Nga Sejfi Vllamasi
Pjesa e parë
Memorie.al / Nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, mbërrijnë delegatët e popullit dhe një shumicë patriotësh, prej brenda e jashtë Shqipërisë dhe, më 28 nëntor të vitit 1912, në mes të një entuziazmi të madh, pas 450 vjet robërie, u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall pavarësia e Shqipërisë. U formua një qeveri nën kryesinë e Ismail Qemalit, në të cilën merrte pjesë edhe Preng Bibdod Pasha, si nën kryeministër dhe Esat pashë Toptani si ministër i Brendshëm. Kur Ismail Qemali mbërrin në Vlorë, Seit Qemali, Murat Tërbaçi, Alem Mehmeti dhe shumë patriotë të tjerë, si rezervistë, luftonin kundër ushtrisë greke në Llogara. Këta, me t’u informuar mbi qëllimin e ardhjes në Vlorë të Plakut, e ngritën flamurin kombëtar në ballë të luftës, para se të ngrehej në Vlorë.
Në të njëjtën kohë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, mbërrijnë delegatët e popullit dhe një shumicë patriotësh, prej brenda e jashtë Shqipërisë dhe, më 28 Nëntor të vitit 1912, në mes të një entuziazmi të madh, pas 450 vjet robërie, u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall pavarësia e Shqipërisë. U formua një qeveri nën kryesinë e Ismail Qemalit, në të cilën merrte pjesë edhe Preng Bibdod Pasha, si nën kryeministër dhe Esat Pashë Toptani, si ministër i Brendshëm. Juridiksioni i kësaj qeverie shtrihej deri në Berat, Skrapar e Elbasan, pasi ushtria turke, ndodhej në Fier e Lushnjë, në pritje për t’u imbarkuar për në Turqi.
Dukë de Monpanisie, nga familja e Burbonëve francezë dhe pasanik i madh, me nxitjen e Albert Gjikës dhe të ambicionit të vet, i shoqëruar nga Mark Kakarriqi dhe Pjetër Goxhamani, me jahtin e vet niset nga Brindizi dhe duke e çarë bllokadën greke, mbërrin në Vlorë, ku paraqitet kandidat për fron të Shqipërisë. Ismail Qemali në parim, e pranon kandidaturën e tij, por për të marrë pëlqimin e Parizit e të Londrës, i shoqëruar nga Isa Boletini, me kostum kombëtar, nga Luigj Gurakuqi dhe Pandeli Cali, bashkë me dukën zbret në Brindizi dhe shkon në Paris e në Londër, ku opinionin e gjeti në favor të Princ Vidit. Vetëm duke përfituar prej rastit, me hapat që bëri pranë qeverive anglo-franceze, arriti të zhbllokojë bregdetin shqiptar, nga flota greke.
Esat Toptani vjen në Vlorë, por, pasi Vlorën nuk e gjeti një ambient të përshtatshëm për planet e tij të mëtejshme dhe për sigurimin e jetës së tij, pas dy ditë qëndrimi, kthehet në Durrës, ku fillon përpjekjet e tij për formimin e qeverisë së re. Në Vlorë, ka qenë përgatitur një atentat kundër jetës së Esatit, por Isa Boletini heq dorë, pasi këshillohet me Ismail Qemalin, sepse ky i fundit, e ndalon rreptësisht një tentativë të tillë. Ismail Qemali në parim ka qenë kundra vrasjeve politike.
Filluan intrigat dhe komplotet e zakonshme kundra Qeverisë së Vlorës. Bektash Cakrani, i kompromituar për marrje të hollash nga Greqia, për ta zgjeruar kufirin e saj në dëm të tokës shqiptare, kur nuk dihet me siguri, por dyshohet edhe për Qemal Bej Vrionin, për shkak se nuk iu pranua dëshira e tij, për ta bërë Cakranin qendër nënprefekture, mbledh një fuqi dhe kërcënon Qeverinë e Vlorës, me kryengritje. Por qeveria me të shpejtë për kundra tij, dërgon një fuqi nën komandën e Salih Vranishtit dhe Hysni Toskës dhe pasi e shpartallon fuqinë e tij, i digjen shtëpitë dhe dyqanet. Bektashi ka qenë në marrëveshje, edhe me Esatin.
