Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e njëzeteshtatë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Ditën që më lidhën mua, ishte athërimë. Kur pashë rojet të afroheshin, mata distancën kohore. Bazuar në logjikën e mësipërme, mbeteshim të rezistoja edhe rreth dy orë torturë, plus-minus, dëshirën e policëve të punës për t’i rënë çangës, sidoqoftë, ky interval dyorësh, m’u duk i pasosur, shiu dhe era e bënin të zgjatej edhe më. Në gjendjen mjerane ku isha katandisur, s’e kuptoja ku më dhimbëte. Gjithë shtati më dridhej, zemra më regëtinte ethshëm e, përpëlitej i zog i plagosur. “Mbahu virane, mos më lër”! e kurajova veten.
Mendova se s’do ta kapja orën e çangës. Kyçet e shtrënguar nga prangat e holla më digjnin, kur lëvizja, telat hynin më thellë në mish e më qëllonin. Pata ndjesinë se po më këputeshin, se nga damarët kishin thyer currka gjaku, që rridhnin pa u ndalur e do më shternin jetën. Kaloi një copë herë e gjatë nga momenti i ndërrimit të rojeve, por se ‘arrija ta perceptoja, sepse nocioni kohë, më qe lajthitur. Ndjeva etje të skajshme, buzët m’u shkumuan, si të ma kishin mbushur gojën me a kripe. Doja ujë. Ujë pafundësisht!
Ngrita kryet me vështirësi, hapa qepallat e hodha vështrimin rreth, po s’më zuri asnjë këmbë robi të gjallë. “Ujë! Ujë! Ujë”! Buzët m’u drodhën, zemra m’u ligështua! U zhyta në një dëshpërim pacak. Nevoja për lëngun e jetës, ma errësoi arsyen. Ngrita sërishmi kokën dhe instinktivisht, hapa gojën. Ca grimca shiu që binin pjerrtas, depërtuan në të. “O ç’kënaqësi, ujë”! Çurkën që rridhte nga lartësia e ballit dhe faqet e hequra, u rreka ta rrufisja, por ajo rridhte anash, e përfundonte nën mjekër, duke shkarë nëpër cepat e gojës. Ato pak pika që arritën në shpellën e zhuritur, ma shtuan etjen edhe më. “Dua ujë, ujë, ujë”!
Etja u shtua, doja të pija pa pra, madje të përpija edhe një lëfyt të gjithin, edhe një krua, edhe një lumë, edhe një det të tërë. Rrebeshi që më fshikullonte fortë, po më përcëllonte fytyrën, duket gjembat e trëndafilit të egër, më kishin çjerrë thellë. Më kishin kllaposur pas shtyllës së fundit, apo në të parën kur delje për në punë, në rrugën e Golgotës, në dalje të kantierit, për në kampin e fjetjes. Rruga e Golgotës, rruga e vuajtjeve, rruga e mundimeve!
Kështu e kishim pagëzuar segmentin që lidhte dy kampet. Mbase të dënuarit, i kishin dhënë këtë emër, pikërisht për shkak të lemerirave të mëdha, që kishin ndodhur mbi këtë segment të shkurtër. Kjo udhëz plotë baltë në dimër, e gjithë pluhur në verë, qe shndërruar në simbolin e dhunës, në FERRIN e tmerrit. Shtyllat e drunjta ishin gjithsej tetë; nga katër për secilin krah. Ato objekte me rëndësi utilitare, i kishin shndërruar në objekte turpi. Iu kishin dhënë funksione dyfishe: në maja mbanin të fiksuar izolatorët, ku qenë lidhur përcjellësit e rrymës elektrike, ndërsa përfundi, fiksonin po me tela, kurmet njerëzorë dhe nëpërmjet tyre përcillnin dhunën.
Rrallë ndonjë ditë, i pashë bosh ato shtylla! Sepse atje të ndëshkonin për hiçmosgjë! Mjaftonte dashakeqësia i një polici, për t’u gjendur i kryqëzuar përfund shtyllës, me tel bari. Shumë shpesh numri i të ndëshkuarve, ish më i madh se tetë. Ndaj kur qëllonte që të teta shtyllat të ishin të zëna, ata që mbeteshin, i lidhnin pas shtyllave të rrethimit të kampit. Këtë tërthore perpendikulare, e thirrnim; “Kalvari”. Pra, veç “Golgotës”, kishin piketuar edhe një “Kalvar”. Po mbi këtë udhëz të dënuarit iu nënshtroheshin kontrolleve turpëruese, ndonjëherë edhe me orë të tëra.
