• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, July 18, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Veli Hashorva, si modeli i parë i gazetarit modern shqiptar, shënon në programin e tij, moton bazë të gazetarisë, ku shkruan se…”! / Historia e panjohur e intelektualit atdhetar nga Gjirokastra, që vdiq në Turqi

Figura e Avni Rustemit mes deformimit historiografik, kujtesës popullore dhe narrativave politike të rishikimit të historisë pas viteve ’90-të
Dervish Hima, Mark Kakarriqi (në këmbë), Faik Konica, Tefë Curani, Fan Noli, Masar bej Toptani, Hilë Mosi
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Memorie.al
Fotografi me pamje të ndryshme nga Gjirokastra në vitet 1910-1930
“Gazeta e parë që u hap në Gjirokastër në gjuhën shqipe, ishte ‘Drita’, në vitet 1920-1924, me editor patriotin dhe publicistin Veli Hashorva…”! / Historia e panjohur e intelektualit të shquar gjirokastrit

Nga Dr. Dorian Koçi

Pjesa e dytë

Memorie.al / Gazetaria moderne shqiptare i ka rrënjët e veta në humusin kulturor të qytetit të Gjirokastrës. Brenda një harku 10 vjeçar 1920-1930 në qytetin e Gjirokastrës janë botuar gazetat si: “Drita” e Veli Hashorvës (doli në Gjirokastër në 27 mars 1920-1924), “Demokratia” e Xhevat Kallajxhiut (doli Gjirokastër më 28 nëntor 1925 dhe vijoi deri më 1939), “Labëria” dhe “Ideja kombëtare” (që dolën në periudhat kur censura ndërpreu botimin e gazetës “Demokratia”), “Fletore Popullore e Politike Kombëtare”, (doli në Gjirokastër për herë të parë më 27 mars 1920-1924) “Fletore popullore” e Petro M. Haritos (doli në Gjirokastër me dy dhe katër faqe, më 3 nëntor 1923), “Neoshqiptarizma”, dhe “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit.

                                                           Vijon nga numri kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Gazeta e parë që u hap në Gjirokastër në gjuhën shqipe, ishte ‘Drita’, në vitet 1920-1924, me editor patriotin dhe publicistin Veli Hashorva…”! / Historia e panjohur e intelektualit të shquar gjirokastrit

“Qyteti modern e ka zanafillën e tij në shekullin e XV-të, kur Iljaz bej Mirahori, nën hyqmin e Sulltan Mehmetit II-të, zhvilloj Korçën dhe…”/ Historia e panjohur e bamirësit të madh, dhëndrit të Sulltan Bajazitit

Bindjet e veta politike dhe etikën e gazetarit Veli Hashorva do ti shpallte hapur që në numrin e parë të gazetës “Drita” që më shumë se një program gazete, i ngjan një programi politik prej shtatë pikash. Pika një, tre dhe shtatë vinin theksin në bashkimin e popullit shqiptar pa dallim feje e krahine, luftën ndaj çdo sjellje që dëmton interesat kombëtare e, mbi të gjitha, pika e fundit shpallte moton e shqiptarit të ri në vitet 20-të: “Shqipëria për shqiptarët”! Në të njëjtën kohë Veli Hashorva, si modeli i parë i gazetarit modern shqiptar, shënon në programin e tij moton bazë të gazetarisë se… “do flasëm atë që do besojmë se është e vërtetë, pa u ndrojtur e pa mbajtur anë” dhe pika gjashtë; “se do kritikojmë punën e kujdo, po të mos jetë e pëlqyer”.

Veli Hashorva si demokrat përparimtar, kërkonte që nëpërmjet faqeve të Gazetës “Drita”, të ndërmerrte reforma sociale për të fuqizuar liritë individuale të njeriut dhe ndalte zakonet e vjetra e të papëlqyera. Gazeta “Drita” u mirëprit në qarqet intelektuale në Shqipëri e diasporë. U dërguan shumë urime për botuesin e saj, që mori iniciativën në një situatë kaq të vështirë.

Për të kanë shkruajtur gazeta “Politika”, e Halim Xhelos, gazeta “Omonia-Konkordia”, e avokat Dilos, gazeta “Kuvendi”, që botohej në Romë, gazeta “Dielli”, që botohej në Amerikë, etj. Kjo e fundit shkruante se; “Doli një Dritë, një llambë që do t’iu tregojnë udhëtarëve në mjegull, udhën e drejtë për në limanin e shpëtimit. Jemi të sigurt që ‘Drita’ nën drejtimin e atdhetarit Veli Hashorva, do të mund të përmbushë qëllimin e saj të shenjtë dhe përtej kufirit të saj”.

Programi kombëtarist i Gazetës “Drita”, ndihmoi shumë në edukimin nacionalist të lexuesve të saj. Në të njëjtën kohë ky program ndihmoi shumë dhe në emancipimin e shoqërisë tradicionale shqiptare, kur në faqet e saj kërkohej barazimin e të drejtave të gruas, njësoj me të burrit, për arsimimin e saj. Në këtë rast ai duket se ka qenë një dishepull i mendimeve të ideologut të Rilindjes Kombëtare Sami Frashërit, që respektohej shumë nga mërgata dhe studentët shqiptarë në Stamboll.

Në librin e vet “Shqipëria, çka qenë, çështë e çdo të jetë”, ai shkruan për gratë shqiptare, se niveli i kulturës dhe arsimit, lartësia shpirtërore, edukata e grave shqiptare, e nënave të ardhshme, që do të rrisin brezat e qytetarëve dhe drejtuesit e ardhshëm të mëmëdheut, ka rëndësi të dorës së parë, për të ardhmen e kombit e të familjes. Më 23 mars 1921, themelohet Shoqëria “Kundra Bastijës”, ku bënin pjesë rreth 100 gra e vajza. Shoqëria harton një manifest ku kërkohej respektimi dhe përparimi i tyre. Argumenti i tyre ishte: “Me përparimin e grave e vajzave, përparon edhe Mëmëdheu”.  Në krye të grave gjirokastrite, ishte mësuesja e nderuar Urani Rumbo e cila, e boton këtë manifest në faqet e “Gazetës Drita”

Një rëndësi të veçantë Gazeta “Drita”, i kushtonte arsimimit të popullsisë dhe për këtë shkruhej në faqet e saj, “duhet të hapim shkolla shumë, fillore e të mesme dhe të kemi një ligj për detyrim shkollor”. Vëllai më i vogël i Veli Hashorvës, mësuesi dhe përkthyesi i njohur Ali Hashorva, nën ndikimin e të vëllait, do të përfshihej në lëvizjen arsimore dhe demokratike në Shqipëri. Ai kishte mbaruar “Corso Preparatorio” për arsimtar, të hapur nga italianët në Gjirokastër.

Si kreu me sukses atë kurs, me 24 tetor 1919, nisi karrierën e arsimtarit. Mësues i dalluar, plot vullnet e gjallëri, punoi dy vjet në shkollat e qytetit të Gjirokastrës. Falë prirjeve të tij, trashëgimisë familjare dhe bashkëpunimit me të vëllanë, Velinë, Aliu nuk mbeti vetëm brenda mureve të shkollës, por u fut me përkushtim në veprimtarinë shoqërore, për të cilën koha kishte aq shumë nevojë.

Kur në korrik 1921, me niciativën e Avni Rustemit, u krijua në Gjirokastër “Lidhja e Mësuesve”, kryetar i saj u zgjodh Xhafo Poshi, kurse sekretar, Ali Hashorva. Koha kërkonte shumë dhe Ali Hashorva, inteligjent dhe zelltar për studim, do të kërkonte edhe më shumë prej vetes. Prandaj, me ndihmën e të vëllait, në gusht 1921, u hodh në Apenine dhe u regjistrua në Kolegjin Arbëresh të Shën Mitrit në Koronë (Kalabri), ku shkonin dhe shumë shqiptarë të tjerë, për të kryer shkollën e mesme.

Veli Hashorva si sekretar i shoqërisë “Drita” në Gjirokastër, do të radhitej në përkrahësit e “Lëvizjes së Qershorit 1924”, dhe një nga mbështetësit e qeverisë së Fan Nolit. Në dy zgjedhje parlamentare, në mars të vitit 1921 dhe 27 dhjetor 1923, shoqëria “Drita” mbështeti deputetët e grupimeve demokrate liberal, kryesisht kundër influencës së Myfid Bej Libohovës, në prefekturën e Gjirokastrës. Ky antagonizëm ndaj Myfid Bej Libohovës, vinte si një reminishencë e qëndrimeve proitalinë gjatë Luftës së Vlorës, si dhe frymës konservatore e tradicionale që Libohova përfaqësonte në mendimin politik shqiptar të kohës.

Përkrahja që Myfid Libohova filloi ti jepte Ahmet Zogut, duke u rreshtuar nën Partinë Përparimtare të pronarëve të mëdhenj të tokës, do të kritikohej në faqet e Gazetës Drita… “Bashkimi i Myfitit me njerëzit e Ahmet Zogut, na jep të kuptojmë, se të gjithë këta janë marrë vesh me njëri-tjetrin”. Po kështu në po këtë numër të Gazetës “Drita”, do të botohej “Shpallje e Grupit Demokrat”, ku do pasqyrohej programi elektoral i këtij grupimi të rëndësishëm liberal-demokrat, përsa i përket reformave që do ndërmerreshin në Shqipëri. Në numrat 151 dhe 152, Gazeta “Drita” bën thirrje për të votuar kandidatët e grupit demokrat, duke shënuar me të mëdha emrat kandidatëve.

Është pikërisht kjo arsyeja që me rastin e mos zgjedhjes si deputet të Myfit Bej Libohovës, në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923, Gazeta “Drita” duke përshëndetur fitoren e Popullorëve, shkruante se; “me këtë fitore i dhanë të kuptojë Beut të Libohovës, se Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo çiflig e atij me shokë”! Ashpërsimi i betejës politike në zgjedhjet e dhjetorit 1923, kishte ashpërsuar dhe ligjërimin politik në Shqipëri. Myfit Libohova u sulmua me furi në Parlamentin Shqiptar, edhe për veprimet e kundërligjshme gjatë zgjedhjeve (dhjetor 1923), duke provuar se argumentet e tij, nuk kishin bazë logjike e, shumë më pak ligjore.

Në situatën e tensionuar që ndoqi periudhën janar 1924, deri në vrasjen e Avni Rustemit, më 22 prill 1924, Gazeta “Drita” mbrojti kauzën e opozitës dhe luftës kundër konservatorizmit, që tashmë përfaqësohej në qeverinë e Shevqet Vërlacit. 20 Prill 1924, ora 9.30, njoftohet nga Tirana drejtori i gazetës, për plagosjen e Avni Rustemit. Të nesërmen Gjirokastra u mblodh në një miting të madh, ku folën Veli Harshova e Ramiz Harxhi, në mes të një pikëllimi të përgjithshëm. Populli u shpërnda duke shfryrë kundër Ahmet Zogut dhe Shefqet Vërlacit…! Dita e hënë dhe deri gjysma e së martës, shkoi në heshtje.

“Drita” shënon se; “plumbi Avniun e kishte marrë në krahun e mengjërt, midis brinjëve 7 dhe 8, i goditi mushkërinë dhe ngeli përmbi stomak”.  Gjithë qytetarët, anëtarët e shoqërisë demokratike, Klubi i “Opingarëve”, protestojnë me telegrame drejtuar qeverisë dhe spitalit civil të Tiranës, ku ishte shtruar Avni Rustemi. Ai kaloi 48 orë, i dergjur në plagët e rënda. Veli Harshova në fjalimin që mbajti, ndër të tjera u shpreh: “Aleksandri i madh kur vizitoi varrin e Akilit, tha: Lum ti Akil, që gjete një Homer, i cili këndoi trimëritë tuaja”. Dhe për Avniun tha: “Në vend që të gjendej një vjershëtor i tillë që t’u këndonte trimërive të tua, u ndodh një dorë atdhetari, Ramiz Harxhi, që vajtoi me një poezi të goditur”.

