Nga Odile Daniel
Pjesa e parë
Memorie.al / Isha në Paris, kur, në maj 1992, mora një thirrje telefonike nga një shqiptar nga Uashingtoni, që dëshironte të më takonte. Ishte një profesor në pension i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe italiane, që quhej Arshi Pipa. Kishte lexuar disa nga punimet e mia mbi Shqipërinë dhe kishim nisur të bashkëpunonim me korrespondencë, veçanërisht me krijimin e një reviste të titulluar ‘Albanica’ që ai e kishte botuar në SHBA. I lashë takim në një kafene pranë kishës Saint-Sulpice, sepse po qëndronte në një hotel të Quartier Latin. E njihja vlerën e këtij profesori nga emri i tij i madh, sepse ai kishte botuar më 1978 në anglisht në koleksionin ‘Albanisce Forschungen’ (Kërkime shqiptare) të Universitetit të Mynihut, tri vëllime mbi letërsinë shqiptare. Kishte botuar po ashtu, gjithmonë në anglisht, katër vëllime të tjera në SHBA-ës, në koleksionin ‘East European monographs’ në botimet e Universitetit Columbia të Nju Jorkut; vëllimi i parë, i botuar më 1984, i hartuar nga një grup autorësh nën drejtimin e tij, kishte të bënte me Kosovën. I dyti, i botuar më 1989, titullohej ‘The Politics of Language in Socialist Albania’. I treti, ‘Albanian stalinism, ideo-political aspects’, botuar më 1990, ishte pasuar më 1991 nga ‘Contemporary Albanian Literature’. Nuk e njihja rrugëtimin intelektual të këtij shqiptari, por më kishin mahnitur njohuritë dhe finesa e analizave të tij. Ai kishte marrë drejtimin e revistës “Dielli”, të bashkësisë së shqiptarëve të SHBA-ës.
Që të më njihte, duhet të vendosja mbi tryezë njërin prej librave të tij, me kopertinë blu. Pasi prita ca, pashë të vinte një burrë trupvogël, që duhet të ishte pak më shumë se 70 vjeç. Flokët e tij të bardhë, të ndarë me një vijë në mes, ishin prerë karé me një gjatësi që i fshihte veshët. Më kujtoi menjëherë Franz Liszt-in, ose statujat e famullitarit të Ars-it, që kisha parë në kisha.
Tiparet i kishte fine, goja me buzë të holla, rrethohej nga dy rrudha hidhërimi, që i zbrisnin deri poshtë mjekrës. Mbante syze me skelet të zi dhe me xhama të trashë, që vinin në pah vështrimin e një miopi. Megjithëse me flokë të bardhë, Arshi Pipa kishte vetulla të zeza, mjaft të trasha që ia theksonin vështrimin e gjallë dhe të sinqertë. Shprehja e fytyrës dhe buzëqeshja e tij tregonin një mirësi të madhe. Folëm të dy, duke u parë drejt në sy.
Profesor Arshi Pipa më përshëndeti, duke përdorur fjalë shqipe, por biseda u bë në frëngjisht, sepse ai e zotëronte mjaft mirë këtë gjuhë. Madje ai ishte poliglot, fliste, përveç shqipes dhe anglishtes, frëngjishten, italishten dhe gjermanishten. Kishte gjithashtu njohuri të thella të latinishtes. Mora guximin ta pyes, nëse kishte lindur në SHBA-ës, nga prindër shqiptarë të emigruar prej shumë kohësh, sepse e dija që në Detroit dhe në Boston, kishte një diasporë të rëndësishme shqiptare, apo kishte lindur në Shqipëri.
– “Kam lindur në Shqipëri, në Shkodër, më 1920. Mamaja ime ishte shkodrane. Stërgjyshërit e mi nga ana e babait ishin me origjinë nga Libohova, domethënë nga jugu i Shqipërisë ku kishin poste administrative, kryesisht në drejtësi. Babai im, një patriot dhe demokrat i madh, ishte avokat. Ai u burgos shumë herë në kohën e sundimit otoman. Më kujtohet që kishte miqësi me komandantin e trupave aleate të Shkodër, gjeneralin Joseph Marie Bardi de Fourtou”.
– Prej sa kohësh jetoni në SHBA?
– “Më 1957, u arratisa në Jugosllavi, ku qëndrova gati një vit, pastaj, pas një qëndrimi të shkurtër në Itali, u vendosa në SHBA-ës më 1958.
– Si mundët të largoheni nga Shqipëria, sepse vendi ishte i rrethuar me tela me gjemba dhe çdokush i afrohej kufirit pushkatohej në vend, siç ndodhte me gjermano lindorët që donin të kalonin murin e Berlinit? Kaluat nga shtigjet e Malësisë së Madhe, i shoqëruar nga “malësorët”, që i njohin mirë shtigjet që i përdorin për verimin e bagëtive?
– Motra ime, Fehime, ka shkruar një kronikë familjare ku tregon epopenë e familjes sonë. Duhet t’ju them se kam qenë i burgosur për dhjetë vjet në burgjet dhe kampet e punës së detyruar komuniste. Jam dënuar për herë të parë më 1949, me dy vite burg për “agjitacion dhe propagandë” dhe, gjatë periudhës së terrorit dhe spastrimeve të vitit 1947, dënimi m’u kthye në njëzet vjet; por, më 1949, gjatë një mase të jashtëzakonshme faljeje, dënimi u përgjysmua dhe, më 1956, u lirova.
Kur dola nga burgu pas dhjetë vitesh izolimi, shkova të takoj Ramiz Alinë, që asokohe ishte ministër i arsimit dhe kishte qenë nxënësi im kur punoja në gjimnazin e Tiranës më 1943 dhe më 1944. Më priti shumë mirë dhe munda të kem një vend pune, si mësues. Dhashë mësim në gjimnazet e Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit, por, meqë të gjitha programet ishin të mbushura me ideologji dhe tekstet ishin veçse slogane dhe pjesë të fjalimeve të Enver Hoxhës, dhashë dorëheqjen. Sigurisht, që s’kisha pranuar të hiqja nga programet tekstet e shkrimtarëve të ndaluar nga regjimi komunist, si ato të At Gjergj Fishtës, një nga figurat më të mëdha intelektuale. Gjithashtu, s’mund të botoja më asgjë.
– Po, e kuptoj. Gjithçka duhet të kalonte përmes gjykimit të censurës. Një plejadë e tërë autorësh, mendimi i të cilëve nuk ishte në përputhje me ideologjinë në fuqi, u ndaluan!
– Duke mos mundur të ushtroja profesionin më tim si arsimtar, m’u desh të vendosja të jetoja në mjerim. Kështu, një ditë, kur një njeri i besuar më propozoi të arratisesha, duke përfituar nga ndihma e një shqiptari, shtëpia e të cilit ndodhej jo larg nga kufiri me Jugosllavinë, pranova. Pra, u largova me motrën time, që ishte veshur si fshatare. Secili ndoqi nga një itinerar të ndryshëm dhe u bashkuam në një vend ku ky malësori, një trim mbi trimat, na shoqëroi të kalonim kufirin. Të dy ishim të armatosur.
Na çuan në një kamp refugjatësh, pastaj na pranuan të rrinim në Sarajevë. Aty qëndrova disa muaj si emigrant politik. Pata fatin të mos më kthenin në Shqipëri, siç ndodhte shpesh me të arratisurit. Kalova disa kohë, duke përkthyer në shqip poemat e autorëve më të mëdhenj latinë, në dialektin tonë gegë të Shqipërisë së Veriut. Më pas u nisa për në Itali, në Romë, ku lidha miqësi me Martin Camajn, një shqiptar nga veriu që, edhe ai, ishte larguar nga Shqipëria komuniste, duke marrë rrugën e mërgimit përmes maleve të Veriut. Ai jepte shqip në Universitetin e Mynihut.
