Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Fadil Spahiut, me origjinë nga fshati Kolesjan i rrethit të Kukësit, i cili që gjatë periudhës së Luftës, kur ishte nxënës në gjimnazin e Shkodrës dhe konviktor në “Malet tona” së bashku me Emin Durakun, u lidh me grupet rinore të atij qyteti, ku dhe u arrestua e u burgos, pasi morri pjesë në demonstratën e 28 nëntorit të vitit 1939. Odisea e gjatë e Fadilit në disa gjimnaze të vendit, si në Shkodër, Tiranë dhe Gjirokastër, ku ai u përjashtua disa herë nga shkolla dhe u arrestua për shkak të pjesëmarrjes së tij në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, deri sa në fundin e vitit 1944, u rreshtua si partizan në Batalionin e Lumës (ku i ati, Rifat Spahiu, ishte Kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut të Kukësit), duke marrë pjesë edhe në luftën për çlirimin e Tiranës, në nëntorin e ’44-ës. Pjesëmarrja e Fadilit në aksionin për ndërtimin e hekurudhës Brçko-Banoviç, në Bosnje në shtator të vitit 1946, ku ai filloi edhe studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevo, nga ku do të largohej në vitin 1949, për në Bashkimin Sovjetik, ku ai do të diplomohej në Universitetin e Mjekësisë të Moskës, duke marrë gradën “Kandidat i Shkencave Mjekësore“. Kthimi i Fadilit në Shqipëri dhe puna plot pasion e përkushtim në Spitalin Civil të Tiranës, ai bëri emër të madh si mjek dhe si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, nga ku do ta largonin si “armik i popullit“, fillimisht në Gramsh dhe më pas në Tepelenë, ku dhe e arrestuan, duke bërë që ai të vuante plot 18 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Akuzohet si “agjent i rusëve“ dhe dënohet 18 vjet burg
Pas arrestimit Fadilin e dërgojnë në Degën e Punëve të Brendshme të Gramshit, ku ndaj tij filloi menjëherë procesi hetimor duke i kërkuar që të pranonte se “është armik i partisë dhe agjent i rusëve, se është armik i popullit, se nuk është dakord me vijën e Partisë“, e të tjera akuza të kësaj natyre. Procesi hetimor ndaj tij ishte mjaft i egër dhe zgjati katër muaj. Pas kësaj Fadilin e nxorën në gjyq ku ai u dënua me 18 vjet heqje lirie, me akuza tërësisht të montuara. Pas dhënies së dënimit, fillimisht Fadilin e dërguan në burgun në Bulqizës dhe më pas e transferojnë në burgun e Spaçit, ku ai ushtroi detyrën e mjekut, duke i‘u gjendur në çdo moment bashkëvuajtësve të tij. (Në këtë kohë, bashkëshortja e tij e kishte divorcuar). Në vjeshtën e vitit 1986 kur ishte 60 vjeç, ai lirohet nga burgu, i rraskapitur, por ende kishte një besim se mund ta ndihmonin të riniste punën nga e para si mjek, pasi nuk donte ta pranonte moshën e pensionit. Besonte tek ata të paktë shokë të dikurshëm që kishin mundur t’i mbijetonin diktaturës. Në të vërtetë askush nuk mundi ta ndihmonte. Që nga ajo kohë, ai jeton me një pension te vogël në apartamentin e tij diku afër Radio Televizionit Shqiptar, ku edhe pse tashmë në moshën 95 vjeçare dhe me një jetë plot vuajtje dhe peripecira, ai nuk i heq nga dora librat dhe literatura mjekësore, të cilës i kushtoi gjithë jetën e tij.
Artikulli i gazetës ruse “PRAVDA” për mjekun diplomant shqiptar
“Fadil Spahiu mbron disertacionin”
(Mbrëmë në Institutin e Mjekësisë)
Në fillimin e muajit, në gazetën “Pravda” të qytetit Gorki u botua njoftimi se më datën 21 dhjetor, në Institutin e Mjekësisë do të zhvillohej mbrojtja e disertacionit për marrjen e gradës shkencore të Kandidatit të Shkencave Mjekësor, Fadil Spahiu. Oponentët zyrtar të mbrojtjes janë: Mjeshtri i Merituar i Shkencës, Profesori E. M. Berezov dhe doktori i Shkencave Mjekësor Profesori B. A. Korolev.
Ne na interesoj familja e disertanti Fadil Spahiu. A është vallë ai djaloshi me sy të zi nga Shqipëria, i cili së bashku me grupin e shokëve të tij ka mbaruar studimet në vitin 1953 në Institutin tonë të Mjekësisë? Ne e kemi pas takuar atë në klinikat mjekësore, në bibliotekat e Institutit si dhe në kolektivat e grupeve amatore artistike, ku këngët ruse këndoheshin së bashku me këngët shqiptare.
Pardje, në ditën kur erdhi Fadili, të gjitha përpjekjet për ta gjetur atë në hotelet e qytetit rezultuan pa sukses. Në Institutin e Mjekësisë na thanë:
“E njohim Fadilin, si gjithmonë i palodhshëm. Në qytetin Gorki ai ka shumë miq dhe është vështirë të themi ku është tani”.
Në fakt që nga stacioni i trenit ai shkoi në Institutin e Kirurgjisë, Atje na thanë: “Po, Fadili ishte këtu. Pastaj ai shkoi në Klinikën e Kirurgjisë të spitalit Nr. 5”.
Atje e gjetëm më në fund mjekun e ri shqiptar së bashku me një grup shokësh të ngushtë të Institutit. Atij i bënin pyetje si është Bajram Preza, ku punon Fiqri Basha.
Fadili tregon se shokët e grupit të tij tani punojnë në Shqipëri: Bajram Preza është neuropatolog, Bashkim Çuberi është ekspert mjekësor në Tiranë, Fiqri Basha është anatomist në Institutin Shqiptar të Mjekësisë.
Duke buzëqeshur Fadili thotë: “Këtë vit Instituti ynë i Mjekësisë nxjerr nga shtypi numrin e parë të Revistës Shkencore, a e kuptoni, numrin e parë. Ky Institut është themeluar me ndihmën e Bashkimit Sovjetik dhe aty japin mësim specialistët tuaj të shkëlqyeshëm”.
Biseda vetvetiu kalon në gjendjen e mjekësisë në Republikën Popullore të Shqipërisë. F. Spahiu jo pa mburrje thotë:
Më parë të gjitha shpresat për problemet mjekësore ishin te puna e mjekëve të veçantë. Tani në vendin tonë të vogël mjekësia është vendosur në baza të shëndosha shkencore, te ne mjekësia është bërë vepër e përgjithshme qeveritare. Në çdo hap ne ndjejmë ndihmën shumë të çmuar të miqve sovjetik. Për këtë arsye populli shqiptar u është shumë mirënjohës ju.
Të gjithë pjesëmarrësit e bisedës natyrshëm interesohen për ndryshimet e jetës së vetë Fadil Spahiut.
“Po çfarë mund të ju them. Ju e kuptoni sa të vështirë e kisha në fillim, nuk dija asnjë fjalë të gjuhës ruse dhe tani – në fytyrën e tij zeshkane përsëri u shfaq buzëqeshja – me ndihmën tuaj unë e mësova shumë mirë rusishten. Kur u ktheva në atdhe punova si kirurg në Tiranë. Gjatë gjithë kohës vazhdova të punoja për temën e disertacionit, të cilën ma pat dhënë N.N. Bllohin-i që kur isha student në Gorki. Është fjala për zëvendësimin e kyçit të bërrylit me material plastik. Ishte një punim i ri, i vështirë por që unë e pëlqeva.
Qeveria jonë më dha mundësinë për të ardhur si punonjës shkencor në Institutin e Patologjisë dhe Terapisë Eksperimentale të Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik. Udhëheqësi im shkencor ishte N. N. Bllohin. Ju e njihni këtë njeri, një shkencëtarë i shquar dhe shumë egzigjent. Punimi i disertacionit tim ka përfunduar dhe e kam sjellë atë për vlerësim në qytetin që është bërë tashmë aq i afërt dhe i dashur për mua.
Ne e pyetëm F. Spahiun për planet e tij për të ardhmen.
Duhet të kalojë disa muaj në Moskë dhe pastaj do të kthehem në atdhe. Në vendim tuaj kam kaluar një shkollë të madhe dhe të bukur. Asnjëherë nuk do ta harrojë atë, asnjëherë.
* * *
Mbrëmë në Institutin e Mjekësisë u zhvillua mbrojtja e disertacionit të Fadil Spahiut. Në sallë ishin profesorë, pedagogë, mjek të rinj dhe student.
Sekretari i Këshillit Shkencor informojë për biografinë e disertantit: ai është 30 vjeçar, është anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë, ish luftëtar aktiv në repartet partizane dhe është dekoruar me Medaljen e Punës. F. Spahiu ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera studimet në Institutin e Mjekësisë Në Gorki dhe ka kryer dy punime shkencore.
Fjala e disertantit u ndoq me vëmendje të madhe.
Anëtari-korrespondent i Akademisë së Shkencave Mjekësore të Bashkimit Sovjetik N. N. Bllohin, dëshmoi përkushtimin e tij të madh për punën: Jemi të gëzuar që në Shqipëri kthehet kirurgu i aftë, i cili tashmë mund të kryej në mënyrë të pavarur operacione të vështira në çdo pjesë të trupit.
Oponentët zyrtarë, E. L. Berezov dhe B. A. Korolev dhanë vlerësimin e lartë të punës së F. Spahiut, duke theksuar rëndësinë shumë të madhe të saj.
Kryetari i Këshillit Shkencor deklaroi se F. Spahiut në mënyrë unanime i jepet grada shkencore e Kandidatit të Shkencave mjekësor.
Shkencëtarit të ri i shtrënguan dorën dhjetëra vetë. Kurse ai i prekur dhe i entuziazmuar përsëriste vetëm një fjalë që dilte nga zemra e tij: faleminderit.
A. Litvin
Në fotografi: Në Repartin e Kirurgjisë të Spitalit Nr. 5 Fadil Spahiu (djathtas) takohet me shokët e tij të Institutit të Mjeksisë V. N. Çinenkova, që është Asistente e Katedrës së Kirurgjisë Spitalore dhe M. S. Lebedev mjek kirurg.
Në fotografinë në të djathtë Fadil Spahiu me udhëheqësin e tij shkencor N. N. Bllohin, Doktor i Shkencave Mjekësore, Profesor. Memorie.al
Fotografitë nga P. Mazzhuhin
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016