Nga Gjet Kadeli
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.
Dokumenti sekret me proces-verbalin e marrjes në pyetje të pandehurit Gjet Kadeli, nga ana e nënkryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, Ramiz Lalzi
PROCES-VERBAL
(I RI PYETJES SE TE PANDEHURIT GJET KADELI)
Në qytetin e Krujës, sot më datën 10.VIII.1972, unë Ramiz Lalzi, nënkryetar i Degës së Brendshme të rrethit të Krujës, i ngarkuar me hetimin, marrë në pyetje të pandehurin Gjet Kadeli, konform rregullave procedurale.
PYETJA FILLOI NË ORA 10.00
DHE MBAROI NË ORA 14 E 50
PYETJE: Flisni i pandehur rreth veprimtarisë suaj armiqësore, për të cilën jeni akuzuar.
PËRGJIGJE: Unë nuk kam se çfarë të flas në lidhje me akuzën për të cilën jam akuzuar, pasi nuk kam bërë veprimtari armiqësore kundra pushtetit popullor. Në lidhje me ndonjë shkelje tjetër të ligjës, mund të them këto gjëra: Me sa mbaj mënd, nga fundi i vitit 1969, ose fillimi i vitit 1970, i kam bë fishekë të modifikuar për pistoletën “Parabel”, në dy raste, gjithsej 12 copë, Ramazan Elez Demës, nga fshati Bushnesh i rrethit tonë.
Unë, një ditë para kooperativës, i kam parë Ramazanit një pistoletë dhe e kam pyetur se ku e ke marrë këtë “Parabel”? Ai më tha se, sivjet e kam marrë, me ndërhyrjen e Sadri Zimës dhe pas kësaj më ka thanë se a je tuj më bë ndonjë fishekë. Unë në fillim nuk desha me ja bë, por pastaj, m’u mbush mëndja dhe i thashë se po t’i bëj. Më ka dhënë fishekë në dy raste, njëherë pesë dhe njëherë gjashtë, për t’ja modifikuar dhe unë i kam marrë ato me vete në shtëpinë time, për t’ja përshtatur kalibrit të “Parabelit”.
I kam punuar dhe modifikuar në shtëpinë time, pa leverdi ekonomike dhe pasi i kam përshtatur, ja kam dhënë të zotit. Revolen unë nuk e merrja kur modifikoja fishekët, pasi kisha një fishek origjinal, të cilin ja mora personit që kishte revolen. Modifikimin në shtëpinë time, unë e bëja me anën të një lime dhe të një sharre hekuri. Lima është e zakonshme, asi limash, kam mjaft në shtëpi. Unë për të bërë modifikimin, prisja me sharrë hekuri pjesën e hollë në anën e plumbit të cilën e hidhja poshtë dhe pjesën fundore të tij, bashkë me kapsollën, e mbaja për ta modifikuar.
Mbas disa kohësh që ja kam modifikuar Ramazanit, më ka kapur Nikoll Lala në Mamurras, që është drejtor shkolle në Bushnesh dhe më tha se kam ngelur pa fishekë, se kam vetëm shtatë copë që kam në karikator. Më tha se; a ke mundësi të më bash ca fishekë dhe unë e pyeta se për çfarë revole. M’u përgjigj për “Berete” të kalibrit 9 mm. Unë i thashë Nikoll Llalës se, është në kundërshtim me rregullat ligjore një gjë e tillë dhe kam frikë, prandaj nuk mundem me t’i bë. Ai më tha se nuk ka me e marr kush vesh prej meje, dhe atëhere unë pranova t’ja bëj.
Më dha Nikolla një fishek origjinal të kalibrit 9 mm. dhe më duket 15 copë të pistoletës sovjetike, për t’i modifikuar të “Beretës”. Fishekët m’i dha një ditë tjetër të bisedës dhe ka ardhur vetëm në shtëpi dhe m’i ka dhënë. Këto fishekë unë ja modifikova të gjitha dhe ja kam dhënë mbas nja 10 -15 ditësh, duke ardhur Nikolla dhe marrë pjesë vetë në shtëpinë time. Nikolla ka dashur të më japë 20 lekë, por unë nuk kam pranuar t’ja marr. Pasi ka marrë fishekët atë ditë, pata rastin të rrugëtoj me Nikollën, nga qendra e Mamurrasit, për të zyrat e Kooperativës së Shpërdhetit dhe bashkë me Nikollën, kemi rënë nën Urën e Drojës.
Atje unë me Nikollën, për të provuar fishekët e modifikuar, vumë një letër në zall nga një stom zhavorri dhe shtimë nga një herë me pistoletë, unë dhe Nikolla. Më vonë, Nikoll Lala më thotë se; kam ndërruar pistoletën me Mustafa Gjelin dhe unë e pyeta se çfarë revole. Nikolla m’u përgjigj se; i dhashë “Parabelin” dhe i mora “Valterin”. Më duket se “Valteri”, ka të njëjtin kalibër me “Parabelin”. Më tha që; të më bësh disa fishekë “Valteri”. Për këtë punë, më duket se Nikolla, më ka prurë, 9 apo 10 copë fishekë të vjetër, markën e të cilëve nuk e di dhe fishekët sovjetik, për të bërë modifikimin.
