Nga At Zef Pllumi
Pjesa e dytë
-Portrete të ndryshme të burgosunish-
Memorie.al / Lexues i dashtun, që në fillim të këtij kapitulli due me deklarue se ata shka po shkruej, nuk mund jete vetë realiteti, por vetëm përshtypjet e mija personale ose, edhe të një grupi që mendojshin si un. Nuk kam ndërmend të fyej kurrnji njeri, e aq ma pak ta akuzoj. Në këtë kapitull, due me ba vetëm pjesën e nji ciceroni, që u shoqnon në nji galeri artesh figurative, sigurisht jo n’ato të Perandorëve e Mbretënve, Dukëve e Papëve që gjinden në Versaje, British Muzeum, Tetriakovski, Eskurial apo Vatikan, por në nji galeri të errët burgjesh, ku tirania, për qëllime të veta të caktueme, bashkon gjithfarë tipash njerzorë. Në të vërtetë mund ishin të panumërt, por kam zgjedhë në përshkrim, ata që i rrinë ma afër shijeve të mija personale.
Bajram Hoxha
Ai e kishte origjinën nga katundet e Rajcës. Ishte nji burrë i shkurtë, gjithmonë i thatë e i pa fuqi për punë të randa fizike, ndërsa për me hangër, ishte i pakalueshëm. Disa herë e patën dërgue në spital të Tiranës, për me ba analizat, sepse dyshohej për “shirit”, por nuk i gjejshin gja. Të parën herë e kishin denue, se kush e di se ç’kish folë, mbasi buka që i jepte kooperativa bujqësore, sigurisht që nuk i dilte.
Tue kenë gjithmonë i uritun, kishte marrë inad në sistemin socialist, tue e konsiderue ate; përhapësin e urisë. Gjatë 5 vjetëve të burgut të parë, kishte mësue mjaft nga njerëzit e kulturës, të cilët rrijshin me andje me te, mbasi ishte njeri shumë i ndershëm e korrekt, por kishte edhe nji humor të hollë.
Atyne që ishin kenë jashtë shteti, në Prendim, u bante vazhdimisht pyetje për jetën e lirë në sistemin kapitalist, sepse mendonte se atje, edhe malet ishin prej gjalpit, ku merrte gjithkush sa i kishte andje, e nuk njifej vorfnia. Tue kenë se në katund të vet, nuk kishte kenë i zoti i punëve bujqësore dhe tokën e lshonte përgjysë, atëherë ai bante punëdore si gratë, fanela, çorape etj., dhe i punonte aq mirë, si gratë. Gjatë burgut kjo punë i vlefti shumë, sepse nuk la çorap as fanelë të vjetër pa i mbledhë, i shkrepte, i shprishte dhe mandej i dridhte përsëri, e i punonte të reja, në këmbim të ndonji kile sheqeri, voji, o makaronash.
Mbasi u lirue nga burgu i parë, e pa mirë se nuk mund jetonte ma i lirë, nën komandën e brigadierit, të kryetarit të kooperativës e të sekretarit t’organizatës së Partisë, prandej vendosi me kthye në burg. Palosi teshat që kish, dyshek, jorgan e ndrresa, i bani deng, i lidhi, i ngarkoi në shpinë e u nis malit të Qafë Thanës përpjetë. Si vendali që ishte e dinte mirë se ku ishte kufini shtetnor, por aty ku fillon teposhtja ndali nji makinë, që po kalonte, dhe e pyeti: “Shok, a di të më thuash se ku është kufiri”? “Hip, se deri afër Shën Namit, të dërgoj unë”.
Shoferi e dërgoi në policinë e Pogradecit, nga ku filluen proceset hetimore e gjyqsore, nga të cilat do të dënohej 25 vjet. Qeshte tue thanë, se tash e kishte sigurue bukën, pa pague asnji lek, ndërsa në kooperativë, nuk ia jepte kush. Ndërsa na tjerët thojshim: “Bajram, me sa dijmë na, ajo makina që ke ndalue për me pyetë se ku asht kufini, ishte ‘Xhip’-si i Degës”!
Gjatë jetës së burgut, ai ishte shumë i qetë, i përzemërt me të burgosunit, por jo me puntorët e Komandës, sepse, siç thohej, ata bajshin pjesë në sistemin socialist, të cilin ai nuk e honepste fare. Shpesh herë e pyetshim si me tallje: “Bajram, ti që flet kaq mirë për kampin kapitalist, a je kenë ndonjiherë jashtë shtetit, e ku, në cilin vend”?!
“Në Hamburg, – përgjigjej tue qeshë, – kam kalue aty gjysmën e jetës”! Me këtë ai nënkuptonte fjalën shqipe: “hamë burg”.
N’oborrin e kampit, ai kishte gjithmonë nji vend të caktuem, ku mbi nji shtroje qëndronte gjithmonë nji tepsi e madhe alumini, mbushun me mbeturinat e bukëve, që i mblidhte me mirësjellje të madhe ndër tavolinat e mensës. Kur nuk ishte kohë pune, leximi, ose apeli, ai qëndronte kambëkryq pranë asaj tepsije, tue punue ndonji triko o çorapë. Këtë vend ai e kishte zgjedhë mjaft afër stendës, ku vendoseshin gazetat dhe nuk ia trazonte kurrkush, sepse ndalohej nga të gjithë.
Nji ditë, sapo lexova në gazetën “Bashkimi” rubrikën “Kuriozitete shkencore”, i kthehem e i them:
– Bajram, ka dalë sot nji lajm në gazetë, që tregon se për të parën herë në botë, paskan gjetë nji njeri me dy stomakë.
– Me dy stomakë?!
– Po, a nuk të duket e çuditshme?
– Ku? Nga asht ky njeri?
– Nuk e di, nuk shkruhet se ku.
– Due me ditë se ku, të lutem shko e lexoje edhe nji herë.
Ktheva, por gazeta nuk tregonte ma tepër. Atëherë i thashë:
– Bajram, çka po të intereson se ku ndodhet ky njeri, mjafton fakti që ka dy stomakë, kudo që të jetë.
– Kam dhimbje të madhe për te. Në rast se është në kampin socialist mund të shtyjë ndonjë vit, por në kampin socialist asnji ditë. Unë me nji stomak dhe mezi po jetoj, e jo ai me dy…!
Kin Dushi
Kishte mbetë jetim që në moshën 10 vjeçare, e ishte rritë në nji konvikt shtetnor pranë ‘Normales’ s’Elbasanit. Gjatë Luftës, muer pjesë në brigadat partizane, sapo muer dëftesën e shkollës së mesme. Komandant brigade, kishte Gjin Markun. U shkrue edhe në rradhët e komunistëve, mbasi ata kishin depërtue në të gjitha konviktet shtetnore, gjatë kohës së Monarkisë dhe të okupacionit italian.
Në kampin e Ballshit, qëlloi të na venë me punue s’bashkut në nji brigadë e në nji skuadër. Ai nuk kishte kurrnji t’ardhun nga familja, për të cilën ishte shumë i preokupuem, mbasi kishte dy fëmijë të vogjël, që nuk i lshonte goje kurr. Pinte duhanin, por vetëm kur ia dhuronte kush. Me stoicizmin që e karakterizonte, barte skamjen ma të madhe dhe vuejtjet e burgjeve e të kampeve të punës, gjithmonë i qeshun e me humor shkodran.
Kish nji kulturë të madhe, të formueme në shkollën ‘Normale’ t’Elbasanit, e në studimet e nalta në Bashkimin Sovjetik, për letërsi. Kishte edhe nji karakter të vendosun e nji ndershmëni njerrzore. Ishte nji ndër shkrimtarët e parë të epokës komuniste, që në letërsinë tonë thirrej “realizmi socialist“. Kishte botue librat: “Në gojën e ujkut”, dhe “Udha e Velanit”, me të cilin kishte marrë të parin çmim të Republikës në letërsi. Siç më tregonte, fatkeqësia i kishte ndodhë me romanin e tretë, “Në qiell shkëlqen vetëm një yll“ (nuk jam i sigurtë për këtë titull), që u ndalue e nuk u vu në qarkullim, sepse ishte kritikue për tipare revizioniste.
Përmbajtja, siç ma tregonte Kini, ishte kjo: Gjatë luftës partizane ose Nacional-Çlirimtare, ndër disa episode, përshkruhej nji aksion ku viheshin në dukje dy rryma, ajo strategjike-ushtarake e komandantit dhe ajo humanitare e komisarit. Kur u vu në qarkullim ky roman u ndalue, sepse Fiqrete Shehu, aso kohe sekretare e Komitetit të Partisë të Tiranës, e kishte komentue sikur përshkruhej lufta e Brigadës së Parë, ku komandant kishte kenë Mehmet Shehu, e komisar Tuk Jakova, i dënuem ky i fundit nga Partia.
Kini aso kohe kishte kenë kryeredaktor i revistës “Ylli“.
– Më thrret Ramiz Alia, – më tregonte Kini. – Kur u paraqita më tha se shoku Enver, donte të më takonte n’orën 12. Shkuem bashkë dhe e gjetëm shtri mbi nji shezlong, me nji libër në dorë. Mbasi u përshëndetëm, ai u shtri përsëri dhe hyni menjiherë në temë. “Shoku Kin, e kam lexuar me vëmendje librin tënd të fundit.
Është shumë i bukur si letërsi, por ama bie në revizionizëm. Gjatë luftës komandanti dhe komisari, ishin në një mendje dhe jo në dy, siç thua ti. Uniteti Parti-Popull, ishte i çeliktë në atë kohë, ashtu si edhe sot. Të këshilloj ta marrësh edhe një herë në dorë, ta përpunosh ashtu siç duhet, pa kurrnjë pikë vreri revisionist”.
“Shoku Enver, populli do të kishte mbetur gjithmonë i shtypur sikur mos t’ishin mësimet e udhëheqja e Partisë. Unë e kuptoj komunizmin, si kulmin e humanizmit njerzor dhe në roman këtë ide paraqes”. Kaq kisha të të them”, – mbylli bisedën Enveri.
Duelëm jashtë dhe Ramizi më ftoi për drekë në shtëpinë e vet, që ishte aty afër. Gjetëm gruen e tij që po pregatiste sofrën. Folëm bashkë gjatë e gjatë mbi disa probleme, por ma në fund biseda përfundoi te këshillat që më kishte dhanë shoku Enver.
Mbas ngranies, Ramizi duel për me marrë nji ilaç të zakonshëm, e ndërkaq, grueja e tij, që ishte zojë e vërtetë, e kulturueme dhe dashamirëse, e bija e Aleksandër Xhuvanit, më thotë në konfidencë: “Kin, ndigjoje burrin tim ç’të thotë, se asht shumë i mendshëm, jo se asht burri im, po ta thom këtë, por kur e krahasoj me të tjerët, ky rri shum ma nalt”.
– Kurr nuk m’u mbush mendja ta ripunoj romanin sipas skemave, – më thotë Kini. – E kishem shkrue me devotshmërinë ma të madhe, për idenë që kisha për komunizmin. Problemin e kishte ngritun Fiqrete Sanxhaktari, grueja e Mehmet Shehut, që në mënyrë konfidenciale në rrethe të ngushta, thirrej edhe; “Fiqrete Sangjaktari“. Ajo e shtroi këtë çështje edhe në organizatën bazë të Partisë, ku të gjithë më mbrojtën mue. Ma vonë ajo, si sekretare e Komitetit të Partisë për Tiranën, e shtroi kritikën për romanin tim në mbledhjet e të gjitha organizatave të kryeqytetit.
Me shumicë votash fitoi ajo dhe mue m’u dha dënimi, me u përjashtue nga Partia si revizionist. Nuk shkoi shumë kohë dhe në nji ditë të fillimit të verës, ndërsa punojsha në redaksinë e revistës “Ylli“, më lajmojnë se atje poshtë, te dera, më kërkonte nji oficer. Zbrita shpejt për mos me e lanë me pritë. Kur e takova e pyeta: “Shok ç’kërkoni”? M’u përgjegj: “N’emër të popullit je i arrestuar”! “Shok, të lutem, të ngjitem lart sa të marr xhaketën që kam në zyrë”. “Mos lëviz”.
– Nga vapa e fillimit të verës, – më tregonte Kini, – xhaketën e kishem hjekë e lanë në pështetësen e karriges. Aty më mbet e nuk e dij fatin e saj, mbasi nuk e pashë ma kurr. Më shtine n’atë “Xhips”-in e Degës dhe filloi kjo historia jonë e të gjithëve.
– Kin, sot, mbas sa vjetëve burgu, – i thashë, – si të duket komunizmi?
– Pater, të nderoj shumë se je përfaqësues i kulturës oksidentale. Kisha Katolike e krijoi atë, krijoi kryeveprat e artit në arkitekturë, pikturë, skupturë e muzikë, po thuej edhe në letërsi. Megjithkta, ajo bani shumë pak për zhvillimin ose barazimin e shoqnisë njerzore, e cila mbeti e ndame ndër klasat e vjetra – mbeti pra e ndame në patricë, plebej e skllavë. Tashti ajo asht e ndame në aristokratë, borgjezë, punëtorë e fshatarë. Mendoj se vetëm komunizmi, do t’i rrafshojë këto klasa e, do të krijojë kulturën e re botnore. Ky asht besimi im.
– Kin, ky besim i yti më duket shumë naiv. Ndër këto 50-60 vjetët, realiteti ka tregue se komunizmi, asht vetëm nji demagogji e pacipë e peshkaqenve, ose e tiranosaurëve njerzor, siç i quejm. Simbas mendimit tem, komunizmi asht nji utopi e vjetër e njerzve që zhvillohet, ma shumë ndër njerz që i gjen të marrë, ndërsa po u zhvillue ndër të mendshëm e intelektualë, ajo i kthen ata në të marrë.
– Të falem nderës për komplimentin, – ma ktheu Kini. – Na jena mësue me kritikat e njerzve arkaikë e patriarkalë dhe ky asht revolucioni ynë i vërtetë dhe jo ai me armë, i zbatuem deri tash e me format shtetnore.
Këto biseda me Kinin, ishin të përhershme. Megjithse në të njajtat kondita, të dy t’uritun, të dy të zdathun, mbasi opingat na i jepshin shumë të vogla, të dy me lecka veshun, që gjysën e kohës së lire, e kalojshim tue qepë harna. Megjithkta, ishim miq aq të përzemërt, sikur t’ishim vllazën. Shpeshherë flitshim edhe për fatin e letërsisë shqiptare, në të cilën ai ishte aktiv.
– Më vjen shumë keq, – më thonte, – që talentet ma të mdhaja të kohës së sotme, ushtrojnë servilizmin profesional, vetëm për tituj e grada dhe nuk e kuptojnë se shkrimtari i kthyem në shërbëtor, nuk i vlenë ma letërsisë e artit, por vetes e padronit të vet.
Sot, kur të gjithë shkrimtarët e realizmit socialist, vetquhen “disidentë“, më vjen keq që askuj nuk i shkon ndërmend, se Kin Dushi, për romanin e vet, kishte marrë 10 vjet burg në nji kohë që kolegët e tij shkrimtarë, merrshin çmime dhe lavde, atëherë edhe sot.
Nji cilsi tjetër e Kinit, përveç humorit dhe sinqeritetit, ishte trimnia. Besoj se gjatë luftës, ai nuk kishte shkrepë asnji fyshek, se vetëm fletushka e trakte shkruente. Lavdohej se brigada e Gjin Markut, që në shtatorin e vjetit 1943, me kapitullimin e Italisë, kishte “çlirue” qytetin e Beratit.
– Kur erdhën gjermanët e u gjetën para këtij fakti të kryem, – tregonte Kini, – nuk menduem me sulmue, por kërkuen marrëveshje. U takuen me autoritetet ushtarake partizane. Ata thanë se nuk kishin ardhë me pushtue vendin, por kërkojshin rrugë të lirë, për pikat strategjike në luftën globale që kishin ndërmarrë.
Autoritetet partizane, e pranuen marrëveshjen dhe kështu gjermanët kalojshin lirisht nëpër Berat, mbasi nuk kishin rrugë tjetër, për me shkue te nji pikë vrojtimi jashtë qytetit. Shtabi i Komandës së Përgjithshme, ose ma mirë me thanë Miladini, ashtu siç nuk aprovoi “Konferencën e Mukjes”, nuk aprovoi as këtë veprim të brigadës, dhe i dha urdhën Gjin Markut, që të sulmonte gjermanët. Mbas nji beteje të shkurtë, na humbëm Beratin dhe duelëm në mal.
Këto histori të luftë më tregonte Kini, ndërsa aso kohë në kampin e të burgosunve të Ballshit, zhvillohej e ashpër “lufta e klasave”, drejtue nga komisari Kiço Gjançi. Çdo dy javë, ai organizonte mbledhje të Këshillit të Riedukimit, mbledhje në seicilën brigadë, mbledhje të të gjitha brigadave, e kështu mbledhje mbas mbledhjesh.
Në njenen prej tyne, u shtrue çashtja: “Përse ish-antarët e Partisë, të mos rehabilitohen?” U pru si shembull Kin Dushi. Përse të mos marrë pjesë në Këshillin e Riedukimit, Kin Dushi?! Rreth kësaj pyetje, folën shumë vetë. Si gjithmonë, kush thumbit e kush patkonit. Ndërkaq u çue nji njeri, që në pamje ishte gabel, e quhej Kristaq. Ishte nga fshatrat e Korçës.
– Si kërkoni që Kin Dushi të jetë anëtar i Komisionit të Riedukimit? Ky është një ultrareaksionar. Po ju tregoj se një ditë kur po shetisnim në oborr, ky i tha shokut që kishte në krah: “Kujdes, mos fol, se kemi një spiun mbrapa!”
N’atë çast Kini u çue në kambë e foli:
– Zoti komisar, un nuk rri ma në këtë mbledhje provokuese. Në rasë se keni ndërmend me na dënue për së dyti e së treti, na jena gati. Pranojmë gjithshka, në rasë se ju merrni mbi vete përgjegjësinë. Por jo të përdorni shpifsa të tillë, si këtë këtu apo poshtërsi të tjera. Dola!
Komisari Kiço Gjançi, ndërhyni tue e sigurue Kinin, se nuk do të lejoheshin ma ndër mbledhjet elementat shpifës e provokues.
Para se të lirohej, ishte tepër i preokupueshëm për jetën që nuk e shifte të kjartë.
Un përpiqesha me i dhanë zemër, tue e porositë, që të mos i linte shkrimet e se do t’i bahej nji shërbim i mirë letërsisë, sikur të përkthente novelat e bukura të Çehovit. Mbasi u lirova nga burgu, megjithse e gjeta pothuej të verbuem syshë, u gëzova se ai jetonte në gjinin e familjes së vet, ku djemt e dojshin dhe e respektojshin. Memorie.al