Nga Keze Kozeta Zylo
– Bisedë me ish të burgosurin politik, piktorin e shquar 95 vjeçar, z. Lekë Tasi –
Memorie.al / “Jetëgjatësia ime si 95 vjeçar, mund të ketë edhe lidhje me një vullnet të Zotit, për të lejuar që personi të përçojë një dëshmi të caktuar pasardhësve…”! Të bisedosh me z. Lekë Tasi, ku na ndajnë dete dhe oqeane, është një kënaqësi e veçantë, tejet speciale. Historia e tij, është një histori me plot dhimbje, gati të pabesueshme, por artisti di t’i percjellë mjeshtërisht, sepse i ka përjetuar vetë, por dhe kultura e tij si një erudit i vërtetë, është mahnitëse. Ndonëse mosha e tij është 95 vjet, më duhet të them se është krenari të kemi një intelektual poliglot, si Lekë Tasi, midis nesh. E kam takuar tek “Vatra” në promovimin e librit me kujtime “Grabjani rrëzë kodrave”.
Një libër me një rrëfim drithërues të pashoq. Të 506 faqet janë dritëza që ndriçojnë terrin dhe mohimin që iu është bërë këtij soji si Lekë Tasi dhe familjes së tij të jashtëzakonshme. Për kureshtjen tuaj të dashur lexues, për këtë figurë të ndritur kombëtare po jua lë nën rrëfimin e tij personal duke iu përgjigjur pyetjeve të mia.
Ju këtë vit keni festuar 95-vjetorin e lindjes, si ndiheni në këtë moshë, pasi shumë miq të mi të penës dhe lexues, kur iu thashë se së shpejti do të keni intervistën me z. Tasi, ata më shkruajtën se janë të befasuar me moshën tuaj, pasi ju kudo flisni, shfaqeni me një kujtesë brilante. Cili është sekreti?
Jetëgjatësia është një fakt, o fat i pavarur nga vullneti ynë, por mund të ketë edhe lidhje me një vullnet të Zotit, për të lejuar që personi të përçojë një dëshmi të caktuar pasardhësve…! Pavarësisht nga sa e besueshme, unë vete e kam ndier këtë si detyrë, ndaj dhe e kam shkruar librin, mbi vuajtjet në internim, dhe i nxit shokët e vuajtjes të bëjnë po ashtu.
Cila ka qenë fëmijëria juaj?
Kam kaluar një fëmini të lumtur. Ishim në Athinë, familjarisht.
Ju jeni i biri i Koço Tasit, avokat me profesion, anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar, pas Kongresit të Lushnjës, cilat janë disa nga kujtimet tuaja?
Mbaj mend që babai bënte ecje të vazhdueshme në dhomë, i preokupuar për diçka, ndërsa unë e kisha mendjen tek lojërat. Më vone e kuptova që ai, e kishte mendjen te vendi i fëmijërisë së tij, se si të kthehej, sepse në çdo rast feste, përsëriste me miqtë fjalët: “Mot në Shqipëri”! Por kthimin nuk e mendonte si ndonjë emigrant çfarëdo, por përmes një ndryshimi të rendit atje.
Në fakt rreth kësaj dëshire të tij, lidhen dy tentativa për kryengritje, në vitin 1926 dhe 1931, fatkeqësisht të dështuara, por edhe një rrezik i tij, i kaluar me dy plumba, nga një tentativë që fatmirësisht e kishin prekur skitazhi njeri dhe tjetri i zhytur në mish sa ishte gjallë, por pa dëm. Rreziku ndodhi kur unë isha 6 muajsh. Duke u rritur, mendova që duhej të kuptoja më shumë se çdo gjë, ç’e shtynte babanë të merrej me punë të rrezikshme, dhe ç’është më me rëndësi, ta pranoja edhe unë apo jo, këtë lloj jete.
Ai e kishte pranuar, dhe në fakt e vazhdoi, kur mbasi u riatdhesuam, në 15 gusht 1941, ai shkoi si inspektor i Kryeministrisë, në Kosovën e posa-liruar, për ta qeverisur. Kjo ishte detyra e tij, në paralelizëm të vazhdueshëm, polemik me fashistët italianë, të cilët përfituan nga një qëndrim i tij i pavarur, rreth një vrasjeje të një federali fashist, ku babai urdhëroi hetim të kujdesshëm ligjor, në kundërshtim pra me një veprim terrori, që ata donin, dhe kështu e rrethuan në një lokal, ku po bisedonte me prefektin e Pejës.
E shpëtoi nga ky rrezik (do ishte rasti i dytë i një veprimi të tillë ndëshkues brenda pak javësh), nëse nuk do të vinte me vrap një grup xhandarësh shqiptarë, dhe kështu fashistët u gjendën të rrethuar dhe nuk insistuan. Nga ky episod, por edhe nga fakti që qeverisë së Mustafa Krujës në Tiranë, që ngjashmërisht donte më shumë pavarësi, i kishte ardhur fundi nga Pariani, babai u pushua nga puna, por i gjallë. Kurse komunistët nuk njihnin të tilla nuanca. “A ke bërë diçka për Shqipërinë, dhe aq më fort për Kosovën? Je për burg të përjetshëm”, – i thoshin ata. Kjo ndodhi në 1945-ën, me “Gjyqin Special”.
Ardhja juaj pranë “Vatrës”, ishte një nder për Diasporën dhe “Vatrën”, pasi ju jeni nipi i të burgosurit politik, Akile Tasit, ministri i shtetit shqiptar, bashkëpunëtor i ngushte me Fan Nolin, Faik Konicën në Federatën “Vatra”, si dhe me gazetën “Dielli”. Çfarë do të kujtoni dhe si i keni përjetuar këto drama në familjen tuaj?
Xhaxhanë tim, Akile Tasin, e kam njohur së pari në Përmet, në vitin 1941, kur u ktheva nga Athina. Isha 12 vjeç dhe si më delikat nga trupi, babai më mori me vete, në skalionin e parë, duke lënë fëmijët e tjerë, Napoleonin, Teftën dhe Yllin, për më vonë. Xhaxhai, mbas disa javësh, gjatë cilave u ngjitëm lart në Dhëmbel, përmbi Shen – Elenën e Lipës, dhe më tregoi kalotën e Tomorrit, që zbardhte nga dëbora.
E mbaj mend gjithashtu në Shën Mëri të Fushës, duke u munduar të identifikonte emrin e ndonjë paraardhësi, në rrasën e varrit. Kishte ikur 14 vjeçar, fshehurazi nga shtëpia në Amerikë dhe tashti kishte mall për të vjetrat. Meqë në librin “Grabjani rrëzë kodrave”, kam folur gjerë për babanë, le të zgjatem më shumë për xhaxhanë këtu. Mbas 30 vjet qëndrimi në SHBA-ës, ku ishte marrë me “VATRËN”, në atë fazë të vështirë fillestare, duke bërë edhe redaktorin e “Diellit”, ai u kthye në Shqipëri dhe dëshironte fort të kontribuonte.
E kuptova më vonë këtë, nga disa grimca bisedash. Në fakt ai më mori me vete në Korçë dhe në Tiranë, për të më mundësuar formimin e një horizonti të gjërave më të rëndësishme të Atdheut të ri-gjetur. Isha vërtetë shumë i ri, por u vinja veshin bisedave që bënte me intelektualët që takoi, në dy qytetet. Kuptova p.sh., që gjatë qëndrimit të tij disavjeçar si drejtor i Bibliotekës Kombëtare, ai interesohej për arkeologjinë, ishte kohë gërmimesh, por edhe tentativash, për të krijuar një teatër kombëtar.
E kuptoj nga një numër përkthimesh nga anglishtja (veprash me një akt), që i kam në dorëshkrim, ku predominon tema patriotike dhe ndofta mund të vlejë ndonjëra në të ardhmen. Më e vlefshmja e të cilave, tregimi “Princi i Lumtur”, i Oscar Wilde, tregon edhe orientimin shpirtëror të përkthyesit. Ka qenë i gatshëm për të ndihmuar këdo nga të burgosurit, që kishte vullnet për të nxënë gjuhë të huaj. Por vdiq nga cirroza, mbas 17 vjet burgimi dhe nuk i gjenden eshtrat.
Ju jeni artist, i përndjekur politik dhe nga të afërmit e personave të zhdukur, pasi eshtrat e xhaxhait tuaj, nuk u gjetën kurrë. Cilat kanë qenë disa nga përpjekjet tuaja, për gjetjen e eshtrave te xhaxhait?
Gjetja e eshtrave, është detyrë parësore, jo vetëm për të nderuar çdo qenie njerëzore që vdes (pa faj aq më shumë por edhe me faj) dhe mbi të gjitha për të merituar qeveritë që vijnë mbas revolucioneve çnjerëzore, emrin e shtetit të ligjshëm. Nuk është realizuar kjo detyrë, pavarësisht rekomandimeve të botës së qytetëruar, për shkak të djallëzisë së skajshme të diktaturës tonë enveriste, po dhe grumbullimit të problemeve të shumta që përballuan qeveritë pasardhëse.
Ne si familje, në pamundësi të bënim kërkime (në fakt fare pak, nga mijërat e familjeve që iu pushkatuan njerëzit, mundën të gjenin eshtrat e të dashurve të tyre), kështu ne vendosëm të vinim emrin e Akiles sonë, në pllakën e varrit nën të cilin prehen babai dhe vëllai, pra e zgjidhëm çështjen me një cenotaf, në pritje që në të ardhmen, shkenca ta zgjidhë këtë kërkesë të ligjshme, me mjetet e saj.
Sa ka ndihmuar Parlamenti Europian, Instituti për Demokraci, etj., në “Ditët e Kujtesës”, për të njohur publikun me krimet e sistemit diktatorial dhe cili është komenti juaj, në reflektimin e shoqërisë karshi së kaluarës?
Në mendimin tim, presioni së jashtmi duhet të vazhdojë, sepse kryesore nuk është realizimi konkret i normave, por respekti për normat vetë, sa respektohen në një shoqëri që për forcë madhore, ato norma janë shkelur, pa qenë kjo shkelje praktikë historike. Çështja është të kthehet shoqëria jonë në vlerat e saj humane, pa asnjë tolerancë neglizhencave që sjellë koha…!
Ju keni qenë në kamp internimi për 15 vjet, duke punuar si kooperativist, ju lutem na flisni për lexuesit e shumtë për dhunimin jetësor, heqjen e lirisë dhe kushtet në të cilat jetonit?
Mbas tri dekadash që kaluan prej atëhere, unë mund të them se ajo periudhë pune në fshat, meriton të studiohet jo vetëm për mbrapshtinë e sistemit ekonomik, po edhe për reagimet psikologjike që shkaktonte, një aparat i tërë hipokrizie, që e mbante në këmbë diktaturën, por edhe e brente për ditë. Është një punë në shtresat e thella të ndërgjegjes njerëzore, ku duhet të punojë intuita, më fort se dëshmitë e të anketuarve.
Askush s’mund të lëvdohet se do jetë i sinqertë, kur tregon hilet e veta, për t’iu shmangur presioneve e aq më pak përfitimet e tij të paligjshme, në kurriz të shokëve. Sistemi që kaluam, kishte emrin socialist, por ishte më antisocial, që ka parë historia. Kushtet e jetës ishin të vështira, veçanërisht ato që ngërthenin afërsinë me fqinjin (radha shumë orëshe në dyqan, vjelja në pambuk, lakmia ndaj rreshtave të mira të shokut në prashitje, etj.). Njeriu përshtatet me vështirësitë e natyrës, por kurrë me të papriturat e njeriut që ke pranë.
Ju keni qene çelist i parë në Orkestrën e Radio-Tiranës dhe të Teatrit të Operës e Baletit, ku u pushuat për motive politike në vitin 1967, çfarë kujtoni nga ato vite të artit tuaj me violonçel?
Ajo periudhë 20 vjeçare (1946-1967), ka qenë më e rehatshmja, jo vetëm prej moshës së re, që ushqen shpresa e iluzione, por edhe prej fazës ende të “pafajshme” të shoqërisë, brenda orkestrës dhe në Tiranë…! Kjo ndofta edhe prej varfërisë së mjeteve të diktaturës. Ajo nuk dinte akoma se sa rezerva poshtërsie mund të gjente te qytetarët, mjaft të shtonte presionet. Përkeqësimi i ekonomisë më pas, e çoi tek ajo rrugë me plot resurse, qoftë në mbushjen e minierave me djem të pafajshëm, qoftë me gjetje agjentësh shpirtkazmë, që i mundonin.
Cila është jeta juaj pas viteve ‘90-të kur u liruat nga internimi? Si i keni përjetuar ardhjen e demokracisë dhe vitet e tranzicionit?
U deshën disa vjet që të ndërgjegjësohem për realitetin që me delte para. Madje ky thellim, po njeh akoma faza të habitshme se sa të painformuar kemi qenë. Gazetat po na i zbulojnë, dhe ky është për mua lajmi më i mirë, më i shkëlqyer do të thosha. Shkurt: kur dy dekada mbas ‘90-ës, nuk u vërtetua kjo hapje e dosjeve, atëhere ne duhet të vendosim për një ndarje të prerë, mes për mes të elitës politike, dhe të shkresojmë që kush e do këtë hapje dhe po e vazhdon, ai do të ketë çfarë t’i ofrojë vendit.
Një e vetme është prova: Kush del përkrah drejtësisë së llojit të ri perëndimor, të vendosur së fundi, dhe pranon të vendosë ajo, dhe kush kërkon lehtësira, ose akuzon për njëanshmëri që të shmangë gjykimin. Drama është në vazhdim, por është një dramë që s’e kishim parë kurrë deri dje. Madje, shpresa është të skanojë edhe historinë. Për mua jemi brenda një procesi sqarimi tërësor që ndodh me përkrahjen dhe mbështetjen e faktorit perëndimor, që na ka monitoruar edhe rreptë shpesh. Tani na garanton dhe askush nuk e ndal dot më.
Shumë faleminderit fort i nderuar z. Lekë Tasi për intervistën tuaj!
Të përgëzoj dhe fëmijëve tuaj ju uroj të kenë një karrierë të shkëlqyer! Memorie.al
Autorja e intervistës është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit, si dhe ka marrë titullin: “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Marrë nga gazetadielli.com/