Nga Sejfi Vllamasi
Pjesa e pestë
Memorie.al / Nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, mbërrijnë delegatët e popullit dhe një shumicë patriotësh, prej brenda e jashtë Shqipërisë dhe, më 28 nëntor të vitit 1912, në mes të një entuziazmi të madh, pas 450 vjet robërie, u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall pavarësia e Shqipërisë. U formua një qeveri nën kryesinë e Ismail Qemalit, në të cilën merrte pjesë edhe Preng Bibdod Pasha, si nën kryeministër dhe Esat pashë Toptani si ministër i Brendshëm. Kur Ismail Qemali mbërrin në Vlorë, Seit Qemali, Murat Tërbaçi, Alem Mehmeti dhe shumë patriotë të tjerë, si rezervistë, luftonin kundër ushtrisë greke në Llogara. Këta, me t’u informuar mbi qëllimin e ardhjes në Vlorë të Plakut, e ngritën flamurin kombëtar në ballë të luftës, para se të ngrehej në Vlorë.
Këto masakra bëhen prej kapedan Stratosit. Patrioti i vjetër Harri Panariti, bashkë me një patriot tjetër nga Treska, shkruajnë në Amerikë, mbi ngjarjet tragjike të Panaritit dhe me këtë lajmërim erdhi një komision i huaj prej dy vetash, për hetime. Stefan Panariti, nuk e thirri aganë panaritas me qëllim tradhtie. Për këtë dëshmuan edhe tre të krishterë panaritas, përpara qeverisë greke në Janinë. U konstatua se heroi i kësaj tragjedie, qe kapedan Stratosi.
Edhe Harri Panariti, për shkak se lajmëroi miqtë e tij në Amerikë, u dërgua në Janinë, nga u lirua vetëm mbas 6 muajsh burgimi, madje në sajë të një mijë frangave ari, që pagoi në dorë. Kështu mori fund hëpërhë përpjekja për lirimin e prefekturave të Korçës e të Gjirokastrës. Grekët ia mbërritën qëllimit të tyre, duke zënë vijën Llogara – Salari – Qafa e Kiçokut – Ostrovicë – Maliq.
***
Xhonturqit duke zbatuar parimin “Përçaj e sundo”, nxisnin shqiptarët e besimeve të ndryshme kundër njëri-tjetrit, me çfarëdo mënyre. Për sa u përket ortodoksëve, i shtynin të bënin çështje të përbashkëta me grekërit si bashkë-fetarë që ishin. Myslimanët i afronin, duke u dhënë ndonjë nëpunësi e tjera. Kështu xhonturqit ia arritën qëllimit të tyre deri diku dhe për një kohë, pak a shumë të gjatë.
Kundërshtimet e para ndërmjet ortodoksëve e myslimanëve, me kohë u transformuan në mëri e, më vonë në armiqësi reciproke. Ky hendek i madh që u hap ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, nga armiku i përbashkët, nuk u kuptua dot shpejt nga shqiptarët e, i shkaktoi dëme të mëdha kombit, duke pasur si rrjedhim ndër të tjera, shkombëtarizimin e qindra mijëra shqiptarëve ortodoksë e, ky proces vazhdon edhe sot në Arbëri (shqiptarët e Greqisë).
Me Rilindjen Kombëtare, si rilindësve ashtu edhe pasardhësve të tyre u është dashur mund i madh, kohë e sakrifica për të mbushur hendekun e ndasisë që kishin hapur të huajt. Në këtë rrugë të ndasisë, Fanari (Patrikana e Stambollit) e më pastaj edhe qeveritarët grekë kanë qenë më të zellshëm se turqit.
Tentativa serbe me Arif Hiqmetin
Në fillim të vitit 1914, serbët tërhiqen nga Dibra, të imponuar nga Fuqitë e Mëdha, dhe vijën e demarkacionit e vënë afër qytetit të Dibrës. Atëherë populli dibran i emigruar, u kthye në vendin e vet, duke e gjetur atë të transformuar në shkrumb e hi.
