Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të katastrofës ajrore të 1 majit 1938, kur avioni i linjës Tiranë-Brindizi-Romë, u rrëzua në afërsi të maleve Formia (Maranola-s)në Itali, ku humbën jetën 19 persona, midis të cilëve dhe ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Itali, Xhaferr Vila, shefi i misionit arkeologjik italian në Shqipëri, Piero Marconi, gazetari i famshëm gjerman, Othmar Krainz dhe mjaft shtetas të tjerë të huaj, anglezë, amerikanë, gjermanë, grekë etj. Por gjithashtu në këtë aksident ajror “u varrosën” përfundimisht edhe dhuratat dhe bizhuteritë e famshme të Mbretit Zog dhe Mbretëreshës Geraldina Appony të sapo-martuar, të cilat familjes mbretërore shqiptare, me urdhër të Zog-ut, u vendosën të ktheheshin mbrapsht nga Tirana drejt Italisë, Austrisë dhe Francës, ku më pas do të ambalazhoheshin sërish në magazinat dhe dyqanet e firmave më të shtrenjta dhe më prestigjioze të kohës.
Lajmi i pasqyruar në të përjavshmen amerikane “Newsweek”
“SHQIPËRIA: KËNAQËSI DHE DËSHPËRIM. FATKEQËSIA AJRORE SHËNON MARTESËN E ZOGUT ME GERALDINËN”
Abdikimi i Eduartit të V në dhjetor të vitit 1936, e la Mbretin Zog I të shqiptarëve, si beqarin e vetëm në Europë… Shqipëria festoi javën e shkuar me festime 3-ditore martesën e Mbretit Mysliman me Konteshën hungareze Katolike Appony. Dhuratat e Zogut për Mbretëreshën e tij, një kurorë diamantesh vendosur mbi kurorën shqiptare, një byzylyk, një varëse, u zgjodhën nga bizhuteritë e dërguara në Tiranë nga firmat e Parisit dhe Vjenës. Të shtunën, ai vendosi t’i kthente bizhuteritë që nuk i bleu, me vlerë 1.052.000 dollarësh me një avion. Avioni u përfshi nga furtuna dhe u përplas në Malin Maranola të Apenineve. Barinjtë gjetën trupat e 19 pasagjerëve, por pak gjurmë të bizhuterive. Diamantët dhe gurët e tjerë të çmuar u dogjën, platini dhe floriri u shkrinë. (Kthimi ishte i siguruar). Midis pasagjerëve fatkeq ishte dhe ambasadori shqiptar në Itali, arkeologë të shquar, dhe korrespondentja amerikane, zonja Helen Lindheim.
Lajmi i pasqyruar në prestigjiozen “Corriere della Sera”
“GJAK, HARTA ARKEOLOGJIKE DHE VESHJE TË SHTRENJTA NË HUMNERAT E MARANOLA-S SË FORMIA-S”
Sot në paraditen e 30 prillit, një tragjedi e rëndë ajrore u shënua në Italinë Qendrore në masivin e Apenineve të Maranolas. Avioni i Meda S.73 i Ala Littorias që midis pasagjerëve të rëndësishëm, transportonte edhe hartën arkeologjike të Shqipërisë si dhe dhuratat luksoze të dasmës së Mbretit Zog I të shqiptarëve befas u përplas në masivin shkëmbor të Maranolas (Formia) duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të të gjithë pasagjerëve. Hollësira të tjera nuk dihen. Në orët në vijim do të bëhen publike dhe fakte të tjera.
Tragjedia ajrore që “varrosi” hartën arkeologjike te Shqipërisë
Fatkeqësisht, tragjedi të tjera e kanë “nxirë” këtë udhë ajrore, por ndër më të rëndat shënohet ajo e 30 prillit të vitit 1938, kur avioni i linjës Tiranë-Brindisi-Romë, në bordin e të cilit, së bashku me ekuipazhin, udhëtonin plot 19 persona, u përplas me shkëmbinjtë dhe u rrëzua në afërsi të maleve Formia, në mes të Napolit dhe Romës. Ndërmjet atyre personave që mbetën viktima të asaj katastrofe ajrore ishte dhe ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Itali, Xhaferr Vila, shefi i misionit arkeologjik italian në Shqipëri, profesor, Piero Marconi, gazetari i famshëm gjerman, Othmar Krainz, si dhe disa shtetas të tjerë të huaj, italianë, amerikanë, grekë, gjermanë etj. Por bashkë me humbjen e këtyre jetëve njerëzore, në atë aksident tragjik ndodhi edhe një katastrofë tjetër, ndoshta edhe më e madhe. Aty humbi dhe u “varros” përgjithmonë edhe harta arkeologjike e Shqipërisë, një pasuri e paçmueshme dhe e papërsëritshme, për të cilin profesori i famshëm italian kishte punuar për më shumë se një dekadë me radhë në vendin tonë. Kjo bëhet e ditur edhe nga një letër, që vetë Marconi, ia kishte dërguar pak ditë më parë një mikut të tij italian, ku e njoftonte për një zbulim të ri arkeologjik që kishte bërë në Shqipëri. Si ndodhi katastrofa, në ç’kushte teknike ishte avioni i linjës Tiranë-Romë, përpara atij udhëtimi që mbeti dhe i fundit për të, në çfarë kushtesh atmosferike udhëtonte ai atë ditë, cilët ishin personat e tjerë që humbën jetën në atë tragjedi ajrore, si u përcoll ajo ngjarje e rëndë nga shteti shqiptar në atë kohë dhe qeveria italiane? Lidhur me këto, na njohin disa artikuj që i kemi shkëputur nga shtypi shqiptar i asaj kohe, i cili e pasqyroi gjerësisht atë ngjarje të hidhur, si dhe një editorial i shkruar nga Sterjo Spasse, ish-shkrimtari i njohur (i periudhës së realizmit socialist), i cili në vitet e Monarkisë së Zogut punonte si gazetar.
Lajmet e pasqyruara në gazetën “ARBNIA”
Një fatkeqësi e papritur ajrore në Itali shkaktoi 19 viktima njerëzore. Midis tyre Ministri Xhafer Vila dhe shumë miq të çmuar të vendit tonë
Si vetëtima u përhap në Tiranë qysh të Dielë në mesditë, lajm i hidhur, se Trimotori “I Meda” S.73 i Ala Littoria-s, që u nis prej aerodromit të Tiranës të Shtunë në mëngjes dhe i cili mbërriti me kohë në Brindisi, i nisur prej atij qyteti në Romë, u zhduk udhës. Trimotori që shërbente udhën e zakonshme postare ajrore Tiranë-Brindisi-Romë, shpinte kësaj here me vete Ministrin t’onë Xhafer Villa, shefin e Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, Profesor Piero Marconi; Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Romë, Ermenegildo Pugni; Sekretarin e Fashios së Durrësit, Giuseppe Crisulo, gazetarin e mirënjohur gjerman, Othmar Krainz dhe të tjerë udhëtarë. Aeropllani duheshe të mbërrinte qysh të Shtunën pasdite në Romë, por s’dukesh kurrkund. Ishte e sigurt pra, se do të kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi. Mas nisjes së Trimotorit nga Brindisi, moti ishte prishur dhe një mjegull e dendur kishte mbuluar malet mbi te cilat do te fluturonte “I-Meda”. Gjatë pasdites së Dielës, deri vone natën, e gjithë Tirana jetoi çaste plot dhimbje shpirtërore, duke pritur e duke gjurmuar lajmet telegrafike sa më të hidhura që vinin prej Rome. Vonë natën u njoftua se Trimotori u gjend i dërrmuar në malet afër Formia-s dhe se të 14 udhëtarët bashkë me të 5 vetat e ekuipazhit, gjithsej 19 shpirt, midis të cilëve edhe Ministri Vila u gjetën të vdekur dhe të karbonizuar”.
Si ngjau katastrofa?
Trimotori fluturoi nga Brindisi për në Romë duke qenë plotësisht në rregull nga çdo pikëpamje. Pilotët e avionit, nga më të sprovuarit aviatorë italianë, avioni, një aparat perfekt, nga materiali më i mirë. Ndonëse koha pra kish filluar të prishej, avioni u nis dhe do ta përfundonte me sukses udhëtimin, po të mos ngjiste një fatalitet i keq, fatalitet nga ata që qëndrojnë përsipër fuqive dhe para vështrimeve të njeriut. Midis Napolit dhe Romës, avioni hasi në udhë një kohë shumë të keqe edhe mjegull të dendur. 120 km. larg Romës, në malet afër Formia-s nga shkaku i mjegullit të dendur, avioni u përpoq me një majë mali u dërmua dhe u rrokullis. Në kohën e përpjekjes me shkëmbin, avioni u ndez. Nga shkaku i mjegullit askush nuk e kish parë katastrofën dhe as avionin duke fluturuar përmbi ato vende. Shumë kohë më vonë disa barinj që kalonin andej, zbuluan mbeturinat e avionit dhe lajmëruan menjëherë autoritetet më të afërme. Të 19 udhëtarët u gjetën të gjithë të vdekur dhe pjesërisht të karbonizuar, aq sa me zor u bë identifikimi i tyre.
Lajme telegrafike mbi katastrofën
Këtu po botojmë telegramet që na erdhën prej Romës në lidhje me ketë katastrofë aq të dhimbshme
Romë 1. (Ora 20.00).
Nuk ka qenë ende e mundun deri tani të merret as ma e vogla informatë rreth fatit t’aeroplanit që siguronte shërbimin e vijës Tiranë-Romë dhe që u prit më kot mbramë n’aeroportin e Littorias. Por, që, tani duket e sigurt se aeroplani mbi të cilin gjendeshin 19 veta, ka pësue një aksident të rëndë ndërmjet Brindisit dhe Romës, sepse nuk asht mësue as sot mbas dreke asgjë mbi fatin e Ministrit të Shqipnisë në Romë, Xhafer Vila, që ndodhej n’atë aeroplan. Shërbimi kompetent nuk jep asnjë informatë rreth kësaj çështje. Lajmi qarkullon se në aeroplan gjendeshin disa gazetarë italianë dhe të huaj.
Romë, 1 (20.10).
Në Legatën e Shqipnis mësohet se Xhafer Vila, ministër i Shqipnis në Romë, ka gjetur vdekjen n’aksidentin e ndodhun aeroplanit të vijës Tiranë-Romë, ndër rrethe të Napolit.
Romë, 1 (20.30)
Aeroplani i vijës Tiranë-Romë ka ra, në rrethana ende që nuk dihen, në luginën e Maranolas, fshat i vogël katër km. nga Formia, midis Romës dhe Napolit dhe ka marrë menjëherë zjarr. Pesë veta t’ekuipazhit dhe 14 udhëtarë kanë gjetun vdekjen. Trupat e karbonizuem të viktimave u mbartën në Shtëpinë e Fashios së Maranolas ku janë mbikqyrun prej fashistash. Mbeturinat e aeroplanit u gjetëm vetëm sot mbas dreke. Midis viktimave numërohen; katër udhëtarë gjermanë, një ingliz, një amerikan, Ministri i Shqipnis në Romë, Xhafer Vila, një grek dhe një qytetar i qytetit të lirë të Dantzig.
Romë, 1 (21.00)
Si mbas informatave të para, t’ardhuna në Romë, aksidenti i vijës Tiranë-Romë ka qenë shkaktue nga mjegulla. Aeroplani që ishte nisun në orën 11.30 u përpoq me një çip mali në një zonë të parrahur, që gjendet jo shumë larg nga Formia, dhe mori zjarr. Disa barinj i gjetën, ma të parët, aty afër orës 15, mbeturinat e aeroplanit dhe trupat e karbonizuam të viktimave. Ata vajtën menjëherë në këmbë na Maranola, katund ma i afërm, prej ku lajmi u dërgua në Formia. Trupat e viktimave u mbartnë sot mbas dreke në varrezat e Maranolas. Një kortezh personalitetesh aeronautikë të ardhur nga Roma, dhe banorët e krahinës e pasuan karvanin e përmortshëm. Pritën vendimet e familjeve për dispozimin e funeralit.
Romë, 1 (21.25)
Aeroplani që u shënue i humbun midis vijës Tiranë-Romë, ka ndeshë afër orës 13 majën e një mali afër Formia-s, ka marr zjarr dhe asht rrëzue për tokë. Disa barinj i kanë gjetun mbeturinat dhe kanë informue autoritetet. Aeroplani asht një Trimotor i Shoqnis italiane “Ala Littoria”. Kishte brenda ministrin e Shqipnis në Romë, Xhafer Vilën, tetë udhëtarë të tjerë të huaj, pesë italianë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit, kanë gjetur të gjithë vdekjen. Viktimat janë të cungueme në një mënyrë të tmerrshme dhe janë karbonizuar krejt, sa që është e pamundur t’identifikohen. Besohet se midis tyre gjendet edhe një gjerman. Kufomat janë vu në arkivola dhe janë dërgu në Shtëpinë e Fashios së Maranolas ku milicë fashista mbajnë roje. Ma vonë viktimat u suellnë në kapelën e varrezave. Drejtori i Përgjithshëm i Shoqnios “Ala Littoria”, z. Klinger, dhe gjeneral Pellegrini, i Departamentit t’Avjacionit civil në Ministrinë e Ajrit, i prinin kufomave. Besohet se aeroplani ka qenë i goditun prej rrufesë.
Romë, 1. (23.00)
Komunikata e botueme rreth katastrofës ajrore, që i ngjau aeroplanit të vijës Brindizi-Romë, jep emrat e anëtarëve të ekuipazhit dhe të udhëtarëve të karbonizuam: krye piloti Muller, piloti i dytë, Magri, radio-telegrafisti, Mariani, mekaniku, Meluzzi, mekaniku i dytë, Tait, Ministri i Shqipnisë në Romë, Xhafer Vila, Marconi Piero, Armando Pacifici, Salvatore Chizari, Domeniko Morelli, Ermengildo Pugni, Giusepe Crisuolo, Othmar Krainz, Walter Krapke, Yacob Fridrich Ballscmeich, Karl Grotznek, Samuel Brostaff, Helene Lindheim (amerikane), Ema Geroge Haydakail (greke).
Ngushëllime për humbjen e Ministrit, Villa
Dje gjithë ditën, shtëpia e familjes Villa në Tiranë ka qenë vend pelegrinazhi. Personalitete dhe njerëz të popullit vajtën për t’i paraqitur familjes ngushëllime të thella për fatkeqin e madhe dhe të papritur që e goditi. Me të vërtetë, Ministri Villa, gëzonte një simpati dhe një konsideratë të posaçme. Mësojmë se dëshira e familjes është që trupi i pashpirt i Ministrit Villa të sillet e të varroset në atdhe. Dje në mëngjes familja Villa mori një telegram ngushëllimi, me shprehje shumë të dhimbshme, të nënshkruar prej Shk.Tij Kontit Ciano, Ministër i Punëve të Jashtme të Italis. Gjithashtu dje në mëngjes, Shk.Tij, Jacomoni vizitoj Ministrinë t’onë të Punëve të Jashtme, Shk. e Tij, Eqrem Libohova duke i shprehur ngushëllimet në emër të Qeverisë Fashiste për humbjen e Ministrit Villa.
Pierro Marconi dhe Othmar Krainz
Midis viktimave të katastrofës ajrore ndodhet Shef i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, shkencëtari i shquar Pierro Marconi. I Ndieri u mbarkua në avion nga Brindisi. Më datë 29 Prill i ka shkruar një letër kolegut t’onë z. Lorusso Atoma-ndoshta letra e tij e fundit,- e cila sot mbërriti në Tiranë. Atje i kallzon për një zbulim të ri që pat bërë në Shqipëri dhe thotë se po shkon në Itali vetëm për disa ditë. Ndërmjet viktimave ka qenë edhe kolegu ynë i ç’quar gjerman, Othmar Krainz, shkrimtar i stërhollë plot talent, mik i dëshmuar i vendit t’onë. I ndieri jetonte në Berlin dhe bashkëpunonte në një sasi fletoresh të dorës së parë si “Essener Nationalzeitung”, “Der Mitteldeutchee”, “Volkischer Beobachter”, “Der Angliff”, “Der Hamer” etj. Në kohën e Luftës së Madhe fitoj më shumë dekorata për trimërin e tij. Ka qenë anëtar i NSDAP. Ka botuar një sasi librash e studimesh të vlefshme. Ka udhëtuar gjysmën e botës. Ka shkruar përmbi 20 artikuj të bukur mi Shqipërinë dhe në librin e tij “Krena të politikës botnore” i ka kushtuar një kapitull të posaçmë N.M Tij Mbretit Zog i I.
Korrespondencë e posaçme nga Roma
Romë,-Vdekja e ministrit Xhafer bei Villa në katastrofën ajrore afër Formia-s ka prodhue një përshtypje të thellë ndër qarqe diplomatike dhe ndër sfera zyrtare të Romës. Ministri i Jashtëm i Italis, Konti Ciano, posa u informue për fatkeqin, dërgoi përdhimbtimet e veta. Legata e Shqipnis u sulmue me telefonime nga ana e trupit diplomatik që nuk mund t’a besonte fatkeqësinë dhe kërkonte të ketë një përgënjeshtrim të lajmit të vajtueshëm. Një shumicë personalitetesh, miq të Shqipërisë dhe ata personalë të ministrit, i kanë shprehun keqardhjen zotit Vasfi Xhomos, i Ngarkuem me Punë i Shqipnis në Romë. Humbja e Ministrit Villa ndihet veçanërisht ndër qarqe zyrtare ku ai gëzonte një simpati të gjanë dhe çmohej për vlerën e tij si diplomat i hollë dhe mik i Italis. Në koloninë shqiptare ai len një kujtim të pashlyeshëm; hoborsija e tij, dashnija e tij, kishin fitue simpathina të thella midis studentëve dhe kolonisë shqiptare të Romës të ndjerit ministër. Anketa vazhdon gjithnjë për të caktua shkaqet e katastrofës me gjithë se duket e vërtetueme që koha e keqe dhe mjegulla i kanë ndalue pilotët të shofin udhën. Asht mësue se n’aeroplan kanë qenë 20.000.000 franga xhevahire, të dorzueme nga një xhevair shitës i Parisit të “Rue de la Paix” të cilat duket se janë prish e kanë mbarue krejt. Në orët e fundit mësohet se kufoma e ministrit Villa do të mbartet në Bari për t’u sjellë në Shqipni. (Edda de Mistura)
Ngushëllimet e Cianos e të Gjen. Parianit për vdekjen e Villës
Në rastin e faktekqsis së humbjes së Zotit Xhaferr Villa, Shkëlqesia e Tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipnis mori nga Shkëlqesitë e Tyne, Ministri i P. të Jashtme të Italis, Zoti Galezao Ciano dhe nga Nënministri i Luftës, General Pariani telegramet që vijojnë: Shk. T, Eqrem Libohova. Ministër i P. të Jashtme-Tiranë. Thellësisht i prekun nga fatkeqësia e madhe që i kushtoj jetën Shk. Tij Xhafer Villa, i shfaq Shkëlqesisë s’Uej ngushëllimet e mija e të Qeverisë Fashiste”. CIANO.
Shkëlqesisë Tij, Eqrem Libohova, Ministër i P. të jashtme-Tiranë. “Marr pjesë gjallërisht në humbjen e madhe që qëllojti Legatës së Romës për humbjen e rëndë të Ministrit Villa, dhe i lutem Ekselencës s’Uej të ketë mirësinë me pranue shfaqjet ma të ndjeshme të ngushëllimeve të mia të thella”. General PARIANi
Hollësirat e aksidentit ajror
Pas informatave të fundit, katastrofa që kushtoi humbjen e 19 vetave të ç’quar, duket se do të ketë ngjarë në këto rrethana. Midis Napolit s’ka mundur të ecë përpara veçse fare pak. Ora më 11,30 para mesdite avioni duheshe si mbas rregullit të mbërrinte në fushën e aerore të Littoria, afër Romës. Deri në ora 2,30 avioni ka luftuar me furtunën i rrethuar prej një mjegulle të dendur. Duket se piloti, kur ka parë se kishin kaluar aq orë fluturimi, ka besuar se avioni i ka kapërcyer malet e nalta dhe se do të ndodhesh tani afër Romës. Nga shkaku i mjegullit nuk shihej kurrgjë. I rrejtur nga kjo pandehmë piloti do ta ketë ulur avionin ma poshtë se naltësia e majave t’atyne malevet. Në realitet, avioni, ndonëse kish fluturuar aq orë, kish përparuar fare pak dhe vazhdonte të ndodhej brenda rrethit të malevet. Në vazhdim të fluturimit, ky hasi shkëmbin e maj-malit mbi të cilin u përpoq.
Shtypi i kohës pasqyroi hollësisht të gjitha ceremonitë mortore
Sot vjen në atdhe, me kontratorpilin “Aquilone” trupi i pashpirt i Ministrit Xhafer Villa. (Hollësirat e fundit mi katastrofën)
Dje në mëngjes, kur Ministri i Italis në Tiranë, Shk. e Tij, Jacomoni ishte tuj u gatit të shkonte në Romë me avion, një depeshe (telegram), e ardhur nga Italia lajmëronte se trupi i pashpirt i të ndyerit Xhafer Villa mbrin të mërkurën në mëngjes në Durrës mi kontratorpilorin “Aquilone”. Ky lajm i ndali ikjen e Ministrit Jacomoni, tuj qenë se Shk. e Tij dëshiron të asistoj në funeralet, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, kolegut të zhdukur. Gjithashtu dje në mëngjes u nisën prej Tirane në Durrës, për t’u mbarkuar s’andejmi për Bari, me qëllim që të përcjellin në atdhe kufomën e Ministrit Villa, z. Dhimitër Berati, Sekretar i P. i Ministris së Jashtme, dhe Felatun Villa, i biri i të ndyerit, bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes. Para se të nisej vapori, u lajmnuen prej Tirane për depeshen që erdhi nga Roma dhe u detyruan të kthehen prapë në kryeqytet. Kontratorpilori që sjell trupin e pashpirt të Ministrit, mërin në skelën e Durrësit sot në ora 8,30. Trupi i Xhafer Villës do të sillet masandaj në Tiranë, ku do të pritet me nderime. Në hyrjen e qytetit, në fund të Rrugës “Nana Mbretneshë” do të ndodhen prezentë për të pritur trupin e të ndjerit: Një kompani ushtarësh me Bandën Ushtarake; Trupi Ministruer; Trupi Diplomatik; Nëpunësit e Min, së Jashtme dhe nëpunësit e tjerë të gjithë me veshje ceremonie. Kortezhi do të kalojë nëpër rrugën “Nana Mbretneshë” dhe “28 Nëntor” dhe do të ndalet në Xhaminë e Vjetër, ku do të zhvillohet ceremonia fetare dhe do të mbahet fjalimi i rastit. Pastaj trupi i pashpirt i Ministrit Villa do të shpihet e varroset në Teqenë e Bektashinjve.
Editoriali në gazetën “ARBNIA” i gazetarit dhe shkrimtarit të njohur, Sterjo Spasse
“Marconi ishte pionieri i arkeologjisë sonë, pas Ugolinit”
Në aksidentin e fundit ajror që na hoqi aq njerëz të dashtun, mbeti dhe Prof Pirro Marconi, President i Akademisë së Arteve të Bukura të Napolit dhe një nga pionierët e zbulimeve arkeologjike në tokën t’onë pas të ndyerit Luixi Ugolini. I ndyeri ishte një burrë që ndoshta nuk i kishte kaluar të dyzetepesat; duke shikue kështu, elegant në pikat e tija të errëta, në sytë e thellë mendimtari të ëmbël, në fytyrën e tërhequr prej vizash fisnike artisti, nuk mund t’i jepesh as dyzet vjet; ne e kemi përpara fizionominë e tij zotnije që ia ka kushtue veten shkencës. Pierro Marconi kishte ardhur ndër ne për të ndërrue rojën që kishte lanë vakant predecesori i tij i paharrueshëm Luixhi Ugolini, i cili, gjatë kohës që qëndroi në Shqipni, dhe pikërisht në Butrinto, arriti, në virtyt të një pune të rëndë dhe plot rreziqe, të na dhurojë neve dhe mbarë Europës, disa nga kryeveprat e fshehura ndën tokën shekullore dhe që dëshmojë katërcipërisht qytetnimin e përparuem të vendit t’onë. Përmbi çdo cilësi të lartë studiuesi dhe rrëmuesi i palodhur, Luixhi Ugolini gëzonte virtytin magjik të komunikimit shpirtnuer me tokën, që aj zbulonte si mbajtës thesaresh ende të panjohura, dhe atë të dashunis së thellë që ndiente për vendin t’onë të cilin zgjidh si atdhe të dytë shpirtnuer. Duhet të dihet se asht thanë shumë dhe shkruejtun mir a keq rreth qytetërimit të moçëm, të vendit t’onë; ishin tregue prrallza dhe shkrue se ne ishim ma keq se sa jemi; në realitet, këta studiues që përdorin karficën për të shënue shkronjën e një libri të mykun, dhe jo shatin e fuqishëm të shekncës, për të pamë së afërmi se ç’ruen toka e jonë, këta studiues katër kacillash arritën, dhe nuk asht kurrë e tepërtë t’a përsërisim, të na tregojnë në sy të opinionit t’onë publik si një popull që ka tradita të papërshtatshme me popujt ma të qytetnuem të botës. Luixhi Ugolini erdh ndër ne me dashunin e njaj apostulli pune; aj kishte gjeniun ma shumë se një shënim në tekste serioze mbi nji qytetnim dorës së parë dhe nga më të ndritshmit që gëzojnë popujt e mëdhenj të sotshëm të popullit t’onë. Dhe nuk përdori karfica por i ra tokës përmes, me dritën e një shikimi studiuesi të bindun se, nën dheun arbnor, dhe pikërisht në atë copë tokë të rrënueme prej urdhrit të tij të premë dhe plot dashamirësi kundrejt punëtorëve të krahut, gjendej nji fjalë dhe një vepër e motit që na tregonte ç’ka ishim dhe ç’ka jemi, e, domethënë, një popull që kishte lëshue fjalën e vet, jo vetëm në luftë, por edhe në punë ndërtuese, në punë qytetëruese. Kjo qe vepra e predecesorit të Pierro Marconit, i cili erdh nder ne për të ndërrue rojën që i kishte lanë shoku i tij luftet shkencore, Luixhi Ugolini. Piero Marconin e mbajmë mend te gjithë dhe nuk mund ta harrojmë kur na përshkruejti gjith veprën e shokut të tij Luixhi Ugolini dhe na vizitoi qëllimet e tija për se ai përkiste së ardhmes së zbulimeve, jo vetëm në pjesën e bukur të Butrintos, por edhe në atë krenare të Veriut të Shqipnis. Mbajmë mënd, se, këtu e pake kohe ma parë, Aj na foli në Kinema Nasional, mbi sa kishte vazhdue Aj vetë, pas veprës së ndritur të Ugolinit, dhe mbi qëllimet e tija të preme që ajo vepër të vazhdohej me një besnikëri të patundshme në sa kolegu pionier arti dhe shpirti kishte lanë pezull, sepse e zu mortja. Fjala e tij na pushtoi të gjithëve për atë vërvitmëni forme dhe studimi që ban të mbetesh i tretun në përfytyrime që i kalojnë kufijtë e fakteve për t’u bamë një dëshirë i zjarrtë. Me zhdukjen e tij të idhët, Pierro Marconi, la ndër ne një kujtim ëndërror të pranis së tij vegimtare dhe luftëtari pune të pareshtur për hir të triumfit të një faqe historie që na ban t’angrejmë lart kokën dhe të themi se jemi trashëgimtarë të një së shkuemje të bukur dhe krenare në histori. Pierro Marconi mbet, pranë Z. Xhafer Villës, pranë shokësh gazetarë dhe misionarë të një drite botnore mbi Shqipninë dhe mbi gëzimin e saj. Ne përulemi përpara vdekjes së tij të parakohshme dhe e falenderojm botnisht, duke qenë të bindun se Ai na dëgjon”. (Gazeta “ARBNIA” 3 maj 1938)/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016