Nga Nestor Topençarov
Pjesa e dytë
DRAMA E JETËS
(HISTORIA E NJË FAMILJEJE)
Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.
P A R A TH Ë N I E
Memorie.al / Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.
Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.
Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.
Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerëzve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.
Autori.
Dhjetor, 2022
KAPITULLI I PARË
Në shkurt të vitit 1957, ndërron jetë gjyshi dhe prindërit e mi u transferuan në Korçë, ku kishin shtëpinë. Në muajin maj të këtij viti, lindi motra ime, Ivana. Pak muaj më vonë, gjyshja shkoi në Bullgari, tek i biri. Vitet kalonin. Fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë, i kam kaluar shumë bukur. Babai, shpesh gjatë periudhës së verës, kur shkonte me shërbim, më merrte me vete. Pas pune gjithë kohën, e kalonte me mua. U mundua të më transmetonte atë çka ishte më pozitive dhe njerëzore. Edhe pse isha ende shumë i ri, për mua ajo ka qenë një periudhë shumë e rëndësishme që më lidhi shumë me babanë. Me mësime shkoja shumë mirë. Me fletë-lavdërimi. E vetmja që më mungonte, ishin të afërmit. Shokët shpesh tregonin që u kishte ardhur daja, që kishin shkuar me pushime te xhaxhai, halla, gjyshi….që kishin qenë të gjithë bashkë në dasma, ditëlindje, për festën e vitit të ri… etj. Ndërsa unë, i kisha përtej kufirit. Por kjo gjë, më shumë i mungonte babait tim.
Më kujtohet kur ktheheshim me autobus për në Korçë, gjatë zbritjes të Qafë Thanës, për në fshatin Lin. Babai më tregonte drejtimin nga liqeni, ku ndodhej qyteti i tij i lindjes, Ohri, ku në mbrëmje dalloheshin dritat e qytetit. E kishte kaq afër, por dhe në të njëjtën kohë, shumë larg. 40 vite. Në periudha të ndryshme, në distanca disa vjeçare, babai përsëriste kërkesën për riatdhesim. Por gjithmonë, për shkak të situatës politike, i refuzoheshin.
Në vitin 1972, mbarova gjimnazin me rezultate shumë të mira. Kërkesën e bëra për në Fakultetin e Mjekësisë, pasi që i vogël dëshira ime, ishte për këtë profesion. Të drejtat e studimit dilnin nga fillimi i gushtit. Unë në këtë muaj nëpërmjet Komitetit të Rinise të qytetit, shkova udhëheqës në kampin e pionierëve në Durrës. Në ato vite çdo turn, kampi zgjaste 28 ditë. Aty u njoha me mjaft të rinj, që ashtu si unë, kishin ardhur me detyrën e udhëheqësit. Një pjesë e mirë punonin në arsim, dikush në teatër e, të tjerë maturantë, sidomos tiranas, edhe ata në pritje të së drejtës të studimit. Me respekt kujtoj drejtorin e kampit, Pëllumbin.
Edhe me mjekun e kampit, Dr. Flamur Topi, u njohëm mirë pasi u përkujdes edhe për një problem shëndeti, që m’u krijua. E kam takuar shumë vite më vonë, kur do të udhëtonim me gruan nga Durrësi në Trieste. Na prezantoi të nipin, një djalë shumë i edukuar, në atë kohë student në mjekësi, që po e përcillte tek trageti. Udhëtimi për Trieste, zgjati më shumë se 24 orë dhe ky djalë, qëndroi në shoqërinë tonë.
Muaji gusht i 1972, ka mbetur i paharruar për mua. Isha 19 vjeç, në lule të rinise. Ndodhesha në një nga vendet më të bukura, të plazhit të Durrësit. Zona ku ishte ndërtuar kampi i pionierëve, ishte ngjitur me konvaleshencat e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes. Gjatë ditës, isha i im-penjuar me 30 fëmijët e kompanisë, që më kishin besuar. Ishin të klasës së katërt, vajza e djem. Ishin shumë të gjallë dhe për të mbajtur rregull, duhej të imponohesha mjaft. Në fillim e pata pak të vështirë, deri sa i njoha, pasi edhe eksperienca më mungonte. Por brenda pak ditëve çdo gjë funksionoi dhe të gjithë ishim të kënaqur. Në atë kamp pionierësh, organizimi ishte i përkryer, sidomos kur fëmijët do të hynin në det. Gjatë ditës zhvilloheshin mjaft aktivitete, që i bënin pushimet shumë të këndshme.
Në mbrëmje, pasi fëmijët binin për të fjetur, ishim të lirë. Ndërsa në njërën nga konvaleshencat, projektohej film në ambient të hapur, në tjetrën kërciste muzika italiane dhe angleze, në pistën e vallëzimit. Turistë të huaj që frekuentonin plazhin e Durrësit, shëtisnin gjithandej. Ndihesha i kënaqur kur bisedoja me dike, që donte të dinte për aktivitetet e pionierëve që zhvillonim në kamp. Më ndihmonte gjuha angleze, që kisha studiuar në gjimnaz.
Disa ditë përpara se të mbyllej sezoni i kampit, erdhi babai të më takojë. Atë vit ishte eksperimentuar për herë të parë, që të drejtat e studimit, do të jepeshin nga lagjet. Kur në fillim të muajit kishin dalë emrat e gjimnazistëve që do të shkonin në universitet, unë nuk figuroja. Disa miq të babait, në konfidencë i kishin treguar atij, se dikush që i peshonte fjala në lagje, kishte djegur kandidaturën time.
Ky ishte një person me shumë influencë, që në rini kishte patur kontradikta me dajën tim, që më pas donte të dënonte dhe gjyshin tim, por që dështoi, se nuk mundi të paraqiste prova. Tani që iu dha kjo mundësi, bëri të pa mundurën për të më dëmtuar. Ky shpirtkeq, quhej Vangjo Vangjeli, drejtor i Pallatit të Kulturës së qytetit. Bashkë me gruan e tij, Merin, që e kishim kryetare të bllokut, në periudhën e mëvonshme, kanë luajtur një rol shumë negative, ndaj meje dhe ndaj familjes sime.
Atëherë babai shkoi në Komitetin e Partisë, ku kërkoi një takim. Pasi tregoi arsyen, i premtuan që do ta shqyrtonin çështjen time. Nuk kaloi shumë dhe me grupin e dytë të të drejtave të studimit, më kishte dalë e drejta për në Fakultetin e Veterinarisë, dega Zootekni. Kur babai erdhi në kamp, më njoftoi për gjithë sa kishte ngjarë. Ishte viti i parë që Zooteknia ndahej si degë më vete dhe nuk e kisha idenë, me se merrej. Babai më shpjegoi diçka mbi këtë profesion, nga sa i kishin treguar.
Por unë në këtë moment nuk ndjeva asgjë, pasi ëndrra ime kishte qenë tjetër. Pasi pa zhgënjimin tim, më qetësoi e më propozoi, të shkonim në Tiranë, ku do të përpiqej të më ndërronte degën e studimit. – “Dua të bëj si prind gjithçka mundem, – më tha, – që nesër të mos mendosh se babai nuk bëri asgjë për ty”. Atëherë pasi mora lejë nga drejtori dhe si u përshëndeta me fëmijët e kompanisë dhe me mjaft nga udhëheqësit e tjerë, u nisëm për në Tiranë.
Kur punonte në ministri, babai kishte patur kolege, arkitekten Valentina Pistoli. Në atë kohë i shoqi i saj, ishte dekan i Fakultetit të Mjekësisë. Më pas shkuam tek Dr. Spase Trimçev, një mjek me influencë, që ishte një shok i dajës, Robert. Tek ish – ambasadori shqiptar në Sofje (në këtë kohë në pension), që kishte pasur miqësi me gjyshen. Tek Shefi i Katedrës së Topogjeodezisë, që babai e njihte mirë, (se edhe me ndonjë inxhinieri, do të isha i kënaqur).
Kudo që shkuam, ishte e kotë, pasi atë vit ishte e pamundur, të bëhej ndërrim fakulteti. Preferova të mos humbas vitin dhe shkuam në Institutin Bujqësor, ku u regjistrova për të filluar studimet. Vitin e parë e nisa pa dëshirë për të mësuar. Në fillim ishin lëndët e përgjithshme, por më pas me kalimin e kohës dhe me futjen e lëndëve të profesionit, Zooteknia më pëlqeu. Edhe në fakultet, arrita rezultate shumë të mira në mësime.
Jeta e studentit më pëlqente. Gjatë vitit të parë jetova “atë”, që më pas u godit: muzika, moda, e bukura “e huaj”. Megjithëse Instituti Bujqësor ishte jashtë qytetit, në Kodër-Kamzë, shpesh me shokët shkonim në Tiranë. Na pëlqente të shëtisnim nëpër qytet. Hanim nga ndonjë darkë në restorant “Drini” (ish-“Vollga”), kur na tepronte ndonjë lek. Shpesh shkoja edhe në kinema, si dhe në teatër. Në sallën e Operës dhe Baletit, kam parë operat; “La Boheme” dhe “Traviata” me sopranon Nina Mula dhe tenorin Gaqo Çako. Më pëlqenin edhe ansamblet, prej të cilave, ato vite, kam parë disa shfaqje.
Përsa i përket kërkesave për riatdhesim, babai bëri përpjekjen e fundit, në vitin 1972. Për kërkesën që kishte bërë, iu kërkua të paraqitet në Sekretarinë e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku iu komunikua se; nga pala shqiptare, nuk kishte asnjë problem. Ishin jugosllavët që nuk e pranonin. Në bisedën që u bë, ai pyeti se a mund t’i drejtohej ambasadës jugosllave, për të sqaruar problemin. Pasi mori miratimin nga Sekretari i Presidiumit, babai i shkroi një letër kësaj ambasade, ku i paraqiste kërkesën. Pas disa javësh, në përgjigjen e tyre, ambasada e ftonte babanë, të paraqitej. Gjatë takimit iu tha, se nga pala jugosllave, kthimi i familjes sonë në Ohër, nuk kishte asnjë pengesë.
E vetmja kërkesë ishte, se më parë Presidiumi i Kuvendit Popullor, duhej të na hiqte shtetësinë shqiptare e, më pas veprimet e tjera për riatdhesim, do t’i bënin ata. Këtë përgjigje, na e dërguan gjithashtu edhe në rrugë zyrtare, me postë, të cilën babai ia paraqiti zyrtarit të lartë të Presidiumit. Atëherë kur u pa se justifikimit i ishte hequr maska, Sekretari i bëri të ditur babait, se ata nuk do të lejonin kurrë, që fëmijët e lindur e rritur në Shqipëri, të dilnin jashtë saj.
Erdhi viti 1976. Kishim 3-4 vite që nuk ushqenim më asnjë iluzion, për të shkuar në Jugosllavi. Babai në muajin mars, doli në pension. Shtëpinë po e ndërtonim me Ateljenë. Edhe Ivana ishte mirë me mësime dhe si fëmije e dytë, kishte mundësi të studionte. Unë e kisha emërimin në Tiranë, ku dhe më pëlqente të jetoja. Në muajin prill, kursi ynë kishte programuar një vizitë disa ditore, në qendrat blegtorale të rrethit të Korçës. I ngarkuar nga fakulteti, erdha në qytetin e lindjes, disa ditë më parë, për të prenotuar dhoma hoteli.
Pasi sistemova çdo gjë, ditën e caktuar, prita te agjensia e autobuzave, profesorët dhe shokët e kursit e, i shoqërova në strukturat e hoteleve. Në 3-4 ditët që vijuan, vizituam mjaft ekonomi të përparuara blegtorale. Shkuam edhe në Maliq. Kudo u takuam me specialistë, veterinerë e zooteknikë, që na njohën me eksperiencën e rezultatet e tyre. Ky tur doli shumë i suksesshëm. Të gjithë, profesorë e studentë mbetën shumë të kënaqur. Ishte dita e fundit në Korçë, dhe kisha ftuar për drekë, disa nga shokët i mi. E kaluam mjaft mirë. Mbetën të kënaqur edhe nga biseda me babain.
Pasdite vonë, po bënim një shëtitje në bulevard. Ishte 8 prill, 1976. Koha ishte shumë e bukur dhe bulevardi ishte plot me njerëz. Ndihesha shumë i lumtur. Të nesërmen do të ktheheshim në Tiranë. Pas disa javësh fillonin provimet dhe, më pas, zbori e puna, ku do të dilja në jetë. Edhe shokët bisedonin për planet pas fakultetit. Gjatë shëtitjes, në një çast, shoh motrën që po vinte në drejtimin tim. Shkëputem dhe marr vesh që në shtëpi kishin ardhur dy makina “Gaz”, të Degës së Punëve të Brendshme, me 8-9 punonjës të Sigurimit, që pasi kishin bërë kontroll, kishin marrë babain. Nuk u besoja veshëve. M’u duk sikur e gjithë bota, më kishte rënë mbi kokë. U ktheva për pak te shokët, të cilët e vunë re ndryshimin e shprehjes së fytyrës sime.
Të shqetësuar, më pyetën se çfarë kishte ndodhur. Ju thashë se babai nuk ndjehej mirë me shëndet dhe se do t’i lajmëroja më vonë, për gjendjen e tij. Donin të më shoqëronin, por i ndalova. Kur u ktheva në shtëpi, nuk mund ta përshkruaj pamjen. Nga njëra anë, e mbytur në lot, nga ana tjetër, çrregullim, shkatërrim, rroba të hedhura andej-këndej, sirtarë të hapur, raftet e rrobave të bëra rrëmujë, divanë të spostuar nga vendi. Ajo shtëpi që gjithmonë kishte qenë e rregullt dhe e pastër, ku çdo gjë ishte në vendin e saj, tani ishte shndërruar, në një fushë beteje. Motra ime, në atë kohë në prag të nëntëmbëdhjetave, kishte mbetur e traumatizuar.
Atë çast kuptova se, isha unë ai që duhet të merrte situatën në dorë. Pasi i qetësova, filluam të sistemonim shtëpinë. Më pas mamaja më dha proçes-verbalin, që ishte bërë për kontrollin. Aty ishin regjistruar disa monedha floriri, të cilat i sekuestruan, në një nga kontrollet e tjera. Dy nga punonjësit e Degës, që i kishin mbetur në kujtesë, ishin; i pari një burrë rreth të 35-ve, arrogant, i shkurtër e të kuqe edhe ato. Dukej që ishte ai që drejtonte kontrollin rrumbullak, me një fytyrë të kuqe e lobet e veshëve shumë të trasha,, se vazhdimisht jepte urdhra. Tjetri ishte një djalë i ri, i moshës sime, që ishte i veshur elegant e, që i kishte lënë përshtypjen e një njeriu me shkollë.
Më pas shkova te hoteli dhe shokëve iu thashë se babanë e kishim shtruar në spital, por të rrinin të qetë, se gjendja ishte nën kontroll. I vura në djeni, se unë do të qëndroja disa ditë në shtëpi, sa t’i stabilizohej shëndeti. Iu urova rrugën e mbarë, për të nesërmen dhe u përshëndetëm. Në shtëpi, në mbrëmje, askujt nuk i hapej goja për të ngrënë dhe kështu shkuam për të fjetur. Për mua kjo ka qenë nata më e keqe e jetës sime. Gjumin e bëra copa-copa. Më shumë pa gjumë, se me gjumë. Endërra të këqija, që më bënin të kërceja përpjetë nga krevati. Pasi më dilte gjumi, kuptoja se realiteti ishte më i keq.
Në jetë çdo gjë mund ta mendoja, por që do të më arrestonin babanë, as në ëndërr nuk e imagjinoja! Kisha idenë që në burg, merrnin vetëm ata që shkelnin ligjin. Nga ora 6.00 e mëngjesit, kur sapo më kishte zënë gjumi, më zgjon trokitja e portës. U vesha menjëherë, me shpresën që do të shikoja babanë. Nga dhoma tjetër, dëgjova që u ngrit edhe mamaja. Kur hapa portën e jashtme, pashë shokët e mi, që ishin kthyer nga spitali. Më pyetën për shëndetin e babait dhe më thanë se askush nuk dinte gjë për këtë rast. U mundova t’i ngatërroj me repartin e shtrimit, por unë jam një njeri, që nuk di të gënjej. Nuk e di sa më besuan. Më pas ikën, pasi autobusi nisej pas pak.
Më erdhi shumë rëndë, që nuk ju tregova të vërtetën. Por në gjendjen që isha, atë çast, kjo m’u duk rrugëdalja. Kur hyra në dhomë pashë, që edhe mamaja me motrën, kishin menduar se do të ishte babai. Por të tre, ishim zhgënjyer. Prita të vinte ora 9.00, që të shkoja në Degë. Nuk dija kujt t’i drejtohesha, kë të kërkoja. Po bëhesha 23 vjeç dhe nuk e kisha parë deri atëherë portën e Degës. Dija që kompleksi i Degës së Punëve të Brendshme, në Korçë, ishte i përbërë nga 3-4 pallacina të ndërtuara në kohën e Italisë. Kisha dëgjuar që ishin zyra, por nuk dija që katet e nëndheshme, ishin biruca të para-burgimit. Në proçes-verbalin që kishin lënë në shtëpi, kishte firmosur një hetues. Emri i tij ishte Irakli Koçollari. Të paktën kisha një emër.
Pasi mori të dhënat e mia, oficeri i rojës, më tha të prisja në dhomën përballë sportelit. Pas disa minutash, erdhi një polic që më shoqëroi, deri te shkallët e njërës prej godinave. Aty po më prisnin dy civilë. Ishin pikërisht ata të dy, që i kishin mbetur në kujtesë mamasë. I shkurtri, u prezantua, shefi i hetuesisë Reshat Leskaj, kurse tjetri, ishte ai me kostumin ngjyrë kafe, që kishte firmosur proçes-verbalin. Shefi më shpjegoi se ata e kishin marrë babanë, për akuzat që ishin bërë ndaj tij, por ne të rrinim të qetë, se ata do të sqaronin çdo gjë. Të kishim besim te partia. Duke bërë këtë bisedë, papritur më kap dorën e majtë dhe më kontrollon markën e orës. Pasi pa atë që donte, ma lëshoi lehtë. Ora ime ishte e një marke të vjetër zvicerane, që gjyshja ma kishte dërguar në vitin 1966, pas vdekjes së dajës së madh.
Në atë çast nuk e kuptova atë veprim, por më vonë e pata të qartë arsyen e këtij kontrolli. Mbrëmjen e kaluar, kur po vinim pak rregull në shtëpi, mamaja vuri re që na mungonte albumi i pullave. Ky kishte qenë një katalog-album, që përfshinte shumë pulla shtetesh të botës dhe besoj se ishte botuar rreth viteve ‘30-të të shekullit të XX-të. Aty shënohej emri i shtetit, fotografia e pullës së parë të këtij shteti, viti dhe numri i pullave të serisë, e me radhë gjithë seritë e tjera, të dala në vazhdim. Ky katalog, ishte i mbushur me kuadrate ku vendoseshin nga filatelisti pullat përkatëse. Kur isha në tetëvjeçare, fillova të mbledh pulla. Mora pjesë edhe në rrethin e filatelisë në Shtëpinë e Pionierit, ku udhëheqës i rrethit ishte filatelisti, Prof. Miço Kaçaku, i cili na dha mjaft njohuri në lidhje me këtë fushë.
Na foli për pullat e rralla dhe me vlerë. Ndërmjet të tjerash edhe për pullën e parë shqiptare. Ne këtë album e kishim trashëguar nga gjyshi dhe mamaja nuk ma jepte me vete, meqenëse isha ende i vogël dhe mund të këmbeja me shokët pulla, që nuk ua dija vlerën. Disa herë në praninë e saj, m’u dha mundësia ta shoh këtë album të pasur. Mes pullave të tjera, pashë dhe pullën e parë shqiptare, që na kishte folur profesori. Kur shkova në gjimnaz e më pas në fakultet, dëshira të merresha me filateli, më ishte larguar, kurse albumi kishte mbetur gjithmonë në vendin e tij, në një sirtar të raftit të rrobave.
Sekuestrimi i albumit nuk rezultonte në proçes-verbalin e mbajtur. Atë mëngjes, në Degë, pyeta Reshatin, në lidhje me këtë send, që na mungonte. Pa mbaruar mirë fjalën, ndërhyri Irakliu që më tha: – “Do t’ju kthehet”. Vërtet e ktheu pas disa muajsh, por albumit i kishin mbetur fletët bosh. Mbi 80% e pullave, nuk ishin më. Me to ishte zhdukur, edhe pulla e parë shqiptare. Kur u ktheva në shtëpi, shpresoja se ashtu siç m’u tha, gjërat do të sqaroheshin dhe babai do të lirohej. Në shtëpi vendosa të qëndroj edhe disa ditë, para se të kthehesha në Tiranë, ku muajin e ardhshëm, fillonin provimet
Diku më sipër, kam përmendur që shtëpinë tonë po e restauronte Ateljeja e Korçës, meqë ajo ndodhej afër qendrës (pranë monumentit të “Ushtarit të Panjohur”) dhe ishte ndërtesë karakteristike e qytetit të vjetër. Shtëpia përbëhej prej dy banesash dykatëshe, të ndara nga një oborr i brendshëm, ku njëra nga të dyja kishte katin e poshtëm bodrum. Në kohën e arrestimit të babait, ndërtesa e brendshme me bodrum, ishte rindërtuar, ndërsa në katin e sipërm të tjetrës, po bëheshin punime. Pas asaj që ndodhi, numri i punëtorëve u zvogëlua në 1-2 vetë dhe punimet u ngadalësuan shumë.
Ishim në dhomën poshtë dhe po hanim drekë. Edhe punëtori që punonte ishte larguar, kur dëgjojmë zhurmën e një makine që ndalon para shtëpisë. Pas pak hapet porta e jashtme e dëgjohen këmbët e dy-tre personave, që ngjitin me shpejtësi shkallët e drurit, për në katin e sipërm. Me lëvizjet e punëtorëve në shtëpi ishim mësuar, gjatë kësaj periudhe të ndërtimit. Por, në një çast dëgjohen disa zhurma të çuditshme mbi kokat tona dhe menjëherë më pas, personat zbritën shkallët.
U ngrita nga tavolina dhe hapa derën e dhomës së ngrënies e cila të nxirrte në një korridor të brendshëm. Përballe ishin shkallët që të ngjisnin në katin e dytë. Përballë shoh Irakliun, të shoqëruar nga dy të tjerë. Në secilën dorë mbanin nga dy armë zjarri të shkurtra, antike. Armë nga ato të periudhës së Turqisë. Pasi këmbyem vështrimet, pa më thënë asnjë fjalë hapën derën e jashtme dhe u larguan, në drejtim të automjetit “Gaz”, që i priste më poshtë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016