Nga Petrit A. Velaj
Pjesa e parë
Memorie.al / Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, si pa kuptuar na rrëmbyen dallgët e Luftës Antifashiste. Ne ishim bashkë-shokë shkolle, si djem qyteti, unë, Bajram Tushi, Hajredin Bylyshi, Hiqmet Buzi, Mumin Selami (Kallarati). Mes ëndrrave e dëshirave e romanizimit të letërsisë. Me këta miq të mi, më lidhin shumë kujtime. Prindërit tanë, nënat tona, njerëz të ndershëm e bujarë. Një nënë patriote, mama Tina e Tol Arapit, patriotit të njohur, na mblidhte rreth vetes si klloçka zogjtë. Ishte mëma e shokut tim të rinisë, që ne e quanim: “lulja e rinisë vlonjate”, Vllas Arapit. Këtë epitet, më duket se Vllasit ia vuri Mumin Kallarati. Unë shoqërohesha me çdo mik e shok, që ishte i ndershëm dhe i sinqertë.
Kjo na bashkonte në shoqërinë tonë me bashkëmoshatarët: Hazis Sharra, Qemal Xhyheri, Xhemil Beqo etj. Edhe pse mendimet ishin të ndryshme, ne shkonim së bashku në piknikë, lodra dhe kinema. Një mbledhje në shtëpinë e Lef Sallatës. Papritur në shoqërinë tonë shpërthyen mendime të politizuara. Debati u ndez me të riun revolucionar, Kastriot Muço. Ishte njeri i ndershëm. Pas katër a pesë ditëve, Kastrioti më thotë: “Petrit, kur do ta bësh mbledhjen e rinisë në lagjen Çerekçie? Në aktivin e qytetit, je zgjedhur përgjegjës i grupit të rinisë së lagjes”. Pas disa ditëve organizuam mbledhjen e rinisë në lagjen “Çerekçie”. Në këtë takim u shfaqen pikëpamje komuniste me mentalitete sllave.
Kastrioti tha se frymëzuesit e punës revolucionare në Shqipëri, ishin njëfarë Dushan e Miladin, të cilët do të vinin vetë edhe në Vlorë për të na takuar e, për të këmbyer mendime me ne. Kur mora vesh që ata ishin jugosllavë, u ngrita i rebeluar dhe thashë: “Po qe se ne do të udhëhiqemi nga sllavët, unë nuk jam dakord për këtë lloj politike”! U ndamë me Kastriotin ftohtë. Megjithatë, deri në vjeshtën e vitit 1942, unë isha me gjithë shpirt një aktivist i Luftës Antifashiste në radhët e rinisë vlonjate. Një mëngjes herët, takova shokun tim, Bajram Tushen, i cili bënte pjesë në një grup tjetër. Biseduam mbi dy-tre orë në këmbë, duke shëtitur rrugëve të qytetit. Më në fund Bajrami me tha: “Petro, edhe unë këto mendime që ke ti, kam”. Duke ecur, për nga shtëpia e tij, përpara hanit të Selim Beqos, më kërkoi sahatin e dorës. Kishte një punë dhe duhej të ishte i përpiktë.
Ia kisha dhënë edhe herë të tjera, por kësaj radhe ngaqë isha i mërzitur, e hoqa nga dorë duke i dhënë: U përqafuam dhe u ndamë me njeri tjetrin. Më tingëllonin në vesh fjalët e Bajramit: “Qielli do të hapet nga retë dhe ne do të shikojmë më mirë njeri tjetrin…”! Atë natë, “Topanaja” u zgjua nga krismat, plumbat dhe flakët. Ishte një natë tragjedie e rinisë vlonjate. Të nesërmen në mëngjes, mbi 2000 të rinj e të reja, shkuam tek vendi ku ishin vrarë djemtë e rinisë vlonjate. Plumbat italiane ishin ende nëpër muret e shtëpisë me kallama. U afrova pranë, mes turmës, po ç’të shoh?! Trupat e shtrirë të “luanëve” të “Topanasë”. Gjaku i pa tharë i Hiqmetit, Haredinit, Bajramit e Muminit. Mora para duarve 15 vjeçarin Hiqmet Buzi. Kështu bënë edhe shokët e tjerë. I çuam në kodrën e “Budakut”. Për herë të fundit e kapa dorën e Bajramit. Sahati punonte, ndërsa zemra e Bajramit, kishte ndalur.
Dikush ia mori një kënge si të moçmit. Vendin e kishin rrethuar qindra milicë italianë, përreth edhe mercenarët e tyre. I varrosëm me këngë që të katër. U mblodhëm e morëm një vendim. U ngarkuan disa të rinj që të gjenin “spiunin” që i kallëzoi tek italianët. Me këngën e rinisë sonë në gojë. “Eja mblidhuni këtu”, nëpër sokakët e rrugët e Vlorës u grumbulluan përpara konsullatës italiane. Atje kërkuam të dilte, në ballkon, gjeneral Xanini. Kur ai doli përpara rinisë vlonjate, i kërkuam lirimin e shokëve të burgosur. Xanini nga ballkoni i konsullatës, karshi hapsanës së burgut të “Karabashit”, i dha urdhër karabinierisë italiane, që mbasi të na rrihnin mirë, të liroheshin gjashtëdhjetë e ca të burgosur. U shpërndamë nëpër shtëpitë tona. Të nesërmen më kërkuan në takim Qimo Kocani dhe Polo Bezhani, njëri nga Bregu i Detit dhe tjetri nga Labova. Takimin e bëmë në anë të detit, tek Plazhi i vjetër.
Në këtë takim, që zgjati 3-4 orë, unë mbroja mendimin që të bëhej lufta e, pastaj rinia të ndahej sipas pikëpamjeve ideologjike e politike, ndërsa ata këmbëngulnin që kjo të bëhej pa filluar lufta. Ndërsa bisedonin, shoku im i klasës Popua, ia mori një kënge që filloi të përhapej në atë kohë. Mbaj mend katër vargjet e këngës: “Në fushat e beut tek po korrnin bar/ një zë u dëgjua urra, o proletarë…”! Dhe Polua e shoqëroi këngën me fjalët e tij: “Duhet të ndahemi, secili të gjej vendin e vetë”. Qimo Kocani, duke e parë qëndrimin tim, më thotë: “Petro, bëhu me ne, se ndryshe do ta paguash shtrenjtë”! Unë qëndrova për një moment, pastaj u thashë: “Ne jemi shokë e vëllezër. Mirë është ta duam njeri-tjetrin dhe Shqipërinë, ashtu siç e kemi dashur deri tani, në fund të fundit, po u ndamë, të paktën ta duam Shqipërinë, ashtu siç e kemi dashur gjer më sot…”!
Viti 1943. Isha në shtëpinë e Rexhep e Memisha Sulës, në Brataj. Aty gjeta edhe doktor Brahim Dervishin, bashkëfshatarin tim. Që nga akshami deri në mëngjes, u grimë me fjalë, mbetëm pa ngrënë darkë. Në mëngjes, tek po ndaheshim, i thashë: “Doktor, ndizi një qiri për së gjalli Hysni Kapos, sepse ti je ‘Xhepist’. Bëre autokritikë, nga Konispoli e gjer në Mallakastër”. Zemërimi im buronte nga që edhe i ati, Hamdi Dervishi, ashtu si dhe Hydai Myftiu, e mbyllën me turp jetën e tyre, si spiunë të fashistëve në vitin 1920. Pas disa ditësh, pata një takim në ilegalitet me Qani Shenën. Ai njihej ndër ne, me pseudonimin “Xharxhanezi”. Biseda u bë në fshatin e Gjormit, mbi një shkëmb, nga ana e lumit të Shushicës. Përfunduam me një kompromis: Qaniu i jepte të drejtë “Ballit Kombëtar” në Vlorë. Dy frymëzuesit kryesor ishin: profesor Selahedin Peshkëpia, dhe profesor Tasin Jonuzi. Inteligjenca dhe personaliteti i prof. Tasinit, ishin të veçanta.
Në mbledhjen që u bë në shtëpinë e Kreshpanjakëve, në prill 1943, në lagjen “Topana”, morën pjesë edhe Skënder Muço, Tahir Hoxha, Yzeir Ismaili, Bego Gjozeneli, Tasin Jonuzi, Isuf Luzi, Mehmet Alemi, Zako Mezini. Nga ana e rinise nacionaliste, isha unë, Gëzim Dalani, Murat Kokoshi, Hazis Sharra, Nazif Çala, Nasho Bezhani, Xhemil Beqo, Harito Bezhani, Abdurraham Kreshpa, Selahedin Velaj, Shaban Xhyheri, Hajrullah Selfo, Qemal Xhyheri, që kishin marrë pjesë edhe në bërthamën e parë të rinisë nacionaliste, në shtepine e Selim Beqos. Ky brez, dhe të tjerë që mund të më kenë dalë nga kujtesa, krijuan celulën e rinisë së “Ballit Kombëtar” për Vlorën. Sekretar u zgjodha unë, komandant Hazis Sharra, nën-komandantë Qemal Xhyheri dhe Nazif Çala. Ndërsa për anën ushtarake, komisar: Shaban Xhyheri, Gëzim Dalani dhe 14-vjeçari, Nasho Bezhani.
Mbas këtij takimi, të gjithë ne dolëm në ilegalitet. Më 7 korrik të vitit 1943, u bë mbledhja e përgjithshme e “Ballit Kombëtar” të Vlorës. Takimi u bë tek “Rrepet e Ismail Qemalit”, në Mesaplik të Lumit të Vlorës. Aty erdhën vetë, Mit’hat Frashëri, Hysni Lepenica, Skënder Muço e Hasan Dosti. Nga ana e Rinisë, përfaqësues ishim: Tasim Jonuzi, Selahedin Peshkëpia dhe unë. Çdo fshat përfaqësohej me çetën e vetë. E kam para syve fushën e Mesaplikut, e cila atë ditë mbante mbi 3000 vetë. Në këtë kohë, matanë lumit të Shushicës, atje ku ishte një burim i vjetër, kishin ardhur Bedri Spahiu, Arshi Xhindi, Shemsi Totozani, dhe Maman Saliu, të cilët kishin për qëllim të prishnin mbledhjen e Ballit Kombëtar. Nga ana jonë dikush donte t’i qëllonte me mitraloz. Unë sapo e mora vesh, vë në dijeni për këtë veprim, komandantin e çetës së “Ballit” të Kanines, zotin Tasim Murati.
Ai i raportoi Mit’hat Frashërit, i cili dha urdhër të mos kryhej asnjë veprim me armë.
Fjalën kryesore në emër të Komitetit Qendror të “Ballit Kombëtar”, e mbajti avokati Skënder Muço. M’u ngulitën në mëndje fjalët e tij: “Fitorja pa rrezik, është triumf pa lavdi”! Ai shtroi nevojën e organizimit të forcave nacionaliste e atdhetare, në mënyrë frontale në luftë kundër fashistëve italianë. Këtë ide, në diskutimin e vetë, e zbërtheu edhe më mirë profesor Tahir Hoxha, burrë serioz, idealist e patriot i kohërave tona, gëzonte ndër ne respekt të madh. Kudo ku kishte qenë si mësues, në çdo shkollë, frymëzonte rininë me patriotizmin shqiptar. Pas tij e mori fjalën Hysni Lepenica, i cili zbërtheu temën: “Mbi formacionet ushtarake të forcave nacionaliste të rrethit të Vlorës”. Ai u ndal në pikat goditëse të armikut dhe organizimin më të mirë mbrojtës, të forcave tona. Hysni Lepenica ishte një burrë i bëshëm e i pashëm. Kur fliste, të gjithë ne dëgjonim të përqendruar, sepse veç reputacionit, ai kishte edhe një prirje ushtarake të veçantë.
Trevat e Labërisë e të Topalltisë, e kishin njohur nga afër. Në figurën e tij bashkohej bukur autoriteti dhe popullariteti. Ta shikoje kur ulej e bisedonte me fshatarët e Labërisë e të zonave të tjera. Muhabetin e bënte shtruar dhe në fund e mbyllte me një fjalë të urtë popullore, që linte të kuptonte kushdo pozicionin dhe vendin e tij. Në luftën e Gjormit kundër fashistëve italianë, Hysni Lepenica ishte quajtur; “Heroi i Gjormit”. Edhe në këto çaste që po hedh këto shënime, sjell ndër mend vargjet e poetit vlonjat, Kudrejt Kokoshi, i cili i frymëzuar nga popullariteti i Hysni Lepenicës, nga trimëria që tregoi duke shtrirë në tokë kolonelin fashist, Klementin, në betejën e Gjormit, thotë plot kadencë: “I vrullshëm Heroi i Gjormit/ luftëtar në një të parë/ në qëndresë shkëmb graniti/ dhe në luftë vetëtimtarë…”!
Diku gjetkë ma ngacmon mendimin portretizimi që Kudret vëllai i ka bërë apostullit tjetrit të nacionalizmës, avokatit gojë-ëmbël e orator Skëndër Muços, në vargjet e tij: “Po Skënder, Skëndo vëllai/ që me mënd e krah të ngrohtë/ di i bukur, ty, o Nënë/ dhembshurisht të dashuron…”! Ende e kam të gjallë, ndër sy e në zemër, portretin e këtij vigani të maleve tona. Unë isha tepër i ri, kur mbas raportit të profesor Tasin Jonuzit, me temë: “Mobilizimi i rinisë vlonjate, kundër armiqve të vendit”, më ftuan të flisja dy fjalë. Hodha njëherë sytë rreth maleve të shqiptarizmi vlonjat, në atë kuvend madhështor. Në fjalën time, në mënyrë të prerë dhe të vendosur, i bëra thirrje rinisë vlonjate, për bashkim e vëllazërim, në luftën kundër armiqve të vendit. U betova para atij kuvendi, se ashtu siç thoshte idealisti i madh, Mid’hat Frashëri, “Partia jonë është Shqipëria”.
Njerëzit më shikonin në dritë të syrit, kur thashë me zjarrin djaloshar, se do t’i qëndroj besnik Shqipërisë e, do të derdh edhe pikën e fundit të gjakut, për tokën arbërore. Isha tepër i ri përpara burrërisë së Labërisë, përpara njerëzve me një barrë mend, që mbante mbi shpatulla Fusha e Mesaplikut pranë rrepave të Ismail Beut. Pasi fola aty, më vinin ndër mënd si një këngë me polifoni labe deri ndër buzë, vargjet e Rilindësve tanë të mëdhenj: “Kush ban dekën për Atdhe, s’thonë ka dek, por thonë ka le”…! Në atë çast, kur e mori fjalën Mit’hat Frashëri, djali i Abdylit, apostulli i shqiptarizmës, me lot ndër sy na u drejtua të gjithëve. M’u duk sikur na kishte hedhur krahët supeve tanë, e na fliste: “Vëllezër! Shqipëria është e vogël. Shqiptarë jemi pak. Armiqtë janë të shumtë. Ata na kanë halë në sy. Arma më e fortë e shqiptarit në këto momente, është bashkimi dhe vëllazërimi. Vetëm kështu mund të përballojmë ligësitë e dushmanit dhe të këqijat e Junanit. Vetëm kështu do ta bëjmë Shqipërinë tonë, me Kosovë e Çamëri. Atdheu na thërret ta duam edhe më shumë njëri tjetrin…”!
Mjekër bardhi Mit’hat Frashëri, figurë e lartë e patriotizmës shqiptare, Kryetar i Klubit atdhetar të Selanikut, drejtor i gazetës “Liria”, kryetar i delegacionit qeveritar shqiptar me Fishtën në Francë. Në kohën që fliste, era e Çipinit i ledhatonte flokët e tij të bardhë, e para nesh rritej figura e këtij burri të madh. Onomatopeizmi i rrepave shekullore, jepte simfoninë e vetë, sikur ligjëronte një këngë të re për Bilbilenjtë dhe Ismail Qemalin. Idealizmi shqiptar shfaqej mes maleve të Labërisë, me epikën e vetë. Aty përziheshin besimi për fitoren mbi armiqtë, me ëndrrat e martirëve të Shqipërisë. Foli edhe profesor Isuf Luzi, pjesëmarrës i luftës së Rruzhdijes, në Mallakastër, mars 1943, komandant i luftës së Selenicës, së bashku me Hazis Çamin. Në mes plumbave të betejës së Selenicës, ai iu drejtua në italisht karabinierëve italianë: “Dorëzohuni ju, gllabërues të Atdheut dhe të lirisë së popujve”. Në këtë kohë, oficeri kuksian, Tasin Spahiu, që ishte karabinier me italianët, hodhi armët dhe u dorëzua.
Pas tij, 400 italianë u vërvitën në lumin e rrëmbyer të Vjosës, ku u zhvillua dhe përleshja e përgjakshme. Trimëria e luftëtarëve shqiptarë dha fitoren e Selenicës. Pas kësaj, luftëtarët nën komandën e Isuf Luzit, u nisën për në Lepenicë…! Në këtë kohë, që fliste Isuf Luzi për betejën e Rruzhdijes dhe të Selenices, M.S., i shoqëruar nga 14 partizanë nga Vranishti, me flamurin shqiptar me yll, dhe të veshur me rroba angleze, kaluan lumin e Shushicës, duke hedhur parulla për ta sabotuar këtë tubim fisnik. Sapo mbaroi mbledhja, ai kërkoi të protestohej, duke dalë mes-përmes luftëtarëve nacionalistë, për në anën tjetër të arës, nga ana e fshatrave të Mesaplikut. Ndërkohë Reiz Shero Agaj, i bëri thirrje gjithë të pranishmëve: “Ju e mbyllët mirë tubimin me thirrjen; Poshtë fashizmi, po unë do të dëshiroja të thërrisja edhe; Poshtë komunizmi”.
Atë natë u shpërndamë nëpër shtëpitë e fshatarëve të Mesaplikut, Vlorës dhe të Bolenës. Unë së bashku me profesor Tasin Jonuzin e, Selahedin Peshkëpinë, shkuam për të bujtur në familjen e Hajredin Metës. Ishte një familje me tradita luftarake, që nga kryengritjet anti-osmane, luftën e Vlorës më 1920, etj. Atë natë, mes bisedave të trimërisë së luftëtarëve të këtyre anëve, qysh nga Cane Myftari e, deri tek Zigur Lelua, ia kaluam mirë. Në mëngjes, kur po zbardhte vetulla e malit të Çipinit, na dërguan fjalë të mblidheshim në një livadh. Aty përshëndeti Mit’hat Frashëri. U gëzuam shumë kur nga monapati u varën për në mesin tonë, edhe profesor Uan Filipi, profesor Hamdi Rrapi, avokat Fatosh Kokoshi, Maliq Koshena, Galip Haxhiu, profesor Yzeir Ismaili, Mihal Peço, Harito Bezhani, dhe patrioti lab, Xhemil Meço.
Mit’hat Frasheri shoqërohej nga komandantët trima; Hamdi Çeprrati, Muço Çeprrati, Hasan Hyso, Hysen Çobo, Tasim Murati, nënkomandanti Bajram Selmani, bashke me komisarin e çetës së Kaninës, Refit Toro dhe Dilaver Asllani. Ata erdhën me vonesë, pasi forcat italiane kishin bllokuar Qafën e Dushkut mbi Kotë dhe kështu ardhja e tyre u bë në mënyrë ilegale, nga rruga e shtigje të tjera. Mbas fjalëve të zotit Mit’hat Frashëri, Xhemil Meço na ftoi për një mëngjes pune në shtëpi. Shtëpia e tij ishte pranë baxhos, shtëpi dykatëshe me çardhake të punuar me gurë, me dhoma të mëdha. Në një dhomë mund të rrinin 60-70 burra. Duke ngrënë mëngjes, u krijua edhe komisioni për shpërndarjen e luftëtarëve nëpër fshatrat e krahinave të tjera. Mua me Sadik Çobanin, Bego Gjozenelin, Novruz Smailin dhe Estref Meçon, na kishin caktuar për të shkuar në zonën: Bashaj, Matogjin e Beun. Qëllimi i veprimtarisë sonë, ishte shtimi i radhëve të luftëtarëve të “Ballit Kombëtar” dhe organizimi frontal i luftës kundër fashistëve italianë.
Gjatë dy javëve që qëndruam në Matogjin, si bazë kishim shtëpinë e Qemal Xhelos, ndërsa në Bashaj shtëpinë e plakut simpatik e hokatar, Shaban Mahilit. Qemal Xhelua kishte një shtëpi përdhese, të stilit të Labërisë, në rrëzë të shkëmbit të Vermikut, rrethuar me mena të bardhë. Ujëvarat që rridhnin nga shkëmbi, ia shtonin hijeshinë asaj shtëpie. M’u bë zakon, gjatë ditëve të qëndrimit atje, që të shkoja e të haja bukën buzë ujërave. Një ditë bëmë një mbledhje tek shkolla e Bashajt. Mbledhjen e drejtonte Feti Bora, papritur në mbledhje erdhën edhe u ulën si nga fundi, disa komunistë të fshatit e krahinës. Midis tyre dallova doktor Brahim Dervishin dhe nja dy ‘normalistë’ nga Matogjini. Në bisede e sipër, nisi një debat i ashpër. Aty dëgjova përsëri, se një farë i quajtur Tito, që udhëheq luftën në Jugosllavi, na paskësh thënë se: “Shqipëria as që mund të ekzistojë pa Jugosllavinë”, dhe për ketë qëllim, ka dërguar Meladinin dhe Dushanin në vendin tonë.
Dashur pa dashur, u ngrita e fola. Në fjalët e mia mbaj mend që thashë se; “luftën në Shqipëri duhet ta bëjmë ne shqiptarët”. Më kundërshtoi njeri prej studentëve ‘normalistë’ të Matogjinit. Në fjalë e sipër, ai tha se; “edhe po të dështojmë ne komunistët, do të ndërhyjnë për t’u shtypur juve të ‘Ballit’, EAM-i i Greqisë dhe Titua i Jugosllavisë”! Të nesërmen u mblodhëm tek Qafa e Xhamisë së Matogjinit. Aty moren pjese edhe nga fisi i Shevqet Musarajt, të cilët nuk nguruan të shfaqin hapur pikëpamjet e tyre. Na cilësuan: “bashkëpunëtorë të italianëve”. Ne iu përgjigjëm rreptë, por jo me gjaknxehtësinë dhe kërcënimet e tyre. Pas tre-katër ditëve, me 2 gusht 1943, na komunikuan mbledhjen e Mukjes, ku kishin marrë pjesë “Balli Kombëtar” dhe Partia Komuniste. Nga ana e “Ballit Kombëtar”, ishte Mit’hat Frashëri, Isuf Luzi, Thoma Ollorogai, nga komunistët: Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi.
Nga Këshilli Nacionalçlirimtar, Kryetari i Legalitetit Abaz Kupi. Mukja na ngrohu zemrat, për bashkimin e vëllazërimin me njeri-tjetrin. Kudo ku ishim nëpër fshatra e qytete, partizanë e ballistë u përqafuam me njeri-tjetrin. Për 37 ditë rresht, kur takoheshim, thërrisnim: “Rroftë Mukja”. Por, pas ca kohe, shohim se si komunistët, kishin varur vetullat. Të habitur kërkuam disa takime me ta. Një përgjigje na erdhi që: “pse ‘Balli Kombëtar’ kërkon Shqipërinë Etnike, koha tani nuk është për Kosovë e Çameri”?! Disa të tjerë na thonin se; këto probleme do të zgjidhen, por pas luftës. “Kështu ka thënë Meladini”, – thoshnin. Kështu ka thënë edhe gjenerali EAM-it, Markos. Bile, kishte edhe nga ata që na thoshnin se; edhe flamuri me yll, ishte flamuri i Skënderbeut. Filluan të përhapeshin fjalë e debate, se; mes “Ballit Kombëtar”, janë shumë bijë të bejlerëve dhe të agallarëve. Shpesh, në udhët e Luftës së Dytë Botërore, ia bënim pyetjen vetes: Po ç’u bë me Mukjen? Pse ndodhi kështu?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm