Nga Veli Haklaj
Memorie.al / Grupi i vajzave, persona me bindje antikomuniste, në një mbledhje që kishin bërë në muajin tetor (1945), kishin shtruar nevojën e organizimit të vajzave. Kështu, me ndihmën e Nexhibe Tarakut (motra e Skënder Tarakut), ngritën një grup të përbërë prej: Nexhibe Tarakut, Naske Tarakut, Nadire Zekthit, Beglije Divës dhe dy vajza me çarçaf, të paidentifikuara. Këto, para 2 dhjetorit (1945), kanë bërë një mbledhje, ku u kishte folur Avdulla Berberi. Elementët e këtij grupi, ishin shpërndarë nga frika e arrestimeve dhe nuk përziheshin më në veprimtari të tilla, me përjashtim të Nexhibe Tarakut. Kjo kishte pasur vazhdimisht lidhje me pjesëtarët e “Grupit të të Rinjve” dhe me “Grupin e Shyqyri Gjilanit”, sikurse do të trajtohet më poshtë.
“Grupi i Vajzave”
Nexhibja, kishte lidhje dhe me Myzafer Pipën, me të cilin kishte biseduar disa herë në telefon, dhe këto lidhje të sajat, kishin lindur dyshime tek organet e Sigurimit të Shtetit. Kohët e fundit (vjeshtë 1946), Nexhibeja kishte filluar të shoqërohej me një rreth tjetër vajzash antikomuniste, si Tefta dhe Lule Bishqemi, Bukurije Kokona, Margarita Noçka dhe Gjilberta Basha. Këto shoqëroheshin dhe rrinin vazhdimisht bashkë dhe veprimtaria e tyre, ishte hedhja e parullave të ndryshme. Përveç këtyre, Ylli Selenica, kishte bashkëpunuar dhe me këto vajza antikomuniste: Petrina Alarupi, Dake Çarçani dhe Liri Prifti.
“Grupi i të Vjetërve”
Në lidhje me “Grupin e të Rinjve”, ishte evidentuar edhe një grup me persona të shkuar nga mosha (“Grupi i të Vjetërve”), i përbërë nga; Shyqyri Gjilani, Osman Reçi, Xhafer Kalaja, Muhamet Preza, Muhamet Pijetori, Qamil Golloberda dhe Bajram Koçi. Këta ishin organizuar qysh para 2 dhjetorit (1945) dhe kishin bërë një mbledhje, në të cilën u kishte folur Avdulla Berberi. Në këtë mbledhje, kishin bërë edhe betimin mbi një flamur dhe një revole. Me arrestimin e Avdullait dhe me ikjen e Shyqyriut në Peshkopi, si nëpunës, këta kishin shkëputur lidhjet. Kur u kthye Shyqyriu, mbasi ishte pushuar nga puna, bie në lidhje me Xhafer Kalanë dhe së bashku shtrojnë nevojat, për të organizuar përsëri “Grupin e Vjetër”.
Shyqyri Gjilani përpiloi një trakt, të cilin do ta shumëzonte Xhafer Kalaja. Për të shtypur traktin kishin kërkuar edhe ndihmën e Nexhibe Tarakut e Abas Mezinit. Organet e Sigurimit të Shtetit, ishin në dijeni të punës që po bëhej dhe para se të qarkullonte trakti, arrestuan Shyqyri Gjilanin, ndërsa Xhafer Kalaja u arrestua në Durrës, por iu iku forcave të Sigurimit, duke dalë në ilegalitet. Pjesëtarët e grupit që kishin mbetur jashtë, nuk qëndronin më si grup, por flisnin kundër Pushtetit, kur iu vinte rasti.
