Nga Lek Pervizi
Pjesa e tetë
ODISEJA E PAFAJSISË
Vёllait tim Valentin, qё pёrballoi
47 vjet rresht stuhitё ideologjike tё
komunizmit, pёr ma tepёr i ndarё
nga grueja, njё Odise e vёrtetё
mes shekullit njёzet.
Memorie.al / Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që quhet e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullinjt që njihen si të Gjin Pjetrit, që ngrihen njeni pas tjetrit. Kalon dhe kullën dykatëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkëmbor mbi të cilin ngrihet një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihen si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit. Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohet nga bashkimi lumenjve Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuaj një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të huaja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndesheshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngriheshin kullat që përmendëm.
Valentini i jetonte të gjithë ato emocione dhe tronditje e si gjithë shokët e tjerë, edhe ai rrinte në pritje të asaj që nuk mund të përfytyrohej, por që mund të ndodhte. Të gjithë ato bashkëvuajtës, shokë të dashtun e miq, që një fuqi e kobshme vinte me i marrë tue i nda përgjithmonë prej të tjerëve, ishin ma tepër se vllazën.
Dëshpërimi ishte i madh, për zhdukjen e tyne në atë mënyrë barbare të pushkatimit, pa ditë sikur një arsye bajate e kotë. Sakaq ishte hap fjala, se do të krijoheshin gjyqet speciale. Së pakut të burgosurit, do të kishin “privilegjin” të pushkatoheshin “zyrtarisht”, me dokumenta. Guljelm Deda, kishte gjet shkak për humor.
-“Tashti po, gjyqi special! Nder і madh! Me pushkatim special! Ku ta marrish? Shën Pjetri e hap derën e Parrizit menjëherë për Shpirtnat special”!
Nji ditë kishin sjellë në dhomën e Valentinit dy malësorë nga zona në kufi me Jugosllavinë. Njeni ishte i naltë rreth 1.90 dhe me trup të lidhun e muskuloz, me një fytyrë të rregullt që shprehte një natyrë të mirë e krenare. Ndërsa tjetri pak ma i vogël me një fytyrë të ashpër, që tregonte egërsi të madhe. I pari quhej Gjergj Luli, e tjetri, Gjek Marashi.
Të dy nga Kelmendi, qendra kryesore e asaj krahine malore. Në dhomë ishte njeni që i njihte mirë, që quhej Pjetër, i cili i kishte pa nji ditë që i morën në pyetje në zyrën e burgut. Ai tregonte se ishin dy burra shumë trima dhe të besës, që rrallë gjendeshin në botën e tanishme.
Kishin luftue me trimni të madhe kundër forcave partizane, në orvatjen për mos me i lanë me hy në Malësi. Kur erdhën në fuqi komunistët, ato qendruen në mal. Pas disa muaj, nji ditë, komandanti operativ i zonës, u çon fjalë se kishte marrë urdhën nga nalt, për me ua internue familjet dhe me ua djeg shtëpitë. U dha 48 orë kohë, me mendue se si me vendosë: ose me u dorëzue, ose me ndejtë të arratisun. Për rastin e dytë, masat ndaj familjeve të tyne, do t’ishin të rrepta.
Prandaj të vendosnin. Ata, për të mos lejue internimin e familjeve dhe djegien e shtëpive, vendosën të dorëzohen me kusht, që t’i pushkatonin, por mos t’i prekte kush me dorë, as me gisht. Komandanti partizan e kishte pranue menjëherë kushtin, se askush nuk do t’i cikte me dorë. Kështu u kishin tregue ata shokëve të burgut, tue shtue:
– “Ne jemi në pritje që të na pushkatojn. Dek se me dek, vdesim me ndërgjegje të qetë, të shpëtimit të familjeve e të shtëpive tona”.
A do të ketë vallë njerëz të tillë akoma në botë, me aq forcë morale, me karakter aq të kalitun e, shpirt vetëmohues?!
Një ditë erdhën dy police, duke i njoftue se i kërkonte në zyrë drejtori, për disa pyetje. Pas pak hipi nalt nji grup partizanësh, që u zunë dorë për dore dhe filluan të hedhin valle e të këndojnë në paradhomën e shtrueme me dërrasa. Me ato këpucë me thumba hekuri, merre me mend se ç’zhurmë banin mbi dyshemenë e drunjtë?! Ata vallëzonin në rreth, si njerëz t’egër të xhunglave afrikane, duke bërtit sipas ritmit të një kange luftarake, tashmë të njohun:
-“Te ura… te ura… te ura në Drashovicë… Gjimon to… gjëmon to,
… gjëmon topi i Italisë…”! Aq shurdhuese, sa të burgosunit nuk merreshin vesh me njeni tjetrin. Ashtu vepronin gjithmonë, kur ishte puna me torturue e ,me rrah të dënuemit, qё tё mos dёgjoheshin britmat e tyne, nga torturat qё pёsonin.
Pas nji ore u hap dera dhe dy forma njerëzore u hodhën midis dhomës, si t’ishin dy thasë me zhele, aq keq i kishin katandis ato dy të shkretët, sa mos me i njoh as shokët e tyne. Tue mos mujt me qëndrue në këmbë, shkuen te vendet e tyne, këmbadoras. Ja pse ato hordhi barbare, kishin krijue gjithë atë zhurmë, që askush mos t’i dëgjonte ulërimat e tyne.
I kishin rrah me shkopinj, deri sa i kishin shtri për tokë, si të dekun. Vetëm pas disa ditëve, ata filluen të lëvizin pakëz. Në një çast Valentinit i ishte afrue Gjeka, tue i thanë nëse e dëgjonte nji këngë, që vinte nga jashtë. Dhe ne fakt, dëgjohej një këngë e largët.
– “Ajo asht nji shej me të cilin një kushri i imi, më lajmëron se nesër në mëngjes, do të na pushkatojnë”.
Kur ra nata, ai e luti Valentinin që të loznin një domino katërshe. Valentini thirri profesor Angjelin Saraçin dhe Gjon Harushën, që të bashkoheshin në atë lojë. Luejtën deri natën vonë, deri kur Gjeka u tha shokëve ta falnin, se donte me fjet. Ma vonë ishte çue e, i kishte folë Valentinit:
– “Shikoje Gjergjin se si asht katandis në gjumë”! Gjergji ashtu siç ishte i shtrimë, dukej krejt i skuqun e, i mbuluem me djersë. Kushedi ç’andrra të tmerrshme, e mundonin. Valentini, deshi të pushonte, por nuk mundi me mbyll sy atë natë, sepse pati dhimbje të madhe në një vesh. Disa herë, gjatë natës, e kishte pa Gjekën që çohej dhe merrte leje me shkue në banjo, që gjendej e mbeshtetun mbi murin e rrethimit. Por më kot. Edhe po të kishte pasë flatrat, nuk mund të kishte ba asgjë, sepse mbi tarracën sipër, ishin rojet me automatikë ndër duer.
Erdhën e i morën pa zbardh agimi. Kur njena nga rojet lexoi emnat, të gjithë u çuen në kambë, për t’u përfalun me ta për herë të fundit. U përqafuen me lot ndër sy. Gjergji e hoqi trikon e leshit e punueme bukur që mbante dhe ia dha Valentinit, tue e falenderue që ia kishte huajt. Fanela ishte e tij, por si njeri i mirë që ishte, ia dha në nji mënyrë, qe rojet të mos e kuptonin që po ia linte si kujtim e amanet, sepse përdryshe Valentini, mund të kishte pësue një keqtrajtim.
Kishin vendos t’i pushkatonin në një vend afër Shkodrës, pikërisht në Koplik, ku Llesh Marashi, kishte luftue kundra forcave partizane të Mehmet Shehut, nё janar 1945. Mbasi nuk ishte ma larg se 7-8 kilometra, i kishin çue në kambë, sepse një ditë ma përpara i kishin njoftue gjithë partizanët e banorët përreth, që të vinin për t’i pa se ç‘ “kafshë“ ishin.
Partizanёt ishin rreshtue nga dy anët e rrugës, të gjithë të rij e të reja partizane, me uniformat lecka lecka, që bertisnin e shanin si të çmendun kundra atyne heronjve të vërtetë, që nga ana e tyne nuk rrinin gojë mbyllun, por u përgjigjeshin me një fjalor të pasun sharjesh, drejtue veçanërisht regjimit bolshevik, e atyne vajzave të marrosuna.
Kur i kishin çue në vendin e ekzekutimit, ku ishte mbledh gjith ai popull që i njihte ato të dy, i kishin mbështet pas një muri ashtu të prangosun. Gjeka ishte lakue në gjuajtjet e para, kurse Gjergji, e kishte mbajt në krahët e tij të fuqishëm, deri sa të dy ishin rrëxue së bashku, me trupat shoshë me plumba.
Në kohën e pushtimit italian, dilte një revistë, në të cilën ma shumë se njëherë, paraqitej fotografia e Gjergjit, si prototip shembullor i racës shqiptare, jo vetëm për trupin e tij atletik, por edhe për bukurinë e fytyrës, me trajta të rregullta e të përsosuna. Por sistemi komunist, ishte kundra çdo gjaje të bukur e fisnike, qoftë të përmasave të njeriut apo, të përmasave historike, kulturore e të traditave ma të mira shqiptare. Po tregohej krejtësisht si një sistem antishqiptar e, antinjerëzor.
Nuk kaluan dy jave dhe në qelinë e Valentinit, para se me dalë dita, erdhë e morën tre të tjerë, kandidatë për pushkatim. Ndër ta, një fshatar i quejtun Hasan Bërdica. Sa ndigjoi emnin e tij, u çue në kambë dhe u vesh. Pastaj u kthye nga Valentini dhe shokët e tjerë:
-“Me thanë të drejtën, nuk e prisja një fund të tillë. Nuk e ndjej veten fajtor, për asgjë, sepse nuk i kam ba keq kërkuj. Por më sa po kuptoj, në librin tim, asht Zoti që e ka vu fjalën fund. Të më falni nëse ju kam mërzit. Mirupafshim në botën tjetër“!
Kjo ishte përshëndetja e zakonshme e të gjithë të dënuemve me vdekje. Në oborr e pritshin gjashtë të tjerë, të caktuem me vdekë. I përcollën me roje të forta, deri të vendi ku do të bashkoheshin me gjashtë të tjerë, të sjellun nga burgu i vjetër. I hypën në një kamion, ashtu siç ishin të lidhun dy nga dy, me pranga. Hasani që kishte mbetë vetëm dhe i fundit për me hyp në makinë, me një lëvizje të shpejtë ishte shkëput dhe ia kishte dhanë vrapit. Partizanët, të armatosun deri në dhëmbë, kishin mbetë të befasuem, por menjëherë kishin fillue me gjuejt mbi të, breshëri plumbash.
Por ai me shkathtësi, duke u fut nëpër rrugicat u kishte shpëtue. Ishte një mrekulli, sepse nuk e kishte godit asnjë plumb, nga ato qindrat që u shprazën mbi të. Pas kësaj skene, makina u nis dhe të 12 viktimat e tjera, iu banë fli idhullit komunist, sipas ritit makabër që kryhej gati për çdo ditë, mbi zallin e Kirit. Ndër këto të pushkatuem, kishin ndodhë dhe dy prifta katolikë.
Përsa i përket Hasanit, Valentini e kishte marrë vesh nga malësorë të tjerë të sjellun në burg, se pas gjashtë muej qendrimi në mal, Forcat e Ndjekjës e kishin pasë rrethue në një arë misri, ku kishte krisë pushka dhe i shkreti Hasan, pas një luftimi të rrebtë, kishte mbetë i vramë.
Nji ditë që Gori erdhi me e takue Valentinin si zakonisht, i tha se disa miq e kishin këshillue, që ai të shkruente biografinë e gjithë jetës së tij, deri ditën e arrestimit, që do t’i drejtohej Mehmet Shehut dhe nji kopje t’i dorëzohej drejtorit të burgut. Valentini iu vu punës dhe arriti të përpilojë autobiografinë e tij
Pse duhej të bahej kjo punë, e pse aq me urgjencë?!
Një agjent i Sigurimit i kishte tregue një shoku të tij, që ishte mik i familjes Pervizi, se organet e posaçme të Sigurimit kishin qëllimin të kurdisnin një proces të sajuem kundër Valentinit, për ta dënue randë e, ndoshta eliminue fizikisht. Nga shumë akuzat e ngrituna, njena ishte krejt qesharake: Valentini qenka dërgue në Shqipni, nga ana e disa eksponentëve politikë në mërgim, të partisë së Legalitetit. Sipas akuzës, Abaz Kupi dhe Mehdi Frashëri, e paskan thirrë në Romë, për me i propozue një mision special, atë të shkuemjes në Shqipni, për me i bashkue forcat nacionaliste, në luftën kundër komunizmit.
Valentin paskej pranue dhe sapo kishte ardhë në Shnqipni, paskej shkue në Kelmend, Dukagjin dhe Mirditë, ku paskej marrë pjesë në luftime të përgjakshme, kundër forcave partizane, etj. Me nji të tillë akuzë, edhe po të kishte pasë njeqind koka, do të ia kishin shkurtue të gjitha.
Sigurisht se Valentini nuk kishte si mos me u merzit e friksue, ndaj atyne metodave kriminale të komunistëve. Gjendja e tij ishte si ajo e Damokleut, me shpatën e varun mbi kokë në nji fije peni. Gorit nuk i shfaqi kurrë, të tilla mendime tragjike. Ndërsa shokët e burgut i jepnin zemër. Nuk besonin se ato kurdisje, do të arrinin qëllimin e tyne, sepse ishin tepër qesharake. Por me kriminelё tё tillё, ç’far s’mund tё pritshe.
Prek Cali
Koha kalonte dhe nuk jepte shenja të mira. Egërsia e komunistëve në vend që të binte sa vinte e shtohej. Një ditë prej ditësh tё fillimit tё marsit 1945, në qelinë e Valentinit sollën një burrë malësor shtatnaltë, dy metra e ma, i pashëm, me trajta të bukura të fytyrës e, me një palë musteqe të thijme, që i kishi hije.
Ishte i famëshmi Prek Cali, krenaria e Malësisë dhe që mbahej si prototipi i racës iliro-shqiptare. Patriot e luftëtar trim e, burrë mentar. Valentini kishte dëgjue për atë qyshkurë, dhe ma tepërt, kur kishte qëndrue disa muej në Dukagjin, te shoku i tij i ngushtë, Lek Vojvoda ose Vuksani.
Prek Calit i takoi me zanë vend përbri Valentinit. U miqësuen shpejt, sepse Preka ia kishte njoh t’atin dhe kishte pasë punë me të. Ai kishte një përshtypje të mirë për të dhe e admironte për aftësitë ushtarake dhe përgatitjen e naltë që kishte.
Pavarësisht nga gjendja e mjerueshme ku ishin, Valentini dhe të burgosumit kishin rastin të merrnin vesh, se si ndodhi që u dorëzue, e kush, Prek Cali, ai burrë tashma lëgjendë e Malësisë?! Megjithëse komunistët kishin marrë pushtetin dhe gjermanët e kishin braktisë Shqipninë, në Kelmend, kalaja e fundit kundër bolshevizmit, kishte vazhdue qëndresa nën udhëheqjen e Prek Calit.
Valentini nji ditë e pyeti atë malësor krenar, me të cilin rrinte ngjit:
– “Po si u dorëzove? A nuk e dijshe se një njeri i randësishëm si ti, do ta kishte shumë të vështirë ose të pamundshme, që të ia dilte me komunistët”?!
– “Po, ke të drejtë, – ishte pergjigjë Preka, – por janë disa rrethana, që më sollën deri këtu. Dhe ai kishte tregue, çfar i kishte ndodhë. Aty ishin afrue dhe tё burgosun tё tjerё, pёr me dёgjue rrёfimin e kёtij malёsori tё famshёm
Pasi kishin marrë fund luftimet, kundër forcave shumë ma të mëdha komuniste ne njerëz dhe armatime, shumë prej trimave kishin qendrue në mal, për mos me u dorëzue. I përmendi ato dy malësorët, Gjekën e Gjergjin, që u pushkatuen në Koplik.
Ai vetë me nja dhjetë të rij trima, kishin arritë të strehohëshin në nji shpellë të sigurtë, në maje të një mali, tue jetue si harushat. Herë-pas-here, njeni prej tyne shkonte me u furnizue me ushqime. Kështu kaluen disa muej.
– “Tue hedhë vështrimin mbi ato djem të rij, më ngushtohej zemra nga dhimbja që ndjeja për ta, që kishin pranue me me shoqnue dhe bile edhe me dhanë jetën, për mue”!
Një mëngjes tё mesit tё kallnorit, ata e kuptuen se ishim rrethue. Si e kishin marrë vesh partizanët?! Sigurish i kishte sjellë dikush vendas, që e njihte mirë zonën dhe se ku gjendej ajo shpellë. Komandanti i atij reparti special, u kishte kërkue te dorëzohëshin. Po ata ishin përgjigjë me pushkë dhe luftimi kishte vazhdue disa ditë.
Ndërkohë, komandanti u kishte folë nga larg me za të naltë:
– “Or Prek Cali, ta merrni vesh se jeni rrethue e, nuk keni asnjë mundësi shpëtimi. Ku e kur mund të gjeni ushqime, ujë e municione?! Prandaj qëndresa juej, asht krejt e kotë. Ju baj të ditun se; në qoftëse nuk dorëzoheni, autoritetet e krahinës, kanë marrë urdhën për internimin e familjeve dhe djegien e shtëpive tueja.
Prek Cali kishte ndërhy me ia mbushë mendjen komandantit, për të gjetë një zgjidhje, në menyrë që t’u falej jeta atyne të rijve, që rrinin me të. I kishte thanë komandantit, që të fliste me Mehmet Shehun, se ata kishin vendosë me u dorëzue, vetëm në dorë të Mehmet Shehut. Dhe Mehmeti, erdhi vetë deri aty.
– “Po t’ishte për mue, thoshte Prek Cali, aty ne atë qeli, nuk do t’isha dorëzue, deri në fishekun e fundit, por në atë shpellë mendova për jetën e atyne të rijve dhe për familjet tona. Kur erdh Mehmet Shehu, fola me të nga larg, tue i thanë se do të dorëzoheshim, po të na kishte dhanë besën si burrat.
– “Ai ishte përgjigj, tue na sigurue se do të na falte jetën, edhe t’imen, mandej m’u drejtue:
– Po pse nuk u bane me ne, or Prek Cali, dhe tashti do t’ishe një burrë i nderuem e, hero i lavdishëm me dekorata të larta”?!
– “Nuk kisha si me u ba me ju, që ishit lidh mish e thue, me shkjetë e Serbisë, kundra të cilëve, kemi shekuj që luftojmë”.
Për fjalën e fundit, me ma fal jetën, mbeta i çuditun dhe nuk po i besoja veshëve, prandaj i thashë që ta përsëriste edhe një herë. Ai e kishte përsërit. Pastaj i kërkova, që të mos na prekte kush me dorë, qoftë gjatë rrugës deri në Shkodër, ose në qelitë e Sigurimit. Edhe për këtë ai na siguroi. Kështu u dorëzuem. Na pyetën një nga një, pa na prek, dhe djemtë i çuen në burgun e vjetër, kurse mue këtu me ju”.
– “Të përgëzojmë që ta paskan fal jetën, – i tha Valentini dhe pas tij, të burgosunit e tjerë”.
– “Sigurisht, Mehmet Shehu më ka dhan fjalën e nderit dhe nuk besoj se do ta hajë”. Preka si malësor, ishte i bindun se Mehmeti do ta mbante besën. Valentin e të tjerët, nuk ndërhynë për mos me e randue, por ndër veti, ishin të bindun se Mehmeti, s’do ta mbante atë besë.
Dorёzimi i Prek Calit, kishte ndodh me 15 janar. Aty në burg, Prekёn e sollёn javёn e parё tё Marsit. Si kaluen dy javё, nё njё mengjes herёt, pa sbardh dita, u dëgjuen zhurma e britma në koridor. Rojet tue hy në qeli të ndryshme, lexonin disa emna. Të burgosunit ishin mbledh e mbulue në shtresat e tyne, prej frike, ndërsa zemrat u rrihnin fort. Kush e kishte radhën vallё?! U dëgjuen hapa të shpejta dhe pas pak dera e qelisë, u hap me zhurmë të madhe.
U duk aty një hije e zezë polici, që me një kandil vojguri, ndriçonte një copëz letër, që mbante në dorë. Cilët emna do të ishin shkrue, në atë letër të zhubravitun?! Kur ja, polici pasi e afroi letrën nga sytë, ngriti kokën e thirri me za të naltë, Prek Cali! Në qelinë e tyne, kumboi vetëm ai emën. Të gjithë mbetën të tronditun. Por për Prekën vetë, ishte ma e tmerrshme.
Ai nuk e priste kurrë se Mehmet Shehu, do ta hante fjalën e dhanë. Si malësor, nuk mund ta konceptonte nji gja të tillë. Por ai harronte se Mehmeti, nuk ishte si burrat e malësisë, që kur jepnin fjalën e mbanin edhe me çmimin e jetës. Ai nuk ishte tjetër, veçse një komunist gjakatar, i etun për pushtet, që nuk e kishte për asgja me thye besën e, mos me mbajtë fjalën.
Ndërsa po përfalëshin për të fundit herë, i tha Valentinit në vesh:
– “Po djemtë“?
-“Jo, jo, nuk i gjen gja, – ishte përgjigj Valentini – me i dhanë kurajo. Sepse Preka mbante shumë merzi, mos i pushkatonin dhe ato të rijtë. Duke dalë thirri:
– “Ma bani hallall o burra! Mirë u pafshim n’atë dynja“.
Në koridor, ishin edhe nandë të burgosun të tjerë, të prangosun, me to dhe Dom Ndre Zadeja. I pushkatuen të gjithë, te Zalli i Kirit, që u ba tmerri i Shkodrës. Ishte 25 marsi, java e shejtё e Pashkёve.
Si asht e mundun, – thoshte Valentini, – që zgjedhin gjithmonë ma të mirët? Po, deri në ato çaste, kishin zgjedh veç ma të mirët. Nuk mund gjëndeshin fjalë, pë të përshkrue gjithë këto krime.
U muer vesh ma vonë, se Prek Cali, dy vllaznit Beltoja, Dom Ndre Zadeja e një prift nga burgu i vjetër, ishin mundue me u dhanë kurajo shokëve të tyne, deri në çastin e fundit të pushkatimit. Deri kur do të vazhdonte ky genocid i trashëguem dhe i urdhnuem nga mesuesi e krimineli gjakatar i Kremlinit, Josif Visarionoviç Stalini?!
Lufta ideologjike kishte nis dhe Zeusi tiranik shqiptar, ishte nё krye të ushtrisё sё kriminelёve komunistë, qё kishin shpёrthye terrorin e pёrgjithshёm, ndaj atyne qё konsiderohёshin jo vetёm kundёrshtarё, por dhe burra tё ndёrshёm, patriotё dhe qё gёzonin admirimin, simpatinё e dashuninё e popullit, pёr veprat e mira qё kishin krye ndaj Atdheut. Valentini tashma, ishte pёrfshi nё kёto masa shtypëse, si pjestar i njerёzve tё mirё e, tё pafajshёm.
Ai po e kuptonte se i duhej me u forcue, kryesisht shpirtnisht, me i ba ballё egërsisë dhe masave drastike tё diktaturёs, pёrsonifikue nga “Perёnditё e Olimpit“ komunist, qё e kishte selinё nё Tiranё, ku pёrcaktohej fati e njerёzve qё ata vendosnin me eliminue.
E gjithё kjo, pёr tё sigurue kolltuqet ose fronёt mbi tё cilёt rrinin pёr tё mbretnue pёrjetёsisht, (sipas tyne). Sa do tё zgjaste kjo gjendje, vetёm Zoti i vёrtetё e dinte (pse ishin krijue zotna tё rremё). Sidoqoftё Valentini, ishte tashma nё rolin e njё “Uliksi“, qё do tё pёrfshihej nё ato rrethana e kushёdi kur, do t’i dilte mundësia me u kthye nё “Itakёn“ e tij, te “Penelopa“ e dashun?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016