Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetenëntë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (që për tre dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme), si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poliagjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti prej 24 faqesh, me autokritikën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, (ku në çdo faqe të saj, Enver Hoxha, ka vënë shënime me shkrimin e tij), e cila bëhet për herë të parë publike nga Memorie.al
Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMITETI QENDROR
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982
Rendi i ditës:
- Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
- Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.
Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Mendoj që neve nuk na intereson fakti se kush e ka firmosur shkresën përcjellëse të dhjetorit të 1959, apo se kush duhet ta firmoste, ministri apo zëvendësministrin. Përderisa në atë vit, ju keni qenë ministër dhe nuk i kishit të qarta marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik?! Mendoj që shumë më mirë duhet të kuptohej dhe veçanërisht ju duhet ta kuptonit unitetin marksist leninist të Partisë. Duke shikuar materialet e Partisë dhe shoku Enver, ato na mësojnë se: “Partia si repart pararojë i organizuar i klasës punëtore, duhet të jetë e para vigjilente në kulm, dhe e papërtuar ndaj armikut të klasës dhe që të jetë e tillë ajo, duhet të zbatojë normat leniniste.
Partia duhet të forcojë unitetin, po jo unitet çfarëdo, por atë që quajmë unitet marksist leninist. Uniteti marksist-leninist brenda në Parti, unitet mendimi e veprimi na bazë të normave leniniste, unitet në vetë udhëheqjen, unitet të çeliktë marksist leninist Parti-Popull, të frymëzuar nga ideologjia marksiste leniniste”.
Përsëri shoku Enver, na porosit se ruajtja e unitetit dhe kalitja e tij, nuk janë një gjë e arritur njëherë e përgjithmonë dhe që komunistët ta flenë mendjen. Uniteti në rrugën social-demokrate, uniteti jashtë parimeve e normave të marksizëm leninizmit, unitet për të mos i prishur qejfin njëri tjetrit, pa le të cënohen normat e Partisë, nuk është unitet marksist-leninist, nuk është unitet i Partisë sonë. Kështu na mëson shoku Enver me këtë vepër. Gjithashtu duke folur për lindjen e revizionizmit në Bashkimin Sovjetik ku, shoku Enver ka folur dhe për rolin e kuadrit.
Unë nuk kam ndërmend që të them të gjitha citimet e shokut Enver, por do përmend vetëm dy prej tyre: Sukseset në punë, ushqejnë ndjenjën e vetëkënaqësisë, dhe bashkë me të dhe humbjen e thjeshtësisë proletare, fillojnë të rriten pretendimet jo të drejta, kristalizohet ndjenja e rehatisë, të kap burokratizmi, teknokratizmi, e intelektualizmi. Kështu lind mendjemadhësia dhe ndjenja e epërsisë që në mënyrë progresive i vë kuadrot mbi masën e Partisë dhe mbi klasën. Unë, mendoj se këtu duhet shikuar dhe figura juaj.
SHOKU PROKOP MURRA: Ne të tjerët, i dukeshim si miza atij.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Jam dakord me mendimet e shokëve dhe s’jam aspak dakord me përgjigjet dhe qëndrimin e shokut Kadri në këtë mbledhje. Gjithë Byroja Politike por në veçanti shoku Enver, i bëjnë thirrje disa herë për të reflektuar që të mos e rëndojë edhe më shumë fajin që ka, madje kjo më bën që edhe në veten time, të kem shumë rezerva mbi të dhe mbi ndonjë mendim që kam shprehur këtu. Jam dakord me masat që propozohen, për gabimet shumë të rënda të bëra nga ai, për punën shumë të dobët, për drejtimin shumë të keq të dikasterit të tij, etj.
Dhe duke mos dhënë një shpjegim të qartë, dhe kjo na jep të drejtën që të nxjerrim shumë konkluzione. Kaq mund të them unë me aq sa biseduam sot. Shokut Enver dhe gjithë Byrosë Politike, ju jap fjalën se, do të punoj më fort në të ardhmen, do të luftoj për forcimin e unitetit marksist-leninist të Partisë, si dhe do të jep vigjilent për të ruajtur fitoret e arritura.
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk dëshiroj që sot këtu, të jap fletë lavdërimi, dhe as e kam në zakon dhe në karakterin tim, por me gëzim të madh konstatoj se Byroja Politike u tregua në lartësinë e detyrës dhe me një logjikë të hekurt marksiste leniniste, dhe me drejtësi të madhe Partie dënoi gabimet shumë të rënda të Kadri Hazbiut. Dëshiroj të vë në dukje se qëndrimi përpara Byrosë Politike, autokritika dhe replikat e Kadriut këtu, më zhgënjyen edhe për atë fije shprese që kisha.
Megjithatë si marksist, shpresën prapë nuk e humbas por, nuk do ta kem atë besim që shoku Kadri, si në telefon ashtu dhe me një letër të veçantë që më ka dërguar, shprehte ndjenjat dhe besnikërinë e madhe për Partinë dhe për mua. “T’ja lëmë armikut Mehmet Shehu, atë cilësim që bëri për mua, duke më quajtur Jago” thotë ai. Është fakt i njohur që të gjithë komplotet e armiqve të Partisë, në bashkëpunim me agjenturat e huaja, janë zbuluar nga Partia dhe asnjë nga Sigurimi i Shtetit. Përse?! Kjo, është një pikëpyetje e madhe që kërkon përgjigje.
Pikërisht sot ne, i kërkuam përgjigje Kadriut, por kësaj përgjigjeje ai, i bëri bisht në mënyrë dredharake. Ne i bëmë, dhe po i bëjmë një analizë veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut e bashkëpunëtorëve të tij, po kjo është akoma e përciptë. Na vihet si detyrë që t’i futemi thellë kësaj çështjeje, se këtu nuk është vetëm problemi për një krye-agjent si ai, por edhe i rrjetit agjenturor madje shumë të gjerë që ky armik ka ndërtuar në vendin tonë.
Bashkëpunëtorët kryesorë të Mehmet Shehut, tani janë në burg dhe po deponojnë, por përveç atyre ka edhe të tjerë të fshehur dhe të maskuar, që neve na bie detyra që t’i zbulojmë. Dhe këta do të gjenden, duke studiuar në thellësi veprimtarinë dhe qëndrimet e tyre politike, gjatë gjithë jetës. Asgjë nuk do t’i shpëtojë Partisë, në këtë drejtim. Shpejt ose vonë, gjithçka do të zbulohet. Është fakt që Mehmet Shehu, ka qenë poli-agjenti që i ka vënë në lëvizje të gjitha grupet armiqësore antiparti.
Mehmet Shehu, ishte rezidenti kryesor i CIA-s amerikane, Inteligjentes Servisit britanik, Dyzen Byrosë franceze, Gestapos gjermane, OVRA-s italiane, UDB-së jugosllave, KGB-së sovjetike, por mundet të ketë qenë dhe agjent i kinezëve. Për agjent i kinezëve them mundet, pasi tani për tani nuk kemi fakte, pasi Partia flet vetëm me fakte. Kurse për këto të tjerat, kemi. Të tëra këto lidhje të tij me agjenturat e tjera, janë të faktuara. Siç po na del, përgatitja e agjenturës së huaj në Shqipëri, është bërë jo vetëm nga Mehmet Shehu.
Ky i ka marrë në lidhje, agjentët e francezëve, gjermanëve, italianëve, rusëve, dhe jugosllavëve, pasi kohë më parë kishte marrë në kontakt ata të anglezëve dhe amerikanëve, si agjent i vjetër i tyre. Mehmet Shehu, nuk ishte një rekrutues i thjeshtë agjentësh, megjithëse ai vetë ka rekrutuar disa agjentë të kalibrit të lartë, të cilët deri në një farë shkalle ne, i dimë. Ai, i ka kompromentuar dhe i ka vënë këta në veprim. Mehmet Shehu, ishte drejtuesi i një agjenture të gjerë në vendin tonë, me armiq të brendshëm ose të jashtëm, të rekrutuar nga vetë ai ose, nga agjentura të ndryshme. Dhe të tëra këta ai, i kishte futur në veprim.
Qëllimi i tij ishte që të rrëzonte pushtetin popullor, të merrte fuqinë në dorë, qoftë nëpërmjet puçit ushtarak, të likuidonte shokët kryesorë, dhe të zbatonte planin anglo-amerikan që ja gjetëm në kasafortë pas vetëvrasjes. Duhet të kemi parasysh se çka kemi zbuluar deri më sot nga komplotet e shumta që kanë organizuar agjenturat e armikut, nuk janë të plota, për arsye se Mehmet Shehu me Feçor Shehun, dhe me të tjerë, kishin sabotuar si hetimet ashtu si edhe hyrjet e personave që mund ti pyesnin kriminelët.
Pra nga faktet del se ne, nuk kemi nxjerrë akoma gjithë veprimtarinë e këtyre armiqve pavarësisht se, shoku Kadri thotë që ka vajtur ditë e natë ne hetuesi por nuk ka zgjidhur gjë. Prandaj, na vihet si detyrë që, t’i thellojmë këto procese në materialet që kemi, gjithashtu dhe me elementët të cilët ose i kemi në burg, ose i kemi jashtë. Por unë mendoj se çështja më e rëndësishme, është ajo që brenda në punët e MPB-së, nëpërmjet akteve e veprimeve të ndryshme të njerëzve, sidomos të të gjithë banditëve të Mehmet Shehut me shokë, ne duhet të kontrollojmë sesi është zbatuar vija e Partisë, a ka pasur edhe sektarizëm të paramenduar, duke futur në burg njerëz që nuk e meritonin këtë apo atë dënim?!
Nga të gjitha këto veprime ne, duhet të nxjerrim konkluzione. Por puna e Ministrisë së Brendshme, është shumë e gjerë dhe kjo konsiston në kuptimin e mirë të metodave agjenturore të të gjithë këtyre kriminelëve që kemi në burg. Të kuptojmë lidhjet, dhe t’i konkretizojmë këto lidhje nga rezultatet e informacionit të jashtëm i cili, parashikohet që ka qenë në duart e sovjetikëve dhe të të tjerëve. Bashkë me këtë, duhet të parashikojmë dhe largimin e disa elementëve që paraqiten ose jo të sigurt, ose të kompromentuar.
Këtë e lyp interesi i madh i atdheut, i socializmit në vendin tonë, dhe i Partisë, kundër së cilës janë vërsulur gjithë këta armiq të hapur e të fshehtë, që kanë qenë kudo, por edhe ata, që vepronin në mënyrën më të rrezikshme ishin në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Duke pasur parasysh këto, është e drejta ime që të kërkoj më shumë nga shoku Kadri që, të na ndihmonte të hidhnim dritë mbi këtë lëmsh agjenturor që, kishte vepruar në sferat e larta të Partisë dhe Shtetit.
Prandaj e kam thirrur atë disa herë dhe i kam thënë: “Ti Kadri, ke punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme për gati 30 vjet. Po kështu ti, ke punuar dhe në Kundër zbulimin e Ushtrisë ku, kishte këshilltarë jugosllavë. Kur përmend këtë, nuk kam si qëllim që të them se ke qenë bashkëpunëtor i Mehmet Shehut. Jo, por fakt është që ti, ke qenë për një kohë të gjatë në krye të këtij dikasteri, në fillim si zëvendësministër, pastaj si ministër i Punëve të Brendshme, si dhe ke drejtuar organet e Sigurimit të Shtetit.
Pra ti, ishe i rrethuar dhe bashkëpunoje me këtë agjenturë të fortë dhe shumë të rrezikshme që punonte nën drejtimin e Mehmet Shehut, por ti me dashje ose pa dashje, ke treguar mungesë të theksuar vigjilence për të mos e parë veprimtarinë e kësaj agjenture”. Po ashtu, duhet pasur parasysh se ti, ke qenë që në vitet e para pas çlirimit, në Sigurimin e Shtetit kur vepronte agjentura e Koci Xoxes. Edhe atëherë ti kishe rreth vetes agjentë të Koci Xoxes, që vepronin nën direktivat e Beogradit. Ne, u jemi futur tani disi dosjeve të vjetra (them disi, pasi shumë pak i kemi parë ose më mirë të themi sa kemi futur majën e gishtit).
Por atje, po gjejmë dokumente skandaloze për të cilat ti, je drejtpërdrejtë përgjegjës shoku Kadri. Me këtë dua të them që ti, ke një përgjegjësi të madhe për ato që kanë ndodhur atje. Ti, mund të thuash se ma kanë hedhur, por gabimet që janë vërtetuar atje janë kaq serioze, sa nuk mund të të falen në asnjë mënyrë. Fakt është se, me të gjithë këto kuadro të Sigurimit të Shtetit ti, ke pasur një familjaritet të sëmurë dhe të tepruar, të cilin ta kam vënë në dukje vazhdimisht, sepse të kam dashur, dhe të kam respektuar, dhe kam pasur bindjen se ti ishe marksist leninist.
Por me gjithë këshillat e dhëna, për fat të keq konstatoj se në dikasterin ku ke punuar, nuk ka ekzistuar një frymë e shëndoshë partie. Në vend të kësaj fryme atje, ka ekzistuar familjariteti i sëmurë. Sipas mendimit tim kjo gjë, ka krijuar mundësinë që agjentët e Mehmet Shehut, të vepronin lirisht në dikasterin që drejtoje ti. Ne me të drejtë, e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë me të drejtë Ministrinë e Punëve të Brendshme, si një armë të mprehtë të Partisë, e dinim se kemi pasur në Sigurimin e Shtetit, kuadro nga më të mirët e Partisë, njerëz gjakftohtë, vigjilentë, dhe besnikë.
Ky ka qenë vazhdimisht orientimi ynë për këtë çështje, por na del krejt e kundërta. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërtuan çerdhen e tyre banditët dhe spiunët, dhe ti ke një përgjegjësi të madhe për këtë, shoku Kadri. Por në këto çështje të mëdha, konstatoj se fryma dhe orientimi i shëndoshë që ka dhënë këtu Partia, ka qenë me dy presa. Ka pasur kuadro të këtij sektori, që e kanë kuptuar këtë situatë, por ka pasur dhe nga ata që nuk e kanë kuptuar këtë gjë dhe kanë bërë të kundërtën, dhe një nga ata ke qenë ti Kadri, gjë që ka krijuar në opinion një situatë të rrezikshme për Partinë, sa që mendohet sikur ekziston një paprekshmëri për punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016