Klubi i “Opingarëve” në Gjirokastër ishte kthyer në një bërthamë demokratike liberale, që mbështeste pa rezerva opozitën e asaj kohe, të kryesuar nga Fan Noli. Reagimi ndaj vdekjes së Avni Rustemit, në të gjithë vendin qe i ashpër, sepse ajo ishte me të vërtetë një tragjedi. Shtypi i opozitës ku bënte pjesë dhe Gazeta “Drita”, nxitoi të denonconte bashkëfajësinë e Zogut në vrasje.

Gazeta “Drita” mbështeti pa rezerva qeverinë e Fan Nolit, duke i kujtuar përherë në shkrimet e saj, zbatimin e programit politik, si dhe përshpejtimin e reformave sociale në vend. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës, në artikullin e saj të 2 korrikut 1924, “Programi i qeverisë”, duke e komentuar dhe propaganduar programin e Qeverisë së Nolit e, sidomos pikën pesë: Shrranjosje e feudalizmit, çlirim i popullit dhe vendosje definitive e demokracisë në Shqipëri, shkruante se; “çrrënjosja e feudalizmit, është konditë themelore, për qytetërimin e Shqipërisë”.

Mirëpo qeveria e Fan Nolit, nuk i përmbushi pritshmëritë entuziaste të shtypit të opozitës, që prej kohësh kërkonin reforma më të thella sociale në Shqipëri. Shqiptarët e ardhur nga Amerika dhe përkrahës të Nolit, të shpërndarë në qarqet Korçë, Ersekë, Përmet, Gjirokastër, Kurvelesh e Tepelenë, nuk përbënin ende një shumicë në Shqipëri.

Mungesa e iniciativës dhe e vendosmërisë së Nolit për të nisur nga ndryshimet, nuk vinte aq nga shkaku, se nuk gjente përkrahjen e kabinetit, sesa nga fakti tjetër, që akoma ai nuk ishte bindur se shoqëria e prapambetur shqiptare qe e përgatitur për t’iu nënshtruar qilizmave serioze politike e sociale. Kësaj të fundit, i shtohej qëndrimi i rezervuar dhe sinjalet shqetësuese që arrinin nga jashtë. Fuqitë e Mëdha i ndiqnin me kujdes zhvillimet në Shqipëri dhe veprimet e qeverisë që kish ardhur në pushtet me dhunë.

Sipas tyre, qeveria, përpara se të bënte reforma, duhet të zhvillonte zgjedhjet për t’u legjitimuar. Noli, ndonëse ishte i ndjeshëm ndaj qëndrimit të ndërkombëtarëve, prapë nuk ia vuri veshin kërkesave të tyre për legjitimimin e qeverisë. Por kjo nuk do të thoshte se ai i shpërfillte. Përkundrazi, duke qenë diplomat me përvojë e, duke i njohur mekanizmat që vepronin në qarqet politike, të cilët drejtonin fatet e botës, Noli i kushtoi vëmendje të madhe. Madje, siç u duk dhe më pas, atë do ta shqetësonte aq shumë njohja ndërkombëtare e qeverisë, sa problemet e jashtme do të zinin më shumë vend në veprimtarinë e tij, sesa ato të brendshmet.

Në numrin e fundit të saj në datën 20 dhjetor 1924, katër ditë para hyrjes së Zogut në Tirane, editori Veli Hashorva, do të shkruante: Të bashkuar para rrezikut. Populli shqiptar me tepër se kurrë sot, duhet të jetë i bashkuar si një trup i vetëm kundër armiqve të vet. Vetëm po të jetë i bashkuar, do ta kapërcejë edhe këtë rrezik, që i turret mbi krye Shqipërisë sonë”.

Thirrja e patriotit demokrat, nuk do të gjente mbështetje në organizimin e masave efikase nga qeveria. Në Gjirokastër, ashtu si dhe në kufijtë veri-lindorë, situata ishte në disfavor të Qeverisë së Nolit. Myfit Libohova përkrahës i Zogut, kishte përqendruar forca pranë kufijve të Shqipërisë dhe marshoi drejt Gjirokastrës, në datën 24 dhjetor. Populli i Gjirokastrës ishte i prirur jo vetëm kundër Myfit Beut, por shikonte me dyshim të madh dhe ishte gati të kundërshtonte një lëvizje që vinte prej Greqie. Megjithatë, shpejt u gjend pa kurrfarë udhëheqje, qoftë politike, qoftë ushtarake dhe situata u kthye edhe këtu në favor të forcave kundërrevolucionare.

Vetë anëtarët e qeverisë me në krye Fan Nolin dhe disa forca të pakta qeveritare, u tërhoqën në Vlorë. Prej këndej, rreth 300-500 veta, ikën në Itali, ndërsa po aq u larguan dhe në Greqi. Rrëzimi i qeverisjes së Fan Nolit dhe kthimi në pushtet i Ahmet Zogut, do të sillte dhe mbylljen e Gazetës “Drita”. Në këto kushte Veli Hashorva, si kundërshtar i hapur politik i Myfit Bej Libohovës, do të linte atdheun dhe do emigronte në Turqi, ku do të vdiste në vitin 1975. Në vitet ’60-të ai dërgoi kujtimet e tij që ruhen në Arkivin e familjes Hashorva dhe në Arkivin e Institutit e Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanalogjike.

Gazeta “Drita” si gazeta e parë e hapur në gjuhën shqipe në Gjirokastër, ka meritën e veçantë se themeloi në ligjërimin publik shqiptar, ligjërimin anti-imperialist, duke bërë thirrje për organizimin e Luftës së Vlorës e, bashkim kombëtar. Gazeta shprehej nëpërmjet një shkrimi të titulluar; “Fuqia vetë”, se; “nuk duhet të rrimë duarkryq, çdo derë është e mbyllur për ne, në çdo portë që trokitëm, nuk na u përgjigj njeri. Tani na mbeti të vështrojmë hallin tonë vetë. Ky është i vetmi shpëtim, e vetmja fuqi që duhet ti mburremi është fuqia e vet.

Në qoftë se shqiptarët do të përdorin fuqinë e vet, le të sigurohemi që Shqipëria shpëtoi. Atëherë bota do ta kuptojë se jemi gjallë e, që rrojmë nën hijen e flamurit kuq e zi me shkabën dy-krenare. Zgjohu pra o shqiptar! Nuk është aq vonë për punë…vendos fatin tënd me duart e tua dhe mos prit të shpëtojë i huaji…mund ta humbasim Shqipërinë përjetë, po të rrimë të mpirë, po do ta fitojmë lirinë tonë, në qoftë se lëvizim dhe tregojmë gjallëri”.

Ky ligjërim nuk ishte anti-italian, por shkonte në frymën e ligjërimit që shprehte Ali Këlcyra, publikuar në Gazetën “Drita”, ku mes të tjerash shprehej se… “Unë kam pasur respektin më të madh për popullin liridashës italian, (por) isha rreptësisht kundra politikës makiaveliste që bënte në Shqipëri, Sonino, Nitti, Titoni dhe komanda (ushtarake) e Vlorës”.  Ishte ky qëndrim i patriotëve shqiptarë, që bëri të mundur shndërrimin e politikës italiane, nga një politikë pazaresh me fqinjët e Shqipërisë, në një politikë mbështetëse për tërësinë territoriale dhe mbështetjen e shtetit shqiptar, pas Luftës së Vlorës.

Po kështu Gazeta “Drita”, rezulton të jetë organi i parë i shtypit shqiptar në Gjirokastër, që themelon ligjërimin modern e demokratik kundër shtresave tradicionale konservatore, që e mbanin Shqipërinë ende si një muze feudalizmi të vonë, ku dinjiteti e personaliteti i njeriut vlerësoheshin pak dhe liritë e shtresave më të gjera të popullsisë për arsim e prosperitet ekonomik, ishin të nëpërkëmbura.

Në këtë mënyrë Gazeta “Drita” rezulton të ketë qenë shkolla e parë e gazetarisë në Gjirokastër, që shtroi udhën për hapjen e gazetave të tjera të mëvonshme, që lanë gjurmë në kulturën shqiptare. Publikimi dhe editimi i të gjithë numrave të saj që ndodhen në Bibliotekën Kombëtare, do t’i japë shumë më tepër informacion publikut të sotëm shqiptar, mbi fillimet e modernizmit dhe evolucionin e shoqërisë dhe kulturës shqiptare të viteve ’20-të./ Memorie.al

Bibliografi:

1 – Arkivi i familjes Hashorva

2 – Arkivi i Muzeut Historik të Gjirokastrës.

3 – Ali Këlcyra. Kujtime.

4 – Arben Puto. “Demokracia e rrethuar”. Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë: 1990.

5 – “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”. Akademia e Shkencave të RPSSH, 1986.

6 – “Hylli i Dritës”. Letërkëmbimi i Luigj Gurakuqit. Nr 3, Mars 1944.

7 – Iliaz Gogaj. “Punëtorë të shquar të shkollës shqipe,” Tiranë: “Eurorilindja”, 2001.

8 – Justin Godart. “Shqipëria në 1921”. Tiranë: 2015, Shtëpia Botuese: “Klubi i poezisë”.

9 – “Kalendari i ‘Vatrës’ i motit 1918”, shtypur në Shtypshkronjën e Gazetës “Dielli” 1918, edituar nga Fan Noli.

10 – “Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës” Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë, 1974.

11 – Robert C. Austin. “Shtegu i pashkelur i Fan Nolit”. Botimi i II-të, Tiranë: 2003, “Albin”.

12 – Flutura Hashorva. “95-vjetori i gazetës ‘DRITA’ e Gjirokastrës” – (1920-1924). Gazeta ‘Tirana Observer’ 27.03.2015.

13 – Nasho Jorgaqi. “Fan Noli, kryeministër i qeverisë demokratike, – 1924”. Gazeta ‘Telegraf’. Dossier. 18 shtator 2018

14 – Odise Kote – ESSE prezantuese e studimit “Demokratia’- shkollë e gazetarisë shqiptare”. 28 Mars 2013

15 – Petrit Mëzezi. “Vështrim mbi shtypin përparimtar 1920-1924”. Studime filologjike – V. 37, Nr 1-2.

16 – Tanush Frashëri. “Ali Këlcyra, aristokrati Kuq e Zi”. Tiranë: 2005. Botimet “Çabej”.

17 – Revista “Agimi”. “Rreth Federatës ‘Atdheu’”. Shkodër Qershor 1921. Viti i III i botimit.

18 – Gazeta “Drita”, 1920-1924

19 – Gazeta ‘Zëri i Popullit’. “Avni Rustemi i pavdekshëm”. 30 prill 2018.

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Komandanti i parë i burgut Burrelit, ishte sadisti me gradën e togerit, me emrin e mallkuar Vangjel Rrëmbeci dhe, deri në vitin 1949, ai mori emrin ‘Burgu i shfarosjes’, pasi aty...”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

Next Post

“Jerzhi Legucki, është kuadër i Zbulimit Polak dhe ai interesohet për fëmijët e udhëheqësit tonë, Enver Hoxha...”! / Zbulohet dokumenti i Sigurimit, për diplomatin që tentoi të futej në “Bllok”, më 9 prill 1970

Artikuj të ngjashëm

“Gazeta e parë që u hap në Gjirokastër në gjuhën shqipe, ishte ‘Drita’, në vitet 1920-1924, me editor patriotin dhe publicistin Veli Hashorva…”! / Historia e panjohur e intelektualit të shquar gjirokastrit
Personazh

“Gazeta e parë që u hap në Gjirokastër në gjuhën shqipe, ishte ‘Drita’, në vitet 1920-1924, me editor patriotin dhe publicistin Veli Hashorva…”! / Historia e panjohur e intelektualit të shquar gjirokastrit

July 16, 2025
“Qyteti modern e ka zanafillën e tij në shekullin e XV-të, kur Iljaz bej Mirahori, nën hyqmin e Sulltan Mehmetit II-të, zhvilloj Korçën dhe…”/ Historia e panjohur e bamirësit të madh, dhëndrit të Sulltan Bajazitit
Personazh

“Qyteti modern e ka zanafillën e tij në shekullin e XV-të, kur Iljaz bej Mirahori, nën hyqmin e Sulltan Mehmetit II-të, zhvilloj Korçën dhe…”/ Historia e panjohur e bamirësit të madh, dhëndrit të Sulltan Bajazitit

July 12, 2025
“Bazna i tha, se nuk ishte aq budalla sa t’ia jepte dokumentet, pa marrë sterlinat, përndryshe, do t’ua shiste sovjetikëve…”/ Historia e panjohur e agjentit shqiptar, që u dha gjermanëve planet e anglo-amerikanëve
Personazh

“Bazna i tha, se nuk ishte aq budalla sa t’ia jepte dokumentet, pa marrë sterlinat, përndryshe, do t’ua shiste sovjetikëve…”/ Historia e panjohur e agjentit shqiptar, që u dha gjermanëve planet e anglo-amerikanëve

July 11, 2025
“Ishte një nga themeluesit e Ansamblit të Këngëve e Valleve, i diplomuar shkëlqyer në Institutin e Regjisurës e Koreografisë ‘Lunacharsky’, por regjimi komunist e largoi…”/ Historia e panjohur e mjeshtrit Kaceli
Personazh

“Ishte një nga themeluesit e Ansamblit të Këngëve e Valleve, i diplomuar shkëlqyer në Institutin e Regjisurës e Koreografisë ‘Lunacharsky’, por regjimi komunist e largoi…”/ Historia e panjohur e mjeshtrit Kaceli

July 4, 2025
“Ervis Gega me familjen e saj, hyri në ambasadën gjermane në korrik 1990, duke i dhënë rryshfet policëve dhe…”/ Shkrimi i gazetës së njohur gjermane “Spigel”, për drejtuesen e Filarmonisë Klasike të Bonit
Personazh

“Ervis Gega me familjen e saj, hyri në ambasadën gjermane në korrik 1990, duke i dhënë rryshfet policëve dhe…”/ Shkrimi i gazetës së njohur gjermane “Spigel”, për drejtuesen e Filarmonisë Klasike të Bonit

July 2, 2025
“Thanas Dino nga Gjirokastra, më pyeste dhe më këshillonte: ‘shiko, se ai njeri është i pazhbirilueshëm, mos i beso, ai ka rezerva, thotë s’shkruaj…”! / Refleksionet e mikut të ngushtë të Kadaresë
Personazh

“Thanas Dino nga Gjirokastra, më pyeste dhe më këshillonte: ‘shiko, se ai njeri është i pazhbirilueshëm, mos i beso, ai ka rezerva, thotë s’shkruaj…”! / Refleksionet e mikut të ngushtë të Kadaresë

July 2, 2025
Next Post
“Jerzhi Legucki, është kuadër i Zbulimit Polak dhe ai interesohet për fëmijët e udhëheqësit tonë, Enver Hoxha…”! / Zbulohet dokumenti i Sigurimit, për diplomatin që tentoi të futej në “Bllok”, më 9 prill 1970

“Jerzhi Legucki, është kuadër i Zbulimit Polak dhe ai interesohet për fëmijët e udhëheqësit tonë, Enver Hoxha...”! / Zbulohet dokumenti i Sigurimit, për diplomatin që tentoi të futej në “Bllok”, më 9 prill 1970

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme