Nga Gjovalin Zezaj
Pjesa e dytë
Memorie.al / Gjovalin Zezaj ka lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1928. Ai ishte i pari student i gjimnazit “At Gjergj Fishta” të qytetit të Shkodrës, që u arrestua nga Sigurimi i Shtetit me 27 nëntor të vitit 1945, pasi së bashku me disa studentë të tjerë, themeluan organizatën antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Pasi u mbajt për disa kohë në hetuesi në një nga burgjet e improvizuara të qytetit të Shkodrës, ai doli në gjyq para një kolegji ushtarak, ku bashkë me të ishin edhe një grup i madh prej 39 të pandehurish, ku bënin pjesë dhe tre klerikë. Në pretencën e tij, prokurori Aranit Çela, kërkoi dënimin me vdekje, me pushkatim, për 11 nga këta të pandehur, ndërsa për Gjovalinin, megjithëse ishte ende në moshë adoleshente, ai kërkoi burgim të përjetshëm. Duke përfituar nga amnistia për arsye moshe, Gjovalini bëri vetëm 6 vjet burg dhe pasi lirohet nga burgu dërgohet për të punuar në punë shumë të rënda. Por mbas 7 vitesh, më 25 maj 1959, ditën kur kreu i Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovi, i shoqëruar nga Enver Hoxha dhe udhëheqës të tjerë të lartë të PPSh-së, ishte për vizitë në qytetin e Shkodrës, Gjovali arrestohet për herë të dytë nga Sigurimi i Shtetit. Pasi mbahet për disa kohë në hetuesi, del në gjyq dhe dënohet me 5 vjet burg politik, i akuzuar për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor. Mbasi lirohet burgu kur vuajti të gjithë dënimin e dhënë nga gjykata, vazhdon gjimnazin në shkollën e natës (pa shkëputje nga puna) dhe merr maturën. Gjovalin Zezaj punoi punë të rënda deri sa doli në pension dhe pas viteve ’90-të, me shëmbjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, ai u aktivizua me Shoqatën e ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë, për degën e Shkodrës, deri sa ndërroi jetë në vitin 2020, në moshën 92 vjeçare. Gjithashtu ai ka botuar librin: “Gjenocid mesjetar në shekullin XX-të”, pjesë nga i cili kemi përzgjedhur për botim në këtë shkrim.
Fragment nga libri “GJENOCIDI MESJETAR NE SHEKULLIN XX-të”
Dënimi i parë
Nga këto tortura edhe unë do të kisha riskun tim. Një ditë më thirri zëvendësi i drejtorit të burgut, Kapterr Riza Hoxha, e më tha: “Ti ke hedhur një letër nga dritarja e vogël e banjos. Kujt ia ke dërguar dhe çfarë ke shkruar në të”? Një akuzë e trilluar, për mua ishte e papritur, dhe unë i’a kundërshtova menjëherë, duke u munduar të bindja zëvendësdrejtorin se, letra përveç rojeve me armë, që rrethonin burgun, nuk kishte kujt tjetër t’i binte në dorë. Por kapteri injorant dhe njëkohësisht i paarsyeshëm, nguli këmbë në të tijën. E kuptova qëllimin. Diskutimi mori fund.
Kapteri sadist, më mbërtheu prangat gjermane mbas shpine në të dyja duart, e me ndihmën e dy policëve, më rrëzuan përtokë e më mbërthyen edhe këmbët me rripin e pushkës dhe vetë Riza Hoxha filloi, të më godiste me shkop ndër shputat e këmbëve me sa fuqi që kishte. Natyrisht dhimbjet ishin të mëdha, por e vetmja rrugë ishte, t’i nënshtrohesha vullnetit të Zotit. Kjo histori vazhdoi derisa humba ndjenjat. Pastaj e kam gjetur veten në birucë, gjithnjë i lidhur me ato pranga me duar mbas shpine.
Rënkimet nga torturat në mesin e natës bënin që të gjithë të burgosurit të kalonin çaste ankthi dhe trishtimi nga dhimbja për atë që po u torturonte për kapriçot e komandës.
Nuk mund të rri pa përmendur dy gardianët korçarë, kushërinj me njëri-tjetrin, që kanë lënë përshtypjet më të mira në burgun e Shkodrës. Quheshin, Safet e Remzi Hasanllari, të cilët, gjatë shërbimit brenda burgut, ndihmuan të burgosurit me të gjitha mundësitë e tyre, për t’ua bërë më të lehta vuajtjet.
Por, mjerisht, nuk vonoi shumë edhe ata u dënuan si të implikuar në Kryengritjen Antikomuniste të Postribës. Përveç këtyre, ka pasur edhe ndonjë gardian burgu që na ka ndihmuar. Kam njohur një polic nga Lushnja, quhej Teofik Luzi, i cili ishte me të vërtetë shpirt njeriu, sa kishte krijuar besim tek unë, por edhe unë tek ai.
Drejtori i Kampit, kishte kompetenca të plota mbi të burgosurin: nuk kishte as më të voglën përgjegjësi nëse i burgosuri vdiste në torturë. Aty të burgosurit trajtoheshin më keq se kafshët e egra.
Një herë Drejtori na mblodhi të gjithëve e na tha: “Shkruajuni familjeve mos t’ju dërgojnë ushqime, pse t’i shpenzoni ato; gjella e kampit është e mirë, e shtoi: nëse ndonjëri nuk i shkruan familjes për këtë që ju porosita, atëherë letra do t’ju kthehet mbrapa. Ja ku arrin krimineli, sa t’i ndalojë edhe atë pak ushqim që mundohej të na dërgonte familja.
Për këto viktima nuk interesohej askush. Përpiqej t’u vinte në ndihmë farmacisti Elez Troshani, i diplomuar në Itali, edhe ky i burgosur, por, përveç aspirinave dhe sulfamideve, infermieria nuk kishte asgjë tjetër.
Kemi pasur jo pak raste, sidomos në kohën e shirave, duke u kthyer nga puna edhe duke rënë shi duhej të vraponim, se ata që rrinin të fundit, goditeshin pa mëshirë nga policët e nuk e ekzagjeroj kur them se, disa kanë mbetur edhe nëpër kanale duke dhënë shpirt e, janë varrosur nga vetë policët bri skarpateve sa ende sot, nuk u gjenden eshtrat.
Drejtues kryesorë të punimeve ishin inxhinierë e teknikë jugosllavë, meqë ata ishin vëllezër internacionalistë me shqiptarët komunistë.
…Shirat e stinës së vjeshtës pezulluan punimet e, në fundin e nëntorit të vitit 1948, ne që mbijetuam na kthyen nëpër burgjet përkatëse.
Posa e morën vesh familjarët kthimin tonë, vërshuan menjëherë në drejtim të burgut që të na takonin. Por, mjerisht, ata u zhgënjyen. Shumë nuk i njohën njerëzit e tyre, sidomos të moshuarit, të cilët ishin bërë kockë e lëkurë, kufoma të gjalla. Në atë rast plasi vaji me dënesë, bile mbaj mend kur doli i burgosuri Riza Hoti në takim, e shoqja e kërkoi me sy, por nuk e njohu, e kur e mori vesh se ishte vetë i shoqi, asaj i ra të fikët duke u përplasur mes hekurash.
…Në marsin e vitit 1950, na dërguan, në punë fizike, pikërisht në atë kamp ku, dy vjet më parë, kishim hequr të zitë e ullirit, në kampin famëkeq të Bedenit. Megjithëse thuhej se Partia kishte bërë kthesë, por me sa shihej ujku ndërron qimen dhe vesin jo, prandaj, nuk ia kishim patur besën, dhe u mërzitëm shumë nga ky transferim.
Aty na sollën edhe disa nga shokët tanë studentë të gjimnazit. Ishin të arrestuar kohë më parë, akuzuar si antikomunistë, por kishin përballuar torturat më çnjerëzore që ka parë njerëzimi. Ata ishin: Ahmet Bushati, që qëndroi në hetuesi 18 muaj e, në fund, nuk pranoi asgjë, Xhevat e Remzi Quku, Thabit Rusi (vëllau i dëshmorit Fahri Rusi) Ernest Perdoda, Tomë Sheldia, Lec Bruçaj, Et’hem Bakalli etj. Kjo ishte ajo rini shqiptare, e ardhmja e atdheut, që nuk iu përkul diktaturës komuniste e që luftoi në kërkim të lirisë e të demokracisë.
Historia e tmerrshme e këtij kampi famëkeq do përsëritej mbas dy vjetësh kur torturohet për vdekje Viktor Kujxhia e Xhevat Quku, ndërsa Rrok Palaj, gati sa nuk vdiq, i lidhur në traversën midis kampit. Për fatin e tij po kalonte mbas kampit jashtë drejtori, që, të thuash të vërtetën, nuk ishte njeri me shpirt të keq, shpejt u dha urdhër gardianëve të kampit, ta zbrisnin në tokë. Rroku ishte pa ndjenja, por e mori në mbikëqyrje. Padër Donat Kurti, duke i dhënë ndihmën e shpejtë, me frymëmarrje artificiale etj.
Një ditë na mblodhi drejtori i kampit dhe na tha: “Nëse dëshironi të shihni filma çdo natë, do t’ju blejmë një aparat kinematografik me punën tuaj që do të bëni, duke punuar katër të diela rresht”. Të gjithë u gëzuam, sidomos ne të rinjtë. Në të vërtetë, aparati erdhi dhe çdo mbrëmje në sheshin e kampit shfaqej nga një film. Por çfarë shihnim? Filma të vjetër kolkozian, dokumentarë për jetën e veprën e shokut Lenin dhe shokut Stalin, dokumentarë nga Kongresi i Partisë…, dhe e keqja ishte se asnjëri prej nesh, nuk mund të largohej nga vendi sepse konsiderohej si i pakënaqur, bile edhe mund të dënohej me një muaj birucë…! Kaq fort u mërzitëm saqë, mallkuam ditën që na erdhi aparati kinematografik.
Nëntori ishte muaji që, mbas 6 vjet torturash fizike e morale, do të më nxirrte nga burgu. Isha dënuar me burgim të përjetshëm, zbrita në 30 vjet, por në rastin e amnistisë që u bë me të ashtuquajturën “Kthesa e Partisë”, zbrita në 6 vjet, ndoshta them se përfitova edhe nga mosha që kur isha arrestuar isha vetëm 17 vjeç.
Ëndërroja ditën e lirimit, takimin me njerëzit e mi, posaçërisht me nënën, së cilës doja t’i dhuroja edhe dashurinë e babait të shkretë, i cili kishte vdekur 3 vjet më parë e, që në zemrën time kishte lënë një boshllëk të madh. Porsa të takohesha me të gjithë njerëzit e mi, ëndërroja që takimin e dytë do ta bëja ndër varreza, atje ku në amshim prehej babai im i dashur, tek ai që dha shpirt, me emrin tim në gojë, do të shkoja tek ai që gjithë jetën punoi e sakrifikoi për ne, dhe na edukoi me ndjenja të zjarrta patriotike dhe morale. Nuk do ta harroja kurrë se, sa kurajo më dha gjatë kohës që dilnim në gjyq, e megjithatë, ishte gjithmonë i qeshur, gjithmonë fjalëmbël, kurrë i mërzitur, prandaj dhe ishte i respektuar nga të gjithë.
Dita e shumëpritur për mua, për prindërit e të afërmit e mi erdhi. Është 27 nëntor 1951. Gjashtë vjet më parë u shkëputa nga gjiri i familjes nga ku kuçedra komuniste, më rrëmbeu në kthetrat e saj kur isha në moshë ende adoleshente. Pikërisht në atë moshë kur, kisha më nevojë se kurrë për mbështetjen atnore. Pra, 6 vjet më parë për mua dhe për pjesëtarët e familjes sime, kishin filluar rrugët e kalvarit, aq sa lirimi më dukej sot vetëm si një ëndërr…!
* * *
Dënimi i dytë
Një ditë të bukur pranvere, më 25 maj 1959, vjen në vendin tonë për vizitë zyrtare udhëheqësi i Partisë së Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov. Ditë gëzimi e hareje për pushtetarët. Ndërsa për mua e shumë si unë, ditë hidhërimi.
Porsa kisha filluar punën në fermë, kur me shpejtësi një makinë ogurzezë, ndalet para meje. Të them të drejtën isha i qetë e s’kisha pse të tronditesha, sepse nuk kisha vepruar e as kisha zhvilluar asnjë aktivitet armiqësor kundër pushtetit, por, mjerisht, ata e kishin pasur me mua! Zbritën tre oficerë nga makina dhe pa asnjë koment dhe pa bërë zë më kapën, më vunë prangat e, më futën në makinë si një kriminel. Punëtorët përreth u shtangën…!
Makina më zbriti në oborrin e Degës së brendshme. Nuk mund ta fsheh gjendjen e rëndë shpirtërore në ato çaste të vështira. Ajo që më lodhi më shumë ishte preokupimi për nënën, që ishte tashmë e vetme në shtëpi, pa asnjëfarë ndihme e në moshë të rënduar, megjithatë, duhej durim. Shumë raste kam pasur me kalue kufirin pa më hy ferrë në këmbë, por më pengoi dashuria për nënën, sepse ajo kishte vuajtur shumë, gjatë periudhës që unë isha në burg. Më dërguan në qelinë nr.5 ku gjeta At Konrad Gjolajn që, ishte dënuar me Don Dedë Malajn, një muaj më parë, bile kisha dëgjuar edhe gjyqin e tyre.
Mbas 4 muaj izolimi në atë birucë të errët me lagështirë e, pa ajër të mjaftueshëm, më nxorën në gjyq. Kisha pamjen e një njeriu që kishte dalë nga spitali mbas një sëmundjeje të rëndë. Meqë nuk kisha pranuar asgjë, dhe hetuesi, kapiten Beqir Sala, i’a kishte kaluar gjykatës dosjen time, me proces të bardhë, i bindur edhe ai për pafajësinë time, dhe unë mendova se isha në prag të lirimit. Por jo. Sigurimi e kishte përgatitur lojën.
Dëshmitarët, megjithëse njerëz të mirë, por nën presionin e oficerëve të Sigurimit, u treguan jo me karakter, të pavendosur e jo burrëror. Ata deklaruan para trupit gjykues, akuza absurde dhe falso e, kam bindjen, se edhe vetë Kryetari i Gjyqit, Nuri Resnja, u bind për pafajësinë time. Ndërsa prokurori, mbajti një pretencë të gjatë, duke më akuzuar edhe për ato çka nuk isha dënuar as të parën herë dhe duke kërkuar në fund dënimin maksimal të nenit 55 me, 10 vjet burg.
Mbasi trupi gjykues u tërhoq për të dhënë dënimin e mbas një pushimi të shkurtë, kryetari dha vendimin, duke më zbritur dënimin nga 10 vjet, në 5 vjet burg.
Mbas 2 ose 3 ditëve më dërguan në burg të madh, ku u takova me shokët që kisha lënë aty kur isha liruar, sepse ishin dënuar rëndë, por nuk u dukën të mërzitur: burgu ishte bërë tani si shtëpia e tyre. Gjithashtu u takova me shokët që ishin dënuar pak vite më parë. Mbasi qëndrova disa muaj aty, më dërguan me disa të burgosur të tjerë në Kampin e Laçit, ku punohej në hapjen e kanaleve vaditëse.
Në ditën e parë porsa fillova punën, nga dreka, më kapi një colpo di sole, me temperaturë të lartë, sigurisht mbas një periudhe të gjatë izolimi, duke mos parë gati për një vit rrezet e diellit. Mjerisht, megjithëse kishte një infermieri, nuk kishte kurrfarë mjekimi, prandaj u detyruan të më dërgonin në Burgun e Tiranës, ku një dhomë ishte e rezervuar për të sëmurët dhe quhej Spitali i Burgut. Aty shërbente një mjek që edhe ai ishte i burgosur.
Quhej Qazim Cerga. Në takimin e parë që pata me të krijova përshtypje të mira dhe nuk u gabova. Ilaçet ishin mjaft me mungesë. Kishte aspirina, sulfaguanidina, sulfamide, jodio, garza e pambuk, por kurrfarë antibiotiku. Mjeku ishte i mirë e shumë i sjellshëm me të gjithë. Shpejt u miqësuam dhe ndonjëherë vinte e luante shah me mua.
Mbasi më mbajti rreth 3 muaj aty dhe unë isha mjaft mirë me shëndet dhe një ditë më tha se tani isha shëruar plotësisht, u gëzova që isha shëndosh, por, nga ana tjetër, e kuptova se do të përgatitesha për punë e pa hezitim i thashë: “Doktor jam për të dytën herë në burg e, ia kam pirë mirë çorbën punës në kampe, dhe për pak lashë eshtrat aty, veç Zoti më shpëtoi”. Kaq mjaftoi. Ai heshti e u largua. Mbas një ore kthehet përsëri dhe më dorëzuan një raport mjekësor, që do t’ia paraqitja Komandës si i paaftë për punë.
Pra, edhe mua Dr. Qazim Cerga, më bëri një nder shumë të madh, jo vetëm që më shpëtoi nga puna e rëndë, por ndihmoi edhe njerëzit e mi që s’do më vinin më mbrapa nëpër kampe, të ngarkuar me torba me ushqime, përveç shpenzimeve të transportit që për ta ishin të papërballueshme.
Tani e mbrapa nuk isha më efektiv i punëtorëve të kampit, prandaj edhe drejtori i burgut, urdhëroi rojet që të më nxirrnin nga dhoma e spitalit e, të më zbritnin poshtë me të burgosur të tjerë. Aty u takova me shokët e kampeve ndër të cilët me: Petrit Berishën, Bektash Kokonën, Xhelal Koprenckën etj. etj. të gjithë djem të mirë e të vendosur, sikur të kishin lindur nga një nënë. Në mes të tyre e ndjeva veten si në shtëpinë time.
Tani isha i sigurt se nga ky vend nuk do të më lëvizte më kush dhe më mbeteshin edhe 3 vjet burg, dhe me gjakftohtësinë më të madhe iu vura përgatitjes së një fjalori frëngjisht-shqip, me rreth 20 mijë fjalë që, me ndihmën edhe të shokëve, e përfundova 3 muaj para lirimit.
Erdhi 25 maji 1964: ditë me të vërtetë e shënuar, se po lirohesha nga burgu i tmerrshëm, por, njëkohësisht, edhe ditë dhimbjeje dhe e ithët, se kisha bërë 5 vite burg pa e ditur si dhe pse…!
Ndërsa po mendoja, gardiani i burgut më lajmëroi që bashkë me plaçkat personale, të zbrisja poshtë. Për këtë isha përgatitur se, çka është e vërteta, dita e lirimit nga burgu respektohej, duke përjashtuar ndonjë rast që në vend të lirimit, i burgosuri internohej me urdhër më lart. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016