Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Dokumenti ‘Tepër sekret’ me autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me fejesën e djalit të tij, Skënderit, me “një vajzë me përbërje shumë të keqe politike”!
Tepër sekret
“Projekt-autokritikë” (“Autokritika e parë”) që Mehmet Shehu i ka dërguar shokut Enver Hoxha dhe “Autokritika” (Variant i dytë) drejtuar shokut Enver Hoxha dhe shokëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror si dhe proces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, datë 17 – 18 dhjetor 1981: Për analizën e gabimit të rëndë të kryer nga ish-anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike. (Dt. 17-18. XII. 1981)
E ndjej për detyrë si anëtar Partie, dhe si anëtar i Byrosë Politike, që t’ju vë në dijeni mbi një gabim të rëndë që kam bërë kohët e fundit dhe të bëj autokritikë për këtë gabim. Gjatë gjithë jetës sime si komunist, jam përpjekur që ta bëj gjithmonë drejt luftën e klasave, sipas mësimeve të Partisë, të marksizëm-leninizmit, dhe për të qenë kurdoherë konsekuent në këtë luftë.
Por këto kohët e fundit, unë bëra një gabim të rëndë në kuadër të luftës së klasave. Është fjala për fejesën e djalit tim të mesëm Skënderit, me vajzën e profesor Qazim Turdiut, që ka një rreth familjar me përbërje politiko-shoqërore armiqësore, krejtësisht të papërshtatshme për të lidhur krushqi me familjen time.
Fillimisht dua t’ju shpjegoj këtu rrjedhën e ngjarjes, për të treguar sesi u arrit në këtë fejesë krejtësisht të gabuar nga ana politiko-shoqërore. Djali im i dytë, Skënderi, është 32 vjeç. Dy djemtë e tjerë, përkatësisht i madhi Vladimiri, është i martuar dhe ka një fëmijë. Po kështu dhe djali i vogël, Bashkimi, është i martuar dhe ka dy fëmijë. Për mua, ka qenë preokupim i madh dhe i vazhdueshëm, martesa e Skënderit.
Që kur ai arriti moshën e martesës, gjithmonë e kam nxitur që të rregullohej për t’u martuar, të gjente një vajzë me përbërje të mirë moralo-politike dhe shoqërore në radhë të parë e mbi të gjitha. Në verën e këtij viti, Skënderi, erdhi me propozim e më kërkoi pëlqimin tim për të filluar kontaktin e afërt të njohjes me vajzën e Qazim Turdiut, me qëllim të mëtejshëm fejesën, po të qe se do të binte dakord me vajzën, e do t’i jepej dhe aprovimi familjar nga ana ime.
Unë, nuk e njihja më parë Qazim Turdiun. E pyeta djalin, se ç’ dinte ai mbi vetë vajzën, mbi të atin e saj Qazim Turdiun, dhe për familjen e tij. Djali, më dha informacionin e parë në këtë drejtim. Ai, më tha që: Qazim Turdiu është profesor matematike në Universitet, ka pas qenë dërguar nga ne me specializim në Bashkimin Sovjetik, është me qëndrim korrekt dhe, ka qenë dekoruar vitet e fundit me urdhrin “Naim Frashëri” për punën e mirë.
Vajza, mban qëndrim moralo-politik të mirë, studion në Universitet, është pjesëtar e skuadrës së volejbollit të vajzave të “Dinamos”, dhe me këtë ekip ka dalë shpeshherë jashtë shtetit. Një vëlla i saj, studion në Universitet, ndërsa e ëma, punon si llogaritare në Kombinatin e Autotraktorëve. Kjo, është familja e Qazim Turdiut, më tha djali. Por Qazim Turdiu, më thoshte Skënderi, ka një rreth familjar të gjerë, vëllezërit e tij punojnë si arsimtarë ose kanë dalë në pension. Veç këtyre ai, ka dy vëllezër jashtë shtetit.
Njëri, ka qenë me rininë e ‘Ballit Kombëtar’ gjatë viteve të Luftës Nacionalçlirimtare, dhe pas mbarimit të saj u arratis për në SHBA, ku ndodhet dhe sot. Ndërsa vëllai tjetër i tij, ka pas qenë dërguar nga ne për studime në Jugosllavi në vitin 1946. Ai, ka mbetur nga Zagreb dhe nuk ka ardhur qëkur ne u prishëm me Jugosllavinë. Djali më tha gjithashtu se, nga rrethi familjar i nënës së vajzës, nga Pipajt e Shkodrës, duhet të ketë njerëz të implikuar në veprimtari armiqësore jashtë shtetit, por që djali nuk kishte informata të mëtejshme për ta.
Kur dëgjova këto informatat e fundit për familjen e Qazim Turdiut, u stepa për një çast. Por kjo stepje, nuk u kthye në një vendim të prerë për t’i thënë djalit (siç duhet t’i thoshja, po ta gjykoja drejt çështjen) që menjëherë të hiqte dorë nga mendimi për të marrë kontaktin e njohjes për fejesë, me këtë vajzë. Stepja, u kthye në lëkundje, dhe lëkundja përfundoi në gabim për arsyet që do të shpjegoj më poshtë. Kur e pyeta djalin se ç’ mendonte ai për çështjen që shtroi, si e shikonte ai lidhjen e krushqisë me këtë familje, në qoftë se vajza do të ishte me të vërtetë me qëndrim të mirë moralo-politik siç thoshte ai, dhe nëse do të autorizohej që të merrte kontaktin e njohjes së afërt me të, djali më tha se ai ndjente simpati për vajzën, por akoma nuk kishte marrë kontakt, me qëllim fejese me të.
Dhe nëse do t’i jepej pëlqimi dhe do të arrihej në fejesë, për atë do të ishte një gëzim i madh në jetë. Ndërsa po të aprovohej nga ana ime, ai edhe mund të hiqte dorë, sepse fundi i fundit më tha, për atë “martesën mund edhe të mos bëhet fare problem”. Kjo shprehje e fundit që kam vënë në thonjëza, të cilën djali ja pat thënë më parë dhe Fiqretit, preku thellë sentimentalizmin tim ndaj djalit. I thashë djalit që të priste, se do të informohesha më mirë, dhe do ta gjykonim çështjen.
Pastaj fola me shokun Feçor Shehu, dhe i kërkova të dhëna nga Sigurimi për vajzën dhe familjen e saj. Të dhënat që më kishte dhënë djali, puqeshin me ato që më dha dhe Feçori. Përsa i përket vajzës, m’u tha nga Feçori se ajo, karakterizohet si një person me sjellje shumë të mira moralo-politike, e urtë, korrekte, studiuese, dhe me rezultate shumë të mira në studime. Përsa i përket Qazim Turdiut, dhe anës së vëllezërve të tij që ka këtu, dhe dy vëllezërve të arratisur, Feçori më tha po ato që më kishte thënë dhe djali. Kurse për anën e nënës së saj, s’mu tha gjë nga Feçori në atë kohë.
Por veç atyre që më tha djali, Feçori më tha që, dikur Qazim Turdiu paska qenë nën kontroll operativ 2/B, nga ana e organeve të Sigurimit, për shkak të vëllezërve të tij që janë të arratisur jashtë shtetit. Por dosja e tij, ka qenë e mbyllur për shkak se ndaj tij nuk ishte vërtetuar asnjë veprimtari armiqësore gjatë gjithë kësaj kohe. Organet e Sigurimit, më tha Feçori, kishin kërkuar nga Qazim Turdiu në vitin 1971 që, ti shkruante vëllait të tij në Amerikë, që të hiqte dorë nga puna armiqësore, dhe ai i pat shkruar atij, një letër por i vëllai pat vazhduar punën armiqësore, e “Qazimi dhe vëllezërit e tij, nuk kanë pasur marrëdhënie me dy vëllezërit e arratisur”, etj.
Kurse vëllai tjetër i Qazimit në Zagreb, sipas të dhënave të Sigurimit “nuk ka zhvilluar aktivitet armiqësor kundër vendit tonë, përkundrazi mban lidhje dhe ndihmon kosovarët”. Kaq më tha Feçori. Kur e pyeta për anën e nënës së vajzës dhe për Pipajt e Shkodrës (dhe as më shkoj fare ndërmend që me këta Pipajt lidhej edhe emri i armikut të arratisur, Arshi Pipa), meqenëse se vetë Feçori ka pas punuar si Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, më tha se s’dinte gjë. Këto qenë informatat që më dha Feçori në atë kohë.
E pyeta Feçorin se si do të vepronte ai në këtë rast, sikur Skënderi të ishte djali i tij. Ai më tha se: për sa i përket vajzës së Qazim Turdiut, e cila është shumë e mirë nga ana moralo-politike, ai do të pranonte që ta merrte për djalin. “Po përsa i përket familjes së vajzës”? e pyeta unë. “Për familjen do të vija të të pyesja ty”, më tha. Por aty për aty më tha edhe se “Skënderi, duhet ndihmuar” dhe këtë ma përsëriti dy tri herë.
Këtë unë e interpretova sikur edhe Feçori, anonte drejt aprovimit, megjithëse nuk e tha këtë shprehimisht dhe pas prishjes së fejesës, kur e pyeta përsëri Feçorin, më tha se nuk e kishte thënë atë me qëllim aprovimi. Këtë mendim që më shfaqi Feçori, se them aspak për të shfajësuar veten, as për të zvogëluar gabimin e bërë nga unë, por, për të treguar rrjedhën e ngjarjes, për të treguar si rashë unë në këtë gabim.
Kështu ishte gjendja para se unë të vendosja. E shqyrtova çështjen me Fiqretin. Fiqrteti lëkundej, hezitonte. Por më në fund, unë thashë që të pranonim propozimin e djalit. Pra, megjithëse edhe djali ka faj, për propozimin që bëri, edhe Fiqreti ka pjesën e vet të fajit, por përgjegjësinë kryesore në këtë çështje e kam unë, për këtë vendim krejtësisht të gabuar në pikëpamje parimore dhe klasore. Po ta kisha refuzuar unë propozimin, fejesa nuk do të ishte bërë.
Pavarësisht se, siç m’u tha edhe nga Feçori, se vajza mban qëndrim moralo-politik dhe se ajo e i vëllai i saj, studiojnë në universitet, i ati është profesor dhe i dekoruar, etj., dhe se familja e ngushtë e Qazim Turdiut nuk mban lidhje me farefisin e arratisur, pavarësisht edhe nga fakti që, në fillim, unë s’dija gjë për lidhjet fisnore e familjare të nënës së vajzës, me Arshi Pipën dhe armiq të tjerë, të vrarë ose të burgosur nga ne, për veprimtari armiqësore, – pavarësisht nga të gjitha këto, edhe me aq sa u informova në atë kohë, në fillim nga Skënderi, e pastaj edhe nga organet e Sigurimit, ato të dhëna ishin plotësisht të mjafta për t’u refuzuar fejesa nga ana ime, menjëherë dhe në mënyrë kategorike.
Dhe e them me ndërgjegje të pastër se mendoj se do ta kisha refuzuar patjetër, po të qe se për këtë fejesë me një vajzë nga një familje me një rreth familjar të këtillë, do të më qe kërkuar nga dikush tjetër, për të shfaqur mendim. Edhe sikur të ishte rasti për secilin nga dy fëmijët e tjerë të mi, që po të ishin të pamartuar dhe të kërkonin të fejoheshin me këtë vajzë, kam bindjen, se nuk do t’ua aprovoja. Edhe sikur ndonjëri nga vëllezërit e mi, ose dikush tjetër, do të kërkonte të fejonte ndonjë nga djemtë e tij me këtë vajzë, e do të më pyeste, gjithashtu kam bindjen se do të këshilloja që të hiqte dorë nga një krushqi e tillë, me këtë familje.
Por në rastin e djalit tim të dytë, Skënderit, e pranova, ja dhashë pëlqimin për fejesë. Natyrisht me hezitim në fillim, por i’a aprovova. Njëherë, mendova të shkoja të pyesja shokun Enver, por pastaj thashë: “Ç’ta shqetësoj për një çështje të këtillë shokun Enver”, sepse problemin, duke pandehur se e mendova drejt në atë kohë, në fakt e pata menduar shtrembër, siç do ta shpjegoj më poshtë se përse e mendova shtrembër, duke bërë kështu, gabimin e rëndë për aprovimin e kësaj fejese.
Sapo e mori vesh shoku Enver, se fejesa e Skënderit ishte bërë me vajzën e një familje të këtillë, me një rreth armiqësor të gjerë, më thirri dhe më vuri në dukje gabimin, duke e argumentuar nga ana politike dhe ideologjike, shtruar dhe shoqërisht, e më tha se gabimi duhej ndrequr, se ndryshe dëmtohej vija e Partisë. Në atë rast, unë e mblodha vetën menjëherë, e kuptova se kisha gabuar rëndë dhe i thashë shokut Enver, se gabimi do të ndreqej dhe fejesa do të prishej, me çdo kusht. Po këtë qëndrim mbajti edhe Fiqreti, menjëherë sa e njoftova.
E ktheva djalin menjëherë nga rruga që ishte nisur për në Suedi, ku vazhdon studimet pasuniversitare, ja shtrova çështjen gjerësisht nga ana politike dhe ideologjike, i vura në dukje edhe gabimin e tij, por edhe fajin tim e të Fiqretit. Natyrisht, kjo i ra djalit si bombë, sepse kishte veç disa ditë që ishte konkretizuar fejesa (celebrimi zyrtar në zyrën e gjendjes civile, s’ishte bërë akoma, por ishte dhënë pëlqimi nga të dy familjet dhe fejesa qe bërë në fakt).
Djali reagoi drejt: pranoi menjëherë që të prishte fejesën, të nesërmen mori takim me vajzën, i shpjegoi arsyen e ndarjen dhe i komunikoi atë, prishjen e fejesës. Kurse Fiqreti, foli menjëherë me të atin e vajzës dhe i komunikoi prishjen e fejesës midis djalit tonë dhe vajzës së tij, si dhe arsyet e këtij vendimi tonë.
Më përpara se të mbërrinte djali, çështjen e shtrova edhe me të dy djemtë e tjerë dhe bashkëshortet e tyre. Që të katërt reaguan drejt, thanë se fejesa duhej të prishej dhe më ndihmuan edhe në shtruarjen e çështjes me Skënderin, prishjen e menjëhershme të fejesës që kishte bërë disa ditë më parë.
Përse e bërë unë këtë gabim të rëndë, ç’më bëri mua që të jepja pëlqimin për një fejesë të tillë të djalit tim dhe të bija në një gabim të tillë, që është në kundërshtim me normat e luftës së klasave, të partisë dhe në kundërshtim edhe me vetë traditën revolucionare të familjes ime? Këtu janë disa faktorë që më çuan mua në këtë gabim. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016