Prof. Dr. Vebi Xhemaili
Pjesa e dytë
Memorie.al / Prania jugosllave në Shqipëri, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, filloi të rritej, duke dhënë ndihmë ushtarake dhe ekonomike. Në cilësinë e ekspertëve, të dërguarit jugosllavë u vendosën në institucionet e Shtetit Shqiptar. Megjithatë, marrëdhëniet gjatë vitit 1945, u përqendruan kryesisht në fushën politike e diplomatike dhe më pak në atë ekonomike. Gjatë këtij viti, u nënshkrua vetëm një marrëveshje e përkohshme për shkëmbimin e mallrave. Por Jugosllavia me urdhrin e Titos i dërgoi Shqipërisë një ndihmë të madhe në materiale për ndërtimin e vendit dhe drithëra; grurë dhe misër. Shqipëria gjithnjë e më shumë po i nënshtrohej vullnetit të jugosllavëve, veçmas të Titos.
Përpjekja për krijimin e kultit të Titos dhe partizanëve serbë në Shqipëri
Sa më më parë të shtrohet kjo çështje, aq më parë do të binden të gjithë ata që e kanë gabuar rrugën dhe e kanë udhëhequr gabimisht këtë popull me ideologjinë e kuqe. Pasi edhe Tito edhe Stalini, kurrë nuk kanë qenë të sinqert ndaj shqiptarëve dhe aspiratave të tyre për bashkim kombëtar. Prandaj nuk mund të qëndroj më thënia e Enver Hoxhës, për Titon: “I madh dhe i vogël e njeh Titon në Shqipëri…”?! (Titoja u bë i njohur në Shqipëri vetëm pas luftës, kur shtypi zyrtar çdo ditë ishte mbushur me lajme dhe artikuj për Jugosllavinë, për vëllazërimin me popujt jugosllavë e për Titon, kur e Enver Hoxha, e udhëheqës të tjerë, në çdo fjalim të tyre ngrinin në qiell emrin e Titos e të Jugosllavisë, duke i detyruar njerëzit, të brohorisnin për Titon e për vëllazërimin e bashkimin shqiptaro-jugosllav, kur nëpër rrugë e sheshe të qyteteve e fshatrave, si edhe në çdo zyrë, ndodheshin portretet e Titos e të Enver Hoxhës, së bashku…! V.Xh.).
“Tito, përfaqëson popujt heroikë të Jugosllavisë, i madh e i vogël e do Titon në Shqipëri, pse ai përfaqëson luftën e lavdishme e të popujve vëllezër jugosllav, pse ai ka qenë zemra dhe koka e saj, pse ai mësoi, i edukoi popujt e Jugosllavisë të rrojnë të bashkuar dhe të vëllazëruar me njëri-tjetrin, pse ai i bëri luftëtarë të lirisë dhe të demokracisë, se ai i mësoi të duan popujt e tjerë si veten e tyre dhe në radhë të parë, popullin e vogël shqiptar, të cilin e ndihmuan dhe e përkrahën si në kohën e Luftës, ashtu dhe tash në kohen e paqes…”, deklaronte Enver Hoxha! Enver Hoxha në të gjitha këto lëvdata për Titon, fare nuk përmend shtetrrethimin në Kosovë, bashkëngjitjen e saj me Serbinë në vitin 1945, as dhe largimin e shqiptarëve me dhunë dhe vendosjen e tyre në pjesët lindore të Maqedonisë.
“Tito dhe Jugosllavia e re, vepra e pavdekshme e mareshalit Tito ishte për ne pasqyra dhe shembulli më i afërt, i gjenialitetit të këtij njeriu të madh të popujve të Jugosllavisë, ishte dhe një mbështetje dhe ndihmë e çmueshme. Masat e gjera të popullit tonë, nuk e shihnin dhe nuk mund ta kuptonin independencën, lirinë, përparimin, rindërtimin e vendit të tyre, të shkëputur nga ajo e Jugosllavisë. Një popull i vogël, si i yni, nuk mund të rrojë dhe të ndërtojë një jetë të lumtur pa miqësi dhe përkrahjen e popujve të Jugosllavisë. (Këtu shihet qartë se sovraniteti i popullit shqiptar dhe shtetit, tani më ishte në duar të jugosllavëve në krye me Titon. V. XH.)