Nga ana tjetër, Dervish bej Biçaku, miku besnik i Esatit dhe kundërshtari i betuar i kushëririt të tij, Aqif pashë Elbasanit, që në atë kohë ka qenë prefekt i Elbasanit, i Qeverisë së Vlorës, në tetor të 1913-ës, mblodhi një fuqi kundër qeverisë, duke bërë propagandë me kuran në dorë në popull, për kryengritje. Edhe kundër tij dërgohet një fuqi, nën komandën e Hysni Toskës, i cili bashkë me fuqitë e Aqif Pashës në Gododesh, e shpartalloi Dervishin aq keq, sa detyrohet të lerë në fushën e betejës kalin, dylbitë dhe kuranin. Dervish Biçaku, nga ana tjetër me kuran në dorë, ka bërë propaganda nëpër fshatrat, duke thënë se Princ Vidi dhe Aqif Pasha, do të na prishin fenë.
Populli i Pindit ka qenë për bashkimin e Pindit me Shqipërinë. krerët e tij, që dimëronin bagëtinë në Konispol e Delvinë, zgjedhin një komision dhe e dërgojnë në Vlorë, për t’i deklaruar Ismail Qemalit se populli i Pindit, e ka vendosur ta lidhë fatin e vet me fatin e Shqipërisë dhe për realizimin e këtij qëllimi, janë gati të luftojënë kundër Greqisë, bashkë me shqiptarët. Ismail Qemali e pranon në parim, por Fejzi Alizoti merr vesh dhe e lajmëron Komisionin e Kontrollit, i cili revoltohet kundra Ismail Qemalit.
Njëkohësisht xhonturqit dërgojnë në Shqipëri kapiten Beqir Grebenenë, me 4-5 shokë, me qëllim që të bëjnë propagandë për një princ turk, për mbret në Shqipëri, duke pasur për kandidat Izet Pashën nga Serfixheja, ish-ministër i Luftës me origjinë shqiptare. Xhonturqit tentuan për një gjë të tillë, me qëllim që Shqipëria të bëhej përsëri vasale e Turqisë dhe kështu të evitonin pasojat fatale që do të pësonte Turqia, nga pavarësia shqiptare.
Në planin e Beqir Grebenesë, përveç mjeteve legale, që do të përdorshin për t’ia arrirë qëllimit, figuronte edhe një grusht shteti. Por lumtërisht, qëllimi i Beqir Grebenesë diktohet dhe me gjithë shokët e tij, arrestohet në Vlorë, nga ana e Komisionit të Kontrollit, i cili formon një gjyq special, nën kryesinë e gjeneral Deverit, kryetar i misionit ushtarak holandez, për organizimin e xhandarmërisë shqiptare, me anëtarë: kapiten Kasëm Sejdinin, kapiten Xhavit Leskovikun dhe dy civilë të tjerë.
Syrja e bej Vlora dhe i famshmi jurist dhe erudit Jorgji Çaku, kur nisen nga Stambolli për Vlorë, këshillohen nga xhonturqit që të bashkëpunonin me Ismail Qemalin, për ta prurë Izet Pashën mbret në Shqipëri. Por këta të dy lajmërojnë ambasadorin e Austrisë në Stamboll, për t’u informuar mbi politikën austro- hungareze mbi çështjen e mbretit të Shqipërisë dhe, më vonë kur erdhën në Vlorë, dualën dëshmitarë akuze kundër Ismail Qemalit, bashkëpunimi i të cilit me Beqir Grebenenë, vërtetohet nga gjyqi special i Vlorës. Ismail Qemali, ka qenë njeriu i Antantës, i anglo-francezëve dhe duke qenë i bindur se anglo-francezët, mund të preferonin zgjedhjen e një princi turk, në vend të një princi gjerman, mund të jetë komplikuar në këtë çështje, për të fituar simpatinë e Antantës, në favor të Shqipërisë.
Ismail Qemali bënte një politikë asnjanëse, kundrejt Austrisë dhe Italisë, ndërsa Austro-Hungaria, donte diçka më tepër se kaq. I tronditur nga një presion i tillë, ai me një oficer të besuar, i dërgon një letër konfidenciale, admiral Cecil Bornes (anglez) kryetar i Komisionit ndëraleat në Shkodër, duket për t’u këshilluar me Londrën, meqenëse gjithë jetën ka gëzuar simpatinë e saj.
Por personi në fjalë, për kureshtje e hap letrën dhe me të kuptuar përmbajtjen e saj, preket tepër, pasi si gjithë nacionalistët e asaj kohe, e adhuronte Austrinë, e cila qoftë edhe për interesin e saj, për krijimin e shtetit shqiptar, shkonte derisa të lozte kartën e fundit, dhe kështu ia dorëzoi letrën, autoritative austriake në Shkodër. Qysh atëherë, Austria e humbi besimin ndaj Ismail Qemalit. Ky mosbesim, u shtua edhe më tepër me nxitjen e Faik Konicës, të Dervish Himës dhe të tjerë austrofilëve dhe ajo vendosi të përkrahë Esat Toptanin.
