Nga Msc. Xhorxhina Seferi
Pjesa e tretë
-Politika e PPSH-së kundër besimeve fetare: masat me karakter ligjor dhe fushata propagandistike në vitin 1967-
Memorie.al / Menjëherë pas çlirimit nga pushtuesi fashist, në Shqipëri u vendos regjimi komunist, i cili bazohej në diktaturën e proletariatit dhe në luftën e klasave. Qeveria e drejtuar nga Enver Hoxha, në vitet e para të pasçlirimit u paraqit si qeveri me vizion, e cila kishte hartuar projekte për zhvillimin arsimor, kulturor, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Në fillimet e tij shteti komunist, nuk u afirmua në publik si shtet ateist, por si shtet laik. Megjithatë kjo nuk do ta pengonte shtetin që të fillonte luftën për zhdukjen e feve, si ideologji kundërshtare. E zhvilluar në një shoqëri të mbyllur dhe me nivel të ulët kulturor, propaganda komuniste arriti të denigrojë klerikët dhe të cenojë integritetin e shërbesave fetare.
Shtypi
Në mënyrë që të çrrënjoseshin me sukses besimet fetare, PPSh-ja urdhëronte që shtypit t’i kushtohej një vëmendje dhe kujdes akoma më i veçantë. “Shtypi qendror e lokal duhet të vazhdonte të trajtonte luftën kundër fesë, pasi ai ishte nga mjetet kryesore për zhvillimin e propagandës. Në mënyrë të veçantë duhet t’i kushtonte më shumë vëmendje përgjithësimit të eksperiencave pozitive, të përkrahte niciativat e reja të masave dhe të propagandonte afirmimin e normave dhe zakoneve të reja.
Çështjet e ndryshme që shtypi ngrinte për luftën kundër fesë duhet të bëheshin objekt bisede për masat. Kjo metodë pune konsiderohej një mjet i rëndësishëm për përhapjen e ideve materialiste dhe luftimin e ideve idealiste mistike”!
Megjithëse literatura antifetare ishte në qarkullim, PPSH-ja kërkonte që të zgjeroheshin tematikat dhe tirazhet e librave dhe botimeve të ndryshme me karakter shkencor popullor, të librave artistike me tema antifetare dhe botimeve ku shpjegohej shkrirja e fesë me zakonet e jetës së përditshme. Tematikat më të rëndësishme në faqet e shtypit komunist me përmbajtje të propagandës ateiste rezultojnë: Feja si opium për popullin, feja si ideologji antishkencore, reaksionare, antipatriotike, edukimi ateist dhe letërsia ateiste, arti dhe letërsia ateiste në luftën kundër fesë, etj. Rol të rëndësishëm në zhvillimin e propagandës luante edhe radio. Nga Radio-Tirana kërkohej përmirësimi i përmbajtjes ideo-politike dhe ateiste-shkencore i emisioneve që kishin të bënin me kulturën e jetës.
Shkolla
Një rol të madh në formimin e botëkuptimit shkencor materialist ka luajtur edhe shkolla. Sipas PPSH-së, pavarësisht rezultateve pozitive të arritura, kishte akoma shumë për t’u bërë në këtë drejtim. “Studentët që përfundonin shkollën kishin akoma boshllëqe edhe ata që përfundonin fakultetet pedagogjike e kishin të vështirë të bënim me nxënësit dhe masën propagandë të argumentuar e bindëse antifetare.
Për këtë arsye nga Ministria e Arsim-Kulturës kërkoheshin udhëzime për përmirësimin e gjendjes. Edhe nga komitetet e Partisë kërkohej që me arsimtarët e disa lëndëve të bëhej një punë më e mirë nëpërmjet seminareve dhe formave të tjera në mënyrë që të ishin më të përgatitur për të bërë propagandë bindëse antifetare”.
Institutet e kulturës
Nga institutet e folklorit, historisë, gjuhësisë, etj., kërkohej të bënin studime me karakter shkencor dhe të shpjegonin rolin reaksionar të fesë në të gjitha fushat. Nga teatrot, estradat, grupet amatore e profesioniste të shtëpive të kulturës në rrethe, kërkohej që, herë pas here, t’i jepnin më shumë vend demaskimit të riteve e zakoneve fetare dhe në mënyrë të veçantë propagandimit e afirmimit të normave e zakoneve të reja socialiste.
Kinostudioja “Shqipëria e Re”, duke trajtuar problemet e lidhura me luftimin e zakoneve prapanike dhe fetare, në të njëjtën kohë, duhej të propagandonte dhe të përhapte zakonet dhe normat e reja socialiste. Ministria e Arsim Kulturës dhe institucionet që vareshin prej saj duhet të shihnin mundësitë për ngritjen e ekspozitave me fotografi e materiale që demaskonin fenë. Gjithashtu inteligjencës i kërkohej përfshirja në mënyrë aktive për të bërë studime mbi problemet e ndryshme të fesë nëpër rrethe, pleksjen e saj me traditat e zakonet e popullit dhe grumbullimin e fakteve konkrete që të përdoreshin për demaskimin e fesë. Me ta herë pas here duhet të organizoheshin ekipe e brigada kulturale për të shkuar në fshatra dhe t’i diskutonin këto probleme.
Metodat e përdorura në luftën kundër fesë
Lufta kundër fesë ishte luftë që u zhvillua në gjirin e popullit dhe të partisë dhe kërkonte që t’i kushtohej kujdes i veçantë metodave që do të përdoreshin në zhdukjen e fesë. Në letrën e drejtuesit të PPSH-së, porositej që puna me njerëzit e çdo besimi “…të jetë një përpjekje bindjeje e vazhdueshme dhe me durim të madh, të cilën mos e lejojmë të kthehet në ofenduese. Me këta njerëz partia duhet të sillet, si të thuash, si doktori i mirë që bën të gjitha përpjekjet për të shëruar të sëmurin…”!
“Besimet e kota fetare nuk do t’i gjejmë vetëm tek klerikët. Këta janë ata njerëz profesionistë që i propagandojnë, që i ruajnë të gjalla, që bëjnë spekullime dhe mashtrime të poshtra, por ato ekzistojnë edhe në popull. Prandaj, pa e ngadalësuar për asnjë çast propagandën kundër fesë, të kemi kurdoherë parasysh se kemi të bëjmë me popullin. Veprimet e pamatura, egzaltuese, duhet të evitohen.
Çdo veprimi i duhet pregatitur me kujdes terreni politik”. Edhe në Kongresin e V-të të PPSh-së të mbajtur në nëntor të vitit 1966, kupola e lartë partiake shqiptare deklaroi edhe një herë këmbënguljen e saj për të vazhduar objektivat e përcaktuara qysh më parë në fushën ekonomike dhe atë shoqërore.
Metoda e bindjes së masave
Organizatat e partisë, që pas ardhjes në pushtet, zhvilluan punë intensive edukative me popullin. Meqenëse mbyllja e institucioneve fetare u bë brenda një kohe të shkurtër e të shpejtë, pati edhe raste ku u veprua më shumë në mënyrë administrative, se sa duke përdorur metodat bindëse. Partia theksonte se: “Para se gjithash duhet luftuar kundra kuptimit të ngushtë të problemit, shikimit të cekët të çështjeve, konceptit të gabuar se feja është kisha, xhamia, prifti, hoxha, ikona etj. dhe po u zhduken këto u zhduk edhe feja si botëkuptim”.
Një pjesë e klerit dhe e besimtarëve në dukje u përpoqën të përshtaten me gjendjen e krijuar nga regjimi komunist, por sërish ruanin përmbajtjen e vjetër. Një pjesë e klerikëve predikonin se nuk ishte e domosdoshme të shkoje në kishë e xhami, por njeriu mund të falej edhe në shtëpinë e tij. Sipas partisë kishte tentativa të shumta konformizmi nga kleri dhe besimtarët për të vendosur barazi mes normave të moralit komunist dhe predikimeve fetare.
Qëllim të ruajtjes së fesë kishin edhe shprehjet të cilat përsëriteshin nga besimtarët: “Ne po të mbajmë ramazan dhe të bëjmë bajram, nuk e dëmtojmë gjë Partinë, neve do të festojmë festat kombëtare dhe ato fetare”, “Ai që është për fenë është edhe për Atdhenë”, ose pyetjet që janë bërë: “A nuk është e mundur që të kemi në të djathtën Partinë dhe në të majtën fenë”?, “A nuk e lejon kushtetuta lirinë e besimit”? Nga situata e krijuar Partia arrinte në përfundimin se nëse dobësohej lufta kundër fesë, besimet fetare nuk do të zhdukeshin. Për këtë arsye, propaganda ateiste shkencore ishte e gjithanshme dhe mjaft intensive.
Metoda e punës së diferencuar sipas shtresave të popullit
Rinia: Në aksionin ideologjik rinia luajti një rol të rëndësishëm, meqenëse ishte pjesa më e pastër dhe e zhveshur nga besimet fetare. Ajo luajti një rol mjaft të rëndësishëm në vënien në jetë të vendimeve të kongresit të V-të të Partisë. Në të gjithë rrethet e vendit të rinjtë zhvilluan një luftë të gjerë fillimisht mes njëri-tjetrit nëpërmjet kritikës dhe autokritikës nën parullën:
“Të ndreqim shtëpinë tonë dhe krahas kësaj të ndihmojmë edhe të tjerët”! Nëpërmjet fletë-rrufeve në bazë klase, reparti, shkolle dhe ndërmarrjeje kritikoheshin nxënësit besimtarë dhe feja në të gjitha drejtimet. Komitetet e Partisë dërgonin të rinj të qendrave të punës dhe të shkollave në fshatra. U kombinua që të rinjtë që punonin nga një muaj në kooperativat e zonave malore, të merreshin edhe me propagandën ateiste shkencore.
Nga aksioni që zhvillonin të rinjtë dilte në pah rëndësia e porosisë së vazhdueshme të Enver Hoxhës, që duhej pasur besim në forcën e rinisë dhe se rinia duhet të mobilizohej mirë. Sipas tij, “me rininë duhet të arrihej të luftoheshin besimet dhe zakonet fetare si dhe të parandalohej trashëgimia e tyre në brezat e ardhshëm”.
Gruaja: Gruaja ishte nga shtresa e popullsisë që ruante më shumë besimet fetare. Ajo kishte qenë e shtypur, por në luftën ideologjike që zhvilloi partia merrte pjesë gjerësisht në mbledhjet e popullit dhe ndihmoi në demaskimin e fesë, duke përdorur fakte nga jeta e saj. Puna për emancipimin e gruas kishte një rëndësi mjaft të madhe për partinë, sepse emancipimi i saj do të ndikonte pozitivisht edhe për zhdukjen e zakoneve fetare nga ndërgjegjja e saj. Sipas Partisë, feja ka qenë armike e gruas, sepse ka ndikuar në mohimin e të drejtave dhe në përçmimin e saj.
Të moshuarit: Kjo shtresë e popullsisë, si patriotë të vendit, e ka përkrahur lëvizjen kundër fesë madje është bërë edhe mbështetje e saj. Organizatat dhe komitetet e partisë, kanë zhvilluar mbledhje dhe kuvende të veçanta, në të cilat kanë marrë mendimet e të moshuarve dhe kanë bërë punë sqaruese me ta. Por, të moshuarit ishin edhe mjaft fanatikë. Shumë prej tyre ngrinin shqetësime dhe pyetje në lidhje me punën që i prishte feja Partisë.
Partia bënte thirrje që: “Nën drejtimin e saj organizata e frontit demokratik duhet të marrë si aksion me rëndësi punën e veçantë me të moshuarit, duke trajtuar problemin me kujdes të madh pa rënë në konflikte, por pa bërë edhe lëshime që na dëmtojnë”.
Metoda e punës së diferencuar sipas krahinave, fshatrave, lagjeve, familjeve
Në çdo rreth të Shqipërisë kanë ekzistuar disa fe por, mes tyre kishte ndryshime për arsye se në një rreth një fe kishte gjetur më shumë përkrahës sesa në një tjetër. Në një pjesë të krahinave të Veriut si: Shkodër, Lezhë dhe Mirditë, historikisht feja katolike ka pasur influencë të madhe. Kjo duket edhe nga numri i kishave që kanë ekzistuar në këto zona.
“Në Shkodër numri i kishave arrinte në 67, në Lezhë dhe Mirditë nga 24. Në disa krahina të jugut si: Sarandë, Gjirokastër, një pjesë e Korçës, Kolonjës, Vlorës, Fierit, Beratit, Lushnjes, Durrësit etj., feja orthodhokse ka patur një influencë më të madhe. Në Korçë ka patur 132 kisha të mëdha e të vogla, në Gjirokastër 86, në Sarandë 21, në Kolonjë 90, në Vlorë 31, në Fier dhe Lushnje nga 40 etj”.
Ndërsa feja myslimane ka qenë më e përhapur në zonat e Elbasanit, Gramshit, Librazhdit, Dibrës, Kukësit, Tiranës, Burrelit, etj. “Kështu në Dibër kishte 122 xhami, në Burrel 70, Librazhd 50, etj. Në Tepelenë, Përmet, Skrapar, Krujë e rrethin e Bajram Currit, influencë më të madhe kanë patur dërvishët (shehlerët) si sekt i fesë myslimane”.
Ndryshimet e përhapjes së një feje më shumë se sa një tjetre në rrethe të ndryshme të vendit, ishin tregues se në secilin rreth duhej punë e diferencuar ateiste-shkencore. Partia porosiste organizatat dhe komitetet e saj që të tregonin kujdes të veçantë ndaj minoritetit.
“Në rrethin e Sarandës nga popullata minoritare që përbënte 41.3 % të popullsisë së rrethit, rreth 2500 frymë prej vitit 1932-1943, kishin marrë edukatë sistematike fetare në shkollë duke filluar nga klasa e dytë fillore. Vetëm në rrethin e Sarandës, kishte 70 kuadro që kishin mbaruar shkollën në Greqi dhe 38 prej tyre edhe me vendosjen e regjimit komunist punonin në sektorin e arsimit”.
Partia theksonte dhe porosiste që me ata që kishin marrë edukatë fetare dhe sidomos me të gjithë ata që kishin dhënë edukatë fetare duhej një punë e veçantë për t’i larguar nga feja dhe për t’i përgatitur për edukimin e një brezi të ri ateist.
Metoda e zbatimit të vijës së masave
Regjimi komunist porosiste që: “Diskutimi i gjërë në popull e ballafaqimi i mendimeve, koncepteve materialiste me ato fetare duhej përdorur gjerësisht dhe rëndësi e veçantë i duhej dhënë aktivizimit të organizatave të masave”.
Nga eksperienca e deriatëhershme i duhej dhënë rëndësi aktivizimit të organizatave të masave, sepse ato kishin luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e opinionit të masave për aksionet ideologjike. Çdo organizatë, sipas profilit të saj, duke ndërmarrë aksione konkrete, duhej të thellonte luftën kundër besimeve fetare.
Karakteristikat e luftës kundër fesë
Lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare në vendin tonë është zhvilluar në kuadrin e thellimit të revolucionit ideologjik. Ajo ishte një luftë e thellë klasore, mes dy ideologjive, që zhvillohej për të çrrënjosur botëkuptimin fetar, me qëllim që ta zëvendësonte më pas atë me botëkuptimin materialist marksist-leninist.
Kjo luftë që po zhvillohej në të gjithë vendin dallohej nga këto karakteristika kryesore: Zhvillohej në një front të gjerë në qytet e në fshat, në të gjithë shtresat e popullit.
Dallohej nga aksione goditëse direkte, jo vetëm kundër fesë si botëkuptim reaksionar, por edhe kundër bazave që kishin ruajtur dhe ushqyer fenë.
Nga pjesëmarrja e gjerë e masave të popullit në këto aksione, nga diskutimi popullor mbi kotësinë dhe dëmin e besimeve fetare.
Revolucioni intensiv ideologjik, që po zhvillohej, ishte rezultat i punës 23 vjeçare të partisë komuniste.
Që në fillimet e saj partia edukoi anëtarët e saj dhe masat me frymën e ateizmit. Ndërsa pas çlirimit të vendit mori disa masa të rëndësishme, ndër të cilat mund të përmendim: Ndarjen e fesë nga shteti dhe nga shkolla, kufizimin e vazhdueshëm të institucioneve fetare, kufizimin e mundësive për përgatitjen e kuadrit fetar, ndalimin e botimit të literaturës fetare, etj.
Të gjitha këto luajtën një rol të rëndësishëm në luftën kundër fesë. Partia, si kryesore për arritjet e deriatëhershme shihte edhe punën e saj për të përhapur arsimin, kulturën dhe njohuritë shkencore në të gjitha fushat, në mënyrë që të zhdukej injoranca./Memorie.al
#ShqipëriaKomuniste #HistoriaEHarruar