Pjesa e parë
Memorie.al / Duke parë problemet e shumta të kthimit e kompensimit të pronave si dhe proceset e shumta gjyqësore që janë zhvilluar pas viteve ’90-të, të cilat po vijojnë ende të zhvillohen për çështjet e pronave të konfiskuara shtetasve shqiptarë nga regjimi komunist, si dhe për të gjithë ata që janë konsideruar si “bashkëpunëtorët e gjermanëve dhe italianëve”, po publikojmë disa shkrime në lidhje me këtë çështje. Nga të dhënat e para, konstatohet se shumë prej pronave të bllokuara nga regjimi komunist, pas viteve ’90-të, u dolën pronarë të rinj dhe nuk përfunduan tek pronarët e trashëgimtarët e tyre. Këto prona, të patundshme ose të tundshme, kaluan përmes filtrave të falsifikimeve dhe manipulimeve në zyrat kadastrale apo në zyrat e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në këtë shkrim, po sjellim mënyrën se si veproi regjimi komunist për sekuestrimin e pasurive për të gjithë personat e akuzuar si “ish-bashkëpunëtorë të pushtuesve”, përfshirë edhe ata që dolën publikisht kundër regjimit komunist në fuqi e vuajtën në burgje dhe internime.
Si u realizua sekuestrimi i pasurive e pronave të kundërshtarëve të regjimit komunist, në vitin 1945?
Konfiskimet e para të regjimit komunist dhe hapat për ngritjen e bazës ligjore. Procesi nisi që më 18 dhjetor 1944 dhe vazhdoi disa vite radhazi. Menjëherë pas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste, qeveria e Enver Hoxhës, urdhëroi bllokimin dhe sekuestrimin e të gjitha pasurive të “bashkëpunëtorëve të pushtuesve”. Në këtë proces sekuestrimi, u përfshinë edhe eksponentë politikë që dolën kundër partisë në pushtet, shqiptarët që u arratisën jashtë vendit, apo të gjithë shtetasit e huaj, që kishin kryer aktivitet tregtar në vendin tone, përpara apo gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kështu nisi edhe procesi i zhdukjes së pronës private në Shqipëri i cili u realizua në disa etapa.
Procesi politik i sekuestrimeve
Fillimisht, regjimi komunist, nuk e zhduku tërësisht atë, por u mor me konfiskimet e pronave të kundërshtarëve të tij, të cilët në kohën e ardhjes së komunistëve në pushtet, përbëheshin nga tri kategori: ish-pushtetarë, nëpunës ose funksionarë që ishin të inkuadruar në strukturat shtetërore, gjatë Luftës së Dytë Botërore; ish-drejtues të formacioneve politike jo komuniste, kryesisht të ‘Ballit Kombëtar’ dhe të ‘Legalitetit’; ish-drejtues të shtetit të Ahmet Zogut, të papërzier me luftën; kundërshtarë të zakonshëm të regjimit komunist, pa aktivitet, të vlerësuar si të tillë (si kundërshtarë) nga organet politike të ngarkuara me verifikimin e tyre.
Në këtë periudhë, nisi procesi i bllokimit të pasurive, për të gjithë shtetasit që u arratisën jashtë vendit, në shenjë revolte kundër regjimit të Enver Hoxhës. Po ashtu, gjatë viteve 1945-1946 nisi procesi i verifikimit të pasurive edhe për tregtarët apo sipërmarrësit e huaj që kishin kryer aktivitetin e tyre në Shqipëri deri në vitin 1945.
“Kriminelët e luftës”!
Në rastin e përgjithshëm, për ata që kishin qenë në administratën e kohës së Luftës, si dhe që kishin drejtues të forcave politike të ndryshme jo komuniste, përdorej termi “kriminel lufte”. Në të vërtetë, në pjesën më të madhe të listës së “kriminelëve të luftës”, do të gjesh njerëz, që nuk dinin të përdornin as armët, ndërsa është fakt se, asnjë gjyq politik i viteve të pasluftës, nuk vërtetoi dot ndonjë “krim lufte”. Të gjitha akuzat, ishin dhe mbetën vetëm politike.
Mirëpo procesi, që ndoqi besnikërisht hapat e parë të sovjetizimit të vendit, ishte ai që u mor me kategorinë e “kriminelëve” dhe kundërshtarëve të regjimit. Më vonë, nuk kishte asgjë rëndësi, pasi vendin e konfiskimeve, e zunë shtetëzimet. Ky studim i përgjithshëm, sjell ndër të tjera edhe disa shembuj, pa marrë përsipër, se janë të gjitha, për të treguar konkretisht, se si ka ecur ky proces, jo shumë i trajtuar në shtyp e median në përgjithësi.
Strukturat e sekuestrove
Vetëm pak ditë pasi ishte shpallur çlirimi i vendit, Enver Hoxha nisi “hakmarrjen” ndaj kundërshtarëve të tij politikë, duke u marrë pasuritë e tundshme dhe të patundshme. Hapi i pare, ishte krijimi i komisioneve vendore, për administrimin e pasurisë. Ministria e Ekonomisë, më 18 dhjetor 1944, udhëzonte prefekturat, se për të studiuar dhe administruar pasuritë e të arratisurve, do të formoheshin komisione, në çdo prefekturë e nënprefekturë. Ato përbëheshin nga përfaqësues të Ushtrisë Nacionalçlirimtare; Rinisë Antifashiste; Esnafëve (bujq, etj.), besnikë të Lëvizjes dhe, së fundi, juristët.
Hartimi i raporteve
Konsideroheshin të arratisur politikë, të gjithë funksionarët e vegjël e të mëdhenj, që kishin qenë në shërbim të okupatorëve (“ballistë e njerëz të Legalitetit”), të cilët ndodhen të arratisur brenda dhe jashtë vendit. Sipas udhëzimit, “komisionet hetojnë e diktojnë të gjitha pasuritë e të arratisurve politikë, regjistrojnë e përshkruajnë të gjithë këtë pasuri dhe të gjithë përshkrimin e tyre e përmbledhin në raporte të veçanta për çdo rast, të cilat ia paraqesin komisionit qendror”. Komisionet kujdeseshin për ruajtjen e pasurive.
Raporti duhej të përmbante: emër, mbiemër, vendbanim, aktivitet politik, përshkrimin e pasurisë, llojin e pasurisë (toka të punuara, livadhe, kullota, pyje, vija uji, vreshta, pemishte, ullinj, mullinj drithi, vaji, godina bujqësore, depozita drithi, bagëti, makina e vegla punimi), cilësimin e kësaj pasurie (sipërfaqja, shtrirja, lloji, rrënjët, kapaciteti, mullinjtë, gjendja e tyre, madhësia e godinave, etj.), vendndodhja, si administroheshin më parë, gjendja familjare e të arratisurve, qëndrimi politik etj.
Komisionet, hetonin e zbulonin “çdo akt mashtrimi e spekulimesh mbi këto pasuri (shitblerje falso), si dhe propozonin, mënyrën e administrimit”! (AQSH, F.494, V.1945, D.453, fleta 2 – 3). Po atë ditë, ministri i Ekonomisë, Medar Shtylla, u dërgonte një qarkore Këshillave Nacionalçlirimtare, me anë të të cilit udhëzoheshin mbi ndihmën që duhej t’i jepnin Komisionit Qendror.
Ligji për konfiskimin e pasurive
Në vijim të këtyre masave, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ), që kishte marrë funksionet e një presidence, nxori “Ligjin” Nr.40, datë 14 janar 1945, “Mbi konfiskimin e pasurive private”, të cilat parashikoheshin që t’u liheshin Komiteteve Ekzekutive. Sipas “ligjit”, konfiskimi vendosej nga gjykata, me vendimin e dënimit ose prej një autoriteti tjetër të caktuar nga ligji i posaçëm dhe në rast të mos caktimit nga një anëtar i kryesisë së KANÇ-it që ishte kryetar, një gjyqtar, (nga Ministria e Drejtësisë), një ekonomist (nga Ministria e Ekonomisë), një specialist bujqësie (nga Ministria e Bujqësisë), një financier (nga Ministria e Financave), një ushtarak (nga Ministria e Luftës dhe e Mbrojtjes Kombëtare) dhe një sekretar nga komisioni (Arkivi Qendror i Shtetit, F.489, V.1945, D.45, fleta 5-7). Më 15 janar 1945, doli “ligji” mbi konfiskimin e pasurive të të arratisurve politikë (AQSH, F.490, V.1945, D.141, fleta 1).
Caktimi i komisionit
Më 24 prill 1945, Presidenca e Kryesisë së KANÇ-it njoftonte se Gogo Nushi, ishte caktuar kryetar i komisionit të posaçëm (po aty, fleta 13). Më 19 prill 1945, Komisioni Qendror për studimin dhe administrimin e pasurive të të arratisurve politikë, paraqiti relacionin përkatës, ku ankohej se; komisionet vendore, nuk e kishin bërë detyrën dhe anëtarët, kishin shkuar vetë në bazë. Komisioni, në mbledhjet e përsëritura, nën kryesinë e ministrit të Financave, parashtronte se komisioni, e shihte të arsyeshme të krijohej pranë Ministrisë së Bujqësisë, një zyrë qendrore për administrimin e pasurive bujqësore.
Kjo zyrë, do të kujdesej për krijimin e zyrave agrare në qarqe që do të merreshin me administrimin e tyre. Pasuria urbane (shtëpi qyteti, dyqane, mullinj etj) do të regjistrohej prej Ministrisë së Financave dhe do të administrohej direkt prej saj si pasuri shteti. Të gjitha dokumentet përkatëse, shënoheshin me “VF-LP” (AQSH, F.494, V.1945, D.453, fleta 19). Në kuadrin e masave ndaj “kundërshtarëve politikë” u përfshinë nën bllokim edhe skemat e pensioneve. Më 25 maj 1945, Ministria e Financave, urdhëronte që të konfiskoheshin edhe pensionet, në rast se kishte persona që e përfitonin atë (AQSH, F.505, V.1945, D.186, fleta 53). Urdhri i fshehtë: “Të konfiskohen të gjithë ata që mendojnë kundër nesh”.
Si u kryen konfiskimet e personave të cilësuar “kriminelë lufte”?
Për përgatitjen e kuadrit ligjor, i gjithë mekanizmi që do të çonte në bllokimin e pasurive të personave të akuzuar si bashkëpunëtorë të pushtuesit, apo që ishin kundër regjimit, u përpilua në institucionet e Kuvendit Popullor, Këshillit të Ministrave, të drejtuar nga Enver Hoxha, apo edhe përmes institucioneve të tjera. Në funksion u vunë gjykatat popullore, të cilat shpallnin publikisht “kriminelët e luftës”. Pas sekuestrimeve paraprake, të vendosura më parë, filloi procesi i gjatë i transkriptimeve të pasurive në fjalë. Më poshtë po japim disa prej personave, të shpallur “armiq të popullit”, të cilëve iu sekuestrua pasuria.
Ali Këlcyra
I konfiskohet pasuria, sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor Fier, të datës 7 qershor 1945, i cili, pasi ka marrë Shkresën Nr. 50, datë 30 maj 1945, të komisionit hetues për kriminelët e luftës, sipas së cilit, “Ali Këlcyra asht marrë nën akuzë, si kriminel lufte, mbasi ka qenë, një nga eksponentët e ‘Ballit Kombëtar’, ka organizuar dhe dirizhue çeta bashibozuku, të organizuara duke vrarë, çnderuar dhe grabitun popullin”. Konfiskohet edhe pasuria e gruas së tij, Dudush.
–Pasuria e paluajtshme, përbëhej prej: 6 trarë, 451 shtylla, 3944 binarë, 476 kodroma, 9 dërrasa.
–Pasuria e luajtshme: 6 dyqane, 9 troje ndërtimi, 1032 dynym tokë bujqësore, 250 dynymë e lëndina kullore, 250 dynym pyje. Shtëpi e vegla në Muçan. (AQSH, F.484, V.1946, D.464, fleta 145-148).
Thuhet se, duhej konfiskuar edhe Nafije Këlcyra (ndoshta grua e dytë?) që rridhte nga familje bejlerësh dhe kishte 9 dyqane (AQSH, F.505, V.1945, D.513, fleta 249 – 250).
Bektash Cakrani
Kjo pasuri konfiskohet më 7 qershor 1945. Theksohej se personi nuk kishte pasuri të paluajtshme. Pasuri të luajtshme kishte: në Martino, Fierëz 376 tokë dhe 160 dynym (AQSH, F.484, V.1945, D.464, fleta 155-156). Në shpronësim futen edhe Kadri e Kujtim Cakrani (fleta 411 – 414).
Nuredin e Xheladin Vlora
Komisioni përkatës, ka relatuar se pasuria e luajtshme e tyre, përbëhej nga: makinë shirëse me motor, makinë misri, kandar.
Pasuria e paluajtshme, përbëhej nga: 1 shtëpi dykatëshe, me 8 dhoma (komanda e Levanit ishte vendosur), 2 kuzhina, kacek për drithëra, 120 rrënjë ullinj, 700 rrënjë pemë në Frakull. – Toka bujqësore në Frakull, 2115 dynym e papunuar, 4080 dynym, 1000 dynym dhe 3000 dynym kullota, toka në Çerven, 1560 dynym dhe 510 çajre.
Ferras- Pasha, 466 dynym, 214 çaire, 60 dynym lëndina, 100 pyll. Motalli, 420 dynym, 182 dynym çajre, 250 dynym lëndina, etj. Pronat e regjistruara në 6 faqe, nuk ishin gjendur në regjistra. (AQSH, F.494, V.1945, D.464, fleta 158 – 163). Më 12 dhjetor 1946, komisioni vendor, konfiskon pasurinë në Vlorë (AQSH, F.505, V.1946, D.145, fleta 148).
Vizhdan Risilia
Më 7 korrik 1945, Vizhdan Risilia, ish-prefekt, shënohej si “bashkëpunëtor i Gestapos” dhe si internues i 600 vlonjatëve. Ky nuk kishte pasuri të luajtshme. Pasuria e paluajtshme, përbëhej nga një truall në lagjen “Lirimi”, 65 rrënjë ullinj, 4 baraka me 16 dhoma, 103 rrënjë ullinj, një vresht i vjetër, në Qafën e Kardëlleshit, 48 rrënjë ullinj. Në Bestrovë, (Gropa e Gurit) baçe, 67 rrënjë ullinj, në Bregun e Stefos, baçe, 43 rrënjë ullinj, 1 baçe, 54 rrënjë ullinj, Lagja “Lirimi”, shtëpi banimi e baçe (AQSH, F.494, V.1945, D.464, fleta 16-17). Në listë, përfshihen edhe Adem dhe Enver Risilia.
Eqrem dhe Safa Vlora
Eqrem Vlora – ish-ministër dhe i vëllai i Safa Vlora, të bijtë e Syrja Vlorës, ishin ndër personat që u ndëshkuan nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha. Më 7 korrik 1945, në Vlorë konfiskohen: hotel “Tirana” (dykatësh), 1 shtëpi me 9 dhoma me 14 rrënjë ullinj+garazh, një shtëpi në skelë, 1 truall. Të tjerat janë në emër të babait e vëllezërve të tij Namik e Ferit, të cilat sigurisht u sekuestruan më vonë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm