Nga Xhevahir Gradica
Memorie.al / Emri i notarit Mirban Kadiu, për herë të parë është dëgjuar në Ballkaniadën e vitit 1948. Ishte vetëm 14 vjeç. Garat u zhvilluan në Durrës dhe u hapën me pionierët, të cilët matën përgatitjen në 50 m. dhe 100 m. Morën pjesë fëmijë nga e gjithë Shqipëria dhe disa vende të tjera të rajonit. Kadiu shpallet fitues i vendit të pare, në 50 m. stil i lirë. Që nga ajo ditë, e deri më tani, në të kapërcyell të 80-të vitet, çertifikatat, diplomat, fletët e nderit, titujt, kupat, nuk i janë ndarë asnjë çast. Së fundi, rrëmbeu dy të tilla kupa dhe me shumë vlerë e peshë, për sportistin. Jo shumë larg në kohë. Njëra kupë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, bijës shqiptare, humanitare e Botës dhe kupa tjetër, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Kadiu i fitoi garat e notit, në nderim të këtyre përvjetorëve duke shtuar në këtë mënyrë trofetë. 38 medalje në kraharorin e tij, janë dëshmia më e plotë e të gjithë asaj rruge të gjatë. Karriera e Mirban Kadiut, është deri më tani e pakrahasueshme me çdonjërin notar të Durrësit. Ai u aktivizua që fëmijë në sportin e notit, ndërsa jeta e gjatë i dha mundësi që t’i shtonte trofetë edhe në kohën e ushtrimit të sportit, tashmë si veteran.
Fëmija notar
Suksesi në Ballkaniadën e vitit 1948, do të jetë i pari për Mirban Kadiun. Aty do të marrë forcë dhe do i shtrohet me shumë zell notit. Shefi i Klubit të Sportit “Ylli i Kuq”, që më pas do të emërtohet “Teuta”, “Lokomotiva” dhe së fundi sërish “Teuta”, ishte Tom Gjini, personazh shumë punëtor dhe me besim të pathyeshëm. Ai kishte zgjedhur dy djem: Surja Kapexhiu, 13 vjeç dhe Niko Kola, për garën 100 m., në stilin e lire, të cilët morën vendin e parë e të dytë, ndërsa për garën 50 m., vendi ishte bosh. Lypsej që në garë të ishin gjashtë notarë. Ekipi kishte vetëm pesë sportistë. Kadiu afrohet dhe i kërkon trajnerit të Klubit, ta lejojë të futet në garë dhe ashtu ndodhi.
Ky vit do të shënohet në kalendarin e karrierës së tij sportive, si zanafilla dhe trampolina e madhe e jetës. Garimi për vendin e parë me notarët e moshës së tij, si: Ram Laçi, Gafurr Haznedari, Niko Noti, Eqrem Kosova, qe tërheqës, pasi ata ishin shumë pranë njëri-tjetrit. 14-vjeçari Kadiu, nuk kishte bërë stërvitje me ekipin, asnjë orë, megjithatë, ai fitoi vendin e parë. Saktësisht, përgatitje kishte bërë, madje shumë, por në mënyrë individuale, pra thjesht me pasionin e dëshirën e tij, pa trajner, pa mjeshtër, tek koka. Fëmijët dhe të rriturit e qytetit, kishin plazhin e tyre në Currila. Atje e mësoi notin edhe 14-vjeçari Kadiu. Disa vite më i vogël, lahej me fëmijë të lagjes “Sefer Efendiu”, me djem të familjeve të njohura durrsake, si; Kapxhiu, Truma, Mara, Afezolli, etj. Për të shkuar në Currila kishte dy rrugë.
Njëra nga lagjja “Sefer Efendiu”, sipër tek depoja e ujit, kisha ortodokse dhe kodrës poshtë për tek Currilat. Rruga tjetër nga lagje nr. 8, ngjiteshin në kodër dhe zbrisnin në det, përmes 12 shkallëve. Aty mblidheshin qytetarët e shtresës së mesme dhe të varfër, kurse të pasurit shkonin për t’u larë tek vilat në Plazhin e madh (nga Ura e Dajlanit, deri te Plepat). Në Currila mësuan të notonin, si dhe në kampin e pionierit, që drejtohej nga Bedri Kokomani e më pas Stefanaq Gjiri. Kampi ishte krijuar që në vitin 1946, me fëmijë nga e gjithë Shqipëria. Ata quheshin debatikas dhe ishin më shumë se 300 fëmijë. Kadiu e kishte mësuar notin që në moshën 10 vjeç. Ka notuar në Tiranë, në pishinën pranë teatrit “Kosova”, (Ish-Teatri Kombëtar). Lahej asokohe edhe tek katarakti mbi spital, drejt rrugës së malit të Dajtit. Ishin dy të tillë: pellgu i “Luanit” dhe i “Palaços”.
Mbi to gjendej Kodra e Priftit, mbuluar në një pyll të dendur. Shaku që Kadiu lahej në Tiranë dhe jo në qytetin e lindjes, lidhej me dëbimin e familjes së tij nga Durrësi në kohën e pushtimit gjerman. Atje vazdhoi edhe arsimin fillor. Notar të asaj kohe ishin; Ram Laçi, Niko Noti, Gafurr Haznedari, etj. dhe në këtë kohë, nis edhe karriera e Kadiut. Për shkak të qëndrimit antifashist të të atit, familja Kadiu, dëbohet në Arapaj dhe kjo i sjell telashe fëmijës. Tom Gjiri, i vendosur nën presion për ta larguar notarin e vogël, vetëm pse prindërit e tij nuk ishin me sy të mirë për pushtetin e kohës, e këshillon të shkojë në Tiranë, tek një miku tij, i quajtur Avni Zajmi, i cili si trajner, kishte ekipin e Tiranës.
Notar i rritur
Kryeqyteti mblidhte talente dhe kjo dihej më së miri nga Tom Gjiri, i cili i bën të ditur trajnerit të Tiranës, se fëmija që po i dërgonte, ishte shumë cilësor. Pikërisht ky është edhe rasti që djali nga Durrësi, do të bëhej shumë shpejt i njohur. Ekipi i Tiranës, kishte vetëm të rritur në not. Kjo e detyron trajnerin, të përfshijë Mirban Kadiun me të rriturit, ndonëse nuk i kishte mbushur të 17 vitet. Për të mos rënë në sy të të tjerëve, ndërron emrin, nga Mirban, në Burhan Kadiu. Edhe diplomën e fituar, e ka me këtë emër. Në garat 200 m. dhe 400 m. zuri vendin e tretë, duke lënë pas notar të zotë, si Sabri Kapexhiun dhe Eqerem Korrën.
Vitet ecin dhe djaloshi me t’u kthyer në qytetin bregdetar, vijon studimet. Sapo përfundoi vitin e dytë gjimnaz në shkollën “16 shtatori” në Durrës, përfaqëson gjatë verës shkollat e qytetit të lindjes, nën patronazhin e shoqërisë qendrore “Dinamo”. Këtë herë u ri ngjit, duke marrë vendin e parë. Shkoi edhe më tej, theu rezultatet e deriatëhershme, në 200 m. dhe në 400 m. stil i lirë. Trajneri Ramadan Shehu, do të shprehet me fjalët më të veçanta për meritat dhe treguesit e notarit Kadiu. Tani që qe rritur, Kadiu ishte bërë shumë më i pjekur edhe si sportist. Me ta thërritur në shërbimin ushtarak, interesohet për të kryer ushtrinë tek Sport-Klub “Partizani”, por biografia e degdis në Pogradec, në vitin 1952. Edhe ushtria zhvillonte shumë gara, mes tyre edhe not.
Kadiu ishte tashmë shumë i njohur dhe grumbullimi i tij, nuk vihej aspak në dyshim. Edhe këtu fitues i garave në 200 m. e 400 m., përsëri të tjera rekorde. Trajnerët Shaqir Kapexhiu dhe Petrit Caclli, befasohen. Sportisti Kadiu, ishte shumë i përpiktë dhe përgatitej shumë seriozisht. Pas Çlirimit përfaqëson shoqatën e notit “Spartak” të Durrësit, me trajner Hysen Vaqarri. Të tjera rekorde në 200 m. dhe 400 m. Vit për vit organizoheshin garat e notit, përgjithësisht në Durrës dhe Mirban Kadiu, nuk zbriste nga podiumi i vendit të parë. Kështu ecën vitet deri më 1959, kohë që detyrohet të ndërpresë studimet, ngase të vëllanë ia pushojnë nga puna, për probleme në biografi. Jetesa familjare vështirësohet, ndaj Mirban Kadiu lë mënjanë sportin dhe i përvishet punës për të përballuar vështirësive ekonomike. Dy vite më pas, më 1962, krerë të pushtetit politik dhe të Komitetit Ekzekutiv të Durrësit, ishin të bindur se vetëm rikthimi Kadiut në not, do u jepte mundësinë për të fituar kupën, me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë.
Nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv, Petraq Tapia, trajneri Sulejman Tufa dhe shefi klubit Mustafa Çelkupa, përpiqen t’i mbushin mendjen, për ta kthyer në sportin e notit, por një kërkesë e tyre, ndesh në kundërshtinë e të riut. Me të rënë në vesh të të atit refuzimi, ai e bind djaloshin, të kthehet në sport dhe për këtë i kujton se; 50-vjetori është ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, ndaj duhej respektuar. Pikërisht në këtë përvjetor të Pavarësisë, Kadiu theu tre rekorde të tjera dhe arrin normën për “Mjeshër sporti”. Saktësisht normat i kishte arritur që në vitin 1956. Gara e 1500 m. kishte vendosur rekord në vitin 1954, me notarin Eqerem Korra, ndërsa Kadiu e thyen atë dy vite më pas. Po ashtu theu edhe rekordin në garën 400 m. Është Kadiu ai që do të shkojë edhe më tej në garat e vitit 1962, duke thyer rekordet në shumëgarësh: 100 m. shpinë, 100 m. bretkosë, 100 m. krol. Në pjesën më të madhe garat zhvilloheshin në Durrës, por jo vetëm në këtë qytet.
Kështu në vitin 1957, u zhvilluan në Shkodër; në vitin 1958, në Vlorë; në vitin 1959-1960-1961, në Korçë; në vitin 1963, përsëri në Korçë. Disa vite rresht në Durrës dhe vetëm një vit në Lushnje. Grumbullimi i sportistëve, bëhej sipas një kalendari të rregullt dhe përgjegjësit e zbatimit të tij, ishin të përpiktë. Përgjithësisht në gusht, nisnin edhe garat, ndërkohë që ditë më pare, notarët i përkushtoheshin stërvitjes intensive. Kadiu nuk mjaftohej me kohën e stërvitjes në verë, pasi gjatë gjithë vitit, ushtrohej rregullisht për të mbajtur trupin në formë si sportist. Mirban Kadiu, ka marrë pjesë edhe në tre maratonat e zhvilluara. E para është organizuar nga rinia në vitin 1956, e dyta u organizua nga Shoqata Kinezo-Shqiptare në vitin 1962, ndërsa e treta, në vitin 1966, vit që ai shpallet kampion. Stërvitjet bëheshin në det, kurse garat e Durrësit, tek kapiteneria, mes fenerit dhe kapitenerisë, në të djathtë të saj.
Tre ditë festë ishte në Durrës, me rastin e zhvillimit të garave të notit dhe ky qe një tjetër tregues i masivitetit të këtij sporti. Mirban Kadiu, është bërë edhe pjesë e anketës së shpallur nga gazeta “Sporti Popullor”, për 10 sportistët më të mirë të vitit 1962 në Shqipëri. Emri dhe fotot e notarit, janë vendosur në shumë sallone aktivitetesh të rëndësishme, dëshmi e vlerave, që kishte sportisti i Durrësit. Kadiu nuk iu nda notit asnjëherë. Pasi u largua për shkak të moshës nga kampionatet, vazhdoi garat si veteran, duke bërë të njëjtën gjë, rekorde dhe thyerje të rekordeve, shpesh herë të rekordeve që vet i vendoste. Ai shërbeu për 10 vite si trajner, inspektor noti dhe gjyqtar brenda e jashtë Shqipërisë. Gjatë viteve 1970-1971, shërben si trajner i vaterpolos me të rinjtë dhe me djemtë e Durrësit, fitoi në Shkodër vendin e parë. Në vitin 1970, Komiteti Shtetëror i gjyqtarëve, e njeh si gjyqtar ndërkombëtar, në sportin e notit.
Debatikasi
Mënyra se si Mirban Kadiu, u rreshtua në radhët e fëmijëve debatikas, ka të bëjë me një ndodhi të asaj kohe, e cila lidhet me qëndrimin e familjes së tij kundër pushtimit italian. I ati Mirban Kadiut, quhej Sulejman Kadiu. Ai qe patriot dhe antifashist. Një dëshmi më vetë dhe që tregon dashurinë për vendin, është ajo e takimit të parisë së Durrësit, me prefektin, gjatë periudhës së pushtimit Italian të vendit. Në pari bënin pjesë burra të familjeve fisnike, që kishin dhënë kontributin e tyre për vendin. Ftesa për takim qe bërë nga prefekti Reshit Merlika dhe kryetari i bashkisë, Llazar Tuni. Qëllimi i takimit, kishte të bënte me formulimin e një telegram, për t’i dërguar Ministrisë së Brendshme të asaj kohe. Thelbi telegramit, ishte besnikëria e parisë së Durrësit, ndaj Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit të Tretë dhe Duçes. Prefekti dhe kreu bashkisë, ishin porositur të bënin një veprim të tillë, që do të shërbente për të mos pasur telashe me popullin dhe forcat kundër fashizmit.
Sulejman Kadiu, ishte anëtar pleqësie, por ai ishte edhe antifashist me bindje të plotë. Pa pritur t’i shkohej deri në fund kërkesës, ai ngrihet në këmbë dhe proteston ashpër. “Italia ka ardhur me pushkë dhe ne nuk bëjmë telegram besnikërie”, – mësohet të jetë shprehur patrioti durrsak. Me të lëshuar këtë protestë, del i pari nga zyra, pa kërkuar leje dhe pa dëgjuar asnjë fjalë tjetër. Pas tij, lënë takimin edhe Vangjel Golgota (avokat), dhe Haver Haveriku (tregtar), e më pas, një nga një, e gjitha salla, filluan të largohen. Kështu dështoi ky takim dhe si rezultat, telegrami nuk iu dërgua Viktor Emanuelit dhe Duces. Fjalët dhe protesta e Kadiut, shkoi shumë shpejt në veshin dhe zyrën e Ministrisë së Brendshme.
Veç të tjerash, në bindjet e tija si antifashist, kishte ndikuar edhe një ngjarje, të cilën vet Sulejmani, ua ka treguar të bijve të tij, Mirbanit dhe Bashkimit. Gjatë një përplasje me armë të Ramazan Voglit dhe Filip Dhimas, me një patrullë italiane në Durrës, qe plagosur Ramazan Vogli. I plagosuri u dërgua në shtëpinë e Halil Kokës, i cili asokohe ishte i Fronit Nacional-Çlirimtar. Për të mos u diktuar nga autoritetet italiane, pasi mjekohet e transferojnë fshehurazi, në shtëpinë e Sulejman Kadiut. Këtu e mjekon infermieri i njohur dhe me përvojë të gjatë, Petrit Ismailati. Rrëfime të tilla për qëndresën ndikojnë tek fëmija i familjes, Mirban Kadiu, i cili vendos të bëhet debatikas, pa marrë më parë pëlqimin e të atit.
Intervista me z. Mirban Kadiu
Z. Kadiu, a ka pasur Durrësi traditë në sportin e notit?
Durrësi ka traditë shumë të mirë në sportin e notit dhe njihet edhe për shumë emra të mëdhenj notarësh. Mjafton të kujtojmë se në periudhën e Monarkisë, në ditët e zhvillimit të garave të notit në Durrës, vinte princesha Myzejen, motra e Ahmet Zogut. Durrësi kishte notarë shumë të mëdhenj. Festohej tre ditë aktiviteti notit. Këtu vinin jo vetëm sportistë, por edhe dashamirës të sportit nga shumë qytete. Pas çlirimit mori edhe më shumë zhvillim. Djem e vajza futeshin në garë. Durrësi kishte ekip noti të fëmijëve, të djemve dhe të vajzave. Hamit Rama e Vasil Beligradi, u pasuan nga dhjetëra të tjerë si: Sabri Kapexhiu, Burhan Truma, Eqerem Korra, Ilmi Kapllani, Zyhdi Mara, Dhimitraq Goga, Shaban Belba, Ram Kërçuku, Ferit Velja, Koço Afezolli. Më pas Niko Koroni, Kastriot Karamuça, Qemal Mara, Hysen Sharra, etj. Edhe vajza me emër pati Durrësi në not, si: Xhevrie Golemi, Engjellushe Barushi, Violeta Rama, Lumturi Cerloi, motrat Tabaku, Benardina Qeraxhiu, Luçie Bekerdheli, Jolanda Gila, Afërdita Stërmilli, Pina Duma, etj.
Ti je ndër notarët me më shumë fitore, medalje, rekorde. Sa orë i kushtoje detit?
Bashkë me Eqerem Korrën, kam bërë deri në 8 mijë m. Tani që kam kaluar të 80 vitet, notoj deri në 3000 m. Rrinim shumë, 3 orë, 4 orë. Dilnim në rërë, pushonim pak dhe ktheheshim në det. Nga viti 1948, deri në vitin 2012, nuk i jam ndarë garave të notit, fillimisht me të rinjtë e të rriturit dhe më pas si veteran. Kur ishte ftohtë, pra nga vjeshta deri në pranverë, stërviteshim në shtëpi, me susta, gjimnastikë, veprime të ndryshme. Nuk është për t’u çuditur kur them, se e kam provuar birrën në moshën 40 vjeç. 38 medalje, i kam fituar si sportist, ndërsa 12 medalje, si shoqatë veteranësh. Është shumë e rëndësishme për një sportist, të stërvitet pa ndërprerje. Kjo na ka dhënë shumë fitore. Kam qenë kryetar i shoqatës së notit nga viti 1998, deri në vitin 2008.
Fare i ri jeni bërë pjesë e lëvizjes antifashiste, duke u renditur përkrah pionierëve debatikas?
Edhe pse i vogël, për shkak të temperamentit të hedhur, u miqësova më krerë të lëvizjes komuniste të asaj kohe në Tiranë, si me Jalldis Begeja dhe Fiqerete Vaqari. Takimi me të rinjtë e lëvizjes antifashiste, më futi në rrugën e vështirë dhe me rreziqe, ngase u aktivizua për të ndarë trakte komuniste, në qytet. Këtë veprimtari, e bënim në fshehtësi të madhe se ishte me shumë rrezik. Shisnin cigare “Tatlliset” e “Diamant” dhe bashkë më to, u linim në dorë traktet njerëzve të porositur, veprim për të cilin familja, ime nuk kishte dijeni. Këtu nis edhe rekrutimi në organizatën e njohur “Debatiku”. Veç shpërndarjes së trakteve, kemi kryer edhe akte të tjera. Teksa laheshim në pishinën “Kosova”, vodha një revolver të një xhandari, i cili shoqëronte djalin e një personi me pushtet të lartë. Nga vapa xhandari ishte zbërthyer, kështu që revolveri i qe varur. E pashë dhe pasi afrohem ia heq me kujdes dhe pa u ndier, revolverin nga xhepi. Armën e dërgova tek rrobaqepësi Llambi Koçi. Në Tiranë vajtëm në kohën kur qyteti u pushtua nga gjermanët. Kthimi në Durrës, do të ndodhë pas çlirimit, një vit më pas, kohë që babai, Sulejmani, qe dënuar me 10 vite burg, për aktivitet politik kundër qeverisë.
Auto-rrëfim i Mirban Kadiut: “Një surprizë nga bashkëshortja ime”
“Ishte 11 qershor 2008. ‘Boni, – më foli gruaja, – sot për darkë kemi dy vajzat, të lutëm mos u vono’. Mua nuk m’u kujtua, se kisha datëlindjen. Vera kishte filluar. 22 qershori po afronte. Bashkë me të edhe Festa e Detit. Përgatitesha bashkë me shokët në det, për 22 qershorin, që ishte festa e qytetit. Prandaj në ditë të tilla, vonoheshim. I premtova gruas se do të shkoja në shtëpi, para orës 13.00. Vërtetë nuk u vonova. Sapo hyra në shtëpi, gruaja dhe vajzat më përqafuan. Në moment u habita dhe më kapi një e rrëqethur gëzimi. Në sallonin e pritjes, në qoshe, ishte vendosur një bufe e thjeshtë, ku kishin vendosur kupat, flamujt sportiv, fletët e nderit, titujt që kisha marrë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komiteti Olimpik, Federata e Notit, Klubi i Sportit “Teuta” dhe shoqata ‘Durrësi’.
I hutuar nga kjo surprizë, falenderova gruan. Ajo m’u kthye: ‘A nuk po më pyet, se çfarë më shtyu që të bënin këtë kënd të sportit, se çfarë është kjo ditë’?! Po, – i thashë,- e dini se notit i kam dhuruar fëmijërinë, rininë dhe tani pleqërinë. Nuk u kam lënë rehat edhe tani, ngase nuk po i ndahem notit. ‘Po tjetër’?! Ç’gjë më shtyu të të bëja këtë dhuratë’,- vazhdoi gruaja. U përpoqa të gjej të tjera arsye, siç është rasti i përgatitjes në shtëpi me susta dhe kjo ishte mundësi për të treguar respekt ndaj meje. ‘Po,-më tha, – por ajo që më shtyu më shumë, është 75-vjetori i datëlindjes tënde, si ai 65, 70. Edhe në këtë përvjetor, shoqatës suaj, pushtetit të Durrësit, Shoqatës ‘Durrësi’, nuk i ra ndërmend emri juaj, qoftë dhe për një falenderim. Ju ia keni bërë respektin dhe vlerësimin notarëve dhe keni ndërhyrë tek pushteti lokal, në Federatë, Komitet Olimpik, ministri…”!
Më pas, ajo përpiqej të justifikonte, atë që kishte bërë shoqata e notit, për t’i dhënë meritat çdonjërit notar e sportist. Më kujtoi vitet e përkushtimit në sport, medaljet e arit dhe të argjendit, kupat, titujt në përvjetorët e Klubit dhe Shoqatës. Foli e foli dhe isha i detyruar ta dëgjoja deri në fund. I dhashë të drejtë, megjithatë nuk është se ia pohova me zë. Rruga ime, ishte shumë e gjatë në sportin e notit dhe asnjëherë nuk u kujtuan në mënyrë serioze, për të bërë atë që duhet bërë, ndaj çdo sportisti që ka thyer rekorde, që ka marrë për vite me radhë pjesë dhe vende nderi në gara. ‘Hë, i them, mos më thuaj asgjë, sepse jam gëzuar çdo here, me gëzimet e shokëve. Sa herë i kemi bërë këto vlerësime dhe festime për shokët, kam gëzuar edhe unë me ta. Gëzimi i tyre, ka qenë edhe gëzimi im’. Gruaja e dinte se jam munduar gjithnjë për shokët dhe realisht jemi kënaqur, sa herë kemi mundur të organizohemi, për të vlerësuar një sportist. Duke ditur shpirtin tim, gruaja heshti. Kështu, të gëzuar, drekuam bashkë me dy vajzat në ditëlindjen time, një nga më të mirat festime”. Memorie.al