Nga Hysen Selmani
Pjesa e njëzetepesë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Tiranë, 11 gusht 1940, Gafuri
Kolonel Husein Selmani, këtë raport, ja parashtroi menjëherë Madhërisë së Tij Mbreti Zog në Londër. Nga ana tjetër, ai edhe kërkon udhëzime. Po, të njëjtën gjë, ja dërgoi në turqisht Zyrës Turke në Beyogllue, për dijeni.
“Tani kemi humbur të gjithë kontaktin me Kryeministrin Koço Kotta, thotë ai. Ky ka mbetur në Athinë, por nuk dimë se ç’bëhet, se ky nuk iku me Qeverinë Greke, për në Kretë dhe tani në Aleksandri. Në të vërtetë, nuk jemi në dijeni, se pse nuk u largua. Ose e vërtetë ishte një panik i madh, i cili nuk mundi të hyjë në kontakt me Qeverinë Greke. Po e kërkojmë dhe nuk e gjejmë! Gjithashtu, edhe Madhëria e Tij, Mbreti Zog, na kërkon se ku ndodhet dhe adresën e tij, na urdhëron që ta gjejmë. Duhet që të hyjmë në kontakt me të, por deri tani nuk kemi asnjë dijeni, se ku ndodhet dhe si është. Natyrisht do të jetë i fshehur. Po, përse nuk ka shkuar në Ambasadën Turke në Athinë, sepse aty do të qëndronte i sigurt”.
Ky është një opinion i këtyre kujtimeve, për këto ditë: Tani pasi hyri Gjermania në luftë me Rusinë, grupet komuniste si në Shqipëri, Greqi e Jugosllavi do të marrin një hov të gjerë. Duhet thënë se kjo është doktrina e tyre dhe ata bashkohen kudo te çdo nocioni qofshin. Duhet thënë se deri tani në Shqipëri, komunistët rrinin të fshehtë, e tani na dalin si Omer Nishani e Enver Hoxha me shokë. Dhe, ka posibilitet të prishin organizimet nacionaliste, shkruhet më poshtë.
Madhëria e Tij, Mbreti Zog i I-rë, në bisedime të pareshtura si me Britaninë e Madhe, po ashtu me të gjithë shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Faik Konicën, Imzot Fan Nolin e të tjerë, kanë konkluduar për të mundur që të hyjnë në kampin Aleat. Pasi tani edhe Greqia, ashtu si edhe Jugosllavia, u bënë shokët tanë. I gjithë Ballkani, ndodhet i okupuar nga gjermanët.
Gjithnjë priten zhvillime të reja, por më interesante është kjo e jona. Që kemi mbetur të panjohur në kampin aleat, si edhe në Lidhjen e Kombeve. E, tani kujtojmë se të gjitha ato pengesa që ndalonin këtë njohje, u shtuan. E para Italia Fashiste, është në luftë me Britaninë e Madhe. Nuk ka më atë shpresë Britania si më parë, që ta tërhiqte prej Gjermanisë. Po ashtu, si Greqia dhe Jugosllavia, u okupuan njësoj si ne. Që ne, kemi qenë të parët viktima e kësaj lufte, kjo dihet ashtu si shpresohet që të realizohen edhe të drejtat tona. Ushtria gjermane, përparon gjithandej në tokën ruse, por edhe rusët po luftojnë, si në Leningrad, po ashtu edhe në vijat e Moskës. Thuhet se Moskën, do ta lirojnë nga popullata, por vetë Stalini, nuk luan nga Moska. Madje, është vetë gjithnjë në krye të ushtrisë sovjete.
Flitet se: Dimri në Rusi, ka filluar qysh tani po s’është i fortë. Rusët po organizohen me forca të reja, mes Uraleve, ku aty presin dimrin e madh, që t’i bëjnë mësymje gjermanëve që tani janë në afërsitë e Tules, Kercit mbi Krime. Gjithandej rusët, në tërheqje, kanë rrënuar çdo gjë: ura, shtëpia, rrugë e gjithçka, për t’i dhënë pengesa përparimeve gjermane, që janë hapur aq shumë. Tani u vërtetua se edhe Rumania, u bë aleatë me Gjermaninë dhe ushtria rumune, lufton bashkë me atë gjermane në Krime.
Vërejtje
Mbreti Zog, me anë të këtij memorandumi, i drejtohet autoriteteve greke, duke shfajësuar vendin e tij, për ngjarjet që sollën Luftën italo-greke. Dhe, kjo situatë, i thotë ai, është bërë e mundur, kur Shqipëria është pushtuar dhe toka e saj është përdorur për një agresion ndaj shtetit fqinj.
Mbreti revokon situatën e Shqipërisë dhe bën një paralelizëm, me ngjarjet e Greqisë. Ai bën një apel për të bashkuar forcat, se Shqipëria, ka një territor të përshtatshëm për të luftuar kundër fashistëve. Dhe, në qoftë se Fuqitë e Mëdha, do të shikojnë mbështetjen që Greqia i jep Shqipërisë, kjo do të thotë, që ato të jenë edhe shumë më të vëmendshme, ndaj të dy popujve, këshillon ai.
Stamboll, 25 shtator 1940
Sot morëm një raport nga Shqipëria, ku na deklarojnë se: në mbledhjen e Pezës, nuk u realizua një bashkëpunim në mes të grupeve të ndryshme. Arsyeja ishte ngaqë Nacional-Çlirimtarja, ishte më e organizuara, dhe kishte filluar nga veprimet e saj. Ajo kishte një program që nuk pajtohej me programin tonë dhe ajo kërkonte me insistim kryesinë. Madje, edhe nuk u arrit ndonjë marrëveshje, si bashkim Kombëtar. Arsyet e mos bashkimit janë:
Meqenëse me Nacional-Çlirimtaren, nuk mund të merremi vesh, sepse ky ka një program të veshur prej 3 grupesh të ndryshme, nacionaliste, socialiste, komuniste. Duket se për këtë herë, u shpërndamë pa një përfundim. “Por, e kanë lënë, që të mendojnë dhe të gjejnë një mënyrë bashkimi për më vonë”.
Mbledhja e Pezës dhe këmbëngulja e Nacionalçlirimtares me një program të tillë; kjo na detyron që edhe ne të marrim masa të shpejta për një organizim më të përsosur me kuadrot tona, në gjithë viset e Shqipërisë. Duhet thënë, vazhdon adjutanti- se disa shokë, jo të deklaruar, dëshirojnë që të bashkëpunojnë me Nacional-çlirimtaren. Tani jemi në bisedime me shokët, si në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, e të tjera vende.
Haxhi Lleshi, me një ndeshje të befshme që pati me një patrullë italiane në Prat të Selishtes, mori një plagë në këmbë, po menjëherë e shpëtoi Jusuf Selmani, me njerëzit e tij dhe e tërhoqi menjëherë në Vikë. Aty, u mjekua me mjekët e vendit dhe e shëndoshën fare mirë, brenda dy javëve. Tani është fare mirë. Këta si Haxhi Lleshi dhe Profesor Mustafa Gjinishi, rrinin në Mat, tek Jusuf Selmani. Dihet se këta bënin pjesë në Partinë Nacional-çlirimtare dhe se Gjinishi, e kishte pagëzuar këtë Parti, me këtë emër dhe madje ishte komisari politik i saj. Ata ishin miq të Myslim Pezës, ku ai ishte i deklaruar si kryetar i kësaj partie. Dhe në këta, personi që luante një rol, ishte Mustafa Gjinishi. Madje, ai ja kishte mbushur mendjen edhe Haxhi Lleshit. Këto ende nuk janë të deklaruar, se janë shkëputur prej nesh, gjithnjë mbahen me ne.
Mit’hat Frashëri me shokë, përpiqet që të shpallë emrin e partisë së tij, me programin e veprimit, por trembet nga italianët. Siç duket, por jo se kemi fakte të sakta. Mit’hati, vetë rin në Tiranë, e jo në male. Ata janë në grindje, me Nacional-Çlirimtaren, dhe flitet se do ta luftojnë me shtytjen italiane, por kjo flitet dhe jo një fakt i vërtetë, por më vonë, do të kuptohen. Tani, duke mos pasur të reja të tjera, e për herë mbetemi në udhëzimet tuaja, sa më parë. Dhe presim kohën e volitshme. Sa i përket një bashkimi e një organizimi vëllazëror, ne jemi duke bërë çmos. Por, më në fund, ne do të organizohemi me tanët. Jemi krejtësisht superior, prej të dy grupeve të tjera dhe ju parashtrojmë përshëndetjet më të sinqerta. Rroftë Mbreti.
Njoftimi është cituar nga Gafurr Dibra
Tiranë, 18 Shtator 1941, Në emrin e të gjithëve
Me nderime Gafuri. D.v.
Haxhi Lleshi i dërgon një letër kolonel Husein Selmanit, nga Shelliu i Matit, pas aksidentit që i ndodhi me një patrulle italianësh, ku thotë tekstualisht:
“I dashuri Husein Beg.
Jam bashkë me Jusuf Begun. Unë para 2 javësh, pata një përpjekje, duke kaluar Bufllen me ardhë në Selishtë. U poqa me një patrullë italianësh, e shqiptarësh dhe në pushkët e para, mora një plagë në këmbë, mjaft të rëndë, saqë nuk munda të ec. Kisha tre shokë me vete dhe ata më morën e më futën më një pyll. Menjëherë, i dërgova fjalë Jusuf Begut në Vike dhe më dërguan Rahman Hisen, Ramadan Biben, Halil Xhaferrin e, më morën e më dërguan në Shellie, në shtëpinë e Bajram Cekës. Ata më vunë të më lidhi këmbën, Dalip Xhokën, i cili ka ndenjur me mua, derisa u shëndosha, dhe sot që po shkruaj këtë letër, është përsëri këtu. Jusuf Begu, vjen çdo dy ditë dhe është fare mirë.
Husen Beg, të gjithë jemi mirë. Aqifin e Himçen, i kanë internuar në Elbasan, po janë mirë këtu. Deri sa të vini ju, ju presim të gjithë. Ne nuk merremi vesh, njëri me tjetrin, se jemi të gjithë hiska. Do të donim të ishim, siç kemi qenë në Jugosllavi, pra të gjithë të bashkuar, për Atdhe e Mbret. Gjithsesi, prapë jemi të bashkuar, duke përjashtuar një pakicë që nuk janë kurrkush.
Pra, unë, Faiku, Myslimi e Gjinishi, jemi të bashkuar, edhe Spiro Moisiu. Vetëm se presim një orë e më parë, të vini ju. Unë gjithnjë jam në Mat, me Jusuf Begun, po me të tjerët nuk mirrem vesh. Pres letër prej jush. Mua më Jusuf Begun, e me njerëzit tuaj, kurrë nuk më ndan gjë, deri në vdekje. Po, ashtu Faiku e Akif, Himçja e Myslimi, Gjinishi e Spiro Moisiu.
Për këtë herë, e lashë me kaq, keni shumë të fala prej Hisen Skurës prej Ali Krosit, prej Bajram Cekës, e Dalip Xhokës, Ramadan Bibës. Janë këtu me mua. M’i ka lënë Jusuf Begu, që e kam byrazer. Sepse jetën time, ai ma ka shpëtuar dhe jo italianët. Po hasmit e mi, më kishin zhdukur. Këtë radhë, nuk kam tjetër, vetëm të më dishe si Sofen.
Me këtë, ju jap të falat e mia, e duke lutur Zotin, që të jeni me shëndet të mirë, e t’ju shohim sa më shpejt këtu në mes tonë”.
Shellie, 2 Tetor 1941 Miku juaj me besë
H .Lleshi. d.v.
Kapiten Dylejman Çela, kur u kthye nga Mbledhja e Pezës, ishte pak i lodhur. Dhe, për të pushuar pak, u ndalua në një shtëpi të një mikut tij në Patin. Kur u përmirësua, një natë ka shkuar në shtëpinë e vet. Por, aty e kanë diktuar dhe italianët, me një detashment, e kanë rrethuar në shtëpi. Dhe, duhet thënë se, pas 4 orë luftimi, ky doli jashtë. Aty në ndeshjet e para, mbeti i vdekur dhe ky ishte anëtar Mbretëror.
Tiranë 4 Tetor 1941
Nderime të larta
Gafuri
Telegramet e Faik Konicës, drejtuar Mbretit të tij
“Mbretëroret, nuk kanë asnjë armiqësi, kujton adjutanti,- as me Nacional-çlirimtaren, as me ‘Ballin’, por asnjërën anë nuk ndihmojnë kundër tjetrit, e bile, ne kemi miqtë tanë në atë të Nacional-çlirimtares. Por, ata nuk na kërkojnë ndihmë. Por, edhe me na kërku, nuk ju japim, se ne kurrë nuk hyjmë në vëllavrasje me shqiptarët. E bile, sikur mos të kishin qenë organizatorët e huaj britanikë, amerikanë, rusë dhe jugosllavë, ne mund t’u hynim në mes, për t’i pajtuar. Sot, ata nuk i lejnë, edhe me dashtë”.
Stamboll, 1 dhjetor 1943
Kolonel Husein Selmani, sot ka marrë një raport prej Shqipërisë. Ku lajmërohet gjendja tepër kritike, që ishte krijuar në atë kohë. Kjo letër e shpall haptazi kështu përmbajtjen e saj. Në të njëjtën mënyrë, ajo tregon edhe gjendjen e tri grupe të ndryshme, që veprojnë në vend. Nga letra, duket se grupet janë në kundërshtim njëra me tjetrën.
- Fuqitë Mbretërore, duke ndjerë veten krejtësisht superiore, nuk i dhanë atë rëndësi organizimit siç lipsej. Ato u gënjyen në premtime. Po ashtu, ato u gënjyen edhe nga disa shokë, që të padeklaruar, punonin me anën Nacional-çlirimtare. Sot, ato, nuk e ndjejnë veten, si më parë të forta dhe të organizuara.
- Nacional-çlirimtarja është mjaft e organizuar dhe sot në kuadrot e saj, që organizohen nga Kominformi Rus e Jugosllav, ka në gjirin e saj organizatore që janë jugosllavë komunistë të tillë, si Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha dhe J. Tempo. Të tre jugosllavë, por edhe dy janë rusë. Tani, të tre grupet e ndryshme të Nacional-Çlirimtares, si nacionaliste, socialiste e komuniste, stërviten dhe ndjekin programin e Kominformit.
- Nacional-Çlirimtarja, sot në kuadrot e saj, ka gati 300 jugosllave e malazezë. Po njerëzit e Konformit këtu, kanë organizuar rreth 12 brigada. Ato edhe administrohen prej këtyre organizatorëve. Këto grupe, janë të pajisura me armë dhe deri diku me veshmbathje e medikamente, që ju dërgohen kohë më kohë me aeroplanë. Kjo ndodh pas një akordi që patëm muajin e kaluar në Bihore. Përfaqësia e nacional-çlirimtares dërgoi njerëz nën kryesinë e Mendar Shtyllës në kuartierin e Titos. Dhe, thuhet se aty janë nënshkruar akorde. Dhe, pas kësaj ju vijnë ndihmat.
- Balli Kombëtar nuk është aspak i organizuar. Por është në luftë me Nacional-çlirimtaren. Këta, siç diktohen edhe nga italianët, i ndihmojnë për këtë vëllavrasje. Është vërtetuar se Qazim Mulleti, Prefekti i Tiranës dhe Mustafa Kruja si Kryeministër, ndihmojnë me anën e Shyqyri Pezës, Myslim Pezën. Qe, ai sot është kryetar i Nacional-çlirimtares me armë, ushqime dhe më parë. Kurse italianët, me anën e Ali Këlcyrës e të Qazim Kokoshit dhe të N/kolonel Faik Qukut, ndihmojnë ‘Ballin Kombëtar’ dhe Mit’hatin. Madje, duke i vënë edhe disa batalione shqiptare, në përkrahjen e tyre.
- Tani në këto kohërat e fundit, kanë ardhur këshilltarë britanikë, amerikanë, rusë. Siç vërtetohet, duket se ata kanë urdhër me përkrah Nacional-Çlirimtaren. Se kjo është e lidhur ngushtë me Titon dhe kjo gjendje, konfirmon e këtu duket se në Ballkan, si në Jugosllavi, Greqi dhe Shqipëri, gjendja administrohet prej Mareshallit Tito. Dhe, gjithandej këshillojnë, që mos të atakohet Nacional-çlirimtarja.
- Flitet se Mareshalli Tito, ka qenë për katër ditë në Ostrenë. Ku ka patur një bisedim të gjerë me shefat komuniste të Nacional-çlirimtares. Por, Profesor Mustafa Gjinishi, nuk ka qenë. E tani, kjo parti ka marrë një hov të fortë dhe shefat e tyre, që janë miq me qendrën Mbretërore, si Mustafa Gjinishi, që është komisar politik i Partisë; Myslim Peza; kryetari Haxhi Lleshi; anëtarët Faik Shehu; Spiro Moisiu, që është kryetari i Shtatmadhorisë, këta duket se vijnë e rrimë me tepër tek ne. Por tani, ata nuk kanë gjë në dorë. E gjithë administrate, është në dorën e organizatorëve Ruso-Jugosllave, dhe ndihmat nga ata, i kanë skuadrat e tyre. Këto janë shumë të disiplinuara dhe gjithnjë shtohen. Janë vënë në komandantët edhe disa oficerë komunistë, si Tahir Kadareja, Mehmet Bajraktari, Mehmet Shehi, Dali Ndreu, Bedri Spahija, Frederik Nosi, Hulusi Spahija, e të tjerë.
- Shefat komunistë shqiptarë, janë: Omer Nishani, Enver Hoxha, Koci Xoxe, Karaman Ylli, Medar Shtylla, Lirije Gega, Hysni Kapo, Sami Baholli, e sa të tjerë. Këta janë që kanë krejtësisht besimin e Mareshall Titos dhe të organizatorëve të Kominformit. Të tjerët, si nacionalistë dhe socialistë të partisë çlirimtare, janë vetëm për të luftuar dhe asgjë tjetër. D.m.th. se, Nacional-Çlirimtaren, sot e kanë në dorë komunistët.
- Gjendja jonë sot, fatkeqësisht ka arritur saqë udhëzimet nuk merren me atë entuziazëm, si më parë. Një pjesë e shokëve, për interesa të tyre personale, u mënjanuan dhe ne nuk i dimë arsyet e tyre. Një faj, që nuk falet, është se, nuk kuptuam dredhitë që na u bënë nga shokët tanë, të Nacional-Çlirimtares, duke na thënë se; ne jemi me ju. Se jemi betuar një ditë e të tjera, me një fjalë, me na lënë në gjumë, derisa morën fuqinë në dorë.
- Mbretërorët u gënjyen se, kur shihnin forcën e tyre aq të madhe dhe superiore me të tjerat, mbeteshin në gjumë. Duke pandehur dhe thënë se: Ne kur të duam, i shkatërrojmë grupet e tjera edhe me grupin nacionalist të Partisë Nacional-çlirimtare. Ishin pothuaj miq e të bashkuar e kjo, i len në gjumë. Saqë sot, është tepër vonë, me rimarrë një organizim, sic ishte në Jugosllavi, që e dirigjonte kolonel Husein Selmani. E sot, dhe ai të jetë këtu, e ka mjaft të vështirë, një organizim, sepse ka hyrë mikrobi brenda.
- Gjendja që ka mbërritur në gjininë tonë, lipset ta mendoni mirë e, t’i bini prapa me shpejtësi. E bile është vonë. Në është se ju nuk vini, ne kemi falimentuar, jo pse nuk kemi shumicën. Por, se nuk mund të merremi vesh, as njeri me tjetrin, deri këtu ka hyrë mikrobi. Kemi një mosbesim me njeri-tjetrin, një përçarje, ku mungon vullneti sakrificës. Atë sot, e kanë dhe po e përdorin komunistët, në gjirin e Nacional-çlirimtares. Ata mbjellin farën edhe në dirizhusat Mbretëror, e jo ndër të tjerë.
- Sa ‘Balli Kombëtar’, lufton me dëme të mëdhaja. Por, nuk e kuptojmë, sepse bën këtë luftë “a për nacionalizëm”, ose të shtyrë për të mos qenë një organizim i përbashkët. Këtë, akoma nuk po e kuptojmë. Por sot, në mes tyre nuk ndalohet kjo armiqësi, që ka hyrë e përgjakshme.
- Mbretëroret, nuk kanë asnjë armiqësi, as me Nacional-Çlirimtaren dhe as me ‘Ballin’, por asnjërën anë nuk ndihmojnë kundër tjetrit. Bile, ne kemi miqtë tanë, në atë të Nacional-çlirimtares. Por, nuk na kërkojnë ndihmë edhe me na kërku, nuk ju japim. Se ne kurrë, nuk hyjmë në vëllavrasje me shqiptarët, e bile sikur mos të kishin qenë organizatorët e huaj britanikë, amerikanë, rusë, jugosllavë. Ne mund t’u hynim në mes për t’i pajtuar por sot, ata nuk i lejnë edhe me dashtë”.
Këto ishin me plot dhimbje ,lajmet e fundit ku ja parashtrova Mbretit Zog në Londër dhe Qeverisë Turke, kujton adjutanti. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016