Nga Sulo Gozhina
Pjesa e parë
– “Nga fisi ynë, kemi 3 të pushkatuar, 3 të vdekur në burgje, 13 të dënuar me 249 vjet burg, vetëm se ishim të pasur dhe me ‘Ballin Kombëtar’”-
Memorie.al / “Kemi qenë familje e madhe me 36 anëtarë, para vitit 1945, duke iu bashkangjitur edhe familjeve të tjera të mëdha të atyre viteve, ku familjet e pasura dhe të mesme në sarajet e tyre arrinin të organizonin jetën në grup-familje e shoqëri. Babai im kishte tetë djem dhe dy vajza, pra ishim 10 fëmijë, që së bashku me djemtë e xhaxhait dhe kushërinj të tjerë të parë e të dytë, ishim rritur së bashkë dhe që punonim në arë dhe kudo që e kërkonte puna. Edhe pse ishim fëmijë, askush nuk rrinte pa punë, dikush punonte në arë, dikush me bagëti, dikush në shkollë, edhe pse këto të fundit ishin të pakta. Babai im, Tahiri, ka pasur prona, që e ka vënë me djersën e ballit, por shumicën e kësaj prone, e ka pasur të trashëguar nga babai i tij, pra nga gjyshi im. Ka trashëguar një sipërfaqe prej 670 dynymë tokë, si dhe mbi 260 rrënjë ullinj, rreth 300 dynymë kullota e, qindra pemë frutore, si: shegë, mollë, kumbulla, fiq etj.”
Këto ishin fjalët e para të Murat Protoduarit, 85-vjeçarit që për shumë vjet ka kaluar në kurrizin e tij, një pjesë të konsiderueshme të vuajtjeve, vuajtje që kanë lënë shenjat e veta tek ai, familja dhe fisi i tij. Murati ka vuajtur 12 vjet burg politik dhe i ka shpëtuar në fill një pushkatimi pa gjyq, në mesnatën e muajit korrik në fillim të viteve 1980-të, vetëm e vetëm pse ishte vëllai i një ballisti, djali i një nacionalisti, nip i një patrioti nga një familje me orgjinë nacionaliste dhe pse vinte nga një familje e pasur, asgjë më shumë.
Që në fillim të dëshmive të tij, Murat Protoduari thoshte haptazi, se asnjë njeri nga familja e fisi i tij, nuk i kanë lyer duart me gjak, nuk kanë qenë spiunë, por kanë qenë bukëdhënës, dashamirës dhe njerëz patriot.
“Familja jonë e madhe, – vazhdon dëshminë e tij Murati, – merrej edhe me blegtori. Ne kishim një kope prej më shumë se 500 krerë bagëti të imëta (dele), 20 krerë lopë e buallica, disa pendë qe, dy apo tri kafshë ngarkese, si dhe dy kuaj për revan, ndërsa nuk kishim lënë pas edhe tregtinë, që prindërit tanë e bënin në qytetin e Lushnjës, Kavajës, Fierit dhe në kasabanë e Beratit e të Vlorës. Në këto qytete, njerëzit e fisit tim tregtonin prodhimet bujqësore dhe blegtorale, si dhe prodhimet nga pemët frutore, ulliri, rrushi, etj.
Ishim një familje e pasur, pasuri të cilën e kishim vënë me punë e djersë, ndër breza, duke akumuluar nga viti në vit, djalë pas djali dhe bir pas biri, pasuri të trashëguar, duke akumuluar djersën e, duke punuar deri në 18 orë në ditë, së bashku me bujqit tanë (hyzmeqarët), që i trajtonim si familjarët tanë. Për të përballuar gjithë këto punë në bujqësi e blegtori, kishim marrë punëtorë krahu, çoban dhensh, bujq are, pendarë, tregtar, etj.
Familja jonë e madhe, kishte edhe familje bujqish, por jo me kuptimin e keq, pasi gjyshi dhe babai, i trajtonte këta njerëz njëlloj si familjet e tjera të fshatit, madje gjyshi dhe më pas babai i bënë pronarë duke u dhuruar një pronë, shtëpi dhe disa krerë bagëti të imëta. Pasurinë, që babai dinte ta administronte mirë, e kishte trashëgim nga babai e gjyshi i tij, por edhe nga stërgjyshi im, pasi familja jonë ose më mirë të them fisi ynë, ka mbi 250 vjet që banon ende në ato truaje, që banojmë edhe sot.