– Ç’ju shtyu të shkonit për të jetuar në SHBA-ës?
– Nuk doja të qëndroja në Itali. Megjithëse kisha ndjekur një program studimi në universitetin e Firences, ku kisha botuar punimin tim të diplomës, me temë “Morali dhe feja te Bergson”. Por kisha kujtimin e trishtuar të vëllait tim, Myzaferit, që kishte qenë student drejtësie në Padovë dhe që ishte burgosur nga fashistët në Ishullin Ventotene, në detin Tiren, ku dërgoheshin kundërshtarët e fashizmit. Gjithashtu ishte më e lehtë për mua të vendosesha në SHBA-ës, sepse aty kisha nipa, që mund të më prisnin.
Pashë që fytyra e Arshi Pipës u shtendos dhe përvijoi një buzëqeshje. Sytë e tij të zinj filluan të shndrinin. Kishte marrë një pamje rinore, kur më tha:
– Në fillim, m’u desh të punoja në Nju Jork si roje te një tregtar gomash, por isha kaq i zënë me studimin e librave, sa nuk e vura re, që në dyqan kishte hajdutë, kështu më pushuan shpejt.
– Keni dhënë mësime shqipeje në SHBA?
– Dy vjet pas mbërritjes në SHBA-ës, dhashë mësime filozofie dhe feje në ‘Philander Smith College’ në Little Rock, Arkansas. Nga viti 1963 deri në 1966, kam dhënë mësim në Departamentin e italishtes në universitetin Berkeley dhe aty kam drejtuar edhe një seminar mbi gjuhën, letërsinë dhe folklorin shqiptar. Karrierën si profesor në departamentin e frëngjishtes dhe italishtes, e mbylla në Mineapolis, në shtetin e Minesotas, duke vazhduar të drejtoj punime kërkimore mbi Shqipërinë. Më 1968, kam botuar një libër mbi Danten dhe Montalen. Kur dola në pension, më dhanë titullin “Profesor i merituar”.
I shpreha Arshi Pipës vlerësimin tim të madh për studimet e tij intelektuale dhe, veçanërisht, për erudicionin e tij të madh.
– Ajo që kam vënë re në librat tuaj, është logjika juaj shumë e fortë, shpirti deduktiv shembullor. Duke lexuar librat tuaj, mund të bëhet një paralelizëm me shkrimtarin shqiptar Faik Konica që ka studiuar në Francë. Ai ka shkruar një tekst të bukur më 1897, të titulluar “Disa këshilla mbi artin e të shkruarit”. Ai u duhet dhënë si model studentëve.
Faik Konica ka shkruar se shkrimtari në radhë të parë, duhet ta qartësojë mendimin e tij dhe të shpjegojë që në fillim, se “ku fle lepuri”, sipas një shprehjeje shqiptare, dhe se rrëfimi duhet të zhvillohet ngadalë nga peri te gjilpëra, nga deduktimi në deduktim, me fjali të lidhura në mënyrë logjike mes tyre për të mbërritur në një përfundim që rimerr në mënyrë të përmbledhur mendimin e autorit. Është për të ardhur keq që ky shkrimtar është ndaluar për gati pesëdhjetë vjet në Shqipërinë komuniste, sepse ka qenë konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Uashington, ministër fuqiplotë nga viti 1926 në 1939.
– Po, u përgjigj Arshi Pipa, mendoj se Faik Konica, ka bërë shumë për përparimin e kulturës shqiptare, duke përhapur kulturën franceze në revistën e tij ‘Albania’ në një kohë kur shqiptarët ishin ende në Perandorinë otomane.
– Librat tuaj shprehin shqetësimin për vazhdimësinë e zhvillimit të kulturës shqiptare, por, për fat të keq, nuk kanë mundur të përhapen në Shqipëri për shkak të censurës; me rënien e regjimit marksist-leninist, ju mund t’i përktheni në shqip. Kam parasysh vendosmërinë që keni treguar, për të thelluar studimet mbi kulturën shqiptare si përmbushje e rekomandimeve që u bënte shqiptarëve Mit’hat Frashëri, babai i të cilit, Abdyl Frashëri, ka drejtuar më 1878 Lidhjen e Prizrenit, për t’i hedhur shqiptarët në një aksion të përbashkët, me qëllim çlirimin nga tutela otomane.
Ky shkrimtar, edhe ai i mohuar gjatë diktaturës, ka shkruar më 1924 në librin e tij ‘Plagët tona’, një tekst ku u këshillonte shkrimtarëve shqiptarë, të merrnin penën e tyre për të punuar për ngritjen e nivelit kulturor në Shqipëri. Pikërisht këtë keni bërë ju në vendin ku ishit mërguar, me një durim të pamasë.
Mit’hat Frashëri, ishte pranuar plotësisht në rrethet letrare evropiane. Aline Menard Dorian, nga familja e mamasë sime, që kishte lindur Menard, mbante një sallon ku vinin shpesh Alphonse Daudet, Emile Zola dhe vëllezërit Goncourt.
Ajo ka mbajtur korrespondencë me Mit’hat Frashërin në vitet 1920-1922. Ajo ishte nën-kryetare e Lidhjes së të Drejtave të Njeriut dhe priste artistë, muzikantë, politikanë dhe të mërguar në sallonin e saj. E quanin “Mikpritësja e mirë”. Kur vdiq, Victor Basch, kryetar i Lidhjes së të Drejtave të Njeriut, i thuri elozhe kësaj gruaje që mbështeste popujt e shtypur dhe të mërguarit. Ajo denonconte diktaturat, bënte thirrje për mirëkuptim të përzemërt dhe mbronte lirinë e popujve.
Përgjigja e Arshi Pipës më habiti:
– Po shoh te ju, që keni punuar në terren me këmbëngulje në kushte të vështira, të njëjtën vendosmëri që provoj unë për të ngjallur interes për një vend të izoluar dhe të përçmuar për shkak të një ideologjie që e ka shkatërruar. Duhet punuar për ringjalljen e kulturës shqiptare.
– Ju propozoj të dëshmoni për rrugëtimin tuaj intelektual dhe për njohuritë tuaja duke mbajtur disa kumtesa para profesorëve të universitetit dhe studiuesve. Do të ishte një shembull i mirë për të treguar se ekzistojnë intelektualë shqiptarë që nuk kanë pranuar të nënshtrohen dhe që kanë njohur persekutimet staliniste. Gjithashtu mund të tregoni për lëvizjen që solli rënien e komunizmit dhe për zhvillimet politike të kohëve të fundit në vendin tuaj.
Profesor Pipa pranoi dhe vendosëm të takoheshim pas disa ditësh. Si dhuratë më dha disa kopje të librave të tij të parë të shkruar në shqip, tri vëllime me poezi: ‘Lundërtarët’ botuar më 1944 në Tiranë, si dhe ‘Rusha’, botuar më 1968 në Gjermani. Poemat e tij flisnin për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, për dashuri dhe gjakmarrjen në gjysmën e dytë të shekullit XIV. Më dha gjithashtu librin e tij të titulluar ‘Libri i burgut’ që e kishte botuar në shqip në Romë më 1959 dhe që u kushtohej viktimave të komunizmit, duke më thënë:
– Kam mundur t’i botoj këto libra, falë një miku, Zef Shllakut, që më ka mbështetur financiarisht. Ai ka qenë një verior, i arratisur në SHBA-ës. Kishte në San Françisko një restorant me gatime italiane që ishte bërë i famshëm, sepse e kishte frekuentuar Luciano Pavarotti. Për botimin e librit tim, më ka ndihmuar gjithashtu dhe diaspora shqiptare e Detroitit, Nju-Jorkut, Uashingtonit dhe e Londrës.
Në Librin e burgut do të gjeni tekste që i kam shkruar gjatë viteve të burgut, në fillim në Tiranë më 1945
– 1946, pastaj me radhë deri më 1956 në burgjet e Durrësit, Burrelit, Tiranës, në kampin e Vloçishtit pranë Korçës dhe në kalanë e Gjirokastrës.
Duke menduar se nuk do t’u mbijetoja burgut dhe punëve të detyruara, kam dashur të lë një dëshmi. Pra, kam shkruar fshehurazi në burg, me një shkrim të vogël të imët dhe të rregullt, në letrat e cigareve që i palosja si fizarmonikë dhe i fshihja në palat e rrobave që ia jepja për të larë motrës sime, kur vinte të më vizitonte.
I kërkova profesor Pipës, të shkruante një dedikim në librin e tij, që dëshmonte për vitet e burgut. Ai shkroi: “À Odile-Idole. A.P.” (“Për Odilën-Idhull. A.P.”), duke bërë një lojë fjalësh për të treguar vlerësimin intelektual për mua. Ai më bëri gjithashtu si dhuratë, një varëse me dru are, të punuar nga një i burgosur. Ajo paraqiste një trëndafil. Ishte kujtim prekës.
U ndamë dhe, me t’u kthyer në shtëpi, u zhyta në leximin e librit të tij. Ai u kushtohej dëshmorëve të kombit që kishin rënë me nder, viktima të komunizmit. Në parathënie, Arshi Pipa shpjegonte se nuk kishte shkruar në prozë, sepse, në kushtet ku ndodhej, ose i mbyllur në burg, ose i mbajtur në një kamp pune të detyruar, i mungonte letra për të shkruar fjali të gjata dhe, përveç kësaj, e kishte të ndaluar të mbante ditar.
Pra, kishte zgjedhur poezinë, për të cilën kishte një prirje të lindur. Përmes poezisë që i drejtohet zemrës dhe ngjall emocione, sprovat më të dhimbshme të jetuara shpreheshin në mënyrën më të mirë dhe e preknin thellë lexuesin. Përmes vargjeve të tij shprehej dhimbja e çastit. Vendosa të përkthej një pjesë të tekstit të profesorit Pipa. Ajo u botua në revistën Alternativa e re.
Arshi Pipa nuk kishte kurrë shumë qejf të fliste për të shkuarën e tij të dhimbshme. Ishte hera e parë që takoja dike, që kishte qenë viktimë dhe që kishte vuajtur dhjetë vjet në gulag. Shkrimi për të kishte qenë si një ilaç; në një farë mënyre, ai e kishte lehtësuar dhe rrëfimet e vuajtjeve të tij, kalonin ndoshta përmes pendës më mirë se përmes fjalës.
Në poemën e titulluar “Nata e parë”, Arshi Pipa ndodhet, gjatë arrestimit të tij, në shërbimet e Sigurimit të Durrësit (që mbante atëherë në mënyrë të çuditshme emrin “Seksioni për Mbrojtjen e Mopullit”). Ai përmend hije, hapa, zhurmat e goditjeve, britmat, fyerjet, një ferr i vërtetë ku janë zhytur njerëz të pafajshëm. Ai vetë kishte njohur torturat. Në një poemë tjetër, ai dëshmon për vuajtjet e të burgosurve, që duhet të shtynin vagonë të rëndë me dhé, për të punuar për ndërtimin e rrugës bregdetare në Durrës.
Në pjesën e parë të librit të tij, ai i kushton një elegji të bukur vëllait të tij Myzafer Pipa, që kishte qenë avokat. Pasi u burgos një herë në Itali nga fashistët më 1940, ai njohu një burgosje tjetër në kampin nazist të Prishtinës. Kur u kthye në Shqipëri, filloi të botonte një revistë kulturore të titulluar ‘Fryma’.
E arrestuan në shtator 1946 dhe e torturuan me hekur të nxehtë në shërbimet e Sigurimit të Shkodrës, gjoja se kishte dashur të arratisej, por arsyeja e vërtetë ishte se kishte mbrojtur priftërinjtë katolikë, më 1945. Ai ishte angazhuar në mbrojtje të tyre, megjithëse ishte mysliman. Vdiq më 1946 nën tortura, në oborrin e shkollës së Motrave Stigmatine të Shkodrës. Familja nuk e dinte ku e kishte varrin.
Poemat janë të shoqëruara me shënime të bollshme të shtuara nga autori pas lirimit të tij. Ato japin saktësime mbi qëndrimin e Arshi Pipës më 1948, në kampin e punës të Vloçishtit, pranë kënetës së Maliqit. Kjo ishte një fushë e madhe e rrethuar me tela me gjemba, ku 1300 – 1600 vetë, të burgosur ordinerë dhe politikë, jetonin në baraka. Lufta e klasave zbatohej aty me tërbim. Për rojet, të burgosurit politikë ishin përfaqësues të klasës kapitaliste-borgjeze dhe të burgosurit ordinerë kishin të drejtë t’i vidhnin. Për t’u mbrojtur, të burgosurit politikë flinin duke e fshehur bukën poshtë kokës.
Arshi Pipa i kushton njëzet e katër sonete përshkrimit të punimeve të bonifikimit që duhet të kryenin të burgosurit. Ata duhet të hapnin kanalin e Dunavecit, disa kilometra i gjatë në një thellësi prej 3 metrash dhe një gjerësi prej 10 metrash. Kantieri ndodhej 6 – 7 km larg nga kampi dhe rruga duhej bërë në këmbë. E gjithë puna kryhej me kazma, lopata dhe tokmakë. Nëse të burgosurit nuk e realizonin normën, rriheshin dhe privoheshin nga ushqimi ose torturoheshin. Shumë prej tyre vdisnin në vend.
Arshi Pipa tregon disa ngjarje të llahtarshme: një shok i tij u ekzekutua, sepse u ishte afruar kufijve të kampit dhe një djalë i ri ishte varrosur i gjallë, i akuzuar se donte të arratisej. Shumë burra, të rraskapitur dhe të dëshpëruar, kishin vrarë veten, duke u varur në hekurat e një dritareje të barakës së tyre. Kampi i Vloçishtit ishte një kamp i vërtetë shfarosjeje.
Arshi Pipa tregon një anekdotë: kur kërkoi një ditë leje te një roje, për të mos shkuar në punë, sepse i ishin buhavitur këmbët, ky i ishte përgjigjur: “Mendova se të kishin lënë në infermierinë e burgut, pra, e ke marrë veten, madje dhe qenke shëndoshur aty”. Meqë ai po heshtte, roja vazhdoi: “Gomar, nuk e kupton! Po që të vdesësh të kanë mbyllur këtu dhe tani ti më kërkon leje, që të mos punosh…”?! Roja u largua duke e sharë.
Poemat nderojnë viktimat e Buchenwald-it, Majdanek-ut dhe të Dachau-t, viktimat e revolucionit hungarez, disa luftëtarë trima të historisë së Shqipërisë, vëllezërit e tij nga Kosova. Midis poezive kushtuar burgut të tij, ajo e titulluar Neli, me emrin e shokut të burgut, është prekëse. Arshi Pipa i kishte bërë ballë tmerrit duke parë qëndrimin e përkushtuar të Nelit, “farë e mirë e një fati të keq. Falë tij, unë pranova jetën dhe munda ta duroj fatin tim”. Ai nderon njëkohësisht të burgosurit që nuk i braktisën kurrë bindjet e tyre edhe në vuajtjet më të këqija dhe përfundon duke thënë se ka mësuar shumë në burg, shumë më tepër se në libra.
Një këngë u kushtohet dëshmorëve të kombit:
Prej qelave ndër pranga
ku presim pushkatimin
o bij t’atdheut ku t’jeni
ju lamë na trashigimin
Prej nesh ju merrni zemër:
s’na trembet syni ne,
s’na dhimset t’rit as jeta
kur vdesim për atdhe
Luftuem për idealet
e thjeshta kombëtare.
Na ramë, por mbasi mbollëm
virtytin e një fare
që jep ndër ju filiza
me gjak e bamë plle.
Shqiponja e përtërime
Me vdekjen tonë ka le.
Profesori më dha edhe një libër poezish të shkruara në gjuhë të ndryshme. Një poemë, e shkruar në fund të jetës së tij, dëshmon për ndjeshmërinë e tij të madhe, trishtimin dhe miqësinë e tij të thellë:
Femër e përjetshme
Madonë – Kordeli – Eloizë
Të ndoqa gjatë gjithë jetës sime
Të gjeta dy hapa larg
Hendekut të ditëve të mia.
Ti, që zëri i kadifenjtë
Ma grisi mbështjellën e qenies rastësore.
Ti, tek e cila veç i ligu ka dashur të besojë
Sibilë, druide,
Beatriçe e purgatorit tim.
Më shpëto nga vetvetja,
Natë e errët e shpirtit
Ku vetëm shkëlqen
Fije flake, e zezë,
Prehja e dhënë dëshpërimit.
Guxova ta pyesja profesorin për biografinë e tij, por, për t’ia kursyer kujtimet e dhimbshme, nuk e pyeta për vitet e kaluara në burg dhe në kampet e punës. Vështroja fytyrën e profesorit, që dëshmonte për vuajtjet që kishte kaluar. Kishte lëkurë të zbehtë, madje të bardhëlleme. Shikimin e kishte të fortë dhe të thellë. Ishte mjaft i ndjeshëm dhe nga sytë i rridhnin shpejt lotët pas emocionit më të vogël. Vura re se ishte njeri shumë i butë dhe i respektueshëm. Kurrë nuk e ngrinte zërin. Për të, veprimtaritë e shpirtit, ishin shpëtimi i tij. Kishte gjallëri të madhe intelektuale. Misioni i tij kushtuar zhvillimit të kulturës shqiptare e kishte shpëtuar nga dëshpërimi.
Admiroja forcën morale të profesor Pipës, fuqinë e qëndresës, zjarrin intelektual dhe finesën e shpirtit të tij. Më kishte rrëfyer, se ndihej thellësisht evropian, edhe pse jetonte në SHBA-ës. E donte shumë Korsikën, me peizazhet e mrekullueshme që ngjanin me ato të vendlindjes së tij dhe, sidomos, veçoritë dhe zakonet e afërta me ato të shqiptarëve. Fliste shpesh për Prosper Mérimée, që kishte shprehur në shkrimet e tij interesin për shqiptarët.
Erudicioni i Arshi Pipës ishte i pamat. Pyesja veten si e kishte fituar. Kishte kryer studimet për latinisht dhe greqishte të vjetër në kolegjin jezuit Shën Françesku të Shkodrës që priste të krishterë dhe myslimanë, pastaj kishte ndjekur gjimnazin shtetëror të Shkodrës. Më 1944, në moshën 24 vjeçare, kishte themeluar një revistë të titulluar Kritika. Kjo ishte para vendosjes së komunizmit që kishte gjymtuar gjithë sektorin e kulturës.
Gjatë diskutimeve tona mësova shumë mbi historinë dhe kulturën shqiptare. Duke e dëgjuar të fliste profesor Pipën, po konfirmohej ideja ime se shkencat humane të japin një kulturë mjaft të gjerë, aftësi të mëdha intelektuale dhe një finesë të bukur analize; ndoshta edhe filozofia që kishte studiuar në Itali kishte dhënë edhe ajo ndihmesën e saj. Nëse Shqipëria nuk do të kishte rënë në kurthin e komunizmit, ai do të kishte qenë një figurë e madhe intelektuale e nivelit ndërkombëtar. /Memorie.al
(Përktheu Tomi Nakuçi)
Marrë nga exlibris.al
Vijon numrin e ardhshëm