Nga Shkëlqim ABAZI
Pjesa e nëntë
SPAÇI
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Për mëngjes ndanin supë me do kokrra orizi, apo makarona sharavidhe që fshihnin miza, ndonjëherë edhe krimba, në kaviet që shërbenin si garniturë e mëngjesit. Kur vinte dreka, që pothuaj ishte e pasur, paçka se jepej nëntë, gjer në dymbëdhjetë orë, pas mëngjesit, largësi që lozte aperitivin dhe iu ofronte “armiqve”, mundësinë ta shijonin ushqimin e, ta gëlltisnin pa naze, me gjithë ç’kishte brenda, ngaqë ktheheshin të uritur.
Pra dreka, si më e pasura, kishte bazë perimet, sepse regjimi iu përmbahej recetave vegjeteriane, si më të shëndetshmet. Në normë ishte paraparë edhe njëzet e dy gramë mish, ndonëse për ditë dhe javë, s’i ndihej era, jo më të hasje ndonjë fije, ngaqë përfundonte në tasin e individëve me kontribute reale, te nëpunësit e zyrave teknike, te spiunët, që ktheheshin nga “fushëbetejat” e furnizimi në sasi dhe të burgjeve, me kafshë të reja pune; dhe, jo rrallë, në gavetat e policëve, pak apo aspak kocka, hidheshin në kazanin e përbashkët.
Siç thashë, bazën e drekës e përbënin perimet, që i ndanin sipas sezonit, në pranverore, verore-vjeshtore dhe dimërore. Në perimet pranverore, kreun e mbante spinaqi dhe qepët e njoma, të cilat hidhnin pa i pastruar në kazan, apo i prisnin dy copash, për të shfrytëzuar maksimumin e kripërave minerale të dheut ku ishin rritur dhe i kridhnin të zienin me gjithë rrënjë, iu kallnin ca pika vaj, edhe pse norma ishte dymbëdhjetë gramë.
Nëpërmjet këtij rregulli të pashkruar, mbanin armiqtë larg kolesterolit të t’lynit. Kësisoj përdornin vajin vegjetal, luledielli apo pambukun përzier me sallo derri, rëndomë edhe vaj balene për të shumëfishuar vlerat ushqyese.
Në sajë të kujdesit “atëror” të Partisë, në kapërcyellin pranverë-verë, numri i perimeve shtohej, për pasojë shumëllojshmëria rritej, ndonëse për majin, qershorin dhe gjithë korrikun, baza mbetej sërish qepa, por e rritur tashmë. Pra, kokën e qepës, e shtinin me gjithë bishta në kazan, për të shtuar përqendrimin e kripërave minerale; mbështetur në barsoletën e peshkatarit, me peshkun plak, që kur kish rënë në rrjetë i vogël, e kish lëshuar për t’u rritur dhe kur e zuri plak, e iu lut ta falte, se tashmë i qe flashkur mishi, ja ktheu me sentencën më të mençme, që ja dha truri:
“Qepë plakë dhe peshk të moçëm s’ka! Qepa e vjetër, është më e ëmbël; peshku i moçëm më i shijshëm”! dhe e poqi në qeromidhe. Për t’i shtuar shijen, hidhnin do grushte bizele, apo fasule qorre, ndërsa erëzat, s’i këshillonin, sepse i kthenin konsumatorët tekanjozë.
Në muajt gusht, shtator dhe tetor, zgjidhej problemi, në kazanin e burgut mbretëronte “bukuroshi mavi”, i ndarë më katërsh. Kur e shihje të notonte krenar mbi ujin e zi, të pritej oreksi e të zgjatej dieta; rrallë qëllonte ndonjë zhokël domate, apo piperke, që i sillnin kur u kalbeshin arave.