Fishekët e vjetër, kishin gjerësinë të barabartë me fishekët origjinal të “Valterit”, ndërsa me gjatësi, ishin më të gjatë. Plumbat kishin gati një formë, me të “Valterit”, por me majë pak më të trashë. Ja modifikova dhe ja kam dhanë, por dua të shtoj se, puna është bërë pa leverdi ekonomike. Nikoll Lala, përsëri më thotë për Ndue Kaçorrin që e kam shok, që e ka revolen me fishekë, e ke dhe ti sebep. E pyeta se kush është ky dhe Nikolla më tregoi se është Ndue Kaçorri dhe më tha se me i bë fishekë.
Mbas disa ditësh, më kapi vetë Ndue Kacorri në qendër Mamurras dhe më tha se, kam një fjalë. Unë e pyeta se; çfarë fjale ke dhe ai m’u përgjigj se atë muhabetin që të ka thënë Nikoll Lala. I thashë se a i ke me vete dhe ai m’u përgjigj se i ma në çantë dhe nxori e më dha 2 apo 4 copë fishekë të pistoletës sovjetike. Këto ja kam modifikuar për “Beretën” e kalibrit 7. Pa 10 apo 15 ditësh, ja kam dhënë në qendër të Mamurrasit, përsëri Ndues, kur ky është ndarë nga disa shokë të tij.
Në muajin maj, data nuk më kujtohet, të këtij viti, shkova në Borizanë me takue kryetarin e Kooperativës, për të marrë ca pare. Mbasi mbarova punë me kryetarin, rastësisht takova në rrugë me Seit Xhafën dhe më tha se; Gjet, kam marrë vesh se ti, bën modifikime të fishekëve. Unë i thashë se, kam pas bë, por kam frikë dhe mos më thuaj ma për këtë punë, se nuk mundem me t’i bë. Ai më tha; aman, mi bëj të paktën dy copë. Unë i kam marrë dy copë fishekë sovjetik dhe një fishek origjinal që kishte Seiti dhe ja kam bë. Ka revole “Beret” të kalibrit 9.
Seiti ka ardhur tre katër herë tek shtëpia ime, njëherë më ka gjetur, por unë nuk ja kisha bërë dhe kur i kam bë, ka ardhur prap tek shtëpia ime Seiti, mua nuk më ka gjet aty. Kur erdha unë në shtëpi, më tha nana se ka ardhur një shok person i panjohur, dy tre herë dhe më tha; thuaj Gjetës, se ka ardhur një shok nga Borizana, po erdhi sot deri vonë, jam në Mamurras. Unë rashë atë natë dhe e takova atë në Mamurras dhe ja kam dhanë dy copë fishekët.
Tjetër njeriu, unë fishekë nuk i kam modifikuar. Një fishek origjinal “Valter” të Nikollës, e kam pasur në shtëpi, më duket se e kam lënë në një qese plasmasi, veç apo bashkë me disa fishekë të vjetër të skaduar, të markës “Beret”, të kalibrit 7 dhe një kuti të vogël me barut. Tjetër gjë për të thënë nuk kam.
Proces-verbali m’u lexue, thëniet e mija, janë shkrue drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI I PRANISHËM HETUESI
(Gjet Pjetër Kadeli) (Marenglen Rrapi) (Ramiz Lalzi)
Dokumenti sekret me proces-verbalin e marrjes në pyetje të pandehurit Gjet Kadeli, nga ana e nënkryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, Ramiz Lalzi
PROCES-VERBAL
(I RI PYETJES SË TË PANDEHURIT GJET KADELI)
Në qytetin e Krujës, sot më datën 12. VIII.1972, unë Ramiz Lalzi, Nën/Kryetar i Degës së Brendshme të rrethit të Krujës, i ngarkuar me hetimin, marrë në pyetje të pandehurin Gjet Kadeli, konform rregullave procedurale.
PYETJA FILLOI NË ORA 11.00
DHE MBAROI NË ORA 14 E 30
PYETJE: Vazhdoni i pandehur, të flisni rreth veprimtarisë suaj të kundra ligjshme:
PËRGJIGJE: Në vitin 1968 apo 1969, në stinën e pranverës, më ka ardhur në shtëpinë time në Mamurras, Kapllan Neziri, me banim në Thumanë. Më tha që t’i rregulloja kondakun e çiftes. Unë i thashë atij se; nuk kam bë asnjëherë kondak çifte, por megjithatë, jam në gjendje nga ana teknike ta bëj, pasi nuk kam bë ndonjëherë kondak çifteje, nuk di dhe çmimin e tij. Kapllani më tha se; çmimin e di unë dhe kushton 150 lekë. Unë rashë dakord që t’ja punoj dhe i thashë që të më bjeri dhe dërrasën.
