Nga Kastriot Dervishi
Memorie.al / Rrallë mund të ndodhë që një njeri, të flasë përveç gjuhës amtare edhe pesë gjuhë të tjera, si: anglisht, greqisht, armenisht, turqisht dhe italisht. Përveç shkollimit të lartë ushtarak, ai njihej për simpati të thellë ndaj vendit kampion të demokracisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky ishte Dino (Kostandin) Shani. Largimi i misionit amerikan nga Tirana në nëntor 1946, solli një valë të rëndë arrestimesh e goditjesh për personat që kishin pasur lidhje me këtë mision. Vizitorët e tij, ata shqiptarë që nuk kishin asnjë qëllim tjetër, veç simpatisë për Amerikën, ranë pre e një barbarie të pazakontë të xhelatëve të Sigurimit. Regjimi komunist, tregoi burracakëri të ulët me ta, teksa i masakroi, i mbajti në hetuesi, i ekzekutoi apo i burgosi gjatë. Nuk mjaftonte kjo, por bashkë me të, për të krijuar idenë e një grupi, hynë edhe persona me të cilët, ai bënte vetëm pazaret, blinte mishin, qepët, apo rrushin për konsum.
Dënimi me vdekje i Dino Shanit
Më 8.10.1946, Dino Shani merret në pyetje në Drejtorinë e Burgut Ushtarak në Tiranë. Ai prezantohej se kishte lindur në Stamboll, ishte 36 vjeç, i martuar, me arsim të plotësuar. Kishte nisur të studionte në shkollën fillore amerikane (mbaruar më 1929), Tekniken në Tiranë dhe arsimin e lartë, ushtaraken në Itali. Në kohën e Zogut, Dino Shani, kishte qenë toger në ushtri, në vitin 1937, ishte arratisur për çështje personale. Pas një qëndrimi 13 muaj në Itali, e 8 muaj në Greqi, vjen në Shqipëri më 15.3.1939, duke u përfshirë sërish në radhët e ushtrisë shqiptare. Kishte ndikuar në këtë mes fakti se babai i Dinos, Mihali, ishte rrobaqepës personal i Mbretit Zog.
Me ardhjen e regjimit fashist, Dino kishte qëndruar oficer deri më 15.9.1939, kohë kur u nxor në lirim “për arsye shëndetësore”. Në dhjetor 1940, deri në mars 1944, punoi nëpunës në Bankën Kombëtare. Deri këtu jeta e Dino Shanit, shkon normalisht. Si pro-amerikan, ai ishte thjesht një vizitor i misionit amerikan në Shqipëri. Pjesët e tjera të hetuesisë, nuk janë të botueshme, pasi Dino i ka hedhur poshtë gjatë gjykimit, si të pavërteta. Më 31.10.1946, është marrja e tij e fundit në pyetje. Më pas do vijojë një heshtje e gjatë, një izolim i papërfytyrueshëm.
Proces-verbal për Dino Shanin
Akuza e gjykimi
Vetëm më 31.3.1948, Prokuroria Ushtarake e Tiranës do të dërgonte në Gjykatën Ushtarake të Garnizonit, akt-akuzat për të pandehurit, shokë të Dino Shanit.
Gjykata Ushtarake e Tiranës, në drejtimin e kapiten I-rë Abdyl Hakiu (kryetar), kapiten II-të, Shaban Rezha dhe aspirant Thanas Hima, duke pasur pranë prokurorin, kapiten Petrit Hakanin, filloi gjykimin kundër një grupi, që ishin mbajtur gati 2 vjet në hetuesi:
- Dino (Kostandin) Shani, biri i Mihalit dhe Andromaqit, lindur në Stamboll dhe banues në Tiranë, mbaruar shkollën teknike në Tiranë, si dhe Akademinë Ushtarake në Modena, arrestuar më 27.9.1946. Në fillim të procesit tha: Për sa akuzohem, nuk janë të vërteta dhe nuk i pranoj. Proces-verbalin nuk e pranoj, se nuk e kam bërë vetë, po me zor e kam firmosur”.
Dino i ka hedhur poshtë akuzat e prokurorisë që e akuzonte “agjent amerikan”, “drejtues spiunësh”, etj. “Unë i kam simpatizuar anglo-amerikanët, por jo që të bëhesha spiun i tyre” – pohonte Shani. Ai në fund të nëntorit 1944, ka shkuar në misionin ushtarak amerikan.
Më 15 dhjetor 1944, në mision kishte njohur edhe kapiten Tomas Stefanin, të cilit me rastin e krishtlindjeve, i ka dërguar një tortë. “Unë e simpatizoja demokracinë amerikane, pasi jam rritur me atë frymë” – deklaronte Shani. Çështje të tilla, si reforma agrare, tatimet, etj., ai nuk i kishte pritur mirë.
- Fori Vardhami, i biri i Golit dhe Poliksenit, 30 vjeç, lindur në Tërbuq të Tepelenës, banues në Tiranë, marangoz, arrestuar më 29.10.1946. Mohonte çdo akuzë, duke thënë që “nuk dinte fare nga këto”, që dëgjonte.
- Xhafer Lika, i biri i Muharremit dhe Mihanes, vjeç 34, lindur në Tapizë, pemëshitës, arrestuar më 29.10.1946, deklaronte se; kishte nënshkruar procesverbale të hetuesisë, por as që dinte çfarë ishte shkruar aty.
- Shyqyri Kodra, i biri i Aliut dhe Emines, 28 vjeç, lindur e banues në Tiranë, tregtar bulmeti, arrestuar më 29.10.1946, deklaronte se; nuk i pranonte akuzat dhe nuk e njihte proces-verbalin, pasi nuk ishte bërë prej tij. Deklaronte se nuk njihte as Fultz-in e, as gjërat e tjera që shkruheshin për të.
- Telemak Dilo, i biri i Vasilit dhe Fotinës, 25 vjeç, lindur në Labovë të Tepelenës, me 6 klasë lice, arrestuar më 29.10.1946. Akuzohej se; kishte dekonspiruar edhe punën e ngarkuar nga Mbrojtja e Popullit.
- Stefan Cara, i biri i Llukanit dhe Mides, 32 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Zherë, i arsimuar për shkenca ekonomike. Babanë ia kishin vrarë gjermanët, arrestuar më 28.10.1946. Deklaroi se; nuk e pranonte akuzën. Edhe ky nxirrte hetuesinë jashtë loje, pasi nuk i pranonte të tijat deklarimet e paraqitura.
- Misto Vardhami, i biri i Golit dhe 32 vjeç, lindur në Tërbuq të Tepelenës, banues në Tiranë, marangoz, arrestuar më 29.10.1946.
Pretenca e prokurorit
“Është e nevojshme që t’ju vë në dukje jetën personale të të akuzuarit Dino Shani” niste akt-akuzën e tij, prokurori i çështjes. E kaluara normale e Dino Shanit merret në analizë sikur brenda saj, janë veprimtari shumta agjenturore. Kjo nga vitet e karrierës së tij ushtarake, në të cilat ishin përzierë edhe çështje personale e, deri te nëntori i vitit 1941, koha kur misioni ushtarak amerikan, u vendos në Tiranë, ku ishte takuar me Nick Cooky dhe Njohne Okof.
“Më dhjetor 1944, Dino Shani, shpie peshqeshin e parë në mision, një tortë me rastin e pashkëve dhe për këtë i jepet si kundra-dhuratë, një peshqesh 1.000 franga dhe një pako me cigare” – akuzonte për spiunazh prokurori. Dino, kishte shërbyer si “informator i paorganizuar” – thoshte prokurori. Pjesën më të madhe në aktakuzë, e zë Dino Shani, ndërsa tjerët akuzohen se ishin paguar prej tij për të dhënë informata.
Dënimi i shkallës së parë
Me vendimin nr. 221, datë 7.4.1948, gjykata dha dënimet si më poshtë:
- Dino Shani, me vdekje, pushkatim.
- Misto Vardhami e Telemak Dilo, me 10 vjet burg.
- Shyqyri Kodra, me 7 vjet burg.
- Xhafer Lika, me 5 vjet burg.
- Fori Vardhami dhe Stefan Cara, me 3 vjet burg.
Me përjashtim të këtyre dy të fundit, të gjithëve iu konfiskohej pasuria, si dhe humbnin të drejtat politike në kohën e dënimit.
Dino (Kostandin) Shani
Letra e fundit
Mban datën 10.4.1948.
“Nuk kam pasur asnjë dijeni për organizatën e Sami Qeribashit” – shkruante Dino, në letrën drejtuar Gjykatës së Lartë Ushtarake, në të cilën vijonte të mohonte, se kishte shërbyer si informator i amerikanëve. “Nuk kam asnjë pasuri, jam martuar dhe kam jetuar duke punuar” – pohonte Dino.
Gjykata e Lartë
Me vendimin nr.181, datë 21.4.1948, Gjykata e Lartë, e përbërë prej major Niko Cetës, kapiten I-rë Nexhat Hysenit dhe kapiten II-të, Mustafa Iljazit, duke pasur pranë prokurorin kapiten I-rë Nevzat Hazdenari, ndryshoi vendimet për Telemak Dilon, duke e dënuar me 7 vjet burg dhe për Shyqyri Kodrën e Misto Vardhamin, në 5 vjet kohë. Vendimet e tjera, i la në fuqi duke marrë formë të prerë.
Ekzekutimi i Dino Shanit
Më 27.4.1948, është kryer ekzekutimi i Dino Shanit. Në prani të komandantit të burgut, nëntoger Adem Skëndajt, të deleguarit të Sigurimit, toger Maqo Pecani dhe prokurorit ushtarak kapiten Petrit Hakanit. Memorie.al
Marre nga Gazeta 55
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016