Nga AGRON ARANITASI
Pjesa e pestë
– TË VËRTETAT QË BESOJ –
– AGJENTI FRANCEZ –
Hyrje
Memorie.al / Kur fillova të shkruaj librin, “Të vërtetat që besoj”, (Shtëpia Botuese “PAPIRUS”), nuk kisha menduar të shkruaja për veten time. Shtysa, e parë, më lindi kur u njoha me dosjet e Sigurimit të Shtetit për survejimin e shtetasit Agron Hajdar Aranitasi. Ato dosje janë, një dëshmi më shumë, se si mund të persekutohej dikush, i cili, në një çast të caktuar, vendosej në radhën e armiqve të pushtetit popullor. Nuk merrej parasysh asgjë, as si kishte punuar, as si ishte sjellur, as si kishte jetuar. Nuk merrej parasysh as qëndrimi i prindërve, vëllezërve dhe kushërinjve të shumtë, të cilët, automatikisht, i nënshtroheshin goditjes së egër dhe vuanin pasoja pa patur asnjë faj.
Kapitulli i Parë
Origjina familjare
Hajdar Aranitasi
Zylyftar Ramizi përfundon: “A duhet t’i futemi këtij problem? Unë kam mendimin të mos i futemi (po pse mos i futeshin?!). Këtë e them jo se në atë kohë, kur është diskutuar ky problem, kam qenë dakord (që Hajdari ishte bir i lavdishëm…), sepse nuk i mendoja poshtërsitë e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, mendoja se ishin me Partinë.
Momenti nuk është t’i futemi biografisë së vëllezërve të Hajdar Aranitasit, me kohë ato do rregullohen e korrigjohen në bazë të vijës së Partisë (për çfarë rregullimi bëhet fjalë, kur Bajrami e Xhafo nuk jetonin më?!). Mendoj që letra të arshivohet (!). Disa probleme që ngrihen në letër të vendosen në dosjen e përpunimit të Hajdar Aranitasit”. Shënim i Hekuran Isait: “Dakord me mendimet e sh. Zylyftar”.
Megjithëse familja Aranitasi ndodhej në pozitë të vështirë, kryefamiljarët dhe djali i tyre i vogël me masa partie, ndërsa djali i madh i internuar, një njeri i ndyrë si Zylyftari, nuk guxon të avancojë më tej. Thotë; “mos merremi me Hajdarin e, as me vëllezërit e tij”. Thotë se; “çdo gjë do zgjidhet dhe do vihet në vendin e duhur, me drejtësinë e partisë”.
Duket, se “ata lart”, nuk kishin dhënë aprovimin për ta groposur përfundimisht familjen Aranitasi. Zylyftari, në fshehtësi, vazhdon punën e tij. Ai shkon në burgun-kamp të Sarandës dhe takon Hasan Bashën, doktorin e njohur të Ballshit, të cilin e kishte arrestuar dhe dënuar vetë, si pjesë e grupit që lavdëronin Mehmet Shehun pas vdekjes së tij.
I premton ta lirojë. I kërkon që të flasë kundër Hajdarit. “Qërohu që këtu”, – i kishte bërtitur Hasani; “Hajdarit t’i marrësh të keqen, se ai ka qenë dhe mbetet burrë”!
Dosja e përpunimit paraprak, për Hajdar Aranitasin
Zylyftar Ramizi merret personalisht me dosjen PP të Hajdarit. Çfarë përmbante dosja është e vështirë të tregohet plotësisht sot. Ajo është asgjësuar në prill të vitit 1985. Megjithatë, unë kam gjetur një pjesë të dokumenteve të saj, sepse ato ishin vendosur edhe në dosjet e Kadri Hazbiut, ndonjëra edhe në dosjet e problemeve të centralizuara (“Merimanga” dhe “Dhelpra”). Ky rast, shërben si një dëshmi më shumë se, dosjet e Sigurimit të Shtetit nuk mund të zhduken.
Përveçse janë në jelekë plot me mikrofilma (thuhet se kanë qenë tetë komplete të tilla), janë edhe të daktilografuara (thuhet se kanë qenë katër komplete të tilla), ato dalin edhe në dosjet e personave të tjerë, të dënuar nga regjimi komunist. Veç kësaj, edhe kur dosjet asgjësohen, asgjësimi bëhet me proces-verbal, në të cilin shënohen, një për një, të gjithë dokumentet e asgjësuara. Shënohen me emërtim dhe me numër rendor. Dhe ato mund të rindërtohen nga ata që i kanë shkruar.
Ja proces-verbali i asgjësimit të dosjes së Hajdar Aranitasit:
Miratohet Sekret i rëndësisë së veçantë
Tiranë, më…04.1985 Nr. 78/8 1985
Prot.
Sekretari i Komitetit të Partisë Rrethit
Foto Çami
Proces – Verbal
Mbi asgjësimin e dosjeve të Hajdar Aranitasit
I mbajtur më datën …04.1985, në Drejtorinë e P.B. Tiranë, për asgjësimin e dokumenteve në ruajtje në kasafortën e Drejtorit të P. Brendshme, Agron Tafa, në ngarkim të anëtarit të partisë, Hajdar Aranitasi…me banim në Lagjen 8 Tiranë…me arsim të lartë, pensionist, Anëtar Partie, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare. Asgjësohen materialet në ruajtje si më poshtë:
1 – Vërtetimi biografik i komplikuar i datës 28.8.1984.
2 – Implikim, nxjerrë nga shënimi operativ i datës 18.10.1982, bërë nga punëtori operativ Çarçan Zogu.
3 – Implikim, nxjerrë nga deklarata e datës 18.10.1982, bërë nga Gaqo Themeli.
4 – Implikim, nxjerrë nga informacioni i datës 25.10.1982, bërë nga Feti Radhoja.
5 – Implikim, nxjerrë nga informacioni i datës 25.10.1982 bërë nga Xhemal Belegu.
6 – Ekstrakte, datë 18.10.1982, nxjerrë nga informacioni i Sali Sulajt për armiqtë M. Shehu, K. Hazbiu, V. Llakaj, N. Berberi, etj.
7 – Shënim operativ i datës 29.1.1985.
8 – Ekstrakt nxjerrë nga dosja Nr. 1623/3 e grupit të Koçi Xoxes.
9 – Tre copë ekstrakte, bërë nga punëtori operativ Ylli Birçe, nxjerrë nga studimi i dosjes së Dina Thaçit, nga informacioni i Qani Tartales dt. 15.12.198 dhe nga letra e Zoi Themelit drejtuar Komitetit Qendror më dt. 12.12.1982.
10 – Implikim nxjerrë nga informacioni i Xhemal Bejtos, datë 20.11.1982.
11 – Dy ekstrakte nxjerrë një nga deklarata e Gaqo themelit, dt.10.10.1982 dhe tjetra nga informacioni i Xhemal Belegut, dt. 24.11.1984.
12 – Implikime nga informacioni i bisedës së bërë nga kryetari i Degës së Brendshme Burrel me të dënuarin Azbi Lamçe, më dt. 24.11.1984.
13 – Shënim operativ io datës 8.12.1984.
14 – Relacion mbi Hajdar Aranitasin, dt. 15.4.1984.
15 – Informacion nga B.p. “Dajti”, dt. 28.4.1984.
16 – Shënim operativ i dt. 29.5.1984.
17 – Raport i B.p. “Dajti”, dt. 18.6.1984.
18 – Raport i B.p. “Çika”, dt. 18.6.1984.
19 – Tre copë shënime operative të datës 2.7.1984 dërguar nga Dega e Brendshme e Burrelit, nga bisedat e bëra me Idriz Seitin, Azbi Lamçen dhe Halim Ramohiton.
20 – Shënime nga një letër anonime dërguar shokut Enver në emër të popullit të Mallakastrës dhe një shënim i shokut Zylyftar Ramizi drejtuar sh. Ministër për Hajdar Aranitasin.
21 – Shënim operativ i dt. 21.8.1984, raporti i B. p. “Magneti” i dt. 14.7.1983, raporti i B. p. “Magneti” i dt. 23.12.1982, dërguar nga Dega e Brendshme Fier me shkresën Nr. 373/14, dt. 27.8.1984.
22 – Relacion mbi Hajdar Aranitasin, i datës 5.10.1984.
23 – Ekstrakte, nxjerrë nga raporti i b/p Dajti, dt. 31.10.1982.
24 – Letra e të dënuarit Neshet Kasem Mahmutaj (kushëri i parë i Zylyftar Ramizit – Shënimi im), dt. 21.8.1984 (një ditë para se të hapej dosja përpunimit paraprak -Shënimi im).
25 – Informacioni për sekretarin e parë të Komitetit të Partisë dt. 20.10.1984.
Materialet, e sipërpërmendura, gjithsej 25, asgjësohen në bazë të porosive të dhëna nga ministri i Punëve të Brendshme dhe Sekretari i I-rë i Komitetit të Partisë së Rrethit, për arsye se me problemet që ngrihen është marrë Komitetit i Partisë së rrethit dhe janë trajtuar në organizatën bazë të partisë.
KOMISIONI
Shefi i seksionit të grupimeve Drejtori i Punëve të Brendshme
Ropi Postoli Agron Tafa
Shefi i Sektorit të Përgjithshëm
Agron Kokona
Unë kam mundur të gjej dokumentet me numër rendor 5 dhe 11, që janë një implikim dhe një ekstrakt nga denoncimet e Xhemal Belegut; dokumentin me nr. 9, që është një ekstrakt nga letra e Zoi Themelit drejtuar Komitetit Qendror më dt. 12.12.1982; dokumentin me nr. 10, që është një implikim i nxjerrë nga informacioni i Xhemal Bejto Fasllisë, datë 20.11.1982; dokumentin me nr. rendor 19, me tre copë shënime operative të datës 2.7.1984, dërguar nga Dega e Brendshme e Burrelit, për bisedat e bëra me Idriz Seitin, Azbi Lamçen dhe Halim Ramohiton;
Dokumentin me numër rendor 20, që është letra anonime dërguar Enver Hoxhës në emër të popullit të Mallakastrës dhe një shënim i Zylyftar Ramizit, drejtuar ministrit për Hajdar Aranitasin;
dokumentin me nr. rendor 21, që është raporti i B. p. “Magneti”, i dt. 14.7.1983, raporti B. p. “Magneti”, i dt. 23.12.1982 dhe shënimi operativ i dt. 21.8.1984, dërguar nga Dega e Brendshme Fier, me shkresën Nr. 373/14, dt. 27.8.1984; dokumenti me nr. rendor 24, që është letra e të dënuarit Neshet Kasem Mahmutaj, dt. 21.8.1984 (pikërisht në ditën kur hapej dosja (P.P.) në ngarkim të Hajdar Aranitasit, – Shënimi im).
Në dokumentet 5 dhe 11, Xhemal Belegu akuzonte Hajdar Aranitasin dhe Kadri Hazbiun se, me veprimet e tyre, ata kishin dëmtuar punën e njësisë që ndiqte ambasadat e huaja.
Sipas Belegut, Hajdari dhe Kadriu merrnin për përdorim vetjak makinat që shërbenin për të survejuar ambasadat e huaja. Se sa serioz ishte ky denoncim, kuptohet kur akuzohet Kadri Hazbiu, i cili kishte në dispozicion një “Benz-Mercedes” dhe një makinë shoqëruese, “Gaz” ose “ARO”! Akoma më skandaloz është denoncimi tjetër i Belegut. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