Stërgjyshi im ishte patriot dhe një njeri me shumë popullaritet në krahinën e mesit të urave. Në aspektin politik, babai im ka qenë një nacionalist i flakët dhe shtëpia jonë ka qenë qendër, ku shpeshherë para vitit 1945, mblidheshin eksponentët e “Ballit Kombëtar”, të Myzeqesë dhe të Mallakastrës, si; Xhemal Dyli, Veli Malasi, Myrto Malasi, Jakup Salçi, Kadri Cakrani, Hysen Hekali, etj.
Megjithëse shtëpia jonë kishte luajtur një rol të madh në luftën kundër okupatorit, ku vëllai im, Aliu, dhe xhaxhai, Sakoja, kanë marrë pjesë me armë në dorë në luftë kundër okupatorit, madje vëllai ishte i inkuadruar në radhët e çetave të Ballit Kombëtar, ndërsa xhaxhai në radhët e çetës partizane deri në çlirimin e vendit.
Askush nuk e mendonte se patjetër duhet të ishe i inkuadruar me çetat partizane, për të luftuar kundër okupatorit nazifashist, pasi edhe çetat e “Ballit Kombëtar”, të njëjtën gjë bënin, edhe ata luftoni kundër okupatorit. Unë sot mundet të them se një nga këto luftëra, ka qenë ajo e Gjormit e, disa të tjera, që historia e 50 vjetëve të diktaturës komuniste, i ka përbuzur apo lënë në harresë, ndërsa në këta dy dekada e sa pas rënies së komunizmit, ende nuk po bëhen ndryshimet në histori, që ndoshta është edhe e qëllimshme, apo e pavëmendshme për të reaguar.
Pa dashur të fyej kurrkënd, ndryshimet në histori, duhet të marrin një kthesë, më herët se para viti 1945, pra sipas meje, ndryshimet duhet të fillojnë pas vitit 1912, ku dhjetëra e qindra patriotëve, u është mohuar aktiviteti i tyre patriotik, ashtu si dhe të parëve të fisit tim. Me këtë rast mund të përmend një nga miqtë e gjyshit tim, Lef Nosin, nga Elbasani.
Edhe pse ishim familje që vinim nga një fis i madh, edhe sot e kësaj dite, jemi mbi 75 familje, që variojmë nga kushëri i parë e, deri tek i gjashtë dhe gjithmonë kemi parë punën tonë, askush nuk mundi të na jepte atë që na takonte, qoftë në moralin tonë, që kanë dashur ta nëpërkëmbin në vitet komuniste, por edhe në shpronësimin që na kanë bërë dhe që ende nuk kanë mundur të na i kthejnë edhe në mall e tokë, por edhe në shpërblimin e në rehabilitimin moral, si dhe në shpërblimin e viteve që na kanë mbajtur e dënuar dhe shkatërruar në burgjet politike. Në këtë karvan të vuajtjeve, nuk mundet të lë papërmendur kalvarin e vuajtjeve të mia dhe të familjes dhe fisit tim, gjatë gjithë periudhës komuniste.
Por le t’i kthehemi mbarimit të luftës dhe çlirimit të vendit tonë. Çlirimit të vendit, iu gëzuam shumë, pasi fisi ynë jetonte në fshatin Poshnjë dhe ishte i vendosur me shtëpi në krah të djathtë të rrugës, kur shkon për në qytetin e Beratit, pra në buzë të rrugës nacionale, Berat-Lushnjë dhe se frika nga sulmet e goditjet e djegiet nga pushtuesit, kanë qenë të pranishme dhe se ne si fis, ishim gjithmonë në qendër të këtyre goditjeve, ndaj për t’i shpëtuar këtyre, disa herë jemi detyruar të largohemi nga shtëpitë tona dhe të fshihemi në pyjet pronë tonat, në krye të fshatit si dhe të largojmë fëmijët në fshatrat më të thella të Shpiragut, te miqtë tanë. Në këtë lëvizje, kemi pësuar shumë dëme në bagëti e bujqësi, në të mbjella dhe në pemët frutore, por ndaj ruajtjes të kokës, kjo ishte e keqa më e vogël.
Gjithsesi, edhe pse vuajtëm nga okupatori nazifashist, edhe pse këtë të fundit i luftuam së bashku me partizanët e me ballistët, edhe pse u dogjëm nga ushtarët e tij, edhe pse i ndihmuam luftëtarët tanë, pa dallim partish, feje e krahine, pas çlirimit të vendit u përbuzëm, u vramë e u persekutuam, sikur të ishin okupatori vetë. Pra, nisën vuajtjet tona pa fund, vuajtje të cilave nuk iu gjend fundi dhe që përfunduan me arrestime, burgosje, vrasje dhe vdekje në vendet e vuajtjes të dënimit.
Mjerimi dhe vuajtjet filluan gjatë vitit 1944-1945, në familjen tonë, filloi vërtet kalvari i persekutimeve, sekuestrimeve, përndjekjeve e burgosjeve politike dhe së fundi edhe pushkatimet, vrasjet të njerëzve të fisit tonë. Dhe ky tmerr i kushtoi fisit Protoduari, 3 të vrarë, 3 të vdekur në vendin e vuajtjeve të dënimeve (burgje), 13 të burgosur, të dënuar me 249 vjet burg.
Por kalvari i vuajtjeve, nuk do të kishte fund, ai do të zgjaste për afro 50 vjet rresht, pa ndaluar, nga dita në ditë, nga muaj në muaj dhe nga viti në vit, vuajtje që, edhe pse pas viti 1990, fituam lirinë, kurrë nuk kemi për t’i harruar, pasi humbja në njerëz, nuk ka për t’u kompensuar kurrë, po ashtu dhe vuajtjet morale, kurrë nuk zëvendësohen. Ato vuajtje dhe humbje në njerëz vazhdojmë t’i ndiejmë edhe në ditët e sotme, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada në demokraci, akoma nuk e kemi marrë veten.
Fillimi i tragjedive dhe ndarja një herë e përgjithmonë me komunizmin
Vrasja e parë dhe gjëma, siç i themi ne nga anët tona, filloi në vitin 1944, kur u bë vrasja e parë e vëllait tonë, Aliut, nga forcat partizane, nga çeta e Zylyftar Veleshnjes në përpjekje me armë, në një fshat të ish-komunës së Fierit. Vrasja u bë kur Partia Komuniste, nisi kontradiktat dhe mosmarrëveshjet me organizatat dhe çetat e “Ballit Kombëtar”, kontradikta dhe mosmarrëveshje që sollën edhe luftën mes tyre, mosmarrëveshje që solli vrasjet vëlla me vëlla, ku u vranë shumë ballistë, që në fakt, askujt nuk i kishin bërë keq, përveçse nuk ishin dakord me mendimet e çetave komuniste, të cilat që në fillim donin të kishin vetë pushtetin dhe të komandonin vetëm ata.
Për ta çetat e “Ballit Kombëtar”, vetëm duhej t’u bindeshin atyre dhe asgjë më shumë, pra u prish marrëveshja midis “Ballit Kombëtar” dhe Partisë Komuniste, marrëveshja e famshme e Mukjes. Vrasja e Aliu, vëllait tonë në vitin 1944, kur dhe ishte vetëm 40 vjeç dhe kishte 5 fëmijë, ishte e rëndë për fisin tonë, që kishte jo më pak se 50 burra. Vrasje që na ndahu një herë e përgjithmonë me komunizmin dhe me idetë e tij të mbrapshta, pasi na preu në mes vazhdimin e rrugës sonë, që tani pas 70 e sa vjetve, po e vazhdojmë sërish. Nejse, le t’i kthehemi asaj ngjarje të rëndë. Unë e mbaj mënd mirë, që si fis, shkuam në vendin ku u vra vëllai, për ta marrë dhe nuk e gjetëm.
Më pas mësuam se vëllanë së bashku me disa djem të tjerë të rinj, të inkuadruar në radhët e “Ballit Kombëtar”, i kishin vrarë dhe i kishin futur në një gropë ashtu me rroba dhe çka ishte më e keqja, çeta partizane u kishte futur frikën dhe tmerrin banorëve të fshatit, që këta të fundit të mbanin sekret gropën ku ishin varrosur disa ballistë të vrarë prej tyre. Pra, në njëfarë mënyre, ishin kërcënuar për vrasje e djegie, cilido banorë që do të tregonte varrin e ballistëve. Të gjitha këto që po tregoj, i kemi mësuar nga një i moshuar pas viti 1990, kur shkuam sërish në këtë fshat, për të kërkuar eshtrat e vëllait tim, që i gjetëm së bashku me të disa ballistëve të tjerë në një gropë, dhjetëra djem të vrarë.
