Nga Skifter Këlliçi, Boston, SHBA
Memorie.al / Në një nga mediat online (portal) më të njohura shqiptare, që publikohet në Diasporën Shqiptare, këto ditë, ndër të tjera, lexova një korrespondencë të shkurtër, që më tërhoqi vëmendjen, por nuk më habiti. Në këtë korrespondencë, shkruhej se; tenori ynë i mirënjohur, Xhoni Athanas, që ka ndërruar jetë më 2019 në Boston, në moshën 94-vjeçare, ka ende vetëm titullin “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i madh”, për tërë atë veprimtari të pasur artistike që ka pasur, gjatë jetës së tij! Jo vetëm kaq, por emri i tij nuk figuron as edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, fakt për të cilin kam botuar në mediat tona një shkrim të gjatë, sepse në këtë vepër madhore, botim i Akademisë së Shkencave, mungojnë edhe shumë emra personalitetesh të shquara dhe institucionesh, edhe në fusha të tjera.
Në lajm vihej në dukje se Xhoni Athanas, meriton titullin “Nderi i Kombit”, (pas vdekjes). Por të njihemi me veprimtarinë kaq të pasur të Xhoni Athanasit duke u mbështetur në librin e publicistit të njohur, Anxhelo Xhaçka, “Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti”, botuar disa vite më parë, veprimtari që do t’i bindë lexuesit që artisti ynë i madh, e meriton titullin “Nderi i Kombit”
Në mbrëmjen e 17 janarit të vitit 2008, më ndodhi një e papritur e këndshme.
Në restorantin shqiptar “Alba”, në North Kuinci, (North Quincy), qytet pranë Bostonit, ku jetoj prej 24 vjetësh, po kremtoja 70-vjetorin e lindjes së bashku më gruan time, Natashën, edhe ajo si unë ish-gazetare në RTVSH, dhe djalin Maldi, që pas disa muajsh, do të përfundonte studimet në Kolegjin “Berkli”, në Boston, një nga shkollat e larta më të njohura muzikore të botës.
Ndër më të afërmit e mi, ishte Xhoni Athanasi, së bashku me të shoqen, Sekinen, ish-kërcimtare e njohur në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Së bashku me të, kisha ftuar edhe Anxhelo Xhaçkën, edhe ai i njohur në vitet ‘80-’90-të, si gazetar dhe poet. Pasi u përshëndetëm, Anxheloja më zgjati një libër, mbulesën e të cilit lexuesit mund ta kundrojnë në mes të këtij shkrimi, me titull “Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti”, të shkruar prej tij. Së pari duhet të vë në dukje se Xhonin, si çdo shqiptar, e kisha njohur që më 1950, kur isha jo më shumë se 12 vjeç dhe ku ai kishte ardhur nga Korça, pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore.
Pastaj, me kalimin e viteve, kisha pasur rastin të takohesha dhe të njihesha me të si gazetar. Por miqësia jonë, u forcua më shumë, gjatë takimeve në mbrëmjet shqiptare në restorantin “Pjer For”, të atdhetarit të njohur shqiptaro-amerikan, Antoni Athanas, në Boston. Që atëherë, në biseda të këndshme, ku Xhoni, veç ngjarjeve nga jeta e tij e vrullshme artistike, rrëfente edhe barsoleta që të shkulin së qeshuri. Pasioni i gazetarit dhe shkrimtarit më kishte ngacmuar që të skicoja një libër jetëshkrimor, që do t’a kushtoja Xhonit dhe gruas së tij, Sekines. Por ja që Anxheloja, tashmë ma kishte “djegur” këtë dëshirë.
Kaluam kështu, herë duke iu kthyer Xhonit dhe herë Anxhelos dhe, natyrisht edhe miqve të ftuar, një mbrëmje shumë të bukur, ku Xhoni nuk mungoi që të më rikujtonte, episode të tjera nga jeta e tij, që nis që nga Broktoni, qytet pranë Bostonit, në Masaçjusets, ku lindi më 1925, ku babai i tij, kishte shkuar si mërgimtar, rikthimin në në Korçë, vitet e fëmijërisë, duke bredhur lëndinave të fshatit e, duke kënduar këngët; “Te plepi i Bilishtit”, ”Tatëpjetë bregut vinje”, ”O moj korçare…”, e plot këngë të tjera. Pastaj, kur babai vinte gramafonin, nga disqet e të cilit si me magji për këtë vogëlush, shpërthenin tingujt e këngëve amerikane, por edhe të pjesëve operistike; “La donna e’ mobile” e Verdit, nga Turandot e Puçinit që më pas zuri t’i këndonte dhe Xhoni, sa e motra i përsëriste; “Ti, vëlla, do të bëhesh këngëtar…”!
Të nesërmen, më t’u kthyer nga puna, lashë mënjanë çdo gjë dhe zura të lexoja librin; “Xhoni Athanas, njeriu, artisti”. Në përvojën time 50-vjeçare në fushën e letrave, kam lexuar jo pak libra të natyrës muzikore, që më kanë ndihmuar për të përgatitur emisionin radiofonik; “Novela muzikore”, një pjesë të të cilave, i kam ripunuar dhe i kam botuar më 1970, në vëllimin me tregime; “Zërat e jetës” dhe dy vjet më pas, “Mbi mjegullat e kohëve”. Por e them çiltërisht, se; libri jetëshkrimor “Xhoni Athanas”, shkruar nga Anxhelo Xhaçka, qëndron denjësisht midis librave të tillë.
Në verë të viti 2005, Anxhelo Xhaçka, më kishte bërë një të papritur tjetër, kur më kishte dërguar një vëllimth poetik me titull; “Sinqerisht”, shkruar prej tij.
Po me këtë shpirt poetic, është shkruar ky libër, në të cilin pleksen faqe proze poetike, romani, me nota dramatike dhe në të njëjtën kohë dhe humoristike, sepse edhe me copëza të tilla, është e mbushur jeta e Xhonit, kur mendon se për më shumë se gjysmë shekulli, ai ka qenë pranë këngëtarëve të tillë, si; Avni Mula dhe Ibrahim Tukiçi, një trio vokale, që bënte për vete tërë ata që ndiqnin këngët e tyre kudo që i këndonin.
Dhe me gërshetime të tilla është ndërtuar i tërë libri i Anxhelo Xha$kës, ku natyrisht fokusi i tij përqendrohet në rrugën artistike që ndoqi Xhoni për t’u bërë këngëtar dhe bashkë me të edhe me Avniu dhe Ibrahimin e të tjerë, që u bënë të njohur edhe në Bashkimin Sovjetik e pastaj në vende të tjera të botës.
“Pa nisur ende afshi i nxehtë i verës së vitit 1955, – shkruan autori,- dy studentët e konservatorit “Çajkovski”, Xhoni Athanas dhe Avni Mula, u lajmëruan të paraqiten në ambasadën shqiptare të Moskës: Jeni të ftuar të merrni pjesë në Ansamblin e Ushtrisë Popullore, i cili nën drejtimin e Gaqo Avrazit, do të zhvillojë një turne të gjatë në Kinë, Mongoli, Vietnam, Kore…”!
Kështu, siç përshkruhet në libër, zë fill rrugëtimi i Xhonit, në sa e sa grupe artistike, që do ta shpien atë nga Azia në vende të tjera të Evropës, në vendet baltike, Rumani, deri në republikat më të largëta të ish-Bashkimit Sovjetik, Kirgizi, Uzbekistan, Taxhikistan dhe Turkmeni, përsëri Kinë, për më shumë se 30 vjet, me një repertor të pasur, që nga këngët popullore, nga të cilat popullore kudo u bë “Lule borë” e Simon Xhonit, deri te ariet nga opera të famshme klasike dhe të autorëve tanë.
Megjithatë, viti 1955, do të shënonte për Xhonin një vit të paharruar: njohjen me kërcimtaren Sekine Sharofi, e cila, si bashkëshorte e ardhshme e tij, u bë dhe një personazh i rëndësishëm edhe në jetën artistike. Gatë takimeve me Xhonin dhe Sekinen, më ka rastisur të bisedoj edhe për ngjarje që lënë gjurmë, në një nga të cilat ndalet edhe Anxhelo Xhaçka.
“…Në se dëshiron, mund të vish edhe me ne në Amerikë”.
-“Oh, falemnderit, kjo është e tepërt”, – ia ktheu Xhoni.
-“Jo, djalosh. Asgjë nuk është e tepërt në këtë botë. Me zërin tënd, ti mund të kesh një karrierë të shkëlqyer…! Mos e humb këtë shans. Ne këtu jemi këto ditë”!, (faqe 56).
Ç’kishte ndodhur? Ishte viti 1956 dhe Xhoni pati rast të bisedonte me një nga pjesëtarët e një grupi të famshëm artistik amerikan, që shfaqi në Moskë operën e kompozitorit të njohur, Xhorxh Gershuin; “Porgi dhe Besi”. Një nga pjesëtarët e këtij grupi, që me disa shokë kishte dëgjuar Xhonin gjatë një koncerti, i bëri propozimin e mësipërm. Por Xhoni nuk pranoi. “Ai mezi po priste të kthehej në Shqipëri. Tenorin dramatik e kishte këputur malli për vendin e vogël buzë Adriatikut. (Po aty).
Xhoni solli në Shqipëri edhe jehonën e një suksesi të madh, të arritur në konkursin e kantos, organizuar në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, më 1957, ku morën pjesë 130 këngëtarë të rinj, solistë të skenave operistike nga shumë vende të botës. Atje ai zuri vendin e dytë, i vlerësuar me entuziazëm nga Tito Skipa, tenori i madh italian, me origjinë arbëreshe, që, duke e përqafuar, i dhuroi medaljen e argjendtë.
Xhoni u shqua në këtë këtë konkurs, veç të tjerash, edhe me interpretimin e aries së Otellos, nga opera me të njëjtin titull, e Xhuzepe Verdit, (faqe 58 e librit). Por që nga viti 1957, kur ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik dhe deri më 1969, ashtu siç përshkruhet në librin e Anxhelo Xhaçkës, Xhoni e kishte pasuruar repertorin e tij edhe me pjesë nga opera të njohura klasike dhe shqiptare.
Po përmend disa prej tyre: Doda, nga opera “Mrika”, e kompozitorit Preng Jakova, Sazani, nga opera “Pranvera”, e kompozitorit Tish Daija, për të kaluar në role nga opera klasike “Principali, (“Nusja e shitur e Smetanës)”, Turidu, (opera “Kavaleria Rustikana” e Maskanjit), Kanio, (opera “Paliacot e Leon Kavalos). Pastaj kthehet në një rol të rëndësishëm, në operën “Lulja e kujtimit” e kompozitorit Kristo Kono, të Lenskit, në operën “Evgjeni Onjegin” të Çajkovskit, si dhe role të tjera të rëndësishme në operat “Karmen”, të Bizesë, “Rigoleto”,”Trovatore” të Verdit, etj.
Dhe midis këtyre veprave të njohura, operistike, pa pritur si larmi flladitëse vjen opereta “Princesha e Çardashit”, e kompozitorit hungarez Kalman. Në këtë operetë Xhoni dhe kolegu e shoku i tij, Avni Mula, plotësojnë njeri-tjetrin, por këtë radhë, jo në jetë me hedhje-pritjet e tyre që na bënin të shkriheshim gazit, por në skenë, ku siç më kujtohet edhe mua, patën sukses të plotë edhe me mizanskenat e krijuara prej tyre dhe regjisori i njohur, Mihal Luarasi, si dhe me dialogët, të ndërthur mjeshtërisht me partet muzikore.
Xhoni u shqua pastaj edhe në rolin e Azizit në operetën “Brigada e grave”, të kompozitorit Llazar Morcka, të Viktorit, në operetën tjetër të Agim Prodanit…dhe në role nga opera të tjera, si “Borana”, të Avni Mulës dhe ”Zgjimi” të Tonin Arapit.
“…Ishte koha, – shkruan autori i librit, – kur në mbarë vendin kishin filluar përgatitjet për kremtimin e 500- vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Dhe Xhoni i kushtoi shumë rëndësi rolit të Skëndërbeut, nga më të realizuarit në historinë e TOB-it. Ai përmbushte disa cilësi të rralla, me zërin dramatik që kërkonte kjo opera e vështirë e Preng Jakovës, si dhe interpretimin teatror, që ia kërkonte regjisori Pirro Mani dhe paraqitjen e jashtme fizike”.
“…Në 1984, unë me një grup shokësh bëmë një vizitë në Krujë dhe u ndalëm edhe më në Muzeun Historik. U takuam atje me krutanë të moshave të ndryshme. “Kemi lexuar Skëndërbeun, por përshtypja që na ka lënë Xhoni Athanas në rolin e Skënderbeut në këtë opera, ishte për ne e jashtëzakonshme. Por jo vetëm për ne, por edhe për fshatarë që kishin ardhur ta parë atë natë që u dha në muret këtij muzeu”. Këto ishin vlerësimet e këtyre njerëzve të thjeshtë, për Xhonin dhe operën “Skënderbeu”.
Intelektualë rusë që kanë mërguar këtu në Boston më janë shprehur për zërin e Xhonit, me fjalët: “Ai do të kishte qenë edhe në vendin tonë, një nga tenorët më të njohur dramatikë”. Është e vështirë që në faqet një shkrimi, të përmbledhësh tërë jetën artistike të Xhonit, që pastaj u bë pedagog në Institutin e Lartë të Arteve dhe vite më pas, u detyrua të linte atdheun dhe të vendosej Boston, atje ku shumë dekada më parë, qenë vendosur edhe prindërit e tij.
Por të kthehemi te libri i Anxhelo Xhaçkës, kushtuar Xhoni Athanasit, për mua një nga librat me të vërtetë dinjitozë dhe më të mirë të zhanrit jetëshkrimor, trajtuar jo vetëm me vërtetësi historike, profesionale, por edhe me stil tërheqës. Vlerat e këtij libri, shtohen dhe më shumë, kur lexuesi njihet edhe njëherë me vlerësime personalitetesh të artit muzikor shqiptar dhe të huaj, të cilët vënë dukje meritat e Xhonit si tenor dramatik, që ka dhënë aq shumë për njohjen muzikës sonë edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Midis tyre, citoj gazetën e njohur ruse; “Sovjetskaja Kultura”, e cila në një nga numrat e saj të muajit tetor të vitit 1959, shkruante për Xhoni Athanas: “Cilido teatër në botë do të ishte i nderuar të kishte një tenor si Xhoni Athanas”. Brimorov, profesor i njohur i Konservatorit të Sofjes, vlerësonte zërin e Athanasit; “si një zë i rrallë që meriton të çmohet në tërë botën”.
Toti dal Monte, soprano e famshme italiane, pasi dëgjoi Xhoni Athanasin, duke kënduar në një studio të Moskës, u shpreh për zërin e tij, me këto fjalë: “Athanas është një zë i rrallë, që meriton respekt”. Dhe a nuk meriton Xhoni Athanas, të nderohet pas vdekjes, me titullin “Nderi i Kombit”?! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016