Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e dhjetë
Memorie.al / Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Dikush takon vetveten…!
Në kampin e Ballshit, ishin disa që patën bërë pjesë në nomenklaturën e lartë të pushtetit komunist dhe ish ushtarakë të lartë. Ndonjë prej tyre, e kam përmendur më parë, por jo të gjithë. Një prej tyre ishte edhe Andon Sheti, ish-shefi i Zbulimit Ushtarak Shqiptar, i dënuar me 15 vjet burgim. Kur e pyeta përse e dënuan, m’u përgjigj: “Për dekoratat që më patën dhënë më parë, për shërbimet që pata kryer, duke rrezikuar jetën time”! Kur erdhi në kamp për herë të parë, dukej si një kufomë që mezi lëvizte; ishin pasojat e hetuesisë. Flitej që gjatë hetuesisë, e vinin për të fjetur në një arkivol.
Nuk para fliste për punën e tij Andoni, vetëm njëherë mbaj mend që tha: “Kur kujtoj tani disa gjëra, më vjen turp nga vetja. Besoja në punën time, në idealin tim, në betimin që kisha bërë për t’i shërbyer Atdheut. Vetëm tani e kuptoj, se nuk i paskam shërbyer Atdheut, por një sadisti kriminel. Ju nuk e dini kush është Enver Hoxha, por nuk mund të flas, se më heqin kokën…”!
Ruaj përshtypjet më të mira për Andonin. Kur e njoha unë, e pat marrë veten mirë: ishte një burrë shtatlartë, me sy të kaltër, të qeshur, veshur me një kapotë ushtarake, prej stofi të mirë. Ne e thërrisnim; “Tatë”, si i thonë bregdetasit e Himarës, babait. Një ditë po i bëja kafen Andonit. Një ish-ushtarak tjetër, i njohur si spiun i komandës, u afrua dhe më tha:
– “Bëma edhe mua një kafe, o Maks, se e bëke të mirë”.
– “Unë nuk ia bëj kafen askujt, madje kafen time, e bën dhe ma servir Aladini”.
– “Ooo, po unë po të shoh, ia bëre kafen Andonit, që po rri ulur si pasha…”!
– “Lere mënjanë ‘Tatën’. – i thashë – Kur ‘Tata’ do kafe dhe e kërkon prej meje, për mua është nder i veçantë. Ti, më fal, po nuk je Andon Sheti”!
Andoni u kënaq nga përgjigja ime, por nuk foli. Ish-ushtaraku, iku si i menderosur.
Një ditë në kampin e Ballshit, u bëra dëshmitar, pa dashje, i një ngjarjeje që më bëri përshtypje. Po shkoja për në WC; në hapësirën para WC-ve, ishin disa lavamanë të mëdhenj, ku të dënuarit lanin teshat e tyre, me dorë. Një i dënuar po lante teshat duke i fërkuar me sapun, ata 15 lekshit e kohës. E njihja, ishte mirditor, e quanin Pashk. Ishte nga shahistët më të mirë në kamp. I vetmi që kishte mundur edhe Zoin, një shahist nga Fieri. Fliste pak Pashku. Nuk ishim shumë shokë bashkë, por njiheshim dhe përshëndeteshim me respekt.
Andoni doli nga banja dhe i tha Pashkut, që ishte përmbys mbi lavaman, duke larë teshat e veta: “A mund të ma japësh sapunin tënd, sa të laj pak duart”? Pashku ngriti kokën dhe duke marrë një sapun tjetër, të pafilluar, iu përgjigj, duke i zgjatur sapunin: “Merre dhe përdore, zoti Anton, në qoftë se të mjafton me i la ato duart e tua”! Andoni e pa në sy pak çaste dhe u largua, pa e marrë sapunin. Kur dola nga WC, Pashku ende po lante teshat. I kërkova sapunin. Më zgjati atë copë të vogël, që po përdorte: “Merre Maks”.
– “Pse ia bëre ashtu Andonit? Më erdhi keq që u ndodha kur i the ashtu qëparë, sepse nuk është njeri i keq. Njerëzit kanë respekt për Andonin dhe batuta jote m’u duk e tepërt…”?!
– “Dy minuta sa të mbaroj me teshat dhe flasim”.
Nuk u vonua Pashku. U ulëm diku dhe filloi: “Jam dënue për arratisje, Maks. Nuk e dija për marrëveshjen e fshehtë, Enver-Tito, për t’i kthyer njani tjetrit, të arratisunit e vet. Diçka pata nigju, por nuk e besojsha. Dola matanë, në Jugosllavi, a ma mirë në Kosovë me thanë. Rojeve të kufirit, u hika pa më diktue, si knej, si andej kufinit. Por jugosllavt, dreqi i mallkuem e di si, e patën marr lajmin për mue. Patën nis kushdi sa polica e civil, me më kërkue. Dikur më kapën. Dy javë burg anej, për kalim pa leje të kufinit dhe mrapa, lidh duersh, më dorzuen te pala jonë, në kufi. Hetuesinë ma banë në Tiranë. Nuk ia vlen me kujtue gjith ato budallalliqe, jo me ke je lidh knej, i kujt je agjent, e prralla si kto!
Mbas nji mueji hetuesi, më vjen me më takue nji ushtarak. M’u prezantue: ‘Jam Anton Sheti, i Zbulimit. Do të baj disa pyetje, me karakter ushtarak, për vendet nga ke shkelë në Jugosllavi, për reparte e baza ushtarake, që ke pa andej, lëvizje trupash e, mjetesh ushtarake’… etj. Më tha se përgjigjet që do të jipsha, nuk do të ndikojshin në dënimin tim, as për mirë, as për keq. ‘Asnji dit burg, nuk mundem me ta ulë – më tha – as me ta shtue’. Iu përgjigja të tana pyetjeve, nji për nji. Them se mbeti i knaqun prej përgjigjeve të mia. Kur mbaroi, më qerasi me nji kafe dhe nji cigare dhe po bajshim muhabet kot. Kur u ngrejt me hikë, më tha: ‘Po më vika keq për ty, se po më dukesh tip mjaft inteligjent. A më thu dot, pse deshte me tradhtu Atdheun’?!
‘Jo’, ia prita, ‘nuk hika me tradhtue atdheun. E pastaj, kush jam unë, që po e tradhtokam…?! Nuk asht atdheu im, nji vend ku unë nuk guxoj as me marrë frymë, zoti Anton’! Kur, pllauuu, ma njiti në shuplakë ftyrës, Antoni. Xixa më lshuen sytë, kishte pasë dorë të randë besa…! Qe kshu puna e sapunit me Antonin. E teprova thu, ehh…?! Mbase ke të drejtë, se sa kohë po e shof ktu në kamp, më asht dukë burrë i naltë…”!
Takova edhe Andonin. Më tha të njëjtat fjalë, si Pashku. Veç ishte i tronditur, nga ky takim Andoni. Kishte takuar Andon Shetin e dikurshëm…!
Xhafer Shehu dhe të tjerë…
Kuptoj, se qenka e vështirë, të shkruash kujtimet e një periudhe, kur nuk ke mbajtur ditar, kur qe e rrezikshme të mbaje ditar. Kur ndiqja shkollën e Marinës në Vlorë, mbaja ditar; edhe kur fillova punë si oficer në Flotën Detare Tregtare, e vazhdova ditarin tim. Për fat, ndonjë muaj para arrestimit, e bëra copash dhe e hodha në det. Ndodhi një natë, kur kisha shërbimin 24 orësh në anije, atë natë porti, nuk solli punëtorë për turnin e tretë dhe unë pas mesit të natës, me shishen e konjakut para, fillova të lexoj ditarin tim, i shkova deri në fund. Pa e ditur, kisha filluar të shkruaja shënimet e fundit, i mbaj mend sikur t’i kem shkruar tani: “Po sikur, rastësisht, ky ditar të bjerë në dorë të dikujt tjetër dhe ky tjetri të jetë spiun?!
Dhe s’kam pse të ankohem, sepse ditari, është vetë denoncim! Nuk është çudi, edhe mund të ndodhë: unë jam shumë i pakujdesshëm! duhet të marr masa, sa me shpejt! Mirë, po çfarë masash? Hidhe në det, trap”!….dhe sapo shkrova fjalën e fundit, e bëra copa – copa dhe e hodha në det. Por gjithsesi, burgut nuk i shpëtova. Dhe në burg, nuk qe punë me mend, të mbaje ditar. Burgu që bëmë ne, nuk ishte i njëjtë me burgun që bëri, fjala vjen Mandela, apo Vaclav Havel, me të gjitha kushtet, radio, TV, shtypi (edhe i huaj), intervista me gazetarë të huaj. Zyhdi Morava pati intervistuar presidentin çek Havel; si më tregonte miku im Zyhdi, që kur pati mbaruar intervista dhe po pinte diçka me Havelin mikpritës, i pati thënë Havelit: – “Burgu që keni bërë ju zoti Havel, nuk ka të krahasuar me burgjet politike shqiptare”!
– “Ju jeni heronj”, – tha Havel, – “komunistëve shqiptarë, vetëm nazistët, ndoshta, u afrohen për nga mizoria”!
Bëri edhe Nelson Mandela, 28 vjet burg, në Afrikën e Jugut. Por nuk pat provuar Maliqin, Burrelin, Spaçin, etj. Kaq burg, 28 vjet, bëri edhe i ndjeri Xhemal Lile. Nuk e dekoruan Xhemalin. Nuk i dhanë asnjë çmim. Por e rrahën, e gjakosën pa mëshirë, policët e shtetit “demokratik” dhe e nxorën zvarrë, nga greva e urisë më ’95-ën në Durrës. Pati hyrë me disa të tjerë në grevë urie, për të sensibilizuar opinionin publik dhe qeverinë “demokratike”, për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë. Disa vite më pas, në të njëjtat kushte, një tjetër do të vetëdigjej i gjallë, në mes të Tiranës.
Sepse kërkonte një dëmshpërblim mjeran, atë pak gjë, që vetë parlamentarët “e nderuar” kanë caktuar për ne. Prandaj dhe po i shkruaj këto kujtime. Që vuajtjet tona, të mos harrohen, se po u harruan, nuk është çudi, të përsëriten! Më vinë ndër mend, plot miq e të njohur dhe sikur më thonë: “Pse nuk shkruan edhe për mua”?! “Po mua, më harrove”? – më duket sikur dëgjoj zërin e të mirit Xhafer Shehu, komshiut tim, që pasi e kaloi gjithë jetën duke tharë kënetat e Shqipërisë, në prag të pensionit e futën në burg; akuza e përhershme “agjitacion e propaganda, për minimin dhe rrëzimin e pushtetit popullor”.
“E ç’punë kam unë me mina”, – tha i shkreti Xhafer,- “unë vetëm kënetat kam tharë”! Si përgjigje ndaj këtij “guximi e pafytyrësie”, erdhën shkelmat dhe grushtet e kriminelëve Kopi Niko dhe Kapllan Shehu, kur as 50 kile, nuk rëndonte Xhafer Shehu. Kur u lirua nga burgu, takoheshim shpesh bashkë, në vitet ’85, e këtej. Kur e pyesja; “Hë Xhafë, me se merresh?!…më përgjigjej me atë humorin e tij: “Me se merrem?! Me amore merrem! Po jo me amoren që merreni ju të rinjtë, jooo, unë merrem me ‘a more’, ‘a more’ presh, a more tollonin e mishit, a more bukë”?! Në varrimin e tij, qe gjithë Shkozeti, Durrësi, që e mbajti në krahë deri te varrezat, arkivolin e tij.
Nuk ju harroj shokë dhe miq të burgut, ndonjërit emrin ndoshta edhe mund t’ia kem harruar, kemi qenë mbi 1000 vetë, në çdo burg! Do të përpiqem të kujtoj sa të mundem…! Por tani heshtni, jam në kampin e Ballshit, në vitin ’78.
….Dr. Nuri Sollakun, e kanë thirrur, për t’i komunikuar fatin e të vëllait, të dënuar me pushkatim, me grupin e inxhinierëve të naftës. Ka shumë shpresa, t’ia kenë falur jetën. “Jo se është vëllai im”, – thoshte dr. Nuriu, “por është njeri i mrekullueshëm, as një mize, nuk i ka bërë keq, në jetë…”! Të gjithë rrinë dhe shohin Dr. Nuri Sollakun, kur hyn në kamp. Në gjoks shtrëngon disa tesha të vjetra, që herë pas here, u merr erë. Kur ngre kryet, nga qelqet e rrumbullakëta të syzeve, sytë i duken edhe më të mëdhej. Duket edhe një pikë lot. Vetëm një…!
Barcoleta dhe përralla me spec
Autoburgu solli herën e fundit edhe një djalë nga Durrësi, Bashkim D. Ka qenë oficer kimist Bashkimi, e kanë dënuar 8 vjet, për agjitacion e propaganda, nga që tregonte barceleta për kinezët. Është kulmi i absurditetit; u arrestua në kohën kur miqësia me Kinën ishte ende në lulëzim dhe u dënua kur ajo “miqësi e palëkundshme”, pat marrë fund. Dikur, Kina e madhe, si deklaronte Enver Hoxha, nuk do të njihte kufi shtetesh, për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, që ndërtonte e vetme socializmin në Evropë. Tani, nuk ishin më “dy luanë”, siç këndonin rapsodët: “Dy luanë ka sot bota / një Azia, një Evropa”; apo: “Enver Hoxha dhe Ma Ce Duni / janë si buka e nji brumi”…! “Luani” i Azisë, ngordhi para dy vjetësh, kur ende ishte “shok i ngushtë i armëve”, me “luanin” e Evropës. Mbajtëm një javë zi, në Shqipëri për atë “luan”!
Tani, “luani” i Gjirokastrës, thotë në kujtimet e tij, për Kinën dhe Maon, se ata janë, e kanë qenë revizionistë. Kur Enveri, miqësisht, vëllazërisht, u sugjeroi dikur shokëve kinezë, që t’i fusnin një koqe plumbi Teng Hsiao Pingut, Mao, qenka përgjigjur: – “Jo, sepse kokat e njerëzve, nuk janë koka qepësh”! (Ama, nja 60 milion koka, jo qepësh, i kishte këputur shoku Mao)
Kaq budalla, paska qenë ky Mao!? Sikur pak qepë, më falni, koka njerëzish, ka Kina! Qepa, në fund të fundit, e ka një vlerë, po koka e njeriut, ç’vlerë ka…!?
Kur lexoj përçartjet e “Dullës” (Enverit), te “Shënime për Kinën”, llahtarisem. Edhe koka e Bashkim D., ç’vlerë ka?! Këputja ca vjet burg, që t’i vinë mendtë! Po nuk ve mend Bashkimi; prapë qesh e, tregon barceleta dhe jo vetëm me kinezë. Unë dhe ata që shoqërohen me mua, e duam Bashkimin, na mban gjallë. Dikush më thotë, se Bashkimi ka filluar të shoqërohet me një farë Izet P., që sapo është kthyer nga “turneu”, si spiun birucash. “I thoni Bashkimit, të ruhet, se ai I. P., është qen bir qeni”. Bashkimi kundërshton: “Jo”, na thotë, “I. nuk është spiun, më dëgjoni mua, nuk ka qenë nëpër biruca, si spiun, ka qenë me një detyrë të veçantë. Por nuk mund t’ju a them, pa lejen e tij. Po shkoj ta takoj dhe pastaj flasim” !
Po ky muhabet?! Po këtë pasdite, kur jam me Aladinin, vjen Bashkimi, e na thotë: “Fola me I., më tha se; mund t’ju them diçka, por vetëm Aladinit, jo Maksit”! Unë pranoj, fundja Aladini, do të më tregojë çdo gjë. Dhe vërtet, pas ndonjë ore, Aladini vjen e më thotë, gjithë ç’i ka treguar Bashkimi:
– “Ky I., paskësh qenë shok gjimnazi, me zv/ministrin e Brendshëm, Agron Tafa. Agroni dërgoi që ta merrnin nga kampi dhe janë takuar në zyrën e tij, në Tiranë: “Të thirra I., për një problem, që shqetëson Partinë. Jo, prit, të lutem. Më dëgjo deri në fund… bëje për hatër të shoqërisë, që kemi patur në gjimnaz. Nuk ke nevojë të ma thuash, e di që nuk e do komunizmin dhe Partinë e Punës, por unë po të kërkoj, të më ndihmosh. Si shok. Për të ndihmuar, ca djem të mirë, që ti i njeh, i ke atje në Ballsh. Cilët janë? Njëri është Aladin Kapo. Do t’i ndihmojmë, apo jo? Mendohu. Sonte do të flesh në hotel “Dajti”, ke dhomë më vete. Do të gjesh aty, çdo gjë që do të të duhet: rroba, këpucë, para, etj., Nesër më jep përgjigje. Aaa, pranon menjëherë? Bravo!
Më dëgjo me kujdes. Shoku Hysni Kapo, i shqetësuar për arrestimin e të nipit, shkon drejt e te shoku Enver. ‘Dua të sqarohet çështja e nipit tim, shoku komandant’, i tha. ‘Kadri Hazbiu, më thotë që ai dhe shokët e tij, janë arrestuar vetëm se dyshohet, të jenë implikuar me agjenturat e huaja. Të zbardhet ky dyshim; po qe i vërtetë, do ta vras me dorën time… përndryshe, kërkoj që ai dhe shokët e tij, të lirohen menjëherë’. Shoku Enver i paska premtuar, se do ta zgjidhë këtë problem. Ngarkoi Manush Myftiun, dhe ky më thirri mua. Pra: Enveri, Manushi, unë dhe ti e dimë këtë muhabet.
Mehmeti dhe Kadriu, ABSOLUTISHT JO! Kjo është porosia, që kam prej shokut Manush. Nesër, vjen një delegacion ekonomik jugosllav në Tiranë. Në delegacion, bën pjesë edhe një oficer i UDB-së, e quajnë Franko, me origjinë italiane, që banon në Rijeka, Jugosllavi. Dyshimi i Kadriut, është se kolonel Franko, që gjoja punonte si elektricist i dokut të Rijekës, i ka rekrutuar këta djem, kur anija ‘Durrësi’, ishte atje për riparim. Pse të zgjodha ty I., për këtë detyrë?
Për dy arsye: e para, ti e njeh italishten shkëlqyeshëm; e dyta, ruhet fshehtësia. Oficerët tanë të Sigurimit, i ka të skeduar UDB-ja…pastaj do ta merrte vesh edhe shoku Kadri, po të ngarkoja me këtë detyrë, ndonjë oficer të Sigurimit…! Ti do të jesh shoqëruesi dhe përkthyesi i Frankos. Shko në hotel tani, pusho, se nesër ke punë. Duhet t’i hysh në zemër Frankos, ta zbërthesh, ta bësh, të të thotë të vërtetën. T’i nxjerrim ata djem nga burgu, është gjynah, janë familje të mira”!
Këto ishin çka i kish treguar Bashkimi, Aladinit. E pleqërojmë gjatë. Shumë e bukur, për të qenë e vërtetë. Sa më shumë e mendojmë, aq më shumë na shtohen dyshimet. E gjithë kjo përrallë rrëzohet, nëse vërtetojmë që I., nuk di italisht, përndryshe si do të merrej vesh, me Frankon?! Frankon, elektricistin e dokut të Rijekës, e njohim të gjithë. Vendos të pyes Nikoll Dakën, nëse dinte italisht ky I., sepse, i kam parë disa herë bashkë. Qesh Nikolla, kur e pyes. “Është te leksioni Nr. 2, më thotë, nesër i jap leksionin nr. 3.”!
Pra, e gjithë kjo është një përrallë. Po pse po na i kurdisin këtë lojë?! Sigurisht, që po na përgatisin ndonjë kurth. Janë në lojë, shumë emra të rëndësishëm: Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, etj. Dikujt po i bëjnë gati varrin. Po me ne ç’kanë, nuk u ngopën, që na dhanë gjithë këto vite burg?! Çfarë duhet të bëjmë, si të shpëtojmë nga ky qerthull?! Duhet të hapim sytë mirë, këta të vrasin, kot së koti. E ka thënë vampiri, për ‘të, një kokë qepë, vlen më shumë se një kokë njeriu…! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016