Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e njëzetë e pestë
Memorie.al /Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Të gjithë ata zienin në një kazan, e kjo nuk ishte punë vetëm e grupit hetimor. Desha s’desha, vendosa të rikthehesha përsëri në rolin e mjerë të fajtorit, si një aktor i binduri i kësaj shfaqje tragjike, që luhej në të ashtuquajturin vend më të lumtur në botë. Menjëherë ata kërkuan t’ua shkruaja përsëri historinë dhe t’i vija datën e asaj dite. Ma llogaritën t’ua kisha borxh mirësjelljen e tyre tek ma grisën denoncimin që bëra në sy të krye-hetuesit e që ata më kishin vënë ta shkruaja. Por në fakt ata e grisën, se nuk deshin kurrsesi, që të ruanin në dosje një dokument të tillë komprometues për ta. Tani përsëri isha bërë “i mençur”, siç shpreheshin hetuesit dhe ashtu të demoralizuar, të leqendisur nga rrahjet e tyre, të vrarë moralisht nga padrejtësia e ofezat e tyre, me shpresëprerë se kurrë, policët me çuan në të ndarën time.
Filluan përsëri seancat e zakonshme. Nuk di nëse kjo lidhej me vizitën e krye-hetuesit dhe me udhëzimet e vërejtjet që mund t’u kish lënë ai, por grupi hetimor, kërkonte tani që unë, lidhjet e mia me sovjetikët, t’i kisha filluar qysh kur isha student në Moskë. Datat e mëvonshme për ta, ishin bërë të papranueshme. Duhej nisur që nga Moska, që kur shëtisja në Rrugën “Gorki” e qëkur më zinte mezi i natës duke përkthyer replikat e “Mosfilmit”.
M’u deshën dy-tri ditë, që të vrisja mendjen se si të mund të ndërtoja një skenar të tillë, qysh nga ajo kohë. Mundohesha të shkrepja shkëndijën për të nisur historinë e rekrutimit të një studenti, por ishte e vështirë, sepse në mendjen time, kalonin në revistë kujtime të bukura të jetës studenteske, të jetës së një të riu që rrezatonte shëndet, që nuk kish nevojë të flinte për të parë ëndrra të bukura. Më kujtoheshin kohërat kur vija për sportin e rrëshqitjes në akull, apo kur ecja mbi ski më dilnin parasysh theatrot e njohura të “Ballshojt” apo të “Mallijt” më kujtoheshin përjetime nga ndeshjet e futbollit në stadiumin e madh në Lluzhnjiki, ku vija shpesh për të parë skuadrën time të preferuar “Spartak” më kujtoheshin ato stacionet madhështore të metrosë së Moskës; më kujtoheshin muzetë e ndryshme të arteve figurative, në Moskë e Petërburg, me ato kryevepra botërore, të cilat më dhanë një kënaqësi që në jetën time nuk u përsërit më. Oh, sa kujtime m’u ngjallën befas! Më kujtoheshin mbrëmjet e dëfrimit të studentëve shqiptarë, me rastin e festave kombëtare; më kujtoheshin mbrëmjet me shokët e institutit tonë…!
Ishte e pamundur që në mendjen time, të krijoja një skenar, që kjo punë e ndyrë, të cilën ma kërkonte hetuesia, të kishte ndodhur në këto mjedise kaq të dlirta e, kaq të shtrenjta për mua! Kaq poshtë do të më duhej të shkoja, dreqi ta hajë?! Ka ca gjëra që nuk bëhen dot pjesë e pazareve, ku ndragesh e ndragesh pa fund. Edhe këto duhej t’i shisja? Tani unë duhej të sajoja një novelë me një ngjarje të ndotur, të cilën e urreja me tërë ashkun e shpirtit tim. E duhej që këtë gur të rëndë ta mbaja në qafën time. Kjo ishte një gjë e tmerrshme. Në këto momente i drejtohesha Zotit në qiell, me lutjen: “O, Zot i Madh, më çliro nga ky tmerr, ku më kanë futur këta shpirtzinj”!
