Ekskluzive / Memorie, bën publike një faksimile të “Gazet e Korçës” të datës 21 qershor të vitit 1931 ku janë publikuar rezultatet e provimeve të nxënësve të Liceut francez të Korçës dhe emri i nxënësit Enver Hoxha nuk figuron fare te ata që kanë marrë provimet, por ai është publikuar dy ditë më vonë në gazetën në fjalë me një shënim prej gjashtë rreshtash, ku thuhet “Mention Passable”…?! Si dhe emrat e bashkënxënsve dhe profesorëve të atij Liceu që u pushktuan apo u burgosën dhe internuan për vite me rradhë, pasi dinin shumë të fshehta nga jeta e shokut të tyre të shkollës, Enverit….
Pas viteve ‘90-të për herë të parë u bënë publike shumë nga të fshehtat e jetës së dikatorit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili për katër dekada me rradhë qeverisi me dorë të hekurt vëndin e tij. Një nga temat shumë të diskutuara në shtypin shqiptar të periudhës postkomuniste ka qenë dhe mbetet ajo e shkollimit të Enver Hoxhës, ku ai gjatë gjithë jetës së tij nuk arriti dot të merrte një diplomë të shkollës së lartë, madje të mos merrte as provimet e vitit të parë të studimeve universitare në Montpelje, ku kishte shkuar me një bursë të qeverisë së Mbretit Zog. Ndërsa kjo gjë tashmë është shumë e njohur pasi dhe është bërë publike edhe nga historiografia zyrtare e regjimit komunist të para viteve ’90-të, ajo që nuk dihet dhe nuk është bërë kurrë publike, është diploma e nxënësit Enver Hoxha në Liceun e Korçës, ku ai studjoi deri në vitin 1930 dhe me çfarë rezultatesh e përmbylli ai atë shkollë?!
Për herë të parë kjo gjë bëhet publike nga ky dokument që publikohet nga Memorie, e cila është një fletë gazete, faksimile e “Gazet, e Korçës”, që mban datën 21 qershor të vitit 1930, ku është bërë një njoftim i shkurtër me gjashtë rreshta vetëm për Enver Hoxhën, ku thuhet:
“Në listën që botuam në numrin e pradjeshëm të nxënësve të Lyceut që fituan defenitivisht në provimet me shkrim e me këndim, gabimisht nuk u shënua Enver Hoxha, i cili morri notën Mention Passable.
Pra nga sa thuhet aty, dy ditë më parë në gazetën në fjalë janë publikuar të gjithë nxënësit e Liceut të Korçës që kanë fituar (kanë kaluar) provimet me shkrim dhe me këndim (me gojë), kurse emri i Enver Hoxhës nuk ka figuruar fare aty?! Dhe kjo gjë, pra emri i Enver Hoxhës është publikuar në gazetë vetëm dy ditë më vonë me një paragraph me gjashtë rreshta (si një ndreqje gabimesh), ku thuhet “Mention Passable”, që në shqip do të thotë “kalon klasën”, gjë e cila hedh shumë hije dyshimi mbi rezultatin përfundimtar të nxënësit Enver Hoxha?!
Sa më sipër me shumë gjasa tregon se ai është rrëzuar në ato provime duke marrë notë negative e rrjedhimisht nuk e ka kaluar klasën dhe falë ndonjë ndërhyrje, atij i është korigjuar nota dhe ajo gjë është bërë publike dhe në gazetën në fjalë i kanë shënuar “Mention Passable”. Pasi po të ishte se nxënësi Enver Hoxha do të kishte rezultate pozitiv, pra po të ishte kalues dhe me nota të mira, kjo gjë do të shënohej edhe në gazetë, por aty është shënuar vetëm “Mention Passable”,gjë e cila siç thamë hedh shumë hije dyshimi.
Lidhur me të kaluarën e Enver Hoxhës në Liceun francez të Korçës, jetën që ai ka bërë atje kur ishte nxënës i Liceut por edhe disa vite më pas kur punoi për disa kohë si mësues aty, ka pasur dhe janë hedhur shumë akuza publike, (kryesisht pas viteve ’90-të), që kanë të bëjnë si me jetën e shthurur të tij nga ana morale ashtu dhe për rezultatet negative gjatë procesit mësimor.
Sa më sipër kjo gjë thuhet se ka lidhje edhe me burgosjen, internimet apo pushkatimet që i’u bëri Enver Hoxha menjëherë pas Luftës dhe më pas disa prej shokëve të tij më të ngushtë të Liceut Francez, bashkënxënës dhe profesorë, të gjithë të diplomuar në universitetet e Perëndimit, si p.sh.: Profesor Farudin Angoni (pushkatuar në vitin 1945), Dr. Hasan Jero (25 vjet burg), profesor Foto Bala, (25 vjet burg) profesor Fejzi Dika (12 vjet burg), Dr. Isuf Hysenbegasi (me burgim të përjetshëm, vuajti 9 vjet burg), agronom Adem Beli, (20 vjet burg), Dhimitër Canco, (7 vjet burg), etj etj., të cilët dinin shumë gjëra nga jeta e Enverit gjatë periudhës që ai ishte në Liceun e Korçës. Disa prej tyre e pësuan se flisnin ndonjë fjalë për ish-shokun e tyre të shkollës, si p.sh. Dhimitër Canco që shprehej për borxhet e shumta që ia kishte dhënë Enverit në Korçë dhe që ai s’ia ktheu më kurrë, ndërsa disa të tjerë e pësuan nga paranoja e Enverit se ata mund të flisnin dhe kësisoj i degdisi ata për vite me rradhë burgjeve dhe internimeve….?!
Lidhur me rezultatet reale të nxënësit Enver Hoxha në Liceun e Korçës ku ai u diplomua në vitin 1930, “Memory”, do investigojë në dokumentet arkivore dhe do publikojë të dhëna të tjera në ditët në vijim….