Nga Fatbardha Mulleti Saraçi
Memorie.al / Nurfezo apo siç njihej ndryshe Nurfo, ishte një vajzë nga familja Koka e Delvinës, e cila ishte martuar në Korçë me Sami Koprenckën, djali i Xhelal Koprenckës, (me origjinë nga fshati i Skraparit prej nga ata kishin trashëguar dhe mbiemrin) që kishte marrë pjesë në ngritjen e Flamurit në 1912-ën në Vlorë, duke qenë një ndër firmëtarët e aktit të Pavarësisë. Samiu ishte nolist dhe ai u zgjodh deputet në moshën 19 vjeçare, në Parlamentin e parë të Shqipërisë që çeli punimet në prillin e vitit 1921. Ndërsa në periudhën 1939-’41, ai ishte me detyrë nën/Prefekt, në disa rrethe të vendit.
Nurfezo me Samiun ishin një familje e lumtur, por mbas vitit 1944, me ardhjen e komunistëve në pushtet, të gjithë pjesëtarët e saj do të pësonin vuajtje e dhimbje të shumta. Në vitin 1946 arrestojnë babain, Samiun, duke e akuzuar për aktivitet anti-komunist dhe e dënojnë me pushkatim. Pasi e morën nga qelia e burgut dhe po e dërgonin për ta ekzekutuar, në momentin e fundit, e ulën nga makina, ia falën jetën dhe i’a kthyen dënimin, me burgim të përjetshëm. Ndërsa pjesëtarët e familjes Koprencka, i nxorën natën nga shtëpia, vetëm me rrobat e trupi dhe atyre iu grabit çdo gjë që kishin në shtëpinë e tyre.
Zonja Nurfo e ndoqi burrin saj nëpër burgje e ngarkuar me trastat me ushqime, por në vitin 1947, e arrestojnë dhe pasi e mbajtën disa kohë në qeli, e nxjerrin në gjyq duke e akuzuar, për agjitacion e propaganda dhe e dënuan me katër vjet heqje lirie. Pas kësaj, fëmijët mbetën vetëm, pasi Samiu me Nurfon ishin ne burg. Duke qenë pa kujdesin prindëror e në kushte të mjerueshme jetese, vajza e tyre, Lilja u sëmur rëndë dhe atë e shtruan në Sanatorium në Shkodër, ndërsa djali, Xhelali, mbeti vetëm në moshën 12 vjeçare dhe ngrysej e gdhihej lulishteve të qytetit.
Duke u endur rrugë si jetim (por me prindërit gjallë), Xhelali i vogël pa me sytë e tij vendet ku ekzekutoheshin “armiqtë e popullit” si dhe ndiqte gjyqet e shihte si dënoheshin njerëzit. Çdo moment, fëmija provonte dhimbje të mëdha në shpirtin e tij dhe pas ca kohësh atë e mori halla e tij, Zengjine Begolli, në familjen e saj në Tiranë, por trajtimi i tij, në shkollë ishte shumë i keq, e godisnin, e fusnin në ujë, e shanin “djali i armiqve të popullit”, duke ia bërë të padurueshme periudhën që ai kalonte në shkollë.
Pasi plotësoi dënimin dhe doli nga burgu, zonja Nurfo shkoi të takonte të shoqin, Samiun, në burgun e Burrelit, duke marrë me vete edhe të birin, Xhelalin. Por kur u afruan te dhoma e takimeve, Samiu i habitur e pyeti gruan e tij: I kujt është ky fëmijë? Ajo në moment u shkri në vaj dhe qante me dënesë, pasi babai nuk e njohu të birin!
Kjo vuajtje e nënë Nurfos, që e ndiqte burrin e saj, në burgun e Burrelit, s’do të ishte asgjë në krahasim me ato që do të provonte kjo zonjë fisnike, se çfarë i kishte rezervuar e ardhmja…?
Ndërsa regjimi komunist i Enver Hoxhës vazhdonte pa pushim luftën e klasave, nga e cila nuk vuanin vetëm të burgosurit politikë, por të gjithë pjesëtarët e familjes, gjë e cila bënte që edhe fëmijët e vegjël t’i ndiqte kudo lufta e egër e diskriminimit klasor, që kishte projektuar ai regjim, që me ardhjen e tij në pushtet në nëntorin e ’44-ës.
Kështu u veprua dhe me Xhelalin, djalin e kësaj familjeje të nderuar e me tradita patriotike, i cili sa më shumë rritej, aq më shumë shtohej për të, kalvari i vuajtjeve. Ndërsa familja Koprencka jetonte në Shkodër, mbasi ata i kishin dëbuar nga qyteti i tyre, Sigurimi i Shtetit ndiqte dhe survejonte në çdo hap Xhelalin, ashtu siç ndodhte pothuaj me të gjithë pjesëtarët e familjeve të deklasuara, siç i etiketonte regjimi komunist, kundërshtarët e tyre politikë.
Kështu më 30 dhjetor 1957, vetëm pak kohë pas “Kundër-Revolucionit hungarez”, regjimi komunist me anë të organeve të saj të Diktaturës së Proletariatit, (Ministria e Brendshme, Sigurimi i Shtetit, Hetuesia, Prokuroria etj), filluan një valë arrestimesh, ndaj së cilës nuk mund të shpëtonte as Xhelal Koprencka!?
Xhelali në hetuesinë e Shkodrës në vitin 1957
I akuzuar për tentativë arratisje, gjatë procesit hetimor në hetuesinë e Shkodrës, hetuesi e pyet:
– I pandehur, a e pranon akuzën që gjatë vitit 1957 keni bërë përpjekje të arratiseni jashtë shtetit?
Xhelali: – Jo, nuk e pranoj, nuk kam dashur të iki. Nuk e di pse jam arrestuar!
Hetuesi: -Ti, Xhelal, je arrestuar, sepse ke pasur mendimin të arratisesh jashtë….!
Edhe pse Xhelali nuk pranoi asgjë në hetuesi, pasi akuza dhe procesi ishin tërësisht i montuar, Gjykata Ushtarake e dënoi Xhelalin, me dhjetë vjet burg, me motivacionin absurd: “Ke menduar të arratisesh jashtë shtetit”.
Pas kësaj, nënë Nurfos iu shtua dhe burgu i të birit, e cila me torba në krah, merrte rrugët në këmbë, duke shkuar sa tek i shoqi në burgun e Burrelit, aq dhe tek i biri në burgje dhe në kampet e punës, si Spaçi etj. Ecte e ecte plaka e shkretë, me trastat dyfish të ngarkuara, me shpresën se do të vinte një ditë e mirë, një ditë ku do të mbaronin vuajtjet e saj…! Por nuk ishte e thënë që për të, të vinte ajo ditë, madje situata u keqësua aq shumë, sa nëna Nurfo, do të provonte dhimbje të tjera që nuk i kishte menduar ndonjëherë. Kjo ndodhi pasi djalin e saj të dashur, Xhelalin, s’do ta lejonin të dilte më nga burgu komunist…!
Teksa vuante dënimin në kampin e Borshit të Sarandës, ku Xhelali njihej si intelektual dhe përkthyes i talentuar, atë e arrestojnë dhe pas një gjyqi të montuar të zhvilluar më 25 mars 1967, e ri dënojnë me njëzet vjet, heqje lirie e për shumë kohë e mbajtën të izoluar. Por s’ishte e thënë që nëna Nurfo, ta takonte të birin në liri, pasi Xhelalin e arrestojnë për të tretën herë, me 21 nëntor 1967, kur ishte në kampin-burg të Ballshit. Pas kësaj ai provoi izolimet në biruca, keqtrajtimet, duke u akuzuar se “ka konsumuar krimin e agjitacion-propagandës”!
E ri dënojnë për herë të katërt, duke e akuzuar se bashkë me të burgosurin tjetër politik, Veiz Çela, bashkëvuajtës i tij, i kishin dërguar një letër dy bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enver Hoxhës, sekretarëve të komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alisë e Hysni Kapos, ku me anë të asaj letre, u kërkonin atyre, që të bënin diçka të mirë për Shqipërinë. Si rezultat i asaj letre, Xhelalin e dënojnë përsëri me dhjetë vjet heqje lirie.
Dënimi i pestë për Xhelalin, erdhi gjatë kohës që ai vuante dënimin në burgun e Spaçit, ku në datat 21-22 dhe 23 maj 1973, ndodhi ‘Revolta e Spaçit’- Mirditë. Pas kësaj, së bashku me një grup shumë të madh të dënuarish, që kishin qenë në ballë të asaj revolte dhe organizatorët kryesorë të saj, e nxjerrin në gjyq dhe e dënojnë si “armik i tërbuar i shtetit të diktaturës së proletariatit, që ka bashkuar rreth vetes armiqtë e pushtetit popullor e do kthimin e kapitalizmit”.
Pas kësaj ngjarjeje, nëna e shkretë Nurfo, tashmë e mplakur e veshur e tëra në të zeza, zvogëluar nga hallet, u dërgon një letër organeve kompetente…! Ishte një lutje e shkruar nga një zemër nëne, e cila u kërkonte që t’ia lironin të birin, djalin e saj të vetëm, dritën e saj, që ishte jeta e saj. Por për këtë veprim, nënë Nurfon e moshuar, e hoqën nga qyteti i Shkodrës dhe e internuan në fshatin Hajmel.
Kishin kaluar 30 vjet dhe nëna Nurfo vazhdonte udhëtimet e saj drejt burgjeve dhe kampeve të punës, kudo ku ndodhej i biri, e ngarkuar me trastat me ushqime e veshmbathje, por dhe me ilaçe, se tashmë të birin e kishte të sëmurë. Por teksa priste që të birit t’ia ulin ndonjë vit dënimin dhe ai të lirohej, ndodhi ri dënimi tjetër i Xhelalit…!
Është 9 maj i vitit 1979. Gjykata e Lartë e Republikës Popullore Socialiste te Shqipërisë, e ri dënon përsëri Xhelal Koprenckën, pasi ai kishte dërguar një letër Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë, Enver Hoxhës. Në atë letër, i tërhiqte vëmendjen diktatorit komunist, mbi gjendjen e mjerueshme, ku e kishte katandisur vendin tone, klika e kuqe, pasi vendi ishte zhytur në një mjerim të pashembullt. Dhe në përfundim të asaj letre, Xhelali i bënte të ditur udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, se: për tradhtinë, krimet dhe mizerjen, ai ose pasardhësit e tij, do të jepnin llogari një ditë.
Pas kësaj, përgjigjja do të vinte me një cinizëm djallëzor, me rrebesh arrestimesh e reprezaljesh. Xhelalin e lidhën me pranga, aq sa duart iu nxinë nga shtrëngimi i tyre. E dënuan për herë të pestë me dhjetë vjet burg. Mirëpo kjo, duket se nuk e kënaqi organet kompetente dhe udhëheqjen e lartë, pasi ai proces u anullua dhe me “urdhër nga lart”, Xhelali u akuzua për tradhti të lartë, pasi: kishte formuar një qeveri në burg dhe me këtë kishte rrezikuar “Pushtetin Popullor”.
Ja si e kujton Lilija, motra e Xhelalit atë ngjarje të rëndë për Xhelalin dhe familjen e tyre:
– “Shkova në Spaç e ngarkuar me çantat me ushqime dhe ilaçe. Kuptohet, udhëtova në grup, me gra dhe motra të tjera shkodrane, bashkëvuajtëse si unë. Prita e prita, të gjithave ua pranuan ushqimet, ndërsa mua, në fund më thanë: – Nuk e ke këtu vëllain, ik, merri me vete ushqimet. Po errej. U ktheva në Shkodër e dëshpëruar. Të nesërmen, nënë Nurfo mori me vete të mbesën Mimozën dhe u nis për në Tiranë. Shkoi tek Prokurori i Përgjithshëm, Aranit Çela.
E pyeti nëna e shkretë: – Ku e kam djalin?
