Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Mersin Vlashit me origjinë nga fshati Lis i Burrelit dhe i rritur në Jetimore, i cili në vitin 1953, teksa vazhdonte Shkollën Pedagogjike në Elbasan, shkroi gabim parullën “Rroftë Komiti Qendror”, e cila u bë shkas që ai të mos lejohej të ndiqte shkollën e lartë, por u dërgua ushtar në Pogradec, ku dhe u dënua me dhjetë vite burg për tentativë arratisje. Kalvari i Mersinit në kampet, burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ai u ri dënua në Revoltën e Spaçit, në vitin 1973 për arsye se pikturoi shqiponjën pa yll, në flamurin kombëtar, gjë e cila u bë shkas që ta dërgonin në burgun e tmerrshëm të Burrelit, ku ai u ri dënua përsëri dhe mundi të lirohej vetëm në shkurtin e vitit 1991.
“Në vitin 1973, unë mora pjesë në revoltën e të burgosurve të Spaçit dhe aty pikturova shqiponjën në flamurin, që u ngrit mbi tarracën e godinës së kapanoneve tona. Pasi u shtyp ajo revoltë, së bashku me shumë të tjerë, që ishin organizatorët e saj, më arrestuan e më nxorën në gjyq, ku më dënuan me dhjetë vite të tjera. Përpara trupit gjykues, unë deklarova se isha i vetmi shqiptar, që dënohesha me burgim, pse kisha pikturuar shqiponjën pa yll, në flamurin Kombëtar”. Rrëfen Mersin Vlashi, për ri dënimin e tij në Revoltën e Spaçit, në vitin 1974, gjë e cila bëri që ai të vuante 32 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke qenë i vetmi shqiptar, që dënohej me burg politik, vetëm pse kishte pikturuar shqiponjën pa yll në flamur.
Nga Lisi, në Shtëpinë e Fëmijës
Mersini u lind në fshatin Lis të Matit në vitin 1938, në një familje fshatare jo shumë të njohur, pasi të parët e saj nuk ishin përzier në luftëra dhe në politikë e punët e shtetit. Pasi i vdiq i ati në vitin 1943, familjes së tij, ju shtua më tepër varfëria. Sikur të mos mjaftonte humbja e babait, pak kohë më vonë, nënës së Mersinit e cila mundohej që të rriste tre fëmijët jetim, i ndodhi një aksident nga i cili humbi njërën këmbë. Lidhur me atë ngjarje e rrethanat në të cilat u ndodh pas aksidentit të nënës, Mersini kujtonte:”Në ato kushte, nëna nuk mund të na mbante dhe nga fillimi i vitit 1946, mua së bashku me tre fëmijë të tjerë nga zona ime, që kishin mbetur jetim, na sollën në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë. Aty trajtoheshim shumë mirë, pasi atë shtëpi e furnizonte rregullisht me ushqime e veshmbathje, UNRRA. Pasi mbarova shkollën fillore në Tiranë, më dërguan në konviktin “Tom Kola”, të qytetit të Shkodrës, ku vazhdova shkollën “Vasil Shanto”. Mbarova 8-vjeçaren, kërkova të vazhdoja Liceun Artistik për pikturë, pasi e kisha pasion, por ajo nuk mu realizua, pasi më dërguan të vazhdoja Pedagogjiken në Elbasan. Aty qëndrova katër vite dhe në vitin 1957, mbarova maturën, nuk munda të shkoja në shkollën e lartë, ndonëse e kërkova me insistim.
Parulla gabim dhe burgu i parë
Lidhur me atë ngjarje të largët, Mersini kujtonte:”Nga që kisha pasion pikturën dhe dizenjo, më caktuan që të shkruaja një parullë në qytet, pritej të vinte një delegacion sovjetik. Unë në vend që të shkruaja “Rroftë Komiteti Qendror, gabimisht shkrova, rroftë Komiti Qendror. Për këtë më bënë problem, duke më thënë se e kisha bërë me dashje, gjë e cila nuk ishte aspak e vërtetë. Kështu mbas mbarimit të Pedagogjikes, nuk ma dhanë shkollën e lartë, por në nëntor të 1957-ës, më dërguan ushtar në Pogradec”. Mersini nuk e pohonte plotësisht, se nga ajo ngjarje, nuk mundi të shkonte në shkollën e lartë, por as nuk e mohën atë …?! ” Kur shkova ushtar, më lindi ideja për tu arratisur nga Shqipëria, ndonëse pakënaqësitë për sistemin komunist, më kishin lindur më përpara. Idenë e arratisjes e bisedova me një shok tim ushtar. Ai e bisedoi me dy shokë të tij tiranas E. Bërxolli dhe Z. Fortuzi. Këta të dy më denoncuan tek operativi i repartit M. Vito, i cili na arrestoi së bashku me shokun tim, më 23 prill të vitit 1958. Pasi më mbajtën për gjashtë muaj në birucat e Degës së Brendshme të Korçës, ku unë nuk pranova asgjë, gjyqi ushtarak me kryetar, kolonel Mithat Goskovën, më dënoi me dhjet vjet burg. Pas dënimit, më dërguan në kampin e Thumanës, ku punonim bashkë me qindra të dënuar të tjerë, për tharjen e kënetës. Në atë kamp, ku qëndrova për shtatë vjet, u njoha me Asllan Allamanin e Ali Çollakun, që ishin nga familje të mëdha të Matit, me prejardhje zogiste. Në atë rreth shoqëror, të cilët ishin simpatizantë të Monarkisë së Zogut, unë u formova dhe krijova bindjet si nacionalist”.
Arrestimi dhe burgu i dytë
Në vitin 1965, pasi bëri shtat vjet burg, Mersin Vlashi u lirua dhe u kthye në fshatin e tij të lindjes, në Lis të Matit. Në atë vend malor, ai nuk kishte asnjë mundësi jetese, prandaj u detyrua që të zbriste në qytetin e ri të Laçit, i cili kishte tre katër vite që kishte filluar të hidhte themelet e tij. Lidhur me atë kohë, Mersini kujtonte:” Pas dy viteve qëndrimi në Laç, në shtator të 1966-ës, Dega e Brendshme e Burrelit dërgoi urdhrin për arrestimin tim. Akuza kundër meje ishte: “agjitacion e propagandë dhe tentativë arratisje”. Në qelitë e Degës së Burrelit, F. Kraja dhe hetuesi V. Plaku, më torturonin dhe më linin të zhveshur, në mes të dimrit. Në shkurt të 1967-ës, më nxorën në një gjyq “shembullor” në qytetin e Burrelit, me prokuror R. Metën. Aty unë i thashë trupit gjykues: ‘Asnjëherë nuk kam bërë agjitacion e propagandë, kundër regjimit komunist, por meqenëse ju insistoni në një gjë të tillë, unë po ju them tani këtu në sallën e gjyqit, që ta dëgjoni me veshët tuaj’. Dhe aty në atë sallë, nuk lashë gjë pa thënë kundra regjimit komunist të Enver Hoxhës. Pas fjalëve të mija, ata më dënuan maksimalisht me dhjet vjet burg politik. Burgun e dytë e fillova në qytetin e Elbasanit dhe pas një viti, në prill të 1968-ës, kur u hap për herë të parë burgu i Spaçit, më dërguan menjëherë atje”
Ri dënimi në Revoltën e Spaçit
Në burgun e Spaçit, Mersini qëndroi deri në vitin 1979, kur e transferuan për në burgun e Burrelit, ku mbaheshin personat më të rrezikshëm dhe kundërshtarët potencialë të regjimit komunist. “Në kampin e Spaçit ku unë vuaja dënimin, mora pjesë në revoltën e të burgosurve, që u bë në majin e 1973-it, ku pikturova shqiponjën pa yll, në flamurin Kombëtar që u ngrit mbi tarracën e kapanoneve tona. Ajo revoltë, ndonëse u organizua si protestë ndaj kushteve të këqija, kishte një karakter të theksuar politik, sepse në një farë mënyre ne mbajtëm gjallë, qëndresën antikomuniste, për të cilën kishin dhënë jetën me qindra nacionalistë shqiptarë. Sami Dangëllia, Luan Burimi, Demir Pojani, Luan Koka, Bedri Çoku, Dervish Bejko, Paulin Vata, Hodo Sokoli, Nuri Stepa, Koço Papa, Gëzim Çela, e ndonjë tjetër, ishin organizatorët kryesorë të asaj revolte. Mbas arrestimit ne na nxorën në gjyq, ku unë deklarova se isha i pari shqiptar që dënohesha me burg politik, sepse kisha pikturuar shqiponjën pa yll, në flamurin Kombëtar. Në atë gjyq mua më ri dënuan, duke më shtuar dhe dhjetë vjet të tjera burg. Në kushtet e rënda, që kishte kampi i Spaçit, unë nuk kisha asnjë ndihmë, pasi familja ime ishte tejet e varfër. Vetëm nëna ime e moshuar, me një këmbë, vinte aty ndonjëherë për të më sjellë ndonjë shportë me rrush. Në atë kamp më mbajtën deri në vitin 1979 dhe më pas më transferuan në burgun e Burrelit”.
Dënimi i katërt në Burrel
Pas dymbëdhjetë vitesh në burgun e Spaçit, në majin e vitit 1979, Mersin Vlashin, e dërguan në burgun e famshëm të Burrelit, ku siç e kujton ai, drejtori i asaj kohe Idajet Deda, ju thoshte të burgosurve që shkonin aty: “Këtu i thonë Burrel, që hyn e nuk del”. Lidhur me vitet e gjata, në burgun e famshëm të Burrelit, Mersin Vlashi kujtonte:”Burreli, ndonëse konsiderohej si ferri i burgjeve të regjimit komunist, të Enver Hoxhës, për shumë nga të burgosurit intelektualë ishte i preferuar, pasi aty ata i shpëtonin punës së rëndë, nëpër galeri që bëhej në kampet e tjera. Gjatë 12 vjetëve të qëndrimit tim në atë burg, kam pasur rastin, që të rri në një qeli me shumë persona, ku dua të veçoj: Abdulla Sallakun, Avni Alikon, Shik Stërmasin, Pjetër Arbnorin, Bedri Çokun, Luan Burimin, Kapllan Resulin, Spartak Ngjelën, Sherif Allamanin, Bedri Blloshmin, Qani Sadikun e ndonjë tjetër, me të cilët gjatë gjithë kohës, bisedonim kundra pushtetit komunist. Në bisedat e gjata që bënim, ne kishim bindje, se komunizmi do të merrte fund një ditë dhe jo vetëm për ne, por dhe për të gjithë popullin shqiptar, do të vinte ora e lirisë. Duke mos pasur asnjë ndihmë ekonomike nga familja gjatë atyre viteve, pikturoja portretet e shokëve dhe kartolina të ndryshme, që ata i dërgonin me raste festash, tek të afërmit e tyre. Nga kjo punë që unë e bëja, nxirrja ndonjë lek, apo paketë cigaresh.Në burgun e Burrelit, u arrestova dhe u dënova për herë të katërt, duke më shtuar dhe dhjetë vjet të tjera burg, me akuzën e agjitacionit e propagandës. Asokohe që vuaja dënimin në qelitë e Burrelit, mbaj mend se aty vdiqën gjeneralët Gjin Marku e Vaskë Gjino dhe një tjetër nga familja e madhe e Vrionëve. Nga ai burg, munda të dal vetëm në shkurtin e vitit 1991, kur filluan zhvillimet e reja politike dhe regjimit komunist, po i tundeshin themelet”.
Drejtor i burgut të Burrelit pas ’90-ës
Në vitin 1995, Mersin Vlashit i thanë se ishte emëruar Drejtor i Burgut të Burrelit, ku ai kishte pasur “fatin” të kalonte 12 vjet, të jetës së tij. Lidhur me këtë gjë, Mersini kujtonte: “Ndonëse ishte rast unikal ndoshta në të gjithë botën, që një ish i burgosur, të caktohej drejtor i burgut, ku kishte vuajtur vetë dënim më përpara, e pranova menjëherë atë detyrë, sepse ai post, nuk kishte asgjë të ngjashme me drejtorët e atij burgu, të periudhës së regjimit komunist. Gjatë asaj kohe, unë nuk e ndjeja veten si drejtor, por si i barabartë me të gjithë të burgosurit dhe përpiqesha me çdo mënyrë, për t`ua lehtësuar vuajtjet atyre edhe pse ata ishin të dënuar për krime ordinere. Ndonëse e pranova atë detyrë me koshiencë të plotë, unë isha kundër rihapjes së burgut të Burrelit, ai burg duhej të mbetej si muze, sepse ishte simbol i kështjellës së qëndresës antikomuniste, që nga viti 1946 e deri në 1991-in”/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016 .