Me ardhjen e Vidit në Shqipëri, edhe në Dibër u formua qeveria lokale dhe si prefekt i Qarkut, emërtohet Jusuf Hipen Agolli. U formua dhe xhandarmëria e vendit, duke pasur si shenjë dalluese, një shirit kuq e zi në krah, të cilët (xhandarët), populli ende i thirrte zapite. Serbët donin të formonin një qeveri të tipit të Zografosit, që të përfshinte Dibrën e Matin, duke futur në dorë Qafën e Murrës, atë të Buallit dhe Shkallën e Lumnikut, që kishin një rëndësi të madhe strategjike. Pashiqit, kryeministrit serb, i duhej një vegël që ta përdorte për këtë qëllim të cilin e gjeti në personin e Arif Hiqmetit, shqiptar prej Kumanove, një tip i zgjuar dhe aventurier i klasit të parë.
Ky ka qenë 2-3 vjet rresht sekretar i Prefekturës së Dibrës para Luftës Ballkanike dhe më 1905-1906, ishte sekretar i tretë i Hysen Hilmi Pashës, inspektorit të përgjithshëm të tre vilajeteve dhe kryetarit të komisionit, që përfaqësonte Fuqitë e Mëdha, për reforma në Maqedoni. Këtë person e kam njohur në atë kohë në Manastir, dhe kam vënë re se nuk ka pasur aspak ndenja patriotike.
Arif Hiqmeti në Dibër, nuk gjeti as më të voglën përkrahje. Vetëm me anën e shumë të hollave, mundi të bëjë vegël familjen Lleshi, Halit e Liman Lleshi, si dhe një farë Ismail Lazri, një tip tjetër të zgjuar. Me ndihmën e këtyre dhe me sasi shumë të mëdha të hollash, mundi të blejë tek-tuk njerëz, në disa fshatra të Dibrës. Qeveria serbe qëndronte prapa perdes, duke dashur të tregohet se gjoja, nuk përzihet në këto punë.
Halit Lleshi, pasurohet mjaft dhe duke pasur përkrahjen e fuqisë armike, mundi të bëjë për vete një pjesë të vogël të popullit dhe kështu del në shesh, një parti kundërshtare me Arif Hiqmetin në krye. Ky me këtë pakicë, i përkrahur nga armiku, mundi ta pushtojë gjithë Dibrën dhe posa kaloi vijën e demarkacionit fillon lufta, së pari me xhandarmërinë lokale, të cilës i vinë në ndihmë patriotët dibranë. Kështu fillon lufta civile, e cila vazhdoi 3-4 muaj.
Arif Hiqmeti një ditë, duke shkuar prej Dibre në Shkup, pranë fshatit Zharmonic të Rekës, u vra prej një grupi patriotësh dibranë, të përbërë nga Hasan Pallanza, Izet Maqellara, Maliq Kërçishti, Qamil Daci, etj. Lufta mori fund me fitoren e patriotëve dibranë dhe me vrasjen e Aarif Hiqmetit, grupi i tij u shkatërrua krejt. Pas vrasjes së Arif Hiqmetit, qeveria serbe dërgoi po me atë mision, një farë Xhemal Kosturi dhe Nikoll Kërçishtin, por edhe këta të dy, falimentuan në misionet e tyre.
Organizata revolucionare “Krahu Kombëtar”
Në kohën e mbretërimit të Vidit, në Durrës ishte mbledhur pjesa më e madhe e patriotëve shqiptarë, që gjendeshin në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, ndër vendet e ndryshme të botës, me qëllim që gjithsecili, të jepte kontributin e tij për të stabilizuar shtetin e ri shqiptar. Këta idealistë, në shumicë të rinj e me plot entuziazëm, jo vetëm që nuk e njihnin popullin dhe zakonet e tij, por nuk njihnin as edhe njëri-tjetrin.
Pra, për t’u njohur më afër e më mirë, sidomos në punë e sipër, dhe për të transformuar fuqitë individuale, në një fuqi kolektive të organizuar mirë e të disiplinuar, u shfaq nevoja e domosdoshme, të formohej një organizatë politiko-revolucionare e fshehtë, me emrin “Krahu kombëtar”, e cila përfshinte gjithë nacionalistët e asaj kohe, pleq e të rinj, civilë e ushtarakë.
Kjo organizatë, pas largimit të Vidit, kur shumica e madhe e nacionalistëve u grumbullua në Shkodër, atje u zgjerua më mirë dhe siç do të shihet më vonë, ajo është bërë promotorja e të gjitha lëvizjeve kombëtare, në stabilizimin e shtetit të ri më 1924.
Me okupimin e Vlorës prej rebelëve (në atë kohë u ndodha atje i ardhur nga Durrësi për të takuar familjen time në ullishtet e Vlorës, të emigruar nga Kolonja e djegur prej grekëve, dhe mezi shpëtova nga ndjekjet e komisarit të policisë rebele, Shero Eminit, duke arritur të merrja vaporin e fundit për Durrës), gjithë Shqipëria e Mesme dhe viset deri te Ura e Maliqit, hynë nën juridiksionin e sistemit qeveritar të tyre. Ata ushtarakisht u organizuan dhe u forcuan aq mirë, saqë qeveria e Vidit, nuk qe në gjendje të përballonte rrezikun që i kërcënohej prej tyre.
Gjashtë Fuqitë e Mëdha, që kishin krijuar e garantuar shtetin e ri, kishin hyrë në luftë kundër njëri-tjetrit. Shtetin e ri e kishin ndihmuar financiarisht Austria me Italinë dhe tani nuk do të mund ta ndihmonin më. Pra në këto kushte, të brendshme e të jashtme, Vidi, qeveria dhe përkrahësit e tij, kurrsesi nuk mund t’i bënin ballë situatës, ndaj, i këshilluar nga Austria, më 3 shtator 1914, Vidi u largua nga Shqipëria. Një pjesë e patriotëve shqiptarë, emigrantë jashtë Shqipërisë, ndërsa pjesa më e madhe, me të cilët kam qenë edhe vetë, shkoi e u strehua në Shkodër.
***
Çka e shkaktoi këtë tragjedi?
Cilat janë shkaqet e kësaj tragjedie që u luajt mbi kurriz të këtij populli të vogël e të dobët? Këto janë të brendshme e të jashtme.
Shkaqet e brendshme. Shqipëria, me vendimin e gjithë Fuqive të Mëdha, në Konferencën e Londrës, u krijua si shtet i pavarur, por në realitet populli shqiptar politikisht, ka qenë i papërgatitur për një pavarësi të tillë. Me gjithë që në shpirtin e popullit, ndjenja e pavarësisë gjithnjë ka ekzistuar dhe bile ka qenë e zhvilluar në një mënyrë të theksuar, ajo ka qenë disi primitive, individuale e deri diku, krahinore dhe joracionale e kombëtare, që t’i përshtatej kushteve dhe kërkesave të kohës.
Ndërgjegjja kombëtare, elementi më kryesor për pavarësinë e një kombi, ka qenë e paformuar në popullin shqiptar, mbasi politika e shkombëtarizimit turk, ka krijuar gjithfarë vështirësi për ta lënë atë në një letargji mesjetare. Duke e ndaluar atë të lartësohej në nivelin e popujve fqinj, xhonturqit besonin, se ia zhduknin mundësitë e pavarësisë së tij, e cila do të qe një shembull vdekjeprurës, për të ardhmen e Perandorisë Otomane.
Për turqit e vjetër e të rij greqizimi e sllavizmi i shqiptarëve ortodoksë, me anë të kishës e shkollës, ka qenë më i preferueshëm sesa që ata të bëheshin shqiptarë të mirë dhe, nën një administratë të përshtatshme e në interes të dy palëve, të preferonin të jetonin me Turqinë derisa të fitonin pjekurinë e tyre për pavarësi.
Përveç politikës shkombëtarizuese të turqve, populli shqiptar, për arsye topografike të vendit, i ndarë në krahina të shkëputura nga njëra-tjetra, ka bërë një jetë të veçuar e si pasojë shumë të dëmshme për të ardhmen e tij. Nga ana e tjetër, populli shqiptar gjatë historisë së tij ka pësuar edhe ndryshime të tjera shoqërore në ndryshimin e besimeve, gjë që e ka vështirësuar edhe më tepër procesin e formimit të ndërgjegjes kombëtare.
Perandoria Otomane ka qenë e bazuar në fe, e jo në kombësi si ajo e Austro-Hungarisë. Në të cilën myslimanët shqiptarë në teori, kanë gëzuar më tepër të drejta se të krishterët. Çdo shqiptarit muhamedan, si individ, i njihej çdo e drejtë që kishte edhe një turk, ndërsa, si kombësi, nuk i njihej asnjë e drejtë. Në realitet vetëm një pjesë e vogël e shqiptarëve muhamedanë, ka fituar pozita me rëndësi dhe ka siguruar pasuria kolosale, duke u bërë vega e sulltanëve dhe duke u bërë atyre shërbime të mëdha.