Me brymat e para, kazani ndryshonte përmbajtje. Për të shumuar vlerën kalorike, s’mund të gjeje më ideal se prasi, që dikush e quante; “Presh”, tjetri “Purri”, të tjerët “ai i gjati” dhe hokatarët “Akil”, jo epitet klasik i sajuar nga nostalgjikët e Akil Pelidit të famshëm, të Iliadës së Homerit plak, po të një tjetër Akili, që bëri epokë në burgje dhe u bë i famshëm për atentatin e munguar, që do kish dashur t’iu bënte anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës Shqipërisë, në festimet pesëdhjetë vjetorit të Pavarësisë, në Vlorën heroike të Ismail Qemalit, paçka se s’i kish shkuar ndërmend kjo mesele!
Në mungesë të lapidarit për atentatin e munguar, shkodranët e përjetësuan “Akil Kurbinin”, në artin e kulinarisë me gjallje; një gjellë të pandashme, për gati pesë muaj, e pagëzuan “receta Akil”.
Akili i dobët, i hollë, i gjatë, i thatë, me trup disproporcional dhe gjymtyrë kilometrike, afër dy herë përmasat e trungut dhe me kokë që fillonte me çaçkë majuce dhe përfundonte me mjekër majuce, ku bënin majë një tufëz qimesh që iu shëmbëllenin rrënjëve të prasit, iu dha dorë shkodranëve, të shquar për qoka, ta shpotisnin; “Purri Beltoje”, ose “Kavak Stajge” dhe mbi-gjellën e sezonin dimër-pranverë e hershme, ta mbiquanin “Receta Akil” dhe për ta veçuar, shtonin: “nga ai i xhati”.
Filo-helenisti Vas Gavoçi, i pasionuar pas greqishtes së vjetër dhe mitologjisë greke të antikitetit, hante bukë me krahinorin e vet, Shtjefën Lacuku. Por Vasi harrohej dhe përhumbej pas klasikëve, kështu “vogëlsitë” e përditshmërisë, i mbeteshin Tefit që, i shkathët si ketër dhe i vogël si gogël, po hokatar si ai, merrte porcionet dhe priste Vasin, që kalonte faqe pas faqesh në kuvend me klasikët, gjersa gjella bëhej kallkan, mbi tabakun e kompensatës.
“U ftoh xhella, o Vas”! – e kujtonte Tefa.
“Ç’xhellë kena sot, o Tef”? – përmendej Vasi.
“Asha Zotin, kena mbretneshën e kulinarisë, gjellën ma të mrekullueshme, ma t’fismen dhe ma t’shijshmen, që ka shpik truni i robit: kena ‘Akil’”!
“Lëne Akilin në lashtësinë e vet, mos ma përzi me llumin e sotëm, or burrë”! – i lutej Vasi.
“Jo, or ta marsha, s’kam punë me Akil Pelidin tat, po me kët ‘të xhatin’, purrin e Beltojës! Apo s’t’i kanë pre, me t’u ngi syni”! – ja kthente Tefa allan shahit.
Bashkëshoqëruesja e “të xhatit”, ishte fisnikja lakër arme, që dashamirësve të futbollit, iu priste oreksin sa e shihnin të ndarë në copa, përkundrazi kur lundronte top në kazan, kalonin në delir, sa linin në baste me shoqi-shoqin gjellën e një jave dhe grindeshin, kush do ta gjente topthin pa prishur.
Kur profesori im, Shyqyri Gruda, ish-futbollist i “Vllaznisë” dhe i kombëtares, arriti të shtinte në dorë (më falni, në tas) një lakër pa shprishur, gati u shprish mendsh nga sadisfaksioni që ia arriti lumnisë dhe gjezdisi fjetore më fjetore e, zgëqe më zgëqe, me tasin në dorë, madje, desh ta demonstronte edhe në biruca, t’iu krenohej të izoluarve, për mrekullinë që i solli fati (më falni, kuzhinieri). Eksklamacione kapën Jeminin, kur iu avit Sefedinit’ portierit të shquar:
“Pa qyre Sef, çfarë topi ngjyrë sermi, as Pelja s’ka mujt me shnue e kët perlë! Besa s’më kish ra me pa bukuri si ky, ene kur lujsha vet! Tash ma pruni fati (më falni, kuzhinieri) dhe s’kam m’e lshue”!
“I pafsh hajrin Shyq djali, vet sun e pres at far topit”! – ia ktheu portieri i dytë i Kombëtares. Shyqi ia pa hairin shukut të lakrës; Shahin Skura, (komisari i kampit), i taksi një muaj “pushime dimërore” në… biruca.
Darka ish shoshitur nga disa komisione mjekësh, që “shpikën” receta shkencore: fillimisht të mos u jepej fare, jo për të kursyer rezervat e shtetit, që ishin plot, por lipsej të ruanin kondicionin fizik dhe t’i mbronin armiqtë, nga epidemia e mbingopjes, sepse i druheshin obezitetit, me tërë pasojat e pakëndshme. Me barkun bosh, robi ndihej rehat, flinte lehtë dhe s’e shqetësonin gazrat, s’ndjeje dhimbje stomaku, për shkak të tretjes së zorshme. Bëj fjalë, për kë vuante nga ulcerat memece dhe gastritet e agravuar, ndonëse askush s’flinte, nga gërryerja e përvajshme e zorrëve bosh.
Për gjashtë-qindëshit dhe të tjerët që i përkisnin kësaj kategorie, kjo dietë mbeti në fuqi, gjer në nëntëdhjetë e njëshin, kur u mbyllën burgjet. Sidoqoftë, menyja dha rezultate hata! Shpëtoi nga mundimi i zvarritjes mbi tokë, mijëra qyqarë, në gjithë territorin ku pati burgje dhe kampe politikë, shtoi numrin e varreve pa emër, për pasojë, plehëroi tokat e Atdheut.
Pra, mbështetur në “principet humane dhe mjekësore”, për punëtorët u fut një normë e lehtë, me kast t’i ruanin nga “sëmundja e mbingopjes”. Ndanin një lëng të kuqërremtë, që thirrej çaj, ku zor se kuptohej prania e sheqerit, ndonëse letrat flisnin për dymbëdhjetë gramë, por nisur nga limitet e sipërcituar, s’u hodh kurrë kjo sasi, sepse regjimi mëtonte t’i “ruante” armiqtë nga diabeti, gjëma shkatërrimtare e shekullit që e vuante edhe Enveri i tyre.
Droja se mund të mbeteshin pa kundërshtarë, i detyroi të ishin të kujdesshëm, se fundja, me kë do ndesheshin mandej?! Dhe sasinë’e letrës, e reduktuan në dy gramë. Lëtyra ishte e hidhur farmak, sa s’e shtije dot në gojë dhe emetonte një aromë, që t’i sillte zorrët në grykë; (çlironte erë klori, përzier me nuk di ç’ilaç duhmë-rëndë, që e hidhnin për mos t’u bërë meshkuj…, se hajde t’iu plotësoje nafaizet pastaj!)
Pa përkushtimin dhe sakrificat e familjarëve tanë, si dhe solidaritetin e ndërsjellë, sot species interesante “ish-i burgosur politik” s’do t’i ndihej karkërima; edhe në do ndeshej ndonjë, do i përkiste kategorisë që mbajti nën sqetulla komanda, punonjësit fatlumë të kuzhinës dhe batakçinjtë e Mehdi Nokut.
Historiku i tagjisë
Të kthehemi në temë. Komunistët synonin t’i shfrytëzonin qelepir skllevërit-kafshë-pune, siç i konsideronin të ngujuarit brenda telave gjembaçë. Por që të kapnin kapacitetet rekord duhej t’iu shtonin tagjinë. Qysh në dyzet e pesën, në burgje ndrynë ajkën e kombit.
Hetuesia pa limit, torturat fizike, dieta në shterim, mungesa me kast e trajtimit shëndetësor, shto punën me orare të zgjatur, që i shndërroi fat-kobët në skelete pa pikë takati, si dhe moshën që kalonte me vitet, shtuan vdekjet dhe vazhdoi decimati, ndonëse numri i të dënuarve, u shumua disa fish.
Me gjithë pretendimin e drejtuesve për një vend normal, me kushte normale dhe qeverisje normale, në Shqipëri ndodhi e kundërta e asaj ç’ka ndodh në botën demokratike, ku qeveritë sapo marrin pushtetin, rivendosin rendin, forcojnë ekonominë, dënojnë krimet e paraardhësve, nëse gjenden fajtorët, dhe mbyllin defterët me të shkuarën. Teksa thellojnë progresin dhe ndëshkojnë korrupsionin, për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, dënojnë pa kompromis krimin ordiner dhe stop në aspektin politik.
Por ç’ndodhi në Shqipërinë komuniste?
Sa më shumë i largoheshim dyzet e katrës, më tepër rritej numri i “armiqve”. Vetëm me tre nene: për “tentativë arratisje”, për “terrorizëm të supozuar” ndaj personaliteteve shtetërore dhe për “agjitacion e propagandë”, i mbushën burgjet cyt. Këta nene vampire, gëlltisnin që nga kundërshtarët ideologjikë të Partisë Komuniste, gjer te mjeranët që gjakosnin duart për Enverin.
Kundërshtarë ideologjikë, përbënin kontingjentin e parë të burgjeve politike në Shqipërinë e pasluftës. Ky konglomerat idealist-nacionalist, përfaqësonte që nga shtresat e pasura dhe të mesme, inteligjencien tradicionale, gjer te qytetarët apo fshatarët e thjeshtë, të inkuadruar në radhët kundërshtare. Kjo amalgam, përfshinte në gjirin e saj nëpunës të lartë dhe të mesëm, trashëgimi e perandorisë osmane, gjer te e reja e shkolluar në Perëndim, që të parët i konsideronin regres, për perspektivën e së ardhmes.
Kish ndër ta anarkistë dhe jakobinë, të njëzet e katrës, liberalë dhe social-demokratë të mëvonshëm, që me gjithë kundërshtitë ideologjike dhe papajtueshmërinë për mbarëvajtjen e kombit, me përfundimin e Luftës, u gjendën nën dërrmën e mokrrës komuniste, si Odisea mes Shilës dhe Karibdës; i rreshtuan në krahun humbës dhe i shpallën armiq, pa marrë në konsideratë mospërputhshmëritë politike.
Komunistët i mëshuan propagandës përçarëse, duke parë te çdo kundërshtar, medoemos armikun e popullit, pavarësisht se shumica vunë në shërbim të çështjes kombëtare, gjithë ç’kishin dhe u sakrifikuan me emrin e Shqipërisë, ata i futën në një thes, pa mëdyshje dhe pas kësaj, pasojat qenë të trishta; iu vlerësuan zero kontributet, i paditën për nacionalizëm arkaik dhe bash për këto shkaqe, ua rënduan barrën e akuzave, me demek penguan prosperitetin, në emër të Shqipërisë së Madhe.
Për t’i dhënë formë plotësore armatës së armiqve, duhen përmendur edhe ata mijëra shqiptarë, me prejardhje modeste, por me dashuri pa skaj për popullin dhe atdheun, që i kushtuan gjer edhe jetën. Por këta, mbeteshin për komunistët, po aq armiq, sa të parët, në mos më tepër sepse, nisën luftën pa u pjekur thanat dhe goditën “çlirimtar-pushtuesin” italian, pa pritur urdhrin e Baba Stalinit dhe pa marrë pëlqimin e Kominternit, madje edhe pse u radhitën pa iu marrë dorën, atyre me ‘Ballin’ dhe Legalitetin.
Sipas pikëpamjes fshataro-leniniste, aderimi në “formacione kundërshtare”, rrjedhimisht armike, përbënte krim, ndaj secili që u përfshi në radhët e tyre, lipsej parë tradhtar i popullit dhe Atdheut. Meqë pranuan të luftonin pa pëlqimin e dirigjentit Tito, si dorëzanë i Baba Stalinit, i etiketuan; kolaboracionistë. Pra edhe këtë kontingjent, me prejardhje modeste, e rreshtuan në falangat “armike”.
Një pjesë e të sipërcituarve, shkuan në litar e plumb, kush e teproi e degdisën në kampet shfarosës, në ndërtim banesash, tharje kënetash, bonifikime, në lartësim fabrikash dhe uzinash, etj.
Të dënuarit e mëvonshëm ishin derivate të të dënuarve të parë dhe i përkisnin kontingjentit më të përvuajtur të Shqipërisë komuniste, që i rrëmbyen nga vend-internimet, ku i kishin syrgjynosur, i paditën për tradhti të lartë dhe i plasën në kampe, ndonëse s’ndryshonin kund nga burgjet, në të cilët aplikonin të njëjtat forma, paçka se në një vathë, më të gjerë dhe me më pak roje.
Por edhe këta po fironin. U ul numri natyral, sepse o vdiqën në burgje, o, nëse dilnin gjallë, ishin të vjetër dhe të paaftë për riprodhim. Për të shumuar numrin e skllevërve-kafshë-pune, lipsej të perfeksionohej metoda. Sigurimi u bë mjeshtër manipulimi dhe novator në zanat, s’e pati të vështirë të kërkonte dhe gjente resurse të reja, duke krasitur edhe degët e pemës vet.
Sistemi i ngritur mbi themele gjaku dhe i bazuar në dogmën e filozofisë marksiste, s’mund të mbijetonte pa i fryrë zjarrit të luftës klasore, jo më në popull, por edhe në gjirin e partisë ku nxitën ekzistencën e një antagonizmi permanent, gjoja në emër të pastërtisë ideologjike, ku shtuan tempin e terrorit, duke e shpallur kundërshtarin medoemos armik, dhe i eliminoi pa mëdyshje, si të tillë.
“Armikun do ta gjejmë atje ku struket, në çdo formacion shoqëror, në çdo fshat, në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo mëhallë, në çdo kolektiv, në çdo grupim, madje edhe kur s’ekziston, do ta shpikim, do qërojmë metastazat dhe t’i flakim në ferr, që të shëndoshim Partinë dhe të ruajmë të pastër qelizën” Këtë predikonte “Zeusi” i gjithëpushtetshëm dhe zagarët hidheshin në ofensivë.!
E nisën lojë bërrylash për pushtet personal, e thelluan dhe e vazhduan si patologji klasore, për të ruajtur pushtetin e fituar nëpërmjet bërrylave, gjersa revolucioni hëngri “trimat” që polli, si buçja këlyshët e saj. Pjesën tjetër të kontornos, e plotësuan me pjellat e buçes së kuqe, sa s’mbeti shtëpi pa një armik dhe fis pa dy kulakë; njëri në burg, të tjerët në internim.
Spiunllëku u bë profesion nderi; djali spiunonte nënën te operativi; gruaja burrin, te kryetari i Këshillit; vajza babanë, te sekretari i Byrosë.
Të dënoje dikë për krime politike, ishte gjëja më e lehtë. Neni “73” (me Kushtetutën e re “55”) u shtri në pafundësi. Ky nen-oktapod, i kalli tentakulat në çdo qelizë të shoqërisë, u bë veshi dhe syri në rrezet e dyerve, zhyti kthetrat në çdo zgëqe, që nga shtrati martesor, gjer në plenumet e Byrosë Politike dhe bash si fuga qerthullore, përfshiu në grepçat pa numër, që nga lavdthurësit e udhëheqësit të ndritur e, gjer te kritikët. Efektet e nenit-fugë, që vërtitej në lëmin njëzet e tetëmijë kilometër katrorë dhe rraste në ferr, ç’haste para, i ndjenë mbi shpinë njerëzit e zakonshëm, gjer te anëtarët e paprekshëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së.
Pra, në falangat “armike”, rreshtuan edhe anëtarët e kastës dhe e shumuan numrin sa afër fundit, s’u mor vesh kush mbeti pa u përfshirë në këtë armatë!
Falangat e shtuara e impenjuan pushtetin të gjente mënyra shfrytëzimi, për këtë super-forcë. Ndaj çelën fronte të reja: galeritë e Spaçit, minierat e Qafë-Barit, etj., ku çuan të dënuarit me moshë të re.
Por puna në miniera ishte shumëfish e rëndë dhe ambientet dëmtuese, skllevërit po sëmureshin dhe binin topa-topa si pulat me flamë, spitali i burgut s’kishte më shtretër të lirë, varrezat u mbushën deng, vetëvrasjet u dyfishuan, rebelimi po rritej, si pasojë s’realizohej norma dhe s’plotësohej plani.
Por pushteti që e nisi me plane njëvjeçarë, dyvjeçarë, pesëvjeçarë, ani pse s’u realizuan kurrë, e përkthente mosrealizimin dështim dhe se toleronte. Kësisoj, për t’i shpëtuar falimentit dhe për të rritur rendimentin e skllevërve-kafshë-pune, shtuan “tagjinë”.
Këtu zë fill dieta e Spaçit, ku në ndryshim nga burgjet e tjerë, shtuan paksa normën.
Ndërkohë dieta e diferencuar vijonte. Ndarja në punëtorë dhe gjashtë-qindësh, që përbënin një minorancë të papërfillshme, sepse kush përfundonte i tillë, e transferonin gjetkë. Edhe vetë punëtorët i ndanin; në të sipërfaqes dhe sektorëve ndihmës, që përfitonin dietën e zakonshme, e minatorët që ishin përfituesit e dietës në fjalë.
Në nëntokë të binte bretku, s’ishte ndonjë privilegj i lakmueshëm, për shkak të kushteve ambientale, gati inferrnale që ta bënin jetën def. Sa fusje kokën në galeri, madje që në grykë, ndjehej një avull i zbardhëllemë me aromë myku, që edhe mes gushtit, notonte në ajër. Kur jashtë të asfiksonte thatësira, në grykën e minierës, të ndriste vesa mbi vetull. Pale në brendësi, ku të bluante igrasia dhe kur shtyheshe me thellë, të mbulonin avujt, kokë e këmbë.
Veç lagështisë, lipsej për t’u suportuar tymi i gazrave të dinamitit dhe karbitit, që i katandisnin të dënuarit astmatikë, qysh muajt e parë, i villnin vrer dhe bashkë me këlbazën, qitnin shtrepa gjaku. Këtë fenomen e hasje në çdo cep, sidomos te nevojtoret dhe çezmat, ku gjeje gëlbazë të verdhë, të zezë përzier me dregëza gjaku; domethënë silikati shkëmbit, acetileni dhe grimcat e tritolit, e kishin bitisur punën.
Përpos silikateve dhe gazrave helmues, të mësynin miliarda bacile e baktere vdekjeprurës, ku në organizmat pa imunitet të të dënuarve, gjenin parajsën, shumoheshin dhe iu brenin organet jetike, më pas emigronin te të tjerët, gjersa epidemia prekte gjithë kampin.
Puna në miniera, dëmtonte shëndetin mendor, kur hyje në vrima kujtoje se jetoje ditën e fundit. Ndaj urimi tipik nga përcjellësit: “Zoti t’ruajt”! dhe nga ai që përcillej: “Ma bëj hallall”, ishin dy shprehitë monotipe, që zbërthejnë dramën psikologjike, të minatorit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016