Mbaj mend mirë që në atë grope, i gjetëm këta djem të rinj të vrarë dhe hedhur aty si kafshë, të palosur njëri mbi tjetrin, tamam një vrasje prej katilësh. Ndarja mes Partisë Komuniste dhe “Ballit Kombëtar”, u thellua më shumë edhe si ide. Ndërsa “Balli” ishte me idenë e lidhjes me Perëndimin, komunizmi e kishte mendjen të largohej për në Lindje, andej nga erdhën ato ide të mallkuara, që do të na ndanin për 50 vjet, nga njerëzit tanë.
Ndoshta tani duken të pabesueshme apo dhe qesharake, por nuk guxonte të shkonte vëllai te vëllai, vëllai te motra, nipi te daja apo, tek tezja, pasi komunistët për të sunduar dhe pasur pushtet të përjetshëm, filluan luftën e mallkuar të klasave, duke i cilësuar dhe etiketuar njerëzit “kulak”, “reaksionarë” e, ku di sa epitete u vinin për të realizuar qëllimet e tyre.
Bazuar në këto epitete, filluan dhe persekutimet, përndjekjet, demaskimet në lagje, fshat e më gjerë në zonë dhe më pas vinin masat ekstreme, si burgosjet e internimet nga qyteti në fshat dhe nga fshati në fshat. Të tilla veprime të pamëshirshme, nuk do t’i gjesh në asnjë regjim tjetër. Gjithsesi, të kthehemi në çlirimin e atdheut, gjë për të cilën edhe “Balli” kishte luftuar.
E ndërsa ishte çliruar Shqipëria, (apo më mirë të themi kishte mbaruar Lufta, se ai nuk ishte çlirim), që po i gëzoheshim të gjithë populli, për familjet dhe fisin tonë, filluan persekutimet, që nuk kishin të sosur. Në vitin 1945, në moshën 73-vjeçare, u arrestua babai im, Tahiri, dhe pa asnjë gjyq, përfundoi në burg, pa e ditur se çfarë kishte bërë, pa pasur asnjë lloj akuze, vetëm se ishte babai i një ballisti të vrarë dhe se kishte shumë prona dhe duhej cilësuar “kulak”, se duhej të dozonte të gjithë mallin e pasurinë, që e kishte vënë për gjithë jetën.
Po në atë ditë, ai duhej të delte edhe nga shtëpitë, a thua se ia kishin bërë pushtetarët e sapoardhur me idetë e kuqe të Rusisë. Babai u prangos dhe vdiq në qershor të vitit 1948, në burgun e Burrelit, tre vjet pas arrestimit të tij, pa pasur e takuar njeri nga të shtëpisë. Eshtrat e tij, i gjetëm brenda mureve të kampit të burgut të Burrelit, mbrapa kuzhinës së gatimit (diktatorët kishin frikë se edhe eshtrat e të vdekurit, u iknin nga burgu). Bashkë me eshtrat e tij, gjetëm edhe eshtrat e dhjetëra të burgosurve të tjerë, që kishin vdekur në vite dhe ishin varrosur po në atë varrezë masive.
Gjatë kontrollit për të gjetur eshtrat e babait tonë, ne gjetëm edhe eshtrat e Sabri Qamos e Fuat Ushtinës, por ne nuk e morëm dot. Ky i fundit kishte dy vajza dhe ato nuk kishin mundësi financiare, për të tërhequr eshtrat e të atit, ndaj edhe sot e kujtojë me dhimbje atë situate, që këto vajza edhe pse fituan gjënë më të shtrenjtë lirin, ato (dy vajzat), nga varfëria e tejskajshme, nuk mundën të merrnim eshtrat e të atit të tyre, për t’i varrosur në vendin ku ato jetonin.
Kjo ishte një tjetër dhimbje e madhe për to dhe për mua, por të tilla raste, nuk kanë munguar në të gjithë Shqipërinë në ato vite të para pas rënies së komunizmit. Ka pasur edhe të tjera familje që nuk kanë mundur të marrin të afërmit e tyre, për arsye ekonomike dhe ende askush nuk i ndihmon, për të gjetur eshtrat e të afërmve të tyre.
Kjo është histori më vete, ashtu si dhe e vëllait tim Aliut, që ia gjetën eshtrat në Kallmë të Fierit te komuna. Kur nxorën eshtrat e vëllait, pamë se aty kishte edhe të tjera, të varrosura në një varr, pas vrasjes nga çetat partizane, që më pas i morën të afërmit e tyre. Babanë dhe Aliun, vëllanë, i kemi varrosur në varrezat e fshatit, së bashku me Luftarin, nipin, vrarë në vitet 1978 dhe që ia gjetëm eshtrat në Vodicë të Beratit, në varrezën masive në anë të lumit Osum, në mes të shkurreve.
Luftari u vra në vitin 1978, së bashku me Riza Hazizin me akuzën “armiq të popullit”, se gjoja do të hidhnin në erë Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun” në Berat, ndërsa Sakon, dënuar për agjitacion dhe propaganda (tha se; “im bir nuk e di ku ndodhet Kombinati dhe jo më ta hidhte në erë”). Pra, babanë e Luftëtarit, Sakon, dënuar më 20 vjet burg dhe që vdiq po në burg, ia gjetëm eshtrat, në varrezat e fshatit Panahor të Aranitasit të rrethit të Ballshit, pasi vdiq në burg, në moshën 78-vjeçare.
Vuajtje dhe sekuestrime
Vuajtjet të familjes dhe të fisit tim, nuk kanë të sosur. Pas arrestimit të babait, filloi edhe “Reforma Agrare”, ku u sekuestrua toka dhe të gjitha pasuritë, na u vunë taksa të pa përballueshme, nuk kishin se ç’të shisnim, nuk kishim ku të banonin, pasi na nxorën nga shtëpitë, nuk kishim bukë të mbushnim barkun, ndërsa na kërkonin miliona napolona flori, sikur të kishim pasuri të madhe dhe jo pronën e fisit tonë, në një fshat që kishte edhe familje dhe fise të tjera, po kaq të pasura, sa dhe fisi ynë. Ashtu si dhe thash pak më parë, sërish dua të them se në muajin maj të vitit ‘45, morën babanë tim, Tahirin, 78 vjeç, të arrestuar në Berat dhe bashkë me të, edhe nënën time, Bajamen, 75 vjeçe.
Tri ditë më pas komunistët liruan nënën time, e cila udhëtoi për gjithë ditën më këmbë, për të ardhur në shtëpi në Poshnje, 22 km. më këmbë, larg nga qyteti i Beratit. Sapo erdhi, nëna nuk fliste dot, ajo u shtri për të mos u ngritur më. Ndërsa pas torturave çnjerëzore të babait, arritën që ta merrnin edhe pasurinë, që babai e mbante të fshehur diku në shtëpi. Në shtëpinë tonë atë ditë sollën babanë, që mezi qëndronte në këmbë nga torturat, që dukeshin në fytyrë me hematoma, ku dhe ankohej nga dhimbjet që kishte në trup dhe te gjymtyrët në duar e këmbë të lidhur me zinxhirë.
Policia dhe Sigurimi i Shtetit, pas një kontrolli të imtë na morën, ça gjetën dhe pas atij kontrolli të imët, na gjetën edhe tapitë e pasurive të paluajtshme, që ishin tokë, truall, banesa etj., dhe që këto letra të gjetura, që ishin vetëm dokumente, na i dogjën para shtëpisë dhe morën babanë me vete, për të mos e kthyer më, deri në vitin 1948, ku babai vdiq në burgun e Burrelit dhe për t’u kthyer në vendin ku lindi dhe u rrit, pas 50 vjetëve, tashmë i vdekur.
Ndërsa nëna nga ajo ditë, jetoi vetëm 7 muaj, duke lënguar në shtrat, ku shpeshherë thoshte se nuk e ngrija dot kokën, kur shikoja që torturonin burrin tim, duke i kërkuar vetëm lekë dhe flori dhe se në sy të tij, më qëllonin edhe mua, ata u ndanë në polici mes torturave, për të mos u takuar më dhe tani që tregoj, nuk e di se kujt ia kishim borxhe, që policia e komunistëve të na torturonte babanë dhe nënën tonë të pafajshme.
Ajo sedër dhe ai moral i madh që kishte nëna ime, vdiq brenda 7 muajve nga ndarja e babait, nga ana tjetër as babai, nuk e mësoj nëse nëna rronte apo kishte vdekur, askush nuk na linte që të vinim e ta takonim në burgun e Burrelit, ai vdiq duke u ndarë me nënën time në Degën e Brendshme, i torturuar nga Forcat e Divizionit të Mbrojtjes, ashtu si dhe quheshin në atë kohë forcat e mbrojtjes, të sapodala nga lufta. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm