Nga Mehmet Musa
Pjesa e dytë
-Pranvera e vitit 1981, ishte një bombë atomike kundër Jugosllavisë dhe ”Bashkim–vëllazërimit!” –
Memorie.al / Po i referohemi një gazete kroate ‘VUS’, të vitit 1981, atje shkruhet se vetëm gjykata e qarkut në Pejë me gjyqtarin Ukë Muçaj dhe gjykata e qarkut në Prishtinë, me gjygjtarin Ymer Osaj, ka gjykuar në bazë te neneve 131, 133 për një vit, aq të pandehur, sa që e tërë Kroacia nuk ka gjykuar për 10 vjet! Atdheu ynë u shkretua, aktivistët më të zot dhe më të zellshëm u torturuan, u rrahën skajshmërisht nga hetuesit shqiptarë dhe u prangosën. Por megjithatë, lufta eci përpara e për këtë, kanë meritë të fuqishme e të madhe, Jusuf Gërvalla me shokët e tij, që punonin dhe vepronin me emigracionin jashtë Atdheut si dhe qeveria e Tiranës, që vazhdimisht, me të gjitha mjetet, përkrahte rininë revolucionare të Kosovës, para, gjatë dhe pas vitit 1981.
Vijon nga numri i kaluar
Atë botë nuk e kam menduar siç e mendoj sot, që ta pyes vetën time, mos ishte më mirë që të kontaktonte me vëllezërit Gërvalla, për çështjen e atdheut, Jusuf Buxhovi, që ishte në Bonn përfaqësues i Tanjug-ut, dhe, që ishte më i përgatitur 1000 herë më tepër se unë, apo të tjerët nënshkrues të Zeburit me 23.12.1989, se sa unë?
Nga Stuttgardi, u nisa për Mynih te baba Musë, për të pushuar dhe shëtitur nëpër Mynih. Në konviktin ku banonte baba, ishte një mizëri e vërtetë. Në një dhomë me tre kravate dykatësh, jetonin 6 persona, kishte një tavolinë ku haje buka. Ushqimin e përgatisnin në korridor, secili kishte nga një frigorifer të gjetur në rrugë. Kishte gjashtë karrige druri, në mes dhe asgjë tjetër. Këtë formë jetese, e kishin zgjedhur që të gjashtë, dy nga Isniqi, dy nga Jasiqi, një nga Poqesta e, një nga Koznica.
Mysafirët që vinin për të bujtur, duheshin të sistemoheshin në dhoma të italianëve ose kroatëve, që ishin nga dy në dhoma, por që kishin nga gjashtë kravate, njërin mbi tjetrin. Telefoni që ishte në korridor, shërbente për punëtorët, nëse i thërriste dikush nga të afërmit, por ishte i bllokuar, për të bërë thirrje nga brenda jashtë.
Një natë, pasi që erdh baba nga puna, ra zilja e telefonit, të cilin e ngrinte personi që ishte me afër tij. Një kroat që e ngriti telefonin, thërriti; Musa në telefon. Babai që foli me dikë, më thërriti. Ishte Bardhoshi. Pasi më pyeti se si po i kaloja këto ditë në Mynih, me njoftoi se kishin të dhëna se të shtunën, do të vinin në Klubin “Rilindja” të Mynihut, nga Kosova, përfaqësuesit e Komitetit Krahinor, për të gjykuar dhe dënuar ngjarjet e lavdishme të marsit e prillit, që u zhvilluan në Kosovë. “Ne e shohim te arsyeshme dhe të nevojshme, pasi ke qenë pjesëmarrës në ato demonstrata, të shkosh në klub dhe t’i mbrosh demonstratat e, ta demaskosh para punëtorëve dhunën dhe terrorin, që është ushtruar ndaj demonstrueseve, e sidomos ndaj motrave tona studente. Për një moment, mbeta pa frymë. Nuk isha i përgatitur për një situatë të tillë sepse, 90 % e punëtorëve, ishin shqiptarë dhe atje kishte edhe jugosllave.
Po ashtu aty, do te ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i konsullatës, Beqir Kuçi. Bardhi, këmbënguli duke më thënë se, ishte shumë e rëndësishme, që të demaskoheshin ata fashistë sepse, po manipulonin punëtorët. Më tha se, për të më mbështetur, do të më dërgonte edhe Sahit Tofajn. Kur u ktheva në dhomë, babai nuk ishte aty, pasi kishte dalë në oborr, duke pirë cigare. ‘Babë’ i thash – ku je? “Dola jashtë – tha – se Bardhi me futi në kokë, do xekrra”. Pastaj më pyeti: “A e vendosët për po, punën e klubit”? Po -i thashë – patjetër, se ata duan të mashtrojnë e manipulojnë punëtorët. Vura re se babai, kishte dalë në oborr, për të menduar se si mund ta kryenim këtë punë, me mirë. Ai kishte menduar, të gjente disa njerëz të hunit e konopit, që mund të na ndihmonin në këtë punë në rast nevoje, fizikisht.
Pas dy ditëve, baba më tha se nuk kishte mundur, të gjente më shumë se tre vetë dhe ata ishin; Zenun Maxhari nga Studenica e, dy nga Isniqi, Haxhi Salihu dhe Ahmet Syla. Të premten erdhi Sahiti, me të cilin folëm për detyrën që kishim. Atë natë, as unë e, as Sahiti, nuk fjetëm pothuaj terë natën, të cilën e kaluam në një dhome të italianeve, që kishin ikur në Itali, për pushimin e fundjavës. Të nesërmen, përgatita konceptin dhe pikat që duhet të diskutoja. Para se të shkoja në klub, shkuam që të konsultohem me Shaban Mehmetin, emigrant nga Gjilani, të cilin e kisha takuar në Tiranë, në shkurt te vitit 1981, bile i dhashë edhe një pako me libra të ndaluara, që t’ia dërgonte babait tim. Kur shkova me Sahitin te Shabani, në zyrën ku punonte, aty gjetëm edhe tre persona nga ambasada Shqiptare në Vjenë. Pasi u përshëndetëm, Shabani e hapi bisedën për detyrën që ishim ngarkuar të kryenim.
Ai mu lut që; t’ua jepja konceptin që kisha përgatitur për ta parë nëpunësit shqiptarë. Zyrtari shqiptar, pasi e lexoi, përpiloi një koncept tjetër nga i imi. Një nga pikat që më kujtohet mire, ishte se si një shkrimtar Kroat, në vitin 1980, kishte botuar një libër kundër Titos dhe për këtë, ishte dënuar gjithsej, tre vjet burg, ndërsa shqiptarët në Jugosllavi, për një fjalë goje, dënohen 10 vjet burg! U gëzova shumë dhe ndihesha shumë më i fortë me përmbajtjen e konceptit të ri, që ishte konciz, me argumente më të fortë e, me përmbajtje kombëtare.
Mbasi u ndamë, unë dhe Shabani shkuam me një taksi, te Klubi “Rilindja”, ku sipas porosisë, ne duhet të hynim të fundit dhe për këtë arsye, pritëm deri sa erdhi babai me shokët e tij të cilët, duheshin të qëndronin në oborr, të gatshëm në rast nevoje, të ndonjë konflikti të papritur, me ithtarët e “Bashkim –vëllazërimit”. Ne kishim menduar se tubimi, ishte vetëm për shqiptarë, ndërsa Klubi ishte mbushur plot me punëtorë jugosllavë, si edhe shqiptarë, sa që, nuk kishte vend, ku të uleshe. Salla ishte e klubit jugosllav, “Rilindja” kishte një dhomë të vogël si aneks, në klubin jugosllav. Me që nuk kishte vende për t’u ulur, ne qëndruam në këmbë të mbështetur pas murit.
Mbledhja nuk filloi në kohën e caktuar, sepse nuk kishin ardhur ende ata të “mëdhenjtë jugosllavë“, nga Komiteti Krahinor i Kosovës. Pas dy tre minutash, ata arritën. Të gjithë të pranishmit, u ngritën në këmbë dhe filluan thirrjet frenetike; “Tito-partia-rrevoljucia”, për më më shumë se 5 minuta. Kryetari i Klubit, konsulli jugosllav dhe mysafirët, u ulën në krye të vendit, duke i lutur të pranishmit, që të ulen. Pas njoftimit të qëllimit dhe karakterit të kësaj mbledhjeje, filluan diskutimet. Gjatë diskutimeve, shikoja fytyrat e punëtorëve dhe vëzhgoja nëse kishte ndonjë të pranishëm, që mund të më njihte dhe konstatova se, nuk kisha ndonjë të njohur dhe u çlirova.
Fjalën e mori përfaqësuesi jugosllav, i cili tha: “Te nderuar shokë punëtorë jugosllavë! Të gjithë keni dëgjuar që në mars e prill të këtij viti, ende pa u mbushur një vit që kur vdiq arkitekti i Jugosllavisë, shoku Tito, armiqtë e brendshëm e të jashtëm, ballistët, nacionalistët dhe irredentistët e kombësisë shqiptare, një numër shumë i vogël i tyre, jo më shumë se 150 veta, u ngritën në demonstratat, duke mashtruar edhe disa nxënës të shkollave fillore e, të mesme, me kërkesa e parulla fashiste, kundër ‘Bashkim-vëllazërimit’, e kundër kushtetutës së Republikave Socialiste të Federatës së Jugosllavisë e, kundër fryteve të revolucionit! Marshuan rrugëve të Prishtinës, me një vandalizëm të paparë, kundër forcave të rendit e kundër pushtetit popullor.
Por, fatbardhësisht, në radhë të pare, kombësia shqiptare, dhe të gjitha forcat progresive shoqërore politike, me në krye Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë, i asgjësuan dhe i luftuan pa kompromis këtë grup të vogël armiqsh, disa duke i burgosë e dënuar, në bazë të ligjit e, disave duke ju dhënë vërejtje shoqërore, për t’u integruar prap në shoqëri. Ky grup i vogël, u shpartallua dhe izolua nga e gjithë Jugosllavia, por një gjë duhet përmendur se; ky grup, të vetmen përkrahje, e gjeti nga Shqipëria staliniste e Enver Hoxhës, i cili për 35 vjet me radhë, kurrë nuk ia ka dashur të mirën Jugosllavisë së Titos dhe ‘Bashkim-vëllazërimit’ të kombeve dhe kombësive të saj.
Prandaj, ne kemi ardhur me qëllim, që t’ju njoftojmë dhe sqarojmë se, çdo armik që ngre kokë kundër Jugosllavisë së Titos, do të dështojë me turp si, dhe t’ju këshillojmë që të keni kujdes, e mos të bini në provokimet e llumit të emigracionit, të vjetër e të ri, që janë armiq të përbetuar të Jugosllavisë e, që paguhen nga shërbimet e huaja, vetëm për ta njollosur emrin e ndritur të Jugosllavisë së Titos duke, ju mashtruar me propagandën e tyre të ndyrë se, gjoja kombësia shqiptare në Jugosllavi, qenkan shtetas të rendit të dytë, apo të diskriminuar, dhe tė shtypur e gjoja, nuk paskan republikën e tyre”.
Gjatë bisedës, nuk dëgjohej as miza në sallë. Në fund, i deleguari jugosllav, me kombësi shqiptare tha; tani unë përfundova dhe fjalën e keni ju, e thirri; “Rroftë Jugosllavia e Titos. Rroftë ‘bashkim vëllazërimi’ i të gjitha kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”, thirrje që u pasuan nga duartrokitje dhe brohoritje; “Tito, partia Rrevoljucia”!
Ai që donte të diskutonte, duhej të jepte emrin dhe mbiemrin dhe nga cili vend vinte. Filluan aty këtu, ndonjë diskutim i punëtorëve, ndërsa unë, gjatë gjithë kohës, prapë vëzhgoja fytyrat e punëtorëve dhe papritmas, pashë një fytyrë të njohur, atë të profesorit tim të gjuhës shqipe, zemër çelikun; Zenun Gjoci. Pasi përfunduan të gjithë diskutimet, zyrtarët jugosllavë, pyeten nëse kishte ndonjë tjetër që dëshironte të fliste. Unë ngrita dorën dhe u prezantova, me një emër dhe me e mbiemër Gashi, e thashë se; isha nga Mareci, por jetoja në Prishtinë.
Diskutimi im ishte ky: Ju shokët që keni ardhur nga Kosova, jeni të mirëseardhur dhe vizita juaj që i bëni klasës punëtore në Mynih, e sidomos informimi mbi gjendjen momentale të krijuar në Atdheun tone, Kosovën e përgjakur, është i rëndësishëm, por është turp dhe dobësi, të manipulohet e gënjehet klasa punëtore, sidomos nga përfaqësues të lartë, të ardhur nga Kosova! Unë dua që këta mërgimtarë të shkretë, që sytë i kanë të verbuar për diellin e Kosovës, mushkëritë i kanë të thara, për ajrin e Kosovës, që zemrat e tyre, pikojnë gjak për mallin që kanë për fëmijët e tyre, e që bukën e hanë me lot, djersë e margarine, vetëm për të kursyer ndonjë dinarë për familjet në Atdhe. (qetësi absolute). Si student që jam, dua të rrëfej të vërtetën, që e kam pare me sytë e mi.
Çdo popull në botë, sytë dhe shpirtin, e ka të drejtuar nga studentët e vet, që janë e ardhmja e jonë, prandaj edhe ne, duhet t’u besojmë studentëve tanë, se ata janë e sotmja dhe e nesërmja jonë. Në Prishtinë, me 26 mars të këtij viti, u ngritën më këmbë, jo 150 studente siç u tha këtu e, as 1500 studentë, por, të gjithë ata student, që jetojnë në konvikte e baraka ,si dhe ata që banojnë në shtëpi private, të cilët u përkrahen edhe nga punëtorët e “Ramiz Sadikut”, filiali i Prishtinës, pra ishin mbi 50 mijë vete, Me 1, 2 e 3 prill, ishin bashkuar me studentët edhe nxënësit e të gjitha shkollave fillore e, të mesme të Prishtinës, me ta ishte bashkuar edhe pothuajse e gjithë popullata që jetonte në Prishtinë, të cilët paraqiten para ndërtesës së Komitetit Krahinor, kërkesat e arsyeshme e të ligjshme të tyre, që Kosova ta ketë statusin e Republikës, në kuadër të federatës, siç e ka Mali i Zi e Maqedonia, që kanë një popullatë, dy herë më të vogël se Kosova.
Këtyre kërkesave policia ju kundërvu me kërbaç, rrahje e lot-sjellëse. Aty u vranë e u plagosën, shumë nxënës e studentë. Pastaj filluan arrestimet dhe dënimet e inteligjencës s‘onë, deri me 15 e, 20 vite burg, kurë dihet se, shkrimtari kroat (emrin i a kam harruar), shkruajti një vepër kundër shokut Tito dhe u dënua me 3 vjet burg. Me 26 mars, unë kam parë me sytë e mi para konvikteve, motrat e vajzat tuaja, të dashur punëtorë, duke i kapur katër polic nga të dy këmbët e dy duart dhe i hidhnin në ajër e, duke i lëshuar në tokë, në çimento, në oborret e konvikteve! Vëllezër punëtorë, ka ndodhur edhe më kiamet e tmerr, kur policia special, u ka futur në organet intime, shkopin e gomës, duke u thënë: “Nečeš da rodiš, nikad albanac”. Ndërsa diskutoja, vëreja disa punëtorë, të emocionuar e me lot në sy, nga fjalët e mia.
Me të mbaruar këtë fjalë, një burrë i shkurtër së bashku me profesorin tim, janë ngritur në këmbë për të më përkrahur, duke thirrur me të madhe; “Kosova Republikë”, pastaj edhe nga shumica e punëtorëve, filluan brohoritjet; “Kosova Republikë” si dhe; “Jemi me studentët, jemi me studentët”! Sahitit, me ketë rast, ju çel fytyra sepse, nuk ndodhi asgjë nga ato që ne mendonim. Edhe një, Demë Shqipnija nga Juniku, mendoj se dha një kontribut të madh. Kur filloi thirrja; “Kosova Republikë”, punëtorët jugosllavë, që nuk ishin shqiptarë, filluan të ikin me shpejtësi të madhe nga salla. Pati edhe një replikë jo të hijshme, në mes disa punëtoreve dhe kryetarit të Klubit, Gani Iberdemaj.
Mbasi nuk kisha më ç‘të them e diskutoj, pasi qëllimi u arrit plotësisht, i thashë Sahitit të dilte jashtë e, të njoftonte babain tim, të largohej sa më pare, pasi çdo gjë kishte shkuar fare mirë. Tubimi përfundoi, me thirrjen; “Kosova Republikë”, dhe “Jemi me studentet”. Në sallën e Klubit, u krijua në mes meje dhe disa punëtorëve, një lloj simpatie e veçantë. Disa, gjatë përshëndetjes me mua, më puthnin në të dy faqet, por profesori dhe ai shkurtalaku, nuk më dhanë dorën, pa shkuar së bashku, për të pirë nga një kafe, në një lokal. Me thënë të drejtën, unë kisha dëshirë të rrija me profesorin tim, të cilin nuk e kisha takuar, që nga viti 1975. Pasi, u ulëm në një restorant dhe unë me padurim ju drejtova profesorit, se kur e pashë në sallë, zemra mu bë mal dhe isha i bindur se do të fitonim.
Personi që unë e thërrita; profesor, m’u drejtua, duke më thënë se ai, nuk ishte profesori që kujtoja unë, Zenuni, por vëllai i tij, Muharrem Gjoci, ndërsa burri i shkurtër, quhej Misin Mavraj, dhe ishte nga rrethi i Istogut e, që të dy, ishin punëtor. Pasi kaluam pa as më të voglin problem dhe, dita ishte e shtunë, pas dite vonë, thërrita në telefon Bardhoshin, për ta njoftuar për mbarëvajtjen e tubimit, por ai nuk ishte në zyrë, kështu që Sahiti, mori për detyrë, ta njoftonte Bardhoshin, për ecurinë e tubimit, hollë e për pe, në takimin e parë me të. Sahiti, sa do vonë që ishte, po atë mbrëmje, iku për në Sttutgart.
Pas dy tre ditëve, edhe unë preva biletën dhe vendosa të kthehem në Kosovë por, me parandjenja të përziera edhe me frikë se, mund të më identifikonin dhe të më arrestonin. Arrita në Isniq vonë. Pas dy ditëve, ndodhi një rast vdekjeje, i një burri të mençur dhe atdhedashës në Isniq, Rexhep Hasanit të Imerajve, me të cilin shpesh bisedoja rreth demonstratave dhe ai me këshillonte, çdo herë, duke më thënë: “Ruaju djali im”! Pjesëmarrja në varrimin e Rexhep Hasanit, më vrau edhe frikën, që mundë të me arrestonin. Pas kësaj, shkova ne Prishtinë, ku u takova me shokët, të cilët i informova për çdo gjë që kishte ndodhur gjatë qëndrimit tim, afër tre muaj, në Gjermani. I vura në dijeni, për vendosmërinë dhe optimizmin që kishin Jusuf e Bardhosh Gërvalla, në fitore dhe realizimin e qëllimeve tona kombëtare.
Thonë dhe është e vërtetë se; rasti është mbret i botës. Ishte ditë e shtune rreth orës 11.00, kur unë u ktheva në Pejë. Atë ditë binte shi dhe salla e stacionit të autobusëve ishte e stërmbushur, si ditë tregu që ishte, nga njerëz të të gjitha moshave, nxënës, e njerëz hallexhinj. Në një kënd të sallës, larg meje, më shkuan sytë të një plakë e cila, ishte e veshur me veshjen e Dukagjinit. Në tërë atë popull, ajo ishte e vetmja që binte në sy, për shkak të veshjes që mbante. U bëra kureshtar dhe u afrova e pashë pranë saj, djaloshin Agron Haradinaj, që ishte rreth 14 vjeç dhe unë e njihja. Kur me pa, Agroni u ngrit e më dha dorën. Fillimisht e pyeta se; kush ishte ajo gruaja e moshuar me marhama, që ishte me të e ai, më tregoi se ishte gjyshja e tij, Tysha dhe pranë sajë, ishte nëna. Ai, më tregoi se kishin qenë në burg, për të vizituar bacën, Ismail Haradinajn.
Pasi e pyeta se; si ishte me shëndet baca dhe si po e kalonte në burg, ai me tha se; me shëndet ishte mirë, ndërsa për të tjerat, me tha se e kalon, si një njeri që është në burg. E pyeta nëse kishte dëshirë ta njoftonte vëllain, Naimin, për shëndetin e bacës e, ai me tha se; nuk kishte mundësi se, nuk dinte si të komunikonte me të. Pas kësaj, e ftova te vinte me mua, se kisha telefonin e një shokut të Naimit dhe shkuam në një postë të vogël, pas stacionit të autobuzëve në Pejë, e cila ka pasur vetëm dy kabina, e, që të dy hymë në një kabinë, ku formova nëmurin e Bardhosh Gërvallës. Pastaj atë numër, ia dhashë Agronit, dhe e këshillova që të kishte kujdes, nga zagarët e zgjebosur të UDB-ës.
Pasi u ndava më Agronin, u ndjeva shumë keq, kurë mendoja se një familje e tërë, siç ishte ajo e Ismail Haradinajt, që ishte kundër një shteti 23 milionësh, dergjej e torturohej burgjeve për kauzën kombëtare, e të tilla familje, numëroheshin me gishta në Deçan. Pas kësaj, me shkoi mendja te nënshkruesit e Zeburit, të vitit 1989, se ku ishin ata në këtë kohë e, ç’bënin?! Po! Ata merreshin me punën e tyre të zakonshme. Ata gjykonin “kundër-revolucionin” në Kosovë dhe shkruanin; “Tito për letërsinë shqipe dhe, letërsia shqipe për Titon”.
Kështu erdhi përfundimi i vitit 1981 për mua dhe shokët e mi të idealit dhe ilegales, që numëroheshim në gishta por, që shtoheshin dita ditës. Lavdi për jetë e mote, ngjarjeve historike të vitit 1981!
Nder e lavdi për të gjithë ata, që derdhën gjakun ndër shekuj për një Shqipëri të të gjithë shqiptarëve! Nder e lavdi Jasharëve të pavdekshëm, të prirë nga baba i shtat milionëve shqiptarëve, Shaban Murati!
Nder e lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i dha lirinë edhe një pjese të Shqipërisë së robëruar, nga serbosllavia./Memorie.al
Lavdi e përjetshme!
Isniq, më 28 nëntor, 2021