Nga Dashnor Kaloçi
-Relacioni sekret / “Megjithatë masat tona në Radio-Televizion dhe shokëve të Postë Telegrafës, nuk u arrit lidhja me Italinë, dhe Sandro Çoti u nervozua, krijoj idenë se kjo bëhet me qëllim nga pala shqiptare, duke thënë: ‘Difekte të tilla, kemi zakonisht në vendet e Lindjes”!-
Memorie.al / Që nga dhjetori i vitit 1944, e deri aty nga fundi i vitit 1991, pra, për më shumë se katër dekada e gjysëm, për të të gjithë shtetasit e huaj që vinin në Shqipëri, për arsye pune apo me shërbime të ndryshme, si dhe për vizita private, do t’u caktohej nga një, apo dy persona shoqërues (në varësi të atyre që do vinin), të cilët, do të bënin shoqërimin e tyre, për gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tyre në Shqipëri, madje, duke i pritur “miqtë e huaj”, që nga momenti i ardhjes së tyre në aeroportin e vetëm të Rinasit, apo dhe në Pikat e Kalimit Kufitar, si; Hani i Hotit, Morinë, Qafë-Thanë, Tushemisht, Kapshticë, e Kakavijë.
Të gjithë personat që caktoheshin si shoqërues të shtetasve të huaj apo dhe të atyre me kombësi shqiptare, (që vinin tek të afërmit e tyre), pa asnjë përjashtim, ishin të detyruar që të bënin nga një raport-informacion me shkrim, ku të shënonin, jo vetëm lëvizjet që kishin bërë me personat e huaj, por edhe bisedat që kishin bërë me ta, mendimet dhe komentet e tyre për vendin tonë, si dhe takimet që kishin pasur me persona të ndryshëm, etj., etj. Të gjitha këto, ishin të detyrueshme për t’u shënuar në raport-informacion, por ato, edhe mund të zgjeroheshin, në varësi të detyrave dhe udhëzimeve që u jepnin personat që i caktonin këta shoqërues, ku kryesisht ishin personat dhe funksionarët e Sigurimit të Shtetit, të cilëve edhe u dorëzohej në fund, raport-informacioni në fjalë.
Këtij rregulli, pra shoqërimit dhe raport-informacionit, nuk mund t’i shpëtonte dot, as legjenda e mikrofonit sportiv të RAI-t, komentatori i njohur i futbollit, Sandro Çoti, (i njohur edhe për zërin e tij karakteristik, jo vetëm në gadishullin Apenin, por edhe më gjerë në mbarë kontinentin europian), i cili, në mesin e muajt mars të vitit 1984, së bashku me një kolegun e tij, (gazetarin Encio Luci), si dhe një grup tjetër të madh gazetarësh, erdhën në Tiranë, për të transmetuar ndeshjen, midis ekipeve “Shpresa” të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe asaj të Italisë.
Dhe ashtu siç ishte rregulli, personit që ishin caktuar për pritjen, shoqërimin dhe përcjelljen e tij (në rastin konkret, nga Radio-Televizioni Shqiptar), zbatuan detyrën e dhënë nga personat kompetent, duke përpiluar raport-informacionin, që ju kërkohej. Po çfarë shkruhej në atë raport-informacion për emrin dhe famën e Sandro Çotit dhe kolegut të tij, Encio Lucio, cilat ishin vizitat që ata kryen në vendin tonë, çfarë bisedash zhvilluan ata me shoqëruesit dhe persona të tjerë, si e kryen ata detyrën për të cilën kishin ardhur, cilat ishin mendimet dhe komentet e tyre për Shqipërinë Socialiste, udhëheqjen e saj, ekonominë e vendit, jetën e shqiptarëve, kulturën, sportin shqiptar, etj., etj.
Për të gjitha këto, etj., rreth vizitës disa ditore të legjendës së mikrofonit sportiv italian në Shqipëri, në fillimin e pranverës së vitit 1984, i cili transmetoi ndeshjen e futbollit midis ekipeve përfaqësuese “Shpresa” të Shqipërisë dhe Italisë, (që u zhvillua në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” të kryeqytetit dhe përfundoi në barazim 0 me 0), na njeh raport-informacioni në fjalë, të cilin e kemi nxjerrë nga një dosje voluminoze që ndodhet në institucionin e Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, e cila publikohet për herë të parë dhe ekskluzivisht nga Memorie. al.
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E PËRPILUAR NGA SHOQËRUESIT E DY KOMENTATORËVE TË NJOHUR SPORTIV ITALIAN, TË RAI 1, SANDRO ÇOTI DHE ENCIO LUCIO, TË CILËT ERDHËN NË SHQIPËRI NË MARSIN E VITIT 1984, PËR TË TRANSMETUAR NDESHJEN E FUTBOLLIT MIDIS EKIPEVE PËRFAQËSUESE SHPRESA TË SHQIPËRISË DHE ITALISË
R E L A C I O N
MBI QËNDRIMIN NË SHQIPËRI TË DY KOMENTATORËVE SPORTIV TË RAI-t TË ARDHUR ME RASTIN E NDESHJES SHQIPËRI-ITALI (“Shpresat”)
Që nga data 12 mars 1984 e deri më datën 14 mars 1984, shoqëruam dy gazetarët e Radio-Televizionit Italian, Sandro Çoti dhe Encio Luci, që erdhën për trasmetimin e ndeshjes Itali-Shqipëri, (“Shpresat”) së bashku me një grup gazetarësh, korrespodentë të ndryshëm të gazetave italiane, që shoqëronin skuadrën.
Pritjen e parë e bëmë në Rinas, menjëherë pas mbërritjes, Sandro Çoti, është një nga komentatorët më të njohur sportive të RAI-t, 56 vjeç, mbi 25 vite që punon në radio (siç tha vetë), gjithashtu edhe si bërës i fjalëve të këngëve dhe kritik kinematografik.
Siç vumë re, për të kishte një respekt të veçantë nga gazetarët, veçanërisht nga kolegu i tij. Kishte qenë futbollist. Prezantimi i tij i pare, ishte me fjalët: “Kam luajtur për dy vjet me një shqiptar, Llustrën, të cilin e kam takuar para dy muajsh. Njoh edhe Kryeziun (që tani ka një lavanderi në Romë), edhe Boriçin kur studionte për Medicinë në Itali. Llustra dhe Kryeziu, duken akoma shumë të rinj”. Kërkoi të blinte kartolina, por ju dukën shtrenjtë.
Encio Luci, gjithashtu ishte një komentator i vjetër sportiv i RAI-t. Pyetjet e tij të para, ishin për skuadrën tonë të futbollit, zhvillimin e futbollit te ne, kampionatin etj. I pyetëm nëse kishte ardhur dhe ndonjë grup i TV për ndeshjen, të dy u treguan fillimisht, sikur s’dinin gjë, (“ne jemi për Radion, TV nuk lidhet me ne”), pastaj thanë se TV Italian, s’ka dërguar njeri dhe Çoti shtoi dy herë: “Kjo është e çuditshme, e çuditshme, vërtetë”.)
Ju thamë se jemi përfaqësues të Radio-Televizionit Shqiptar, për t’i ndihmuar dhe për t’u plotësuar të gjitha kërkesat që kishin për mbarëvajtjen e punës së tyre dhe kryerjen e detyrës si komentatorë sportivë. Na falënderuan dhe parashtruan mënyrën se si do të trasmetonin, kërkesat teknike që kishin, mjetet që ju duheshin, si mikrofona, negra për intervistat dhe lidhjet e dyfishta me njëri-tjetrin, direkt gjatë transmetimit, etj.
Përsa i përket kohës së transmetimit, kuptuam se që të dy, nuk e dinin me siguri se sa do të trasmetonin, (“ndoshta gjithë ndeshjen”, tha Çoti) dhe nuk e dinin se me cilin kanal (RAI 1-2). Këto, më pas i sqaruan, duke thënë se, do të lidheshin direkt, sapo të mbaronte pjesa e parë, do të trasmetonin të gjithë pjesën e dytë dhe do të vazhdonin edhe 15 minuta pas saj, me komente të ndryshme.
Morëm masat përkatëse dhe plotësuam të gjitha kërkesat e tyre. Gjatë dy ditëve të qëndrimit, ata nuk ndoqën programin e vizitave, siç veproi grupi tjetër i gazetarëve, nuk shkuan në Krujë, në koncert, etj.
Çoti paraditeve, rrinte në hotel (nuk erdhi as në stadium, në stërvitjen e ekipit të tij, nuk u interesua, as për kushtet e transmetimit. Luci, në përgjithësi, ndiqte ato që bënte Çoti, edhe kur kishte ndonjë dëshirë, kur ishte rasti për të shkuar me grupin në Krujë, iu bind kolegut të tij dhe nuk shkoi.
Gjatë takimeve të shkurtra që patëm, treguan interes për Shqipërinë, pyetën për çmimet, për rrogat, për ndarjen e biletave në stadium, kërkuan material për Shqipërinë, veçanërisht, fjalën e shokut Enver para zgjedhësve. Ua dhamë në gjuhën italiane, u dhamë gjithashtu edhe mjaft materiale të tjera propagandistike, që i morën me dëshirë.
Ditën e ndeshjes, shtruam një drekë për nder të tyre. Gjatë drekës, u biseduan probleme të ndryshme, atyre më tepër u interesonin çështjet e sportit. Nga ç’kishin dëgjuar dhe ç’ju kishin thënë, iu kish bërë përshtypje vendi ynë, (“nuk e njihnim, kështu siç e pamë”, tha Çoti), mungesa e taksave, qiratë tepër të ulta, siguria dhe qetësia e njerëzve.
Pyetën; a shet sportistë dhe futbollistë Shqipëria? Pse nuk shet?! Ua shpjeguam, gjerë e gjatë këtë problem dhe Çoti përkrahu mendimin tonë, ndërsa Luçi, jo. Ju kishte bërë përshtypje të keqe dhe ironizuan me faktin që, gazetarët italianë, i blenë biletat e hyrjes në stadium.
Pas drekës në stadium, para fillimit të ndeshjes, Çoti shprehu këto mendime: “Kemi përshtypje jashtëzakonisht shumë të mirë, sidomos nga mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me gazetarët e RTSH-së. Ata na ndihmuan mjaft në punën tonë dhe ju jemi shumë mirënjohës. Që Shqipëria është e bukur, e dimë nga librat që kemi lexuar, apo nga dokumentarët që kemi parë mbi Shqipërinë në Itali, vitet e fundit.
Shqipëria, është një shtet që ka rilindur në shumë aspekte. Mundësinë që na u dha për të vizituar, e konsiderojmë një rast të madh, edhe nga pikëpamja humane, (jo profesionale). Mendojmë dhe shpresojmë se, do të kemi shpejt rastin, për t’u kthyer edhe njëherë në këtë vend, me skuadrën e të rriturve”.
Ndërsa Luçi, u tregua më i përmbajtur në deklarata. Ai kishte idenë se në Shqipëri, shumica e njerëzve, dinin italisht. “Me siguri se për kampionatin botëror, këtu është bërë “tifo” për Italinë, tha. Ia shpjeguam, se te ne, pëlqehet futbolli i bukur, tifo, bëhet vetëm për Shqipërinë, dhe nuk është i vërtetë mendimi i tij, pasi skuadrat pëlqehen, jo sipas shteteve, por sipas lojës që bëjnë, nga një ndeshje, apo një tjetër.
Gjatë ndeshjes, lidhja nuk u bë sipas parashikimit të tyre. Megjithatë masat tona dhe shokëve të Postë Telegrafës, pala italiane nuk u përgjigj në kohë dhe Sandro Çoti u nervozua, krijoj idenë se kjo bëhet me qëllim nga pala shqiptare (“defekte të tilla, kemi zakonisht në vendet e Lindjes”, u shpreh ai).
I shpjeguam se zëri i tij shkon në Itali, por ata s’përgjigjen, i ndërruam mikrofonin, i provuam se lidhjet tona ishin në rregull, por ai s’bindej. “Me sa duket, kemi ardhur për turizëm”-tha. Ishim të bindur, se mungonte gatishmëria e tyre, pasi RAI, ndërkohë, jepte emisione të programuara.
Më në fund, pesë minuta para mbarimit të ndeshjes, u vendos lidhja. Nga sa dëgjuam nëpërmjet kufjeve, Çoti e komentoi mirë ndeshjen, foli me simpati për skuadrën tonë, dhe vazhdoi komentet edhe pas mbarimit të ndeshjes, për 15-20 minuta të tjera, së bashku me kolegun e tij, që intervistonte gazetarët italianë në tribunë.
Komentin direkt, e mbylli me lavdërimin e publikut (korrekt dhe shumë kompetent), falenderim për kolegët shqiptarë, për pritjen e ngrohtë që iu bë dhe ndihmën që i dhanë, dhe u kërkoi të falur dëgjuesve, duke thënë se lidhja me vonesë, erdhi si rezultat i defekteve që ndodhin në linjat ndërkombëtare.
Pastaj, ai dhe Luçi dhanë katër komente të shkurtra, që u regjistruan në Romë, për emisionet e lajmeve (RAI-1, ora 19.00, ora 7.00, ora 8.00, e të nesërmes dhe RAI-2, ora 19 e 30). Fjalët e tyre, ishin pozitive.
Sqaruam më pas, çështjen e defektit të ndodhur. Sekretarja e redaksisë sportive në Romë, nëpërmjet linjës telefonike, tha që gabimin e ka Tirana. Por më pas në telefon, doli një teknik i RAI-t, i cili, ua shpjegoi qartë dy konsumatorëve, se faji për lidhjen me vonesë, ishte nga pala italiane, pasi siç tha ai; “Bari, sinjalin e ardhur nga Tirana, ia përcolli Milanos dhe jo Romës, kishte një keqkuptim, midis tyre”. Çoti kërkoi të falur.
U ndamë në Rinas, duke na falenderuar edhe njëherë për pritjen. Memorie.al
Tiranë, më 15.3.1984
Shoqëruesit (………)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016