Nga Shpendi Topollaj
Pjesa e parë
Memorie.al / Kur simbolet e komunizmit, pas gjysmë shekulli kapardisje, u shembën, u bë një zhurmë aq e madhe, sa ne u zgjuam nga gjumi i thellë. Hapëm sytë, por jo të gjithë e besuam atë që kish ndodhur: shpesh njeriu, siç sheh disa ëndrra që i merr për të vërteta, ashtu sheh edhe disa të vërteta, që i merr për ëndrra. Për më tepër, nuk qenë të paktë ata që iu kundërvunë kësaj përmbysjeje historike, me demonstrime e, deri kërcënime. Për të kapërcyer këtë situatë, duhej durim e mençuri. Ishim vëllezër. E si të tillë e kishim detyrë intelektuale, morale e shpirtërore, që të denonconim demagogjinë e komunizmit dhe krimet e përbindshme të inkuizicionit të kuq. Natyrisht, që më të besueshëm ishin ata që kishin lënguar e vuajtur, burgjeve e internimeve. Heshtja, do të qe me të vërtetë, një mëkat i madh i tyre…!
KLITHMA NGA BURGU
-Për letërsinë e burgut –
Ata, siç thotë ish-i burgosuri i ndërgjegjes, At Zef Pllumi, kishin rrojtur për me tregue. Nisën të botohen shumë libra, kryesisht nga të persekutuarit e djeshëm. Të vërtetat rrëqethëse të përshkruara në faqet e tyre, po i ndërronin kursin letërsisë glorifikuese të realizmit socialist, – letërsia që kishte topitur mendjet e masave të gjera. Në këto kushte, ndjeva një detyrë qytetare; të organizoja së bashku me shokët e mi, prezantimin e tyre. Duke demaskuar krimet komuniste, ne kryenim detyrën tonë, ndaj demokracisë. Të gjitha reçencat e mia që munda t`i ruaj, vendosa t`i përmbledh në një libër më vete. Natyrisht, rruga e demokracisë është e gjatë dhe e vështirë, ajo kërkon ende përpjekje të ndershme prej të gjithëve. Rëndësi ka që me gjithë pengesat, shoqëria jonë ecën përpara. Mbrapa, s`ka më kthim.
Kjo ishte hyrja në librin tim të parë me kritika letrare; “Flakët e fjalës”, në vitin 1997, botim i Entit Botues “Rilindja”, për të cilin i ndjeri Prof. dr. Gjergj Zheji, shprehej se; “…libri me shkrimet që ka brenda, është një farë noviteti, mbasi autori sikur ka marrë përsipër, të na evidentojë vlerat, cilësitë dhe veçoritë e shumë veprave të shkruara në rrethana të vështira jete – në burgje, internime, etj., nga njerëz që për bindjet e tyre politike, kishin rënë nën goditjet e luftës klasore të monizmit, që kaq dëm i sollën vendit tonë, jo vetëm në anën ekonomike e shoqërore, por edhe atë artistike”.
Dhe më tej vazhdon: “Kjo përzgjedhje zbulon edhe një herë bindjen demokratike të autorit, i cili përpiqet të vërë në dukje thuajse në të gjitha shënimet e tij kritike, frymën demokratike të popullit, luftën e tij të pareshtur, për të realizuar zgjidhjen e problemit të madh kombëtar, në përmasat dhe mjetet demokratike të kohës sonë”. Pra, ky autoritet i letrave tona, theksonte zgjidhjen e problemit tonë kombëtar, pasi shumica e atyre që u ndëshkuan barbarisht, këtë kishin për kryefjalë. Dhe kjo detyrimisht që ishte e lidhur me lirinë e mendimit, shprehjes, besimit, lëvizjes, organizimit, apo ngritjen e zërit për përmirësimin e kushteve ekonomike të popullit. Të gjitha këto së bashku, përmblidheshin tek ajo që quhet Liri dhe që është gjëja më e shenjtë për njeriun. Shumëve prej tyre, kryesisht intelektualë, duke kërkuar pikërisht Lirinë, ua morën edhe atë pak që kishin.
Disa e paguan me jetë, të tjerë mundën të largohen nga atdheu i tyre dhe kushdo që pati guximin të hapte gojën ose edhe pse dikush kishte lidhje fisnore me ta, e pësoi mjaft keq; duke u degdisur internimeve, për vite e vite të tëra. Të diskriminuar, të përbuzur, të turpëruar, të strapacuar në punë nga më skllavëroret, pra mes një mjerimi të tejskajshëm, e kaluan jetën familje të tëra. Fëmijët e vegjël, u rritën dhe u bënë burra mes kësaj mizerje, pa as më të voglin faj. Nuk i lanë të shkollohen e përparojnë, ua prenë ëndrrat brutalisht, duke i quajtur e akuzuar si; “këlyshë të armikut”. Shumë vdiqën nga uria dhe mungesa e kujdesit shëndetësor. Gjithmonë të ndjekur nga syri vigjilent i policit injorant e, të pashpirt. E gjithë kjo, shërbente edhe si paralajmërim për të tjerët, të cilët, dashje pa dashje, u shndërruan në turmë e verbër hipokrite.
Demagogjisë, gënjeshtrave, propagandës dhe megalomanisë do t`i vinte se s`bën, fundi një ditë. Por ja ku dolën disa nga ata, për të cilët nobelisti, Aleksandër Sollzhenjicin, tek “Arkipelagu Gulak”, shprehet: “Por vetë ata, të cilët na kishin vënë prangat në duar, tashmë qetësisht ngrinin duart dhe thoshin: Nuk duhet…! Nuk duhet ngacmuar e kaluara…! Kush përmend të vjetrën… atij i duhet nxjerrë njëri sy”! Mirëpo fjala e urtë përfundon: “Atij që i harron… i duhen nxjerrë të dy”! Ju referova librit tim të parë, me kritika letrare, por ato pas më shumë se dy dekadave, janë bërë njëzeteshtatë të tilla, ku janë përfshirë plot shkrime të tjera, rreth librave që shkruan ata që kishin provuar tmerret e burgjeve komuniste dhe që të shumtat i kam mbajtur gjatë organizimit që kam bërë, për promovimin e tyre, kryesisht në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës e, qytete të tjera.
Po të shtojmë këtu edhe tregimet dhe novelat e shumta (pa llogaritur romanet si; “Lotët e Zambakut”, “Pushkatimi”, “Allamanët”, “Luani i kafazit”, “Mashturesi”, “Zhgënjimi i partizanit të Gramozit”, “Unë kam qenë në Mat`hauzen”, “Pajtimi” etj.), që kam shkruar e botuar nëpër libra e gazeta, me histori burgjesh, ku bije në sy guximi e trimëria e të burgosurve me emër, për të ruajtur bindjet dhe dinjitetin e tyre, më lindi mendimi që pasi t`i përzgjedh disa prej tyre, t`i botoj së bashku. Dhe e gjithë kjo vepër modeste, është jo vetëm një detyrim ndaj asaj që ngjau te ne, por edhe një nderim, për të gjithë ata që provuan llahtarin e atyre burgjeve dhe një respekt, për ata që i hodhën në letër, torturat e pashembullta trupore e shpirtërore.
Por besoj se është edhe një kujtesë për t`i shpërblyer sipas ligjit, ata për gjithësa hoqën apo, për t`u dhënë vendet e merituara në administratën tonë. Se është krejtësisht e pa justifikuar, kur sheh se ende ata, ose shpërfillen nga demokratët, ose largohen nga puna nga socialistët. Si për të vërtetuar karakterin burrëror të shqiptarëve, në vazhdimësi edhe nëpër burgje, kam përfshirë këtu edhe tregimin “Karafili”, i cili e ngre deri në madhështi, figurën e të burgosurit në kampet e përqendrimit të nazistëve, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ah, sikur edhe kinematografia jonë, ta pasqyronte rezistencën heroike të tyre…?!
MALLKIMI I NJË SHPIRTI TË PLAGOSUR
– “Libri i burgut” i Profesor Arshi Pipës –
Në kujtimet e tij për Dante Aligierin, Xhovani Bokaçio, për të treguar se sa i besueshëm qe bërë ai në Veronë, shkruan: “…sapo kalonte para një dere, ku po rrinin mjaft gra, njana prej tyre u tha grave të tjera, me za të ulët, por jo aq sa të mos dëgjohej mirë prej tij dhe prej atyre që ishin me të: shikoni atë që shkon në ferr, e kthehet kur i pëlqen dhe sjell këtu nalt të reja, nga ata që janë atje poshtë”.
E megjithatë, në qoftë se për një çast do të na sundonin ato trillet konfabulative të trurit e, s`do përfillnim si shekujt, ashtu edhe talentin gjenial të autorit të “Komedia Hyjnore” dhe me sytë e mendjes t`i drejtohemi Temidës, perëndeshës së Drejtësisë, për të gjykuar ajo, se kujt do t`i takonte privilegji për ta quajtur librin e tij “Ferri”, pa e tepruar, do të thonim se midis Dantes dhe Arshi Pipës, ajo do të preferonte këtë të fundit, pasi: Dantja vetëm e përfytyronte, kurse Arshiu, e përjetonte ferrin e vërtetë. Në ferrin e Dantes, hynin mëkatarët, pra ata që e meritonin, kurse në ferrin shqiptar, përplaseshin të pafajshmit, krimi i vetëm i të cilëve qe se e donin vendin etyre pa vargonj sllavo – komunistë.
Aq sa rrathët e ferrit, të nëntë kapitujt e këtij libri (që ndonëse poezi të veçanta janë të lidhura organikisht midis tyre, si pjesë e një të tëre, sa mund ta quajmë pa frikë roman në vargje), të habisin me forcën e pashembullt të autorit, i cili shkruan jo në mes të konfortit të studiove të ngrohta dhe plot dritë marramendëse, me penjuarin krahëve, por nga tmerret çnjerëzore të qelive të errëta mesjetare tërë lagështirë, ku të terrorizojnë orë e çast hapat e rënda të rojave, kërcitjet e shulave, era e djersës dhe e pisllëkut, pickimet e morrave dhe klithmat e lemerishme të shokëve që torturohen. Por muza e poetit është tekanjoze. “Frymëzimi – thotë Bodleri – vjen gjithmonë kur njeriu e do atë, por humbet ai jo gjithmonë, kur ai e dëshiron atë”!
Pikërisht për këtë Arshi Pipa, në fshehtësi, shkruan në copa letre cigaresh, poezi të cilave, u ka vënë detyrë që të spiritualizojnë faktet e hidhura, ku mbetet ndër mend; “Nemesis” (Nemesida – hyjnesha e Hakmarrjes), që me një fuqi të veçantë sugjestionuese, të pushton të tërin dhe të vë në mendime. Askund tjetër, përveçse pas hekuarave të trasha e të ndryshkura të burgut, nuk mund të shkruhet një mallkim i tillë, hamletian, me të cilin autori është marrë, që nga tetori i 1946 e, deri në 1948-ën. Ai edhe vetë e ndien këtë mundësi, ndaj i ndërgjegjshëm se po dëshmon për historinë, me atë vargun e tij monokolonë, përjashtim ky nga poezitë e tjera, pohon: “Ndër gropa burgjesh shkrye për gurë e baltë;/ mbërthye qelash ndër pranga/ nga gjoksi i shtypun shungullon ma e naltë/ kur del prej s`thelli kanga”.
Më shumë se kushdo, intelektuali, më shumë se çdo intelektual, artisti, e më shumë se çdo artist, ndofta poeti, është ai që e do deri në skutat më të imta, lirinë. Mirëpo: “Ata që deri dje mbajshin kapistra / teneqexhinj, shollarë / gjysmak të falimentuem e sot ministra / po thonë jemi atdhetarë”! Pikërisht, të tillë të ngritur deri në majat më të larta të pushtetit, që duke u shpallur se janë shërbëtorë të popullit, në të vërtetë, e shndërrojnë popullin në shërbëtorë të tyre, kujdesen së pari t`u japin bijve më të shquar të tij, nga një plumb mbas koke, t`i vënë në pranga apo, t`i internojnë. Qëllimi makiavelik është i qartë: të vënë në fre mendimin e lirë e, ta hedhin vallen makabre nën tingujt e “Internacionales” komuniste.
Dhe duke mos kursyer asgjë për të bindur të pabindurit, ata e dëmtuan Shqipërinë shumë më tepër se çdo armik: “Na shkulin thonjt me danë, ndër plagët krypë/ na këllasin e na shtyjnë n`gërmaz me grushta, e uj kur bajmë me lypë/ qeshin e na pështyjnë./ Na lagin dimnit qelat, elektrikun na venë ndër veshë e gojë/ e deri ndër turpe…!/ E qeshin tua na fikun cigaret n`sy për lojë”. Pastaj, me radhë. Me një rrjedhshmëri krejtësisht të besueshme, poeti rreshton varjet për shpatullash, hedhjen nga dritarje e deri varrimet pa gurë, pa shej, ku i kallnin e ku gratë e foshnjat, s`i lenë të vinë që të lotojnë, për të zbutur mallin. E parë kështu, poezia e Arshi Pipës, është një akt – akuzë, në mos juridike, të paktën morale, nga e cila dikush duhet të dridhet e, dikush kurrë të mos harrojë, se ato që shkruhen janë faqe e zezë, e një diktature të konfirmuar me gjak, me kocka e nder njerëzish.
Se ajo nuk është akuzë, e një njeriu të vetëm, por e mijëra e qindra mijëra të pafajshmëve, të cilët, tortura nuk i theu, por përkundrazi, zjarri i armikut, më keq ua ndez urrejtjen, dhe që marrin përmasa heronjsh mitologjikë, ku nga gjokset e mpakura, u del kushtrimi: “Dridhuni tiranë mbi frone e ju xhelatë/ qi vegla u bah` ni qorrë/ E zezë asht nata, por s`asht veç një natë/ Dielli i lirisë, t`i shporrë”. Zemra e poetit nga natyra nuk e do luftën. Ajo është e prirur nga e mira dhe dashuria, ajo shtanget dhe mrekullohet nga e bukura. Dhe këtë cilësi të zemrës së tij të ndjeshme, Arshi Pipa e manifeston edhe në burg, kur evokon vendlindjen e tij, Shkodrën e papërsëritshme, manin e oborrit, që si të qe njeri i drejtohet: “Ku jeni? Ju këndova fëmi qysh herët/ e nuk ju qes nga zemra për së gjalli/ Por sonte, o manda, veç për ju të tjerët/ m`ka lodhur malli”!
Në burg – kalanë e Gjirokastrës, e gjen kohën të himnizojë bëmat e heronjve popullorë; Shemo Hajduti e Kupe Danja. Dhe atje në vetminë e burgut të Burrelit, me rrahje zemre, ai shkruan elegji për maçokun besnik, që vdes pas të zotit nga hidhërimi, për miun që kur ishin të vegjël e, digjnin me vajguri, duke brohoritur dhe që tani duke pranuar të vetmin faj të jetës, lutet: Falmë o zot / Atë po vuaj sot. Dhe nuk harron t`i këndojë, deri asaj brushës që i pat sjellë peshqesh, dikur të ëmës. Prandaj do të qe jashtë llogjike, krejt e papranueshme dhe aspak njerëzore në qoftëse, do të keqinterpretohen vargjet që pasojnë: “Zhgule zemrën nga gjoksi e ven n`at vorr/ nji gur kur gdhen për urdhën: Hakmarrje!/ Se kur bahet shpirti qorr/ zemra bahet e shurdhën”!
Poeti kur thotë se pati një lumë dashurie, ka të drejtë të ketë grumbulluar një det urrejtjeje: “Buçit o lumë, shkreptini qiej shqote/ O gjuhë, ti banu shpatë/ Si namë poeti sot, asht nama jote/ E çdo fjalë asht mandate”. Me guxim të theksuar qytetar, poeti që me intuitën e tij e ka kuptuar në gjen të keqen, gdhend në obeliskun e veprës së tij këto fjalë të vlefshme për çdo popull e çdo kohë: “O Kombe të qytetënueme/ n`fjalorët tuej/ le t`shkruhet për amshim/ n`daç komunist/ n`daç kriminel ti thuej:/ dy fjalë e një kuptim”.
Arshi Pipa, duke qenë njëkohësisht edhe filozof e di fare mirë se nga goja, pra nga mallkimi nuk vjen e keqja. Veç gjithashtu, patjetër e di se dikur Servantesi, ashtu si me shaka, thoshte një të vërtetë të madhe se: “Për çdo derr, do të vijë dita e vet e Shën Martinit”. Pikërisht për këtë, ai në fund të mallkimit që do të ish i denjë, për ato deklamimet vibruese e zhbiruese të Aleksandër Moisiut, është figurativ kur shkruan: “Shueji, por jo me mort qi vuejtjen shuen/ dhe shpirti paqe i jep/ Mundoji, deh, ma parë si na munduen/ lej gjallë e për gazep”. E më tej… “T`ua shëtisin krenat nëpër botë/ e aty me porosi/ xënësit t`i bjerë mësuesi e le t`u thotë:/ shifni bishën njeri”.
Realisht, mallkimi është një mallkim për komunizmin e aspak për individë, siç është një dëshirë për njerëzimin e jo për vete, gjë që saktësohet edhe më pas te “Balada e amshimit”, ku ai shprehet: “O Perëndi, të kesh mëshirë/ për gjithë ata qi lypin ndjesë”! Mirëpo, mëkatarët satanikë shqiptarë, janë më të liq se ata personazhet negativë të Piter Vajsit te “Hetimi”, si doktor Kapezius i cili, i akuzuar për përdorim të gazit vdekjeprurës “Cikloni B”, thoshte: “Mesa duket dëshmitari, është viktimë e një vet mashtrimi”.
E në qoftë tamam kështu, fajtorëve e pinjollëve të tyre, poezia e Arshi Pipës, u çon një mesazh njerëzor: “Zotërinj! Meqenëse ju, gjatë natës së gjatë të dimrit tuaj, nuk deshët kurrë të na e thonit, po jua përsërisim ne; veç dijeni se kjo nuk është dobësi, por forcë e fisnikëri: “Asnji të mos harrojë se asht njeri:/ ju le nuk keni për t`gjallue si shtasë/ po për të ndjek virtyt e dituni”. (Dante Aligieri)
HOMAZH ATYRE QË GUXUAN TË NDESHEN ME TË KEQEN
-Rreth librit “Ridënimi”, i Fatos Lubonjës-
Libra si “Ridënimi”, i autorit Fatos Lubonja, kanë vlera të pallogaritshme historike, por dhe artistike. Se nuk ka art më të madh se pasqyrimi besnik i së vërtetës, i asaj të vërtete që duket objektivisht dhe i asaj që subjektivisht, ndihet nga mendja dhe shpirti ynë. Kurrë, nuk arritëm t`i japim një përgjigje të saktë, se; si dreqin jemi gatuar ne njerëzit?! Si është e mundur të gjenden mes nesh, në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend, në të njëjtat rrethana, e pse jo, dhe me të njëjtin gjak, njerëz kaq të mirë e, kaq të liq, kaq të zgjuar e, kaq idiotë, kaq të kulturuar e, kaq injorantë, kaq humanë e, kaq përbindësha, kaq besnikë e, kaq spiunë, kaq modestë e, kaq mburravecë, kaq të drejtë e, kaq hileqarë, kaq trima e, kaq frikacakë, kaq largpamës e, kaq dritëshkurtër, kaq të sinqertë e, kaq hipokritë, kaq tolerantë e, kaq hakmarrës, kaq të përkushtuar e, kaq karrieristë?!
Shfleton “Ridënimi” – n dhe të mundon një dyshim i madh; mos vallë, më të theksuara, më të dukshme e, më të prekshme se çdo popull tjetër, i kemi këto ekstreme, ne shqiptarët?! Mos vallë; ky ka qenë shkaku, që ne kemi vuajtur kaq shumë? Mos vallë (O Zot…!), për hir të kësaj, do ta pësojmë edhe në të ardhmen?! Vazhdimisht e vazhdimisht, deri në pafundësi, se pa tjetër e keni konstatuar, se e kemi shumë të vështirë që të gjejmë nga dy rrugë, një të mesme: o të duam me budallallëk, o të urrejmë me budallallëk. Kujtoni miqësitë e “pathyeshme”, me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik, apo Kinën, dashurinë për udhëheqësit e tyre dhe pastaj krejt papritmas, urrejtjen për vdekje ndaj këtyre armiqve të Shqipërisë, politikë kjo, refleks i tërë psikologjisë bardhë e zi të këtij populli, nga e cila dilte i humbur po ai.
Turp është ta pohosh, por jo rrallë, shqiptarit i ka ardhur e keqja po nga shqiptari. Më shumë se asnjëherë tjetër, kjo ngjau, madje me përmasa tepër tragjike e të dhimbshme, në epokën e “ndritur” të socializmit despotik enverian, kur gjoja me parime leniniste – staliniste, u shfrytëzua për interest dhe synimet e diktaturës, kjo mangësi e jona. Qëndrimi në fron për një kohë aq të gjatë i një bizantini, i kushtoi shumë Shqipërisë: njeriu u bë fanatik, i verbër dhe kafshë e bindur, sa të dukej se nga ne, e kishte marrë temën “Marshi i viçave” edhe Bertohl Breht, kur shkruante: “Dhe viçat pas daulles/ e hedhin çapin/ Lëkurën për daullen/ vetë e japin”!
.Në këtë mjedis i ka vendosur ngjarjet autori Fatos Lubonja. Madje, atje ku ato lulëzojnë më shumë se kudo, në burg, pra në atë vend ku karakteret, flakin tutje çdo mbulesë. Duke iu referuar dëshmitarëve okularë, që ende sot janë gjallë (pasi bëhet fjalë për ngjarje të pas viteve `75). Duke qenë vetë present, në tërë skenat që trajton dhe duke u mbështetur në dokumente të nxjerra nga dosjet gjyqësore, për të vërtetat që përshkruan, ai nuk ka përse t`i kërkojë askujt të falur, me përjashtim, siç thotë vetë, të; “Atyre bashkëvuajtësve të përmendur, që ngjarjet e përshkruara në libër, i kujtojnë me brengë…”! Fatos Lubonja, nuk thërret në ndihmë fantazinë, atij i mjafton kujtesa. Ai riprodhon atë çka përjetoi vetë. Madje, as që tenton të japë opinione. Ato i nxjer vetë lexuesi.
Se në qoftë se dikush qe; hafije, shpifës apo dëshmitar i rremë, në qoftëse operativi i Sigurimit, hetuesi, prokurori apo gjyqtari, qenë intrigantë, servilë e mizorë, nuk është faji i shkrimtarit. Nuk jemi te “Proçesi” i Kafkës. Fatos Lubonja, do të kishte bërë një gabim të pafalshëm, në qoftë se do t`i ruante ata, duke mos ua nxjerrë emrat, duke i lënë anonimë, a duke ua zbutur e justifikuar qëndrimet ndaj të pandehurve, apo të dënuarve. I tillë, ky libër nuk do të kishte asnjë vlerë, ashtu sikurse, do të kishim vetëm fjalë, po qe se nuk do të na jepte emrat e atyre që vuajtën, qëndruan apo u pushkatuan. Në Shqipëri, shtetasit dënoheshin si pa gjë të keq, jo vetëm kur gabonin, por hanin me lehtësinë më të madhe, 10 – 20 – 30 vjet burg edhe kur shfaqnin një mendim të vetëm kundra, apo edhe kur dyshoheshin si të tillë.
Duke hedhur në letër ato krime, që u kryen nga diktatura në Shqipëri, ai që shkruan, materialisht nuk ka asnjë përfitim, kurse moralisht, e tregon se është njeri i idealeve të pastra demokratike, se kryen kështu detyrën qytetare, për t`i treguar brezave ku ishim, për t`u thënë atyre nga s`duhet kaluar, por dhe për t`u ngritur përmendore, trimave që guxuan të nxirrnin shpatën e fjalës së lirë, të mendimit të përparuar, duke dëshmuar kështu në mënyrë të pakundërshtueshme, se ata nuk ishin personazhe që u vishnin bëma sipas dëshirës, por, heronj të vërtetë, që sakrifikuan të ritë e tyre, shpesh edhe jetën, në një kohë kur shumë të tjerë, u tulatën, brohoritën, duartrokitën apo dhe u bënë kërbaçi i diktaturës. Duke dëshmuar kështu për historinë, Lubonja i bën vendit një shërbim të paçmuar, se jo më kot, Patrik Henri, thoshte; “nuk di tjetër mënyrë gjykimi, për të ardhmen, veç në bazë të së kaluarës”.
Shqipëria ishte vendi, që mençurinë, kulturën e pavarësinë në mendime, do t`i paguajë shumë shtrenjtë. Asgjë nuk fitohej prej tyre, veç humbisje. Humbiste kështu dhe vetë atdheu. Ti mendoje se për ato, vendi kish nevojë dhe as që të shkonte ndërmend se, ish e mjaftueshme që vetë njëra të të çonte në një fshat të thellë, dy në qeli dhe të treja së bashku, në varr. Dhe e gjithë kjo, nga sëmundja e përhershme, dhe mesa duket, e pashërueshme e sundimtarëve që siç thotë Cvajgu “preferojnë të mbajnë larg vetes njerëzit tmerrësisht të zgjuar, tmerrësisht të aftë, ata preferojnë t`i lënë në hije këta njerëz, kur shikojnë se ç`forca fshihen te ta”. Pse ka qenë gjithmonë kështu, ndaj dhe Sen Zhysti shkruante se: “Të gjitha artet kanë dhënë fryte të mrekullueshme, vetëm arti i sundimit që në krye të herës, krijon përbindësha”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016