Rrethi i “Vajzave të Institutit Femëror”
Në Institutin Femëror, strukturat e Sigurimit të Shtetit kishin evidentuar një rreth vajzash, të përbërë nga: Tefta Tasi, Vasilika Miça, Vasilika Xhaçka, Drita Durrësi, Alaqi Gjini dhe Gjyzete Harxhi. Këto kishin bërë një mbledhje në shtëpi të Arif Stërmasit. Ajo që dukej më aktive, ishte Tefta Tasi, e cila kishte bërë një mbledhje tjetër, në shtëpi të Shefki Alikos, ku merrnin pjesë: Kondita Goxhomani, Lavdije Pojani dhe Idajete Libohova.
Puna e tyre, ka qenë përhapje parullash dhe ato mundoheshin të sabotonin punën e BRASH-it (Bashkimi i Rinisw Antifashsite Shqiptare), në shkolla dhe prishjen e qetësisë në klasë. Nga lëvizjet dhe takimet e tyre, dukej që nuk kishin pasur gjë të organizuar. Ky grup, kontrollohej nga Sigurimi nga brenda.
Rrethi i të “Rinjve Katolikë”
Janë të paktë ata të rinj katolikë që gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë me Partinë Komuniste. Ata, ose kanë qenë kundërshtarë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ose kanë qëndruar indiferentë. Në qytetin e Tiranës, organet e Sigurimit të Shtetit, kishin evidentuar një Rreth të Rinjsh Katolikë që tregonin aktivitet kundër regjimit komunist, të cilët ishin: Ndue Shato, Palin Derani, Sami Bogdani, Qemal Petrela, Jashar Stringa, Neki Banani, Loni Mirashi, Mikel Pali, Harallamb Lambushi, Tish Berisha, Muharrem Kupi, Alfred Paralla, Nexhat Pepa, Kol Vorfi, Zef Vorfi, Stef Kroqi, Tonin Berisha, etj. Të gjithë këta ishin elementë që vinin nga radhët e ‘Ballit’ dhe të ‘Legalitetit’, si dhe nga shtresat e prekura nga reformat e ndryshme.
Sikurse shihet dhe më lart, përbërja e tyre nuk ishte vetëm prej elementësh katolikë, por edhe prej feve të tjera. Kjo vinte se, pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, elementi katolik filloi të shtojë sa më shumë rrethin me elementë të pakënaqur, qofshin këta dhe të feve të tjera. Parin Derani, për aktivitetin e tij kundërshtar në shkollë, u përjashtua.
Ky kishte pas vetes një rreth elementësh kundërshtarë të regjimit komunist, të përbërë nga; Mehmet Hajdari, Besim Kazazi, Ali Kazazi, Danush Daca, Hysni Radheshi, Pjerin Muzhani etj., të cilët rridhnin nga familje me origjinë nacionaliste, që ishin prekur nga reformat komuniste. Aktiviteti i tyre në shkollë ishte për sabotimin e punës së BRASH-it. (Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare).
Anëtarët e këtij rrethi, kishin pasur lidhje me grupin e Avdulla Berberit. Disa nga ata lidheshin me Padër Mushkallën dhe Don Shtjefen Kurtin, prej të cilëve influencoheshin shumë për punën e tyre kundër regjimit komunist në fuqi. Nga strukturat e Sigurimit, ishin arrestuar nga ky rreth; Parin Derani dhe Tish Berisha, që ishin më aktivët.
Nga deponimet e tyre rezultonte se nuk kanë pasur punë të organizuar, po si elementë kundërshtarë që ishin, rrinin gjithnjë bashkë dhe përhapnin parulla të ndryshme, duke propaganduar fort kundër pushtetit komunist. Me arrestimin e Paridit dhe të Tishit, anëtarët e tjerë të rrethit që mbetën jashtë, ndiheshin të frikësuar dhe nuk bënin asnjë lëvizje.
“Rrethi i Grave”
Nga të dhënat që dispononin organet e Sigurimit të Shtetit, në Tiranë kishte mjaft gra që flisnin kundër regjimit komunist dhe përhapnin parulla të ndryshme, por nuk kishin ndonjë aktivitet të organizuar. Të dhënat bazoheshin kryesisht në dyshime se; Dhorka Dhespoti, Kaliopi Gode, Angja Shkreli, Gliqerina Koço, Ballkeze Mborja, bashkëshortet e Beqir Sinanit, Ismet Kryeziut, Sami Kokës dhe Thanas Meksit, të kishin diçka të organizuar.
Për këtë strukturat e Sigurimit, arrestuan Dhorka Dhespotin, e cila ishte më aktive dhe që kjo dyshohej të ishte drejtuesja e tyre, pasi lidhej dhe me anglo-amerikanët. Meqenëse nga deponimet e Dhorka Dhespotit, nuk doli asnjë fakt komprometues, ajo u lirua.
Nga gratë që lëviznin më tepër, ishte Drita Kosturi, e cila kishte shkuar në Shkodër dy-tri herë dhe ishte takuar me Safete Sokolin, Agime Pipën etj., si dhe me anëtarët e rrethit të Myzafer Pipës, me të cilin ishte fejuar në atë kohë. Me të bisedonte shpesh në telefon prej Tiranës, biseda që kishin lindur dyshimet e strukturave të Sigurimit.
Drita kishte shkuar edhe në Korçë, ku gjithë ato ditë që ka qëndruar atje, ishte shoqëruar dhe kishte ndenjur me “Rrethin e Doktor Litos”. Nga lëvizjet dhe takimet e saj, Organet e Sigurimit të Shtetit, dyshonin shumë se mos ajo mundohej të vinte në lidhje elementin antikomunist, të qarqeve të ndryshme.
Edhe Nurie Koculi, ishte dukur për një kohë në aktivitet, por më pas ishte tërhequr dhe nuk lëvizte fare. Gra të tjera që kishin qenë më aktive në përhapjen e parullave ishin: Idajete Prodani (gruaja e Qazim Prodanit), e cila kishte qenë në Qarkorin e ‘Ballit’, Nimika Borshi, Yllka Borshi, Meleqe Ohri, Marije Bumçi, Katushe Maloku, bashkëshortet e Dik Canit, Seit Matjes, Qazim Mulletit, etj.
E gjithë puna e “Rrethit të Grave” përmblidhej në përhapje parullash, në propagandë kundër pushtetit dhe udhëheqësve komunistë. Origjina e tyre ishte nga familjet nacionaliste dhe që u kishin shërbyer regjimeve të mëparshme, gra bejlerësh dhe të shtresave të pasura të goditura nga reformat e regjimit komunist.,
Kurse Merita Sokoli, Ylvije Prishtina, Rina Prenga, Polikseni Papa, Qefsere Tirana, Katerina Koma, Taipe Gjylani, Idri Pilkati etj., ishin evidentuar në veprimtarinë e tyre antikomuniste edhe për lidhjet që kishin me anglo-amerikanët.
“Grupi Socialist dhe i Teologëve”
Një grup socialist që u duk për pak kohë në lëvizje, në vjeshtën e vitit 1946, nuk ndihej fare, sepse pjesa më e madhe e tyre u arrestuan, disa në procesin e Tiranës dhe disa më vonë. Prej këtyre, ishin arrestuar në mesin e vitit 1946, Hajro Babameto dhe Ismail Petrela, të cilët kishin filluar të lëviznin me disa ushtarakë të Spitalit. Gjithashtu, edhe “Grupi i Teologëve”, që përmendej në një raport të mëparshëm, nuk ekzistonte më. Ai u shpërnda, porsa ishte formuar.
“Rrethi i Minoritarëve”
Për sa i përket “Rrethit të Minoritarëve”, ata kishin pasur lidhje të vazhdueshme me njëri-tjetrin, por nuk ishte konstatuar ndonjë veprimtari e organizuar e tyre. Anëtarët kryesorë të këtij rrethi ishin: Kristo dhe Dhimitri Beja, Vasil Xhai, Marto e Rika, Agjello Abaxhogllu, Dr. Kristidhi, Vëllezërit Llambiri, Sokrat Papai, Stavro Papai, etj. Veprimtaria e tyre, konsistonte në përhapje parullash të ndryshme, sidomos në lidhje me Greqinë dhe minoritetin.
Ky rreth për një kohë nuk u ndie fare, por në mesin e vitit 1946, në lidhje me zhvillimin e Konferencës së Paqes dhe me pretendimet e Greqisë, ata kishin intensifikuar veprimtarinë. Si më aktivët e këtij rrethi, ishin identifikuar; Mihal Marto, vëllezërit Llambiri, Loni Pëllumbi, Mihallaq Kalloqiriaqi, Kristofor Harito, etj. Në këtë rreth, Organet e Sigurimit të Shtetit, kishin depërtuar me njeriun e tyre dhe për përhapje parullash, kishin arrestuar Mihal Zhangon.
“Rrethi i lidhur me anglo-amerikanët”
Një punë e madhe kundër regjimit komunist në Tiranë, bëhej nga elementët e lidhur me anglo-amerikanët. Ky rreth ishte mjaft i gjerë dhe përfaqësuesit e Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidheshin me anëtarë të ndryshëm të këtij rrethi. Në këtë rreth, kontribuonin përfaqësues të shtresave të ndryshme tregtare dhe pronarë të shpronësuar nga regjimi komunist, ish-anëtarë të ‘Ballit Kombëtar’ dhe të ‘Legalitetit’.
Anëtarët e këtij rrethi, kishin lidhje pothuajse me të gjitha rrethet e ndryshme që u trajtuan më lart. Puna që bënin këta ishte: Takoheshin vazhdimisht me njëri-tjetrin, pothuajse gati çdo ditë, në kafe “Splendit” dhe “Berati”, ku komentonin lajmet e radiove të ndryshme dhe flisnin e propagandonin kundër pushtetit.
Ata ishin evidentuar si burimi i një pjese të madhe të parullave kundër regjimit komunist dhe si kontakte të informatorëve të huaj. Anëtarët e këtij rrethi, të evidentuar si më aktivët, ishin: Loni Pëllumbi, Pjetër Gjini, Asti Hobdari, Reis Selfo, Zef Kraja, Gjerq Sulfi, Mihal Kilica, Man Toptani, Niazi Bej Vlora, Medin Kamberi, Qazim Plasa, Sabri Hamzarai, Nard Kraja, Tika Tezha, Alfred Ashiku, Ndoc Sokoli, Ndoc Goga, Avdul Kokoshi, Mustafa Maqellara, Tomorr Ypi, Safet Villa, Agop Papajani, Gjon Laca, Rexhep Topalli, Rifat Karalliu, etj.
Që nga mesi i vitit 1946, ky rreth ishte dukur më aktiv, sidomos me zhvillimet e situatës së jashtme, por nga strukturat e Sigurimit të Shtetit, nuk besohej të kishte diçka të organizuar prej tyre. Gjithsesi, ata ndiqeshin si agjentë të anglo-amerikanëve, të cilët në atë kohë ishin klasifikuar si kundërshtarë të regjimit komunist të Tiranës.
Anëtarë të ndryshëm prej këtij rrethi, kishin rezultuar të implikuar në procesin e “37 armiqve të popullit”, që u gjykuan në kinema “Nacional”. Prej pjesëtarëve të këtij rrethi u arrestuan: Pjetër Gjini, Asti Hobdari, Hamdi Hoti, Skënder Shtylla, Musa Lloshi, Beqir Çela, Genc Pojani, Medin Kamberi, Argjent Goçi e Muharrem Bejleri, i cili u ilegalizua dhe qëndroi në arrati. Memorie.al