• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Saturday, June 7, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Zëri i Popullit’ publikoi artikullin ‘40 vite të humbura’, nga Dr. Ylli Popa, një mjek i mirënjohur, që do kishte përfunduar në burg, por ai dhe Ramiz Alia…”!/ Vizita e historianit austriak, në vitet 1989-‘92

Memorie.al
“Në Tiranë, një popull shumë i varfër, makinat pothuaj s’ekzistojnë, kuajt dhe qetë, mjete transporti, njerëzit të veshur me zhele, kurse femrat shqiptare…”/ Vizita e historianit austriak, në ’87-ën
Memorie.al
Memorie.al
Memorie.al
“Zëri i Popullit’ publikoi artikullin ‘40 vite të humbura’, nga Dr. Ylli Popa, një mjek i mirënjohur, që do kishte përfunduar në burg, por ai dhe Ramiz Alia…”!/ Vizita e historianit austriak, në vitet 1989-‘92
“Todi Lubonja më tregonte, se ato ditë pas festivalit kishte një parandjenjë të keqe dhe ishte takuar me Ramiz Alinë në vilën malin e Dajtit, i cili i tha se Enveri…”/ Prapaskenat e Festivalit të 11-të

-Karl Kaser: “Isha i majtë, prisja të gjeja socializmin e vërtetë, por u zhgënjeva, sepse Socializmi në Shqipëri, një makth, kthim pas, 50 vjet”!-

Pjesa e dytë

Memorie.al / Ai ishte 33 vjeç atëherë. Për Shqipërinë vetëm kishte dëgjuar. Ishte i majtë, por i zhgënjyer nga format e socializmit që kishte parë deri më atëherë, shpresonte që në Shqipëri, të gjente versionin perfekt. Në vitin 1987, Karl Kaser, historian i ri asokohe, i Europës Juglindore, shfrytëzoi një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Austrisë, si dhe ngurrimin e gjithë kolegëve të tij, për të ardhur në vendin e vetëm komunist, e ateist në botë. Gjithçka pa gjatë ditëve të qëndrimit të tij në Shqipëri, ai i hodhi në ditar. Socializmi që gjeti në Shqipëri, ishte makth. Nuk u besonte dot syve, kur shihte një vend në varfëri ekstreme. Njerëz të veshur keq, që nuk guxonin t’i flisnin, pasi kishin frikë se dënoheshin, mungesa e etikës, hotelet, restorantet, rrugët, pallatet… gjithçka dukej si një kthim pas në kohë…! Sipas Kaser, të paktën gjysmë shekulli më pas. E megjithatë, Kaser u kthye edhe në vitin ’88,-’89… deri në ’92-shin, çdo vit nga dy deri katër javë, duke parë nga afër ndërrimin e sistemeve në Shqipëri. Shënimet e tij, të mbajtura më shumë se 20 vjet më parë, ai i ka botuar tashmë. “Shqipëria, njëzet vite më parë”–kujtimet e një historiani austriak-, janë përfshirë në botimin më të fundit të Qendrës së Studimeve Albanologjike “Shqipëri-Austri: Reflektim historiografik”. Sot, jo vetëm pedagogu i Universitetit të Vjenës, Karl Kaser, por edhe vetë shqiptarët, kanë mundësinë të ballafaqojnë veten, me atë çka ka qenë Shqipëria përpara 20 e ca vjetëve.

                                                      Vijon nga numri i kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Aty nga mesi i viteve ’70, sapo ishte pushkatuar ish-ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, në një emision lajmesh të transmetuar nga RAI, duket diku fytyra e tij dhe…”/ Refleksionet e akademikut të njohur

“Kur nëna e një të dënuari me vdekje, kërkoi Koci Xoxes, t’ia falnin dënimin të birit, se kishte të vetëm, nëna e një dëshmori që ndodhej atje, ia priti me…”/ Refleksionet e akademikut të njohur

1 deri në 19 shtator, 1988

Mbërrij përsëri në Shqipëri. Kësaj radhe më vendosin në Hotel “Dajti”, një përmirësim i dukshëm nga Hotel “Tirana”. Sidoqoftë, policia sekrete, është shumë më e pranishme këtu. Në fakt, ata nuk janë të aftë ta kamuflojnë praninë e tyre siç duhet. E di që më mbajnë nën vëzhgim, po kujt i plasi?! Ndërtimi i mauzoleut “Enver Hoxha” ka filluar. Një ndërtesë e madhe. Kjo kërkon shumë para, jashtëzakonisht shumë, për një vend të varfër.

25 maj, 19-6, qershor 1989

Ekskursion me mbi 40 studentë, nga Universiteti i Gracit

Udhëtimi organizohet nga Alb-Turizmi. Programi i udhëtimit është ai i zakonshmi: Të vizitojmë atraksionet më të mira të Shqipërisë. Nuk ka shenja për ndonjë revoltë politike, edhe pse Polonia dhe Hungaria, tashmë kanë sisteme shumëpartiake. Duket se Shqipëria, nuk është trazuar nga këto zhvillime. Shoqëruesi ynë është i sjellshëm dhe përputhet plotësisht me vijën ideologjike të Partisë. Nuk e ndërron kurrë këmishën prej najloni blu, për 11 ditë rresht.

Në Tiranë, papritur, një nga studentët pëson infarkt në zemër. Është pothuajse mesnatë. Marrim një taksi për në spital. Një makth i vërtetë. Pas diagnostikimit, doktori do t’i bëjë një gjilpërë me një shiringë, agen e së cilës, nuk ka pikë dyshimi që e ka përdorur më parë. Sapo e sheh një gjë të tillë, studenti preferon të hidhet nga krevati dhe ta marrë veten, pa ndihmën e gjilpërës.

(Ekskursioni pati pasoja afatgjata. Tre nga studentët e mi, vendosën të studionin gjuhën shqipe dhe të specializoheshin në historinë dhe kulturën shqiptare: Kurt Gostentchnigg, i cili ka dhënë mësim gjermanishten në Universitetin e Shkodrës për vite me radhë; Robert Pichler, i cili po përfundon tezën e doktoraturës, mbi migrimin shqiptar nga Maqedonia dhe Hubert Neuwirth, i cili punoi në fushën e zhvillimit në Maqedoni dhe Shqipëri për qeverinë austriake, për shumë vite. Të tre ata mbrojtën doktoratura me tematikë shqiptare).

Pranverë 1990

Situata politike ka filluar të ziejë. “Zëri i Popullit” publikon një artikull nga Dr. Ylli Popa, një mjek i mirënjohur dhe aktivist partie, në dy pjesë. Artikulli titullohet “40 vite të humbura”. Shumë prej lexuesve tronditen, të tjerë shtangen. Ka edhe nga ata që e kanë pritur me këmbëngulje një sinjal të tillë, pas revolucioneve në vendet e tjera socialiste. Autori formulon mendime që do ta kishin rrasur në burg, deri në fund të ditëve, vetëm pak javë më parë.

Madje, edhe një deklaratë zyrtare, si; “S’ka asgjë për të blerë”, mund të jetë arsye e mjaftueshme, për shtatë vite burgim. Popa formulon një kritikë thelbësore ndaj partisë dhe zhvillimeve politike, gjatë katër dekadave të fundit. Rruga politike e ndjekur deri më tani, ka qenë plotësisht e gabuar, situata katastrofike në ekonomi, është prova më e mirë. Në mënyrë që të shpëtojmë Shqipërinë, një rishikim kokë e këmbë, është i nevojshëm. Sistemi politik dhe institucionet e jetës publike duhet të demokratizohen.

Këtu nuk mund të bëhej fjalë për një gabim. Me sa dihet, Popa ka marrëdhënie të ngushta me Ramiz Alinë. Zor të mendohet se këta dy artikuj, janë një shfaqje e rastësishme. Pas disa javësh, mjegulla davaritet: Partia nis një reformë të përgjithshme, në të vetmin “vend aktualisht socialist në botë”! “Pranvera shqiptare”, ka filluar. Për shumë njerëz, ky është një hap i papritur i partisë, meqë ende nuk ekziston një lëvizje masive opozitare e organizuar, e cila do të shtyjë Partinë të vepronte. Sidoqoftë, situata duket e qartë: Pavarësisht deklaratave zyrtare (Shqipëria është ndryshe, etj.), partia duhet t’u paraprijë pasojave të revolucioneve në Europën Lindore e, sidomos atij të dhunshëm në Rumani, në dhjetor 1989.

Popullsia është informuar mbi zhvillimet në Rumani, nëpërmjet televizionit. Është e qartë se elita partiake, i trembet një reagimi të ngjashëm spontan në Shqipëri; revolta politike ka shumë gjasa të shkaktojë të njëjtat rezultate gjakderdhëse, si në Rumani, për shkak të mungesës së kulturës politike (një arritje e Partisë kjo). Arsyeja e dytë, është kolapsi akut i ekonomisë dhe varfëria në rritje e një populli, gjithmonë të varfër, diçka akoma më e qartë, për një të huaj. Situata në zonat rurale, është veçanërisht dëshpëruese. Në një vend, ku mbijetesa e shumicës mbështetet në bujqësi, mungesa e bukës, bëhet pjesë e kufizimeve të përditshme. Prodhimi industrial, vazhdon të bjerë.

Shtator 1990

Ramiz Alia, si udhëheqës i parë i Partisë së Punës dhe president i vendit, viziton një vend perëndimor, Amerikën. Është e qartë se po lyp mbështetje financiare. Slogani; “Pa eksport, nuk ka import”, të cilin e gjen kudo në Shqipëri, tashmë ka shfaqur pasojat e tij katastrofike, sidomos te gjenerata e re. Edhe pse zyrtarisht, diçka e ndaluar deri kohët e fundit, të gjithë kanë pasur mundësi të shikojnë televizionet italiane, me të gjithë shkëlqimin dhe luksin aq shumë të dëshiruar, që ato ofrojnë. Në krahasim me to, tregu shqiptar, mund të ofrojë vetëm zero, ose minus zero.

Me mijëra të rinj, po përpiqen të ikin nga vendi. Me sa di unë, Ambasada turke, është e vetmja që ofron viza për shqiptarët. Dhe shumë të rinj marrin viza turke, sepse kujtojnë se dhe ky është një vend i pasur; shumica kthehen pas të zhgënjyer. Gjatë “Pranverës shqiptare”, shqiptarët nuk u ndaluan më të flisnin me të huajt. Ky përbënte një zbulim të ri, për të dyja palët.

Ndërsa çapitem rrugëve të Tiranës, më afrohen shumë të rinj shqiptarë, të cilët më flasin anglisht dhe, me raste, gjermanisht. Kam përshtypjen se shumica e tyre, dëshirojnë të testojnë aftësitë e tyre në gjuhë të huaja. Patjetër që pothuajse të gjithë, më kërkojnë t’i mbështes për një vizë në Austri. Rinia shqiptare, të paktën në Tiranë, është shkëputur përfundimisht nga e kaluara komuniste.

Kjo shkëputje është pabesueshmërisht, e drejtpërdrejtë dhe radikale. Nuk është e nevojshme t’i pyes, se ç’mendojnë për sistemin politik. Ata flasin vetë për këtë çështje; dhe pothuajse të gjithë, thonë të njëjtën gjë. Interesant është fakti, se ata nuk shfaqin kurrfarë interesi të ndryshojnë sistemin politik; ata duan vetëm t’ia mbajnë drejt Perëndimit dhe të bëhen pjesë e konsumerizimit të tij.

Disa prej tyre, sugjerojnë një diktator të tipit Hitler (sepse ai e bëri të pasur Gjermaninë!); të tjerët, do t’i rrasnin me gjithë qejf politikanët në ferr. Përse nuk na japin liri?! Përse duhet të jemi kaq të varfër, ndërkohë që fëmijët e Enver Hoxhës, kanë shtëpi luksoze në të gjithë botën? Të gjithë ata me të cilët flas, kanë gjykime negative mbi katër dekadat e fundit. Ata nuk kujtojnë as edhe një arritje pozitive, të politikave të partisë. Duket se kohët e mira patën firuar, pikërisht me ardhjen e të ashtuquajturit çlirim.

Rinia shqiptare nuk është aktive politikisht. Ky pasivitet politik, përbën dhe barrierën kryesore për krijimin e një opozite politike, apo të një kulture opozitare. Për shkak të patriarkës politike të partisë, gjatë këtyre katër dekadave, reformimi i sistemit politik, është i mundshëm vetëm nga lart-poshtë. Problemi është se turmat, nuk janë më të interesuara për reforma. Mendoj se, nëse reforma nga lart-poshtë, do të jetë e suksesshme, shoqëria shqiptare dhe PPSH-ja, do të përballen me një periudhë të vështirë tranzicioni.

Për më tepër, kanë ndodhur gjëra të tjera, që s’mund të imagjinoheshin gjysmë viti më parë. Në afërsi të stacionit të trenit në Tiranë, është hapur një lokal privat, aspak tërheqës. Patjetër që unë dhe një miku im, nuk mund të rrimë pa shijuar ndjesinë e re të pronësisë private shqiptare. Cilësia e rakisë së rrushit, është modeste, për të mos u treguar të pasjellshëm, dhe me kaq e mbyll aktivitetin tim për sot.

Ndodh diçka tjetër interesante: një problem sigurie, gjithmonë e më i rëndë. Kur kthehem në Hotel “Tirana”, natën e fundit përpara se të largohem, holli është mbushur me vendalinj, shumica nga fshati, dhe të gjithë fillojnë të më kërkojnë favore. Ia dal më në fund të mbërrij në dhomë, vetëm për të zbuluar, se më kanë fluturuar dy palë pantallona.

Qershor 1991

Ndërkohë, “Enver Hoxha”, është detyruar të braktisë vendin e tij të përjetshëm në Sheshin “Skënderbej”; po kështu edhe “Stalini”; një grevë kombëtare sapo ka përfunduar; kryeministri Fatos Nano ka dhënë dorëheqjen dhe i ka lënë radhën Ylli Bufit, ish-ministri i Provizioneve. Ai ka formuar një qeveri koalicioni, e përbërë nga PPSH-ja dhe katër parti opozitare. PPSH-ja, do të riemërtohet “Partia Socialiste” dhe do të reformohet. Sistemi ekonomik, ka pësuar kolaps. Një nga arsyet e jashtme, është shpërbërja e CONECON-it, i cili ishte partneri tregtar kryesor i Shqipërisë. Furnizimi i popullatës me mallra bazë, nuk është më i garantuar.

Njerëzit kanë filluar të braktisin vendin, shumica drejt Italisë dhe Greqisë. Pritet një eksod në masë. Duket se hyrja e ekonomisë së tregut, është e pashmangshme, por do të ketë efektin e një dushi të ftohtë. Cilat do të jenë pasojat? E vështirtë të imagjinohen. E sigurt është se pjesa tjetër e sistemit të sigurisë sociale, do të shpërbëhet; çmimet do të ngrihen; praktikisht e gjithë industria do të mbyllet; papunësia do të fryhet në masë etj., etj., për të mos përmendur degjenerimin e rendit publik.

Të gjitha partitë opozitare, mbështesin ndryshime të shpejta drejt ekonomisë së tregut të lirë, me përjashtim të PPSH-së, e cila kërkon një tranzicion të ngadaltë dhe ruajtjen e kontrollit të shtetit, mbi një pjesë të mirë të ekonomisë. Shqipëria, nuk është ajo e një viti më parë. Kolapsi i sistemit ekonomik, ka rezultuar në braktisjen e dogmave, të konsideruara deri para pak kohësh, si të përjetshme.

“Shteti i parë ateist në botë” dhe “i vetmi shtet socialist ekzistues”, tashmë i përkasin historisë. Periudha e eksperimenteve ideologjike të këtij lloji, ka përfunduar pa kthim mbas. Në kohë, Shqipëria do të bëhet një vend i zakonshëm europian. Shumë shqiptarë besojnë, se është e lehtë të arrihet një gjë e tillë. Ata besojnë gjithashtu se prezantimi i mekanizmave kapitaliste, pa dyshim që do t’i bëjë ata të pasur. Ata presin që varfëria të marrë fund dhe fillimin së shpejti, të një ere të re begatie. Po ç’lidhje ka ekonomia e tregut të lire, me begatinë?!

Gusht-shtator 1992

Hera e parë me makinën time në Shqipëri

Në tragetin Bari-Vlorë. Që në Bari bëhet e qartë se ka disa tregtarë, që po u shesin makina, ose “Mercedesa” të vjetër më saktësisht (ndoshta bashkë me patentat e makinës) punëtorëve emigrantë shqiptarë, të cilët bashkohen me ne në traget. Zbarkimi në Vlorë, është interesant. Jo të gjithë shoferët janë të aftë, të zbresin me makinë nga trageti në port. Rruga nga Vlora në Tiranë, është në gjendje të mjeruar. Rritja masive e numrit të makinave, nga zero në disa mijëra, ka pasur pasojat e saj. Tirana ka ndryshuar rrënjësisht.

Një nga vendet më të qeta në planet, është kthyer në një qytet të zhurmshëm dhe të pisët. Më përpara një zonë këmbësorësh, tashmë këmbësorët janë flakur pas mureve anës rrugëve. Sheshi “Skënderbej”, është një kaos i vërtetë. “Mercedes”, është mbreti i ri i rrugëve. Të kesh një makinë, nuk është gjithmonë një avantazh në Tiranë, apo në qytetet e tjera shqiptare. Meqë është e rrezikshme të parkosh dhe ta lësh vetëm makinën për më shumë se 5 minuta, një biznes i ri ka lindur: parkingje makinash, të ruajtura 24 orë nga roje të armatosura me “Kallashnikovë”. Jam i lumtur të paguaj detyrimin modest, për këtë shërbim.

Uji, po ashtu si elektriciteti, janë diçka e rrallë. Mikpritësit tanë, duhet të çohen në katër të mëngjesit, për të mbledhur racionin e përditshëm të ujit. Njerëzit po përpiqen të përshtaten me ekonominë e tregut, edhe pse jo gjithmonë në mënyrën e duhur. Një histori e shkurtër, mund të shpjegojë atë që dua të them: ka shumë nga të ashtuquajturat kioska “kinkaleri”, të cilat janë vendosur rrugëve. Ato shesin çikërrima, gjithçka që mund të konsiderohet e vogël.

Mes tyre gjejmë edhe birrën. Është thuajse mesditë dhe duam të pimë një birrë. Një nga kioskat “kinkaleri”, shet birrë! “Çfarë birre dëshironi, zotëri”? “Çfarë shërbeni”? “Çfarë të dëshironi-çeke, austriake, italiane…”! “Një Budweiser, të lutem”. Shitësi nxjerr një shishe pa etiketë nga frigoriferi dhe kërkon një etiketë Budweiser-i, në anën tjetër të kioskës. E gjen atë dhe e ngjit në shishen e zhveshur të birrës. “Urdhëroni, ju lutem Budweiser-in tuaj”.

                          Qyteti fillon të rritet, i papërmbajtur, pa kurrfarë kontrolli!

Vrojtime të përgjithshme:

Orët e punës:

7 e mëngjesit deri në 3 pasdite, gjashtë ditë në javë.

Pushimet:

2 javë në vit, mësuesit kanë një muaj e gjysmë.

Udhëtimet brenda vendit:

Shqiptarët, ashtu si unë, kanë nevojë për leje për të udhëtuar.

Rrogat:

500 deri në 600 lek. Aq sa kushton një xhaketë, apo një kostum i mirë. Një shishe verë në hotel, kushton 5 lek.

Policia:

Nuk ekziston në kuptimin e zakonshëm. Ushtarët, të cilët kryejnë dy vite të detyruara në ushtri, kryejnë edhe funksionin e policisë. Për këtë nuk paguhen ekstra. Edhe policia rrugore, funksionon në këtë mënyrë. Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

"Në SHBA-ës, takova rastësisht mjekun ushtarak Gjergj N., të repartit të Drojës, i cili më tha se kur kishte shkuar në vëndin e ngjarjes, Shpëtimi...”/ Misteri i zhdukjes së dramaturgut Gina, në ’75-ën

Next Post

“Mehmet Shehu, s’kishte gisht në goditjen e festivalit të 11-të, pasi do kishte folur më parë, siç bëri me Petrit Lekën, që jepte kohën, që e...”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur

Artikuj të ngjashëm

“Aty nga mesi i viteve ’70, sapo ishte pushkatuar ish-ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, në një emision lajmesh të transmetuar nga RAI, duket diku fytyra e tij dhe…”/ Refleksionet e akademikut të njohur
Dossier

“Aty nga mesi i viteve ’70, sapo ishte pushkatuar ish-ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, në një emision lajmesh të transmetuar nga RAI, duket diku fytyra e tij dhe…”/ Refleksionet e akademikut të njohur

June 6, 2025
Relacioni sekret i Sigurimit: “Komentatori i njohur italian i RAI-t, për futbollin, Sandro Çoti, na kërkoi fjalimin e shokut Enver, të mbajtur para zgjedhësve të tij”/ Ndeshja Shqipëri-Itali e ekipeve Shpresa, mars ‘84
Dossier

“Kur nëna e një të dënuari me vdekje, kërkoi Koci Xoxes, t’ia falnin dënimin të birit, se kishte të vetëm, nëna e një dëshmori që ndodhej atje, ia priti me…”/ Refleksionet e akademikut të njohur

June 5, 2025
“Biseda me Agim Popën, ku më tregoi të vërtetën rreth akuzës së Enverit për takimin e Mehmet Shehut me Titon në ‘Queen Elizabeth’…”/ Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së
Dossier

“Kur Mao në Kinë udhëhiqte ‘Revolucionin Kulturor’, sipas parullës; ‘Të sulmojmë shtabet’, Enveri, korrespondentëve vullnetarë të shtypit të fshatit Fier-Shegan, u thoshte…”/ Refleksionet e akademikut të njohur  

June 5, 2025
“Simbas vendimit të marrë prej të burgosunve politikë, ishin ‘piketue’ të gjithë spiunët e kampit të Shtyllasit, që u dojshin rrahë ose there dhe një pasdreke…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Dossier

“Simbas vendimit të marrë prej të burgosunve politikë, ishin ‘piketue’ të gjithë spiunët e kampit të Shtyllasit, që u dojshin rrahë ose there dhe një pasdreke…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

June 3, 2025
“Jorgo, i burgosun si ne, kur të binte fjala për luftimet e 1949-ës, na thoshte: Ne grekërit, luftonim në këmbë dhe jo shtrirë si ju shqiptarët, që i kemi vënë para…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Dossier

“Jorgo, i burgosun si ne, kur të binte fjala për luftimet e 1949-ës, na thoshte: Ne grekërit, luftonim në këmbë dhe jo shtrirë si ju shqiptarët, që i kemi vënë para…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

June 2, 2025
“Çfarë bisedoi ime gjyshe me Musine Kokalarin, për ato 14 ditë, në një dhomë spitali të Rrëshenit, ku spiunët me pseudonimet…”?! / Dëshmia e pinjollit të Bajraktarit të Kthellës, emigrant në Itali
Dossier

“Çfarë bisedoi ime gjyshe me Musine Kokalarin, për ato 14 ditë, në një dhomë spitali të Rrëshenit, ku spiunët me pseudonimet…”?! / Dëshmia e pinjollit të Bajraktarit të Kthellës, emigrant në Itali

June 1, 2025
Next Post
Memorie.al

“Mehmet Shehu, s’kishte gisht në goditjen e festivalit të 11-të, pasi do kishte folur më parë, siç bëri me Petrit Lekën, që jepte kohën, që e...”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!