Këta kanë arrirë të shtojnë pasuritë e tyre me anë të grabitjeve e të shfrytëzimeve, që i kanë bërë popullit. Këta krerë, me mjetet ekonomike që kanë disponuar, kanë mundur të krijojnë pozita të privilegjuara në përgjithësi, në dëm të popullit. Ndërsa shumica dërrmuese e popullit mysliman, përveç të drejtës që të bëhej xhandar, për të lënë kokën në ndjekjen e hajdutëve, ka pasur detyrime gjithfarëshe (përveç pjesës malore të Shqipërisë së Veriut), si pagesa, ashtu edhe shërbime ushtarake shumëvjeçare, duke lënë eshtrat ndër lufta, e sidomos ndër kryengritjet e shpeshta në shkretëtirat e Arabisë.
Për shqiptarët myslimanë, emigrimi jashtë perandorisë ka qenë i ndaluar, gjë që ata i ka privuar nga fitimet materiale e sidomos morale që rrjedhin nga emigracioni, duke qenë në kontakt me botën e jashtme. Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës më 1913, në çështjen shqiptare u ndanë më dysh: Austria me Italinë, që përkrahnin rivendikimet shqiptare të bazuara në të drejtat e popujve, duke ia mbështetur Shqipërisë të gjitha viset që kanë qenë në shumicë të banuara nga shqiptarë; dhe, nga ana tjetër, Rusia me Francën, që, të bazuara mbi të drejtat historike, kërkonin Shkodrën, për Malin e Zi, Kosovën dhe një dalje në Shqipërinë e Mesme, në Adriatik, për Serbinë, si edhe në Jug, rivendikimet greke, në emër të Kishës Orthodokse mbi Epirin, Korçën dhe Gjirokastrën shqiptare.
Si në krijimin e shtetit ashtu dhe në caktimin e kufijve, nuk u pyet populli shqiptar. Këta kufij u caktuan në bazë të politikës së ekuilibrit, e jo mbi parimin e të drejtave. Rusia dhe Franca i kënaqën aspiratat greko-serbo-malazeze, duke grabitur krahinat më pjellore e të begatshme të Shqipërisë, Kosovën e Çamërinë. Nga ana tjetër, ato pranuan Shqipërinë e 1913-s, me mundësi të pamjaftueshme ekonomike, të cilën e krijuan me qëllim që ta shkatërronin me rastin më të parë, me ardhjen e Vidit në Shqipëri.
Lufta midis dy blloqeve u egërsua edhe më tepër, duke dashur çdo anë, si Antanta, si Tripalëshi, të tërhiqnin Greqinë, në orbitën e tyre. Dhe që të dy palët, për t’u treguar dashamirës ndaj Greqisë, bile edhe Italia me Austrinë, bënë presion në qeverinë shqiptare, që të nënshkruajë protokollin e Korfuzit më 23 qershor 1914, të cilin ajo e refuzoi kategorikisht, kur ndodhej ndër kushte të favorshme. Austria përkrahte Vidin, shumicën e bejlerëve dhe nacionalistët, ndërsa ana tjetër, Franca me Rusinë, përkrahte Esatin, për ta bërë atë kryetar shteti, në një Shqipëri muhamedane, midis Vjosës e lumit të Matit, duke kënaqur me këtë rast, edhe aspiratat greko-serbo-malazeze.
Italia ka përkrahur, përkundra Austrisë, si Esatin ashtu edhe Ehli Kijamin. Populli i Shqipërisë së Mesme, i nxitur dhe i fanatizuar prej propagandave esadiste, turkofile e xhonturke u hodh në një luftë pa rezervë kundër shtetit të ri, kundër Vidit, për t’u bashkuar përsëri me Turqinë, ose të paktën për një mbret mysliman. Kjo kryengritje u bë në një kohë kur grekërit sulmuan Korçën e Gjirokastrën, duke e lënë popullin e Jugut midis dy zjarreve e, duke shkaktuar djegien e qindra fshatarëve, të dy krahinave më të lulëzuara të Shqipërisë.
Të gjitha masat që mori qeveria e Vidit për shtypjen e kryengritjes, dështuan. Ky dështim u shkaktua, më tepër se nga tradhtia, nga paaftësia e krerëve, nga mungesa e organizimit, të disiplinës dhe të vendosmërisë së luftëtarëve, pa një ideal e nga ana tjetër, mbasi edhe xhandarmëria, e organizuar nga misioni ushtarak holandez dhe fuqitë civile të pajisura me një ideal patriotik, ishin të angazhuar në luftën kundër grekëve. Prandaj, rebelët, të fanatizuar e të disiplinuar, shpartalluan fuqitë qeveritare dhe brenda pak kohe, shkelën Shqipërinë e Mesme deri në Vlorë, Berat e Maliq.
Kështu që populli shqiptar, i përbërë, në atë kohë, prej një pakice patriotësh e intelektualësh, prej një parie në përgjithësi të korruptuar e prej një mase të pazhvilluar, nuk ka qenë as në gjendje as edhe iu dha kohë, për t’iu përshtatur gjendjes së krijuar me shtetin e ri, që t’i bëjë ballë koalicionit të armiqve të jashtëm e të brendshëm.
Mbasi edhe Fuqitë e Mëdha që krijuan shtetin e ri hynë në luftë me njëri-tjetrin, në këto kushte Vidi dhe qeveria e tij ishte e pamundur të qëndronte në fuqi dhe, mbas këshillës së qeverisë austriake ai, më 3 shta-tor 1914, u largua nga Shqipëria dhe kryengritësit më 5 shtator, pas dy ditësh, hynë në Durrës.
Luftërat esado-rebele
Esati, më 18 gusht 1914, niset nga Napoli për Paris, ku u mor vesh me Qeverinë franceze, për të hyrë në luftë kundër Qeverive Qendrore. Më vonë shkon në Athinë, ku pasi merret vesh me Qeverinë greke, kalon në Serbi. Dhe atje, me marrëveshjen që bëri me Pashiqin dhe me armiqtë e Shqipërisë, e mbylli ciklin e marrëveshjeve në bazë të të cilave, siguron ndihmën e qeverive në fjalë dhe, për t’i vënë në jetë planet e tij, kalon në Selanik. Këtu, me ndërmjetësinë e prefektit serb të Dibrës dhe me korrespondencë, u mor vesh me një pjesë të krerëve të Dibrës. Këndej Drinit, Dibrën e kishte në dorë Jusuf bej Dohoçishti, i cili kishte organizuar një qeveri autonome. Esati, pasi u mor vesh me këtë e me krerët e tjerë, erdhi në qytetin e Dibrës.
Jusuf Beu, kishte mbledhur 300 vullnetarë. Xhelal Zogolli dhe Ceno beji Golja, nisen më 200 vetë prej Peshkopisë në Dibër, për ta përcjellë Esatin nga Dibra në Peshkopi. Rrugës afër Maqellarës, një grup nacionalistësh shqiptarë: Ramis Daci, Izet Maqellara, Maliq Kërçishti, Hasan Pallanza e të tjerë, i bënë pritë për ta vrarë, por ana tjetër më e fuqishme, i shkuli nga prita edhe e çliroi rrugën. Esati në Peshkopi, bëri një mbledhje. Një pjesë e krerëve qenë në disfavor të Esatit, pasi ky kishte ardhur në Shqipëri nga Jugosllavia, me të cilën ata gjithmonë kanë qenë në luftë. Nga ana tjetër, formoi një fuqi përmbi 3.000 vetash, i pagoi krerët sipas pozitave që kishin dhe u dha vullnetarëve nga dy napolona.
Esati në Qafë të Murrës, u nis për Mat. Zogu megjithëse kishte refuzuar të merrte pjesë në këtë valle, bashkë me 30-40 veta nga paria e Matit, i doli përpara në Qafë të Murrës. Pasi u përqafuan, Zogu priu dhe erdhën në Lis të Matit, në konakun e Kurt aga Kadisë. Zogu kishte me vete Shahin bej Dinon dhe Stavro Stavrin. U bënë bisedime midis Esatit dhe Zogut dhe i pari kërkoi pjesëmarrjen e tij në këtë valle, por Zogu u përgjigj kështu: “Or, dajë, pasi i je nisur kësaj pune, unë po ngre duart dhe po them ishallah. Kur të marr vesh se i ke mbërrit qëllimit, do të them marshallah”.
Esati u zemërua tepër nga kjo përgjigje, dha urdhër menjëherë të përgatitej fuqia, e të vazhdonte rrugën. Por Zogu i tha menjëherë: “Pas zakonit të shqiptarit, pasi kalove nga trojet tona, duhet të pishë kafen, prandaj sonte, shkojmë në Burgajet”. Esati shkoi në Burgajet, ku Zogu të gjithë fuqinë e tij, e mbajti me shpenzimet e veta. Esati prapë u mundua ta bindë Zogun për të marrë pjesë, por ai e refuzoi kategorikisht.
Xhelal Zogu mblodhi 1000 matjanë dhe u bashkua me Esatin, por asnjë nga krerët e Matit, nuk e kishte me vete. Shkuan në Patin tek Çelajt dhe prej andej, tek pazari i Urës për drekë. Këtu Mersin e Shaqir Dema, ngrehin një pritë për ta vrarë, por daja i tyre, Sheh Lula, i Zerqanit e kuptoi komplotin e, si nipa të tij që i kishte, i përzuri nga prita.
Esati erdhi në katundin Selitë e Keqe, të malësisë së Tiranës. Të nesërmen marshoi mbi Tiranë dhe nga Shkalla e Tujanit, zuri Qafën e Priskës, malin e Dajtit dhe malin e Shkallës. Pasi pushka filloi nga të gjitha anët ky, hipur kalit e përpara 500 vetave të zgjedhur, u nis drejt Shkallës. Në Grykë të Shkallës ndodhej me 500-600 veta, Abdi Feza nga Bastari i Tiranës, për ta kundërshtuar Esatin. Por ky, në vend që ta kundërshtonte, nga frika i ra ndër këmbë dhe i uroi mirëseardhjen. Esati, duke e vënë përpara kalit, me fuqinë e tij u fut në Tiranë pa pushkë.
Krerët e Ehli Kijamit, u arratisën. Esati në Tiranë, qëndroi tri ditë. Fuqinë e mbajti me shpenzimet e veta dhe vullnetarët, pasi u pagoi një rrogë, i drejtoi drejt Durrësit. Fuqia e tij, tek hani i Man Picarit, u ndesh me një fuqi të madhe rebele, nën komandën e Man Picarit. Këta të fundit u shpartalluan. Pengesa e dytë ishte Shijaku, ku sheh Hamdiu me popullin e Shijakut, rezistonte si një fortesë.
Esati me dinakërinë e tij të zakonshme, me anë të një delegacioni, mundi ta bindë sheh Hamdinë, që të kërkojë bashkëpunimin me Esatin. Kështu edhe Shijaku, u kalua pa ndonjë rrezik. Lufta e fundit dhe më e ashpër, u bë në Rushbull, ku populli i Shijakut dhe i Kavajës, luftoi heroikisht, si dhe dibranët nga ana tjetër të cilët lanë 86 të vrarë, që më në fund të hynë në Durrës, më 3 tetor 1914.
Krerët e Ehli Kijamit, përveç sheh Hamdiut, Mustafa Ndroqit dhe Hoxhë Leçinit, mbetën të arratisur. Esati menjëherë zgjodhi dhe mblodhi një senat, prej krerëve që dëshiroi ai vetë, në shtëpinë e Bumçit, dhe me kërcënimin e fuqive dibrane, që i futi në Pallatin e Asamblesë, i detyroi ta zgjidhnin kryetar të Qeverisë së Shqipërisë së Mesme dhe komandant të përgjithshëm të ushtrisë.
Esati i shpalli menjëherë luftë Austrisë. Formoi një qeveri të përbërë prej drejtorëve të përgjithshëm: vetë kryeministër dhe komandant i përgjithshëm, për Punë të Jashtme, Shahin Dinon, për Financa, Nexhat Libohovën; të Brendshëm, Faik Kodrën (dibran) dhe komandant të ushtrisë, Isuf bej Dibrën. Formoi menjëherë gjyqin politik me kryetar Xhelal Zogun, prokuror Ilia Llavdën (durrësak) dhe me hetues, Hysen Myshqetan. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm