Nga Luan Shtëpani
Memorie.al / “Praga (Zllata Praha) është vendi ku kalova një pjesë të rinisë time, është një mrekulli e natyrës me njerëz bujarë, të disiplinuar dhe shumë të kulturuar. Dëshira ime më e madhe është ta vizitoj sërish këtë vend. Ky është pengu që mbaj gjithë këto vite”. Kështu ka nisur bashkëbisedimi me ish-punonjësin e ambasadës, Xhelal Çullhaj, i cili më 25 maj 1975, ai caktohet të punojë në ambasadën e Shqipërisë në Çekosllovaki, e cila ndodhej në adresën “Praga 6 Podkashtan” (nën gështenjë). Xhelali thotë se në momentin që iu komunikua se do të punojë në diplomacinë shqiptare, ishte befasuar, por në të njëjtën kohë, ishte betuar se do të shërbente me përkushtim dhe devotshmëri.
Së bashku me gruan e tij Serveten, shtatzënë në atë kohë, me vajzën Eglina, u nisën nga Tirana me “Malevin”, me kohë qëndrimi një natë në Budapest, ku u pritën nga diplomati Viktor Dhrosa.
Ky i fundit i njohu të sapoardhurit, me pjesë të Budës dhe Pestit. Xhelali kujton se dhurata e parë jashtë Shqipërisë për gruan e tij, një palë këpucë dhe sandale, u bë nga e shoqja e Viktorit, një grua e shkëlqyer dhe me plot virtyte.
Ato kaluan natën në një hotel me kushte të mira, ndërsa në mëngjes, po me linjën e “Malev”-it, udhëtuan drejt destinacionit: aeroporti kryesor i Pragës.
“Sapo avioni u ul, ndjeva se kisha ardhur në një botë tjetër, ku rregulli dhe bukuria e atij vendi, më dhanë që në fillim një ndjesi që për fatin e keq, nuk e kisha përjetuar në vendin tim. Për të më pritur kishte dalë i ngarkuari me punë, Sulejman Myftiu, së bashku me të shoqen, Tefta. Teksa po udhëtoja për në ambasadë, mendoja se si do të ishte pritja atje. Më bënte përshtypje rruga.
Çdo gjë ishte e bukur. U futëm në ambasadë, e cila i ngjante një kështjelle të vogël dhe simpatike, mes gjelbërimit të gështenjave të egra shekullore”.
Kështu tregon Xhelali, i cili shton se prezantimi iu bë nga ambasadori, duke i uruar në radhë të parë suksese në detyrë dhe njëkohësisht, duke bërë një ekspoze të shkurtër të aktivitetit të tij në Tiranë, në Ndërmarrjen e Ndërtim-Minierave.
Menjëherë ai sistemohet në pallatin e diplomatëve në “Usmalltovni Nr 22”, ku banonin diplomatë rusë, gjermanë, romunë, jugosllavë, etj. Dita e parë e punës, do të ishte 27 maj 1975.
Pyetjes sonë, se si ishin në atë kohë marrëdhëniet e Shqipërisë me Çekosllovakinë, ai i përgjigjet se ato ishin të mira, pavarësisht se vendi ishte nën diktatin rus, ku dhe bazat e tyre ishin shumë të fuqishme.
“Me Rusinë kishim kohë, që ishin prishur, megjithatë shkëmbimet me çekosllovakët, ishin të mira në të gjitha sferat, me klering (mall me mall), ku Shqipëria eksportonte krom, bakër, hekur- nikel dhe importonte mjete transporti, shumë të nevojshme për vendin tonë. Ndërsa makinat tip “Tatra” qe ne i kujtojmë, janë blerë me para në dorë.
Niveli i jetesës së atij vendi ishte shumë i mirë dhe s’mund të krahasohej me Shqipërinë e atyre viteve, ku nuk kishte radio ‘Iliria’ dhe biçikleta, apo frigoriferë dhe televizorë, të cilët merreshin me autorizim. Punëtori i thjeshtë kishte Hate (vilë e vogël) për të kaluar pushimet, makinë, pa llogaritur intelektualët, të cilët gëzonin privilegje të mëdha.
Ne ishim në gjendje katastrofike. Besonim se një ditë dhe vendi ynë do të kishte këto standarde dhe në këtë kuadër, gjithë përpjekjet tona, do të fokusoheshin për të patur sa më shumë rezultate”, kujton ish-diplomati.
Përsa i përket aktivitetit atje, mes të tjerave ai kujton se; në çdo hap trupa jonë diplomatike ishte e “rrethuar” nga shërbimet sekrete çeke, ndoshta dhe ruse. Materialet propagandistike (të kohës) shpërndaheshin tek dashamirësit e atdheut tonë dhe tek shqiptarët e larguar, ku shumicën e përbënin kosovarët.
Po ashtu dhe tek qytetarët grekë, baballarët e të cilëve pas luftës kishin qëndruar në vendin tonë 2- 3 vjet ku dhe ishin larguar për t’u sistemuar në kampin socialist, njëra prej të cilave ishte dhe Çekosllovakia.
I vetmi person që nuk pranonte materiale, ishte vëllai i Nako Spiros, Kristaqi, i cili pasi mbaroi studimet, refuzoi të kthehej në Shqipëri. Ai jetonte në atë kohë në lagjen “Prosek”, emër i ngjashëm me një zonë të Mirditës.
“Ata më vranë vëllanë, unë nuk iki atje, të respektoj shumë, nuk dua asnjë lloj materiali, të lutem, nëse ke mundësi, një gazetë ‘Sporti’ mos ma le pa ma dhënë”- citon Xhelali, i cili së bashku me një shokun e tij, shkuan tek një mik i Shqipërisë në Bratislavë, për t’i dhënë disa materiale.
“Kur mbaruam punë (e dinim se ishim në vëzhgim të plotë), sapo mbërritëm te makina, pamë njerëzit e Sigurimit kudo, por si në Shqipëri, personeli i ambasadës nuk ndalohej, vetëm vëzhgohej për veprimet që ato kryenin. Mbaj mend dhe demonstrimin rus me tanke dhe mjete të blinduara, me të gjitha llojet e armatimit në rrugët e Çekosllovakisë.
Kudo do të ishte i pranishëm, syri i agjentëve sekrete, megjithatë puna do të realizohej në maksimumin e mundshëm, deri në largimin tim, në dhjetor të vitit 1979, së bashku me familjen dhe më një pjesëtar më shumë, Kreshnikun, i cili lindi në Pragë, më 21 gusht 1975.
Pas shumë vitesh, e kam të fiksuar si tani në memorien time: jam takuar në Tiranë, me një koleg timin të ambasadës, i cili më tha se pas largimit tim, ishte sistemuar në banesën që unë kisha lënë. Sipas tij, një natë troket porta kryesore, dhe pas derës qëndronin tre persona me uniformë dhe dy civilë.
Ata i thanë: ‘Kërkojmë Xhelal Çullhajn, kemi një mandat arresti’. Ai i tha; nuk jam ai, pas kësaj fjale, ato u larguan të indinjuar. Po ky person më thotë se; çfarë punë kisha bërë atje, unë ju përgjigja: në shërbim të atdheut tim, ashtu siç ke vepruar edhe t’i.
Në janar 1980, dy persona nga Ministria e Punëve të Jashtme më takojnë në Ndërmarrjen e Ndërtim-Minierave ku pata punuar dhe isha sërish sistemuar me punë, pas kthimit nga Praga. Ata më deklaruan se; isha planifikuar përsëri për në shërbimin diplomatik dhe se isha në dispozicion. Por, ndodhi ajo që nuk pritej.
Për shkak të një incidenti, filloi lufta e klasave ndaj familjes sime. Megjithëse me shumë urdhra punë dhe medalje do të shikohesha shtrembër. Me punë dhe me përkushtim në detyrë, do të shumëfishoja respektin për të gjithë ato që më kishin njohur dhe për të panjohurit, të cilët habiteshin kur tregoja se ku punova dhe se nuk më kishin me sy të mirë, pavarësisht se nuk kisha bërë asgjë.
Do të kalonin vite dhe pikërisht më 28 dhjetor 1990, do të anëtarësohesha ndër të parët në radhët e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, ku do të jepja kontribut në ndihmë të punëtorisë shqiptare, e cila e meritonte të gëzonte të gjithë të drejtat, që unë i pata para 15 viteve dhe që shpresoja se do të bëheshin realitet në vendin e shqiponjave.
Besimi për ndryshim më bënin më kurajoz, të mos ndalem për të kërkuar të drejtat e mohuara. Në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk u shkëputa nga lëvizjet e punonjësve, e cila në atë periudhë ishte domethënëse dhe shpresëdhënëse. Por disa vite më vonë, unë pjesëmarrësi në ngjarjen e 20 shkurtit dhe dëshmitar i shumë ngjarjeve, në ditën e rrëzimit të bustit, u mbajta i izoluar në polici, sepse isha pjesëmarrës gjatë aktiviteteve të zhvilluara nga sindikatat, të cilat mbështeteshin në atë kohë nga lideri i dhjetorit, i ndjeri Azem Hajdari. Këtë e deklaroj me keqardhje, sepse në asnjë rast, nuk mendoja se si mund të veprohet në këtë mënyrë me njerëzit, të cilët kërkojnë drejtësi dhe paqe sociale”.
Këtu mbaron rrëfimi i ish-diplomatit Çullhaj, teksa nuk mund të rrijë pa përmendur, se do vazhdojë të kontribuojë tashmë për përmirësimin e imazhit të sindikatave, të cilat kanë humbur besueshmërinë, falë kontributit negativ të disa krerëve, të cilët e kanë shfrytëzuar si trampolinë, për të patur përfitime personale dhe aspak kolektive.
I trishtuar nga këto veprime dhe shumë optimist për të ardhmen e avokatit mbrojtëse të punonjësve, ai shprehjet se çdo ditë, çdo orë e, çdo minutë, nuk do të rresht përpjekjet e tij për të bashkuar të gjithë ata që e duan ndershmërisht organizatën e punëmarrësve.
Në fund biseda mbyllet me mallin për Çekosllovakinë, i cili shtohet teksa ai shikon një grup veteranësh, ish-studentë atje, të cilët e njohin, e respektojnë, dhe shpeshherë e ftojnë të bisedojë me ta, për atë vend, që zoti i fali bukurinë natyrore dhe shpirtërore. Memorie.al