Ai iu përgjigj: – Ai është armik i betuar i Pushtetit Popullor, e kemi dënuar me pushkatim. Në këto momente, Mimoza filloi të qante, por nëna Nurfo i tha: – Mos i jep kënaqësi, mos qaj, se gëzohen…! Kur doli nga zyra, nëna e shkretë i bëri pyetje vetes: “Mos gënjen ky?”
S’mund ta mendonte nëna e gjorë, se si dënohej djali në burg! Kthehet në Shkodër dhe të nesërmen, niset përsëri për në Tiranë. Një oficer i ri u tregua i sjellshëm me plakën e vogël, të veshur në të zeza, që ishte bërë sa një grusht. Ai i tha: – E kanë falur e kanë dërguar në Burrel, por më parë duhet të marrësh një leje në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër. Kthehet mamaja e lumtur, se mendonte që ia kishin falur të birin.
M’u duk e çuditshme, – tregon Lilija, – pse duhej leja nga Shkodra? Atëherë shkova vetë në Degën e Punëve të Brendshme. Oficeri i ri s’po mund të më tregonte, më tha:
– Dërgo vëllain, ose eja dhe me motrën.
– Jo, – i thashë – s’kam vëlla tjetër, as motër. Ai oficeri i ri me zor më tha:
– Bëhu e fortë se vëllain e kanë pushkatuar me 29 maj 1979.
– Mua m’u errën sytë, m’u prenë këmbët, rashë në gjunjë, s’isha në gjendje të ecja. Si do të shkoja tek mamaja? Po t’ia tregoja, ajo do të vdiste nga dëshpërimi, ishte në moshën 83 vjeçare. Atëherë m’u desh të sajoja tjetër gjë:
-Mama, Xhelali është arratisur me disa oficerë. Zemra e ime e copëtuar, sytë e mi lotonin, nëna s’kuptonte pse qaja aq shumë, por zemra e saj shpresonte tek jeta. Tetë vjet e luajta këtë komedi me mamanë e gjorë, s’i tregova gjë, por dhe njerëzit që e rrethonin, të gjithë shkodranët e dinin, por asaj nënës nuk ia treguan, asnjë…”!
Kështu e përfundoi rrëfimin e saj Lilija dhe sytë e saj ende lotonin për të vëllain e vetëm, që humbi jetën në burgjet komuniste. E ekzekutuan Xhelal Koprenckën, bashkë me Fadil Kokomanin e Vangjel Lezhon, dy intelektualë të njohur, që ishin diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik. I ekzekutuan bashkë dhe futën në një gropë, e cila s’do të gjendej kurrë…! Pas ekzekutimit, i fotografuan të katërt dhe fotot e tyre të shumëfishuara, komanda e kampit të Spaçit, ua tregonte të dënuarave të tjerë, për të mbjell terror tek ta, duke u lënë të kuptonin se: kështu do ta pësonin të gjitha ata që guxonin të shanin Partinë dhe Komandantin…!
Ndërsa i biri tretej në dhe, nëna Nurfo qëndronte me shpresë dhe në pritje që ai të lirohej nga burgu, shkruante vargje:
“Xhelal i mamasë
Yll i shënuar,
Një letër mamasë
pse nuk i ke dërguar?
Kjo mamaja jote shumë e pikëlluar
kur shoh shokët tuaj
me foshnje nëpër duar,
Bela për të tjerët
ti më ke lëshuar…”!
Shkruante e shkruante vargje nëna plakë, deri sa mbylli sytë përgjithmonë në 1985-ën pa mundur të shikonte të birin e saj të liruar nga burgu, i cili tretej në nëntokën shqiptare, diku varrhumbur në djerrinat e Spaçit, si shumë e shumë të tjerë në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, e cila “ndërtonte socializmin me forcat e veta, duke qenë fanar ndriçues në Europë”.
Në kujtesën e bashkëvuajtësve dhe të njerëzve që e njohën nga afër, Xhelali i imët e shtatshkurtër, mbeti madhështor, pasi ishte shpirti i tij që nëpërmjet syve të tij të shkruar, rrezatonte forcë e vullnet, qenia e tij mbeti e lirë dhe pse ishte i prangosur, liria ishte pjesë e jetës së tij, për të s’kishte kuptim të jetoje pa lirinë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016