“Me anën e popullit shqiptar, që në ditën e parë të çlirimit, Mareshali Tito u ndodh përkrah dhe ndihmoi popullin tonë me gjithë zemër, me të gjitha forcat e tij. Ai njohu qeverinë demokratike të Shqipërisë, ai dërgoi ambasadorin e vet, i pari në Tiranë, ai e ndihmoi me shpejtësi popullin tonë, që në ditët e para të çlirimit. Titoja e dinte sa vuajtje kishte në vendin e tij, por ai e ndau kafshatën e gojës së popullit të tij, me popullin e vogël shqiptar. Titos i dhimbej populli ynë…”, deklaronte Enver Hoxha. (Po ta dëgjojnë këtë farsë të Enver Hoxhës, sa e sa nëna la pa djemtë e tyre, ky satrap (Tito), ku numri është disa dhjetëra mijë të vrarë, ku sot e kësaj dite nuk u dihet varri, nga nga Kosova, Dibra e Struga, deri në Preshevë, gjatë rrugës për në Srem, Tivar e Goli Otok…, pas luftës, me mijëra ka pastruar OZN-a e Titos, e themeluar në Kumanovë, me direktivat e Tempos, vetëm për të zhdukur shqiptarët, që kërkonin bashkimin e kombit.
Vetë Tito ka deklaruar, kur e vizitoi Shkupin, në vitin 1946: “Unë mendova se jam në Shqipëri e jo në Maqedoni”. Ky sinjalizim i Titos, për qarqet shovene-maqedonase, ishte dritë e gjelbër. Ata ditën ta shfrytëzojnë në mënyrë perfide. Prandaj Shkupi sot figuron në aspektin nacional, 30 % me 70 % për ata, që erdhën në këto troje si vandalë. Tito atyre u dha shtet, ndërsa shqiptarëve, ua bëri më zi se Nokolla Pashiqi dhe Kral Aleksandri. Prandaj nuk jemi dakord me Enver Hoxhën, as edhe në varr, se Tito, e paska dashur aq shumë popullin shqiptar. -V.Xh).
“Emri i Titos dhe i popujve të Jugosllavisë janë të lidhur ngushtë me mbrojtjen e lirisë dhe të independencës së vendit tonë të kërcënuar nga neofashistët grekë dhe përkrahësit e tyre. Qeveritë angleze dhe amerikane, e kanë shikuar me sy të keq që në ditët e para, ngritjen e demokracisë së re. Në Shqipëri, edhe janë përpjekur me çdo mënyrë, ta pengojnë popullin tonë në rrugën e drejtë, që kish caktuar dhe ku ai ecën me vendosmërinë më të madhe. Kudo, ku ishte për të mbrojtur interesat e popullit tonë, shokët e Titos kanë luftuar me vendosmërinë më të madhe për popullin tonë. Kardeli dhe Mosha Pijade, me rekuizitorët e tyre, demaskuan çdo orvatje të monarko-fashistëve grekë dhe përkrahësve të tyre”, deklaronte Enver Hoxha.
Por e vërteta është krejt tjetër-fare: Jugosllavët nuk donin ta ndanin Shqipërisë me asnjë shtet, pasi ata tanimë, e kishin Shqipërinë dhe Qeverinë e saj, pasi për këtë, ishte pajtuar edhe vetë Enver Hoxha, me vizitën që i bëri Titos në Bled.
Enver Hoxha eliminoi të gjithë ata që ishin kundër bashkimit me Jugosllavinë
“Shqipëria është aleatja jonë, -tha Mosha Pijade në Konferencën e Parisit, – dhe ne jemi të vendosur, t’i mbajmë detyrimet që i kemi karshi aleates sonë, deri në fund”. Kështu e kupton Titoja aleancën me popullin shqiptar dhe populli shqiptar këtij miku të madh të tij i përgjigjet, po në atë mënyrë: “Miqësia dhe aleanca jonë, mbrohet dhe me sakrificën e fundit dhe me këtë mënyrë, ne jo vetëm që mbrojmë interesat dhe ekzistencën e vendeve tona, por mbrojmë njëkohësisht, paqen në Ballkan dhe në botë.
Aleanca jonë me Jugosllavinë, nuk u përngjet aleancave të zakonshme që firmosen prej diplomatëve dhe shlyhen sipas interesave të atyre njerëzve, ose klikave që shtypin popujt, por aleanca jonë, është shprehja më e gjallë e aspiratave të dy popujve tanë, të cilët luftuan së bashku, punuan së bashku për të arritur në këtë rrugë”, deklaronte Enveri. Enver Hoxha edhe këtu nuk është i sinqertë, pasi ai deri në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste Shqiptare në vitin 1948, ata shqiptarë që iu kundërvunë marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, Enver Hoxha i eliminoi nga skena politike, siç ishte rasti me Nako Spiron dhe të shoqen.
“Ashtu sikundër marrëveshja e bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke që ekziston në mes dy vendeve tona, është një garanci për independencën dhe lirinë e vendit tonë, marrëveshjet ekonomike që ekzistojnë në mes nesh, e kompletojnë këtë aleancë dhe e bëjnë të pa thyeshme. Zhdukja e barrierave doganore, unifikimi i planeve të shteteve tona dhe ndihma konkrete që qeveria jugosllave po i jep vendit tonë, për të u mëkëmbur, për t’u rindërtuar, janë bazat e shëndosha dhe siguria e një jete më të mire, për vendin tonë. Ata që s’ia duan të mirën e popullit tonë, shpifin gjëra të paqena dhe vjellin vrer duke thënë se; Shqipëria e humbi independencën dhe pavarësinë e saj, duke u lidhur kaq ngushtë, me popujt e Jugosllavisë”, deklaronte Enveri.
Enver Hoxha nga dëshira e madhe për pushtet, si duket nuk ishte në gjendje që ta pranojë këtë të vërtetë, edhe pse ajo ishte shumë e hidhur. Kjo u pa me rastin e Korfuzit, kur jugosllavët ngritën barrikada minash në ujërat detare të Shqipërisë, në Korfuz, ku Flota Luftarake angleze, pësoi humbje të mëdha në njerëz, ku u vranë mbi 44 marinarë. Diplomacia shqiptare përjetoi në gjendje tejet kritike, ndërsa jugosllavët, për qëllime të tyre strategjike në Ballkan, kërkonin që Shqipëria të sulmonte flotën angleze. V.Xh). Kjo situatë u rëndua edhe më shumë, me rastin shpërthimit të dy anijeve luftarake të Anglisë, në gjirin e Korfuzit, më 22 tetor 1946. Në këtë incident të eksplodimit të minave nëndetësore, mbetën të vrarë një oficer, e 43 marinarë anglezë, kurse 3 oficerë e 39 marinarë të tjerë, u plagosën.
Kreu i komunistëve shqiptarë, u dorëzua tërësisht para Titos
Ndërsa Enver Hoxha këtë periudhë të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, deri në vitin 1948, do të deklaroj: “Jo, Shqipëria përkundrazi, e siguroi dhe e forcoi independencën dhe pavarësinë e saj, duke u lidhur ngushtë me Jugosllavinë e re, në bashkëpunimin e ngushtë dhe në vëllazërimin kaq të sinqertë, në mes dy popujve paqedashës, përparimtar dhe fqinj, në mes dy popujsh, që kanë marrë fuqinë në duart e veta dhe kanë vendosur në vendet e tyre, demokracinë më të shëndosh dhe më përparimtare, atje gjendet kuptimi më i lartë i respektit të të drejtave të njëri-tjetrit, atje merr kuptimin e vërtet respekti i independencës, i lirisë dhe i sovranitetit të popujve.
Dora që i është nderuar kaq sinqerisht popullit shqiptar, është dora e Titos, hero i popujve të Jugosllavisë, ndërtues i madh i Jugosllavisë së re. Këtë e di dhe e çmon populli ynë dhe brohorit me gjithë zemër për Titon. Kam dëgjuar të rrahurat e zemrës të popullit shqiptar për Titon, kam dëgjuar gjithashtu ato të popujve të Jugosllavisë, për udhëheqësin e tyre të madh, me rastin e udhëtimit tim në Jugosllavi dhe mund të them se ato shkojnë paralel. Me rastin e udhëtimit tim në Beograd, në qershor 1946, Titoja më priti si shok lufte, si vëlla, ai më foli me zjarr dhe me dashuri, për popullin tim. Shprehjet e tij për popullin shqiptar, ishin të njëllojta me ato të qindra mijë njerëzish të popullit Jugosllav, që më prisnin në çdo stacion, ku kaloja me rastin e udhëtimit tim në Jugosllavi, ishin të njëllojta me ndjenjat e mëmave të dëshmorëve jugosllav, që më ndalonin dhe më flisnin për vendin tim, me atë kujdes, me atë dhembshuri, sikundër që flisnin për vendin e tyre.
E ardhmja e popujve tanë është e siguruar dhe do ta ndërtojmë me mundim dhe me djersën tonë dhe kjo është e sigurt, pse ekzistojnë të tilla marrëdhënie në mes popujve tanë. Të dy popujt tanë, po ecin në rrugën që ata i kanë caktuar vetes dhe që është rruga e bashkëpunimit, sa më të ngushtë dhe s’ka forcë që ta pengojë, një zhvillim të tillë, shpëtimtar për vendet tona dhe paqësor për të gjithë botën. Populli shqiptar, nuk është një popull prej origjine sllave, por një studim serioz i historisë së tij, tregon në mënyrë të padiskutueshme, se afinitete e mëdha e lidhin me sllavët e jugut.
Pozita gjeografike dhe ekonomike, natyra e vendit tonë, me traditat dhe zakonet e veta, shpirti liridashës dhe përparimtar, bujaria, karakteri luftarak dhe burrërorë i popullit shqiptar, janë aq të ngjashëm me të popujve jugosllav, sa që shpjegojnë qartë prirjet e popullit tonë, për një vëllazërim dhe bashkëpunim sa më të ngushtë me jugosllavët. Kundër këtyre prirjeve të natyrshme të të dy popujve, punuan me zellin më të madh shovinistët e të dy vendeve tona dhe imperialistët shtypës dhe skllavërues”, theksonte Enver Hoxha, lidhur me vizitën e parë të tij në Jugosllavi, në vitin 1946.
Enver Hoxha, kërkesat e nacionalizmës shqiptarëve për liri e barazi në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare i trajton si shoviniste. Më 5 tetor 1947, Enver Hoxha në Gjirokastër, do të deklarojë: “Mendoni shokë dhe shoqe, çfarë fati do ta gjente popullin shqiptar të vogël, pa Jugosllavinë demokratike dhe mike! Populli i vogël shqiptar, nuk do të kishte lirin që ka sot, por do të pësonte ditët e zeza dhe fatin e errët. Kështu duhet çmuar miqësia, vëllazërimi dhe aleanca, që na lidhin me Jugosllavinë e Titos.
A thua do të mundej vendi i ynë i vogël, i varfër, kur të ishte i rrethuar me shtetet, siç është Greqia, të mbrojë frytet e gjakut të derdhur në luftë, për vendosjen e rregullimit të tij të sotshëm demokratik, një ndër më përparimtarët, a do të mundej vendi i ynë të ngrihet në këmbë dhe me nderë e në liri, të ndërtojë jetën e re? Kjo do të ishte shumë e vështirë, do të ishte e pamundshme. Qe, pse është kaq e shenjt për popullin tonë, miqësia e ngushtë me popujt e Jugosllavisë”.
Tito nisi të ushtronte presion, për aneksimin e Shqipërisë
Në atë kohë kishte dalë në paraskenë, plani i Titos për krijimin e Federatës Ballkanike dhe për këtë arsye ai nënshkroi marrëveshje të njëllojtë edhe me Bullgarinë. Krijimi i Federatës që do të përfshinte Jugosllavinë, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë, ishte një prej objektivave kryesore të politikës së jashtme të Jugosllavisë, për periudhën e pasluftës. Por duhet pranuar se në aprovimin kësaj iniciative, ka pasur edhe pëlqimin e Stalinit, pasi ai vetë nuk ka pasur interes, prandaj i ka deklaruar Gjillasit në Moskë, se; “Jugosllavia i ka duart e lira ta gëlltisë Shqipërinë, kur të dojë”.
Enver Hoxha: “Miqësia me popujt e Jugosllavisë është e shenjtë”!
Në fillim të vitit të ardhshëm u zbulua krejtësisht se cilat qenë synimet e vërteta të Titos, në raport me Shqipërinë, pikërisht kur qeveria jugosllave, i propozoi Nako Spirut (i cili ndodhej me mision në Beograd, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve), për nënshkrimin e një marrëveshje të fshehtë për sigurimin dhe mbrojtjen e interesave jugosllave në Shqipëri, në rast ndryshimi të udhëheqjes së PKSH-së. Nako Spiru edhe pse ishte ministër i Ekonomisë, refuzoi të firmos, me rrjedhojë – në përfundim të misionit të tij – marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave bëhen më të ndera, nga sa ishin kur ai arriti në Beograd.
Konsekuencë e dështimit të këtij misioni, ishte ndoshta dhe fakti që Koçi Xoxe, nisi sërishmi të aktivizohet, kundër rivalëve të tij, në udhëheqjen e partisë. Ky e shfrytëzo rastin në kundërshtimin e Nakos, të paraqitur kudër palës jugosllave, në fushën e ekonomisë dhe tregtisë. Ndërsa gjeneral Dali Ndreu, për këto marrëdhënie do të shprehet: “Ne bëjmë politikë që frymëzohet nga Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik, por duhet të bëjmë një politikë nacionale, të adaptuar nevojave dhe konditave të vendit”.
Më 20 maj 1947, qeveria shqiptare bëri të ditur arrestimin, gjykimin dhe dënimin e nëntë anëtarëve (deputetëve) të Kuvendit Popullor, që ishin të njohur për ndjenjat e tyre anti jugosllave, me akuzën e komplotit kundër shtetit. Atë kohë lidhjet me Beogradin, ofruan njëfarë avantazhi ekonomik. Në korrik 1947 Jugosllavia, akordoi një hua në masën 40 milion dollarë, për mbështetjen e drejtimeve ekonomike të atij viti, në rreth 58 % të buxhetit shtetëror shqiptar. Megjithëkëtë, kundërveprimi ndaj ndikimit jugosllav, rritej gjithnjë e më shumë.
Qeveria shqiptare nisi të protestonte, për çmimet që servonin jugosllavët në tregun e produkteve të palëvruara, për metodën me të cilën llogaritej shuma e pjesëmarrjes shqiptare, në operacionet integrale shqiptaro-jugosllave, për refuzimin e tyre, për të përfituar pjesën e parashikuar të kapitalit në këto operacione, si dhe për mos kaparosjen e përçarjes së vetë, për ngritjen e një shoqërie të përbashkët detare, për të marrë në dorë të saj, kontrollin e tregtisë së jashtme të vendit.
Stalini e thirri fshehtas Enver Hoxhën në Moskë
Në verë të vitit 1947, ndërsa Tito ishte i angazhuar me organizimin e Informbyroistë (Zyra e Informacionit të Partive Komuniste), Stalini e thirri fshehtas Hoxhën në Moskë. Aty Hoxha u skandalizua, sapo konstatoi paditurinë e Stalinit, lidhur me Shqipërinë. Kjo mos dijeni, u provua në takimin e Stalinit me Eduart Kardelin – këshilltar i Titos për çështje e politikës së jashtme – që u ekzekutua gati në të njëjtën kohë. Stalini i drejtoi Kardelit disa pyetje, lidhur me prejardhjen e shqiptarëve, duke shtuar se; “… paraqiten ndoshta njerëz prapanik dhe primitivë”!
Atëherë ambasadori jugosllav iu përgjigj: “Ndërkaq janë shumë trima dhe të besës”! – d.m.th., në një farë mënyre, mbështeti mendimin e Stalinit për shqiptarët, pasi ky plotësoi: “Po, mund të jenë të besës, si qentë, por dhe kjo është karakteristikë e primitivizmit”. Pas kësaj vizite, që kaloi përgjithësisht si pa u bërë zhurmë, Shqipëria nënshkroi – natyrisht me miratimin e Stalinit – Traktatin e Miqësisë dhe të bashkëpunimit me Bullgarinë. Ky traktat ishte një shenjë pavarësie prej Jugosllavisë.
Ndërkohë, kur nisi të funksiononte Kominformi, në tetor 1947, Shqipëria ishte vendi i vetëm i Bllokut Komunist, që nuk u thirr të merrte pjesë, ndoshta ngaqë konsiderohej se do të mbështeste qind-përqind Jugosllavinë, në çfarëdolloj mosmarrëveshje që do të rezultonte, pasi dhe vetë Stalini, i parashikonte serioze problemet që kishte me Titon. Marrëdhëniet sovjeto-jugosllave, keqësoheshin për shkak të planeve të Titos dhe të udhëheqësit bullgar Gjergj Dimitrov, për të formuar Federatën Ballkanike, për te cilën ishte në kundërshtim Stalini.
Bashkimi Sovjetik me Stalinin, qenë revoltuar për adoptimin demonstrativ të politikës së jashtme të pavarur të të dy satelitëve të saj dhe kryesisht për faktin se; nuk ishte kërkuar paraprakisht mendimi i Stalinit. Aty nga fundi i vitit edhe më shumë po acaroheshin mosmarrëveshjet midis Moskës e Beogradit, Tito, nisi të ushtronte presion për aneksimin e Shqipërisë. Dy divizione ushtarake dhe një krah i aviacionit luftarak, u përgatitën me shpejtësi, që të invadojnë këtë vend, pa miratim të Stalinit, me pretekstin se rrezikohej nga “imperialistët” që strehoheshin në Greqi.
Kjo frikë nuk ishte fare pa bazë, pasi qeveria e djathtë greke, nën mbështetjen e SHBA-ës, kishte përforcuar pretendimet e saj të vjetra mbi Shqipërinë Jugore. Përpjekja për nënshtrimin e Shqipërisë, ishte kontradiktore me predikimet komuniste të Jugosllavisë; “për bashkimin vullnetarë të të dy vendeve dhe të vetëvendosjes së popujve”. Situatat ishin tepër të ndërlikuara: Kombet e Bashkuara, kishin nisur të akuzojnë Jugosllavinë, për ndërhyrje në luftën civile greke dhe përsa kohë ajo vazhdonte, ekzistonte realisht frika e invadimit eventual të Shqipërisë, nga ushtria e regjimit të Athinës, me mbështetjen e Perëndimit. Për këtë, divizionet jugosllave edhe pse përfundimisht nuk zbarkuan në Shqipëri, qëndruan të gatshëm në kufij të saj.
Gjatë atij viti, (1947) antagonizmat e fraksioneve të ndryshme të udhëheqjes shqiptare, nisën të bëheshin më komplikative e më të mprehta, për shkak të implikimit të saj në polemikën mes Bashkimit Sovjetik e Jugosllavisë. Aty nga fundi i vitit 1947-të, Koci Xoxe dhe bashkëpunëtorët e tij, nën instruktimin e jugosllavëve, nisën të intensifikojnë dominimin e tyre. Shumë prej anëtarëve të udhëheqjes, veçanërisht intelektuali Nako Spiru, i kundërshtuan këto plane jugosllave. Në nëntor, Spiru, duke ditur se do të kryhej përjashtimi i tij, nën akuzën e “shovinistit”, vrau veten. Sipas botimit zyrtar shqiptar “vdekja e tij, i detyrohej aksidentit fatal, gjatë pastrimit të pistoletës”!
Më propabile është, se ai nuk mundi t’u rezistonte edhe më sulmeve të pashkëputura kritike të Xoxes dhe të jugosllavëve. Vetëvrasja e Spirut, çoi në kulmosjen e përplasjeve ndërmjet Titos e Stalinit. Në janar 1948, Stalini e përdori qëndrimin e Titos ndaj Shqipërisë dhe vetëvrasjen e Spirut, si pretekst për të thirrur një përfaqësi jugosllave – në të cilën bënte pjesë dhe Millan Gjillasi. në Moskë, me qëllim të diskutohej acarimi i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave dhe mosmarrëveshjet për planin e pakontestueshëm të Federatës Ballkanike të Titos. Memorie.al