Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet edhe arkivi personal i ish-udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, i cili në ditarin e tij politik, që i përket një periudhe të gjatë kohe, duke filluar nga maji i vitit 1967, e deri në dhjetorin e 1983-it, ai ka mbajtur shënime për ngjarjet e Lindjes së Mesme, si; konflikti i gjatë Izrael-Palestinë, luftërat e vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, luftën gjashtë ditore në vitin 1967, ku Izraeli mposhti Egjiptin dhe koalicionin e vendeve arabe, e pushtoi lartësitë Golan, luftën e Yom Kippurit në vitin 1973, ku sërish Izraeli, pasi mposhti koalicionin e vendeve arabe, (Egjipti, Algjeria, Siria, Iraku, Jordania, Jemeni, Libani, Maroku, etj.) pushtoi gadishullin e Sinait, të cilin e dorëzoi në vitin 1979, bllokimin e mbylljen e Kanalit të Suezit, (ku Shqipëria kishte interesa jetike, për shkak të ndihmave që i vinin nga Kina në rrugë detare), e deri luftën civile në Liban, në fillimin e viteve ’80-të, etj. Çfarë shkruante diktatori i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij politik ku ka bërë analiza, dhe cili ishte qëndrimi i Tiranës zyrtare, për konfliktin ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, si dhe shteteve të ndryshme që i mbështesin ata, si; Bashkimi Sovjetik, SHBA-ës, Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës, Republika Federative e Jugosllavisë, etj.?! A ishte i vërtetë informacioni që kishte Enver Hoxha në qershorin e vitit 1967, sipas të cilit, Moska zyrtare, do i ofronte ndihmë Egjiptit, duke sjellë Flotën e saj Ushtarake Detare në Mesdhe, në rast se Tirana zyrtare, do pranonte që anijet sovjetike, të ankoroheshin në portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit etj., apo ajo ishte një paranojë e Hoxhës, gjë e cila bëri që Ushtria Shqiptare, të kalonte në gatishmëri luftarake nr. 1, madje duke mobilizuar edhe forcat rezerviste e ato të çetave vullnetare?! Lidhur me këtë, etj., na njeh ditari politik i ish-udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, i cili do publikohet në disa numra nga Memorie.al
E MËRKURE, 4 NËNTOR 1970
SHQIPËRIA SOCIALISTE I URREN SHANTAZHIERËT
Përfaqësuesi i RAB-it në OKB, në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Arabe të Bashkuar, shkoi i tha përfaqësuesit tonë në këtë Organizatë se; “në rast se ju nuk votoni për “Planin Roxhers”, të cilin e përkrah edhe RAB-i, ne nuk do ta konsiderojmë Shqipërinë një vend mik”. Lajmëruam shokun tonë, që përfaqësuesit të RAB-it t’i thotë: – Shqipëria ka qenë dhe do të votojë kundër “Planit Roxhers”, pse ky është një plan imperialist, në dëm të popujve të botës, në dëm të popujve arabë dhe veçanërisht në dëm të RAB-it.
Ju duhet ta dini, se Republika Popullore e Shqipërisë, nuk ka frikë, ajo i urren shantazhistët e çfarëdollojtë dhe s’ka forcë në botë, që ta pengojë atë, të ecë në rrugën e saj të drejtë dhe sovrane. Pavarësisht se ç’do të mendoni dhe si do të veproni ju, Republika Popullore e Shqipërisë dhe populli shqiptar, ka luftuar dhe do të luftojë me të gjitha forcat kundër imperialistëve amerikanë, sionizmit izraelit dhe revizionistëve sovjetikë dhe do të jetë kurdoherë, mik i ngushtë armësh i popujve arabë dhe veçanërisht i popullit egjiptian. Ju duhet të dini se qëndrimet tona në OKB, i çmonte shumë dhe drejt edhe Gamal Abdel Naseri”.
E MËRKURE, 13 JANAR 1971
TE DENOJME KRIMIN E REAKSIONIT JORDANEZ, KUNDËR POPULLIT PALESTINEZ
Kërkova të përgatitet një projekt-telegram përgjigjeje, Shoqatës së Miqësisë ‘Palestinë-Shqipëri’, për krimet që bëri reaksioni jordanez, mbi fedainjtë palestinezë.
E PREMTE, 22 JANAR 1971
TE SHFAQIM QËNDRIMIN TONE TE DREJTE PA U PRISHUR ME MIQTË EGJIPTIANE
Porosita shokët të lajmërojnë delegatin tonë në Kongresin e Bashkimit Sindikal Panafrikan, që të mos grindet me miqtë egjiptianë, organizatorë të këtij kongresi, të cilët nuk duan që në përshëndetjen tonë, të atakohen revizionistët sovjetikë. Na pëlqen ose nuk na pëlqen qëndrimi i tyre, ne duhet t’i kuptojmë egjiptianët në këtë rast, sovjetikët janë “aleatë” të tyre. Ai të mos përshëndesë fare dhe të mos prishë miqësinë me egjiptianët. Të gjithë e njohin vijën tonë, por ka edhe forma të tjera, për ta shfaqur atë që edhe egjiptianët, të mos kenë kundërshtim.
E DIEL, 21 SHKURT 1971
RIHAPJA E KANALIT TE SUEZIT
Kanali i Suezit, duke u bazuar në zhvillimin e situatës në Lindjen e Mesme, si duket do të hapet. Sigurisht do të bëhen akoma pazarllëqe, tratativa, diskusione në OKB dhe jashtë OKB-së, me Jaringun e pa Jaringun, me Titon dhe pa Titon, etj. Hapja e kanalit të Suezit, do të bëhet pa asnjë dyshim në dëm të Egjiptit dhe në favor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Izraelit.
Egjipti, do të kapitullojë në këtë veprim dhe do të shkojë duke i bërë lëshime të njëpasnjëshme Izraelit, në kuadrin e përfitimeve të imperializmit amerikan, në Lindjen e Mesme. Borgjezia egjiptiane, është e dobët politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Ajo nuk është në gjendje të sulmojë Izraelin dhe të çlirojë tokat e saj të pushtuara, për të mos thënë për t’i ardhur në ndihmë popullit palestinez, që të fitojë të drejtat e tij të ligjshme.
Propagandë dhe llafe bombastike, do të lëshojë vazhdimisht El Sadati, po ai vazhdimisht do të lëshojë, në dëm të sovranitetit të Egjiptit. Sovjetikët i kanë hedhur Egjiptit thonjtë në grykë dhe nëpërmjet tij, përpiqen të forcojnë ndikimin dhe sundimin e tyre në vendet arabe, veçanërisht në Siri, në Libi dhe në Sudan. Në të ashtuquajturën federate, me të katër këto vende, ku Egjipti përpiqet të sundojë, orvatet edhe sovjeti të sundojë nëpërmjet tij. Çështja e “luftës me Izraelin”, është një atu “e mrekullueshme” për sovjetikët, të cilët po e shfrytëzojnë fort këtë kartë.
Armët që i japin Egjiptit dhe që i kontrollojnë mirë, janë vetëm armë mbrojtjeje dhe jo sulmi, kurse Izraeli, jo vetëm ka përgatitje të mirë për luftë, por armët e tij, janë armë ofensive dhe mbrojtjeje dhe ai e luan bukur letrën e kërcënimit për luftë, e bën Egjiptin të kapitullojë dhe sovjetikët të kenë frikë, nga një ballafaqim me armë me amerikanët, ose edhe me Izraelin, se u sjell vështirësi të mëdha politike, ekonomike dhe ushtarake.
Prandaj sovjetikët, janë jo për ngatërresa luftarake në Lindjen e Mesme, po për ujdi, aq u bën atyre, pse këto janë në kurriz të Egjiptit. Sovjetikët, janë artizanët kryesorë të lëshimeve egjiptiane dhe të sakrifikimit të interesave jetikë të popujve arabë dhe, veçanërisht, të popullit palestinez. Ata duan paqe me çdo kusht në Lindjen e Mesme, që të konsolidojnë pozitat e fituara dhe, duke shpëtuar ndërlikimet me amerikanët, të ruajnë dhe të konsolidojnë më tej, aleancën me ta.
Sa për luftën nacionalçlirimtare të palestinezëve, sovjetikët, si çdo luftë çlirimtare, duan absolutisht ta likuidojnë, të çarmatosin partizanët palestinezë dhe t’i dëbojnë këta nga tokat e tjera arabe, t’i futin në Izrael nën zgjedhën e Izraelit dhe atje gjoja, të vazhdojnë luftën partizane, nga brenda. E tillë është teoria e sovjetikëve dhe e egjiptianëve, që sundohen prej tyre. Flet El Sadati, po vullneti është i Brezhnjevit. Sovjetikëve u intereson hapja e Kanalit, për çështje ekonomike, ushtarake dhe politike. Ai do të bëjë në Kanal, ligjin e shoqërisë së Kanalit të Suezit.
Por hapja e Kanalit është zgjatja edhe për shumë kohë nga Izraeli, i fitoreve të tij dhe i konsolidimit të mëtejshëm të këtyre, është zhvillimi dhe zbatimi i pafund i logjeve e i bisedimeve. Çelja e Kanalit u intereson Francës, Italisë, Greqisë, me një fjalë të gjitha vendeve kapitaliste të Evropës; kjo u intereson ekonomikisht, por edhe ushtarakisht, pse kanë shpresë dhe mund të jetë një klauzolë e fshehtë e amerikano-sovjetikëve, që Mesdheu të lehtësohet nga Flota Sovjetike.
Prandaj këto shtete bëjnë presion te Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të hapet kanali i Suezit, gjë që edhe ato e duan shumë. Sigurisht këtyre u intereson që Flota Sovjetike, të shpërndahet në dete e në oqeane dhe të mos përqendrohet një pjesë e mirë e Flotës së Detit të Zi në Mesdhe, rreth brigjeve të Afrikës. Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u intereson që kjo flotë të dalë në Oqeanin Indian dhe në Paqësor, larg bazave të furnizimit dhe të remontit dhe sa më afër Kinës, për ta shqetësuar këtë dhe për ta lehtësuar flotën amerikano-angleze, ta godasë në rast konflikti.
Por, në koniukturat aktuale, qenia e flotës sovjetike në Mesdhe është një kërcënim për anëtarët e NATO-s, veçanërisht për të gjitha ato vende që lag Mesdheu. Pra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përdorin këtë gjendje, si një mjet shantazhi të fortë kundër tyre, për t’i mbajtur të lidhur dhe nën drejtimin e vet. Kështu që, çelja e Kanalit të Suezit, pronë e Egjiptit, është bërë një gur shahu, që ky nuk e lëviz në interesin e vet, por e lëvizin sovjetikët dhe amerikanët, në interesin imediat dhe perspektiv të tyre.
Natyrisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç sa thashë më lart, synojnë, në radhë të parë, të forcojnë pozitat e tyre sunduese në Lindjen e Mesme, të sigurojnë naftën dhe ta kenë rrugën të hapët për t’u zgjeruar në Afrikë. Objektivat e amerikanëve, janë që t’i minojnë seriozisht, në mos t’i eliminojnë plotësisht pozitat e fituara nga sovjetikët në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Prandaj, buzëqeshja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj RAB-it, tash, në zhvillimin e këtyre përpjekjeve dhe, akoma më shumë, më vonë, do të shtohen.
Shtetet e Bashkuara e përdorin Izraelin si kobure, që e shkrepin kur të duan, pa djegur drejtpërdrejt duart dhe Izraeli është ushtruar, është organizuar për luftë, është edukuar me një frymë agresive fashiste të atillë, që nuk mund të rrojë jashtë rregullave të një jete banditeske. Izraeli ka gjetur edhe padronët, edhe partnerët e përshtatshëm. Natyrisht, në këto situata, kur në Lindjen e Mesme sundojnë këto dy superfuqi imperialiste, të cilat kanë hyrë thellë në jetën dhe në drejtimet e vendeve të ndryshme arabe, hëpërhë, është zor që Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe sovjeti, të ndodhen përballë një koalicioni popujsh arabë, që t’u bëjnë ballë dhe t’u prishin planet.
Populli egjiptian dhe gjithë popujt arabë, po tradhtohen paturpësisht nga klikat udhëheqëse në fuqi, të cilat kanë fituar një shkathtësi të veçantë, të tradhtojnë popujt e tyre, të ndërrojnë padronë sikur ndërrojnë këmishë dhe të tregohen “nacionalistë të tërbuar”, por, kur vjen puna ta tregojnë këtë, ky nuk është veçse një kamuflim i agjenturës borgjeze vendëse, që i ka shitur e i shet interesat e atdheut e të popullit, në çdo moment. Popujt arabë, duhet të luftojnë më shumë për lirinë e tyre, që e kanë humbur, që në fakt nuk e kanë, pavarësisht nga aparencat e gënjeshtërta.
Popujt arabë, duhet të organizojnë luftën kundër dhe idoaleatëve sovjetikë dhe atyre që i sollën këta në vendet e tyre dhe u shitën atdheun dhe shpirtin. E tërë kjo luftë e drejtë, që siguron të ardhmen me të vërtetë dhe sovrane për ta, nuk mund të arrihet veçse me armë, duke luftuar kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe gjithë aleatëve të tyre, të hapët e të fshehtë. Fitorja nuk do të vijë pa sakrifica të mëdha dhe pa humbje e disfata të tjera. Po lufta e armatosur dhe disfatat, do të sjellin edhe fitoren e madhe e përfundimtare, fitoren e popullit dhe jo atë të klikave.
Tash klikat, duan të zgjatin jetën e tyre, me kompromise me armiqtë e popujve. Këto klika të brendshme, janë armiq të popujve, janë, pra, aleate të njërit o të tjetrit armik të jashtëm, të popujve. Vetëm lufta e drejtë popullore, nxjerr në shesh kalbëzimin e tyre, ajo sjell në fuqi e në drejtim popullin dhe njerëzit besnikë të tij, lufta krijon organizimin luftarak fitimtar, lufta krijon partinë e vërtetë të komunistëve, partinë marksiste-leniniste, pa të cilën nuk mund të shkohet në fitoren e plotë të revolucionit proletar, të socializmit dhe të popullit. Në këtë rrugë, duhet të ecin dhe do të ecin popujt arabë.
E ENJTE, 13 MAJ 1971
KRIZE NE EGJIPT
Anvar el Sadati, eliminoi Ali Sabrinë, personalitet i rëndësishëm pas tij, me pretekstin e pjesëmarrjes në një komplot, për të marrë fuqinë dhe “për ta vënë popullin egjiptian nën zgjedhë”. Kjo ngjau kur Roxhersi, sekretari amerikan i Shtetit ishte në udhëtim e sipër, për vizitë në shumë shtete të Lindjes së Mesme dhe sidomos në Egjipt e në Izrael. Ishte e qartë se Roxhersi, vinte në Egjipt të gjente fjalën me Izraelin dhe me Sadatin, për një kompromis për zgjidhjen e divergjencave. Ishte, pra, diçka e re.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqtë e Izraelit, po bëheshin drejtpërdrejt ndërmjetësit e kompromisit pranë egjiptianëve, duke eliminuar zyrtarisht, nga këto tratativa, Bashkimin Sovjetik. Për Bashkimin Sovjetik, kjo ishte një disfatë politike, ai nuk ishte më partneri kryesor, që do të manovronte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në emër të Egjiptit dhe të dy tok me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të manovronin në Lindjen e Mesme për Egjiptin, për palestinezët dhe për popujt e tjerë arabë. El Sadati, e theksoi këtë shuplakë politike, kundër “aleatit të tij”, Bashkimit Sovjetik, duke eliminuar në mënyrë të bujshme Ali Sabrinë, njeriun e sovjetikëve.
Anvar el Sadati, veproi si Hrushovi që eliminoi Molotovin, pikërisht kur Titoja, ishte në udhë e sipër për në Moskë. Hrushovi i tha me këtë veprim Titos, se; “unë po të hap rrugën e miqësisë dhe të aleancës, duke eliminuar stalinistin Molotov; më vonë do t’i pastroj të gjithë, duke i cilësuar edhe si antiparti”. Edhe Sadati i tha Roxhersit; “po të spastroj rrugën e miqësisë dhe të aleancës, duke e qëruar pro sovjetikun Ali Sabri; më vonë do të spastroj edhe të tjerët”.
Në fakt, sonte u lajmërua nga Kajroja, se gjashtë ministra, në mes të të cilëve ministri i Brendshëm, ai i Mbrojtjes, etj., dhanë dorëheqjen dhe, tok me ta, dolën nga kryesia e partisë, që është në fuqi, edhe tri personalitete të tjera. Të gjithë këta, s’ka asnjë dyshim, janë pro-sovjetikë dhe shokë të Ali Sabriut. Pra këtu qëndron kriza. El Sadati, do të flasë në datën 14, në mbrëmje. Të shohim çfarë do të thotë, por edhe ato që do të thotë, s’do të jenë të vërteta. Çështja zien, brenda dhe jashtë. As grupi i Sadatit, nuk është për luftë dhe as A1i Sabriu.
Por Sadati, siç po duket, po ua kthen fletën sovjetikëve, të cilët përpiqen t’ia ngrenë këmbët. Deri tash, ka fituar Sadati.
Të shohim ç’forcë minuese dhe komplotuese, kanë sovjetikët brenda dhe ç’ndihmë e përkrahje do t’i japin Uashingtoni dhe Izraeli, El Sadatit. Sovjetikët, janë në pozita të vështira, se po humbasin njerëzit e tyre në Egjipt, të cilët është e zorshme t’i marrin hapur në mbrojtje dhe të hyjnë në konflikt me udhëheqjen zyrtare të Egjiptit, që edhe kjo, duke manovruar që të mos i akuzojë hapur, do t’i qërojë të gjithë përkrahësit e tyre.
Që Bashkimi Sovjetik të ndërhyjë në tratativat e hapëta dhe të fshehta, që po zhvillon Sadati me Uashingtonin dhe me Tel-Avivin, nuk e bën dot dhe as i pengon dot marrëveshjet e kompromisit, që mund të arrihen pa të. Revizionistët sovjetikë, janë duke luajtur letrën e fundit, të dëshpëruar, për të mos humbur pozitat e grabitura politike, ekonomike dhe ushtarake, në Lindjen e Mesme dhe në Egjipt, që po ua grabitin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Do të shohim se si do të zhvillohen situatat, por është e qartë se imperializmi amerikan, do të bëjë të gjitha përpjekjet, sa nuk është vonë, që ta eliminojë Bashkimin Sovjetik nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika, të mos e lërë të vazhdojë që, nën maskën e “mbrojtësit” të popujve arabë të forcojë pozitat politike, ekonomike, kolonialiste dhe ushtarake, sidomos në Egjipt, në Siri, në Mesdhe në përgjithësi.
Popujt arabë, nuk kanë ndonjë simpati të veçantë, si për revizionistët sovjetikë, ashtu edhe për imperialistët amerikanë, bile i urrejnë. Kurse klikat arabe që janë në fuqi, shiten tek ai, që u jep më shumë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sigurisht, për t’ia arritur qëllimit, llogaritin t’i japin kredi të majme Egjiptit. Prite kur të hyjë në lëvizje dhe Titoja për këtë, në mos ka hyrë më parë. Izraelit po ashtu, i intereson, sa nuk bëhet vonë, që të sigurojë në mënyrë ndërkombëtare kufijtë e tij, të bëjë disa lëshime të vogla hëpërhë, “të premtojë” lëshime të tjera, krahas shkëputjes së Egjiptit nga sovjetikët, likuidimit në favorin e vet, të problemit palestinez, etj.
Amerikanët do të përpiqen që flotën sovjetike në Mesdhe ta lënë si peshku pa ujë, duke e dëbuar nga bazat aktuale ku ankorohet sot në Egjipt dhe në Siri. Çështja e NATO-s dhe pellgu i Mesdheut janë me rëndësi për strategjinë amerikane. Këtu ka ndeshje me sovjetikët. Çdo veprim politik dhe i çfarëdo natyre qoftë është shumë i ndjeshëm për të dyja superfuqitë imperialiste dhe social-imperialiste, qoftë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe për Bashkimin Sovjetik, veçanërisht këto javët e fundit në Evropë.
E PREMTE, 2 QERSHOR 1972
QËNDRIMI ‘YNË I DREJTE KA NDIKIM TE POPUJT ARABE
Më raportuan për punën që ka bërë delegacioni ynë i rinisë, në kongresin e rinisë siriane. Fjalimi i këtij delegacioni, që fliste edhe kundër revizionistëve sovjetikë (e që edhe këta kishin delegacionin e tyre në sallë), u prit me entuziazëm të madh dhe u brohorit në këmbë. Shqipëria jonë, me qëndrimet e saj të drejta dhe heroike, ka ndikim të madh në popujt arabë. Ta kalitim më tej këtë miqësi!
DURRES, E MËRKURE 19 KORRIK 1972
NJË SHUPLAKE E RENDE, PËR SOCIAL-IMPERIALIZMIN SOVJETIK
Mbrëmë, presidenti egjiptian Sadat, mbajti një fjalim “të rëndësishëm”, ku vuri në dukje konfliktin në mes Moskës dhe Kajros. Ai u ka kërkuar sovjetikëve armë ofensive “për t’i shpallur luftë Izraelit” dhe sovjetikët, për ta mbajtur Egjiptin në zap dhe në shfrytëzim të plotë nga çdo pikëpamje, natyrisht, kanë refuzuar. Atëherë Sadati, po u bën atyre një shantazh politik, kërkon largimin e këshilltarëve sovjetikë nga Egjipti (dhe nuk janë pak, 20.000 veta) brenda 27 korrikut.
Kjo është një shuplakë e rëndë për social-imperializmin sovjetik, që shkatërron planet e tyre, është një ngjarje me rëndësi të madhe. Të shohim ç’do të bëjnë sovjetikët, ç’manovra do të luajnë për të mos nxjerrë këmbët nga Egjipti, pse po iu dhanë duart, do të jetë e zorshme që të kthehen shpejt. Pastaj me dëbimin e tyre, mbarojnë edhe rrenat e demagogjia “e mbrojtjes së popujve arabë”, dhe flota e tyre në Mesdhe, mbetet si peshku pa ujë. Do të shohim nga ana tjetër, sa i vendosur është Sadati të qëndrojë në vendimin që mori.
Fakt është, se dëbimi i sovjetikëve, është një fitore për egjiptianët, pavarësisht se u duhet një kohë e gjatë, që të çlirojnë tokat e pushtuara nga Izraeli. Por me sovjetikët brenda, këto toka nuk do t’i çlironin kurrë, jo vetëm kaq, por do të humbitnin dhe pavarësinë e vendit. Politika jonë e drejtë dhe e vendosur, i ka ndihmuar popujt arabë, për të ruajtur lirinë, të cilën duhet ta ruajnë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016