Këtu në këtë segment, ironia e kapërcente sarkazmën. Çdo punonjës policie, mund ta shfrente dufin kundër kujtdo të dënuari kur t’ia shkrepte fiqiri, për gjithçka e kur t’i tekej. Ndaj i kishin vënë edhe një nofkë të dytë, “Rruga e tekave”. Disa të dënuar qokaxhinjë, duke nënkuptuar gotat e rakisë, e – kthenin “Rruga e tekeve”. Një nga këta qejflinj rakie, hokatari tiranas Xhaferr Dema, një ditë më thoshte me shaka: – “Ah, mër lal, ç’më nxjerr mall, kjo çik rruge! Sa herë i bie këtej pari, ngjan se hedh kah pesë teke raki”!
– “Pse e mundon veten, o Xhaf, më mirë ktheji një dopio e, bëhen dy gota e gjysëm! Kështu i pi më shpejt dhe shpresoj, do të shijoj më tepër”! – ia ktheja unë, po me shaka. – “Mirë e ke ti mër lal, po policët ç’kan me bo, mandej!? Bo me i pi gjymës për gjymës, ka m’u firu shpejt, e ngelen pa punë!? Pasha Zotin, beso, sikur e shijoj ma mirë, kur na kthejnë përsëdyti dhe përsëtreti… në apel”! – qeshej ai. Këtu, mbi llucën e kësaj copë udhëze, kam parë mustaqe burrash të çkulura, kam parë të zhveshur cullak, siç i kish bërë nëna, burra zamani, që të regjur, të sëmurë pa shërim, t’i turpëronin para mexhlisit, vetëm e vetëm të kënaqnin tekat policët xhahilë! Ata zgërdhiheshin e nxirrnin gallat, para lakuriqëve të drobitur.
Mbi këtë udhëz ka valuar dajaku kot më së koti, janë thyer shpina djemsh të rinj, janë derdhur rrebeshe goditjesh, deri sa i kanë shpënë me tela, në spitale…., vetëm për teka! Më keq ende, po këtu kam parë të gjymtonin përjetësisht, bijë nënash! i një udhëz të ngjashme, miku e bashkëvuajtësi im, Urim Elezi nga Korça, mbeti ulok i përjetshëm. Djalit më të nurshëm e më të fuqishëm në burgje e kampe politikë, i bënë peshqesh errësirën! Vetëm, për sport, policët donin të provonin rezistencën e qenies humane. Duke e qëlluar fuqishëm pas zverkut, atë djalë si drita, e zhytën në terrëtirë! Dhe më;, askush s’u kujtua ta kuronte.
Atëhere jo se jo, po as sot e kësaj dite s’ka dhënë llogari askush për ë krim makabër, e të tjerë të pashembullt të shkaktuara në Golgotat makiaveliste. Simbolin e torturës së Krishtit, ua lanë trashëgim krishtëve të kohëve derne, të dënuarve politikë të sistemit komunist. Demokracia e më ëndërruar nga ne, i shqeu fletët e defterit kriminal dhe i shkapërdau tej e ndanë globit, për ne ruajti vetëm kapakët, pa domethënie. Gjithë ato jallanira ja faturuan Enver Hoxhës, që tashmë kish vdekur…, të tjerët vazhdojnë të shijojnë frytet e demokracisë.
Gjysëm i alivanosur, mulliri im i çakërdisur, bluante në hava. Më parakaluan vargan, gjithë ç’kisha parë përgjatë atyre dy muajve, po më shumë imagjinata riprodhonte, ç’më kishin rrëfyer të tjerët. Mbi të gjitha, spikaste skena e një ngjarjeje të freskët, që kish bërë vaki, pak para mbërritjes sime në Reps. Bëhej fjalë për një djalosh nga Lumi i Vlorës, që e kishin torturuar deri në kastrim. I mbetur eunuk, ai kish gjykuar se s’i nevojitej më pjesa e mbetur e jetës. Në depresion ekstrem, i fiksuar pas idesë së vetëhelmimit, në rastin më të parë, iu qe drejtuar telave. Po ç’kish ndodhur në fakt?
Asgjë e panjohur. Ngjarje të tilla, me fund tragjik, përsëriteshin periodikisht, prej gati tridhjetë vitesh. Duhet të ketë qenë një mesditë e nxehtë e fund-shtatorit, ushtari-roje në karakollin drejt të cilit u nis vetëflijuesi, kish rastisur një moshatar i tij, gjithashtu nga Vlora, madje nga një fshat kufitar me të. Para se ta dënonin, fatkeqi dhe ushtari, kishin ruajtur dhitë bashkë. Roja që e njohu, kur vuri re veprimet e çakërdisura i bëri thirrje, tri here; “ndal”, sipas rregullores. Porse vulë-humburi, s’u tërhoq nga vendimi i kobshëm që kish planifikuar, dhe iu turr telave. Sigurisht gjithkush tjetër në këmbë të tij, do kish shtënë, por ai s’donte ta qëllonte. E kish njohur, i ulëriti, e thirri në emër: – “Kthehu, a ditëzi, mos e humb të ritë, mbi telat me gjemba”!
Biles i kish kujtuar, se e priste nëna që si djalë të vetëm e, kish varur te ai, shpresat e pleqërisë. As kur kapërceu rrethimin s’e qëlloi, po u var shpejtë të poshtë karakollit dhe iu qep pas me vrap, ta zinte të gjallë. Sapo kapi brezin pyjor ku e kish më lehtë të zhdukej në pyll, qyqari qëndroi në vend, iu kthye ndjekësit dhe e urdhëroi: – “Zjarr! S’kanë ç’më duan më, as nëna, as motrat! Nashi unë s’jam, as burrë, as grua”!
Ushtari gulçonte në të përpjetën e kodrës, flaku armën përtokë e shpejtoi çapat edhe më, deshte ta shpëtonte! Bash atë çast, dy gryka mitralozi, nisën të “kollitnin” nga karakollet anësore të rrethimit dhe vollën e vollën, plumba pa mbarim. Fatziu ra mbi një pellg gjaku. Kur iu avit ushtari, ai ende s’kishte dhënë shpirt. Në grahmat e fundit, i tha ndjekësit: – “Të falenderoj! Unë i vdekur se i vdekur isha, por doja të më vrisje ti e, të merrje shpërblimin! E cili më shumë se ti, o miku im, e meritonte pesëmbëdhjetë ditëshin”?!
Pas dy orësh, ai dha shpirt, shtrirë mes oborrit të kampit, kurse ushtari, s’u pa më mbi karakolle. Pra, thjeshtë kujtimi e këtyre ndodhive të jetuara e të rrëfyera, po më terrorizonte. Dilema pa përgjigje: “të rrosh apo të mos rrosh?”, po më torturonte. Truri funksiononte në versionin invers. Ish e para here, që përfundoja lidhur me tela, pas shtyllës. Vërtetë kisha kaluar provën e parë, në birucat e izolimit në hetuesi, por atje e dija kush do merrej me mua, isha i përgatitur shpirtërisht e fizikisht, t’i përballoja pyetjet e presionet që prisja të më bënin.
Fundja, vetë praktika m’i mësoi, ishin përherë po ata hetues dhe të njëjtët police, që me kalimin e ditëve më njohën dhe i njoha. Me intuitë e nuhasja hatanë, kur më duhej të gatitesha për dajak, shtrëngoja dhëmbët; kur ja hidhja pa rrahur thosha: “shyqyr e shtyva edhe sot”! Po me këta këtu, s’e dije më kë të binte radha, sot ish njëri, nesër tjetri, i pari me humor, tjetri me të liga. Shpresoja, të mos përfundoja kavie prove për policët e kampit. Ndjeja tmerr kur e shkoja ndërmend se edhe unë, mund të isha një nga viktimat shumta të humorit të tyre të zi.
Aq më shumë unë, i burgosuri i ri, që më porositnin pleqtë: “Duhej të ruhesh si djalli nga thimjami, sepse përplasja e parë, mund të rezultojë fatale. Thyesh, or bir e s’ngjitesh më! Torturat fizike bjeri tëhu, më lule kur i krahason me dhunën psikike! Dajakun e ha njëherë, do të rrjedhë ca gjak, do bëhen ca plagë e ca vurrata dhe pas një apo dy javëve, do shërohen; ama kur pret me ankth të ndodh ajo që s’ka ndodhur ende, të mundon tmerri. Tronditja nga pasoja e së panjohurës, e enigmës që s’e di, është goditja më e rëndë psikologjike. Lebetia për terrorin e pritshëm, është më vrastar se vetë terrori! I terrorizuari, i dorëzuari”!
Kështu citonin ata ca sentenca që edhe vetë s’e dinin kush i kish përdorur së pari. Por ç’rëndësi kishte se kush e kish thënë; aktuale mbetej. Vetë ideja e gjymtimit, më gjymtonte pa skajshmërisht. M’u fa-neps për një çast vetja i shtrirë mbi llucë. Dhjetëra policë me thumbat e çizmeve, më shkelnin gjithë trupin e më shëmtonin fytyrën. Klavikula dhimbëte sa më s’ka, eshtrat e saj delikate, më luhateshin para syve. – “O Zot? S’i dalkan mbi lëkurë kockat, u tundëkan dhe u shkundëkan, po në tokë s’rënkan”! – po pyesja veten. – “Po lozim valle, i dashur”! – m’u gjegj alter-egoja.
– “Valle”?! – “Po, ore, vallja e eshtrave, kjo është sfida e kohëve modern”!- “Or, po ç’na përrallis, ti? Kisha dëgjuar për vallen e Kukësit, vallen e Tiranës, vallen Pogonishte, vallen e vdekjes, po të më hidhnin valle kockat para syve, as e kisha kaluar ndonjëherë ndër mënd”! – “Aq mënd ke ti, i dashur”! Dhe klithma e klithma, e klithma pafund, më çorën fytin. Askush s’më mëshironte, as alter-egoja, po më shkelnin e më shkelnin, e më shkelnin, pa pikë mëshire. “O Zot”! Sa më piskatëse delte britma prej fytit, aq më me forcë shponin thumbat e shojeve të çizmeve.
E përfytyrova surratin të shprishur, deri në shkatërrim. Një piton i stërmadh m’u vërsul gojë-çapëlyer e dhëmbë-çatallë, gati të më përpinte. Poshtë këmbëve m’u hap një greminë pa fund. S’më mbeti tjetër, o të vetë-hidhesha në theqafje në këtë rrokullimë të thepisur, o të përfundoja mes dhëmbëve çatallë të këtij pitoni gjigant. Zgjodha theqafjen në humnerë, si rrugën më të mundshme për shpëtim. Dhe bija e bija, e bija, në honin paskaj. Diku në fundin e humnerës, një xhelat me thika në duar, i vringëllinte dhe i fërkonte me njëra tjetrën si kasapët kur mprehin hanxharin para se të therin demin. Po xhelati, i veshur tebtil me petka polici; i ngrehosur, ma pati me këmbët e para:
– “Or tëj, erdhe, a”? – “Erdha”! – “Ty po të prisja”! – “Ç’ne mua, shoku kasap”?- “Pse, ore, kasap më pandehe, mua”?! – “Kështu m’u duke”! – “S’ka rëndësi, si i sheh gjërat ti, po unë jam kryeshambelani i Djallit”! – “Thashë, mos ishe xhelat i diktaturës së proletariatit”. – “Gabohesh rëndë…”! – “Mbase! Kur të pashë me thika dhe hanxharë, mendova se ishe i tillë”! – “Vërtetë i kam ato, po s’kam niet të të ther, do të skopis si cjap”! – “S’di ç’të kam bërë”? – “Ç’do të na bësh më, or kodosh, po na rreh njerëzit tanë”! – “S’e dija se edhe imoralët, qenkan tuajt”?! Sakaq pa mbyllur fjalën, ai, me thikat e zgjatura përpara, u zhvesh. Brenda zezonë, jashtë boshllëk!
Kur ç’të shoh, nga rropullitë e mostrës, u shfaq operativi i kampit, Pjetër Tarazhi, që si i ndërkryer, m’u turr drejt organeve gjenitale. Një ulërimë e stërzgjatur më doli nga fyti: “O Zot, mbromë nga xhelati”! A kisha bërtitur përnjëmend? Një Zot, e di! Mbase mund të ketë qenë edhe halucinacion, s’e rikujtoj dot saktësisht, por atë çast, një tingull metalik iu përgjigj britmës sime e, më çorri veshët: “Dang-dung, dang-dung!” Ishte çanga që sinjalizonte mbarimin e orarit të punës. Kumbimi i bronxit më solli në vete.
Fërgëllova fund e majë. Tingujt metalikë, sikur më shpuan trutë. Ankthi i zgjimit prej këtij përjetimi rëngjethës, më kaploi kokë e këmbë, dhimbjet m’u shumuan tej kufijve të durimit dhe një ofshamë më shpëtoi pavullnetshëm nga morsa e dhëmbëve. Mbase ish momenti, kur besimi kish nisur pikiatën e mjerimit dhe zemra po më lëshonte tërësisht. Përrallat me trima dhe heroizmat me kreshnikë, m’u dukën lodra të një kohe të shkuar. Ndjenja e lemerisë, përzier me makthin e së panjohurës, më turbulluan trurin e shpirtin si kurrë më parë. Ofshamat ankuese shpëtuan vetiu dhe pasonin njëra tjetrën:
“O nëna ime, vdiqa! O Zot i Madh, shpëtomë”! Kthimi në realitet, më kushtoi vuajtje llahtare. Notoja mes oqeanit të dhimbjes si varkë e shkrehur. Tashmë shiu ish shpeshtuar, derdhej nga qielli me gjyma. Rreth e qark neje, ish formuar një pellg ngjyrë kuq, si zjarr. “Duhet të jetë gjaku që më ka rrjedhur nga damarët e këputur”, mendova i pikëlluar dhe u përpoqa ta hiqja mendjen nga pllanga te këmbët. Lëviza majat e trashur të gishtave, por ata ishin drunjëzuar e s’m’u bindën. – “Mos u ligështo, he burr”! – ndjeva të më fliste dikush. Po, cili qe? S’e dallova dot. Mjegulla dhe errësira që pllakosi mbi luginën e Fanit, m’a kishin kufizuar rrezen e shikimit.
– “Mbahu, he burrë! Mos u ligështo”! – përsëdyti po ai zë. – “Guxim! Tash, e ke kalue t’madhen”! – një tjetër zë. – “Jena t’tan me ty! Ç’m’i bane hakun çenit”! – se kush shtoi më tej. I dëgjoja vërtetë apo kështu, m’u bë?! Zoti shahit! Jo, zërat ndiheshin qartë! Seç më lindi një ndjenjë krenarie, inkurajimet prej gjysmë-territ, më zgjuan unin: “Paska që më mbështeskan! O Zot”! Kjo përkrahje morale, veproi si një katalizator në reaksionet kimike; ndjeva të më ringjallej në shpirt, guximi i tronditur. Si të më shtronin një shtresë melhemi lehtësues, mbi plagët e trupit, m’u davarit dhimbja. Duket zemra e kish pasur shumë të nevojshëm këtë inkurajim, që të platitëte përpëlitjet. Dhe ai mbërriti, bash kur po sëkëlldisesha fare. Ky balsam shpresëdhënës, e zhduku frikën, e eliminoi tmerrin.
“Rezisto edhe pak”, i fola zemrës sime. “Edhe pak! Edhe pakëz, fare! Mbase, ja dalim! Shtrëngohu, e dashur, është shumë e rëndësishme t’a kapërcejmë tok, këtë sprovë! Jepi edhe një çikëz, forca, rezisto! Të gjithë i paskemi me vete”! – dhe shtrëngova dhëmbët, që krakëllinin me pezm. Shiu u shndërrua në rrebesh. Tashmë pikat e mëdha më rrihnin rëndshëm. Kulloja i tëri, si të më kishin nxjerrë nga një pellg. Policët, të strukur nën pelerina, mbaruan numërimin. Kaluan shpejt e shpejt, sa për të hedhur radhën, turmën e pulave të lagura dhe nisën të largohen, ca drejt hyrjes së kantierit, të tjerët drejt kampit.
Askush s’po kujtohej për mua. – “O zoti polic, jam edhe unë”! – thirra i tmerruar nga ideja se mund të më harronin e më linin jashtë, që ndonëse të lidhur, të më ekzekutonte ushtari, për tentativë arratisje nga vendi i vuajtjes së dënimit, që të merrte shpërblimin pesëmbëdhjetë ditor. Në ikje e sipër, nja dy policë u shkëputën dhe u kthyen drejt meje. Më zgjidhën telat te kërcinjtë dhe në gjoks, mandej prenë me pinca atë që më shtrëngonte në mes dhe në kyçet e duarve e, më vunë përpara.
Tashmë, të çliruara nga telat, duart më mbetën pas shpine, sikur krahët e peliçes të m’i kishin ngjitur me tutkall. Supi më therte tmerrësisht, ndërsa teshat më peshonin rëndë, si të më kishin hedhur mbi shpatulla një jorgan të regjur në lumë, që ma përhapi dhimbjen gjithkund nëpër shtat. Kulloja ujë, çurkat rridhnin nga trupi e përfundonin në opingat e ngarkuara me baltë. Ato pllaquriteshin pllaq-plluq nëpër llucë e, më pengonin të hidhja këmbët e ngrira, që më ishin shndërruar në cungje e s’donin të më mbanin.
Më shtytën nga pas deri te dyqani; atje, njëri para dhe tjetri prapa, më kthyen sipër drejt qelive. Mora të përpjetën me mundim, por shojet e dysta të llastikave, shkisnin mbi tabanin e pjerrët e, në çdo hap bija dhe ngrihesha. Ata u mërzitën e nisën të më ngucnin me majën e një shkopi. Me mundim, mbërritën te dera e birucave. Deri atje s’ua ndjeva zërin, sepse ata vërtetë më shtynin, por asnjë s’më foli. Shiu dhe era e fortë, i detyruan t’a fshihnin kokën nën kaçupët e pelerinave, sa as fytyrat s’ua pashë.
Me të mbërritën në prag të qelive dhe si u strehuan poshtë llamarinës, dëgjova njërin: – “Or Zef, po çilsat”? – “Janë te oficeri i rojes”! – “Shko, pra, merri me çil derën”! – ishte Mark “mustakuqi”. – “Si urdhno, po shkoj itash”! Ndreca u var teposhtë, për te zyra e oficerit të rojës. Nën strehën e llamarinës, mbetëm vetëm unë dhe kapter Marku. Atë çast më buitën në tru fjalët që kish shprehur ai, kur po më lidhnin. Ndërgjegjja më shtyu t’a falenderoja. Ngaqë s’dija kur mund të më paraqitej ky rast përsëdyti, mora guximin e fola:
– “Zotni Mark, ju falemnderit”! – “E për ç’ka don me më falenderue, or tëj”! – sytë e kaltër dhe mustaqet e verdha, u shfaqën që poshtë kapuçit, një nënqeshje ironie iu përvijua mbi buzët e holla, që bënë të luanin paksa njërin skaj të mustaqeve të spërdredhura. – “Tash ke me u kalb, nji muej n’birucë”! – “E di! Po, më zuri taksiratil…”, – doja të shtoja edhe më, por heshta sepse s’dija si do t’i merrte, mbase mund t’i krijonin idenë e një mburrje të kotë. Heshtëm të dy.
– “Ama, ke ba burrni”! – e theu heshtjen ai. – “S’kisha rrugë tjetër! Do mbroja veten”! – “Hajd bre, n’burg je, s’ke ku shkon ma zi”! Kjo shprehje dykuptimëshe, sikur më gixiloi sedrën. – “Do bëj si të mundem! Kur dëgjoj se edhe ju mendoni se paskam vepruar drejt, ndihem më i qetë! Për këtë, të falenderoj dyfish”! Heshtje, mandej: – “Or zotnëj, s’jam njitu si shoqi yt, po m’kan pru me t’urdhnue ty! A e kupton”?
– “Po, e kam të qartë”! – ia ktheva. – “Mirëpo ene vet jam burr, ani pse jam polic, s’i due pederastët! Ata soj robi, jan me u qit fare”! – heshti, e kuptova që druhej sepse ktheu kryet poshtë nga dyqani, nga duhet të kthehej kolegu. – “Qe besa, ja ke ba si burrat! Por tash, po e han nji muej”! – shpejtoi të shtonte shpejt e shpejt, ndërkohë që polici tjetër, po avitej me një palë gjermanka në dorë.
Marku i rrëmbeu çelësat dhe hapi një nga dy dyert. – “Avitu, or tëj”! – u afrova dhe ai më kontrolloi për sende të ndaluara, pastaj më dha të shtymën me duar. – “Hajd, trys bithën! Jem ba qull për hatrin tat! – A pa hekra po e shtijm, a”? – ndërhyri tjetri, duke zhvidhosur prangat. – “Duhet me zbatue rregulloren, or shoq! – Lëne, or Zef, njiky i ka plotsue orët lidh, ka tash katër sahat pas shtyllës! Hajd, or tëj, t’ikim, jem ba qull”! – ja preu vrullin Marku.
– “Po duhet me i raportu operativit, se”? – “Tash po i raportojmë”! – “A e din, q’aj ka dhan urdhën…”! – “O-hi, he burr, e dij bre, si s’e dijkam, por na kena m’e plotsue librin”! dhe shtyu derën e i futi llozin. Fati qe me mua! Më shpëtoi nga e madhja! Nga keqtrajtimet që i bëheshin të ndaluarëve në këto raste. Marku me shpirtmadhësinë apo me neglizhencën e tij moskokëçarës dhe Zoti me shiun e pareshtur, më dolën krahë. S’dija si t’i falenderoja! U ktheva në drejtimin të derës dhe pëshpërite “falemnderit”! (natyrisht për Markun)! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016