Nga Hysen Selmani
Pjesa e dhjetë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Tiranë, më 6 prill 1939
Më datën 6 prill 1939, në orën 10 para dite, Këshilli Ministror u mblodh në Pallat nën Kryesinë e Mbretit Zog, ndër bisedimet që u zhvilluan kryesisht ishin ato mbi Shtetet Ballkanike e sidomos kjo sjellja e fundit e Jugosllavisë. Mbreti ju tha: “Kjo që na paraqitet sot nga Jugosllavia, nuk duhet të na habisë, sepse kjo nuk është e tashmë, por ua kam thënë me kohë. Nuk është çudi që edhe Greqia, po këtë rrugë ka për të marrë, se kjo dukej se Shtetet e Mëdha, Anglo – Francezët, na këshillonin për një kompromis me Italinë, që hë për hë, të fikej ky rrezik. Se këta nuk ishin të gatshëm. Që më 25 të Marsit 1939, më thanë Përfaqësuesit e Britanisë së Madhe Sir. Thomas Hobler-i, bashkë me Ministrin Britanik Sir. Rayoan-in se, qëndrimet Beograd- Athinë, varen nga sjellja gjermane, se ajo e bën efektin kundër tyre”.
Mbreti tha: “Siç e kemi përmendur shumë herë, ne nuk kemi tjetër rrugë, përveç kësaj që po bëjmë detyrën. Na përket për Atdheun tone, deri në fund, sa që e gjithë bota demokrate ta marrë vesh se, populli i vogël shqiptar, i pa armatosur, nuk pranon zgjedhën e askujt. Por, më mirë preferon vdekjen, se humbjen e independencës. Sot, nazi-fashizmit është tërbuar nga fitoret e rasteve, pa asnjë kundërshtim, nga Lidhja e Kombeve, etj. Shtete që kemi parë duke u tërhequr dhe garancitë e tyre, i lënë në mëshirën e kasapëve, si: Franca, po ashtu edhe Britania e Madhe, sot nuk ndodhen të gatshëm, këto po shpëtojnë, duke përfituar nga kjo ngjarje.
Fqinjët tanë, Jugosllavia e Greqia, që po përdoren sot indirekt si aleatë të fashizmit, rrinë me sy mbyllur e, shohin fare mirë rrezikun që po u vjen tek porta e tyre dhe shumë shpejt, pas nesh. Mbase kjo është më tepër edhe interesi i Gjermanisë, që të ketë siguruar Ballkanin mire, nga armata fashiste, për të qenë i lirë për veprimet që ajo do të zhvillojë shumë afër, e pa kaluar vitin.
Ne e kemi ditur besnike sa s’bëhet më Italinë, në miqësitë e aleancën, por ajo, nuk është treguar asnjëherë e sinqertë, kundrejt nesh. E kemi kuptuar e, bile e kemi parë me fakte, por nuk kemi as se çfarë të bëjmë. Që nga viti 1935, u jemi lutur Shteteve Ballkanike dhe Turqisë, për një bashkim të sinqertë në mes të një lidhje të ngushtë, për të mbrojtur interesat e njëjta dhe i kemi vënë në dijeni, që në atë kohë, përmbi planin e fashizmit, por nuk ka qenë e çmueshme ose, nuk dëshironin, duke mos i dhënë atë rëndësi.
Vetëm po ju them se: akoma disa prej ministrave dhe disa deputetëve, nuk e besojnë se Italia do të marrë masa ushtarake kundër Shqipërisë edhe ultimatumin, e quajnë si një demonstratë frikësimi. Pra, po ju them se; Italia është e vendosur me kohë, vetëm se po priste momentin e volitshëm, diplomatik, e tani fuqitë italiane, ndodhen në afërsitë e bregdetit shqiptar, ne do të bëjmë detyrën tonë, me gjithë ato pengesa që po na sjellin fqinjët tanë. Ndërsa lufta evropiane, njëqind për qind, është këtë vit, pa as më të voglin dyshim, se armatimi kolosal i Gjermanisë, do të shfrytëzohet para se të armatosen Anglo- Francezët”.
Pas kësaj, Këshilli mori në studim edhe disa çështje kredirash për Komandën e Mbrojtjes Kombëtare. Kështu, u dha fund bisedimeve në orën 12 të ditës dhe morën leje e dolën. Aty mbeti vetëm Kryeministri Kotta, ishte kohë darke e Këshilli do të vinte në orën 2 pasdite në Pallat, për të filluar bisedimet. Kryeministri Kotta, e pyeti Mbretin për shëndetin e Mbretëreshës dhe të Princit të Vogël. Mbreti qeshi dhe i tha: “Më mirë, Zoti Kotta, pyesni kolonelin se mund ta dijë, se unë as që i kam parë, as që e kam patur mendjen aty”. Kryeministri u kthye nga unë e më pyeti. I thashë: “Princi është fare mire, e Mbretëresha ende pak e lodhur”.
Kryeministri Kotta, ju kthye Mbretit dhe ia parashtroi situatën kështu: “Madhëri, siç e shohim, me siguri se ndodhemi përpara ngjarjeve të ndryshueshme, nga ora në orë. Ne jemi të vendosur për të rezistuar. Më lejoni Madhëri, se qëndrimi i Mbretëreshës të sëmurë me Princin e vogël 28 orësh, të mos të lihen këtu. Kjo nuk ka asnjë arsye dhe unë ju propozoj që, menjëherë për Mbretëreshën, bashkë me Princin, që sonte të merren masat e largimit nga Tirana e, të studiohet mirë vendi se ku t’i vendosim dhe të merret seriozisht sigurimi, aty ku të jetë më e përshtatshme”. Pastaj është kthyer nga unë dhe më pyeti se: “Ku thotë Zoti Kolonel, se është vendi më i mirë e i sigurt që t’i vendosim”?
Unë i propozova se, në lidhje me situatën e sotme, nuk ka tjetër vend përveç Korçës. Se Shkodra, mbetet në rrezik pas sjelljeve të Jugosllavisë. Unë jam i këtij mendimi që; Mbretëresha e Princi, të dërgohen në Korçë dhe kjo nisje, duhet të bëhet sa më shpejt, se edhe Mbreti, ka për të qenë shumë më i qetë në udhëzimet, që tani mund të nevojiten. Sepse, duhet thënë që në ditët e para të ndonjë ngjarjeje, Tirana mbetet si shesh lufte.
Mbreti Zog, kur dëgjoi Kryeministrin Kotta dhe përgjigjen që i propozuan, u kthye e tha: “Zoti Kotta, jo. Bashkë me popullin. Mbretëresha, sëmurë ose shëndoshë, edhe ajo ka për të ndjekur po të njëjtin fat e vuajtje, që populli ka për të pësuar. Biseda që po bëni, është e pa logjikshme. Po t’i lëmë këto bisedime dhe të shohim e t’i përvishemi, çdo mundimi dhe sakrifice, për të shpëtuar e për t’i zbardhur faqen vendit. Kjo, duke ngritur sa më lartë nderin e Kombit shqiptar, si edhe për t’i siguruar të drejtat, me plot nder të vendit e të independencës së tij, të pacënueshme për më vonë. Mbretëresha, deri sa të përmirësohet, mund ta dërgojmë në Spital.
Aty është më mirë. Ne duhet më përpara të mendojmë e të sigurojmë familjet e popullit, e pas tonat. Sepse djemtë e atij populli, kanë për të vdekur për Atdhe dhe për të nderuar Kombin Shqiptar, përpara botës mbarë, si edhe për t’i siguruar me një shkëlqim të plotë, Pavarësinë e Shqipërisë, si Shtet i Lirë. E pra gjithmonë, këtë duhet ta kemi parasysh”, tha Mbreti Zog.
Kryeministri Kotta, mori përsëri fjalën e tha: “Madhëri, e keni si gjithmonë zemrën të lidhur ngushtësisht me popullin. Por, më lejoni Madhëri, t’ju them se; Mbretëresha është nderi i Kombit mbarë, si edhe Princi Trashëgimtar, që akoma nuk ka mbushur 30 orë. Dhe kjo nuk është ashtu siç e konsideruat Madhëria juaj, se po të na mbesë, mos qoftë e thënë, Mbretëresha në duart e armikut, me Princin Trashëgimtar, për Kombin Shqiptar, jo që është një e keqe e pashlyeshme, por edhe një humbje morale, e të gjithëve.
E pra, kjo na përket të gjithëve, jo vetëm Madhërisë suaj, po ju siguroj se, edhe dita e poshtërsisë të Musolinit, është llogaritur për këtë, që të na dobësojë e të përfitojë nga ky rast, që pë përulemi. Dhe kjo, siç thotë edhe kolonel Selmani, lipset sa më shpejt të largohet nga Tirana, në një vend, ku të jetë më i përshtatshëm e i sigurt”, tha Kotta.
Kryeministri Koço Kotta, pas këtyre bisedimeve, mori leje e doli. Kur e përcolla, ai më tha: “Nuk është e drejtë dhe as në interesin e Shqipërisë, të lemë Mbretëreshën e sëmurë me Princin Trashëgimtar këtu, në duart e armikut, që të tallen me ne nesër. Por, unë pasdite, kam për të ardhur me gjithë Qeverinë. Dhe mendoj që; të marrim një vendim si Qeveri, bashkë me gjithë Parlamentin, për largimin e sigurimin e Mbretëreshës e të Princit”. – më preçizoi Kryeministri Kotta.
“Kjo do të ishte gjëja më e mire, e bile sikurse Parlamenti të mirrte një vendim të tillë, se Mbreti, nuk ka për të dëgjuar në asnjë mënyrë, po kjo mundi t’ia mbushë mendjen”. Me këto fjalë, u ndamë me Kryeministrin Kotta. Kur u ktheva në Pallat, Mbreti, dëshironte që të ngjitej pak për të pushuar: “Edhe ju pushoni pak këtu në sallon, e po të ketë ndonjë gjë me rëndësi, më lajmëroni”.
Unë u përgjigja: “Po shkoj pak në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare, për të parë si edhe në Ministrinë e Brendshme, për të parë Musanë”. “Shumë mirë”, – më tha dhe hipi lart. Po kur u ngjit në shkallë, mu drejtua: “Si Musanë dhe gjeneralin e Shefkinë dhe u thuaj që; në orën 6 pas dite, të vijnë këtu tek unë”.
Tiranë, më 6 Prill 1939, ora 3 pasdite
Ndërsa Këshilli i Ministrave, po bisedonte nën Kryesinë e Mbretit Zog, në orën 2 pasdite, ditë e enjte, më 6 prill 1939, Duçja, dërgoi një ultimatum, me 5 orë afat, për pranimin integral të kërkesave. Kryeministri, ishte i përcjellë edhe me një demonstrim ajror, përbërë prej 300 e sa aeroplanësh Italian, lufte.
Qeveria Mbretërore e Shqipërisë, e mbledhur nën Kryesinë e Sovranit, duke pasur pranë edhe një përfaqësi Parlamentare, vendosi mospranimin e kushteve të kërkuara. Duke qenë se kushtet në fjalë, zhdukin integrimin dhe sovranitetin e shtetit shqiptar dhe në rast zbarkimi të trupave italiane, në tokën shqiptare, kjo do të quhet një shkelje e cënim i independencës kundrejt sovranitetit, do të kundërshtohet me armë. Në këtë mënyrë, ju dha përgjigje ultimatumit verbal, të Ministrit të Italisë, Jakomonit.
Aeroplanë lufte italianë, po manovrojnë mbi kryeqytetin Tiranë. Në të njëjtën kohë, manovronin në segmentet: Vlorë, Sarandë, Berat, Durrës e Shkodër. U mbush me aeroplanët e Duçes, i gjithë qielli i Shqipërisë, për miqësinë që na tregonte nga dy herë në ditë, me telegramet dhe letrat e tij. Që ishin të pabesa e me tradhti, shumë të ndyrë, për një shtet të madh si Italia, për të treguar forcat e madhështinë e saj, kundrejt një shteti të vogël e të paarmatosur dhe aleatët e saj.
Demonstratat e popullit, u ndezën dhe më tepër se kurrë, kur panë se Italia e Musolinit, po na kërcënonte me forcat ajrore. I gjithë populli, hidhte parulla dhe duke protestuar, burra e gra, vajza e djem, thërrisnin: “Luftë kundër fashizmit”, ‘Luftë kundër Musolinit tradhtar”, “Fitorja është e jona”, “Kemi zotin me vete” etj.
Tiranë më 6 Prill 1939, ora 5 pasdite
Në këtë kohë, vjen dhe dorëheqja e gjeneral Zef Serreqit, i dërguari i jashtëzakonshëm në Itali. Ky telegram, na siguronte se Italia, është e vendosur të shkarkojë ushtarakisht në Shqipëri, dhe pret të gjitha marrëdhëniet me Shqipërinë. Kjo ka qenë si parullë, kur Serreqi u nis për Itali, herën e fundit, më 26 mars 1939. Telegramin po e shënojmë më poshtë: “Romë më 6 Prill 1939, Ministrit Libohova, Tiranë. Pasi propozimet e marra nën përgjegjësi, janë këtu të papranueshme, stop, për të shkarkuar çdo përgjegjësi nga personi im”.
Kur në këtë telash, na vjen Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasi, në Pallat në orën 7 pasdite. Ai vjen në biro tek unë. Ishte krejt i demoralizuar e mu drejtua, ju lutem lajmëroni Naltmadhërinë e tij, Mbretin, se dua të hyj e ta takoj pak. Mbreti në këtë kohë, ishte me Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme. Unë hyra, dhe i parashtrova Mbretit, se; gjeneral Aranitasi, dëshiron t’ju parashtrojë diçka. Mbreti, u ngrit dhe më kërkoi që ai të vijë menjëherë në sallon.
E lajmërova gjeneralin, që të paraqitet tek Mbreti dhe hyjmë bashkë me të në sallon. Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasi, porsa u paraqit para Mbretit, i demoralizuar në kulm, i paraqiti një zarf pa folur. Mbreti i tha “Ç’është kjo”?! Gjenerali, iu përgjigj: “Është dorëheqja ime madhëri”. Kështu iu përgjigj gjenerali, me kokën poshtë. Mbreti lëshoi sytë dhe ju drejtua: “Jepja Kolonelit”.
Pas kësaj, më ka urdhëruar: “Merre Kolonel”. Mbreti shkoi tek Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, dhe tek Ministri i Jashtëm që ishin në zyrën e tij. Gjenerali dhe unë, shkuam bashkë në zyrën time e i thashë: “Çështë kjo Zoti gjeneral, se tani nuk ka as 10 minuta që na erdhi dhe dorëheqja e gjeneral Zef Serreqit” e i dhashë telegramin. E pa, u skuq, e i shpërthyen lotët si një fëmijë.
Unë shtova: “Gjeneral, do të kishte qenë shumë më mirë për juve, të kishit vrarë veten, sesa i vutë vetes dhe familjes suaj këtë njollë. Tamam në këtë kohë mjaft kritike, që Mbreti, ju kishte dhënë gjithë besimin e përgatitjes të mbrojtjes së Atdheut, e na vini me dorëheqje?! A e dini se çdo të thotë kjo?! Është tradhti e rëndë, që nuk shpëtoni me këtë. Po përkundrazi. Dhe unë po jua them si mik, që kurrë s’do të kisha besuar në këtë mënyrë për ju”.
Kur po i thoja këto fjalë, u demoralizua fare, më kapi përdore e më tha: “Kolonel ju kam më tepër se një vëlla, ju lutem më shpëtoni nderin, në gabimin e madh që kam bërë, se unë nuk jam tradhtar, por jam besnik i Mbretit e i Atdheut. Por, nga gabimet dhe mos plotësimi i detyrës së urdhëruar, më kanë gënjyer e tradhtuar. Ngaqë nuk kisha si ti dilja Mbretit përpara, dhashë dorëheqjen. Aman Hysen Beg, të kam vëlla, rregulloje ta marr prapë dorëheqjen, duke pranuar përgjegjësinë mbi vete. Nuk jam italian dhe tradhtar. Të lutem rregulloje këtë gabim që bëra, nga zemërimi i njerëzve të mi, që më lanë deri më sot me gënjeshtra”.
Këto ishin fjalët e gjeneral Xhemal Aranitasit, Komandantit të Mbrojtjes Kombëtare. Në të vërtetë, gjeneral Xhemal Aranitasi, nuk ishte tradhtar, por besnik. Por këtë, e bëri nga ofendimet e shumta që ju bënë, për neglizhencë. Që nuk tregoi me kohë të vërtetën, por kishte dhënë besimin në disa seksione, dhe sipas tyre, besonte çdo gjë si të mbaruar, kurse në të vërtetë, asgjë nuk ishte bërë. E kur i shkova unë në orën 4 e 30, u trondit sepse, i solla bashkë me veten dhe Komandantin e Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatkun. Ky atëherë e kuptoi gabimin e tij, e nuk diti se çfarë të bënte e dha menjëherë dorëheqjen. Mbas këtyre kuvendimeve, shkova e u paraqita menjëherë tek Mbreti. Aty gjeta vetëm kryeministrin.
Por sa hymë brenda, Mbreti më tha: “Tani fola me Kottën, kolonel, për rregullimin e Ushtrisë, bisedoni bashkë dhe cili është më kompetenti, që t’i ngarkojmë komandën e ushtrisë?! Unë, të gjithë kompetencën, e lë mbi përgjegjësinë e kryeministrit Kotta dhe tuajën kolonel. Të gjeni një komandant të përshtatshëm, vetëm se duhet të përshpejtoni se, koha nuk pret”, përfundoi Mbreti.
Pas kësaj, unë i parashtrova: “Madhëri, gjeneral Xhemal Aranitasi, është penduar për dorëheqjen e paraqitur, në një kohë kaq të rëndë dhe i parashtrova të gjitha mbi sa u përmendën më sipër, kur ja kisha parashtruar sa u bisedua me gjeneralin e, lutet me çdo përgjegjësi pranë, të marrë përsipër prapë detyrën. Se kur dëgjoi që; edhe gjeneral Zef Serreqi, kishte dhënë dorëheqjen, deshi të vriste veten, dhe ka mbetur në zyrën time, dhe ai pranon më mirë të dënohet për neglizhencë, sesa të shënohet tradhtar, duke i vënë një njollë të pashlyeshme, vetes dhe familjes së tij.
Tha se, nuk ka dhënë dorëheqjen për asnjë arsye tjetër, vetëm se nuk mundesha t’i dal para syve Mbretit. Se ju gënjeva, pasi më gënjyen dhe kjo është e gjithë arsyeja dhe jo për tradhti. E meqë është kështu, ju lutem pranoni të marrë prapa dorëheqjen, e të kthehet në detyrë, pasi nuk është marrë vesh prej askujt, dorëheqja e Komandantit Xhemal Aranitasi”, ia parashtrova Mbretit. Në këtë mënyrë, ju lut dhe kryeministri Kotta, duke i thënë: “Unë kurrë nuk e kam dashur këtë person, jo se është tradhtar. Në të vërtetë ky është besnik, por është i pazoti, i ngathët, e nuk del gjë prej tij. Edhe unë ju lutem Madhëri, që të marrë prapa dorëheqjen dhe komandën, që të mos bëjë ndonjë bujë të keqe”.
Mbreti, pa Kottën dhe tha: “Nën përgjegjësinë e ju të dyve, Zoti Kotta, le ta marrë prapë komandën, po e pranoj, me këtë kusht. Kolonel, thirreni gjeneralin të vijë këtu”, tha Mbreti. Shkova në zyrën time dhe lajmërova gjeneralin që të paraqitet tek Mbreti, ishte shumë i prekur, shkuam dhe hymë brenda. Gjeneral Xhemal Aranitasi, u paraqit para Mbretit, aty isha dhe unë e kryeministri Kotta.
Gjenerali, filloi t’i shprehi qëllimet, por Mbreti i tha: “Nuk është nevoja, i di zoti gjeneral të gjitha, m’i tha koloneli, unë nuk kam kurrë dyshim, për besnikërinë tënde, por pasi e pranuat para meje komandën, nuk dua në asnjë mënyrë fjalë, se u gënjeva etj., se një komandant, nuk gënjehet. Dhe tani, për plotësimin sa më të shpejtë të çdo nevoje, keni kryeministrin, e ja parashtroni se, ky ka për të dhënë urdhrat e nevojshëm”.
I dha dorën e doli. Pasi shkoi, komandanti, gjeneral Aranitasi, Mbreti u kthye e i tha kryeministrit, se: “Nën përgjegjësinë tuaj Zoti Kotta, tani lipset që ta shikoni ju, ja ku e keni kolonelin, se ky, nuk do të ndryshojë, se po ai është”, tha Mbreti. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016