Me një psherëtimë të thellë, të dalë nga shpirti, u vura të shkruaja. I vetmi mjedis ku mund të krijoja një lidhje agjenturore, do të ishte Shkolla e Lartë e Partisë në Moskë, ku punova për katër vjet si përkthyes dhe që mua nuk më ngjallte asnjë ndjenjë të bukur. Po, kujtimet e atjeshme mund t’i ndotja, ato nuk ishin të shtrenjta për mua.
Krijova një personazh me emër e mbiemër rus, që në gjithë atë vend pa fund, nuk është çudi dhe rastësisht të ekzistojë vërtet, edhe pa më takuar mua. Ai më paguante rrogën mujore në zyrën e llogarisë, që ishte dhe e vetmja zyrë në të cilën vija me shpesh në atë ndërtesë. Ai mundi të më rekrutonte mua. Edhe tani nuk e mbaj mënd se si e ndërtova këtë skenë, por, siç thashë, ajo nuk kishte asnjë rendësi, se dhe hetuesit e dinin mirë, që ajo ishte e rreme…! Por hetuesit më kërkuan parullën që më dha ai mua. Ky detaj mua nuk më kishte vajtur në mend dhe ngeca. U lypa kohë të mendohesha, ata ma lejuan dhe unë diçka sajova. Të gjithë anëtarët e grupit, kishin ngecur kur u ishte kërkuar parulla që ne përdornim në mes tonë. Dy vetë nuk e kishim thënë dot njësoj, e bile as të përafërt.
Kjo është e kuptueshme: mendje të ndryshme në një gjuhë me pesëdhjetëmijë fjalë, do të pillnin parulla të ndryshme. Por kjo nuk i mërziste hetuesit dhe ata ishin të përgatitur për këtë. Në stilin e tyre të zakonshëm jep fill e tirr, ata i shtynin të burgosurit drejt përputhjes në një emërues të përbashkët. Një ndër arsyet se përse u përfshiva në këtë grup, ishte se unë kisha punuar në këtë shkollë, ku kishin studiuar kuadro të rëndësishëm, që më pas u vunë në poste partiake dhe shtetërore, si ministra e drejtues partie të fuqishëm. Punët e pista të majës së piramidës, kërkonin që të kishin në dorë fije, për t’i goditur këta njerëz si shërbëtorë të Moskës, sa herë ta donte politika e përjashtimit dhe e spastrimeve. Atyre u interesonte, që unë të isha takuar me ta në hapësirat ruse.
Kështu ata më kërkonin mua të pranoja lidhje me këta persona, si me ish ministrin e Jashtëm, Nesti Nasen, i cili atë kohë ish – i burgosur apo dhjetëra të tjerë që kishin qenë në atë shkollë dhe më vonë fati i kish sjellë në sektorët e naftës. Ata i pillte belaja me mua dhe sidomos mua me ta, kur unë me gjithë presionet që më bënin, nuk i pranoja lidhjet, sepse ishin jashtë logjikës. E meqë logjika për ta ishte instrument i panjohur, më mbetej mua t’i kthehesha asaj hera-herës. Edhe për studentët që kishin mbaruar studimet në institutin “Gubkin” dhe që ishin jo pak, por 40 veta, hetuesit më thoshin se të gjithë ishin bërë agjentë të rusëve. – Po si është e mundur, – ulërita unë njëherë duke e paguar shtrenjtë pesë minuta më pas, – që të gjithë ne paskemi qenë kaq të dobët, e nuk u gjend asnjë burrë, që ta donte atdheun e tij?!
Për rastet kur unë nuk pranoja t’i fusja në shkrimin tim emrat që ngulnin këmbë ata, thirrjet në hetuesi ishin më të shpeshta, jo vetëm gjatë ditës, por edhe gjatë natës, për të më shtytur të pranoja që të shkruaja edhe për ata. E unë vija re se torturat e rrahjet, kishin një cilësi; të sotshmet ishin më të dhimbshme, se të djeshmet. Të djeshmet i përkisnin të kaluarës. Kur unë arrija të fitoja mbi hetuesit e mi, dhe ata nuk ngulin këmbë, kisha një gëzim të dyfishte; kënaqësinë që rezistova dhe sigurinë gjithnjë e më të madhe, se situata jashtë nuk ish aq e rëndë, sa ma përshkruante Rustemi. Pra, nuk ishin arrestuar aq shumë sa thosh ai. Kërkesa për të ndalur në çdo emër që dilte përpara, ishte fushatë mbjelljesh. Këta tre burra që me mëngë përveshur, më shpinin në atë botë e më sillnin prapë, hidhnin “fare” për armiqtë e ardhshëm. Këta “mbillnin” mullinjtë e erës, për Don Kishotin e tyre të çmendur.
Dyluftimi im me hetuesit, zhvillohej në dy forma. Ai kish formën e dukshme tek shqelmat dhe grushtet e tyre që më godisnin pa mëshirë, dhe forma e padukshme që unë me rezistencën time, vija re dobësitë e tyre. Ata trembeshin dhe unë lumturoja kur ua zbuloja frikën që kishin ata, se mos gjithçka kishin arritur, mund t’u bëhej pluhur. Ata kishin frikë, se ndofta me këto kërkesa të tepërta, mund të bënin që kjo lodër që kishin në duar, t’u prishej fare, e të mos funksiononte përgjithnjë. Ata e vinin re që unë ngulja këmbë, e nuk bëja asnjë çap përpara dhe i lija të gjitha mënjanë, dhe kthehesha në botën reale, e kapesha pas të vërtetës.
Unë nuk i kisha humbur të tëra shpresat dhe kjo ata i shqetësonte. Kështu një ditë prej ditësh, unë gjykova të bëj një përpjekje madhore, për të mbrojtur të drejtën time: Vendosa dhe i shkrova që nga biruca një letër të parit te partisë dhe të vendit, Ramiz Alisë. Në letër i shpjegoja se isha i pafajshëm dhe çdo gjë që kisha pranuar dhe shkruar, ishin thjesht gënjeshtra, të sajuara në përputhje me kërkesat me dhunë çnjerëzore, që po më bënte hetuesia. Aty i kërkoja të dërgonte një njeri që t’ia shpjegoja çdo gjë në hollësi.
Por dhe kjo përpjekje dështoi. Askush nuk dëgjoi dhe askush nuk erdhi. Pra, tani isha i bindur tërësisht e përfundimisht, se Ramiz Alia, ai vetë, ishte njeriu kryesor në përgatitjen e kësaj skeme për dënimin tonë dhe më vonë të personave të tjerë, midis klaneve në udhëheqje të partisë. Arrita përfundimin që pata gjykuar drejt atëherë, mbi arsyet e këtij terrori, mbi një grup specialistësh të pafajshëm naftëtarë. Por tani me këtë letër që i dërgova, mendova edhe sikur të vinte ndonjë ditë e të ndryshonte gjendja, Presidenti Alia, nuk do të mund ta dridhte, siç e kishte zakon e të thoshte, se ai nuk dinte gjë se çfarë po ndodhte me këtë grup, nga inteligjenca e naftës. Hetues Rustemi, më njoftoi fjalët e përgjigjes të Ramiz Alisë:
“Njerëzit e mi janë hetuesit. Unë nuk kam përse të dërgoj njerëz të tjerë! Kjo përgjigje, përmbante një të vërtetë të madhe, sepse ai, si dhe organet e hetuesisë që komandoheshin prej tij, ishin njëlloj barbarë. Ata, të gjithë, dënonin e persekutonin njerëz të pafajshëm. Të gjithë kishin një emërues të përbashkët; – të gjithë ishin kriminelë. Sipas rregullave të regjimit të burgut, gjatë hetuesisë nuk na lejohej jo vetëm asnjë takim me familjen, por asnjë informacion mbi shëndetin apo gjendjen e tyre. Kështu që vazhdimisht më bluante meraku, se si mund të veproja që t’i transmetoja familjes sime të vërtetën, se nuk kisha kryer asnjë akt të dënueshëm, se isha tërësisht i pafajshëm, megjithëse nuk kish dyshim që ata ishin plotësisht të bindur për këtë. Por unë dëshiroja t’ua theksoja edhe një herë, sepse nuk isha i sigurt se çfarë mund të ndodhte më tej, gjatë hetuesisë.
Duke përfituar nga rasti që në birucë mbaja laps për hartimin e skenarëve të Ajazit, vendosa t’i dërgoja një sinjal familjes sime. Nga racioni ditor i cigareve, prisha dy prej tyre, i hoqa duhanin dhe i grisa me kujdes që të hapeshin. Në të dyja shkrova këto fjalë: “Jam i pafajshëm dhe ju përqafoj”! Këto letra të holla cigareje, i futa në brendësi të manshetave të pantallonave, të cilat do t’i dërgoja për të m’i larë, se po i mbaja të veshura prej disa muajsh, pa i hequr asnjë minutë nga trupi. Ato binin erë zgjyrë të keqe, por ne na kishin mësuar që t’i përballonim këto lloj aromash. I kontrolloja dhe ato nuk dalloheshin fare. Për t’i dhënë shkak që t’i shkonte mendja gruas, për ta parë mesazhin tim, unë i shqepa pak manshetat. Me siguri, mendova, Zhaneta do të dojë t’i qep para se t’i lajë e do t’i vërë re. Po të lexonte ajo shkrimin tim në fletët e cigarit, unë do ta ndieja veten më të lehtësuar.
Prita më kot disa muaj që t’i merrja përsëri nga shtëpia këto pantallona, që të shihja që janë qepur e të mundja të përfytyroja diçka. Pantallonat nuk i pashë gjatë gjithë periudhës së hetuesisë, kështu që u tremba se mos familjen ma kishin internuar, në zona të largëta moçalore apo malore, siç bënin me shumë të tjera, të të burgosurve politikë. Pra, dëshira për të komunikuar, me shtyu t’i krijoj vetes një shqetësim akoma më të madh. Nuk thoshte njeri një fjalë, me gjithë kërkesat e shpeshta që u bëja hetuesve. Vetëm pasi mora dënimin nga gjyqi, kur më kthyen disa sende që më hoqën ditën e arrestimit, m’i kthyen edhe pantallonat, ashtu të palara, e me mansheta të shqepura.
Por mesazhi im i shkurtër mbi fletët e cigareve, nuk ish aty. Ata bënin kontrolle aq të imta, sa edhe fletën e cigares mundën ta dallonin, dhe natyrisht hetuesit e kishin lexuar. Por atyre nuk u bënte përshtypje kjo, sepse e dinin mirë këtë të vërtetë dhe nuk deshin të hapnin avaze, se mos më ndërrohej përsëri mendja, e nisja përpjekje të reja, për të thënë të vërtetën. Heshtja, ishte më e mira për ta. Hetuesit ishin të gëzuar që plotësuan “me sukses” këtë mision të rëndësishëm, e me siguri, do të shpërbleheshin me rritje të mëtejshme në përgjegjësi. Kjo logjikë ishte normale, në ecurinë organeve të diktaturës në Shqipërinë tonë “socialiste”.
Të jetosh në kushte çnjerëzore
Në ndihmë të arritjes të synimit të hetuesve, në Degën e Punëve të Brendshme të Fierit, ishte përshtatur një regjim i rëndë jetese, që në harmoni me torturat e presionet në seancat pyetësorë, i arrestuari të dorëzohej e të pranonte fajësinë e tij. Zgjimi bëhej në orën gjashtë të mëngjesit. Gjatë gjithë ditës, duhej të rrije në këmbë, ose të uleshe këmbëkryq në dysheme, sepse në qeli nuk kishte asnjë lloj stoli, apo krevati dërrase. Nuk kishe të drejtë të mbuloje, qoftë edhe majat e gishtave të këmbeve, me batanijen e vetme që kishe në birucë. Aty në dimër të therte një i ftohtë i madh, plot lagështi, vetëm me një dritare të vogël afër tavanit, pa xhama, që rrezet e diellit, kurrë nuk arrinin të hynin brenda, deri tek i burgosuri. Isha me fat që ditën kur më arrestuan, pata një xhubë të trashë me lesh nga brenda, të cilën e mbaja kur shkoja me punë nëpër puse.
Ajo më ndihmoi që të kapërceja pak atë të ftohtë, e atë jetë të neveritshme. Midis atij të ftohti e lagështie të madhe, ne nuk kishim asnjë lloj ngrohje, qoftë të drejtpërdrejtë, ose qoftë nga korridori i burgut. Një sobë e vogël prej llamarine, ishte vetëm për ngrohjen e policit ose policëve, sipas rastit, të cilët shërbenin në korridorin e burgut. Megjithëse ishin të veshur mirë, ata përsëri ngrinin, e u mpiheshin duart e këmbët nga të ftohtit, prandaj afroheshin tek ajo dhe shumicën e kohës së shërbimit, qëndronin mbi sobë, ngaqë ajo nuk kishte forcë që sado pak të ngrohte ajrin, e gjithë atij korridori të gjatë. Për ne, kokë ulurit, nuk mund të imagjinohej ngrohja. Pasi pranova fajësinë, hetuesia u tregua zemërgjerë me kërkesën time dhe pashë se më sollën edhe dy batanije të tjera, në të njëjtën gjendje, si batanija e qelbur që më kishin dhënë qysh në fillim. Çfarë të bëja me tri batanije të vjetra e të holluara, nga përdorimi shumëvjeçar?!
T’i përdorja si formë dysheku apo të mbulohesha me to? Ato ishin të pamjaftueshme, si për njërin qëllim, edhe për tjetrin, dhe aq më shumë për të dy qëllimet së bashku. Pas provash të shumta në netët pa gjumë, më në fund unë vendosa, që të tri batanijet t’i palosja më katërsh dhe t’i përdorja si dyshek. Kjo sepse dhimbjet e kockave, m’u bënë të padurueshme nga fortësia e dyshemesë. Duke i bërë më katërsh, sipërfaqja e këtij jataku, ishte rreth gjysëm metri me një, aq sa ishte e mjaftueshme për një fëmijë motak. Kështu që mblidhesha e bëhesha kutullaç, për të zvogëluar trupin, që një pjesë e tij të futej së paku brenda sipërfaqes së jatakut, bërë me batanije. Por përsëri për trupin tim të madh, ajo sipërfaqe ishte shumë e pakët dhe nga mesi e poshtë, pothuajse gjithnjë dilja jashtë në dërrasë. Si mbulesë, për afro një vit jete në birucë, unë përdora xhubin tim, të cilin kur e hiqja nga trupi dhe e përdorja për mbulesë, më ngrohte më shumë se kur e mbaja veshur. Nga përdorimi i gjatë, xhubi filloi të binte një erë të keqe.
Këto ishin kushtet e fjetjes. Asnjë send tjetër, as çarçafë, as dyshek. Ndërsa si jastëk shërbente krahu im, të cilin e vendosja nën kokë. Natyrisht, duke përjashtuar gjithë të tjerat, por vetëm me një “komoditet” të tillë të rrallë, nuk mund të rrija pa u zgjuar shumë herë gjatë natës, prej orës dhjetë të mbrëmjes, e deri në gjashtë të mëngjesit. Dora më mpihej nën kokë, kërbishtet më dhembnin nga fortësia e atij lloj dysheku të krijuar prej meje, ndërsa këmbët, i kisha tërë plagë, si nga torturat, ashtu dhe nga kontakti i tyre, tërë natën me dërrasat. Trupi im ishte i rraskapitur, i sfilitur, i dobësuar dhe i pafuqishëm.
Habitesha edhe vetë se si munda të mbijetoja në ato kushte çnjerëzore. Në mëngjes, pasi bëhej kontrolli prej oficerit të rojës dhe polici shoqërues nëpërmjet dritares së derës, na jepej ushqimi i mëngjesit përdhe në dysheme, natyrisht pa asnjë letër, apo dërrasë të pastër. Mëngjesi konsistonte vetëm një çaj dhe bukë. Çaji kishte shumë, shumë pak sheqer. Bukën duhet ta lëshoje përdhe, aty ku shkelje me këpucët dhe që përdoreshin kudo: në korridor, në dhomën e torturave dhe aq më keq në nevojtore. Kur i rikujtoj tani, çuditem se sa të fortë paskemi qenë, përballë sëmundjeve të papastërtisë.
Në drekë si ushqim, kishim të ashtuquajturën supë, por që në fakt, ishte më shumë një garuzhde me ujë të zier, vetëm me nja dhjetë-dymbëdhjetë fasule apo disa fije makarona, e herë-herë ca kokrra orizi, pa kurrfarë yndyre. Ajo shërbente vetëm për të njomur bukën, që mund ta haje thatë, sepse furnizimi bëhej vetëm një herë në javë. Vetëm ditën e parë të furnizimit, ne ndjenim shijen e bukës së zezë të ngrohtë. Në darkë, përsëri kishim një garuzhde me çaj, si në mëngjes. Pra, praktikisht, ne ushqeheshim nga burgu, vetëm me gjysmë kile bukë në ditë. Unë zakonisht e mbaroja atë deri në drekë, dhe nuk më mbetej fare për çajin e darkës. Gjatë afro një viti, unë nuk pashë as mish, as vezë apo ndonjë fije zarzavate.
Një herë në muaj, njerëzit e familjes vinin tek porta e madhe e Degës së Punëve të Brendshme, e sillnin ndërresa e cigare, të cilat na i jepnin me një normativë: tetë cigare në ditë, një kile sheqer dhe vetëm disa biskota, e asgjë tjetër. Këtë shtesë ushqimore, u lejonin të sillnin njerëzve të familjes. Ato, ne i merrnim sipas dëshirës, gjatë furnizimit me ushqimin që na jepte komanda e burgut. Në këto kushte e kufizime gjatë hetuesisë, unë humba njëzetë e pesë kilogram, ose afërsisht një të tretën e peshës sime trupore, aq sa më vështirësi qëndroja në këmbë. Në fund të korridorit të burgut, ngjitur me derën e birucës ku jetoja, apo me mirë mbijetoja unë, ishte një derë hekuri, me një lloz të madh. Periudhën e fillimit, dëgjoja shpesh që ajo derë hapej e dëgjoheshin zëra policësh, por nuk e kuptoja se ku të shpinte. Vetëm pas dy – tre muajsh hetuesie, një ditë ajo derë u hap edhe për mua.
Ajo të nxite në disa ndarje si dhoma, të ndërtuara prej muri por që nuk kishin tavan. Si i tillë shërbente një rrjetë e dendur prej teli me gjemba. Aty ishte një korridori vogël, me katër dyer, me dy në të dy anët e korridorit. Mbi korridor kishte një tavan, që shërbente si vend për lëvizjen e rojës, i cili kontrollonte çdo lëvizje të të burgosurve, që nxirreshin në këto ndarje të veçanta. Këto ishin dhomat e ajrimit, të cilat shërbenin qe i arrestuari të qëndronte mundësisht çdo ditë nga një gjysëm ore, në ajër të pastër. Meqenëse një pjesë të mirë të kohës unë e kaloja në hetim, shpesh e humbisja ajrimin e shumëpritur. Pra vetëm pas disa muaj hetuesie, pashë për herë të parë qiellin, e munda të thith ajrin e pastër, që në atë gjysëm ore, më vinte drejtpërdrejt nga qielli, pa i lënë dorë askujt, për të ma racionuar apo për të ma ndotur. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016