Nga Anila Dushi
-Historia e panjohur e dinastisë Bushati, me tre të pushkatuar, 15 të burgosur, e 6 të arratisur, si “armiq të popullit”, por edhe me partizanë e “Dëshmorë të Atdheut”, kolonelë e sekretarë të parë të Komiteteve të Partisë së rretheve, që nxori 88 mësues e pedagogë, 15 mjekë, 74 me shkollë të lartë e 17 sportistë, ku sot ka 180 familje në Shkodër e me dhjetëra në pesë kontinentet-
Memorie.al / Bushatllinjtë janë ndër fiset më të mëdha në Shkodër. Kjo familje feudale me origjinë shqiptare, njihet mjaft në Shkodër, që në shekullin e XV-të, për traditën e saj të sundimit e ndikimit në qytet e krahinë. Nga kjo familje e madhe shkodrane, që mbas periudhës së Vezirëve e deri në dekada të vona, dolën udhëheqës e prijës të popullit, qoftë në raste revoltash, qoftë ndër beteja për mbrojtjen e atdheut. Hysen e Jusuf Begu, janë të dy eksponentë të kryengritjes popullore të quajtur “Kryengritja e Hamz Kazazit” në vitin 1834, nipi i tyre, Selimi i Tahir Begut, mori pjesë aktive në luftën e Miletit dhe në Lidhjen e Prizrenit. Reshit Begu, mori pjesë si prijës i çetave shkodrane, në luftërat kundër Malit të Zi në vitin 1876 dhe u dekorua për trimërinë e tij. Beqir Begu, i priu shkodranëve, në luftën e Shpuzës, krahas Dasho Shkrelit
Këtyre burrave, populli shqiptar u ka kënduar këngë trimërie. Shaban Begu, djali i Ali Begut, u shqua si luftëtar i Lidhjes së Prizrenit, sikurse e tregon dhe kënga e kalasë së Tivarit , pasi ai ishte prijësi i luftëtarëve shkodranë, që luftuan për mbrojtjen e kësaj kështjelle. Shaqir Begu, djali i Shabanit, kryesoi çetën shkodrane në ‘Luftën e Miletit’, dhe luftoi trimërisht në Rrzhanicë krahas me Dedë Gjo Lulin, kundër malazezëve. Xhemal Shaqir Bushati dhe Visho Bushati, dhanë kontributin e tyre si patriotë, që para shpalljes së pavarësisë, dhe më vonë u zgjodhën nga populli, deputetë e anëtarë asambleje bashkiake. Në skenën e politikës shqiptare, shfaqen Sylço Begu (Bushati), në ‘Luftën e Koplikut’ dhe Maliq Bushati, deputet, ministër e kryeministër në vitet 1941-1943. Këtij fisi, i takojnë dhe klerikët e njohur: Haxhi Haliti, Molla Rrustemi dhe Haxhi Sabri Bushati.
Dy oficer të njohur të Xhandarmërisë Shqiptare, në vitet 1920-1924, kanë qenë Malo Begu, nënkolonel, emigrant politik 1925-1939 dhe Hasan Begu. Nga familja e Bushatllinjve, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ranë dëshmorë; Nuri Bushati dhe Shyqyri Bushati. Pas çlirimit, pjesëtarë të shquar të kësaj familjeje, pësuan persekutime nga më të rëndat. Pati shumë të pushkatuar, të burgosur, internuar dhe arratisur. Janë pushkatuar: Sylço Bushati (Begu), Maliq Bushati dhe Qazim Bushati. Janë dënuar 15 veta, si: Myfti Myrto Bushati, Sheuki Bushati, Met Bushati, Maliq Xhemal Bushati, Refik Bushati, Haki Bushati, Ahmet Emin Bushati, Myfit Qamil Bushati, etj., janë internuar Hamdi e Fadil Bushati, ndërsa janë arratisur 6 veta, Xhelal, Enver, Mustafa, Irfan dhe Njazi Bushati.
Historia e familjes më të madhe dhe më të njohur të Shkodrës
Prejardhja e Bushatllinjve, lidhet ngushtë me emrin Bushat, një fshat shumë i hershëm i Shkodrës, që ndeshet në dokumenta që në gjysmën e dytë të shekullit XVII-të. Origjina e kësaj familjeje të vjetër feudale shqiptare, është në fshatin Bushat të Shkodrës dhe ajo kishte autoritet e privilegje, që në shekullin e XV-të, të periudhës së para pushtimit osman. Pema gjenealogjike e Bushatllinjve, është mjaft e dendur dhe ka 5 degë kryesore, në dukje të pavarura nga njëra tjetra, dhe ku një pjesë e saj, është botuar për herë të parë në vitin 1927, në numrin 12 të revistës ‘Dituria’, nga njëri prej pinjollëve të kësaj familjeje, Hamdi Bushati.
Kjo pemë e pjesshme, është nxjerrë nga pema e përgjithshme, që qarkullonte në disa familje Bushatllinjsh. Pavarësisht pretendimeve të disa studiuesve sllav, për ta nxjerrë këtë familje me origjinë sllave, asnjëherë kjo nuk është vërtetuar dhe është fakt i njohur që, të gjithë studiuesit e njohur turq dhe shqiptarë, e kanë vërtetuar se; kjo familje ishte shqiptare, me saraje në Bushat e, që më vonë për vetë rolin e vendin që zuri në histori, u vendos në kryeqendrën e veriut, në Shkodër. Në historinë tonë kombëtare, tema e Bushatllinjve të Shkodrës, zë me rëndësi për faktin se, ato drejtuan për 75 vjet Pashallëkun e Shkodrës, që u dallua për tendencën për autonomi dhe shkëputje nga Turqia, si dhe zhvillimin ekonomik e kulturor pozitiv, që pati. Sundimi i tyre, i përket fazës së dytë të administrimit të Shkodrës nga Turqia, në vitet 1757-1831, e që historiografia e, quan periudha e sundimit të pashallëkut të Shkodrës.
Për Bushatllinjtë, ka të dhëna të shumta gojore, të dhëna bibliografike dhe dokumentacion autentik, si në gjuhën shqipe ashtu dhe në turqisht. Themeluesi i dinastisë së Bushatllinjve, është Mehmet Pashë Plaku, me të cilin fillon një periudhë e mirë stabiliteti, me faljen e gjaqeve, bashkimin e Shkodrës me Malësinë e Madhe e Mirditën, zgjerimin e kufijve, deri në Pejë dhe në Jug, deri në Elbasan. Në këtë periudhë, bie në sy politika e tij drejt shkëputjes nga Turqia. Zhvillimi ekonomik, toleranca fetare, mirëkuptimi e lidhjet për bashkim, i jepnin forcë këtij pashallëku, aq më tepër kur në politikën e jashtme, ruhej një farë ekuilibri, kurdoherë në interes të vendit. Ai u bë sundimtar i Shkodrës në vitin 1757 dhe me të filloi një periudhë e re sundim iku bie në sy ringjallja e dëshirës së shqiptarëve për tu shkëputur nga Turqia.
Mehmet Pashë Bushatlliu, është i pari pasha shqiptar që në gjysmën e shekullit të XVIII-të, do të ngrejë flamurin e kryengritjes ndaj Turqisë. Kjo, do të bëjë që Bushatllinjtë, të hyjnë në historiografinë botërore. Me Mehmet Pashë Plakun, (Bushatlliu), nis periudha më e shkëlqyer e dinastisë së Bushtllinjve, që zgjati rreth 100 vjet, deri me kapitullimin e Mustafa Pashës, Vezir i fundit i tyre. Gjatë sundimit të tij afro 20 vjeçar, kur ishte Vezir i Sanxhakut të Shkodrës dhe u bë i njohur në historiografinë shqiptare e atë të huaj, për aftësitë e tij si ushtarak e administrator. Fillimisht, ndoqi një politikë elastike ndaj Turqisë dhe pas fuqizimit të tij, filloi të mos respektonte detyrimet ndaj Portës së Lartë, e cila në vitin 1775, e helmoi tinëzisht.
Sipas historianëve, ai pati merita se ishte i pari që hapi shtigjet e një modeli të ri vet sundimi, ngriti flamurin e mosbindjes ndaj urdhëresave sulltanore, me qëllim shkëputjen, duke patur guximin të deklarohej si autonomi, në qeverisjen e vendit. Mehmet Pashë Bushatlliu, ndihmoi në bashkimin e qytetarëve të përçarë të Shkodrës, nga konfliktet e feudalëve paraardhës, si dhe në harmoninë bashkë fetare, duke siguruar bashkëpunimin e tyre në planin politik, administrativ e shoqëror. Në vitin 1773, ndërtoi Xhaminë e Plumbit, sipas stilit të xhamive të Stambollit, objekt ky që aktualisht, është monument kulture, një ndër më të bukurit që ka Shkodra, por funksionon dhe si vend lutjesh. Pasardhësi i tij, Mustafa Pasha, ishte djali i madh i Mehmetit dhe luante rol të rëndësishëm në administrimin e brendshëm të pashallëkut. Porta e Lartë, nuk e njohu asnjëherë atë si sundimtar të Shkodrës, e përdori ndër shërbime luftarake dhe në vitin 1779, ra viktimë e një helmimi nga ana e Sulltanit, që ushqente urrejtje ndaj Bushatllinjve.
Pas tij, pashallëku i Shkodrës, drejtohet nga ajo që historianët e kanë quajtur figurën kryesore; Kara Mahmut Pasha. Trimëritë e Kara Mahmut Pashë Bushatlliut, janë trashëguar në legjenda, këngë e rrëfime të popullit në breza, por, pozitive në periudhën e sundimit të tij, mbeten dëshira e puna për bashkim, toleranca fetare, politika e jashtme aktive që ai ndoqi dhe për të cilat, ekzistojnë dokumenta e botime sllave, turke, italiane, gjermane, austriake. Ai punoi për krijimin e një konfederate ilirike, kryetar i së cilës u zgjodh. Kara Mahmut Pashë Bushatlliu, u emërua nga Porta e Lartë, si Vezir i Shkodrës. Efektivisht, ai e ka sunduar Shkodrën, nga viti 1775, por sipas të dhënave të historianit turk A. Xhevdet, ai u njoh zyrtarisht si sundimtar i Shkodrës, në vitet 1779-1780. Mbështetur në arkivin e Venedikut, autori Stavr Naçi, si vit të zyrtarizimit të Kara Mahmutit, jep vitin 1778.
Zgjerimi ndikimit të tij, bëri që Turqia, t’i hiqte emërimin e Vezirit dhe të dërgonte disa herë ushtri ndëshkuese ndaj tij. Me synimin që të shkëputej nga Turqia, ai hyri në kontakte me oborret perandorake të Rusisë dhe Austrisë. Synimi ambicioz i tij, ishte të bëhej sundimtar i gjithë Shqipërisë, duke pasuar Gjergj Kastriotin. Me këtë synim, ai organizoi një kuvend në Podgoricë, në mars 1786, me qëllim bashkimin e forcave që do të luftonin kundër Turqisë dhe krijimin e Konfederatës Ilirike. Vritet më 22 shtator, në afërsi të fshatit Kruz në luftë me malazezët. Koka e tij, u nda nga trupi dhe u depozitua në Kuvendin e Cetinës, ndërsa thuhet se austriakët, gjatë Luftës së Parë Botërore më 1914, kur pushtuan Cetinën, e morën kokën e Kara Mahmutit dhe e vendosën në muzeun e Vjenës. Vdekja e tij i gëzoi mjaft malazeztë, të cilit shihnin tek Kara Mahmut Bushatlliu një pengesë të pakapërcyeshme për pushtimin e tokave shqiptare.
Sukseset që ai arriti në fuqizimin e pashallëkut të Shkodrës, gjatë 21 viteve që e udhëhoqi, lidhen me aftësitë e talentin e tij dhe me mbështetjen që siguroi nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, si; feudalë, tregtarë, zejtarë, malësorë, etj. Ai diti të shfrytëzonte momente kritike në qeverinë osmane, për të forcuar pozitat e tij, brenda pashallëkut. Ndoqi një politikë të urtë sociale, ekonomike, juridike e arsimore. Pas vdekjes së Kara Mahmutit, pashallëkun e drejtoi vëllai i tij, Ibrahim Pashë Bushatliu. Historiografët osmanë, e paraqesin Ibrahim Pashën, si një sundimtar të bindur ndaj Turqisë, që nuk veproi si paraardhësit e tij, duke u rebeluar herë pas here, ndaj Portës së Lartë. Ai vdiq në vitin 1809.
Mehmet Pashë Bushatlliu, ishte një tjetër pinjoll i kësaj familje, që në vitin 1825, gëzonte mjaft përkrahje në fshatra e malësi, por, u vra me atentat në pabesi. Mustafa Pashë Bushatlliu, drejtoi në vitet 1810 – 1831. Ai vdiq në Medinë, në vitin 1860. Populli, ka ruajtur e përcjellë mjaft dëshmi, gojëdhëna e anekdota, që lidhen me sundimin e Bushtllinjve dhe përfaqësuesve më të njohur të tyre. Pashallëku i Shkodrës, ishte një formacion politik, që bashkoi një pjesë të madhe të Shqipërisë veriore, u krijua 20 vjet para atij të Janinës dhe jetoi 10 vjet më shumë se ai. Gjatë 75 vjetëve të ekzistencës së vet, (1757- 1831), ai u qeveris pa ndërprerje prej 5 përfaqësuesve të familjes së fuqishme feudale të Bushatllinjve të Shkodrës.
Periudha e parë e ekzistencës së këtij pashallëku, përfshin sundimin e Mehmet Pashë Plakut dhe dy djemve të tij, Mustafa Pashës dhe Kara Mahmut Pashës. Gjatë periudhës së dytë, ku shënohet dhe rënia e tij, sunduan dy Vezirët Bushatllinj, Ibrahim Pasha dhe djali i nipit të tij, Mustafa Pasha. Në disa nga vlerësimet e historianëve, për periudhë e pashallëkut të Shkodrës, thuhet: “Kara Mahmut Pashë Bushatlliu është figura më e shquar e Bushatllinjve dhe një nga figurat më të forta, që ka nxjerrë Shqipëria gjatë sundimit turk. Me vrasjen e tij, e humbi dhe Shqipëria një farë shprese për tu bërë autonome dhe e pavarur”! (Abaz Ermennji, 1996). “Pashallëku i Shkodrës, u bë bërthama e shtetit të ardhshëm shqiptar, për të cilin në fund të fundit, bëhej një luftë çlirimtare. Sundimi i Bushatllinjve, ka një rëndësi të veçantë historike, jo vetëm në kuadrin lokal, por dhe në atë kombëtar. Nuk është e rastit që, kujtimi i tyre, u ruajt në kujtesën e popullit në gojën e popullit, si periudhë lufte çlirimtare dhe si e tillë, ndikoi thellë edhe në rilindasit, në ideologët e lëvizjes kombëtare të mëvonshme” (Prof. Dr. Stavri Naçi, Pashalleku i Shkodrës, 1964.)
“Shqiptarët e kanë dashur Kara Mahmutin. Talenti i tij, trimëria e tij, pasuria e tij dhe bindje e popullit që sundonte, kanë treguar pavarësinë e tij të vërtetë” (Konsulli Francez në Raguzë, 23 tetor 1796). “Kara Mahmut Bushatlliu, trashëgoi pushtetin e paraardhësve të tij, babanë e vëllait, të helmuar nga agjentët e Stambollit, dhe e bëri emrin e tij të tmerrshëm për grekët, sllavët e turqit” (A. Galanti, albanolog italian, 1901). Degëzimet e Bushatllinjve, janë pesë dhe këtej kanë rrjedhur trashëgimtar të tyre ,që vijnë deri sot. Hamdi Bushati, ‘Mësues i Popullit’, ka bërë një studim të plotë të historisë së Bushatllinjve, bazuar në dokumentacionin e bibliografi mjaft të pasur dhe që më tej është pasuruar nga djali i tij, Nexhmi Bushati, ‘Mësues i Merituar’.
Vepra “Bushatllinjtë”, parqet në mënyrë të plotë e të detajuar, historinë e kësaj familjeje, që është padyshim familja më e madhe në Shkodër. Prania e Bushatllinjve, në jetën politike e shoqërore, jo vetëm të Shkodrës, por të gjithë vendit, vazhdon të jetë aktive dhe pas rënies së pashallëkut. Pasardhësit e tyre, nuk e humbën asnjëherë influencën që kishin në popull dhe në qarqet politike e shoqërore. Në vitin 1834, Bushatllinjtë ,janë aktivë në luftën e quajtur Kryengritja e Hamz Kazazit, si dhe administrator të qytetit të Shkodrës, me përfaqësues të tyre: Isuf e Hysen Begun (Bushati). Duke i referuar monografisë “Bushatllinjtë”, si dhe dëshmive e shënimeve që sjell botuesi i saj, ‘Mësuesi i Merituar’, Nexhmi Hamdi Bushati, më 1878, Bushatllinjtë përfaqësohen në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, me Selim Tahir Begun (Bushati), i cili është delegat, ndërsa Ali Begu (Bushati) ishte drejtues i ushtrive vullnetare, në mbrojtje të tokave shqiptare nga copëtimi.
Në një studim të historianit Italian, Xhino Berri, përmendet një dokument i konsullit austriak, Lippih, i cili njofton ministrin e tij të Jashtëm, për krijimin e një partie muhamedane në Shkodër. “Në Shkodër, ekziston një parti e ashtuquajtur muhamedane, e cila sikurse ju kam njoftuar, mban lidhje me konsullatën italiane, si miqtë e saj katolikë. Shumica e muhamedanëve, që bëjnë pjesë në këtë parti, rrjedhin nga familja e Bushtllinjve, ose të afërmit e tyre, fisi më i vjetër në Shkodër, si: Reshit Beu, Selim Beu, Shaban Beu etj. Ky i fundit, mori pjesë në luftën e Tivarit dhe pas kthimit, ka kërkuar mbështetjen e Italisë dhe të Fuqive të Mëdha, për të penguar pushtimin e vendit nga Mali i Zi. Për këtë, kanë hartuar një peticion, të firmosur nga muhamedanë e katolikë”. (Dok, arkivi i Muzeut të Shkodrës).
Djali i tij, Shaqir Beu, mori pjesë në komandën e trupave shqiptare, në betejën e Urës së Rrazhnicës, betejë kjo e përjetësuar nga At Gjergj Fishta, tek “Lahuta e Malcisë”. Këtu Shaqir Beu, luftoi krah Dedë Gjo Lulit. Të tjerë Bushtllinjë të njohur në këtë kohë, janë dhe Haxhi Beu, anëtar i gjykatës në vitin 1802 dhe Hasan Bejtullah Beu, anëtar i Këshillit Administrativ, në vitin 1862. Përfaqësuesit e Bushatllinjve, qenë aktivë në luftën politike apo dhe atë të armatosur, për të penguar me çdo kusht, copëtimin e trojeve shqiptare. Shaqir Beg Bushati, është kryetar bashkie në Shkodër në vitin 1908 dhe deputet. Xhemal Shaqir Bushati, merr pjesë në dy luftëra për mbrojtjen e Shkodrës, më 1912- 1913 dhe 1920. Ai, shfaqet dhe në jetën politike, si përfaqësues i Shkodrës, në takimin e Bushatit, ku së bashku me përfaqësues të qeverisë, klerit e popullit, përgatitën promemorien dërguar Konferencës së Parisit, kundër copëtimit të tokave shqiptare.
Xhemal Bushati, është delegat në kongresin e Lushnjes, në zgjedhjet e vitit 1921, është deputet i Shkodrës, më 1923, zgjidhet asamblist dhe më pas deputet. Në qeverinë e Nolit, është ministër dhe më pas me rikthimin e Zogut, arratiset dhe më 1927, është pjesëtar i organizatës antizogiste “Bashkimi Kombëtar”. Selim beu i Tahir Beut (shënim: mbiemrin e kanë Bushati por Beu apo Pasha kanë qenë ofiqet e kohës me të cilat njiheshin nga të gjithë), ishte anëtar i Këshillit të Administratës, pranë Valiut, por më 1869-ën, u internua pasi nuk pranonte diskriminimin që i bëhej Shkodrës. Ishte anëtar i degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën, dhe pjesëtar i delegacionit shkodran, në mbledhjen e parë të Lidhjes së Prizrenit. Më 1894-ën, ishte anëtar i Gjykatores së Apelit, ndërsa më 1897-ën, me maturi e prestigj, arriti të ishte ndër faktorët kryesorë, për parandalimin e një vëllavrasjeje ndërfetare në Shkodër. Në luftën e Koplikut, shquhet Ahmet Salo Bushati, i cili me ushtarët vullnetarë që drejtonte, luftoi në kodrën e Mosketit.
Hasan Bej Bushati, është aktiv në luftën kundër serbëve. Muharrem Bej Bushati, do të nënshkruante i pari në memorandumin e Lekëve të Malësisë, në vitin 1911, i dalur nga mbledhja e Cetinës, memorandum që përmbante 5 kushtet, që kryengritësit i vinin Stambolluit, duke i paraprirë Memorandumit të Gërçes. Pas Muherrem Beg Bushatit, kanë nënshkruar Isa Boletini, Dedë Gjo Luli, Mehmet Shpendi etj. Tjetër përfaqësues i shquar i kësaj familjeje, është Sylço Beg Bushati. Në vitin 1913, ai kundërshton Esat Pashë Toptnin, për dorëzimin e Shkodrës, madje sipas historianit italian Gino Berri, Sylço Begu, i afroi Esat Pashës, 100 lopë, pasi ai pretendonte se qyteti duhej dorëzuar, se nuk kishte ushqime. Sylço Begu, ishte protagonist i lëvizjeve politike e shoqërore, ku në vite 1914-1915, është anëtar i Komisionit Administrativ të Shkodrës. Ai ishte zëvendës prefekt në kohën e Zogut. Mori pjesë si drejtues në Luftën Koplikut. Udhëhoqi Xhandarmërinë në kohën e Zogut, por në mënyrë demonstrative, refuzoi rekrutimin e milicisë shqiptare. Në vitin 1943, djali i tij, krijoi një çetë nacionaliste. Pas dështimit të Konferencës së Mukjes, rreshtohet në kampin antikomunist, në ‘Bllokun Indipendent’, me qëllim lidhjen me aleatët anglezë.
Me çlirimin e Shqipërisë, fshihet dhe refuzon të largohet nga Shqipëria, pasi duke qenë i moshuar, nuk donte të vdiste larg atdheut. Duke e ditur se komunistët do të ndëshkonin ato që e strehonin dhe e fshihnin, Sylço Beg Bushati, largohet nga vendi ku qëndronte dhe drejtohet për t’u ndalur tek rrënojat e pabanuara, të ish-shtëpisë së vëllait së tij, ku nuk shkelte njeri dhe askush nuk do kishte pasoja. Sipas përshkrimit të bërë nga Ahmet Bushati, Sylço Begu, u nis një natë dimri, për të vdekur urie apo të ftohtit, në shtëpinë e vëllasë së tij të vogël, e rrënuar 2 muaj më parë nga shpërthimi i municioneve, në livadhin me emrin e tij. Aty u kap nga komunistët, ku nuk mundi të rezistojë dhe pse ishte i armatosur me një nagant, por i ishte ngrirë dora. Pushkatohet me 21 shkurt 1945, së bashku me Dom Lazër Shantojën. Pasardhës të Sylço Beg Bushatit dhe që u morën me politikë, ishte djali i tij i dytë, Xhelal Bushati, që në vitin 1943, kishte formuar çetën nacionaliste të Postrribës.
Ai u arratis nga Shqipëria. Myfit Myrto Bushati, ishte nipi i Sylço Begut. Myfit Bushati, rreshtohet me ‘Ballin Kombëtar’, por strehon dhe ndihmon dhe aktivistë të Lëvizjes Nacional- çlirimtare.
Në operacionin represiv komunist të Shefqet Peçit e Mehmet Shehut në Shkodër, në 1944-1945, u arrestua dhe u dënua me 30 vjet burgim. (Djali i tij, Astrit Bushati, ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, që nga viti 2001 e në vazhdim). Një tjetër figurë tipike, përfaqësuese e familjes së madhe të Bushatlinjve, është dhe Maliq Bushati, një ndër personalitete politike të shtetit shqiptar, të gjysmës së parë të shekullit XX-të. Ai bën pjesë më 1914-ën, në Lidhjen Kombëtare dhe ndiqej nga malazezët. Më 1921-in, është deputet i Shkodrës dhe rreshtohet me Partinë Popullore. Deri në vitin 1937, është vazhdimisht deputet. Së bashku me Sylço Beg Bushatin, sipas dokumenteve të kohës, nuk morën pjesë në Asamblenë Kushtetuese dhe paraqitjen e Kurorës Mbretërore, Mbretit të Italisë.
Në qeverinë e Shefqet Bej Vërlacit, Maliq Bushati, ka qenë ministër i Brendshëm, kurse në qeverinë e Mustafa Krujës, do të jetë ministër i Shtetit. Më 17 shkurt 1943, Maliq Bushati, është kryeministër i Shqipërisë, post të cilin, e mbajti për dy muaj derisa dha dorëheqjen. Gjatë kohës që ishte kryeministër, dhe pse vendi ishte i pushtuar, tregoi disa shenja të pavarësisë, siç ishin heqja nga flamuri shqiptar, i simboleve të fashizmit, krijimi i Doganave dhe Xhandarmërisë Shqiptare etj. U arrestua nga komunistët dhe gjatë gjyqit ushtarak, me akuzën e kriminelit të luftës, sipas dokumenteve, dolën fakte se gjatë periudhës që Maliq Bushati, drejtonte qeverinë, kishte kundërshtuar hapur italianët, për internimet e të burgosurve. Në fundin e vitit 1944, pati një riaktivizim të tij në politikë, duke u përpjekur të hynte në lidhje me aleatët anglo-amerikanë. Komunistët, e kapin me tradhti aty ku fshihej, ndërsa lante fytyrën, pa patur mundësi të reagonte me armë. Pushkatohet në shkurt të vitit 1946, së bashku me Padër Anton Harapin dhe Lef Nosin. Pasardhës të tij, pësuan persekutim politik, me burgim e internim, si vëllezërit, Fadili, Hakiu, etj. Nga Bushatllinjtë, pati familje që e përkrahën dhe u vunë totalisht në dispozicion të luftës partizane. Shefqet Bej Bushati, vuri gjithçka në shërbim të luftës dhe shtëpinë, ia dogjën gjermanët. Djali i tij, Sytkiu, u plagos gjatë një shkëmbimi zjarri me policët e kuesturës, kur ishte efektiv i batalionit partizan “Perlat Rexhepi” dhe mori pjesë në luftën e Reçit. Më pas, ka qenë një mjek mjaft i njohur, i sëmundjeve infektive dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë.
Sami Shefqet Bushati, ishte një tjetër pjesëtar i kësaj familjeje, që mori pjesë aktive në formacionet partizane, si dhe punoi si ushtarak i lartë, me gradën kolonel, nga ku doli në lirim. Po kështu, familja e Hamza Mehmet Bushatit, u përfshi në luftën partizane, ku morën pjesë vëllezërit e Hamazasë, Asimi e Aliu, por dhe djemtë e tij, Samiu, Mit’hati e Nuriu, si dhe kushërinjtë e tyre, Feridi e Muharremi. Nuri Hamza Bushati, është ‘Dëshmor i Atdheut’. Pasi doli partizan dhe mori pjesë në luftën e Reçit e të Vorfës, u arrestua dhe internua në kampin e përqendrimit nazist në Prishtinë, ku dhe u ekzekutua. Sulejman Hamza Bushati, ka qenë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Shkodrës, në vitet 1970-1974, me arsim të lartë. Më pas, ka qenë sekretar i parë i Komitetit të PPSH-së në Shkodër, Kukës e Lushnje, ndërsa ka punuar në drejtorinë e Bujqësisë, pranë Komitetit Qendror të PPSH-së, deri në vitin 1991. Dhe familja e Xheladin Mehmet Bushatit, dha kontribut në luftën partizane, ku djali i dytë, Shyqyri Bushati, do të pushkatohej nga gjermanët në Prishtinë, bashkë me djalin e xhaxhasë së tij, Riza Bushatin, ashtu si dhe Nuri Bushati.
Vëllai i Shyqyri Bushati, Sait Bushati, ka qenë sekretar i parë i Qarkorit të Rinisë për Shkodrën, dhe sekretar i parë i PPSH-së në Pukë, Durrës, Gjirokastër, Elbasan e Lezhë. Djali i madh i Sait Bushatit, Petrit Bushati, është figurë publike në fushën e diplomacisë, duke punuar pranë ambasadës shqiptare në Austri, në vitet 1984-1987, pranë ATSH-së, më 1988-ën është ambasador në Suedi, më 1991-1993, drejtor Drejtorie në Ministrinë e Jashtme, më 1997, ambasador i Shqipërisë në SHBA-ës, më 2001 në Kanada, e më pas ambasador në Beograd. Ka kryesuar delegacione shqiptare pranë organizmave ndërkombëtarë. Ndër Bushatllinjtë, ka dhe figura të shquara fetare e juridike, të njohur për personalitetin e tyre dhe respektin që gëzonin në popull. Të tillë janë; Molla Rrustem Bushati, që mori pjesë me armë në luftën për mbrojtjen e Shkodrës. Vëllai i tij, Riza Bushati, do të arsimohej për jurist në Stamboll dhe do të punonte si përmbarues në gjykatën e Shkodrës, në vitet ‘20-të.
Molla Zenel Bushati, ishte një tjetër klerik i kësaj familjeje. Djali i tij, Qazim Bushati, gjithmonë duke iu referuar monografisë së shkruar nga Hamdi Busahti dhe plotësuar nga Nexhmi Bushati, do të pushkatohej në vitin 1945, nga komunistët, pasi mori mbi vete, përgjegjësitë e strehimit të Sylço Beg Bushatit, me qëllim që të shpëtonte tre vëllezërit e tjerë. Hafiz Halit Bushati, ishte personalitet i njohur fetar, që ushtronte dhe detyrën e juristit. Djali i tij, Hysni Bushati, u arsimua dhe punoi si mësues besimi. Bushatllinjtë, njihen si ndër intelektualët më të shquar në Shkodër. Nga kjo familje e madhe, numërohen 88 mësues e pedagogë, 15 mjekë, 74 të diplomuar me shkollë të lartë në degë të ndryshme. Po kështu, kjo familjeje të madhe e me tradita në Shkodër, ka pasur 17 sportistë, si atletë, futbollistë, volejbollistë, boksierë, basketbollist etj. Ndër mësuesit e kësaj familjeje, vend të veçantë, zë “Mësuesi i Popullit”, Hamdi Bushati dhe djali i tij, “Mësuesi i Merituar”, Nexhmi Bushati
Hamdi Bushati, është një ndër personalitet më të shquara të arsimit shqiptar, i njohur dhe për aktivitetin e tij produktiv si historian, grumbullues e studiues folklori. I mëkuar me dashurinë për atdheun dhe qytetin e tij të lindjes, me punën e dijen, ai që në moshë të re, u formua si intelektual, duke studiuar në shkollat më të njohura të Shkodrës dhe jashtë saj, në Romë e Paris, ai arriti një perfeksionim të elementëve kryesore të shkencave të ndryshme. Përveç kontributit të tij të madh, në fushën e arsimit shqiptar, ai studion në mënyrë autodidakte, grumbulloi dhe gërmoi në arkiva të ndryshëm, deshifroi dorëshkrime të vjetra, përktheu dokumenta, mblodhi fakte e dëshmi verbale, nga pjesëmarrës në ngjarje të ndryshme. Zotërimi prej tij mjaft mire, i turqishtes së vjetër, por dhe i asaj të resë, i italishtes e frëngjishtes, si dhe njohja e mirë e arabishtes e gjermanishtes, i dha mundësi, të njihej me botimet e huaja për historinë kombëtare e lokale.
Tepër aktiv në punën kërkimore, dhe i angazhuar në jetën intelektuale të elitës së qytetit të Shkodrës, Hamdi Bushati, dha një kontribut të madh, si mësues, historian, përkthyes, e studiues. Si mësues dhe drejtues shkolle, ai shquhet për përgatitjen me përkushtim të brezave të tërë nxënësish, hartimin e mjaft teksteve shkollore dhe studimin e historisë së shkollës dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Si historian, ai botoi nëpër organet e shtypit të kohës, artikuj e studime, si “Gjenealogjia e Bushatllinjve”, botuar në revistën “Dituria”, punimin “Lufta e Miletit”, të botuar në vitin 1928, në “Kalendari Kombëtar”, e mjaft studime e punime të tjera, që u përfshinë më pas në kryeveprën e tij “Shkodra dhe Motet”. Si përkthyes, ai përveç dokumenteve të shumta në turqisht, si dhe mbishkrimeve mbi objekte kulti, përktheu dhe vepra të plota, siç janë: “Fjalori Historik” dhe “Fjalori Etnografik”, nga “Enciklopedia” e Sami Frashërit, “Psikologjia” e Hasan Tahsinit, “Xhibali” e J. Davvenport, “Mbrojtja e Shkodrës”, nga Nazif-Karamentin etj. Ai pasuroi bibliotekën e tij personale, me vepra të larmishme, si fjalorë, gramatika e manuale gjuhësore të gjuhëve që njihte, me vepra letrare e historike, me krijime folklorike etj.
Vepra e tij kryesore; “SHKODRA DHE MOTET”, me dy vëllime dhe një suplement shtesë, e botuar në vitin ë 1998, është unikale në llojin e vet dhe i shërben brezave. Ndërsa në vitin 2003, u botua vepra tjetër historike e Hamdi Bushatit, “Bushatllinjtë”.
Vepra “Shkodra dhe motet” e “Mësuesit të Popullit”, Hamdi Bushati, është një vepër enciklopedike që tregon më së miri, madhështinë e qytetit të Shkodrës, vlerat e tij historike e kulturore, figurat e bijtë e tij, të ndritura. Ajo është enciklopedia më e plotë e botuar, apo dhe e shkruar, deri tani, për qytetin e lashtë të Rozafës. Në rreth 1500 faqet e dy vëllimeve, për të cilat autori punoi gati 60 vjet dhe që u arrit të botohet 15 vjet pas vdekjes së tij, nën kujdesin e djalit të tij, Nexhmi Bushati, pasqyrohet më së miri, madhështia e këtij qyteti, familjet shkodrane, niveli ekonomik, kulturor, arsimor, i tyre, zakonet e doket, historia e figurat e saj. Në faqet e kësaj vepre, autori jep shumë gjëra për qytetin e tij. Historia, shtrirja gjeografike, humori, të dhëna topografie, arkeologjike, etnografie, urbanistike, sociologjike, gjuhësore etj. Më 1945, Hamdi Bushati, burgoset politikisht, por i jepet pafajësia.
Më 1950, largohet nga arsimi e punon si punëtor krahu. Më 1954-1960, internohet politikisht. Në vitet 1960-1983 i kushtohet punës shkencore, por i mohohet pensioni. Vepra e tij shkencore e historike, u botua pas ardhjes së demokracisë, nga djali i tij, Nexhmi Bushati, i cili e pasuroi me të dhëna të tjera gjithçka kishte ruajtur e trashëguar nga babai i tij. Aktualisht, paraardhës të Bushatllinjve, ndodhen të shpërndarë në të gjithë botën, jo vetëm në Evropë, por dhe në Afrikë, Australi, SHBA, e Azi. Në Shkodër, janë rreth 180 familje, që i përkasin trungut të Bushatllinjve. Gjatë gjithë periudhave historike, Bushatllinjtë, kanë dhënë kontribut të madh për zhvillimin politik, ekonomik e shoqëror të Shkodrës. Që në periudhat e hershme të pashallëkut të tyre, ato ndërtuan disa ura, si mjete komunikimi, siç janë ura e Mesit në Postribë, Ura e Tamarës në Këlmend, Ura e Vezirit në Kukës, Bexhisteni në Shkodër, ku kishte me qindra njësi tregtimi, Ura e Moraçës në Mal të Zi, Xhamia e Plumbit, etj.
Sipas të dhënave historike, që përbën monografia “Bushatllinjtë”, ato kanë qenë një familje feudale e fuqishme, që gjatë periudhës së sundimit të pashallëkut, i zgjeroi mjaft pronat e saj. Nexhmi Bushati, tregon se në Bushat, ka qenë shtëpia e madhe e pashallarëve, që në bazë të fotografive ka qenë e vendosur tek një oborr i madh, ku ndodheshin tre çinarë të mëdhenj. Ajo ndodhej në buzë të lumit Drin, në krahun e majtë të rrugës drejt Tiranës. Sipas kronikanit turk Evlia Çelebi, kjo shtëpi, është ngritur në themel që i takonin shekullit të XV-të, dhe që ishte vizituar prej tij (Çelebiut) në vitin 1641, ndërsa Mehmet Pashë Plaku, kishte thënë se, e kishte trashëguar nga stërgjyshi. Kjo shtëpi, ka qenë dëshmitare e ngjarjeve të mëdha historike. Kështu, në oborrin e saj, u organizua festimi i madh popullor i vitit 1908, kur u shpall kushtetuta turke e Hyrjetit. Gjithashtu, më 1919-ën, aty u mbajt Kuvendi i Bushatit, me përfaqësues nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Postrriba, fshatrat e Nën Shkodrës, të Zadrimës, Lezhës etj., dhe ku rreth 2000 burra, i kërkuan Konferencës së Paqes në Paris, mos copëtimin e Shqipërisë.
Kjo shtëpi, u pat ri konstruktuar në vitin 1869. Në vitin 1912-1913, serbët e dogjën këtë shtëpi, por nuk i bënë këta me çinarët. Shtëpia u dogj dhe në vitin 1924, nga qeveria e Nolit dhe u rindërtua në vitin 1930. Ajo ishte si pallat dhe ekzistencën e saj, e vërteton dhe një pohim i Frang Bardhit. Kjo shtëpi, qëndroi deri në vitet ‘50-të të shekullit të kaluar, kur u prenë çinarët, u shemb shtëpia dhe u kthye në tokë arë, së bashku me xhaminë dhe varret. Shtëpi tjetër e madhe e Bushatllinjve, ishte dhe ajo që u ndërtua prej tyre rreth vitit 1873, në qytet, një tjetër banesë me pamjen e një pallati, model për kohën. Shtëpia shquhet edhe sot, (është monument kulture) për arkitekturën e jashtme dhe gdhendjet artistike me dru. Më 1881-in, ajo kaloi në pronësi të një familjeje tjetër. Pronat e Bushatllinjve, kanë qenë kryesisht në fshat dhe me ligjin 7501, askush nuk ka mundur t’i marrë, pasi u janë ndarë të tjerëve. Memorie.al