Mbas disa ditësh, më ka sjellë dhe dërrasën në shtëpi dhe ndonëse Kapllani pruri çiften komplet, unë ja hoqa tytën e tekes dhe mbajta pjesën e çiftes, për ta riparuar. E rregullova kondakun e çiftes dhe pas disa ditësh, ka ardhur në shtëpinë time Kapllani dhe e mori, duke më dhënë dhe 150 lekë, për hakun e punës. Në pranverën e vitit 1971, më thotë Zenel Xhepa nga katundi Bushnesh, për t’i rregullua kondakun e çiftes dhe unë ja kam rregullua me materialin tim druri.
Pas disa ditësh erdhi dhe e mori dhe më ka dhënë 220 lekë. Këtij, ja kam riparua dhe atë pjesën metalike, që nxjerr kallamin. Gjithnjë kur ja riparoja këtyre personave çiftet, tytat metalike i kanë marrë gjithnjë me vete. Në qershor 1971, i kam dhënë lustër, në prezencën e të zotit. Çiftes së Ram Sajës nga Borizanja, pa leverdi ekonomike. Nëpërmjet Ramë Sajës, më thotë Rifat Lama, po nga Borizana, që t’i bëja kondakun e çiftes teke, të ri. Unë jam kam bë komplet, pjesën drurit me gjithë dorezën dhe për këtë, më ka dhënë 200 lekë dhe tytën si zakonisht, e mbante i zoti, gjatë riparimit që i bëjë unë çiftes.
Mbasi e rregullova, ja kam çuar vetë, pasi unë punojsha në punishten e kooperativës dhe mbasi ja dorëzova, mora dhe paret. Ja kam dhënë në punishte të kooperativës në prani të Ram Sajës. Ja kam dhënë lustër furrtarit të Kooperativës Bujqësore të Borizanës, emrin e të cilit furrxhi, nuk e di, por çiftes së tij i kam dhënë lustër. Pa ja kërkuar gjë, më ka dhënë 25 lekë. Gjatë kësaj periudhe, edhe Riza Vathi nga katundi Derven i Krujës, i kam rregullue kondakun e çiftes të ri, duke më dhënë për hakun e punës, 150 lekë.
Ma ka prurë çiften tek dyert e punishtes së Kooperativës Bujqësore Borizanë dhe kur kam mbaru, unë ja kam dhanë po tek punishtja. Përveç riparimit të armëve të ndryshme të zjarrit, unë kam prodhue vetë edhe thika të ndryshme, pa lejen e organeve kompetente, duke e ditur se një gjë e tillë, ishte e ndaluar me ligj. Para dy vjetësh e ca, unë kam prodhua në shtëpi një thikë për vete, me gjatësi të tehut, deri në 6 cm., me një presë me dorezë prej druri dhe këllëfin gjithashtu, po prej druri, me lustër.
Këtë thikë ma ka marrë vjet në qershor apo në korrik, Halil Pasha nga Borizana, mekanik në këtë kooperativë dhe me banim në Thumanë. Këtij ja kam dhanë thikën, pa leverdi ekonomike. I kam prodhuar rast pas rasti, Ramadan Hoxhës, me banim në Mamurras, për një shokun e tij, që nuk e njoh dhe nuk ia di emrin, por që është nga Lezha, me materialin e Ramadanit, tek ofiçina e Ramadanit. Dorezën dhe këllëfin e thikës, i kam pas bërë me peçikllas të bardhë. Tehu i thikës, ka qenë 6 – 7 cm. Para kësaj thike, unë kam, prodhuar dhe një thikë për veten time, të cilën e mbaja gjithmonë në xhepin e brendshëm të xhaketës.
Kjo thikë ishte me dorezë dhe me këllëf, prej dru are, me lustër dhe me një gjatësi deri në 10 cm. Një natë kam rastisur tek punishtja e Ramadan Hoxhës dhe ka ardhur aty punonjësi i qarkullimit rrugor, Sabah Seseri, për të rregulluar yllin në kapelën e bardhë. Bënë formën e skicën e yllit me laps së bashku me Kujtim Pemën dhe më thotë Ramadan Hoxha më jep thikën të presim yllin. Unë ja dhashë thikën, me pishmanllëk dhe mbasi mbaruan punë, e ka marrë Sabahi me vete dhe që nga ajo ditë, nuk ma ka dhënë ma thikën, ndonëse ja kam kërkuar dy tre herë dhe vetë.
Nuk ma ka dhanë thikën duke më mbajtur me fjalë, do ta sjell sot dhe do ta bie nesër. Thikat i kam bë gjithmonë me një teh, deri në 10 cm. dhe me dorezë e këllëf, prej peçikllasi ngjyrë të bardhë dhe të kuqe e jeshile. Këtë thikë, ditën e arrestimit, ja kam dhënë Ndue Ded Gegës prej Delbnishti. Këtë thikë ja lashë Ndues se, mendova se kot i mbushet mëndja ndonjërit dhe më bën kontroll. Ja kam lënë në dorë thikën dhe i kam thënë; na thikën dhe kam dal e kam ikur nga shtëpia e tij.
Tjetër gjë nuk kam me thanë, proces-verbali mu lexua dhe thëniet e mija janë shkrujt drejt e firmosa. Memorie.al
I PANDEHURI I PRANISHËM HETUESI
(Gjet Pjetër Kadeli) (Marenglen Rrapi) (Ramiz Lalzi)
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016