Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumenta të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i Luftës Nacionalçlirimtare), ku ndodhet edhe proçes-verbali i mbledhjes së mbajtur në Labinot të Elbasanit më 10 korrik të vitit 1943, e cila vendosi krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku si anëtarë të tij u zgjodhën 12 veta: Abaz Kupi, Myslym Peza, Spiro Moisiu, Baba Faja Martaneshi, Haxhi Lleshi, Dali Ndreu, Ymer Dishnica, Ramadan Çitaku, Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi, Bedri Spahiu e Sejfulla Malshova. Proces-verbali i plotë i asaj mbledhje ku figuron edhe fjala e major Abaz Kupit të mbajtur në datën 10 korrik në ditën e fundit të punimeve që kishin filluar që më datën 4 të atij muaji, i cili u kërkoi të pranishmëve në atë seancë, që të hiqej ylli i kuq nga flamuri dhe të vihej në një vend tjetër, propozim që nuk u pranua dhe u la për t’u diskutuar njëherë tjetër. Si e falsifikoi Enver Hoxha në kujtimet e tij të botuara në librin “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re” (Tiranë, 1984), mbledhjen e formimit të Shtabit të Përgjithshëm dhe rolin e kontributin e Abaz Kupit, duke i atribuuar të tjera gjëra nga ato që ndodhen në proces-verbalin e asaj mbledhje, të cilën historiografia zyrtare dhe propaganda e regjimit komunist të para viteve ’90-të, nuk e bëri kurrë publike!
Mbledhja e parë filloi më datën 4 korrik dhe pas shtatë ditë bisedimesh e debatesh në seancat e zhvilluara ku u mbajtën edhe disa referate nga eksponentët kryesorë të Frontit Nacionalçlirimtar si: Omer Nishani, Ymer Dishnica, Nako Spiro, Mustafa Gjinishi, Enver Hoxha, Dali Ndreu etj., më datën 10 korrik, e cila do të shënonte dhe ditën e fundit të mbledhjes së Labinotit, u zgjodhën dhe 12 anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ata ishin: Abaz Kupi, Myslym Peza, Spiro Moisiu, Baba Faja Martaneshi, Haxhi Lleshi, Dali Ndreu, Ymer Dishnica, Ramadan Çitaku, Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi, Bedri Spahiu e Sejfulla Malshova.
Fjala e panjohur e Abaz Kupit më 10 korrik ‘43
Një nga të veçantat e mbledhjes së Labinotit më 10 korrik 1943, e cila nuk është përmendur asnjëherë nga historiografia zyrtare gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, si në librat e historisë ashtu dhe në kujtimet e tij, është një diskutimi i Abaz Kupit, i mbajtur në fillimin e mbledhjes të datës 10 korrik në ora 16 pasdreke. Në atë seancë e cila do të shënonte dhe mbylljen e mbledhjes, Abaz Kupi u kërkoi pjesëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm që të hiqej ylli i kuq nga flamuri.
Lidhur me këtë, në proces-verbalin e mbledhjes, midis të tjerash shkruhet: “Mbledhja e Shtabit. Z. A. Kupi- Prek çështjen e Hyllit. Asht nevojë, në interes të Bashkimit të popullit, pse i ndihmon bashkimit të Luftës, heqja e Hyllit nga krej i Flamurit, por mund të vihet në një vend tjetër ose dhe ma mir me e hjek fare. Pranon që çështja të bisedohet në një Konferencë, Kongres”.
Pas këtij diskutimi të Abaz Kupit për heqjen simbolit komunist nga flamuri, i cili nuk u pranua nga të pranishmit, (por u la të diktohej në një mbledhje tjetër), u ndanë dhe detyrat përkatëse për të gjithë anëtarët e Shtabit dhe krahinat ku ata do të punonin në terren. Ndërsa krijimi i strukturave të Shtabit të Përgjithshëm, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i’u la t’i zgjidhte vetë Shtabi në mbledhjen më të parë të tij. Nga 12 anëtarët e këtij Shtabi, vetëm Abaz Kupi u tërhoq pak muaj më vonë, duke deklaruar largimin nga Fronti, kurse të tjerët vijuan të shërbenin në radhët e tij sipas detyrave që u kishin ngarkuar.
Kujtimet e Enver Hoxhës për mbledhjen e 10 korrikut 1943
Lidhur me përfundimin e mbledhjes së Labinotit më 10 korrik të vitit 1943 ku u zgjodhën dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, në kujtimet e tij midis të tjerash Enver Hoxha ka shkruar: “Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm e përshëndetën propozimin për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe shprehën besimin se ekzistenca e një organi të tillë do ta forconte akoma më shumë luftën Nacionalçlirimtare dhe do ta afronte ditën e fitores sonë mbi armikun. Pas marrjes së këtij vendimi historik, u diskutua edhe për përbërjen e Shtabit të Përgjithshëm dhe u vendos që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të përbëhej prej 12 vetash dhe konkretisht nga: Spiro Moisiu, Enver Hoxha, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Dali Ndreu, Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malshova dhe Bedri Spahiu. Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar vendosi gjithashtu që ndërtimin e strukturës së organeve të Shtabit të Përgjithshëm t’ia linte vetë këtij, në mbledhjen më të parë”. Ndërsa në proces-verbalin e mbledhjes së Labinotit, lista e emrave të Shtabit është si vijon: Abaz Kupi, Myslym Peza, Spiro Moisiu, Baba Faja, Haxhi Lleshi, Dali Ndreu, Ymer Dishnica, Ramadan Çitaku, Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi, Bedri Spahiu e Sejfulla Malshova. Pra siç shihet, jo pa qëllim, Enveri e ka hequr emrin e Abaz Kupit nga kreu i listës dhe e ka vënë diku në mes të saj!
Lidhur me mbledhjen e Labinotit e cila i zhvilloi punimet nga data 4 deri më 10 korrik 1943, midis të tjerash Enver Hoxha ka shkruar: “Më tej duke u ndalur në punën që kishte bërë Këshilli i Përgjithshëm Provizor, nënvizova se jo të gjithë anëtarët e këtij organi me rëndësi të Luftës Nacionalçlirimtare ishin treguar në lartësinë e detyrës me përgjegjësi që u kishte ngarkuar Konferenca e Pezës.–Inaktiviteti i plotë i dy pjesëtarëve nacionalistë në Këshillin e Përgjithshëm, Ndoc Çobs e Kamber Qafmollës, theksova në referat,- e ka penguar punën. Gjithashtu në zonën ku asht Abaz Kupi, puna me këshillat nuk ka ecur mirë, bile, ata janë penguar. Kurse Ramzan Jarani, i cili nuk është anëtar i Këshillit, por që është ngarkuar si ndihmës i Myslym Pezës për punët e Këshillit, marrim vesh se e ka kthyer pllakën dhe është bashkuar me Ballin, pra praktikisht me punët e Këshillit nuk janë marrë si duhet të gjithë anëtarët”.
Proces-verbali i mbledhjes së 10 korrikut 1943
Në proces-verbalin e mbledhjes së Labinotit, në referatin e mbajtur nga Enver Hoxha lidhur me aktivitetin e Abaz Kupit, midis të tjerash shkruhet: “Nga ana e Këshillit të Përgjithshëm, Z. Kamber Qafmolla, menjëherë mbas Konferencës u vu në kontakt me shumë nacionalistë që ma vonë formuen Organizatën Balli Kombëtar dhe u mundue me i bind në të mirën e bashkimit rreth Këshillit të Përgjithshëm Nac-Çlirimtar, mbi bazën e Rezolucionit të Konferencës së Pezës. Teza kundërshtare ishte: Nuk bashkëpunohet me komunistë etj. Arrestimi i dy pjesëtarëve nacionalist të Këshillit të Përgjithshëm, z. Ndoc Çoba dhe Kamber Qafmolla, e pengoi edhe më tepër punën. Mbetën vetëm në terren z. Enver Hoxha, Dr. Ymer Dishnica, dhe Mustafa Gjinishi e Ramazan Jarani, si zavendsa të z. Abaz Kupi dhe Myslym Peza. Z Ramzan Jarani, si përfaqësues zyrtar i z. Myslym Pezës duhej të vepronte si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm e për programin e këtij Këshilli. Mirpo pas pas përpjekjeve të para, z. Ramzan Jarani e shohim në Ballin Kombëtar që sapo u krijua. Kështu që puna e Këshillit nuk mundi që të shkoj aq përpara nga kryet me Ballin Kombëtar. Me gjithë këtë, pjesëtarët komunistë të Këshillit të Përgjithshëm bashkë me z. Mustafa Gjinishin, përfaqësuesin zyrtar të z. Abaz Kupi, i vazhduan përpjekjet me Ballin dhe nga ana tjetër fillojë veprimi për formimin e këshillave nëpër qytet e krahina”.
Siç shihet edhe nga sa cituam më lart, kujtimet e Enver Hoxhës të botuara në librin e tij “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”, (Tiranë 1984) ndryshojnë kryekëput me raportin e tij që gjendet në proces-verbalin e mbledhjes së Labinotit. Në të gjitha faqet e atij raporti, i cili nuk është publikuar asnjëherë nga historiografia zyrtare dhe propaganda e para viteve ’90-të, Enveri, në asnjë rast të vetëm nuk ka bërë asnjë kritikë ndaj Abaz Kupit. Po kështu, ai nuk ka bërë kritika edhe për nacionalistët e tjerë si: Kamber Qafmolla e Ndoc Çoba, të cilët në kujtimet e tij, i quan si in-aktiv, ndërsa në referatin e mbajtur në atë mbledhje, ai është shprehur se ata ishin arrestuar nga pushtuesit.
Abaz Kupi i pari në listën e Shtabit
Lidhur me përfundimin e mbledhjes së Labinotit më 10 korrik të vitit 1943, ku u zgjodhën dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, në kujtimet e tij midis të tjerash, Enver Hoxha ka shkruar: “Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm e përshëndetën propozimin për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe shprehën besimin se ekzistenca e një organi të tillë, do ta forconte akoma dhe më shumë luftën Nacionalçlirimtare dhe do ta afronte ditën e fitores sonë mbi armikun. Pas marrjes së këtij vendimi historik, u diskutua edhe për përbërjen e Shtabit të Përgjithshëm dhe u vendos që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të përbëhej prej 12 vetësh dhe konkretisht nga: Spiro Moisiu, Enver Hoxha, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Dali Ndreu, Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malshova dhe Bedri Spahiu. Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar vendosi gjithashtu që ndërtimin e strukturës së organeve të Shtabit të Përgjithshëm t’ia linte vet këtij, në mbledhjen më të par”. Ndërsa në proces-verbalin e mbledhjes së Labinotit, lista e emrave të Shtabit është si vijon: Abaz Kupi, Myslym Peza, Spiro Moisiu, Baba Faja, Haxhi Lleshi, Dali Ndreu, Ymer Dishnica, Ramadan Çitaku, Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi, Bedri Spahiu e Sejfulla Malshova. Pra siç shihet Abaz Kupi figuron i pari në krye të listës, ndërsa në kujtimet e Enverit, të gjithë anëtarët e Shtabit që u goditën, u ekzekutuan apo u burgosën më pas prej tij, si Abaz Kupi, Dishnica, Ndreu, Gjinishi, Malshova dhe Spahiu, figurojnë në fund të listës. Jo vetëm që Abaz Kupi ishte i pari në listën e Shtabit, por siç shihet edhe nga proces-verbali i mbledhjes, atij iu dha e drejta që të zgjidhte edhe 2 nacionalist të tjerë si anëtarë të atij Shtabi. Lidhur me këtë, midis të tjerash aty shkruhet: “Ju dha e drejta z. Major Abaz Kupit që mbas bisedimesh që do të zhvilloj me parin e Matit e të Krujës, n’ t mirë të çështjes, të propozoj një ose dy vetë të përshtatshëm për në Shtabin e Përgjithshëm”. Pra, duke ndjekur kujtimet e Enverit të botuara në vitin 1984, (“Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”) shohim qartë tendencat e tij për të gloriofikuar punën e luftën e komunistëve që ishin në mbledhjen e Labinotit në 10 korrik 1943 dhe për të shpërfillur atë të nacionalistëve, të cilët më pas u goditën prej tij, duke u shpallur “tradhtar” apo “armiq të popullit”.
Propozimi i Abaz Kupit për heqjen e simbolit komunist nga flamuri
Një nga të veçantat e mbledhjes së Labinotit më 10 korrik 1943, e cila nuk asht përmendur asnjëherë gjatë gjithë periudhës s regjimit komunist t Enver Hoxhs, si n’librat e historisë ashtu dhe n’kujtimet e tij, është një diskutimi i Abaz Kupit i mbajtur në fillimin e mbledhjes të datës 10 në ora 16 pasdreke. Në atë seancë e cila do të shënonte dhe mbylljen e mbledhjes, Abaz Kupi u kërkoi pjesëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm që të hiqej ylli i kuq nga flamuri. Lidhur me këtë, në proces-verbalin e mbledhjes, midis të tjerash shkruhet: “Mbledhja e Shtabit. Z. A. Kupi- Prek çështjen e Hyllit. Asht nevojë në interes të Bashkimit të popullit, pse i ndihmon bashkimit të Luftës, heqja e Hyllit nga krej i Flamurit por mund të vihet në nji vend tjetër ose dhe ma mir me e hjek fare. Pranon që çështja të bisedohet në një Konferencë, Kongres”. Pas këtij diskutimi të Abaz Kupit për heqjen simbolit komunist nga flamuri, (gjë e cila sipas proces-verbalit nuk është miratuar, por është lënë për t’u diskutuar në një mbledhje tjetër) në proces-verbalin e mbledhjes së Labinotit, ashtë shënuar edhe struktura e Shtabit të Përgjithshëm. Në atë strukturë e cila nuk është bërë publike asnjëherë, pas Komandantit Spiro Moisiu dhe Komisarit Enver Hoxha, bashkë me Dali Ndreun, figuron dhe emri i Shaban Strazimirit. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016