Nga Idriz Zeqiraj
Memorie.al / Me vendim të Komisionit për Dëbim – Internime, pranë Ministrisë të Brendshme, u dëbova nga Tirana dhe u internova në fshatin Bilçë të rrethit të Beratit. Berati ishte zonë klasike për internime, sepse edhe një polic i vetëm, i vendosur tek një urë, si i vetmi kalim që lidh Beratin dhe Skraparin, me pjesën tjetër të vendit, kontrollon çdo lëvizje. Atje ka qenë i internuar, në kohë të Mbretërisë, edhe komunisti Qemal Stafa me kundërshtarët e tjerë të Monarkisë. Por, komunizmi kishte masivizuar internimin, i cili fillonte me 5 (pesë) vjet dënim dhe zgjatej në dekada, madje, në të shumtën e rasteve, tërë jetën, deri në amshim!
Hapësira lëvizëse kufizohej në një kilometër. Punoja në shkulje drunjësh, për hapje të tokave të reja kodrinore. Banoja në një dhomë përdhese, në gjysmë errësirë e gjithë lagështirë, me derë e dritare të thyera. Minjtë e gjirizeve lodronin shpjegueshëm në dhomën time. Dhomë i thënçin, sepse ishte një vjeturinë dhe më shumë ngjasonte me një strehë bagëtish.
Unë mbuloja kokën me batanije, biles, edhe në vaposjen e verës, nga frika e gërvishtjes apo të kafshimit nga minjtë. Librat e bibliotekës time, ishin “loja” e tyre e preferuar, meqë ishin vendosur përtokë, në kartona rrethanorë.
Një ndërtesë për banim, ishte në përfundim e sipër. Një dhomë, pa kuzhinë, ishte planifikuar për mua; dhomë e kuzhinë për familjen e ish-admiralit të Flotës Ushtarake Detare Shqiptare, Teme Sejko dhe dy dhoma e kuzhinë, për ish-partizanin e parë të luftës të Shkodrës, ish-gjeneralin, ish – “Heroin e Popullit” Shqiptar, malësorin vuthnjan – Sadik Bekteshi, i internuar familjarisht.
Rrjedha e ngjarjeve, prishi planin fillestar për popullimin e kësaj ndërtese. I pari u arrestova dhe u dënova unë, me burg politik. Pastaj u dënua ish-drejtori i Drejtorisë Politike të Shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes, ish-gjeneral-lejitnant Sadik Bekteshi, me 25 vjet burg të rëndë dhe, më vonë, do të takoheshim në “Dyqanin e Lëkurave”, siç emërtohej nga vendorët Burgu i Burrelit.
Meqë prej aty shpresat e lirisë, ishin utopi iluzive dhe një gropë-varr i përbashkët, “bythë një qershie”, brenda rrethimit të burgut, i priste, për strehim të përjetshëm, banorët e prangosur të këtij burgu nam-keq.
Dhuna ndaj familjes Sejko, dhunë ndaj Çamërisë
Politika e ndëshkoi edhe më rëndë familjen Sejko. Teme Sejko ishte nga Filati i Çamërisë dhe familja e tij, ishte përndjekë e përzënë nga bandat qeveritare greke, në vitin 1945. Teme, djalë i ri, i zgjuar, energjik u shqua në studimet ushtarake dhe besnikëri atdhetare, ngjiti shkallët e karrierës, duke u bërë Kundëradmirali i parë i Flotës Ushtarake Shqiptare.
Në vitet `60-ta, me gjyqin montazh, tipik stalinist, kinse, në lidhje spiunazhi me Flotën e VI-të Amerikane, arrestohet në grup dhe ekzekutohet me dajak e torturë. Familja jetonte në Tiranë. Bashkëshortja ishte motër e të vetmit vëlla korçar, dëshmor i luftës. Ajo, me dy djemtë, Edmondin dhe Sokolin, u internua në Berat. Prindërit e saj të moshuar, ndonëse nuk kishin fëmijë të tjerë, shkuan pas vajzës, për të jetuar së bashku.
Djali i vogël, Sokoli, u akuzua për tentativë të djegies të Kombinatit të Tekstilit “Mao Ce Dun” në Berat! Një vajzë 16 vjeçare, paska ndez një deng pambuku, në një qoshe të korridorit në hyrje të fabrikës. Dhe, këtë, gjasmë, e ka bërë me porosi të Sokolit! Dhe, dihet se sa “shpejt”, digjet pambuku!! U organizua një gjyq farsë. Pjesëmarrja e familjes Sejko në gjyq u kushtëzua, vetëm nëse e ëma e Sokolit të akuzuar, do ta mohonte djalin në sallën e gjyqit!
Por, ajo ishte nënë e shkolluar dhe dinjitoze. “Dua ta dëgjoj procesin gjyqësor dhe nëse bindem për fajësinë e djalit, do ta mohoj pa hezitim”, – u tha ajo pushtetarëve të këtij procesi gjyqësor të montuar. Ky kusht nuk u pranua nga gjykata! Sokoli u dënua me vdekje – pushkatim, me motivacionin “sabotim të ekonomisë socialiste”!
21 vjeçari Sokol Sejko, në sallën e gjyqit, mohoi, madje në tërësi, akuzën e bërë dhe denoncoi Sigurimin e Shtetit dhe Partinë për gjyqin e montuar, me qëllim të shuarjes të familjes Sejko. Dhe, kërkoi nga familja një kostum, për të vdekur i bukur. Dy javë pas dënimit,
Sokoli u ekzekutua në shpatet e Ullishtës të Beratit. Personi që e kishte varrosur, humbi lirinë më vonë, i tregoi të vëllait, Edmondit, zonën e varrimit, por jo edhe vend-varrin, sepse i ekzekutuari, duhej të ishte “vulë-humbur”, madje përjetësisht!
Vetëvrasja e nënës të vëllezërve Sejko
Zemra e nënës nuk e përballoi ekzekutimin e djalit të pafajshëm. Përgjatë një nate dimri pa gjumë, ajo shkruajti disa letra dhe ua hodhi, poshtë dyerve, disa familjeve të internara në qytetin e Beratit, duke denoncuar gjyqet dhe dënimet e kurdisura për bashkëshortin Teme Sejko dhe djalin Sokolin. Dhe, duke u gdhirë dita e re, e veshur në kostum, xhaketë e pantallona, u hodh, me kokë poshtë, nga ballkoni i katit të 5-të të banesës të saj, duke i dhënë fund jetës.
Asaj nate djali i madh, Edmondi, ishte mysafir ke halla në Plug të Lushnjes, ku ishte e internuar familja e çamit Rexho Plaku, ish-komandant i çetës partizane “Çamëria”, i dënuar dhe i ri dënuar me burg politik dhe, pas më shumë se dy dekadave vuajtjeje, vdiq në burg.
Edmond Sejko udhëtoi, në mëngjes, me autobusin e parë të linjës Lushnje-Berat. Zbriti me nxitim për të marrë rrobat e punës dhe trastën me bukë. Por, oficeri i Sigurimit, i cili e priste atë, i pushtoi krahun, duke i thënë: “Edmond, eja me mua, se kemi pak punë në Degën e Brendshme (polici)”!
Në hyrje të stacionit policor, një zyrtar tjetër i drejtohet: “Edmond Sejko, në emër të popullit jeni i arrestuar”! Pyetja e parë e hetuesit për Edmondin ishte: “Pse bëri vetëvrasje nëna jote”? Kjo ishte shokuese për Edmondin, i cili po e mësonte vdekjen e nënës nga hetuesi.
Dhe, e besoi lajmin, sepse qe në zbritje nga autobusi atë e kishin parë me shumë kureshtje qytetarët e shumtë, ngaqë kishin mësuar për vetëvrasjen e bashkëshortes të Teme Sejkos, përkatësisht, nënën e vëllezërve Edmond dhe Sokol Sejko. Ishte mëngjes i hershëm dhe shumësia e njerëzve, nxitonin për në vendet e punës.
Trajtimi çnjerëzor në birucë dhe njohja me Edmond Sejkon
Ishte dimër, bënte shumë ftohtë. Mua më kishin zhveshur pallton, xhaketën, trikon, nën këmishën dhe më kishin lënë vetëm në pantallona dhe këmishë, pa çorape, në çimento. Biruca (qelia) ishte e nëndheshme, me lagështirë tej norme dhe thonin se është i vetmi burg, që i ka mbijetuar shekujt, ka mbetur në funksion “që nga koha e turkut”.
Biruca ku-tërbonte urinë dhe pluhur duhani të staxhionuar, të shtresuar. Ishte errësirë e gjithmonshme. Një gjysmë batanije e grisur dhe e pistë, të cilën polici ma jepte në orët e vona të natës dhe ma merrte ende pa u gdhirë mirë, nuk arrinte të mbulonte, as për së afërmi trupin tim. Për shtatë muaj hetimi asnjë dush, asnjë mundësi pastrimi e higjiene elementare personale. I vetmuar dhe fort i uritur, por më shumë i mërdhirë.
Pas dënimit, në një birucë, qeli, më bashkuan me Edmond Sejkon. Prisnim transferimin në burg tjetër, për vuajtjen e dënimit. Edmondi ishte bukurosh dhe thonin se është kopje e të atit, në rini të tij. Kur mësoi prejardhjen time, u hap i tëri dhe më foli lirshëm për tragjizmin e familjes së tij.
“Më dhimbsën gjyshërit, si do ta përballojnë humbjen e vajzës së tyre, të nënës time? Janë të moshuar dhe të sëmurë. Nëna ishte shpresa e vetme, e pleqërisë së tyre. Tani më shumë do të vuaj për gjyshërit e gjallë, se sa për prindërit dhe vëllanë tmerrshëm të vdekur”, – rrëfeu dhimbshëm e përvajshëm Edmond Sejko.
Ridënimi i Edmondit, në burgun e Spaçit, duke qenë ende në vuajtje të dënimit fillestar, për ta ngritur kuotën e dënimit të tij në 18 vjet burg, na sjell ndërmend fjalët e vëllait të vogël, Sokolit, drejtuar gjyqit komunist se; “Qëllimi juaj është shuarja e familjes Sejko”. Ndërkohë, xhaxhai i tyre, Taho Sejko, i lodhur nga presioni dhe provokimet e Sigurimit të Shtetit, bëri vetëvrasje në Shkodër.
Dhënia dhunshëm e shtetësisë çamëve, krye-tradhti kombëtare
Në vitin 1945, ishte nacionalizmi i shfrenuar grek, ai që i përzuri çamërit nga trojet e tyre stërgjyshore, me pretekstin që kishin bashkëpunuar me fashizmin, kundër Greqisë, gjë që nuk është e vërtetë.
Në vitin 1952, ishte Enver Hoxha, i cili, me dekret të veçantë, ua dha shtetësinë shqiptare dhunshëm dhe nuk i lejoi të kthehen në vatrat e tyre, në Çamëri, Greqi, edhe pse Qeveria greke, tashmë, në përbërje të re, u bëri thirrje për kthim kolektiv, të gjithë shtetaseve të saj, të refugjuar përdhunshëm, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Edhe pronat e tyre ishin regjistruar dhe tapitë e tyre ishin ruajtur.
Dhënia e dhunshme e shtetësisë shqiptare çamërve të përgjakur dhe të përzënë, nga trojet e tyre, nën tytat e armëve dhe të bajonetave, duke i dhënë legjitimitetin qeverisë greke, për heqjen e shtetësisë greke, ishte dhe mbetet krye-tradhtia kombëtare e Enver Hoxhës dhe e udhëheqjes së partisë së tij kriminale.
Dhe, kjo krye-tradhti mbetet përjetësisht krim kombëtar dhe kupolë maje, e tradhtive seriale të komunistëve shqiptarë, në dëm të çështjes shqiptare. Çuditërisht, komunistët shqiptarë, kudo qofshin ata, iu ngjitën, si bajga këpucëve, ideologjisë së mykur dhe regresive sllaviste – staliniste.
Miqësia e dëlirë me dr. Beniamin Çettën
Me auto-burgun e koracuar udhëtuam për në burgun “kaush” të Tiranës. “Kaush” emërtoheshin dhomat e mëdha, me shtretër-dërrasash, të ngjitura njësh, trekatëshe, hipje me shkallë, në të dy anët e dhomës, me një rrugicë në mes. Aty bëhej grumbullimi i të burgosurve, nga e gjithë Shqipëria, për t`u shpërndarë në 11 burgjet-kampe të vendit dhe në burgun skëterrë të Burrelit, ky i fundit, i destinuar, i përcaktuar për të dënuarit e kuadrove të lartë politikë e ushtarakë, si dhe stoikët, të qëndrueshmitë, të pabindurit, të papërmirësueshmitë.
Kjo kategori, por edhe ish-kuadrot e lartë, zakonisht, duhet t`i linin kockat brenda rrethimit të burgut, në “bythë të qershisë”, në një gropë-varr, ku shumësia e trupave, ka bërë të pamundur identifikimin e kufomave, nismë e provuar në kohë të demokracisë. Numri i të burgosurve në burgun e Burrelit, ka qenë i kufizuar, nga 80 deri në 100 të dënuar, shumë syresh të ri dënuar, përgjatë vuajtjes të dënimit të parë, me qëllimin e vetëm: për të mos e gëzuar lirinë kurrë!
Aty gjetëm kardiologun, specialistin e sëmundjeve të zemrës, i mirënjohur jo vetëm në rrethin e Durrësit, por edhe më tej në Shqipëri, mirditorin, Dr. Beniamin Çetta, vëllai i profesorit tonë të nderuar, Anton Çetta. Ai ishte dënuar me grupin e madh të pacientëve të tij çamër, madje të gjithë me akuzën klishe “të agjitacionit dhe të propagandës kundër partisë dhe pushtetit popullor”, duke u “shpërblyer” me nga një dhjetëshe. Ishin, kryesisht, pleq. Dhe, pleqëria ua kishte shtuar mallin dhe plasë zemrën për vendlindjen e tyre, Çamërinë e begatë dhe hyjnore.
Dr. Beniamin Çetta, edhe pse kishte kaluar të 45 vitet, ende nuk ishte martuar. Ai jetonte me nënën dhe tezen, të dyja të moshuara dhe me probleme shëndetësore. Dhe, doktori më shumë mërzitej për dy plakat e vetmuara dhe të pamundura për shërbime vetjake, se sa për prangosjen e tij. Në burgun e Tiranës, u miqësuam me Dr. Beniaminin. Ai ishte i dashur, i çiltër, fort i mirësjellshëm, modest dhe shumë i njerëzishëm.
E pyeta, pse ishte vonuar për martesë?! “Duke qenë beqar, kisha mundësi më shumë për t`u përkujdesur për nënën dhe tezen dhe këtë barrë, nuk dua ta këtë nusja ime”, – më tha doktori, jo pa keqardhje. Kjo na kujton librin e shenjtë “Biblën”, ku shkruhet se feja katolike, nuk e ndalon martesën e priftërinjve, por duke qenë beqarë të përjetshëm, priftërinjtë kanë më shumë kohë për t`iu përkushtuar fesë, kishës, besimtarëve, Zotit.
Në vitin 1990 Dr. Beniamini më kërkoi ta ndihmoja për ta realizuar një vizitë në Gjermani dhe për ta takuar vëllanë e madh, Antonin. Tashmë, unë isha aziluar në Gjermani. E vura në dijeni Profesorin, për kërkesën e vëllait, Beniaminit, i cili më falenderoi dhe premtoi se “do të shihemi së afërmi” dhe duke shtuar të mos bëj asnjë veprim për Beniaminin, pa e takuar atë.
Profesor Çetta erdhi në Gjermani, më takoi mua, biseduam dhe e informova për dr. Benin, siç e thërrisnim në burg. Por, Ai më porositi t`i them Dr. Benit se; “Duhet të presë edhe sa kohë dhe do t`ia rregulloj një vizitë në Kosovë, sepse duan ta shohin edhe familja tjetër”. Dhe, ashtu u bë. Memorie.al