënuemët me vjete të gjata burgimi u transferuen në burgun e përgjithshëm të Shkodrës!
28 Nandor 1947. Në orët e para të mëngjesit, mbledhim leckat e përgatitemi për transferim në burgun e madh. Të lidhun dy nga dy me zinxhirë, në njenën dorë, me dorën tjetër mbajshim mbi kurriz rrobet, që na shërbejshin si shtrat fjetje. Binte nji shi i imte, i vazhdueshem, i mërzitshëm, siç është zakonisht shiu në Shkodër. Nga oborri i Sigurimit, të rrethueme nga nji skuadër rojesh, në vargje të gjatë, njeni mbas tjetrit, dolëm nga dera kryesore e, u drejtuem kah burgu i madh.
Ishte dita e flamurit! Në ndërtesat qeveritare e dyqanet e tregut, shiheshin flamujt kuq e zi, me yllin partizan. Të lagun nga shiu, asnji nuk valonte. Ishin të varun, e nga cepat e fundit kullojshin pika uji, që më dukeshin pika loti, të derdhun nga simboli i shenjtë, para tragjedisë sonë kombëtare. Edhe natyra qante bashkë me njeriun, në këtë ditë flamuri të ftohtë, të lagët, të mjerë, që nuk shihte festim. Në të dy anët e rrugës, udhëtarët ishin të paktë, sikur bota të ishte lodhë nga pamjet e dhimbshme të këtyne ditëve.
Ata që shiheshin, shikojshin kolonën tonë që ecte nën shi, të rrethueme, të kërrusun nën peshën e leckave, e heshtënin. Asnji za, asnji gjest. Por, unë shihsha në këtë heshtje, nji nga format ma të respektueshme të mirënjohjes, për vuajtjet tona, shprehjen e mëshirës, nga ata që i mundonte frika, solidaritetin vëllazënor të atyne, që nuk kishin guximin me u revoltue haptas. Ndoshta, mendojsha në këtë moment, unë, viktima e terorrit të kuq, përfaqësojsha për këto qenie të frikësueme, anën heroike të rezistencës kundër diktaturës kuqe.
Ky mendim më ngriti, më gjallnoi, e më dha kurajon e duhun me mbajtë kokën nalt gjatë këtij marshi të forcuem. Në mbrendinë time, fillova të besoj se lutjet e heshtuna të kalimtarëve të paktë më ndiqshin hap mbas hapi, deri sa kaluem prakun e burgut të madh, e u bashkuem me masën e gjanë e fatkeqe të kësaj ndërtese të vjetër, të ndytë, të akullt, që për ma shumë se nji shekull, kishte ndrydhë mendjet e dërrmue trupat e lodhun të mijëra të burgosunëve.
I burgosuni që mbahej lidhun për dorën time, u trondit shumë kur pau vehten në oborrin e burgut, që do të ishte banesa e tij për shumë vjet të gjata. E shikova me dhimbje e, u përpoqa me e qetësue. Ai uli kokën, e tue fshi pikat e shiut nga fytyra, e ndoshta edhe lotët, u përgjigj: “Ti je i ri, lum djali! Nuk e din çka don të thotë me qenë prind, me gruan pa ndihmë, e fëmijët që rriten jetim…e unë këtu jetoj, me konop në qafë”! Mandej, u mendue pak, e me nji gjysëm zani, tue me shikue drejt në fytyrë, shtoi: “Për ne, lum djali, s’ka mbetë tjetër, veçse me vdekë!”
Mbas nji kontrolli të imtë të trupit e rrobave, u ba regjistrimi formal në zyrë, prej nji drejtori me sjellje bishe. Të burgosunit e rij u shpërndanë, nëpër dhomat e burgut të mbushuna plot e përplot. Pritja e ngrohtë që gjetëm ishte e pabesueshme. Të njohun e të panjohun, çdo njeni përpiqej me na dhanë zemër, me ndihmue, me lehtësue përshtypjen e keqe e të randë, të ditës parë në burg…! U mallëngjeva, nga nji ndryshim kaq i madh, i rrethanave. Ma në fund, nuk isha vetëm. Katërmbëdhjetë muej në qeli, ma së shumti i izoluem e vazhdimisht i torturuem, kishin ba efektin e tyne. Nuk gjejsha fjale me thanë. Gjatë kësaj periudhe vuajtjesh, thuejse kisha harrue ngrohtësinë e atyne që më dojshin.
Për fatin tonë, drejtoria e burgut lejonte çdo të ardhuni, me u pastrue në banjo, nji qeli çimentoje, me tuba uji të ngrohtë. Pastrimi i trupit për të parën herë, mbas nji kohe kaq të gjatë, më dha nji kënaqësi që nuk e shpjegojsha, e pata përshtypjen që, po hyjsha përsëri, në jetën normale. Ujë! Banjë! Pastrim! A ka mundësi? Rrobet e fjetjes e leckat, ishin të mbushuna me morra. Nuk lejuen me i prue në dhomë. Të lidhun së bashku, duheshin nxjerrë përjashta, për pastrim nga familja. Gjatë natës së parë fjeta në korridor, i veshun me rrobe të huazueme, nga nji shok.
Bante të ftohtë. Dritorja, për arsye sigurie, nuk kishte xhama. Era e nji shi i imtë, hyjshin mbrendë. Herë mbas here, ngritsha kokën me pa oborrin e burgut, por me kujdes, të mos shihte roja. Me duar e kambë pa pranga, për herë të parë mbas kaq kohë, lëvizësha kambët, kryqëzojsha krahët e, më dukej e çuditshme që isha i palidhun. I lirë në rrethana të këtilla, edhe nji kënaqsi kaq fillestare, merrte përpjestime të jashtëzakonshme. Nga dhoma pranë, ndigjojsha gërhimat e të burgosunëve të fjetun.
Megjithëse i këputun për gjumë, të ftohtit e korridorit, nuk më lente me mbyllë sytë. Isha mbështetë për mur, në nji qoshe sa ma larg dritores e fërfëllimës së erës, e përpiqesha me u qetësue. Duhet të ketë qenë mbas mesnate, kur ndigjova kambët e rojeve në oborr, hapjen e derës së nji qelie, e disa zane të mbytuna, që nuk i kuptova. U afrova pranë dritores. Nga qelia doli nji burrë në moshë të re, i lidhun me hekura e litar, e i mbajtun nga të dy krahët prej rojeve. Në dritën e llampës elektrike, pashë fëtyrën e tij, e njoha frikën që shprehej në të. Viktima shikoi rreth e rrotull, e më zbuloi në dritore.
Menjëherë, shprehja e tij ndryshoi, sikur kuptoi se nji vëlla në vuejtje ishte aty, bashkë me të, e dëshmitar. Ishte nji skenë joreale! Ata që besojnë në Krijuesin, do të kishin pa praninë e Tij, në buzëqeshjen e asaj viktime. Sa shumë peshon prania e nji qenie njerëzore, në momente vendimtare të jetës sonë, kur gjindemi vetëm, vetëm para vdekjes. Solidariteti i të mjerëvet, ashtë nji dhuratë e paçmueshme, ashtë prania hyjnore në jetën e qenieve tokësore, që vuejnë! Si të kishte qenë frymëzue nga diçka qiellore, viktima lëkundi me fuqi trupin e ngarkuem me hekura e litar, e thirri me të gjithë fuqinë që kishte: “Lamtumirë vëllazën! Poshtë Enver Hoxha”! sikur donte me mbajt kontaktin e fundit me botën, që lente përfundimisht, e me vëllaznit në vuejtje.
Diçka tjetër deshti me thanë, por nuk e lejuene. Nji breshni shkopijsh e shkelmash, e heshti në vend. Ndigjova vetëm gjamet e zanin e tij të mbytun, që shuhej dalë nga dalë, sa herë që i bijshin me drue. Ma shumë se dhjetë oficerë e roje, qëndrojshin rreth e përqark tij, seicili prej tyne, tue u përpjekë me i ra me drue, të paktën nji herë, derisa viktima u shtri për tokë e, zani ti nuk u ndigjue ma. Atëherë, nji lum shamjesh të ndyta e, nji valë gazi histerik, ndoqën vdekjen e dhuneshme të viktimës së re.
U tërhoqa menjiherë nga frika e rojes e tmerrit që dëshmova, e në qoshen e ftohtë të korridorit, që më ngrinte gjakun atë natë fatkeqe, i pafuqishëm e zemër-plasun, derdha lotë të ngrohtë që u rrokullisën mbi faqet e akullta. Nga poshtë vinte fëshfërima që bante trupi jetëshuem, që rojet e burgut tërhiqshin zvarrë mbi çimenton e oborrit. Mbi burgun ra përsëri qetësia e natës, që thelloi edhe ma shumë ankthin e vdekjes, në atë shpellë mjerimi.
Jeta në dhomën Nr.7 ku më vendosën, u ba monotone që në ditët e para. Mbas shkëmbimit të përvojave tona, vendin e zuni përsëritja e tregimeve të së kaluemes, ose e bisedimeve pa kuptim. Mjaft nga të burgosunit, kishin nji të kalueme politike të errët, ose të dyshimtë. Ish-bashkëpunëtorët e okupatorit, shikojshin me cinizëm thjeshtësinë e idealizmin e të rinjve, të porsadalun nga banket e shkollave. Të tjerë ishin të lidhun ngushtë me rregjimet e së kaluemes dhe urojshin këthimin e tyne, pa asnji ndryshim.
Andrra të këtilla, sado të largëta, i mbajshin gjallë e me shpresë. Ishte nji botë që po vdiste çdo ditë e ma shumë, pa të tashme e, natyrisht pa të ardhme, nji jetë mjerane, pa asnji aktivitet. Kjo masë njerëzish që na me përbuzje i quejshim “tekahyte”, shpaloste nji mungesë të plotë ankthi, për ditët që kalojshin pa kuptim e pa qëllim, vuente nga nji konceptim negativ i kohës, dhe nga pranimi pa pyetje i fatalitetit. Gjatë natës, ndigjojsha gërrhimat e shokëve të dhomës që flejshin, të vendosun në katër rreshta të ngushtë, gjumin e randë të plogështisë, si pa gja të keqe.
Zhurma e tyne monotone, e mërzitshme si vete jeta, në këto vorre të hapuna, pasqyronte jetën e pakuptim, ku ishim dënue me jetue, e të natës që pritej me gëzimin e ikjes së ditës, pa asnji ngjarje. Atëherë, i zgjuem nga ankthi i territ të natës, u bajsha nervoz, u revoltojsha e mallkojsha fatin e, ata që flejshin gjumin e randë. Sa i vogël ashtë njeriu, që nuk ashtë i ndërgjegjshëm për fatin e vet, për shtypjen dërrmuese të fatit, për kufizimet që fati imponon, e për fundin e paevitueshëm, shkatërrimin e plotë, pa kushte e pamëshirë të jetës. Isha i ri…!
Përtej kësaj dukunie shpesh herë neveritëse, në praninë e pleqve që vuejshin, të sëmurëve pa shërim, e pashkolluemeve që më ngritshin nervat me gjeste e shprehje pa asnji kuptim, përveç efektit tyne provokues, gjejsha shpesh herë tek ajo turmë nji diçka që kalonte kufijt e landës që shihet e preket, përtej gjallnisë që shuhet me kohën, përtej lëkurës së rrudhun e kurrizit të dalun, përtej plagëve e dergjes në shtrat, nji diçka që nëpërmjet landës opake të trupit dritëzonte me nji rrezatim që më prekte në zemër, si gëzim, kënaqësi, paqe, frymëzim e virtyt.
Kishte diçka që shpalosej, pavarësisht nga selia ku qëndronte, diçka jo-landore, harmonioze, drite-dhanëse. Pamje sublime që je ti, o qenia njerëzore, që pasunove vehten me dhantinë e mbinatyrëshme të dashunisë, e mirëkuptimit për të tjerët që vuejnë e vdesin si ti! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm