Nga Qerim LITA dhe Halim PURELLKU
Pjesa e dytë
Memorie.al / Më 10 maj 1941, nën drejtimin e Komitetit Shqiptar në Shkup, u organizua një demonstratë e madhe anti-bullgare. Qindra demonstrues shqiptarë, me plisa të bardhë në kokë, ishin grumbulluar dhe mbanin pankarta ku shkruhej: “Shkupi i shqiptarëve”. Turmës, ju bashkëngjitën profesorët dhe nxënësit e Medresesë “Gazi Isa Beu”. Sipas informatave policore bullgare, kësaj turme i printe Bedri Hamiti. Në dallim nga zona pushtuese italiane, popullsia shqiptare në zonën pushtuese bullgare, ishte në një pozitë shumë të rëndë shoqërore, politike, ekonomike e kulturore.
Shqiptarëve këtu, jo vetëm që nuk u njiheshin të drejtat kombëtare, por as të drejtat politike e qytetare. Nga pushteti bullgar, shqiptarët trajtoheshin si element i rrezikshëm për interesat bullgare, andaj, nën pretekstin e kërkimit të armëve, forcat ushtarako-policore bullgare, ushtruan dhunë e terror, në shumë fshatra shqiptare, duke vrarë, rrahur, plaçkitur popullsinë shqiptare e cila, në pamundësi të mbrohej, ishte detyruar të tërhiqej në vende më të sigurta.
Dhuna dhe terrori bullgar ndaj popullatës së pafajshme shqiptare e, nxiti një pjesë të inteligjencës së atëhershme shqiptare të ndërmerrte masa serioze dhe konkrete, për organizimin politik të shqiptarëve, nën pushtimin bullgar. Kjo ide u shpreh në mbledhjen e mbajtur më 19 prill 1941, në lokalet e Bojali Hanit në Shkup, me pjesëmarrjen e; Shaban Jasharit nga Kumanova, Aqif Tetovës nga Gjilani, Shaip Mustafës nga Presheva, Jahja Osmani nga Kumanova, Abdulla Veliu nga Presheva, Hafëz Lutfi Ahmeti nga Presheva, Abdulla Sakipi nga Presheva (me vendbanim në Shkup) dhe Idriz Ymeri-Cërcëri, nga Tetova.
Sipas burimeve sekrete jugosllave, rezulton se në atë mbledhje, u themelua Komiteti Shqiptar, me emrin “Lëvizja për Çlirim dhe Bashkim”, i cili do të angazhohej që trevat shqiptare të Shkupit, Kumanovës dhe Preshevës, t’i bashkëngjiteshin Shqipërisë.
BALLKANI GJATË LUFTËS II-të BOTËRORE
Kur Komiteti i Shkupit po zhvillonte aktivitete të dendura politike, midis popullsisë shqiptare që gjendej nën pushtimin bullgar, në Tetovë hyri ushtria italiane. Kjo do të thoshte se ky qytet tashmë, do t’i bashkëngjitej Shqipërisë, prandaj popullsia shqiptare e Pollogut, nën udhëheqjen e Shaip Kamberit, Xhafer Sulejmanit, Idriz Cërcërit etj., i bëri një pritje madhështore ushtrisë italiane dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët ishin dërguar nga Tirana që, së bashku me inteligjencën vendore, të organizonin administratën shqiptare në Bashkinë e këtij qyteti.
Vendosja e administratës shqiptare në Tetovë, i entuziazmoi edhe më shumë krerët e Lëvizjes. Tashmë ajo u përhap në mbarë hapësirën shqiptare, jashtë Shqipërisë politike dhe zhvilloi një aktivitet të dendur. Veçanërisht ky aktivitet, u vërejt në rajonet shqiptare, nën pushtimin bullgar.
Në fshatrat e Karadakut, Dervenit, Karshijakës, Kaçanikut etj., madje edhe në qytetet e këtyre krahinave, si; Shkup, Kumanovë, Preshevë, Gjilan, Kaçanik etj., shqiptarët, në mënyrë masive, i hoqën fesat dhe kësulat e zeza, duke i zëvendësuar ato me plisat e bardhë. Krerët shqiptarë, të shpërndarë nëpër të gjitha ato krahina, kërkuan një unitet dhe vendosmëri, sepse “vetëm në këtë mënyrë mund të arrihej deri te bashkimi mbarëkombëtarë”.
Ky aktivitet, u vërejt edhe nga policia bullgare, e cila njoftonte se: “..individë të përkatësisë nacionale shqiptare, të furnizuar me fletushka të hapura, kanë vizituar qytetet më të mëdha në Maqedoni, për të zhvilluar propagandë, gjatë së cilës merrnin me vete plisa të bardhë, të cilët i shpërndanin në mesin e popullatës myslimane në qytetin e Shkupit dhe nëpër qytetet tjera më të mëdha, me qëllim që, të paraqitet gjendja para pushtetarëve gjermanë, se elementi dominues në ato qytete, janë shqiptarët”!
Më 10 maj 1941, nën drejtimin e Komitetit Shqiptar, në Shkup u organizua një demonstratë e madhe anti-bullgare. Qindra demonstrues shqiptarë, me plisa të bardhë në kokë, ishin grumbulluar dhe mbanin pankarta, ku shkruhej: “Shkupi i shqiptarëve”. Turmës, ju bashkëngjitën profesorët dhe nxënësit e Medresesë “Gazi Isa Beu”. Sipas informatave policore bullgare, kësaj turme i printe Bedri Hamiti. Demonstruesit nga “Bojali Hani”, parakaluan nëpër Çarshinë e vjetër të Shkupit, para komandës ushtarake bullgare, Shtabit të Përgjithshëm gjerman dhe konsullatës italiane.
Menjëherë pas këtyre manifestimeve, autoritetet bullgare fajësuan konsullatën italiane në Shkup, se ajo; “qëndronte pas këtij organizimi”. Gjithashtu theksohej se, “nga hulumtimet e deritanishme, lidhur me propagandën dhe kundër zbulimin italian në qytet, është vërtetuar se më së shumti veprojnë: Hamit Kokolari – konsull për popullatën shqiptare, i cili mban lidhje të shumta në mesin e shqiptarëve dhe Aldo Mortani – përkthyes pranë konsullatës, i cili është i lindur në Shkup dhe mban lidhje me të gjitha shtresat e shoqërisë”. Këta të dy, vazhdonte njoftimi i policisë bullgare; “e zbatojnë propagandën italiane në mesin e popullatës lokale shqiptare, por ata propagandojnë edhe në një pjesë tjetër të popullsisë”.
Autoritetet bullgare, ishin të shqetësuar veçanërisht nga që qyteti i Shkupit, u mbush me plisa të bardhë, me çka përfundimisht, demaskohej e tërë propaganda bullgare, se gjoja; “shqiptarët në këtë qytet, ishin një minoritet i parëndësishëm”, dhe se shumica e popullatës myslimane; “ishin të përkatësisë nacionale turke”!
Autoritetet policore e ushtarake bullgare, menjëherë pas këtyre demonstratave, ndërmorën një aksion brutal e të dhunshëm kundër popullsisë shqiptare. Dhunën dhe terrorin bullgar ndaj shqiptarëve të pambrojtur, e përshkruante anëtari i Komitetit të Kosovës, Ramadan Presheva, i cili më 20 maj 1941, në mënyrë të hollësishme, njoftoi Komisariatin e Naltë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë. Pas reagimit të ashpër të Qeverisë Shqiptare, tek autoritetet italiane, kjo dhunë u ndërpre përkohësisht, për të vazhduar sërish, gjatë viteve 1942-1943.
Në fillim të vitit 1942, autoritetet lokale bullgare në rajonin e gjerë të Preshevës, rifilluan sërish terrorin ndaj popullsisë civile shqiptare, si brenda në qytet, ashtu edhe nëpër fshatra. Ky terror zbatohej, si nga forcat policore bullgare, ashtu dhe nga çetat sllave që vepronin në këtë zonë, me synimin që të detyroheshin shqiptarët të shpërnguleshin, pasi ata përbënin mbi 70% të popullsisë së përgjithshme, të komunës.
SHTRIRJA E LIDHJES II TË PRIZRENIT NË TREVAT LINDORE
Disa ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste (8 shtator 1943), në Prizren, më 16-21 shtator 1943, u themelua “Lidhja II e Prizrenit”, në të cilën delegatë nga viset e Shqipërisë Lindore, ishin: Mentor Çoku nga Struga, Rustem Imeri dhe Shahin Cami nga Dibra, Ahmet Lusha, Jusuf Jahja nga Tetova, Remzi Ragipi dhe Kadri Saliu nga Gostivari, Shefqet Shkupi dhe Haxhi Xheladini nga Shkupi.
Ndër vendimet më të rëndësishme të Kongresit, ishin: “Kërkesa për bashkim të përhershëm dhe të pazgjidhshëm të të gjitha krahinave të banueme qysh prej mija vjetësh, prej popullsisë shqiptare; Zani i përgjithshëm i të gjithë delegatëve nalëson vullnetin e mbarë popullatës së këtyne krahinave, që zë vendin e një plebishiti popullor për këtë bashkim. Prandaj kërkojmë shpalljen botnisht të këtij vullneti të shenjtë të banorëve të Kosovës, Dibrës dhe Strugës, me Shqipninë; formimi i Komitetit Qendror me seli në Prizren.
Komiteti Qendror të hapë degët e saj në të gjitha prefekturat, nënprefekturat dhe komunat të krahinave të Kosovës, Dibrës dhe Strugës, të cilët do të marrin përsipër organizimin ushtarak e politik të Kosovës; mbledhjen e të gjitha dokumenteve historike, politike dhe diplomatike, që forcojnë qenien shqiptare të Tokave të Lirueme, ashtu dhe ngjarjet dhe vuajtjet e pafund të banorëve të ktyne viseve, në kohën e sundimit jugosllav, si dokument në rast e një paqeje të ardhme….etj.”.
Ndërkohë që në Prizren zhvillonte punimet Kongresi i “Lidhjes II-të të Prizrenit”, me iniciativë të Kadri Saliut dhe Shuaip Kamberit, u thirrën në Gostivar krerët nacionaliste shqiptarë, për t’u njohur me vendimet e marra në Kuvendin Kombëtar, mbajtur në Tiranë, si dhe për themelimin e “Lidhjes II-të të Prizrenit”. Pjesëmarrës në këtë takim, ishin krerët intelektualë dhe nacionalistë të këtyre viseve si: Xhemë Gostivari, Aqif Reçani, Xhevat Kallajxhiu, Shuaip Kamberi, Kadri Saliu, Xhafer Sulejman Tetova, Mefail Zajazi, Gajur bej Deralla, si dhe krerët e Lumës; Muharrem Bajraktari, Osman Lita, Zyber Lita. etj.
Në mbledhje, veç tjerash, u vendos që Gajur Derralla, të themelonte batalionin shqiptar në Tetovë, i cili do të konsiderohej si njësi e rregullt e Ushtrisë së Qeverisë Shqiptare. Nuk vonoi shumë dhe Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, emëroi Gajur Derrallën, komandant të Batalionit të Tetovës, ndërsa zëvendës të tij, u emëruan Arif Dragomanci dhe Memish Bukoviqi, të cilët njëkohësisht, ishin edhe komandantë të çetave. Përveç batalionit, u themelua edhe Komiteti i Qarkut të “Lidhjes II-të të Prizrenit”, me qendër në Tetovë, si dhe komitetet e rretheve: Gostivar, Kërçovë, Dibër dhe Strugë.
Në një dokument të UDB-së maqedonase, përshkruheshin gjerësisht planet dhe qëllimet e komiteteve dhe të batalionit. Sipas saj: “Komitetet dhe batalioni, do të veprojnë jashtë sistemit shtetëror, ata do të kryejnë veprimtari sipas dëshirës dhe vullnetit të popullit në shumicë shqiptar nga këto vise, për ruajtjen e integritetit të Shqipërisë dhe do t’u kundërvihen vendimeve të konferencave të Jaltës, Moskës etj., në të cilat Jugosllavisë, i garantoheshin kufijtë e mëparshme”.
Përveç batalionit të më sipërm, në këto troje u themeluan edhe njësi ushtarake vullnetare shqiptare, që njiheshin si “forca kreshnike”. Komandant i përgjithshëm i këtyre forcave, ishte ushtaraku dhe atdhetari i njohur shqiptar Xhemë Gostivari, ndërsa zëvendës i tij, ishte Mefail Zajazi. Më vonë, pas kapitullimit të Bullgarisë, këto forca u shtrinë edhe në regjionin e gjerë të Dervenit të Shkupit, si dhe në fushëgropën e Kumanovës, dhe komandoheshin nga Sulë Hotla dhe dy zëvendësit e tij: Abdyl Durra dhe Memish Bukoviqi.
KOMITETI “BASHKIMI DIBRAN” DHE ZHVILLIMET POLITIKO-USHTARAKE NË DIBËR, KORRIK-NËNTOR 1943
Në pranverë të vitit 1943, krerët nacionalistë shqiptarë që vepronin në krahinën e Dibrës e të Lumës, mbajtën disa takime të fshehta, të cilat kishin për qëllim, krijimin e një Lëvizje atdhetare, që do të merrte për sipër organizimin e një kryengritje të përgjithshme antifashiste në trevat shqiptare.
Lidhur me këto lëvizje, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shqiptare, me 1 gusht 1943, njoftonte Ministrin e Punëve të Brendshëm se: “Kohët e fundit, asht krijue një bashkim interesash, në mes të Cen Elezit, Muharrem Bajraktarit, Myftar Kaloshit, Ali Maliqit e të Këshillatarit Epruer, Fiqiri Dine, me qëllim që me çue brenda një kohe të shkurtë popullsinë, kundër gjendjes së tashme”.
Më tej thuhej se; ata janë marrë vesh që kjo aleancë të shtrihet edhe në qendrat e tjera, për çka: “dy të parët duhet të mësyjnë Prizrenin, tre të tjerët Dibrën e Peshkopinë”. Krerët e kësaj lëvizjeje, i bënë thirrje edhe udhëheqjes së qarkorit të PKSH-së të Dibrës, që t’i bashkëngjiten këtij grupimi, për një veprim të koordinuar, mirëpo ajo refuzoi, duke deklaruar se do të vepronte; “vetëm si mbas instruksioneve që do t’i jepeshin prej qendrës së saj”. Megjithëkëtë, nacionalistët dibranë organizuan disa takime, me Haxhi dhe Aqif Lleshin, në Maqellarë dhe në Homesh, por pa asnjë rezultat.
Përkundrazi, Ministria e Brendshme konstatonte se; “Shifet një ashpërim marrëdhëniesh ndërmjet Partisë Nacionaliste dhe asaj Komuniste”, duke shtuar se; “qëllimi i Partisë Nacionaliste, asht të punojë në qetësi dhe të përgatitet që në nji eventualitet zbarkimi, të fuqive anglo-amerikane në Ballkan, të fillojë veprimin e saj përkundër fuqive të Boshtit. Deri në atë kohë, që ata shpresojnë të jetë e afërt, të pregatisi popullin moralisht dhe materialisht, për luftimin”.
Si rrjedhojë, u formua Komiteti “Bashkimi Dibran”, me kryetar Hysni Demën. Ndër krerët e tjerë, më të njohur që iu bashkuan komitetit, ishin: Fiqiri Dine, Riza Drini, Miftar Kaloshi, Halil Alia, Ali Maliqi, Fik Maliqi, Ukë Cami, Cen Elezi, etj. Komiteti, siç edhe u emërtua, synonte bashkimin e mbarë drejtuesve shqiptarë në krahinën e Dibrës, pa marrë parasysh ideologjinë e tyre. Nisur nga kjo, drejtuesit e komitetit, mbajtën disa takime të tjera edhe me Aqif dhe Haxhi Lleshin dhe, si rezultat, me 2 gusht 1943 u formua Shtabi i përbashkët midis Komitetit “Bashkimi Dibran” dhe aradheve partizane, që vepronin në Dibër.
Për formimin e Shtabit të përbashkët, Sotir Vullkani në raportin e tij, dërguar Shtabit të Përgjithshëm të LNÇSH-së, shprehej: “Para se të merrej Zerqani, arritëm në nji marrëveshje me parinë, ku u formua nji lloj shtabi, me qëllim që të bashkëpunojmë në luftë kundër okupatorit. Shtabi përbëhej prej; Fiqiri Dines, Hysni Demës dhe Esat Ndreut”.
Ky shtab, qysh në fillim hasi në mosmarrëveshje. Krahu nacionalist “Bashkimi Dibran”, kërkonte që forcat e bashkuara shqiptare, të shpallnin zonë të lirë tërë krahinën e Dibrës, përfshi këtu edhe Dibrën e Madhe dhe Peshkopinë, ndërsa Esat Ndreu, i cili përfaqësonte Frontin Nacionalçlirimtar, kërkonte që zonë e lire, të shpallej Peshkopia dhe krahinat përreth saj, pa e përfshirë Dibrën e Madhe.
Me këmbënguljen e nacionalistëve, forcat partizane (që në atë kohë ishin disa herë më të pakta në numër se ato nacionaliste), u detyruan të marrin pjesë në çlirimin e Dibrës (8 shtator 1943). Sotir Vullkani, në raportin e lartpërmendur theksonte: “Neve, me qëllim që të futeshim n’aksion kundër okupatorit, pranuem t’i biem edhe Dibrës, me gjithë që ende, nuk ish bamë punë e organizueme ndër vendet e tjera, që lenim mbrapa”.
Menjëherë pas çlirimit të qytetit të Dibrës, u vendos pushteti shqiptar që përbëhej prej dy krahëve, atij nacionalist dhe komunist. Kjo politikë ishte e papranueshme për komunistët jugosllavë, prandaj Tempo, me 1 tetor 1943, i dërgoi një letër Haxhi Lleshit, ku kërkonte prej tij: “Të ndërmarrë masa të rrepta ndaj reaksionit shqiptaro-madh”, për shkak se sipas tij: “ky reaksion në Dibër, reflektohet edhe në Kërçovë”.
Ai i sugjeronte mikut të tij që, mundësisht, të shkaktonte “përçarje mes tyre, duke përfituar (duke bërë për vete), ndonjë prej tyre, gjithnjë duke pas parasysh që menjëherë, të nisë propaganda për etiketimin e të tjerëve”. Tempo, kërkonte që Haxhi Lleshi, të krijonte në Dibër një “batalion të ri dibran, me ushtarë të përzier shqiptaro-maqedonas, ku, krahas flamurit shqiptar, të valojë edhe ai jugosllav”. E gjithë kjo, duhej të bëhej në frymën e “vëllazërim -bashkimit”.
Tempo, saktësonte se; “pushteti i ri që do të vendoset, të jetë kryekëput pushtet komunist, batalioni të udhëhiqet prej sllavo-maqedonasve dhe shqiptarëve vendas”, si dhe, të zbatonte me përpikëri, marrëveshjen e nënshkruar mes Shtabit të Përgjithshëm të Luftës Nacional-Çlirimtare Shqiptare dhe atij të Luftës Nacional-Çlirimtare të Maqedonisë, sipas së cilës: “të gjitha territoret shqiptare, që ishin bashkuar me Shqipërinë nga viti 1941, llogariteshin si territore maqedonase”, prandaj në ato territore, duhej të vendosej pushteti maqedonas.
TAKIMI ME CEN ELEZIN, XHETAN E BESHIR NDREUN
Në përputhje me kërkesën e Tempos, Haxhi Lleshi, organizoi një takim të fshehtë me krerët e familjes Ndreu, përkatësisht me Cen Elezin, Xhetan e Beshir Ndreun, të cilëve u kërkoi ta braktisnin Komitetin “Bashkimi Dibran” dhe t’u bashkoheshin forcave të Frontit Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë.
Njëkohësisht, Haxhi Lleshi i kërkoi Cen Elezit, që xhandarmëria të shkrihej në “Ushtrinë Nacionalçlirimtare” ose, me “bandat e tij e të shokëve” dhe të angazhoheshin të gjitha forcat për luftë, duke bashkëpunuar ngushtë me forcat fqinje të Luftës Nacional-Çlirimtare të Maqedonisë, ndërsa zgjidhja e çështjes së kufijve, t’i lihej: “Kartës së Atlantikut dhe Traktatit të Londrës”.
Takimi u mbyll, pa ndonjë përfundim. Cen Elezit ju la 24 orë kohë, që të këshillohej me shokët e Komitetit. Të nesërmen, Cen Elezi, pohoi se do të hynte në luftë, posa të dorëzoheshin depot, nuk pranoi shpërndarjen e karabinierëve, madje kërkoi shtimin e sigurisë dhe paralajmëroi se; do të tërhiqte forcat e veta. Po kështu, Xhetan Ndreu, që ishte i pranishëm në takim, deklaroi se; “nuk dëshironte të bëhej komunist” dhe se “nuk don të jetë shkaktar i vëllavrasjes”.
Ndryshe nga Ceni, politikës përçarëse të iniciuar nga Haxhi Lleshi, iu bashkuan disa krerë, si; Faik Shehu, Hilmi Karahasani, Xhevdet Kumbaraxhia, Ali Ndreu, si dhe të gjithë Lleshët. Krerët nacionalistë, për t’iu shmangur vëllavrasjes, i tërhoqën forcat e tyre nga Dibra e Madhe.
Kështu ky qytet ra në duart e komunistëve maqedonas. Por sikur kjo të mos mjaftonte, Tempo, urdhëroi që një njësi partizane shqiptare, të udhëtonte për në Kërçovë, për të ndihmuar marrjen e këtij qyteti, nga ana e Shtabit të LNÇM-së. Në raportin e Sotir Vullkanit, dërguar Shtabit të Përgjithshëm, thuhej se; për në Kërçovë, ishin dërguar 200 partizanë, nën komandën e Esat Ndreut.
Kjo forcë hasi në rezistencë të madhe nga forcat vullnetare shqiptare të komanduara nga Xhemë Gostivari dhe u detyrua të kthehej në Dibër, me humbje të mëdha. Sipas, Vullkanit, Xhemë Gostivari, kishte mobilizuar më se 700 vetë, të armatosur po thuajse të gjithë me armë automatike gjermane dhe se Xhemës, i kishte ardhur në ndihmë Muharem Bajraktari, Selim Noka, Zenel Kotarja dhe Hamza Rexhepi. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Marrë nga koha.mk