Përveç Preng Pashës, Aqif Pashës, Abdi bej Toptanit, të dalluar si patriotë, dhe krerëve kosovarë, e tërë paria e Shqipërisë, ashtu dhe intelektualët; Faik Konica, Mit’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Dervish Hima, Abdyl Ypi, Nexhat Libohova e tjerë, u kthyen kundra Ismail Qemalit. Ky kundërshtim, përveç disa gabimeve të Ismail Qemalit, rrjedh edhe nga ambiciet dhe inatet personale.
Komisioni i Kontrollit, duke u bazuar në implikimin e Ismail Qemalit, në marrëveshjen që bëri me popullin e Pindit, për të tentuar modifikimin e kufirit të jugut, të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve, ashtu edhe të implikuar në çështjen e Beqir Grebenesë, për një princ turk, e këshillon Ismail Qemalin, të japë dorëheqjen nga kryesia e qeverisë. Ai menjëherë dha dorëheqjen dhe u largua nga Shqipëria.
Luftërat e dibranëve mes Luftës Ballkanike
Me shkatërrimin e ushtrisë turke më 1912, fuqitë dibrane ndahen tresh:
- Me në krye Selman Alinë e Llan Kaloshin, etj., shkuan për të mbrojtur garnizonin e Shkodrës kundra serbëve e malazezëve, nën komandën e Hasan Riza Pashës, e më vonë të Esat Toptanit.
- Një pjesë tjetër me në krye Elez Jusufin, Shaban Lushën etj., shkuan në Kolosnjan (Bicaj), për të penguar përparimin e serbëve që vinin nga Kosova. Elezi ishte i pajisur me një artileri të vogël, prej dy topash. Në këtë luftë mjaft të ashpër, Elezit i është thurur kënga që këndohet edhe sot në popull, prej të cilës po japim disa vargje:
Krisi pushka gjimoi toka,
Vjen Elezi me dy topa.
Krisi topi gjimoi kepi
Kujtoi serbi se asht mbreti.
Nuk asht mbreti mor Serbi,
Asht Elezi, me malësi
Ndërsa lufta vazhdonte në Lumë, serbët me fuqi të tjera, duke kaluar nëpër Maqedoni, arrijnë në Malësitë e Dibrës së Madhe, ku u ndeshën me fuqitë dibrane, të komanduara prej krerëve të Dibrës së Epër. Në këtë luftë, serbët përdorën taktikën e kompromisit me anë të maqedonasve vendës, si Todo Bojaxhiu, tregtar grosist, të cilin e futën si ndërmjetës për t’i bindur krerët se ata (serbët), nuk do të kaloshin nëpër tokat shqiptare, përveç Dibrës së Madhe (qyteti), që ishte vend strategjik. Në këtë mënyrë, fuqitë dibrane tërhiqen dhe shkojnë në rrethet e tyre, kurse serbët futen në qytet.
Por serbët dinakë nuk e mbajtën fjalën që dhanë. Më vonë dërgojnë fuqi ushtarake në vendet e ndryshme kyçe të Dibrës dhe mundohen të arrestojnë Elez Jusufin, i cili mundi t’i shpëtojë rrethimit, në mënyrë mjaft të guximshme dhe misterioze. Nga ana tjetër, një fuqi serbe kalon urën e Topojanit dhe del në Malësinë e Grykës së Vogël. Në katundin Mazhicë, kërcet pushka, së pari me barinj, dhe menjëherë fillon lufta me armikun. Pas kësaj Malësia e Madhe, Gryka e Vogël e, Gryka e Madhe, Bulqiza e Gollobërdha dhe gjithë populli ,lajmërohen nga patrioti veteran Mersin Dema, që të bëjnë një mbledhje në varret e Shupenzës, e cila quhet Kuvendi i atdheut dhe sipas zakonit, lidhin besë (bëjnë itifak) për ta luftuar ushtrinë serbe.
Pak ditë pas besëlidhjes, serbët, për t’i okupuar të gjitha krahinat e Dibrës, kalojnë Drinin dhe dalin në Grykë të Vogël, në katundet Topojan e Mazhicë. Atëherë populli, sipas besës që pati lidhur, u ngrit kundër ushtrisë serbe, duke e filluar luftën në katundin Mazhicë e Topojan, ku mori pjesë edhe Malësia e Peshkopisë. Serbët thyhen dhe tërhiqen me anë të Drinit, në rajonin e Maqellarës, në fshatin Vojnik, ku mbetet i vrarë komandanti i ushtrisë serbe, gjeneral Ferdinandi. Atëherë Mersin Dema, i ndan fuqitë në tri pjesë:
- Te ura e Topojan-it;
- Në kodrat e katundit Gjoric;
- Te Ura e Spilës.
Ndër këto vende, lufta vazhdon tri javë. Atëherë serbët, duke e parë të pamundshme zbërthimin e frontit në këto drejtime, marrin një drejtim tjetër dhe, duke kaluar nga malet e Strugës e të Gollobordës, u marrin krahët fuqive dibrane, të cilat tërhiqen dhe marrin pozicione të reja, duke zënë Qafën e Murrizës (mali i katundit Bllac) dhe shkrepin e katundit Gjuras, ku lufta vazhdoi 5 ditë. Në këtë luftë u vranë mjaft dibranë, midis të cilëve u vra edhe Hysen Dema. Shqiptarët përpara fuqive të mëdha serbe, tërhiqen në Mat. Këta, mbasi u organizuan në Mat, bashkë me matjanët, e zunë pozicionin e tretë në Qafë të Murrës dhe në Qafë të Buallit. Këtu, lufta vazhdoi për një kohë të gjatë dhe serbët, nuk përparuan më. Kësaj lufte, iu dha emri; “Lufta e Malësisë”.
Pjesa tjetër e Dibrës, përgatitet për një revolucion të përgjithshëm kundër armikut, duke i vendosur fuqitë në Shumbat, Peshkopi dhe te Ura e Lushës. Tërthorazi, shkuan edhe disa vetë nga Dibra e Poshtme, në këtë luftë.
Lufta e Vllajnicës
Në këtë kohë pritej nga çasti në çast, një kryengritje e përgatitur përkundra armikut. Krerët e Dibrës kishin vendosur, ta bëjnë kryengritjen pa caktuar datën, por populli i shtytur nga ndjenjat patriotike, spontanisht, fillon luftën te Ura e Lushës, më 15 gusht 1913. Në të njëjtën kohë, fillon lufta edhe në Shumbat, ku armiku thyhet mjaft keq. Pjesa më e madhe e ushtarëve, vritet. Mbeturinat kapen rob, kështu që s’mund të kthehet asnjë këmbë ushtari në Peshkopi, ku ishin përqendruar forca të mëdha.
Fuqitë dibrane, marshojnë në drejtim të qendrës (Peshkopi). Armiku prej këtej, bën qitje artilerie pa pushim. Kur forcat ndodheshin te Vorret e Pilafit, nën breshrin e plumbave të mitralozit, malësori i quajtur Mehmet Skepi, një burrë me mustaqe kapadai, u bën thirrje shokëve, se: “Ai që vdes sot, asht i pavdekshëm”, dhe thërret që ta kapin armikun të gjallë.
Atëherë populli me një vrull të pathyeshëm, sulmon me besa-besë dhe futet në lagjet e qytetit. Këtu plagoset rëndë Azis Lusha. Ndërsa shokët e tij, mundohen ta tërheqin, ai u thotë: “Më leni të vdes këtu, se kjo më duket vdekja ma e ëmbël, kundra armikut” dhe me këto fjalë vdes. Mbasi u shpartallua ndër kazermat ushtarake, armiku tërhiqet dhe futet në lagjet e qytetit. Malsori Ibrahim, pasi ndeshet në një rrugicë me një togë ushtarësh nga të cilët vret katër, por edhe vetë, plagoset rëndë. Kur shkuan shokët që ta ngrenë, u thotë të mos merren me të, por të shkojnë përpara, që të vrasin ata që kanë mbetur. Këto janë vetëm disa pak shembuj të heroizmave të dibranëve, në luftë kundër armikut për mbrojtjen e atdheut.
Dibra e Epërme, me të dëgjuar ushtimën e artilerisë në Dibër të Poshtme, filloi të grumbullohet në qendrat rreth krerëve, për të marrë vendime lufte kundra armikut, mbasi vëllezërit e tyre, po luftojnë. Vendet e grumbullimit të popullit, qenë në Maqellarë, Kërçisht, Homesh dhe Sepetovë. Një i quajtur Karaman Popinara nga katundi Popinarë, një burrë me perçe të gjatë, i armatosur me një martinë të kohës, i shoqëruar prej 20-30 trimave, pasi vjen në katundin Kërvisht, ku gjinden të grumbulluar 3-400 vet, pas përshëndetjes, i drejtohet e i thotë Maliq Kërçishtit: “Pse pret më? Na prij përpara, se koha nuk pret”! Atij iu tha se ende nuk kemi marrë lajme nga Dibra e Poshtme, nëse lufta ka filluar me siguri.
Por Karamani tha se; “lufta ka fillue mbasi në katundin tonë, ndigjohen fare mirë topat, që shtihen në Peshkopi” dhe u bëri thirrje krerëve, duke thënë: “Qohu burra, të mos rrimë kot, të marshojmë kundra armikut dhe me shpresë të Zotit, do të ndalemi në Belgrad”. Me këtë hov kjo turmë e popullit, marshon drejt qytetit të Dibrës, në të gjitha drejtimet. Në afërsitë e qytetit, në katundin Krifcë, u bënë përpjekjet e para dhe, mbas një lufte të rreptë me pararojën serbe, të përbërë prej një regjimenti të pajisur me mitraloza e artileri të lehtë, e shkatërruan krejt. Qyteti sulmohet nga ana e perëndimit, prej fuqive të Malësisë së Grykës së Vogël e, Gollobërdës. Kështu, mbas luftimesh të ashpra, qyteti i Dibrës pushtohet dhe forcat e mbetura të armikut, tërhiqen drejt Rekës e Gostivarit.
Forcat e armikut që ndodheshin në Peshkopi u asgjësuan në luftë prej malësorëve të Dibrës së Poshtme dhe këta të fundit, pa u ndaluar aspak, arritën në Dibrën e Madhe për të ndihmuar vëllezërit e tyre, të angazhuar në luftë kundër të njëjtit armik. Dibranët, të gjithë të bashkuar, e ndoqën armikun këmba-këmbës drejt Gostivarit. Në Vllajnicë e Mavrovë, armiku kishte vënë forca të mëdha, pasi vendi ishte i favorshëm strategjikisht për mbrojtje. Në këto pozita, lufta vazhdoi 20 e ca ditë. Heroizmat e dibranëve janë të papërshkrueshme, në raste të tillë njeriu s’kursen as jetën, për të mbrojtur vendin e vet. Trimëria dhe përpjekjet e shumë personave, shquhen kudo në frontet e luftës. Për të mos u harruar kjo heroizmë, populli i thuri këngën kësaj lufte, që sot e kësaj dite, këndohet ndër malësorë. Ja disa vargje:
Ditën e dielë, ditë pazari,
Emër bani komandari.
Komandari, i biri Shkinës,
S’i ke njoftun djemt’e Dibrës,
Djemt’e Dibrës, djemt’e malit,
Që ta plasin kapakn’e ballit.
Por armiku solli fuqi të reja, me të cilat bëri sulmin. Fuqitë dibrane bëjnë kundërsulme, për të përforcuar pozitat e tyre. Këtu mbetet i vrarë luftëtari Emin Beg Çela, i Dohoshishtit. Pas dy ditë lufte të përgjakshme, duke e parë veten të kërcënuar nga një divizion armik i ardhur nga Manastiri e Struga gjatë luginës së Drinit, me qëllim që t’u binte pas shpine, forcat dibrane, u detyruan të tërhiqeshin nga fronti. Duke u zmbrapsur tërhoqën me vete dhe fëmijët e gratë, për të kaluar sa më shpejt, më atë anë të Drinit.
Armiku gjente kudo pengesa, prej praparojave të fuqive tona. Në Malin Skertec, bëhet rezistenca e fortë kundër armikut, për t’ia penguar përparimin dhe këtu vriten Xhetan Kaloshi dhe Xheladin Shehu. Në këtë mënyrë, i gjithë qarku i Dibrës zbrazet dhe popullata merr rrugën e emigrimit, për Tiranë e Elbasan. Armiku, duke e gjetur vendin shkret, e plaçkiti dhe i vuri zjarrin të gjithë Dibrës. Dibra digjet, për të dytën herë. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Marrë nga libri i Sejfi Vllamasit: ‘Ballafaqime politike në Shqipëri – 1897-1942’, (Kujtime dhe vlerësime historike). Përgatitur nga Prof. Dr. Marenglen Verli. Shtëpia Botuese “NERAIDA” Tiranë 2000